Përdorimi i internetit për qëllime kulturore në Shqipëri i kufizuar, shohin kryesisht vetëm lajmet
Edhe pse interneti është bërë pjesë e pandashme e jetës së përditshme, përdorimi i tij për qëllime kulturore dhe blerje të përmbajtjeve dixhitale në Shqipëri mbetet relativisht i kufizuar krahasuar me vendet e Bashkimit Europian.
Të dhënat për vitin 2024 tregojnë se shqiptarët janë më aktivë në leximin e lajmeve online (73%) dhe në dëgjimin e muzikës në internet (54%), ndërsa përdorimi për argëtim vizual apo interaktiv, si shikimi i videove (50%) apo lojërat online (28%), është më i ulët se mesatarja europiane.
Kur bëhet fjalë për blerjen e produkteve apo shërbimeve kulturore në internet, përqindjet janë edhe më modeste. Vetëm një numër i vogël përdoruesish paguan për abonime në platforma muzikore apo televizive, për të shkarkuar lojëra apo për të blerë bileta për evente. Megjithatë, vërehet një interes disi më i lartë për shërbimet e transmetimit të lojërave (gaming), ku Shqipëria lë pas disa vende të rajonit.
Bazuar në të dhënat e Eurostat në Shqipëri 73% e përdoruesve të internetit në Shqipëri lexojnë lajme online, faqe gazetash ose revista informative. 28% luajnë ose shkarkojnë lojëra në internet. 54% dëgjojnë muzikë online, përfshirë radio në internet ose platforma streaming. 50% shikojnë TV apo video të transmetuara përmes internetit.
Shifrat tregojnë se shqiptarët kanë një përfshirje të kufizuar në tregun dixhital të produkteve kulturore, veçanërisht në krahasim me mesataren e BE-së, ku 30% e përdoruesve kanë abonime për filma ose sporte, dhe 21% për muzikë.
Vetëm një përqindje e vogël e përdoruesve raportoi blerje të tilla:
- 7% blenë bileta për evente.
- 5% paguan për abonim në platforma muzikore streaming.
- 6% paguan për abonim në platforma për filma, seriale ose sporte.
- 5% paguan për akses në faqe lajmesh online, gazeta elektronike ose revista.
- 7% paguan për një shërbim streaming të lojërave (gaming).
Në Europë
Në vitin 2024, njerëzit në Bashkimin Europian përdorën gjerësisht internetin për qëllime kulturore. Aktiviteti më i zakonshëm ishte shikimi i TV-së ose videove online, i raportuar nga 79% e përdoruesve të internetit. Më pas vinin leximi i faqeve të lajmeve online, gazetave apo revistave informative (70%), dëgjimi ose shkarkimi i muzikës (65%) dhe luajtja apo shkarkimi i lojërave (34%).
Përqindjet më të larta të përdoruesve të internetit që shikonin TV ose video online u regjistruan në Holandë dhe Finlandë (të dyja me 96%) dhe në Qipro (94%), ndërsa më të ulëtat u vunë re në Rumani (44%), Bullgari (55%) dhe Sllovaki (63%).
Leximi i lajmeve online (nga faqe interneti, gazeta apo revista) u raportua nga 91% e përdoruesve të internetit në Çeki, 90% në Finlandë dhe 89% në Qipro. Në të kundërt, përqindjet më të ulëta ishin në Rumani (50%), Francë (56%) dhe Itali (62%).
Më shumë se një e treta e përdoruesve blenë produkte dhe shërbime kulturore online
Në vitin 2024, 36% e përdoruesve të internetit në Bashkimin Europian blenë një formë të caktuar të produkteve apo shërbimeve kulturore online.
Abonimet ishin veçanërisht të përhapura, sidomos ato për filma, seriale dhe shërbime transmetimi sportiv (30%) si dhe për platforma muzikore streaming (21%).
Një në katër përdorues interneti (25%) bleu bileta për evente.
Sa i përket zakoneve të leximit, librat, revistat dhe gazetat e printuara (16%) ishin më të preferuara sesa librat elektronikë dhe audiolibrat (7%).
Gjithashtu, përdoruesit e internetit paguan për të shkarkuar programe kompjuterike (11%), lojëra (10%) dhe një pjesë më e vogël bleu kopje fizike të përmbajtjeve të tjera audiovizive si muzikë, filma apo seriale (6%)./ E.Zito
The post Përdorimi i internetit për qëllime kulturore në Shqipëri i kufizuar, shohin kryesisht vetëm lajmet appeared first on Revista Monitor.