Kodi i ri penal duhet për të korrigjuar drejtësinë e vjetër, jo për ta rikthyer atë
Nga Mero Baze
Nevoja për një Kod të ri Penal ka zgjuar një interes publik për shkak të shumë problemeve që nxorri në sipërfaqe reforma në drejtësi, por edhe ushtrimi i drejtësisë në 35 vjet pluralizëm pas diktaturës.
Kodi i ri penal i Shqipërisë pas diktaturës, natyrisht që ndryshoi në mënyrë rrënjësore mënyrën se si drejtësia i trajtonte veprat e rënda penale, sidomos në kushtet kur Shqipëria u detyrua të heqë dënimin me vdekje nga Kodi Penal për shkak të anëtarësimit tonë në Këshillin e Evropës në mesin e viteve ’90.
Ndryshoi shumë edhe kultura e shoqërisë në raport me akuzën, duke e parë atë të ndarë nga gjykimi. Në kohën e komunizmit kjo ndodhte rrallë. Pretenca ishte njëkohësisht edhe vendim gjykate.
Reforma në Drejtësi tentoi të avancojë ashpërsinë ndaj veprave të tjera penale siç është trafiku i drogës apo krimi i organizuar – të panjohur në kohën e komunizmit – apo korrupsioni i zyrtarëve të lartë.
Por tani vërejmë se infrastruktura e reformës në Drejtësi, e cila në një farë mënyre rrënoi ndërtesën e vjetër të drejtësisë në Shqipëri, qëndron në themele të pasigurta.
Pasiguria e themeleve të saj ndjehet tek burimet e pakta njerëzore për të plotësuar një infrastrukturë të fryrë dhe burokratike, si dhe një mungesë të rrezikshme të balancës mes pushtetit të drejtësisë dhe llogaridhënies së saj.
Mbi të gjitha, reforma e re në vend që të standardizonte drejtësinë, ka krijuar një larmi aq të madhe “standartesh” sipas dëshirave të prokurorëve dhe gjyqtarëve, sa sot e kemi të pamundur të ndajmë gabimin nga krimi dhe fajin nga përgjegjësia.
Por një nga gjërat më të rënda është rikthimi i reminishencave të komunizmit, sidomos tek liria që prokuroria ka për të përgjuar gjykatat në shenjë presioni për t’u kthyer dhe njëherë tek koha e komunizmit kur pretenca ishte thuajse e njëjtë me vendimin e gjykatës.
Po ashtu, një sërë fenomenesh të reja të qeverisjes në demokraci – sidomos masa e quajtur “shpërdorim detyre” – ka zëvendësuar në prokuroritë tona nenin e agjitacion-propagandës, ku mund të dënohesh edhe pa thënë asgjë.
Nevoja që shpërdorimi i detyrës të përkufizohet me saktësi dhe madje me precizion, dhe të mos kthehet në gaj për prokurorë e gjyqtarë të dështuar dhe pse jo hajdutë, është urgjente.
Dekriminalizimi i saj po ashtu do t’i lehtësonte frikësimet e zyrtarëve të ulët, dhe të mos jemi në kushtet ku tani janë gati të lënë punën nëse u vendoset përpara një shkresë ku ata duhet të firmosin qoftë edhe për gjeneralitetet e tyre.
Pra, ndryshimi i Kodit Penal duhet të rishikojë kodin ekzistues duke shtuar fenomenet e reja të krimit të organizuar, korrupsionit dhe trafikut të drogës në mënyrë më të ashpër, por nga ana tjetër duhet të korrigjojë edhe arrogancën dhe represionin e një pushteti të ri të pakufijshëm që ka dalë nga Reforma në Drejtësi.
Sikur të mos mjaftonte kjo, pashë se Ministria e Drejtësisë, ka propozuar nenin 536 mbi “Ndikimin në pavarësinë e gjykatës”, ku sipas propozuesve thuhet:
“Bërja apo publikimi i komenteve me anë të të cilave synohet haptazi të ushtrohet ndikim në aftësinë e gjykatës për të marrë vendimet, nëpërmjet krijimit të rrethanave shtypëse ndaj pavarësisë së saj, shtrembërimit të qëllimshëm të cilësisë së provave apo paraqitjes së tyre në kundërshtim me përmbajtjen e vërtetë, imponimit për të krijuar pabesueshmërinë në publik të aftësisë së gjykatës për të qenë e pavarur, të kryera për çdo interes apo përfitim, për të dëmtuar apo favorizuar persona të veçantë, e kryer përpara dhënies së një vendimi gjyqësor, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.”
Nëse këtë e kanë seriozisht, nuk kanë nevojë të bëjnë Kod të ri Penal. Këtë nen e ka Kodi i vjetër penal i komunizmit – mos gaboj ka qenë neni 55 – që të dënonte për agjitacion e propagandë. S’kanë pse lodhen me formula të reja amatore që fshehin pasigurinë e atyre që qeverisin sistemin e drejtësisë nga opinioni publik.
Pra, në një farë mënyre, gjyqtarët dhe prokurorët e këtij vendi duan që të mos ua diskutojë më njeri as me fjalë ato që bëjnë, e jo më me kufizime administrative.
Nuk di kush ka qenë iniciatori i këtij neni, por nëse ata që e kanë propozuar kanë parasysh se mund ta përdorin si argument Sali Berishën dhe gjuhën e tij kundër drejtësisë, janë thjesht duke i bërë nder Sali Berishës të vdesë si hero i fjalës së lirë dhe jo si i korruptuar.
Për më tepër, nëse e ka bërë Ulsiu, duhet të jemi aq seriozë sa të mos shqetësohemi, se ai nuk e ka as për Berishën. Ai thjesht mendon se ka arritur në një moshë që tani ka kontribuar për drejtësinë, meqenëse ka lënë mjekër dhe nuk mund të kritikohet.
Në të vërtetë, është e qartë që është një klan brenda drejtësisë që ndjehet i pasigurt dhe kërkon mbyllje goje ndaj vendimmarrjes së tyre, por ky është një banalitet që duhet jo vetëm të mos propozohet, por edhe të mohohet që është propozuar – për t’u dukur seriozë dhe që meritojnë debat.
Mendoni çfarë i bën Trumpit ky nen sikur të zbatohet në SHBA. Se shikon më dritën e diellit.
Por droja më e madhe që kam është se propozuesi tinzar kërkon të sabotojë ndryshimet në Kodin Penal, duke futur malignitete të tilla. Njësoj siç bëjnë dhjetë vjet rresht me ligjin e shtypit: bëjnë sikur duan ta bëjnë me standarde evropiane dhe fusin aty një nen që, për të të mbyllur gazetën, e ka në dorë një nëpunëse qeverie dhe ligji s’bëhet kurrë
Në tërësi, Kodi i ri Penal i Shqipërisë duhet të forcojë dënimet për krimet e rënda dhe jo t’i zbusë ato, si dhe të zbusë e të heqë nga vepër penale kundërvajtjet administrative dhe veprat penale që janë aksidentale në jetën e një qytetari – për të çliruar administratën dhe për t’i dhënë fund anormalitetit që ka krijuar represioni joprofesional i zelltarëve të dalë nga Reforma e Re në Drejtësi.
The post Kodi i ri penal duhet për të korrigjuar drejtësinë e vjetër, jo për ta rikthyer atë first appeared on JavaNews.al.