Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 15 July 2025Main stream

Letër për një letër publike

By: Java News
15 July 2025 at 11:30

Nga Ervin Lera

Pas një letre publike që zoti Baton Haxhiu, i drejton zonjës Eni Vasili si Drejtoreshë e Përgjithshme e RTSH, për të shpëtuar institucionin nga depresioni ku ka rënë, ose më saktë ku ka qënë gjatë gjithë ekzistencës së vet që në fillim vitet ’90, duke mos patur asnjë kontakt dhe njohje të drejtëpërdrejtë me asnjë prej tyre, po drejtohem nëpërmjet një letre të thjeshtë pas letrës publike.

Që të mos zgjatem me hyrje që shkëpusin vëmendjen, po kaloj drejt në ato me të cilat nuk pajtohem me zotin Haxhiu. Edhe pse nuk ngre dot pretendimin se di gjithçka, madje as shumë, mund të mbroj argumentat e mia kundërshtuese në lidhje me letrën.

Nga sa lexova nga letra e zotit Haxhiu, ajo që binte në sy – të paktën ajo që më tërhoqi vëmendjen mua – ishte fakti që edhe vetë lëtërshkruesi publik e pranon pa ndrojtje dhe pa asnjë hezitim, se nuk ka dështuar asnjëherë RTSH deri tani, por ka dështuar politika, e cila me ndërhyrjet dhe interesat e veta ka bërë që të mbetet RTSH, në një nivel, sipas zotit Haxhiu, të mjerueshëm.

Pra, nuk është paaftësia e drejtuesve të zgjedhur politikisht të RTSH, që kanë realizuar dështimin e RTSH, por janë drejtuesit më të lartë politikë që e kanë bërë këtë.

Por, a ka kjo një zgjidhje? PO! Kjo e ka një zgjidhje dhe që nuk është nevoja të hartohen strategji madfhështore për t’u arritur. Me ndihmën dhe mbështetjen e faktorëve dhe aktorëve me ndikim në jetën mediatike shqiptare, shoqërinë civile – ata dashamirës të asetit moral kombëtar RTSH – , me kontributin e disa njerëzve të përkushtuar brenda RTSH, të cilët reflektojnë largpamësi dhe zhvillim, mund të ngrihet një mburojë antipolitike në menaxhimin dhe zhvillimin e RTSH.

Mund të ndalohet dhe të konsiderohet i paligjshëm dhe i dënueshëm çdo ndikim politik në menaxhimin e RTSH dhe të respektohet pavarësia dhe depolitizimi i këtij institucioni që në fillim të ndryshimit të regjimit social-politik në Shqipëri.

RTSH është institucioni i parë që ka deklaruar depolitizimin, madje, para policisë dhe ushtrisë.
Organizimi i takimeve të ngjashme me atë që nxiti zotin Haxhiu të shkruajë letrën publike, drejtuar zonjës Vasili, është më shumë se i nevojshëm, pa diskutim duke përzgjedhur me më shumë kujdes pjesëmarrësit dhe protagonistë, dhe duke nxjerrë përfundime të qarta, dhe ngritur strategji afatmesme dhe afatgjata për zhvillimin e RTSH, dhe, duke qartësuar në çdo hollësi edhe rrugët dhe politikat menaxhuese se si do të arrihet kjo.

E para që mendoj se është e duhura në respekt edhe të pavarësisë dhe depolitizimit të RTSH, është që në këto tryeza të mos përfshihen emra dhe personalitete me angazhim të drejtëpërdrejtë politik dhe me interesa të përcaktuar partiakë.

Përmirësimi i kushteve të punës, trajnimi, zhvillimi dhe promovimi i vlerave të punonjësve të RTSH, aq shumë të injoruara nga zoti Haxhiu në letrën e tij, janë të mundshme të bëhen në çdo moment pa nevojën e specialistëve të BBC dhe/ose ARD.

Pikërisht përvoja e zotit Haxhiu me RTK, e cila lulëzoi në kohën kur ai ishte pjesë e Këshillit Drejtues të RTK dhe RTK asistohej nga BBC dhe ARD, është zhgënjim. As BBC dhe as ARD nuk do të stacionohen përjetësisht në RTSH, dhe nuk mendoj se zoti Haxhiu ka synim të rikthehet, tashmë në Shqipëri, në një funksion këshilltari pranë Këshillit Drejtues të RTSH. Nuk di ta them sepse nuk e njoh, RTK u rikthye dobët pas largimit të BBC dhe ARD, apo pas përfundimit të mandatit të zotit Haxhiu.

Orkestra e RTSH, artistët e trupës së të cilës, paguhen rreth 60% më pak se homologët e tyre të Orkestrës së Teatrit të Operas dhe Baletit, janë asete të patjetërsueshme të RTSH, sepse janë i vetmi sektor i RTSH që vijnë çdo ditë në punë, vetëm për të punuar dhe punojnë vërtetë.

Se si i kompensojnë ata nevojat dhe kërkesat familjare e personale për kushte më të mira jetese, në dasma apo sebepe të tjera, të paktën, janë të ndërshëm me veten dhe profesionin e tyre, sepse bëjnë atë që dinë të bëjnë, pa i hyrë në hak askujt në asgjë.

Shumë ndjesë cilitdo lexuesi, por meqë thuhet se në RTSH, nuk ka asnjë dokumentar të mirë, – edhe njëherë ndjesë për mungesën e modestisë – unë jam një nga ata që kam bërë dokumntar të mirë, reportazhe cilësore, të cilët janë transmetuar edhe në homologë të BBC dhe ARD në Europë.

Për mos t’u zgjatur më tej, përveç arkivës së saj, vërtetë shumë të pasur dhe që ka nevojë urgjente të digjitalizohet, dhe duke qënë se ato materiale të digjitalizuar do të jenë asete historike shumë të rëndësishme kombëtare, le të bëhet kjo në partneritet me agjenci shtetërore të cilat do të përfitojnë interesat e tyre të përdorimit. Por, përveç vlerës së paçmueshme të arkivës, RTSH ka me shumë vlerë edhe truallin mbi të cilin ngrihet dhe godina e saj. Madje e ka me aq shumë vlerë, sa sikur në atë trual të ngrihej ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nuk do të ishte aspak çudi, që të dëgjinim thirrje të tilla si: Poshtë Imperializmi Amerikan!

Në qoftë se zonja Vasili ishte e sinqertë me veten dhe me publikun, në tryezën që organizoi dhe nxiti shkrimin e letrës publike, depersonalizuese për RTSH, le ta mbështesin dhe inkurajojnë të gjithë ata që munden me aq sa munden, duke përjashtuar çdo ndikim djallëzor politik apo me qëllime të tjera.

The post Letër për një letër publike first appeared on JavaNews.al.

Before yesterdayMain stream

Konflikti në Theth dhe një episod nga libri për Oso Kukën

By: Java News
14 July 2025 at 15:52

Nga Indrit Vokshi

Diçka për Thethin!

Pata pyetur dikë për leje ndërtimi në tokë time. Më tha, bëjë, se s’të thotë askush asgjë, s’të vjen kush. I thashë jo. Nëse unë ndërtoj pa leje veç me fjalën e dikuj, jam unë që po luaj bixhoz me lekët e mia. Nesër ta shemb e ske çfarë i thua!

Shteti nuk flet me fjalë, shteti s’ka gojë, shteti flet me akte e me vendime – ato janë goja e shtetit. Me shtetin s’ka besë as fjalë, ka veç vendime. Nëse do të luash bixhoz duke u bazuar te fjala private e zyrtarëve të shtetit, qoftë edhe kryeministri, luaj.

Para 18 vjetësh pata lexuar një libër për Oso Kukën. Më ka mbetur në mend diçka, shteti i kohës donte të rregullonte një rrugë që lehtësonte kalimin në ato malsi. Dikush i thotë jo, nuk na pëlqen shumë hapja e rrugës, se po u hap rruga, siç vijnë njerëzit e mallrat, vjen edhe ushtria më kollaj. Ne duam të ruajmë autonominë dhe kanunin, nuk e duam ushtrinë e shtetit prezente në këto malsi.

Ka dy zgjidhje, ose të pranosh ndërtimin e rrugës, të pranosh ardhjen e mallrave, të pranosh investimet, të pranosh hapjen, ose të mos i pranosh këto dhe të çmosh më shumë autonominë dhe pavarësinë historike kanunore.

Nuk mundesh t’i kërkosh shtetit edhe rrugën, dhe investimet, edhe aksesin, dhe mirëqenien, por njëkohësisht edhe të mos e pranosh autoritetin e shtetit. Mundesh mirëpo shteti s’ta pranon ketë lloj “pazari”.

Ajo çka duhej dhe duhet kërkuar për ato zona janë titujt e pronësisë dhe plani rregullues në përputhje me karakteristikat e zonës; që njerëzit të kenë siguri për biznes dhe të munden të fitojnë nga turizmi, të munden të pasurohen me pronat e tyre.

Këto pretendimet se kemi 2000 vjet këtu, është toka jonë, na ka rrejt apo pre në besë Rama, janë romanticizma epike, por vetëm kaq. Ketë gjë duhet ta kishin kërkuar përfaqësuesit e malsive në fjalë. Nuk e kanë kërkuar.

Dhe votat nuk janë dhënë në ketë marrëdhënie, por janë dhënë me tifozeri, burrë i mirë ky, burrë i mirë ai, komunizmi kështu, ballistët ashtu. Tani paguajnë faturën e qasjes në fjalë.

Fakti se qeveria ka lejuar dikë tjetër diku tjetër për të ndërtuar pa leje, nuk ndihmon askënd. Sepse çfarë po thua? Po thua më lejo edhe mua pa leje?

Këtu ka lloj-lloj pretendimesh, veç pretendimi për ligjshmëri, për siguri ligjore, për investim dhe zhvillim mbi baza të sigurta, nuk shihet askund.

Këto raste në vend që të shërbejnë për të reflektuar se çfarë modeli i zhvillimi na duhet, shërbejnë për të risjellë historira e steriotipe. Jo na ka hy komunizmi në malsi, jo s’ka hy turku, jo na preu në besë Edi Rama…!

Dakord, janë të mira këto për t’i gjetur kuptim jetës, mirëpo s’kanë lidhje me situatën e tanishme.

Tani duhet t’i kërkohet shtetit siguri dhe zhvillim mbi baza të qëndrueshme. Pronat i ndërtojnë vetë, shteti ka detyrë të krijojë kuadrin për zhvillim të sigurt e afatgjatë.

The post Konflikti në Theth dhe një episod nga libri për Oso Kukën first appeared on JavaNews.al.

Ore, sa herë do e shkarkoni nga puna Yuri Kim?

By: Java News
12 July 2025 at 21:03

Nga Gentian Gaba

Po t’u besosh këtyre, është hera e tretë brenda pak muajsh që “pushojnë nga puna” ambasadoren Yuri Kim. Hera e parë, sipas tyre, ishte në shkurt (ka madje edhe artikuj online për këtë), hera e dytë në mars, ku pretendohej se ishte nën hetim intensiv, sipas “ekspertëve” të Tiranës, dhe hera e tretë sot.

Mesa duket, kanë menduar se “e treta e vërteta”, pas lajmit se Departamenti i Shtetit ka nisur të largojë nga puna mbi 1.300 punonjës, si pjesë e një riorganizimi të thellë të agjencisë, sipas burimeve zyrtare të vetë Departamentit.

Sipas raportimeve, bëhet fjalë për 1.107 zyrtarë të shërbimit civil dhe 246 të shërbimit të jashtëm, që preken në këtë fazë të ristrukturimit, në kuadër të përpjekjeve më të gjera të administratës Trump për të reduktuar madhësinë e qeverisë federale.

Tani, nuk e di nëse lajmet në Shqipëri vijnë më shpejt se në Uashington D.C., por nga sa kuptoj, deri më tani asnjë profil i lartë nuk është prekur. Aq më tepër kur kujtojmë se zonja Kim u emërua ambasadore pikërisht gjatë mandatit të parë të presidentit Trump.

Nga ajo që shoh, këtu lajmi është frymëzuar nga pamjet e protestës përballë godinës së Departamentit të Shtetit. Por pikërisht këtu qëndron edhe keqkuptimi, sepse ndërsa jashtë protestohet, brenda godinës zyrtarët në detyrë, të ndarë nga protesta, duartrokasin në mënyrë simbolike në nder të punonjësve civilë që po largohen, si shenjë respekti për kontributin e tyre.

Se çfarë do të ndodhë me Yuri Kim, është punë e saj. Por ajo që më ka argëtuar këto ditë është mënyra se si ndërtohen realitete paralele, pa asnjë lidhje me të vërtetën (në Tiranë e kishin “shkarkuar” disa herë më parë), për të justifikuar gabimet strategjike në raport me SHBA-në. Rrëfime që ngjajnë më shumë me një lojë pasqyrash, e ndërtuar për të çorientuar publikun.

Dhe mbi të gjitha, kjo është pjesa më problematike, kjo qasje tregon mungesë të thellë reflektimi. Asnjë përpjekje për të kuptuar ku është gabuar, vetëm këmbëngulje për të shpikur armiq të jashtëm, për të fshehur dështimin dhe për të shmangur reformimin dhe ndryshimin e nevojshëm. Ndryshim që është kusht i domosdoshëm për të ndërtuar partneritete serioze përtej Adriatikut, nëse vërtet duan të përballen me një kundërshtar si Edi Rama. /alfapres/

The post Ore, sa herë do e shkarkoni nga puna Yuri Kim? first appeared on JavaNews.al.

Bankers Petrolium “u arrestua”

By: Java News
5 July 2025 at 12:13
Nga Indrit Vokshi
Kur ra Sulltani në 1919, ajo çka ngeli prej Perandorisë Osmane do të merrej e të sundohej nga fituesit e luftës, Britani, Francë, ShBA.

Harta e re e Versajës 1920 u qep e tillë, ndante territoret në shtete të vogla, shtete pa mundësi për tu rritur e për të qenë rivalë gjeopolitikë. Lindja e Mesme u nda në Arabi, Liban, Irak, Siri, Jordani, shtete nën kontrollin franko-britanik. Magrebi gjithashtu. Ballkani në Jugosllavi të kontrolluar nga Franca e Britania. Greqi britanike. Shqipëri e cila u njoh ndërkombëtarisht vetëm pasi Entoni Iden, kryeministër i mëvonshëm në Britani, erdhi në Tiranë takoi Abdi Toptanin dhe kërkoi të rrëzohej qeveria pro-italiane e Durrësit dhe të mbahej kongres (Kongresi i Lushnjes) e Britania do ta njihte Shqipërinë shtet. Ashtu ndodhi. U rrëzua Durrësi, u vra Esad pasha, lindi rendi politik i Kongresit të Lushnjës.

Shtetet si Shqipëria u lanë të vogla, pa burime, me gjymtime territoresh e resursesh me qëllim që të mos kishin mundësi për të qenë të forta, përkundrazi të ishin sa më pak sovrane. Vazhdoi “Koncerti Europian” i themeluar në Vjenë 1815. Veçse në nivel tjetër, pa Gjermaninë, pa Austrinë, pa Perandorinë Osmane, me Amerikën që u shtua si fuqi e re. Shtetet e mëdha manaxhojnë territore dhe zona influence.

Sadami u vra, pati guxuar të shtetëzojë naftën në një vend të cilin Britania e shpalli shtet prej naftës në Mosul e Kirkuk dhe si bazë për të sunduar Lindjen e Mesme. Naseri u bombardua nga Franca e Britania në krizën e Kanalit të Suezit, pastaj Sadati u vra në paradë ushtarake. Mbreti i Arabisë Feisal u vra në 1975 sepse synonte ta përdorte naftën si mjet politik qëndrese. Në 1977 u vra presidenti i Jemenit, Kolonel Ibrahim al Hamdi.

Për t’i sunduar këto territore të fituara nga mposhtja e Perandorisë Osmane dhe e Austrisë, ka pasur një kusht: Elitat sunduese të ishin sa më të korruptuara dhe sa më tradhëtare të interesave të popujve të tyre. Rendin ndërkombëtar nuk munden ta qëndisin vende të vogla si Shqiperia por elitat nevojiten të korruptuara dhe anti-vend që sunduesit të marrin “pazar të lirë”, të mos negociohet asgjë për interesat e shtetit, kompanitë të marrin pasuritë dhe të mos paguajnë asgjë, siç nuk kanë paguar miliona euro taksa e tatime.

Nuk dihet ku është prishur pazari me Bankersin dhe atë çka Bankers përfaqëson, pazari nuk është prishur në Tiranë. Nuk mundemi dhe nuk duhet të jemi kundër investimeve të huaja pasi lëndët e para nuk munden të lihen pa përpunuar. Mirëpo Shqipëria ka pasur dhe ka nevojë për elita që negociojnë “pazar” sa më të favorshëm për vendin.

The post Bankers Petrolium “u arrestua” first appeared on JavaNews.al.

Rama, dora e “hekurt” dhe vera e gjatë e socialistëve

By: Java News
5 July 2025 at 10:04

Nga Vitjon Nina

Vera e vitit 2025 nuk do të jetë veçanërisht shplodhëse për socialistët, të cilët vijnë nga një fitore dërrmuese në zgjedhjet e 11 majit dhe nga konsolidimi i një mandati të fuqishëm me 83 mandate për katër vitet e ardhshme.

Ndoshta, do të jetë krejt e kundërta dhe përgjegjës për këtë – jo fajtor – është kryeministri Edi Rama, kreu i Partisë Socialiste dhe nga sa duket, “dora e hekur” e një vere të gjatë që PS-ja ka përpara.

Tre ditët e fundit nuk kanë qenë veçanërisht të qeta për të majtët.

Fillimisht, një takim i jashtëzakonshëm – edhe pse pas skenave i paralajmëruar – në Vlorë, i bëri një dush të ftohtë strukturave vendore, në krye të një sezoni turistik, i cili nuk ka nisur fort mirë për qytetin bregdetar, mes problematikave të mëdha me ujin.

Në fakt, Rama shkoi personalisht. Takoi jo vetëm kryetarin e Bashkisë, Ermal Dredha, por edhe kupolën drejtuese të drejtorive.

Në fund, fjala ishte një dhe e vetme: Dorëheqja e të gjithëve!

E në fakt kështu ndodhi. Drejtorët e Bashkisë Vlorë të nesërmen u panë kokëulur të dilnin nga institucioni, të gjithë tashmë të dorëhequr dhe vetë institucioni i lartë i pushtetit vendor në qarkun ndoshta më të rëndësishëm gjatë sezonit veror, ka një mal përpara, për të vijuar sfidat e mëdha dhe dyndjen gjithnjë e më “uzurpuese” të pushuesve.

Po brenda ditës, Rama në Tiranë zhvilloi një mbledhje urgjente dhe të paparalajmëruar publikisht me deputetët e zgjedhur të Qarkut Tiranë, me ministra, me drejtuesen e komanduar të Bashkisë, ku pak detaje u bënë me dije, përpos faktit se koordinimi i punës në terren dhe shtimi i forcave përgjatë verës, do të ishte kryefjalë e këtij sezoni pa angazhime parlamentare dhe ndoshta, edhe pa pushime për vetë politikanët e majtë.

As ditëlindja e vet nuk e gjeti më të relaksuar Ramën.

Në 4 korrikun edhe të Pavarësisë amerikane, ai mblodhi që në mëngjes në selinë rozë ministrat.

Kërkesat dhe detyrat ishin shumë të qartë: Angazhim maksimal për të ndihmuar strukturat vendore.

Hapësira publike, parkingjet, shërbimet dhe lejet e ndërtimit. Këto janë katër pikat për të cilat Rama ka kërkuar mobilizim të veçantë.

Vetë ministritë do të shihen si mbështetëse në çdo problematikë, e cila lihet të kuptohet se nuk do të tolerohet më.

Fjala bie, për hapësirat publike do të kujdeset Anuela Ristani, drejtuese e komanduar e kryeqytetit, së bashku me ministren e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, e cila ishte edhe bashkëdrejtuese e qarkut në fushatë.

Problematikat me trafikun do të shohin angazhim të shtuar të Blendi Gonxhes dhe Ervin Hoxhës.

Apo, edhe të gjithë të tjerët, në takime në terren me qytetarët, ose deri edhe te angazhimi i posaçëm i ministrit të Financave, Petrit Malaj dhe ministres së Sipërmarrjes dhe Klimës së Biznesit, Delina Ibrahimaj, për t’u angazhuar me pjesën e financave.

Punën “pisk” do ta kenë edhe bizneset nga sa lihet të kuptohet. S’ka më asnjë tolerancë për zaptimin e hapësirave publike dhe ndjekja penale e pret çdokënd që vepron ndryshe.

Vetë Rama e lajmëroi këtë, si një aksion të gjerë kombëtar kundër zaptimit të hapësirave publike në qytetet kryesore të vendit, duke paralajmëruar masa të forta ndaj abuzuesve që kanë uzurpuar trotuare, hapësira ndërmjet pallateve dhe zona të përbashkëta me trarë, tenda, objekte të paautorizuara dhe struktura të tjera penguese për jetën komunitare.

Në një komunikim të drejtpërdrejtë me qytetarët përmes rrjeteve sociale, kryeministri njoftoi po ashtu se pas takimeve në Vlorë dhe Tiranë, qeveria do të organizojë një seri konsultimesh në Durrës, Fier, Elbasan dhe Shkodër, me qëllim përgatitjen e një aksioni dyjavor për evidentimin e çdo problematike që lidhet me keqpërdorimin e hapësirave publike.

Është e qartë përmes kësaj të kuptohet se në fakt, vera shplodhje s’do të ketë. Socialistët kanë shumë punë përpara…

The post Rama, dora e “hekurt” dhe vera e gjatë e socialistëve first appeared on JavaNews.al.

Një replikë me Sonila Meçon, që ishte tmerruar se Tiranën po e “pushtojnë” emigrantët e huaj

By: Java News
4 July 2025 at 18:46

Nga Dr. Loina Prifti

Në ditët e fundit, dy përmbajtje që qarkulluan në media më kanë nxitur në një reflektim të thellë. Njëra është një opinion i gazetares së njohur Sonila Meço, publikuar në gazetën Tema, mbi transformimin demografik dhe kulturor të Tiranës, ku shtjellon  shqetësimet për humbjen e identitetit dhe boshatisjen e vendit nga të rinjtë shqiptarë.

Tjetra, një video ku një eksperte e ftuar në Opinion në TV Klan, analizon “inteligjencën e popujve” në mënyrë që ngre pyetje serioze mbi përhapjen e gjeneralizimeve në emër të shkencës.

E kam ndjekur gjithmonë me vlerësim punën e Sonila Meços për mënyrën si ka trajtuar tema të vështira me guxim dhe integritet. Qëllimi i saj nuk është paragjykimi, por nxitja e debatit për sfidat që po përballon vendi. E megjithatë, edhe kur diskutojmë tema të vërteta dhe të dhimbshme, gjuha që përdorim, përqendrimi i vëmendjes dhe narrativat që ndërtojmë kanë rëndësi thelbësore.

Shqipëria po ndryshon. Ky është realiteti. Dhe ashtu si çdo vend që përjeton ndryshime të mëdha demografike, përmes emigracionit apo imigracionit, ndjen tension, pasiguri dhe nganjëherë konfuzion identitar. Kjo është njerëzore. Por mënyra si përballemi me këtë tension do të përcaktojë nëse do të ndërtojmë një shoqëri më të fortë, apo një shoqëri më të mbyllur e më të frikësuar.

Në shkrimin e Meços shqetësimi për zëvendësimin e shqiptarëve nga punëtorë të huaj, të ardhur kryesisht nga Azia Jugore, ngre një pyetje reale për qasjen shtetërore ndaj migracionit, mungesën e strategjive për integrim dhe qasjen mbi zhvillimin e qëndrueshëm urban. Por, ajo që më shqetëson është rreziku i përgjithësimeve që ndërtojnë ndarje midis “nesh” dhe “atyre”.

Rreziku që përfaqësues të tëra komuniteteve të identifikohen me etiketa si “jo të integrueshëm”, “kërcënim për rendin”, apo thjesht si “të tepërt”.

Këto janë të njëjtat narrativa që shohim në vendet e tjera ndaj emigrantëve shqiptarë, në Itali, Greqi, apo më gjerë. Edhe atje, shumë herë jemi përballur me etiketime kolektive, me përjashtim, me frikë. Ndaj është paradoksale që ne, një popull me kaq shumë përvojë emigrimi, po rrëshqasim sot në një diskurs përjashtues ndaj atyre që vijnë për të punuar e jetuar në vendin tonë.

Unë vetë kam jetuar jashtë për shumë vite. Dhe pavarësisht sfidave, kam pasur fatin dhe

jam ndjerë e respektuar për atë që sjell si profesioniste dhe si njeri. Asnjëherë nuk jam paragjykuar për pasaportën apo ngjyrën e lëkurës. Kjo nuk ka ndodhur rastësisht, ka qenë rezultat i një kulture që i jep rëndësi vlerave, jo prejardhjes. Dhe pikërisht këtu është thelbi i çështjes: çfarë vlerash duam të ndërtojmë në Shqipëri?

Në këtë sfond, edhe videoja e përmendur, që klasifikon popuj sipas inteligjencës së tyre, është shembull i një tjetër forme përjashtimi të maskuar si shkencë. Edhe nëse ka studime statistikore që evidentojnë dallime mesatare në performancën shkollore në vende të ndryshme, është e rrezikshme të shndërrosh këto dallime në etiketime kombëtare mbi “inteligjencën”.

Kultura, arsimi, varfëria, gjuha, historia koloniale – të gjitha ndikojnë në atë që masim si “inteligjencë”. Dhe çdo gjeneralizim mbi baza etnike është, në fund të fundit, një lloj paragjykimi.

Prandaj ka ardhur koha të dalim nga ky cikël gjykimi. Të ndërtojmë një diskurs të ri, ku të huajt nuk shihen si kërcënim, por si pjesë e një realiteti të ri shoqëror që ka nevojë për menaxhim, jo frikë. Nuk mund të kërkojmë respekt jashtë, nëse nuk jemi të gatshëm ta ofrojmë atë brenda.

Media dhe figurat publike kanë një rol kyç në këtë rrugëtim. Fjalët e tyre formësojnë perceptime, ndikojnë narrativat kombëtare, dhe shpesh shërbejnë si busull morale për shoqërinë. Prandaj, ndërsa debati mbi identitetin, zhvillimin urban dhe migracionin është i nevojshëm, ai duhet të bëhet me ndjeshmëri, me maturi, dhe mbi të gjitha me respekt për njeriun, përtej kombësisë apo origjinës së tij.

Në fund të ditës, çfarë Shqipërie duam të ndërtojmë? Një vend që mbrohet duke mbyllur dyert? Apo një vend që e forcon veten duke hapur mendjen, duke rregulluar institucionet dhe duke ushqyer një shoqëri ku dinjiteti i çdo njeriu respektohet? Unë besoj në të dytën. (TemA)

The post Një replikë me Sonila Meçon, që ishte tmerruar se Tiranën po e “pushtojnë” emigrantët e huaj first appeared on JavaNews.al.

Shqiptarët si shënjestër dhe Shqipëria si ofertë, strategjia e dyfishtë e GB News

By: Java News
28 June 2025 at 11:32

Nga Klevis Hoxhaj

Brenda pak orësh, në një zhvendosje të pazakontë por domethënëse, transmetuesi britanik GB News kaloi nga një artikull i mbushur me akuza të ashpra ndaj shqiptarëve – të artikuluara nga populisti Nigel Farage – në një artikull që lavdëronte Shqipërinë si destinacionin ideal të pushimeve për britanikët që kërkojnë plazhe me “rërë të artë” dhe çmime të lira.

Farage sulmoi një ditë më parë publikisht kryeministrin shqiptar Edi Rama pas komenteve të këtij të fundit mbi situatën e Britanisë pas Brexit-it.

Ai përdori shifra të paqarta dhe një retorikë përçarëse, duke pretenduar se “një në 50 shqiptarë në Britani janë në burg” dhe duke bërë thirrje për riatdhesimin e të gjithë “kriminelëve shqiptarë”.

Komentet e tij, të pasqyruara vetëm nga GB News dhe të injoruara nga shumica e mediave të tjera britanike, u interpretuan si një përpjekje për të ndezur emocionet kundër emigrantëve dhe për të ushqyer narrativën nacionaliste post-Brexit.

Por befas, mëngjesin e ditës pasuese, e njëjta media publikoi një artikull që promovonte Shqipërinë si një perlë të pazbuluar të turizmit veror.

Sipas tyre, qyteti bregdetar i Durrësit ka parë një rritje prej 224 për qind në rezervime nga turistët britanikë. Me përshkrime idilike dhe çmime të përballueshme, Shqipëria u prezantua si alternativa perfekte ndaj destinacioneve klasike si Spanja apo Greqia.

Ky kontrast tronditës në qasje mediatike nuk është rastësi.

Ai pasqyron një model të njohur të mediave të djathta britanike, që shpesh përdorin komunitete të caktuara emigrantësh si shënjestra për frikësim dhe instrumentalizim politik – dhe më pas i përdorin të njëjtat vende si sfond për narrativa tërheqëse turistike, në varësi të interesave të ditës.

Ky nuk është rasti i parë ku shqiptarët janë përdorur si “kokë turku” në debatet britanike për emigracionin.

Në tetor të vitit 2022, ish-ministrja e Brendshme Suella Braverman u përball me kritika të forta nga komuniteti shqiptar dhe vetë kryeministri Rama, kur deklaroi se “Laburistët do të lejonin të gjithë kriminelët shqiptarë të vinin në këtë vend”, duke e quajtur fluksin e emigrantëve një “pushtim” të bregdetit jugor të Anglisë.

Rama iu përgjigj në mënyrë të prerë, duke e quajtur këtë qasje “të turpshme” dhe “një veçim të qëllimshëm politik”.

Tendenca për të keqinterpretuar statistikat ose për të prodhuar raporte me prirje të caktuara ideologjike është bërë gjithnjë e më e zakonshme.

Në janar 2024, disa media si The Telegraph dhe Daily Mail, duke cituar një think-tank të panjohur të quajtur “Centre for Migration Control” (CMC), raportuan se shqiptarët ishin kombësia me më shumë gjasa për t’u arrestuar për krime në Britani.

Por Home Office e hodhi poshtë zyrtarisht për Albanian Post vlefshmërinë e këtyre statistikave, duke deklaruar se nuk përpilon të dhëna mbi kombësinë në arrestime.

CMC-ja, e drejtuar nga figura të lidhura me lëvizjet euro-skeptike dhe pro-Brexit si “Get Britain Out”, rezulton të jetë një riemërtim i një organizate të vjetër që operon nga Tufton Street – zemra e lobingut të djathtë në Londër.

Siç deklaroi në fillim të vitit për Albanian Post, kryereporteri i “Byline Times”, Josiah Mortimer: “Ky është një raportim thellësisht mashtrues që synon të formësojë opinionin publik përmes statistikave të shtrembëruara”.

Dr. Andi Hoxhaj, akademik shqiptar në King’s College dhe i dekoruar me Urdhrin OBE për kontributin në marrëdhëniet MB-Shqipëri, ka ndjekur nga afër këto zhvillime.

Ai konstatoi gjithashtu për AP-në në muajin janar se komuniteti shqiptar shpesh përdoret si shembull negativ për të shtyrë agjenda më të ashpra migracioni, pa pasur instrumente reale për t’i kundërshtuar këto narrativa.

Ndërkohë, të njëjtat media që përdorin shqiptarët si një “kërcënim”, brenda 24 orësh i kthejnë në ikonë të pushimeve të lira. Ky është një cikël i shfrytëzimit narrativ, ku emigranti shqiptar “denigrohet” për klikime politike dhe më pas vendlindja e tij zbukurohet për klikime turistike.

Ky idealizim për konsum është pasqyrë e një Britanie të ndarë mes fushatave të frikës dhe kërkesës për përfitim ekonomik.

Dhe shqiptarët, sërish, janë në mes të kësaj lufte mediatike.

The post Shqiptarët si shënjestër dhe Shqipëria si ofertë, strategjia e dyfishtë e GB News first appeared on JavaNews.al.

Pse nuk bashkohet nën një lidership opozita anti-Berisha?

By: Java News
22 June 2025 at 17:48

Nga Nju Jorku, Marko Caka

Kur sytë e gjithë botës janë përqendruar tek Izrael-Iran që kërcënon për një luftë të gjerë boterore, shqiptarët e PD-së akoma mendojnë për zgjedhjet e manipuluara nga ana e socialistëve ndërkohë që dështimin e kanë tek vetja.

Historia e mosnjohjes së zgjedhjeve, se mi vodhën, u korruptuan votuesit, i manipuluan socialistët, e sa e sa “arsye” të tjera, jo vetëm që nuk sjellin një zgjidhje, por  është kthyer në një model që sa vjen vjen e bëhet më i neveritshme për shqiptarët në tërësi.

Këtë e bën opozita vetëm për një arsye, se nuk e justifikon ndryshe humbjen. Kjo vjen për shkak të agresivitetit të saj  se e  do pushtetin medoemos për tu pasuruar   dhe jo në dobi të shqiptarëve. Qëndrimi i saj i gjatë në opozitë e bën atë me tepër të padurueshëm sepse pa pushtet nuk jetojnë dot ata që janë mësuar ta vjedhin shtetin.

Të tjerët që ju vijnë mbrapa vërdallisen me duar në xhepa rreth liderit të  tyre me shpresën se mund të ringrihet, por harrojnë që vdekja e tij politike ka mbarur si akt këtu 12 vjet më parë.

Çështja është se shqiptarëve u duhet një opozitë e fortë, e bashkuar dhe e qëndrueshme.  Derisa kjo opozitë e shpërfytyruar që ka humbur busullën e saj dhe vazhdon të mbijetojë në ujrat e turbullta të partisë mëmë, ne nuk mund të flasim akoma për pushtetin e Edi Ramës sesi do të jetë në mandatin e radhës.

Sepse, përderisa ai i ka të forta pozitat e tij sepse e ka çimentuar elektoratin e tij me bindje të forta dhe të pa lëkundura, Edi Ramës nuk do hyjë asnjë gjëmb në këmbë. Përkundrazi ai është bërë më i besueshmi i  perëndimoreve, madje liderët e saj po këmbëngulin që Shqipëria të përshpejtojë hyrjen drejt familjes europianë vetëm e vetëm në sajë të zgjuarsisë së kryeministrit shqiptar.

Kaq i besueshëm është bërë Edi Rama për liderët e BE-së sa nuk e besojnë sesi mund të qëndrojë jashtë familjes së tyre një lider i tillë karizmatik dhe besnik ndaj parimeve euro-atlantike. Asnjëherë Shqipëria nuk është parë kaq faktor i rëndësishëm në arenën ndërkombëtare se sa sot me këtë qeveri, e cila është kthyer në një mikpritëse i disa takimeve të rëndësishme deri tek më rëndësishmja  si  organizatore e Samitit të ardhshëm të NATO-s.

Kaq mjafton që shqiptarët të besojnë dhe të votojnë përsëri Edi Ramën. Sepse është e qartë se elektorati gri normal që do të shkojë  tek ajo parti që është më e madhe, më bindëse në idetë e tyre,  më e qëndrueshme në qeverisjen e tyre , më e sakrifikueshme në probektet e tyre, dhe më e besueshme në realizimet e premtimeve të tyre për  mandatin e katërt të tyre qeverisës. As që bëhet fjalë që elektorati gri, pra të pa vendosurit të  shkojnë drejt  partive të vogla opozitare, sado që janë me ide të reja dhe të pa përlyer me korrupsionin, por që ju mungon bashkimi dhe harmonia ndërmjet tyre.

Sa për PD-në jo e jo, sepse  është kthyer në një parti që zvogëlohet dita ditës duke humbur gjymtyrët e saj ngaqë nuk po mban  as besimtarët e saj mbi trupin e saj të kalbur dhe që nga koka ka kaluar me kohë në një hemoragji të pashmangshme. Opozita e paraqet humbjen si shkak i vjedhjes se pozitës sepse nuk do ta paraqesë dështimin  nga brenda vetit, që ka humbur jo vetëm besimin e shumicës së demokratëve, por edhe ata që i kanë besuar marrëzisht po largohen të lodhur dhe të zhgënjyer ndaj liderit të tyre shpirtëror..

E thashë  të shumicës,  sepse demokratët janë përçarë dhe janë shpërbërë në parti të vogla, si tek Shehaj, si tek Basha,si tek Lapaj, si tek Qori etj, etj, por që kanë harruar se duhen bashkuar me ide të qarta për të mposhtur Ramën, por që janë më të shumtë tek Partia kryesore sepse ata që e “mjelën” pushtetin e “babait” të tyre, nuk duan ta kuptojnë  “vdekja” e tyre ka ardhur që atëherë kur “i lau dyart” përgjithmonë lideri i tyre shpirtëror.

Pra të gjithë këta derisa të presin të vdesë fizikisht lideri i tyre nuk besojnë se Partinë Demokratike mund ta drejtojë dikush tjetër.  Tani çeshtja është që e gjithë e djathta tjetër duhet të riorganizohet dhe të zgjedhë një lider të tyre të pa përfshirë ndonjëherë në pushtetet e djathtës dhe të riformatojë të djathtën e vertetë, pa qenë aspak e lidhur me të shkuarën, por që ka qenë  gjithmonë  martire  e vertetë e  vlerave  të së djathtës.

Se, kur do të vijë dita, kjo varet vetëm nga e djathta e vertetë,  sepse pa riformatimin dhe  bashkimin e tyre me ide të reja, socialistët me ose pa Edi Ramën do të jenë gjithmonë në pushtet  me  timonin drejt BE-së

The post Pse nuk bashkohet nën një lidership opozita anti-Berisha? first appeared on JavaNews.al.

Për kosovarët injorantë, që mbështesin Iranin….

By: Java News
18 June 2025 at 17:36

Nga Halil Matoshi

1. Irani me milicitë e tyne në rajon Hamas e Hezbollah âsht model miloševičian i tiranisë mbi kryeqytetet e Republikave e krahinave të ish-Jugosllavisë, por hiqjani nji serbi si Milošević revolen (armët) ai bâhet njerëzor…

Me ia heq Iranit aftësinë e zhvillimit të ni arme bërthamore d.m.th me ia rrënu shtyllat mi të cilat qindron tirania e mullahëve!?

Që njikohsisht d.m.th me u heq lakun rreth fyti iranianëve por edhe shtrëngimin kryeqyteteve të Jemenit, Libanit, Sirisë dhe Irakut…

2. E drejta e Izraelit për të qenë nji shtet hebre i patrazuem, âsht e padiskutueshme, ndërsa megalomania e shtetit të mullahëve të Iranit, për dominim tue kriju milicitë e Hamas-it e Hesbollah-ut në Lindje të Mesme, përmes eksportit të terrorizmit në Gaza, Jemen, Irak, Liban e Siri po ndëshkohet.

Fundi i terrorizmit të Hesbollah-ut dhe Hamas-it të inspiruem e financuem nga Teherani ngjallë shpresat për bisedimet izraelite-palestineze simas modelit nji territor me dy entitete shtetnore.

Analisti briliant  i The New York Times, Thomas L. Friedman vëren se në planin rajonal Netanyahu âsht nji strateg i madh, porse në planin lokal, ai ka ngecë në zallë të gjallë, në Gaza psh. ai ka kufizime ideologjike dhe politike!?

3. Shumë kosovarëve injoranta, duhet t’u kujtojmë se myslimanët suni (Arabia Saudite, Jemeni, Siria – ende tue u ngritë nga hini – Iraku si nji anmik historik, Libani, Egjipti dhe Jordania) janë kundër boshtit iranian me shumicë myslimane-shiite, pra shumica e vendeve myslimane janë me Izraelin dhe SHBA-në, sepse e ndjejnë çlirimin nga eksportuesi ma i madh i terrorizmit në Lindje të Mesme.

Së këndejmi kosovarët s’dijë çfarë po ndodhë as çfarë flasin!

Kosovarët me shumicë, telef nga mènja, e mallkojnë Izraelin, aleatin e deshmuem të tyne, sidomos brezi i tik-tokut, që kanë dalë krejt të shkretë në testin PISA për arsimim, në rrjete sociale e televizione lokale, e luejnë Hutin e Minervas, se si janë të ditun e trima!?

Derisa kufijtë ua ruen Amerika!

4. Në aspektin e realpolitikës Irani duhet ndaluar të ketë bombë bërthamore, tue ia nalë hovin e pasunimit të uraniumit në nivel arme, me të gjitha mjetet, kurse në aspektin human e liberator, bota duhet të gëzohet nëse në Iran bie teokracia (diktatura e tmerrshme) që i ka shtrëngu si lak rreth fytit iranianët, për t’u instaluar demokracia!

Iranianët e veçmas iranianet kanë vuejtun gjatë nga arbitrariteti i mullahëve dhe ‘Milicia e Moralit’.

Ata duhet të dërgohen në histori.

Ky do të jetë fundi i regjimit fashist-teokratik të vendosun nga Ajetollah Khomeini më 1979 dhe i trashëgue nga Ali Khamenei më 1989.

Porse, “kini kujdes nga shtyllat që bien”, këshillon Thomas L. Friedman.

Ato munen me rrekny n’humnerë nji komb megjithë qyetnimin e tina.

The post Për kosovarët injorantë, që mbështesin Iranin…. first appeared on JavaNews.al.

Ngjarjet duhet të prodhojnë lidership të ri

By: Java News
15 June 2025 at 17:42

Nga Alban Daci

Në vende me demokraci të qëndrueshme dhe funksionale, me rotacion të respektuar, janë kryesisht liderët që prodhojnë ngjarje! Ndërsa në vende ku demokracia humb funksionin e saj dhe ku zgjedhjet në të gjitha nivelet e shoqërisë duke konsideruar edhe politikën nuk garantojnë rotacionin, atëherë krijohet një situatë e pa tolerueshme dhe ngjarjet që shtjellohen krijojnë mundësinë e vetme për themeluar lidership të ri.

Mendoj se Shqipëria po përjeton momentin e dytë, ku zgjedhjet kanë humbur misionin e saj për të krijuar rotacione dhe modele serioze qeverisje. Është e vërtetë që nuk mundemi të prodhojmë përmes votës ndryshime e pritshmëritë që duam, por ngjarjet në vetvete po krijojmë kushtet që brezi i ri të marrë përgjegjësitë që i takojnë duke e konsideruar politikën në qëllimin origjinal si një mision për të përmirsuar të ardhmen e për të hedhur bazat për një të ardhme më të mirë.

Politika në Shqipëri, për fat të keq, ashtu si në shumë vende të tjera është kthyer në një spektakël të madh demagogjie, perbaltosje me të gjithat mjetet të kundërshtarit.

Për fat të keq, sot politika shqiptare nuk ka asgjë serioze as në qëndrime e as në dialektikë. Politika shqiptare nga qëllimi për të prodhuar ide dhe modele qeverisje është kthyer në një mision qesharak duke përbaltosur kundërshtarin e në njëjtën kohë sulmon çdo ditë më demagogji qytetarin dhe ky i fundit i pafuqishëm, po kupton çdo gjë dhe po zgjedhë heshtjen dhe largimin!

Shqipëria ka nevojë më shumë së kurrë që brezi i të rinjve të kuptojnë në mënyrë serioze situatën aktuale dhe të marrin përgjegjësitë që ju takojnë!

Ata të rinj që shikon mbrapa e mbajnë shpresën tek lidershipi i vjetër që ka humbur busull, nuk janë gjë tjetër veçse oportunistë mjeranë që nuk kanë besim e respekt ndaj vetes e po ashtu nuk kanë përgjegjësitë që duhet të kenë ndaj vendit.

Kam shpresë se këto ngjarje që po ndodhin që duket të pa shpresa, le të jenë të paktën një model frymëzimi që brezi i ri të marrë në dorë situatën dhe të prodhojë një lidershipi të ri në lartësinë e kërkuar ndaj vendit dhe ndaj qytetarëve.

Humbjet e zgjedhjeve nga PD nuk janë vetëm ogur i ri siç duan t’a interpretojnë drejtuesit e saj që kanë qëllim final pushtetin, por janë një sinjal domethënës për të treguar se ka ardhur moment për një lidershipi të ri!

The post Ngjarjet duhet të prodhojnë lidership të ri first appeared on JavaNews.al.

Berisha tregoi se është ai penguesi i bashkimit të opozitës

By: Java News
13 June 2025 at 15:51

Nga Simon Hadaj

Sali Berisha është faktori kryesor i përçarjes së opozitës. Ky nuk është më një perceptim, por një realitet i pamohueshëm, që ai vetë e konfirmon çdo ditë me veprimet dhe qëndrimet e tij. I shndërruar tashmë në një misionar të fundosjes së çdo mundësie bashkimi, Berisha vazhdon të mbajë peng jo vetëm Partinë Demokratike, por edhe çdo përpjekje për një front të bashkuar opozitar.

Sot, i pyetur lidhur me mundësinë e një kandidati të përbashkët për zgjedhjet lokale të ardhshme, Berisha hodhi poshtë propozimin e deputetit Agron Shehaj për një kandidat jopolitik, duke u shprehur: “Nuk e kam dëgjuar ndonjëherë kandidatin jopolitik.” Ky është një shembull sesi Berisha tenton të shtrembërojë realitetin kur ky nuk i shkon për shtat.

Kandidati jopolitik nuk është i ri në politikën tonë. Shqipëria ka pasur figura të tilla, si Presidenti Alfred Moisiu, apo kandidatë për poste të rëndësishme si Halim Kosova për Bashkinë e Tiranës, i propozuar pikërisht nga PD.

Madje, një nga strategjitë më të suksesshme të Edi Ramës ka qenë përfshirja e figurave jopolitike në poste kyçe, gjë që i ka sjellë jo pak avantazh elektoral.

Qëndrimi refuzues i Berishës ndaj një kandidati të tillë nuk ka lidhje me ndonjë shqetësim për parimet, por me frikën se një bashkim i vërtetë i opozitës, sidomos rreth një figure të paanshme, do ta linte atë jashtë loje. Ai nuk ka interes për fitoren e opozitës, sepse prioriteti i tij i vetëm është të ruajë kontrollin mbi një grup të vogël besnikësh dhe të njihet si “lideri historik”. Në këtë logjikë, nuk ka rëndësi kush fiton zgjedhjet për sa kohë që brenda PD-së trashëgimia mbetet në duart e familjes së tij biologjike. Politika për Berishën ka kaluar në një fazë tjetër, sepse ajo nuk është më një betejë për qeverisje, por një përpjekje për mbijetesë dhe trashëgimi. Sa më shpejt të kuptohet kjo, aq më mirë do jetë për opozitën.

The post Berisha tregoi se është ai penguesi i bashkimit të opozitës first appeared on JavaNews.al.

Njeriu i ulërimave, Sali Berisha

By: Java News
9 June 2025 at 17:52

Nga Minella Aleksi

Sa herë lexoj apo shikoj zhvillime brënda PD-së aq herë imagjinata ime komunikon vizualisht me pikturën “Ulërima” të Edvard Munch. PD-ja Me Berishën në krye erdhi në shoqërinë shqiptare si figura e njeriut që ulërin pafundësisht, si imazh që e shqyen qiellin e pikturuar me ngjyrën e gjakut. Përfaqësim fizik i ankthit ekzistencial të shqiptarve që 35 vjet më parë ndiheshin në kundërshtim me botën që i rrethonte. Fytyra e PD-së që në fillimet e saj e deri më sot ka deformimin e fytyrës së “Ulërimës”, ku qëndrimet ekuilibruese kanë qënë dhe janë në një çoroditje të vërtetë. Këtyre deformimeve pdiste iu shtua së fundi deklarata e avokatit Gjokutaj, që na ringjalli fantazmat e komploteve enveriane, triumfin historik të Komandantit mbi armiqtë komplotistë që gjithmonë i zbulonte Udhëheqësi legjendar. Botëkuptimi berishist mbizotërues në PD vazhdon t’a mbajë këtë parti të burgosur në makthin e krizës ekzistenciale.

Mëndja e sëmurë e Berishës pjellë vetëm komplote, grupe armiqësore, rrethime dhe bllokada ndërkombëtare. Sabotime që i vijnë nga partia kundërshtare dhe udhëheqësi i saj E. K. Rama. Njëlloj si diktatori komunist që i kapur në burgun e mëndjes së vet nuk arrinte asnjëherë të dilte nga gjëndja e ëndrrave paranojake, me deformime psiqike të pa vetëdijëshme për veten e tij të vërtetë. Njëlloj edhe Saliu që nuk kërkoi asnjëherë të shohë brënda vetes për të arritur një kuptim më të thellë të vetes dhe, për të arritur një gjëndje më të zgjuar të vetëdijes.

Thonë se është dhe e mbajnë për shumë inteligjent, politikan race, i zgjuar, i vetmi shpëtimtar i partisë që mund t’a çojë në pushtet, etj.

Duke gjykuar punën dhe të bërat e tij mendoj ndryshe. Sali berisha është njeri inteligjent por jo i zgjuar apo i mënçur.

Natyrisht një mjek i kujdesshëm i ndan mirë këto dy nocione: inteligjencën dhe zgjuarsinë, të cilat sa të afërta me njëra tjetrën aq dhe të dallueshme nga një fill ndarës gjithashtu. Dallimi është fin, i sofistikuar, por me rëndësi jetike në jetën e përditëshme. Aq delikat ose i saktë saqë është i vështirë për t’u analizuar ose përshkruar. P.sh. Është e gabuar të thuash: Profesori është i zgjuar dhe ka botuar shumë punime kërkimore. Korrekte do ishte të thuhej: Profesori është inteligjent dhe ka botuar shumë punime kërkimore. Nuk është korrekte të thuhet: ai është shumë i zgjuar në matematikë. Korrekte do ishte: ai/ajo është shumë inteligjent/e në matematikë. Njëlloj do thonim: ajo është nxënëse inteligjente që gjithmonë merr notë maksimale.

Inteligjenca është më shumë një cilësi e brëndëshme, një aftësi njohëse e lindur, me aftësi mendore shumë të mira për të mësuar, kapacitet memorizimi të fuqishëm, të menduari abstrakt, i referohet një niveli të lartë të aftësisë mendore në kontekst akademik, një lloj “peshkopi” në zhargonin studentor. Nuk e ka intuitën e nevojshme për të vlerësuar ose peshuar në mënyrë kritike informacionin. Me kujtesë të fuqishme Berisha mban mënd shumë mirë rrjetet, emrat, bëmat, makinacionet e porosive vrasëse të kriminelëve, thashethemet “e mira dhe ato të ndyrat” e funksionarëve të shteti dhe të deputetëve, një njohës i shkëlqyer i botës së nëndheshme shqiptare që, i mundëson alibira shpifëse për familjet e kundërshtarëve të atilla që do turpëronin edhe rrugaçin më të fëlliqët të lagjes.

Por duhet të mbajmë mirë parasysh se nuk ka korelacion midis nivelit të IQ-së dhe suksesit. IQ e lartë mund të parashikojë suksesin akademik, por nuk lidhet domosdoshmërisht me rezultate të tjera të jetës së përditëshme. Ndërsa zgjuarsia është më shumë një cilësi e zhvilluar me përvojë, ka më shumë të bëjë me zbatimin praktik dhe gjykimin e shëndoshë. Një individ i zgjuar mund t’i vlerësojë situatat shpejt, t’i lexojë mirë njerëzit dhe të përdorë njohuritë e tij shumëdisiplinore për të arritur sukses. Të zgjuarit edhe nëse i mungon arsimimi formal, mënçuria i zhvillohet nga përvoja, vëzhgimi dhe të mësuarit nga gabimet e së kaluarës, më shumë sesa nga librat ose mësimet në klasë. Zgjuarsia siguron që të mos ndihesh kurrë shumë i sigurtë se di gjithëçka për një fushë të caktuar, sepse eksperienca të ka mësuar se në atë fushë përfshihen shumë faktorë jo stabël, të papritur, të ndryshueshëm, surprizues.

Berisha inteligjent tallet me “Bojaxhiun” Rama, por nuk ka arritur kurrë të kuptojë sesi bojaxhiu i zgjuar Rama “pa arsim tejet të avancuar akademik ose inteligjencë të jashtëzakonshme” si ai, ka arritur të ndërtojë një makineri të fuqishme, të “frikshme” në pathyeshmërinë e saj elektorale. Bojaxhiu Rama ka mësuar dhe pasuruar eksperiencën politike, ka zhvilluar instiktin improvizues dhe ka arritur të ketë një ekuilibër të drejtë inteligjence mendore dhe asaj emocionale. Gjë që në çdo dalje që bën dëshmon entusiazëm fshataresk se do vazhdoj t’i mungojë rivalit të tij anakronik.

Sigurisht shumë njerëz kanë bërë pyetjen: Si është e mundur që qysh në fillimet e tij në politikë dhe në vazhdim deri në situatën aktuale Sali Berisha vazhdon të ketë dështime fatale për vëndin, për veten e tij dhe për partinë që komandon? Edhe me IQ të lartë edhe një dështak kronik! Mentaliteti tribal berishist ka një armik të betuar :Meritokracinë. Që në ditët e para në krye të PD-së e ka luftuar me të gjitha mjetet, në të gjitha rastet e çfaqjes ka rrahur, vrarë, përndjekur dhe përjashtuar nga forumet bashkëpunëtorët njëlloj si Diktatori në konferencat dhe plenumet e partisë.

Nuk mund të gjej rrugëdaljen reformuese një parti opozitare ku ardhjet e reja bazohen në nepotizëm. Zëdhënësi i ri i PD-së është një i ri që vjen nga prind ish anëtar kryesie shumë pranë Berishës. Emrin e ka “X” dhe mbiemrin Mustafaj. Kështu kemi X Mustafaj, X Balliu e plot të tjerë më pak të dëgjuar. Në daljen e parë si zëdhëns X Mustafaj deklaroi me stil berishist: “Po punojmë për çarjen e rrethimit ndërkombëtarë të PD-së”. Mos, thashë me vete. Ky s’paska mendim të vetin dhe kurajon e duhur për të përballuar të vërtetën.Thonë me krenari që ka studjuar në Perëndim. Po atje të mësojnë se si të zhvillosh të menduarit kritik. Këtij i paska mbetur mëndja te paranojat me rrethime ndërkombëtare të E. Hoxhës, të babait të vet komunist dhe kryetarit komunist gjithashtu.. Mjerim për PD-në dhe zëdhënësin e saj të ri perëndimor që del dhe lexon gjithëçka që ia shkruan Kryetari..

E korigjoi ditën tjetër: “Po punojmë për njohjen ndërkombëtare të PD-së”. S’mund të ketë rrugë të hapur drejt pushtetit një parti ku gëlon mendësia kolektiviste komuniste. Streha partiake Pdiste është kthyer në “Rifugio peccatorum” ku plot të rinj e të reja krahas më të vjetërve ndjekin personin e gabuar duke rritur distancën e largimit nga “Të duhurit”.

The post Njeriu i ulërimave, Sali Berisha first appeared on JavaNews.al.

Rama me charter? Po Berisha, mos bën autostop në udhëtime?

By: Java News
2 June 2025 at 19:05

Nga Marko Caka, Nju Jork

E dëgjojmë shpesh nëse hypi kryeministri në charter apo fjeti në 5 yje hotel. Ky është problemi që ne duam ta luftojmë korrupsionin ?!!!

Jo jo, aspak kjo nuk është zgjidhja për të gjurmuar ku është fshehur korrupsioni. Ne nuk kemi kryeministër që duhet të na tregoje se çfarë kategori udhëtimesh dhe akomodimi i duhet, sepse ne nuk kemi nevojë  sesa modest është kryeminstri sepse ai na përfaqëson neve për të qenë sa më dinjitoz dhe sa më i zgjuar me të huajt kur bëhet fjalë për dipllomacinë.

Se po të  ishte ashtu siç e do opozita atëherë të dalë kryeministri në rrugë e të nxjerre dorën me autostop drejt destinacionit të tij, pasi të ketë ftuar gazetarët me kamerat, dhe ne te themi pastaj e shikon se sa modest e kemi kryeminstrin tonë të ndritur e të na rrojë sa malet.

Ne nuk na duhet një  kryeministër i tillë apo ministër për të na treguar kështu thjeshtësinë. Sepse populli thotë më mirë shifi punën sesa gunën. Kemi me dhjetëra shembuj ku ministrat e kryebashkiakët  shfaqeshin gju me gju me popullin apo duke bërë pazarin  tek  tregu i fshatarëve dhe në fund të ditës sipas SPAK na  rezultuan me pasuri marramendëse të fshehura nëpër skutat e vilave të tyre  e me  prona të pafundme në emër të të afërmëve të tyre.

Me të tilla demonstrime jemi ngopur, sa na kanë hapur edhe barkun nga pështirosja. Ne na duhet një kryeministër që punon fort dhe bën detyrat shpisë deri diku shumë mirë, si dhe në arenën ndërkombëtare na bën krenar me diplomacinë e personalitetin e tij. Dhe këtë kryeministri Rama e ka bërë shumë mirë.

Po takoj me dhjetëra turistë në kryeqytetin e botës, në Nju Jork dhe sa tu thuash për Shqipërinë fjalën e parë kanë Edi Ramën si një kryeministër karizmatik dhe që gëzon respekt tek ata dhe në vendet e tyre. Ku kemi parë ndonjëherë që të njihet Shqipëria kaq shumë me anë të një kryeministri, përveç se nga Edi Rama. Shqipëria është promovuar më shumë se asnjëherë më parë gjatë qeverisjes së tij.

Nuk themi se ka qenë perfekt por ka punuar me shumë sa askush tjetër, por ka edhe shumë për të bërë. Ajo që duket shumë e sigurtë dhe që dikur ishte një ëndërr, është se Bashkimit Europian është shumë pranë nesh dhe dera e hapur brenda pak viteve mund të bëhet realitet vetëm në sajë të Edi Ramës, sepse Europës i duhet një strateg si ai që e ka si në ditë të mira por edhe në ditë të vështira.

Pikërisht për këtë të fundit Europa e ka vlerësuar Ramën sepse vizioni i tij për të qenë të bashkuar bashkë me rajonin ka rënë si një këmbanë  që nuk duhet vonuar aspak.

 

The post Rama me charter? Po Berisha, mos bën autostop në udhëtime? first appeared on JavaNews.al.

Kandidatë të bllokuar, vota të grabitura, kush mban përgjegjësi?

By: Java News
31 May 2025 at 18:42

Nga Habjon Hasani

Të 4 kandidatët e Partisë Demokratike, që iu rrëzua dje në KAS kërkesa e tyre legjitime për rinumërim votash, kanë pasur një mungesë proceduriale, pasi ligji e kërkon që kërkesa e tyre të firmoset nga forca politike që përfaqësonin.

Nuk e dija këtë detaj; të 4 këta përfaqësues le ta firmosin shkresën nga e para dhe të shkojnë sërish në KAS.

Dje u trondita kur dëgjova se kupola e PD-së kishte penguar kandidatët e saj nga e drejta kushtetuese e rinumërimit të votave.

Kjo do të ishte vetëvrasje për opozitën dhe as nën mëngë për Ramën, që t’u rrëzonte atyre kauzën e trukimit ose patronazhimit të zgjedhjeve.

Çdo kandidat i cilësdo parti duhet të ketë të drejtë të rinumërojë votat dhe të garantohet se nuk ia kanë grabitur.
Haka të i zoti.

Vota është pronë e shqiptarëve dhe e askujt tjetër.

Duhet të marrë fund kjo histori me komisionerë e numërues të lloj-lloj spurdhjakësh që konvertojnë vullnetet e shqiptarëve.

The post Kandidatë të bllokuar, vota të grabitura, kush mban përgjegjësi? first appeared on JavaNews.al.

Gabimi më i madh i opozitës, për të cilin edhe unë kam përgjegjësi personale

By: Java News
29 May 2025 at 18:30

Nga Rudina Hajdari

Rezultati i zgjedhjeve të fundit tregoi më qartë se kurrë më parë se opozita i bëri vetes sërish një autogol të rëndë kur pranoi të bashkëpunonte me Partinë Socialiste për të ndryshuar reformën zgjedhore për zgjedhjet e 11 majit. Sot kemi deputetë që do të futen në Kuvend me zero vota personale, por që janë certifikuar si përfaqësues të popullit në kurriz të kolegëve të tyre, që kanë marrë mjaftueshëm vota për të qenë deputetë dy herë, por që mbeten jashtë. Pra, me djersën dhe votën e të tjerëve, deputetët e listës së mbyllur po bëhen deputetë pa e merituar.

Të gjithë e dinë që aty ka figura të pamerituara që nuk përfaqësojnë askënd dhe që nuk kanë lidhje me punën, por që zënë karriget falë mbështetjes së kryetarit dhe votimit të një reforme të dizajnuar për të ruajtur status quo-në. Duke zgjedhur të ruajnë sistemin proporcional rajonal, me shumicën e deputetëve që vijnë nga lista të mbyllura, Partia Demokratike dhe opozita në tërësi kanë bërë sërish të njëjtin gabim. Kanë preferuar komoditetin e karriges opozitare në vend të betejës së vërtetë përballë qytetarëve.

Ky sistem është thembra e Akilit për opozitën – burimi i të gjitha problemeve – sepse i jep Partisë Socialiste avantazhe të padrejta në kushte pushteti dhe i lejon të shfrytëzojë lidhjet me krimin e organizuar dhe grupet e interesit në qarqe të ndryshme. Pikërisht për këtë arsye, kjo reformë prodhoi njërën nga disfatat më të thella elektorale që kemi parë që prej vitit 1997. Partia Socialiste, me 83 deputetë dhe me një pushtet më të konsoliduar se kurrë më parë, e shfrytëzoi në mënyrë perfekte këtë sistem.

Ashtu si në të kaluarën, ajo përdori çdo mekanizëm të mundshëm – të ligjshëm apo jo, etik apo jo – për të siguruar dominimin total të procesit zgjedhor. Përdori avantazhin e pushtetit, ndikimin e strukturave kriminale në qytetet periferike, aty ku çdo shqiptar i madh apo i vogël i njeh mirë komandantët e terrenit. Janë ata që zotërojnë lokalet, ndërtesat, hotelet dhe lidhjet politike, të cilët i garantojnë Edi Ramës pushtetin real.

Këta janë makineritë e vërteta që prodhojnë vota dhe nuk ngurrojnë as ta demonstrojnë hapur ndikimin e tyre, pasi kanë futur përfaqësuesit e vet në parlament, të votuar masivisht, por që nuk kanë asnjë aktivitet publik. Deputetët e Partisë Demokratike i kanë ditur të gjitha këto kur i bashkuan votat me Edi Ramën. Nuk kishin asnjë presion mbi kokë nga ndonjë faktor ndërkombëtar apo vendës.

E dinin rrezikun që mbartte reforma zgjedhore, por gjithsesi vendosën ta votojnë me të dyja duart. Jo për të përmirësuar procesin, as për të mbrojtur votën e qytetarëve, por për një vend në listë. Shpresa e tyre ishte se duke qëndruar afër kryetarit, do të siguronin një vend në Kuvend. Në këtë përpjekje për pushtet personal, e lanë në baltë betejën më të rëndësishme për Partinë Demokratike: përballjen reale me qytetarin dhe ndërtimin e një alternative të besueshme dhe konkurruese. Kjo është padrejtësia më e madhe politike që kam parë ndonjëherë. Sa kohë që opozita mbështet një sistem që favorizon të bindurit dhe dënon të zotët, ajo do të humbasë çdo palë zgjedhje.

Dua të rikthehem te Këshilli Politik, sepse aty nisi gjithçka. Në atë tryezë, unë isha e vetmja përfaqësuese e opozitës brenda parlamentit që kërkoi me ngulm ndryshimin e sistemit nga proporcional rajonal me lista të mbyllura në një sistem kombëtar me lista 100% të hapura. Bëmë përpjekje të jashtëzakonshme, në bashkëpunim me deputetë të tjerë dhe aktorë të shoqërisë civile. Por gjithçka mori fund kur të gjithë ishin kundër, përfshirë edhe trupën diplomatike.

Nënshkrimi i marrëveshjes së 5 qershorit ishte një nga gabimet më të mëdha të atyre katër viteve. Edhe pse u gjenda përballë një presioni të jashtëzakonshëm, veçanërisht nga Ambasada amerikane që kishte marrë përsipër rolin e garantuesit të reformës, nuk do duhej të isha tërhequr. M’u kërkua të tërhiqesha nga iniciativa për hapjen e listave, në mënyrë që të firmosej marrëveshja dhe të ecnim përpara me procesin e integrimit europian dhe rikthimin e PD-së në Kuvend.

Megjithatë, sot, më shumë se kurrë, e kuptoj që nuk duhej ta kisha firmosur atë marrëveshje të papërtypshme. Nuk më falet që e firmosa, por akoma më shumë nuk i falet Partisë Demokratike dhe LSI-së që nuk mbështetën këtë iniciativë historike për ndryshimin e sistemit zgjedhor. Sot janë më të tkurrura se kurrë më parë. Ata nuk kuptonin se duke zgjedhur të ruanin fronin e kryetarit, në fakt po ruanin fronin e përjetshëm të Edi Ramës.

Nëse do të kishin zgjedhur përballjen reale me qytetarët, me lista të hapura dhe me kandidatë të vërtetë, ndoshta edhe rizgjedhja e Sali Berishës si kryetar i PD-së do të kishte pasur një ndikim të papërfillshëm në rezultatin zgjedhor. Pikërisht për këtë arsye, katër vitet që vijnë janë vendimtare. Opozita nuk mund të vazhdojë të funksionojë me të njëjtat mendësi, me të njëjtin sistem dhe me të njëjtin rreth vicioz autogolash.

Beteja e vërtetë për opozitën nuk është për ndonjë emër apo karrige, por për të rikthyer besimin e qytetarëve përmes një sistemi zgjedhor të ndershëm dhe përfaqësues. Vetëm kështu mund të lindë shpresa për një opozitë të fortë, konkurruese dhe me vizion. Vetëm kështu mund të ketë një alternativë reale ndaj pushtetit absolut të mazhorancës. Dhe vetëm kështu mund të fillojë më në fund beteja e vërtetë për katër vitet e ardhshme.

The post Gabimi më i madh i opozitës, për të cilin edhe unë kam përgjegjësi personale first appeared on JavaNews.al.

Piro Milkani e dinte, Kurrë të dielave!

By: Java News
27 May 2025 at 19:53

Nga Evis Cerga

Për Piron kisha dëgjuar pas Bebit. Më kujtohet si të ishte e diel, kur ndiqja koncertet e saj për piano. Isha fëmijë.

Piron e njoha nga “Zonja nga qyteti”. E adhurova fshatin përmes syve të tij, aq sa gati-gati dëshiroja të shkoja të jetoja atje. Isha adoleshente.

Piro Milkani. Si një emërmbiemër i pashkëputur zgjodhi të mos largohej të dielën. Ai ishte regjisor dhe si i tillë nuk mund të mos e zgjidhte përfundimin që do t’i jepte filmit të tij.

Bisedat me të nisën vonë. Madje mund të them që shkak për to u bë vetë ai. Një “telefonatë“ në messenger në Facebook, një ditë të zakonshme jave më shfaq emrin e tij. U habita. Patëm një bisedë të gjatë. Më tregoi se i lexonte ato që unë shkruaja në Facebook dhe që iu referohem si skica dhe më nxiti t’i botoja. Më tregoi se vlenin. Dhe që nga ajo bisedë pasuan plot të tjera, për artin, për letërsinë, për filmin. Për Kajron.

Piro kishte qenë në Kajro në një festival të rëndësishëm filmi dhe atje ishte takuar me prindërit e mi. Nuk rreshti kurrë së më lëvduari babain, mamanë. Nuk rreshti së foluri për filmin egjiptain. Për Yousef Shaheen. Tregonte aq bukur saqë doja të vazhdonte pambarim biseda dhe të kisha mundësi të regjistroja fjalët e tij.

Facebook-u na mbante të lidhur. Më shkruante hera-herës deri kur sytë nuk ia mundësonin më një gjë të tillë. Më kujtohet një prag viti të ri kur i dërgova një fotografi të sallonit të zbukuruar për festa dhe i thashë se atë qilim e kishte pasur dikur vjehra ime dhe ishte i vjetër sigurisht. Ai më tha: “Qilimat nuk janë si femrat. Sa më të vjetër, aq më shumë vlera kanë“.

Ndaj kur shuhet një njeri me vlera të duket sikur nga salloni ke “hequr qilimin” dhe shtëpia zbrazet e bëhet e ftohtë edhe në verë.

Piro ishte një rëfimtar i pashoq dhe këtë mund ta konfirmojnë fare lehtë të gjithë ata që patën rastin ta takonin qoftë edhe një herë të vetme. Por ai mbetet rëfimtari më i rrallë i vlerave dhe hireve të bashkëshortes së tij. Herën e fundit, të ulur me miq të tjerë në kafenenë përballë ish Hotel Arbërisë tregoi aq bukur për festat e ditëlindjeve të Bebit.

“Bebi kishte ditëlindjen. I kisha rënë kryq e tërthor dyqaneve dhe nuk kisha gjetur asgjë të denjë për të (fjalët e tij). I dhashë karar të shkoj te bahcja e “Kinostudios” dhe atje mblodha një tufë me trëndafila. Njëzet e pesë të bardhë për moshën kur e kisha njohur dhe njëmbëdhjetë të kuq për vitet që kishim që jetonim bashkë. Ia hodha mbi krevat, pasi Bebi kishte qenë paqejf.”

“Bebi kishte ditëlindjen. Nuk gjeta dot asgjë që ta kuptoja se do t’i pëlqente. Kur shkova në shtëpi i tregova Bebit një palë corape që kisha blerë për vete dhe i thashë: E dashur Bebi, nuk gjeta dot asgjë të denjë për ty, prandaj bleva këto corape për vete”.

Atë ditë më qerasi me një pije se sapo kishte kryer një ndërhyrje në zemër dhe donte ta festonte që ishte me shëndet të mirë. Por Piroja ashtu ishte. Optimist i lindur. Zotëri si rrallë kush. Fisnik në cdo element. Ndaj dhe zbrazëtia ndjehet më shumë për njerëz që mbanin peshë në qytet.
Qytetet zbrazen kur prej tyre largohen njerëz që nuk ishin thjesht kalimtarët e rastit në rrugët e shfytyruara për ta ctrajtësuar historinë. Dhe Piro la pas filmat, si fëmijët e zonjës nga qyteti që nuk mund të bëhej aspak shoqe nga fshati. Piro la Festën e Madhe. La shokët e miqtë e tij të qëndronin ballë për ballë për ta kujtuar qoftë edhe me Trishtimin e zonjës Shnajder.

U largua një ditë të ndryshme nga e diela sepse ai ishte regjisor i madh dhe nuk mund të largohej të dielën. Ai e dinte.
Never on a Sunday.

The post Piro Milkani e dinte, Kurrë të dielave! first appeared on JavaNews.al.

Pasardhësi i Berishës në PD duhet të jetë Ilir Vrenozi

By: Java News
26 May 2025 at 12:51

Nga Simon Hadaj

Partia Demokratike ndodhet sot në një nga krizat më të thella të ekzistencës së saj. Kjo krizë nuk është vetëm elektorale, por mbi të gjitha është një krizë identiteti, lidershipi dhe morali politik. Shkaku kryesor, natyrisht, është Sali Berisha, por përgjegjësia nuk mund të jetë vetëm e tij.

Faji qëndron edhe tek heshtja kolektive brenda PD-së, një heshtje që mbulon mungesën e reflektimit dhe mungesën e guximit për të bërë pyetjen më të thjeshtë dhe më të nevojshme: Çfarë nuk shkoi që u mor ai rezultat më 11 maj?

Humbja e paralajmëruar për më shumë se tre vjet nuk po lexohet si duhet. Askush nuk merr përgjegjësi, askush nuk sheh në pasqyrë. Gishtat drejtohen nga kundërshtari, nga regjimi, nga manipulimet, por kurrë drejt vetes. Dhe kjo është shenja më e qartë e një partie të sëmurë.

Në këtë panoramë të zymtë, i vetmi zë është ai i Ilir Vrenozit, korçarit të njohur në rrjetet sociale, që për shumë vite u perceptua si militant i zhurmshëm, por që sot po shfaqet si zëri i vetëm i arsyeshëm brenda PD-së.

Vrenozi ka kaluar nga ekstremi emocional në një analizë të sinqertë. Ai nuk është më vetëm një reagues i instinktit; është kthyer në një reflektues i situatës politike.

Vrenozi po përballet dhe po përbaltet me militantët e verbër, njësoj siç ai vetë dikur bënte ndaj të tjerëve, por këmbëngulja e tij për të vijuar të vërtetat e tij të thjeshta, është për t’u admiruar.

Ndryshe nga shumë të rinj të PD-së që flasin me entuziazëm e më pas heshtin nga frika, siç është rasti i Koplikut, apo si Jorida Tabaku që ka frikë të mbajë qëndrime të drejtpërdrejta, Vrenozi po tregon kurajë politike.

Ai po thotë publikisht atë që shumë e mendojnë në heshtje: se Berisha është problemi, jo zgjidhja; se drejtuesit politik të qarqeve duhet të mbajnë përgjegjësi, jo të fshihen pas gishtit; se justifikimet pas pilafit nuk kanë më vlerë; se LaCivita erdhi për të ngrënë e për të pirë, jo për të realizuar fitoren.

Në një parti që ka humbur arsyen, mjafton të futet e të shohë e dëgjoj videot analitike të Ilir Vrenozit, për të parë se zëvendësuesin e Berishës e kanë aty mes tyre, në një shtëpi të varfër në Korçë, por që flet me pasionin e zemrës dhe së vërtetës. Kaq i duhet PD-së për të dalë nga hipokrizia e madhe ku e ka futur veten.

The post Pasardhësi i Berishës në PD duhet të jetë Ilir Vrenozi first appeared on JavaNews.al.

Edhe Lefterit që thuri këngë për LaCivitën i paskan vjedhur votat brenda PD-së

By: Java News
23 May 2025 at 22:00

Nga Simon Hadaj

Ish-deputeti kontravers i Partisë Demokratike, Lefter Maliqi, deklaroi sot në një intervistë televizive se i janë vjedhur votat nga brenda vetë partisë në zgjedhjet e 11 majit. Edhe pse nuk përmendi emra konkretë, mjafton të hedhësh një sy në listën e kandidatëve në qarkun e Beratit për të kuptuar se kujt i drejtohej akuza e tij.

Reagimi i Maliqit vjen pak ditë pasi kandidati tjetër i kësaj liste, Aulon Kalaja, hodhi hije dyshimi ndaj Arjan Ndojit, duke lënë të kuptohej se ai kishte manipuluar procesin e numërimit të votave. Pra, ndërsa zyrtarisht PD e Sali Berishës akuzon Edi Ramën dhe pushtetin socialist për vjedhje votash, nga ana tjetër, kandidatët e vet po akuzojnë njëri-tjetrin për të njëjtën gjë.

Kjo nuk është më thjesht një çështje e brendshme e një partie në krizë, por një skandal i madh. Kur ata që bëjnë kauzë “votën e lirë” denoncojnë publikisht kolegët e tyre për manipulim votash, atëherë besueshmëria e gjithë frontit opozitar vihet seriozisht në pikëpyetje.

Nëse këto akuza janë të vërteta, atëherë jemi përballë një paradoksi grotesk: njerëz që pretendojnë se do të çlirojnë vendin nga hajdutët e votave, në fakt, vjedhin njëri-tjetrin para se të arrijnë në pushtet. Dhe kur të betohen në shtator në Kuvend, ndoshta sërish do të thërrasin “kapeni hajdutin” — vetëm se këtë herë hajduti mund të jetë në rreshtin pranë.

Me sa duket, Lefterit kësaj radhe nuk i bëri fajde as thurja këngë për LaCivitën, sepse, ndërsa ai hartonte tekstin, dikush tjetër nga brenda listës, “i binte gërnetës”.

The post Edhe Lefterit që thuri këngë për LaCivitën i paskan vjedhur votat brenda PD-së first appeared on JavaNews.al.

Një sukses i jashtëzakonshëm i Shqipërisë…

By: Java News
20 May 2025 at 19:40

Nga Agustin Palokaj

Samiti i Bashkësisë Politike Evropiane i mbajtur në Tiranë nuk ka lidhje me zgjerimin e BE-së. Pikërisht për të dalë jashtë mbështjellësit formal dhe burokratik të BE-së edhe është bërë kjo nismë. Ndonëse është thënë shpesh se “nuk është alternativë për BE-në”, kjo nismë mund edhe të bëhet e tillë. Por për Shqipërinë ishte një sukses i jashtëzakonshëm në kohën kur ajo po e shfrytëzon momentin e krijuar për progres në procesin e negociatave. Më 22 maj, Shqipëria edhe formalisht do ta tejkalojë Serbinë për nga numri i kapitujve të hapur duke bërë për shtatë muaj më shumë sesa për dhjetë vjetët e fundit.

Shqipëria për vite ka vuajtur nga mungesa e vëmendjes së duhur nga ana e bashkësisë ndërkombëtare. Dhe si pasojë, ka qenë bukur shumë vend i panjohur, shpesh edhe i paragjykuar pikërisht për shkak të mosnjohjes së duhur. Bile kur përmendej “Ballkani Perëndimor” kryesisht mendohej për vendet e ish-Jugosllavisë dhe shpesh harrohej Shqipëria. Vëmendja ndaj vendeve të ish-Jugosllavisë nuk ishte meritë e atyre vendeve, por pasojë e luftërave të përgjakshme, krimeve që atje ndodhën në përmasat që nuk ishin parë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Tash Shqipëria ka vëmendjen disproporcionalisht më të madhe sesa cilido vend tjetër i rajonit. Dhe atë në rrethana krejt të tjera. Si vend anëtar i NATO-s, vend i cili pati rastin të ketë edhe kryesimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për një kohë, vend ku u zhvilluan disa samite ndërkombëtare dhe gjithçka kulmoj me Samitin e Bashkësisë Politike Evropiane më 16 maj në Tiranë, më të madhin samit që zhvillohet në territorin e gjithë Evropës.

Shqipëria e kaloi shkëlqyeshëm testin për nga aspekti organizativ. Edhe shtete shumë më të mëdha dhe më të zhvilluara do ta kishin të vështirë të organizojnë një tubim të tillë të aq shumë liderëve brenda një dite.

Për nga aspekti i zhvillimeve në këtë samit pak do të mbahet mend. Vëmendje mori performanca artistike dhe aty këtu disa mesazhe të kryeministrit Rama që për disa pjesëmarrës nuk e kishin vendin. Për shembull nuk ka pasur nevojë fitoren madhështore të partisë së tij në zgjedhje ta paraqesë si votë të shqiptarëve në favor të BE-së. E sidomos jo ta krahasojë me votën kundër BE-së në Britani në referendumin për Brexit. Dhe ishte e panevojshme e mbi të gjitha edhe e pasaktë, t’i quash 48 për qind të atyre që votuan për partitë e tjera si “të painformuar”. Sepse, nëse kanë diçka të përbashkët shqiptarët, pa marrë parasysh se për kë votojnë, është qëllimi për integrim në BE. Rama ka pasur të drejtë legjitime që integrimet evropiane t’i ketë moto në fushatën zgjedhore. Por tash kur ato përfunduan nuk ka nevojë të vazhdojë t’i etiketojë kundërshtarët si “të painformuar”.

Përkundër fitores madhështore të Ramës dhe humbjes madhështore të Berishës, këto zgjedhje e nxorën Shqipërinë si një shtet dypartiak. Sepse së bashku dy partitë kryesore kanë marrë më shumë se 90 për qind të vendeve në Kuvend. Dhe opozita, më fjalë tjera PD-ja, do të vazhdojë të jetë faktor shumë i rëndësishëm edhe në procesin e integrimeve evropiane.

Samiti i Bashkësisë Politike Evropiane i mbajtur në Tiranë nuk ka lidhje me zgjerimin e BE-së. Pikërisht për të dalë jashtë mbështjellësit formal dhe burokratik të BE-së edhe është bërë kjo nismë. Ndonëse është thënë shpesh se “nuk është alternativë për BE-në”, kjo nismë mund edhe të bëhet e tillë. Por për Shqipërinë ishte një sukses i jashtëzakonshëm në kohën kur ajo po e shfrytëzon momentin e krijuar për progres në procesin e negociatave. Më 22 maj Shqipëria edhe formalisht do ta tejkalojë Serbinë për nga numri i kapitujve të hapur duke bërë për shtatë muaj më shumë sesa për dhjetë vjetët e fundit.

Gjithçka mund të ndodhë me procesin e zgjerimit. Mund edhe të kthehen disa vende anëtare të BE-së kundër këtij procesi. Por për aq sa po vazhdon duhet shfrytëzuar rastin. E Shqipëria po e bën këtë. Nga ana tjetër nisma e “Bashkësisë Politike Evropiane” është në një test. Ajo akoma nuk ka marrë formë. Vazhdon të jetë një tubim, joformal ku liderët tubohen dhe flasin pa ndonjë obligim, nuk miratojnë vendime dhe nuk marrin obligime. Në Tiranë, presidenti i Francës Emmanuel Macron ka përmendur nevojën për krijimin e një sekretariati të kësaj bashkësie. Ky do të ishte hapi i parë i marrjes së një forme. Dhe do të ndihmonte që ai të bëhet i përhershëm.

Evropa pa dyshim ka nevojë për një nismë të tillë, sepse ajo është i vetmi forum ku takohen të gjitha vendet e kontinentit të vjetër (pos Rusisë dhe Bjellorusisë), pa marrë parasysh se a janë apo jo anëtare të BE-së dhe NATO-s. Asnjë forum tjetër nuk i mbledh të gjithë, madje as Këshilli i Evropës, si organizata më e madhe, sepse aty nuk është Kosova. Aty janë vende që nuk duan të jenë në BE, ato që duan dhe nuk po arrijnë të bëhen anëtare, ato që janë anëtare, pra të gjitha. Dhe askush nuk ndihet i përjashtuar.

Por nuk bën të lidhet me BE-në sepse, nëse lidhet, kjo do të shkoj kundër procesit të zgjerimit. Historia e 20 viteve të fundit e procesit të zgjerimit na mëson të jemi skeptik sidomos ndaj Francës, Holandës dhe Gjermanisë kur ato “mbështesin” zgjerimin. Sepse kjo mbështetje nga ana e tyre nuk ka qenë e sinqertë. Dhe disa qarqe në këto vende, që e kanë rolin kryesor në BE, mezi do të prisnin që të ketë një alternativë ndaj anëtarësimit të plotë në BE të vendeve që sot nuk janë anëtare. Samitet sikur ai i Tiranës ndihmojnë që të forcohen lidhjet, e atëherë edhe proceset e tjera të diktuara nga vullneti dhe interesat politike shkojnë më lehtë. Por formalisht këto samite nuk janë në kuadër të BE-së. Prandaj edhe është bërë rregull që një samit të zhvillohet në një vend të BE-së dhe një jashtë BE-së. Kështu pas Moldavisë dhe Britanisë së Madhe Shqipëria pati rastin të jetë e treta jashtë BE-së që të jetë mikpritëse e një samiti të tillë.

The post Një sukses i jashtëzakonshëm i Shqipërisë… first appeared on JavaNews.al.

Një vetëvrasje që rëndon mbi ndërgjegjen e drejtësisë shqiptare

By: Java News
19 May 2025 at 21:00

Nga Edmond Petraj, avokat

Më 19 maj 2025, në burgun e Fushë-Krujës, një i paraburgosur i dha fund jetës së tij. Qani Hamit Muça, një qytetar nga periferia e harresës shtetërore, u vetëvar në tualetin e dhomës ku mbahej, pas një varg tragjik ngjarjesh që duhet të tronditin ndërgjegjen e çdo institucioni përgjegjës në këtë vend.

Shtëpia e Qani Muçës u shkatërrua nga IKMT. Në kushtet e dëshpërimit dhe revoltës ekstreme, ai qëlloi me armë në drejtim të forcave të ndërhyrjes, një akt i rëndë, por që buronte nga një dramë edhe më e thellë: humbja e strehës, e sigurisë, e gjithçkaje që një qytetar i varfër konsideron jetë.

Nga ai moment, nis kalvari i një trajtimi që më shumë ngjan me ndëshkim institucional se me drejtësi: arrest, paraburgim dhe një harresë e plotë ndaj gjendjes së tij mendore e emocionale.

Përgjegjësia nuk është vetëm te vetëvrasja — ajo është zinxhirore:

Te vendimi për prishjen e banesës, shpesh pa transparencë, pa alternativa dhe pa ndjeshmëri sociale.

Te policia që e arrestoi, por nuk raportoi gjendjen e rënduar të qytetarit.

Te prokuroria që kërkoi masën e arrestit si zgjidhje standarde.

Te gjykata që e firmosi si rutinë.

Te drejtoria e burgjeve dhe stafi që nuk monitoroi gjendjen e tij psikologjike pas një traume të thellë.

Shteti shqiptar ka një problem të madh: ka më shumë mekanizma për të rrënuar qytetarin, sesa për ta mbrojtur atë.

Ka më shumë fadroma sesa punonjës socialë. Më shumë pranga sesa psikiatër. Më shumë zyrtarë që firmosin, sesa njerëz që dëgjojnë.

Kjo vetëvrasje është më shumë sesa një akt dëshpërimi. Është një akt-akuze. Një kambanë alarmi për një sistem drejtësie që nuk parandalon tragjeditë, por shpesh i ushqen ato me indiferencë.

Kërkojmë hetim të thelluar dhe të pavarur, që të analizojë të gjithë zinxhirin e vendimmarrjes dhe dështimeve institucionale në këtë rast.

Sepse drejtësia që nuk arrin të mbrojë jetën, nuk është drejtësi – është abuzim i heshtur me pushtetin.

The post Një vetëvrasje që rëndon mbi ndërgjegjen e drejtësisë shqiptare first appeared on JavaNews.al.

❌
❌