I përfolur për lidhjet me vajzat shumë më të reja, rrëfehet Leonardo DiCaprio: Kur hyn në të pesëdhjetat ndjen se nuk duhet të humbasësh më kohë
Leonardo DiCaprio, në një intervistë të re për Esquire britanik, ka treguar hapur se si i është ndryshuar qasja ndaj marrëdhënieve romantike me kalimin e viteve.
Aktori, i cili prej vitesh është vënë në qendër të kritikave për lidhjet e tij me gra më të reja, shpesh nën moshën 25 vjeç, tha se tani dëshiron të jetë plotësisht i sinqertë, edhe nëse kjo do të thotë të rrezikojë prishjen e një lidhjeje.
“Kur hyn në të pesëdhjetat, ndjen se do të jesh i hapur dhe të mos humbasësh kohë. Nuk do të shtirresh, nuk do të investosh energji në diçka që nuk funksionon. Nëna ime sot thotë saktësisht atë që mendon dhe nuk humb kohë — kjo është frymëzim për mua”, u shpreh ai.
DiCaprio tha se sot për të është më e rëndësishme të shprehë menjëherë atë që dëshiron, si në jetën private, ashtu edhe në atë profesionale.
“Kam më shumë jetë pas meje sesa para meje, prandaj ndjej përgjegjësi të jem plotësisht i qartë”, tha ai.
Lidhjet e tij kanë qenë prej dekadash objekt diskutimi publik. Nga romanca pesëvjeçare me Gisele Bündchen, të cilën e nisi kur ajo ishte 18 vjeçe, te lidhja disavjeçare me Bar Refaelin, që përfundoi kur ajo mbushi 25 vjeç — është krijuar një model që shpesh është ironizuar nga publiku.
Një skenar i ngjashëm ndodhi edhe me Camilën Morrone: pas pesë vitesh lidhje, çifti u nda një muaj pasi ajo mbushi 25 vjeç. Më pas, ai u lidh me disa modele të reja, përfshirë Eden Polanin 19-vjeçare, gjë që ngjalli reagime të shumta.
Megjithatë, në fund të vitit 2022, DiCaprio u përpoq të thyente këtë imazh kur nisi për pak kohë të dilte me Gigi Hadid, atëherë 27 vjeçe. Edhe pse lidhja nuk zgjati, ata mbetën miq.
Që nga gushti i vitit 2023, ai është lidhur me modelen italiane Vittoria Ceretti, të cilën e njohu në Festivalin e Filmit në Kanë. Edhe pse ajo është fotografuar disa herë me unazë në dorë, burime të afërta thonë se çifti nuk është i fejuar. Më parë, Vittoria ka qenë e martuar me DJ-në italian Matteo Milleri, pjesë e duetit “Tale of Us”.
Burime pranë aktorit thonë se DiCaprio dëshiron ta lërë pas imazhin e burrit që del vetëm me gra të reja: “E shqetëson fakti që ky reputacion e ndjek kudo. Ai kërkon diçka më serioze dhe më të pjekur, por çdo dalje e tij me një grua të re përfundon menjëherë në titujt e mediave”. /Telegrafi/
The post I përfolur për lidhjet me vajzat shumë më të reja, rrëfehet Leonardo DiCaprio: Kur hyn në të pesëdhjetat ndjen se nuk duhet të humbasësh më kohë appeared first on Telegrafi.