Bankers Petroleum tërhiqet nga “kërcënimi” për arbitrazh, premton bashkëpunim me qeverinë
Bankers Petroleum Albania Ltd. në një njoftim të fundit për shtyp pohon se në përputhje të plotë me institucionet dhe autoritetet kombëtare, konfirmon gadishmërinë për të zbatuar, pa rezerva, Vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit (ICC) të datës 7 qershor 2024, të mbështetur nga Gjykata e Apelit e Shqipërisë (Vendimi Nr. 479, i komunikuar më 1 korrik 2025).
“Ekipet tona ligjore janë plotësisht të përgatitura për të punuar së bashku me institucionet përkatëse shqiptare për të siguruar ekzekutimin gjithëpërfshirës të këtij vendimi, në përputhje me standardet ndërkombëtare për të mbrojtur investimet e huaja dhe për të siguruar zbatimin me sukses të një projekti kryesor energjetik në Evropën Kontinentale, që pasqyron interesat e përbashkëta kombëtare dhe strategjike të Shqipërisë”, thotë bankers në njoftim.
Me këtë njoftim, Bankers Petroleum një prej kompanive më të mëdha në vend, që menaxhon me koncesion fushën naftëmbajtëse të Pator Marinzës dhe është nën hetim nga prokuroria e Fierit për evazion fiskal, duket se është tërhequr nga kërcënimet e para pak javëve, pqë të çuar shtetin shqiptar në arbitrazh.
Në 22 korrik Bankers paralajmëroi se kishte angazhuar ekipe ligjore si në Shqipëri, ashtu edhe jashtë vendit, për të bashkudhëhequr mbrojtjen ligjore, si brenda vendit, ashtu edhe para organeve ndërkombëtare të arbitrazhit.
Në njoftimin e sotëm Bankers pohon se po ndjekin me vëmendje të sinqertë hetimet penale, të iniciuara nga autoritetet shqiptare më 2 korrik 2025, në lidhje me disa kolegë të respektuar dhe ish-punonjës. “Gjatë gjithë këtij procesi, vazhdojmë të angazhohemi haptazi me të gjitha institucionet kompetente, të udhëhequr nga një frymë transparence, respekti të ndërsjellë dhe respektimi të ligjit.
Për shembull, nën drejtimin e Kryetarit tonë të Bordit Mbikëqyrës, planifikojmë të formojmë një ekip të jashtëm për të kryer një vetë-hetim të thellë për të gjithë periudhën, duke ofruar bashkëpunim dhe ndihmë të ngushtë për autoritetet shqiptare.
Kemi shpresa të mëdha në integritetin dhe drejtësinë e sistemit gjyqësor shqiptar dhe mbetemi shpresëplotë se kjo çështje do të trajtohet me paanshmërinë dhe kujdesin që meriton. Gjithashtu, shprehim dëshirën tonë të sinqertë që masat aktuale të sigurisë që prekin anëtarët e ekipit tonë, të rivlerësohen në mënyrë të tillë, që të mbrojnë vazhdimësinë e operacioneve tona dhe përforcojnë besimin ndaj drejtësisë”, thuhet në njoftim.
“Ndërsa përparojmë në të gjitha drejtimet; ligjore, operacionale dhe teknologjike, ne vijojmë të jemi plotësisht në përputhje me ligjet e Republikës së Shqipërisë, kushtet e marrëveshjes sonë të koncesionit, ICC-në dhe standardet ndërkombëtare të zbatueshme. Rruga jonë është ajo e partneritetit dhe prosperitetit të përbashkët; duke u përqendruar në mbrojtjen e investimeve afatgjata, duke nxitur inovacionin, kujdesin ndaj mjedisit dhe duke kontribuar në mënyrë vendimtare në rritjen ekonomike të Shqipërisë.
Ne e shohim rolin tonë jo vetëm si operator energjie, por si një partner i besuar në udhëtimin e zhvillimit të vendit, të përkushtuar ndaj progresit, stabilitetit dhe një të ardhmeje të qëndrueshme për të gjithë shqiptarët”, përfundon njoftimi.
https://monitor.al/kryeministri-rama-bankers-petroleum-na-detyrohet-240-mln-euro-cfare-ndodhi-me-arbitrazhin/
The post Bankers Petroleum tërhiqet nga “kërcënimi” për arbitrazh, premton bashkëpunim me qeverinë appeared first on Revista Monitor.