Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 23 July 2025Main stream

Veliaj refuzon Tiranën, merret i pandehur në Durrës

By: el da
23 July 2025 at 17:57

Refuzimi i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, për t’u paraqitur në SPAK në orën 11:00 të së mërkurës, për t’u njohur zyrtarisht me akuzat, e vonoi vetëm me 2 orë marrjen e tij si të pandehur.

Mes një deklarate, Veliaj shprehte vendimin personal për të mos shkuar në SPAK e në këto kushte vetë SPAK shkoi në burgun e Durrësit. Rreth orës 13:00, agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, në prezencë edhe të avokatit Ermir Beta, kontaktuan Veliajn në paraburgim, ku i komunikuan përfundimin e hetimit dhe ngritjen ndaj tij të akuzave “korrupsionin pasiv të funksionarëve të lartë dhe të zgjedhurve vendorë”, “pastrimit të parave” dhe “fshehjes së mosdeklarimit të pasurisë” dhe “futje e sendeve të ndaluara në burg”.

Akuza e fundit ka lidhje me përdorimin nga Veliaj të telefonit të një prej policëve të Burgjeve, teksa po shoqërohej nga paraburgimi i Durrësit në Gjykatën e Apelit të Posaçëm për seancën e masës së sigurisë. Më herët, gjatë së mërkurës, SPAK mori të pandehur për tre vepra penale bashkëshorten e Veliajt, Ajola Xoxa.

Në takimet me agjentët e BKH në burg e në SPAK, Veliajt dhe bashkëshortes iu komunikua edhe fakti se SPAK ka shtrirë deri në 24 shtator afatin e hetimit, duke vendosur këtë limit kohor për depozitimin e dosjes në gjykatë. Në të njëjtën ditë, SPAK i komunikoi akuzën e “fshehjes së të ardhurave” biznesmenit Mirton Lika dhe akuzën e “korrupsionit”, biznesmenit Genti Sula.

Për llogari të të njëjtit hetim, të hënën iu komunikua akuza e “pastrimit të parave” biznesmenit Elman Abule, ndërsa në vijim pritet që në SPAK të mbërrijnë edhe 4 biznesmenë të tjerë, të dyshuar për “korrupsion”.

Erion Veliaj qëndron në qeli prej 10 shkurtit dhe në vijimësi ai ka mohuar me forcë çdo akuzë apo pretendim të SPAK kundër tij. m.p.

Cilat janë dy zonat më të shtrenjta në Shqipëri?

By: el da
23 July 2025 at 17:44

Me çmimet e reja të referencës, ‘Zona 13’ në Durrës dhe ishulli i Sazanit në Vlorë do të jenë zonat më të shtrenjta në Shqipëri.

Çmimi referencë për apartamente në këto zona do të jetë 200 mijë lekë (2 mijë euro), duke i bërë ato me përjashtim të Tiranës, zonat më të shtrenjtat në rang vendi.

Me referencat e reja një metër katror në zonën më të frekuentuar të bregdetit të Durrësit që është ‘Zona 13’ e njohur si lagjia e Plazhit, pritet të kushtojë 2 mijë euro dhe kjo përbën një rritje 323% në raport me referencën aktuale prej 472 euro/metri.

Sakaq për Sazanin rritja rezulton 223% në raport me referencën aktuale. Nga shtatori i këtij viti në ishullin e Sazanit pritet të nisë ndërtimi i vilave dhe resortit luksoz me vlerë 1.4 miliardë euro, i kompanisë Affinity Partners të Jared Kushner dhe Ivanka Trump. m.p.

80 mln euro, e treta e vërteta! Ylli i Premier League po ndryshon destinacion

By: el da
23 July 2025 at 17:32

Pas 67,5 mln eurove të refuzuara nga Liverpool, Bayern po bëhet gati për ofertën e tretë për Luis Diaz.

Sipas gazetarit Ben Jacobs, kampionët gjermanë janë të përgatitur të ofrojnë deri në 80 milionë euro për sulmuesin anësor kolumbian.

Luis Diaz shënoi 17 gola dhe dha 5 asistime në 50 paraqitje sezonin e kaluar me skuadrën angleze. Ai vlerësohet si një nga sulmuesit e majtë më të mirë në botë. m.p.

Nën akuzë për fshehje pasurie, GJKKO kalon për gjykim dosjen e Dogjanit

By: el da
23 July 2025 at 17:25

Gjykata e posaçme ka pranuar kërkesën e spak dhe ka kaluar per gjykim te dosjes ne ngarkim te deputetit demokrat Asllan Dogjani me akuzen e mosdeklarimit dhe fshehjes se pasurise. Fillimisht dosja u kthye pas ne Spak per plotesim hetimesh nga gjykata e posacme, por tashmë do të zhvillohet proces në themel.

Sipas hetimeve, Dogjani ka fshehur menyren e pageses per blerjen e nje apartamenti me sipëqrfaqe rreth 100 m 2 ne kryeqytet. Vete deputeti demokrat ka pretenduar se ai e ka perfituar pronen ne baze te nje marrveshje ne kembim te sherbimit te konsulences juridike per firmen e ndertimit. Dogjani akuzohet nga SPAK për “refuzim për deklarimin, mosdeklarimin, fshehje ose deklarim i rremë i pasurisë” lidhur me një apartament rreth 100 metër katrorë, për të cilin ai thotë se e ka e fituar si rezultat i këshillimit juridik.

Por sipas organit të akuzës, Dogjani e bleu apartamentin rreth 126 mijë euro, vlerë të cilën e pagoi cash dhe nuk e ka deklaruar. Deputeti demokrat është shprehur më herët se kallëzimi ndaj tij është bërë nga ndërtuesi Ilrijan Çelaj, të cilin ai e quan ‘zaptues’ pasi më parë e ka paditur për grabitjen e hapësirës publike para pallatit ku banon duke e këthyer në parkim me pagesë.

Rama thërret kabinetin në Dajt! Kush e ka radhën për ‘shkundje’?

By: el da
23 July 2025 at 17:16

Edi Rama pritet që mesditën e së enjtes të rikthehet në rezidencën qeveritare në malin e Dajtit me një takim “retreat”.

Nesër, rreth orës 13:00, kryeministri do të zhvillojë një mbledhje informale me anëtarët e kabinetit qeveritar, sipas Newsbomb.

Historia ka treguar që takimet e tilla, të udhëhequra nga kryeministri, zgjasin me orë të tëra.

Deri më tani nuk dihen temat për të cilat kreu i qeverisë do t’u kërkojë “llogari” të vetëve, por këtë mandat të katërt Rama është zotuar që ta pozicionojë Shqipërinë krah vendeve të Bashkimit Europian dhe të plotësojë të gjitha standartet si vendet e tjera të europës.

Përgjatë javëve të fundit ai ka nisur një “aksion” në rang vendor, ku pas dorëheqjeve të gjithë drejtorëve dhe kryetarëve të njësive bashkiake në të gjithë vendin, kërkoi që me urgjencë t’i jepet fund informalitetit dhe ndërtimeve pa leje.

Si rrjedhojë ai dha urdhër që të “pastrohen” të gjitha zonat ku biznesmenët kanë kryer ndërtime pa kriter, me qëllim për t’ia u dhënë këto hapësira publike qytetarëve.

Avioni në Itali rrëzohet në autostradë dhe shpërthen në flakë

By: el da
23 July 2025 at 17:08

Pamjet tronditëse që tregojnë një avion të vogël teksa rrëzohet në njërën nga dy korsitë e autostradës Ospitaletto-Montichiari, e njohur si Corda Moll në provincën e Brescias janë publikuar në mediat sociale.

Aksidenti, ku mbetën të vdekur mes flakëve çifti nga Milano Sergio Ravaglia dhe Anna Maria De Stefano u regjistrua mëngjesin e djeshëm dhe mrekullisht shpëtoi nga përplasja një 56-vjeçar, i cili udhëtonte me automjetin e tij Mazda drejt Venecias.

“Jam mirë”, u tha ai i tmerruar atyre që e ndihmuan pasi ndodhej në gjendje shoku dhe makina e tij dukej qartazi e dëmtuar pasi ishte prerë nga avioni që rrëzohej.

Mediat italiane raportojnë se avioni i vogël humbi lartësinë, u rrëzua në tokë dhe menjëherë u përfshi nga flakët mes automjeteve që kalonin.

Avioni ishte ngritur nga Gragnano Trebbiense, në provincën e Piacenzës, por çifti që udhëtonte me të nuk pati asnjë shans për të shpëtuar. Ata u dogjën për vdekje brenda avionit, i cili u përfshi nga flakët menjëherë pasi u përplas në pistë.

Enzo Bregoli po shkonte poshtë Corda Molle, drejt Montichiari-t, gati për të dalë në kryqëzimin e Azzano Mella-s dhe ai pa gjithçka

“Kisha filluar të ngadalësoja. Dhe vura re aeroplanin që vinte nga e djathta: po fluturonte ulët, po, por nuk dukej se ishte në telashe. Jo deri në atë moment. Pastaj vura re se lartësia po binte vërtet, 30-20 metra. Nuk do ta mohoj se isha i shqetësuar. Papritmas, piloti dukej se humbi kontrollin. Avioni u rrotullua dhe ra drejt e poshtë në rrugë, me hundën përpara, vertikalisht. Nëse do të ishte përpjekur të kthehej… mund të më kishte goditur mua. Në momentin që avioni goditi asfaltin, menjëherë shpërtheu në flakë”, rrëfeu ai. m.p.

Mrekullitë e detit, 5 destinacione për zhytje në Evropë

By: el da
23 July 2025 at 16:51

Bregdetet e Evropës ofrojnë destinacione të shumta me dukshmëri të mirë dhe ekosisteme të larmishme, ku mund të humbisni veten midis peshqve shumëngjyrësh, koraleve dhe yjeve të detit.

Dhe ndërsa zhytja me maskë nga plazhi është më e përshtatshme për ata që preferojnë të qëndrojnë afër bregut, udhëtimet me varkë ofrojnë mundësinë për të arritur pikat panoramike dhe zonat më interesante detare.

SamBoat, një kompani qiraje varkash, rekomandon 5 destinacionet më të mira për zhytje me maskë këtë verë, relaksim dhe përjetim aventurash të paharrueshme.

Ujërat e kthjellëta, të freskëta dhe të ëmbla të Porto Selvaggio në Puglia

Italia kryeson listën e vendeve të preferuara për zhytje me maskë, me gjiret e bregdetit të Puglias. Thembra e Italisë magjeps me 400 km vijë bregdetare që shikon nga dy dete, gjire të fshehura dhe shtrate deti mahnitëse.

Ndër xhevahiret e saj më të çmuara është Parku Natyror Rajonal i Porto Selvaggio-s, në provincën e Leçes: një shtrirje unike e bregdetit shkëmbor ku e gjelbra e pishave takohet me blunë. Lehtësisht i arritshëm me varkë, duke kaluar pranë burimeve të ujërave të ëmbla, shpellave detare dhe tufave të peshqve shumëngjyrësh, ofron një zhytje të ngadaltë në bukurinë e Salentos.

Laguna Blu, ëndrra blu e vendosur në arkipelagun maltez

E vendosur midis ishujve të Kominos dhe Kominottos, Laguna Blu është një nga mrekullitë më spektakolare të arkipelagut maltez. Këtu, deti transformohet në një paletë të lëngshme ngjyrash të kaltra, nga fundet më të zbehta me rërë deri te gjiret shkëmbore. Ata që mbërrijnë me varkë mund të shmangin plazhin e mbushur me njerëz dhe të zhyten direkt në ujë, ku uji është më i pastër dhe jeta detare është më e gjallë.

Midis shkëmbinjve të ulët, tufa me koce të bardha, salema dhe damsel lëvizin me kuriozitet, ndërsa në pjesët ranore, peshqit buf dhe peshqit me sy të mëdhenj dalin në pah. Shtrati i detit mbetet i cekët, duke e bërë këtë gji të përsosur edhe për fillestarët. Një parajsë që ofron paqe, bukuri dhe një zhytje në natyrën më të pastër të Mesdheut.

Përgjatë Rivierës Makarska, Kroaci

E mbrojtur nga mali Biokovo dhe e rrethuar nga pisha, Makarska është quajtur “Riviera e Bregut Dalmat” për plazhet e saj perfekte dhe ujërat shumëngjyrëshe. Aty pranë, mund të eksploroni me varkë xhevahire të fshehura si Nugal, Zivogosce ose Drasnice, ku natyra është ende e egër dhe në shtratin e detit gëlon jeta.

Ujërat e saj të pastruara nga Deti Adriatit, janë shtëpia e oktapodëve, gaforreve, yjeve të detit dhe kuajve të detit. Gurët e zbehtë dhe bimësia mesdhetare krijojnë një kontrast spektakolar me nuancat intensive të detit.

Nën diellin e Qipros, midis shkëmbinjve dhe ëndrrave të Aja Napës

Ayia Napa është një perlë mesdhetare e vendosur në cepin juglindor të Qipros, duke ofruar ujëra kristalore dhe dukshmëri të jashtëzakonshme nënujore. Një parajsë që përzien natyrën e egër dhe shkëlqimin, është perfekte për ata që kërkojnë emocione dhe bukuri nën ujë.

Bukuria natyrore e këtij rajoni e bën atë një destinacion kryesor për entuziastët e zhytjes me maskë: një nga vendet më të rekomanduara për këtë aktivitet është Kepi Greko, ku shkëmbinjtë e skalitur nga deti fshehin shpella dhe përrenj misteriozë që presin të eksplorohen, të mbushur me jetë detare.

Ishujt Medes, një parajsë e zhytur në Costa Brava të Spanjës.

Ishujt Medes janë një rezervat detar i mbrojtur pranë Costa Brava-s katalanase, magjepsës me biodiversitetin e tyre unik dhe të ruajtur mirë, shtëpi e mbi 1,200 specieve detare. Vetëm pak minuta me varkë nga L’Estartit, ky grup prej shtatë ishujsh të pabanuar, perfekt për eksplorim nënujor, ofron shtrat deti idilik të pasur me korale, shpella dhe peshq madhështorë, atraksioni kryesor i rezervatit.

Këtu, natyra mbretëron supreme falë ndalimit të peshkimit, duke ruajtur një ekosistem të gjallë dhe shumëngjyrësh unik në bregdetin evropian. Një vend që duhet parë patjetër nga eksploruesit detarë të të gjitha niveleve. m.p.

Shabani provokon sërish Lapajn: Nuk doli daja im deputet, por motra jote

By: el da
23 July 2025 at 16:45

Endrit Shabani i Nismës Thurrje ka reaguar pasi KQZ i dha mandatin e deputetes Kleana Xhuvelit nga koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet”.

Në një reagim në rrjetet sociale, Shabani thotë se i afërmi i tij u dorëhoq dhe mandatin e mori kushërira e Adriatik Lapajt.

Reagimi i Endrit Shabanit:

U mbars mali dhe…Njëmijë akuza.

Ndërkohë sot, njeriu im më i afërt dha dorëheqjen dhe mandatin e mori Kleana Xhuveli. Kleana nuk është daja im, po motra e Adriatik Lapajt!

Deri dje na akuzonte do bëheshim vota e 84 e Ramës.

Sot që mori mandatin për motrën, Adriatiku na thotë që i qenka lutur Rama për bashkëqeverisje.

Medemek Rama që mezi e përzuri LSI-në kur kishte 74, po i lutet Adriatikut fiks tani që ka 83 dhe ka gllabëruar çdo pushtet!

Me sa duket, tullumbaci i 71 mandateve që Adriatiku përbetohej se do merrte, ende nuk qenka shfryrë në kokën e tij nga gjilpëra e realitetit të 11 majit, ku pa votat tona do kishte mbetur edhe e motra pa mandat.

Nejse, kjo ishte kostoja krejt e panevojshme që ne të Nismës morëm për ndershmërinë dhe seriozitetin tonë në koalicion me një politikan të ri që më mirë se sa ne, njeh të gjitha metodat e vjetra.

Megjithatë ne nuk e djegim jorganin për një plesht, kur për më tepër kemi njohur dhe vlerësojmë plot djem e vajza në radhët e Shqipëria Bëhet.

Ndërsa Adriatikut ia kam falur se nuk diti se ç’bëri dhe uroj të nxjerrë edhe ai mësimet e veta siç kam nxjerrë unë të miat. m.p.

5% tatim, rivlerësimi i pronave do të nisë vitin e ardhshëm

By: el da
23 July 2025 at 16:33

Fushata e rivlerësimit të pronave do të nisë nga 1 janari i vitit të ardhshëm. Tatimi që do të paguhet në rast të shit-blerjes së pronave propozohet të jetë në masën 5 për qind. Ministria e Financave ka hedhur në Konsultim Publik projektligjin “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme”.

“Të gjithë individët, të cilët kanë në pronësi pasuri të paluajtshme kanë të drejtë që, nga data 1 Janar 2026 deri në datën 30 shtator 2026, të bëjnë rivlerësimin e kësaj pasurie me vlerën e tregut. Kërkesat për rivlerësim të dorëzuara pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, të cilat nuk janë procesuar brenda datës 30 shtator 2026,konsiderohen si objekt rivlerësimi sipas këtij ligji, në rast se pagesa e tatimit për to bëhet deri në datë 31 dhjetor 2026.”

Ligji do të përfshijë edhe pasuritë që janë në proces regjistrimi apo legalizimi, ndërsa për subjektet juridike do të kërkohet rivlerësim nga ekspertë të licencuar.

“Përmes këtij procesi, pritet të rriten të ardhurat tatimore dhe të garantohet një trajtim më i drejtë fiskal mbi pasuritë e paluajtshme. Ligji përfshin gjithashtu rivlerësimin e pasurive në proces regjistrimi dhe përcakton procedurat për dorëzimin e kërkesave, llogaritjen e tatimit dhe pagesën përkatëse.”

Rritja e vazhdueshme e çmimeve të banesave është një nga arsyet kryesore që ka shtyrë qeverinë të ndërmarrë këtë hap.

“Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se çmimet e banesave, në rang vendi, kanë shënuar rritje të konsiderueshme. Vetëm në gjashtëmujorin e parë të vitit 2024, indeksi Fischer i çmimit të banesave u rrit me 16.9%, ndërsa në gjashtëmujorin e dytë me 23.6%. Kjo tendencë rritëse, krahasuar me periudhën e fundit të rivlerësimeve në vitin2022, e bën të domosdoshëm një përditësim të vlerës së pasurive të paluajtshme në përputhje me realitetin e tregut.”

Në 13 vitet e fundit janë bërë 5 rivlerësime pronash dhe të gjitha kanë ndodhur përpara zgjedhjeve vendore ose të përgjithshme parlamentare, me tarifa që kanë variuar nga 1 për qind në vitin 2011 në 3 për qind dy rivlerësimet e fundit.

Në mesin e muajit maj, deputetja socialiste Blerina Gjylameti depozitoi në Kuvend projektligjin për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme, por nisma mbeti në sirtarët e Kuvendit. m.p.

Aksident në Korçë/ Makina përfundon me rrota përpjetë, plagoset çifti

By: el da
23 July 2025 at 13:48

Një aksident ka ndodhur mesditën e kësaj të mërkure, në fshatin Dvoran të Korçës. Mjeti ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar me rrota përpjetë.

Mësohet se drejtuesi ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga duke mbetur i plagosur së bashku me bashkëshorten që ishte pasagjere. Nga aksidenti ka mbetur e dëmtuar edhe një këmbësore, e cila është përplasur nga mjeti.

Të lënduarit janë çuar me urgjencë në spital, ndërkohë që nuk dihet ende gjendja shëndetësore e tyre./kb

 

 

Proda takohet me homologun turk në Stamboll: Bashkëpunim pa barriera mes dy Policive

By: el da
23 July 2025 at 13:30

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ilir Proda ndodhet në një vizitë në Stamboll, ku është takuar me homologun e tij turk, Mahmut Demirtaş.

“Delegacioni shqiptar u prit në një takim miqësor dhe të ngrohtë nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë turke, Guvernatori Mahmut Demirtaş, i shoqëruar nga Drejtori i Departamentit për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Drejtues i Lartë Gökhan Demirtola, dhe Drejtori i Departamentit për Interpolin dhe Europolin, Drejtues i Lartë Mustafa Serkan Sabanca.”-bën me dije Policia përmes një komunikate për mediat.

Në këtë takim, Demirtaş e përgëzoi Prodën për frymën e re të bashkëpunimit dhe vendosmërinë për të forcuar më tej marrëdhëniet me partnerët dhe me agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare. Ai po ashtu shprehu gatishmërinë që Policia turke të vazhdojë të jetë një mbështetje e fuqishme për Policinë e Shtetit.

Proda nga ana tjetër e falënderoi homologun turk, për pritjen dhe për mbështetjen, dhe “e njohu atë me vizionin e tij për një transformim të mëtejshëm të Policisë së Shtetit, me një shërbim gjithnjë e më cilësor për qytetarët dhe një forcë policore më profesionale dhe të besueshme në përballjen me krimin e organizuar dhe terrorizmin”.

Sipas njoftimit për mediat, në këtë takim mes dy drejtuesve u theksua se marrëdhëniet ndërmjet dy policive janë ndërtuar mbi një partneritet strategjik dhe një histori të gjatë bashkëpunimi, i cili është intensifikuar në vazhdimësi për të përballuar sfidat e përbashkëta të sigurisë.

Bashkëpunimi mes dy policive sipas tyre është i gjithanshëm dhe nuk njeh barriera: “Ai shtrihet në fusha kyçe si: lufta kundër krimit të organizuar dhe narkotikëve; bashkëpunimi në fushën e antiterrorizmit dhe të sigurisë publike; kapja, arrestimi dhe ekstradimi i shtetasve në kërkim ndërkombëtar; mbështetja logjistike dhe teknologjike pas sulmeve kibernetike ndaj institucioneve shqiptare; arsimi dhe trajnimi i përbashkët i punonjësve të Policisë, si dhe menaxhimi i kufijve dhe i migracionit”.

Proda në këtë vizitë ishte i shoqëruar nga Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale Drejtues i Lartë Neritan Nallbati, dhe Drejtori i Departamentit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare Drejtues i Lartë Pëllumb Seferi.

Në përfundim të vizitës zyrtare në Stamboll, delegacioni shqiptar, vizitoi dhe Panairin Ndërkombëtar të Industrisë së Mbrojtjes (IDEF 2025), ku u njoh nga afër me teknologjitë më të fundit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes./kb

“Vuloset” lista e Tiranës, ja deputetët që futen zyrtarisht në Parlament

By: el da
23 July 2025 at 11:54

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka bërë shpërndarjen e mandateve të deputetëve për qarkun e Tiranës, për secilin kandidat fitues në zgjedhjet e 11 majit.

Sipas listës zyrtare të lexuar dhe të miratuar nga Celibashi, PS ka marrë mandate në Tiranë. Koalicioni “Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, 13 mandate. Ndërkohë Partia Mundësia 2 mandate dhe Lëvizja Bashkë 1 mandat.

Ndërkohë KQZ pritet të marrë një vendim në lidhje me shpërndarjen e mandatave sa i takon koalicionit “Nisma Shqipëria” bëhet, pas debatit se kush do ta marrë mandatin.

Lista e mbyllur e PS

1-Edi Rama

2-Ogerta Manastirliu

3-Elisa Spiropali

4-Lindita Nikolla

5-Taulant Balla

6-Adea Pirdeni

7-Albana Kociu

8-Igli Hasani

9-Delina Ibrahimaj

10-Ilva Gjuzi

11-Iris Luarasi

12-Erjon Malaj

Fitues nga lista e hapur e PS

13-Blendi Gonxhja

14-Erion Braçe

15-Anila Denaj

16-Ervin Hoxha

17-Fatmir Xhafaj

18-Olta Xhaçka

19-Ornaldo Rakipi

Lista e mbyllur e koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Madhështore”

1-Sali Berisha

2-Flamur Noka

3-Albana Vokshi

4-Belind Këlliçi

5-Tedi Blushi

6-Jozefina Topalli

7-Fatmir Mediu

8-Edi Paloka

9-Erisa Xhixho

10-Mesila Doda

11-Klevis Balliu

12-Besart Xhaferri

Fituese nga lista e hapur e koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Madhështore”

13-Jorida Tabaku

Partia Mundësia

1-Agron Shehaj

2-Erlad Kapri

Partia “Levizja Bashke”

1-Redi Muçi/kb

Universiteti Bujqësor: Një Model për Arsimin e Lartë dhe Një Zgjim për Homologët

By: el da
23 July 2025 at 11:45

Nga Fejzo Subashi.
Në një klimë ku besimi ndaj institucioneve publike shpesh zbehet dhe akademia shqiptare në shumë raste vuan nga një plogështi e pafalshme, Universiteti Bujqësor i Tiranës ka treguar se suksesi është i mundur. Jo përmes propagandës, jo përmes retorikës, por përmes punës konkrete, përkushtimit të përditshëm të drejtuesve, shefave të departamentit, dekanëve dhe udhëheqjes me vizion.
Ky institucion, tradicionalisht i njohur për kontributin në formimin e të gjitha niveleve të kuadrove dhe drejtuesve në bujqësi, mjedis, veterinarisë, teknollogjis ushqimore dhe zhvillim rural etj, sot është shndërruar në një qendër akademike moderne dhe dinamike që rivalizon çdo homolog në rajon, por dhe si udhërrëfyes për homologët dhe universitet publik shqiptar për ritëm zhvillimi, ndërkombëtarizim, cilësi mësimdhënieje dhe impakt real në shoqëri.
Në zemër të këtij transformimi qëndron një figurë që nuk e ka kërkuar kurrë zhurmën, por e ka gjetur natyrshëm respektin: Prof. Bardh Sallaku. Me një stil të qetë por të vendosur, ai ka bërë atë që shumë e shpallin, por pak e realizojnë: ka modernizuar një universitet publik pa cenuar shpirtin akademik të tij.
Prof. Sallaku ka ditur të lançoj programe studimore që balancojën me mençuri kërkesat e tregut të punës me nevojat e formimit të plotë të studentëve, duke promovuar një kulturë cilësie dhe bashkëpunimi. Me një angazhim të jashtëzakonshëm për ndërkombëtarizimin e UBT-së, ai ka siguruar marrëveshje, projekte, shkëmbime dhe standarde të krahasueshme me universitetet më të mira të rajonit dhe përtej.
Por më e rëndësishmja: Prof. Sallaku ka kthyer Universitetin Bujqësor në një qendër graviteti, jo vetëm për studentët, por edhe për institucionet vendimmarrëse, për median, për biznesin dhe shoqërinë civile.
Ky është modeli që duhet të frymëzojë dhe njëherazi të sfidojë të gjitha institucionet akademike dhe shkencore në vend, ato që sot ndodhen në gjumë institucional, që për vite të tëra funksionojnë vetëm si skema pagese për tituj, pa risi, pa ndikim, pa shpresë për brezat e rinj.
Nuk mund të kemi një Akademi Shkencash që hesht përballë problemeve madhore të vendit, ndërkohë që një universitet si UBT dëshmon se ka ende idealizëm, përgjegjësi dhe ambicie.
Ndaj, suksesi i Universitetit Bujqësor dhe i Rektorit Sallaku nuk duhet parë vetëm si meritë personale apo institucionale, por si provë publike se edhe në Shqipëri mund të bëhet universiteti ndryshe: me pasion, me dije, me lidhje të gjalla me jetën reale, me përkushtim të sinqertë ndaj studentëve.
Sot, ata që duhet të marrin leksion nga ky sukses nuk janë vetëm universitetet e tjera publike, por edhe vetë strukturat akademike e shkencore që kanë humbur misionin dhe drejtimin.
Në këtë frymë, i shpreh mirënjohjen time të thellë Prof. Bardh Sallakut dhe gjithë stafit të Universitetit Bujqësor për përkushtimin, vizionin dhe arritjet. Ata janë bërë jo vetëm krenaria e ish-studentëve të këtij universiteti, por edhe një burim frymëzimi për të gjithë ne që ende besojmë në rilindjen e dijes si themel i vërtetë i përparimit të Shqipërisë./kb

Zjarr apokaliptik në Greqi! Flakët “gllabërojnë” zonat malore

By: el da
23 July 2025 at 11:31

Forca të mëdha zjarrfikëse vazhdojnë të luftojnë me zjarret pyjore në vendin ballkanik. Sipas zjarrfikësve, zjarret kanë përfshirë një zonë malore dhe të paarritshme në kufirin midis Arkadias dhe Korinthit, gjë që po ndërlikon përpjekjet e ekipeve të zjarrfikësve.

Zjarrfikësit kanë njoftuar vendosjen e përforcimeve me 185 zjarrfikës, përfshirë gjashtë ekipe pyjore dhe 56 automjete, që tani po operojnë në zonë.

Pesëmbëdhjetë aeroplanë dhe 12 helikopterë janë mobilizuar për shuarjen e zjarreve nga ajri, ndërsa makineritë dhe cisternat janë gjithashtu në shërbim.

Pasditen e vonë të së martës, një alarm i ri emergjence u lëshua në 112 duke kërkuar evakuimin e zonave të Kionias, Stymphalias dhe Matsizas duke i nxitur banorët të zhvendosen në zonën e Psarit.

Më parë, një mesazh i ngjashëm ishte dërguar për të evakuuar zonat e Karterit, Drosopigisë, Kastaniasë dhe Lavkas/kb

“Në anën e duhur të historisë?”

By: el da
23 July 2025 at 09:45

Nga Auron Tare

Avioni im donte edhe disa orë të nisej. U ula në një ndenjëse të lirë, nxora një libër nga çanta e shpinës dhe fillova të ndjek historinë që e kisha lënë përgjysmë.

Ndërkohë, një zë nga pas shpinës sime më shkëputi nga trallisja e leximit.

Zoti Tare?   më tha një zotëri i veshur hijshëm.

Po,  iu përgjigja.

A mund t’ju ftoj për kafe?  pyeti ai.

Me kënaqësi,  iu përgjigja duke u ngritur ne kembe.

Zotëria mori një çantë të vogël në dorë dhe, pasi më prezantoi me zonjën e tij që rrinte pak më larg, priu përpara. Zgjodhëm një prej kafeneve të aeroportit dhe, sapo u ulëm, më pyeti:

Doni një uiski apo diçka më të shtrenjtë?

Faleminderit, i thashë, por një kafe është e mjaftueshme.

Pas shkëmbimit të fjalëve të mirësjelljes, me kureshtje prisja arsyen e kësaj ftese. Më tha emrin dhe priste reagimin tim, por përveç një mbiemri të njohur në botën e biznesit shqiptar, zotërinë nuk e njihja fare.

Unë të njoh, më tha ai. Jemi takuar dikur në lumin e Bunës.

Duke qeshur, më tregoi edhe rrethanat e takimit.

Që prej atëherë të kam ndjekur në media. Të pashë këtu, vetëm, në aeroport dhe mendova ta pinim një kafe.

Pse jo, i thashë. Të falënderoj shumë.

Të kujtohem tani, apo jo? më pyeti me kureshtje.

Kishin kaluar gati 30 vjet dhe sigurisht që nuk e mbaja mend fare zotërinë e aeroportit, por rrethanat e takimit i kisha të fiksuara në kujtesë.

Sigurisht e mbaj mend shumë mirë atë ditë, iu përgjigja. Por ju nuk më kujtoheni fare.

Është normale,  tha ai.  Unë isha një prej kontrabandistëve.  Qeshi me zë. E mban mend,  tha,  ty dhe grupit që ishe i shoqëruar, ju dhamë edhe drekë.

Sigurisht që nuk e kisha harruar atë histori të rrallë.

Prej disa ditësh, së bashku me nje gazetar të New York Times dhe një fotoreporter te Magnum, kishim ndjekur autobotët me karburant që niseshin nga rafineria greke afër Athinës deri në kufirin e Kakavijës. Radhët kilometrike të autobotëve qëndronin gjithë ditën, dhe pasi binte nata, trau hapej dhe autokolona nisej drejt Shkodrës.

Një prej këtyre autokolonave e kishim ndjekur deri sa, në mëngjes, u gjendëm pranë lumit të Bunës. Në një shesh të hapur, disa prej autobotëve shkarkonin naftën në bidona dhe fuçi të mëdha. Ishte një rrëmujë e madhe, dhe ngjante më shumë me një treg të madh, ku makina të ndryshme, karroca me kuaj apo autobotë më të vegjël merrnin naftën që vinte nga Greqia.

Duke ndjekur këtë turmë shumëngjyrëshe, mbërritëm në një anë të lumit, ku dy apo tre trapë lundrues ishin lidhur në bregun e Bunës. Fuçitë, pasi vendoseshin në lundrat e improvizuara, tërhiqeshin me litar nga bregu i Malit të Zi ku shkarkoheshin me shpejtësi. Dukshem, askush nuk ishte i shqetësuar dhe lëvizja vazhdonte gjatë gjithë ditës.

Të dy gazetarët amerikanë, megjithë përvojën e tyre në zonat e luftës, hezitonin të afroheshin pranë grupit që vendoste fuçitë në lundra. Deri në atë moment, qeveria e Berishës e kishte kundërshtuar fort çdo zë që fliste për një trafik shtetëror në ndihmë të ushtrisë serbe që po luftonte në Bosnje.

Gazetarët që ishin me mua në Bregun e Bunës kishin pyetur edhe në selinë e PD-së  z. Shehu, në atë kohë drejtues i firmës së famshme Shqiponja, I cili  kishte mohuar kategorikisht çdo lajm që Shqipëria ishte vend kalimi për naftën e makinës luftarake serbe.

Megjithëse ishim afër “trafikantëve”, fotografi  një emër i njohur i Magnum në Paris  hezitonte të fotografonte njerëzit e djersitur që ngarkonin fuçitë me naftë në çdo mjet të mundshëm transporti.

Ishte ende herët në mëngjes, dhe për të krijuar një ide se çfarë mund të bënim, vendosëm të pinim një kafe në një barakë prej druri. Duke pirë kafe dhe vështruar peizazhin e Bunës, më erdhi një ide.

Ne të tre ishim ornitologë. Sigurisht që, në atë rrëmujë të madhe, askush nuk dinte çfarë ishte një ornitolog.

Jemi ornitologë, u thashë gazetarëve amerikanë.  Kemi ardhur për të fotografuar speciet e rralla të Bunës.

Mesa duket, ideja u pëlqye. Të tre iu afruam grupit të parë dhe i pyetëm ku mund të gjenim tufat e zogjve që ishin në shtegtim. Të çuditur, por shumë të sjellshëm, shkodranët e zonës na drejtuan drejt brigjeve të lumit, prej nga mund të vëzhgonim zogjtë.

Kështu, për pjesën më të madhe të ditës, jo vetëm fotografuam një mori zogjsh shtegtarë, por bashkë me ta, edhe gjithë trafikun ditor të fuçive me naftë që kalonin në disa pika të lumit.

Ishte ky momenti kur bashkëbiseduesi im në aeroport na kishte hasur dhe kishte biseduar lirisht me ne për atë që ndodhte në të dy brigjet e Bunës.

E pyeta me kureshtje nëse bashkë me naftën grupi i tij kishte trafikuar edhe armë.

Jo,  më tha. Ne jo, por të tjerë po.

Në fakt, gjatë “ekspeditës sonë për zogjtë e rrallë”, kishim parë disa makina të vogla të mbushura me kuti fishekësh që dukeshin se kalonin në anën tjetër të Bunës.

Artikulli i New York Times, i publikuar pas disa javësh, ishte dëshmia e parë e një trafiku të organizuar shtetëror, i cili lejonte naftën të kalonte drejt makinës së luftës serbe. Edhe pse në atë kohë i gjithë lidershipi i PD-së jo vetëm e mohoi, por mori masa të rrepta për të fshehur sadopak këtë rrjedhje.

Në Shqipëri jehona e atij artikulli ishte i mpakët, por tjeterkund kishte pasur shume efekt edhe pse nuk kishte asnje dyshim se Trafiku i naftes qe vinte nga Greqia dhe perfundonte ne Serbi nuk kishte si te mos i shpetonte syve te ambasadave ne Tirane.

Kur u ngritëm nga tavolina, e falënderova për kafenë. Sot, ai është një nga emrat e njohur të biznesit shqiptar, i mbështetur fort edhe nga qeveria — një biznes që, në fakt, nisi nga brigjet e Bunës, duke kaluar naftë për palët ndërluftuese në Bosnje, pa pyetur për moralin e trafikut.

Zotëria më zgjati dorën dhe tha:

Isha i bindur që nuk do të më njihje. Por doja të të kujtoja atë ditë. Ishte histori, apo jo?

Po, ishte histori.

Dhe për mua, një rikujtim se ndonjëherë, edhe një kafe në aeroport të kthen përballë të shkuarës  dhe të kujton se në ç’anë të historisë ke zgjedhur të qëndrosh.

Por… a ishte ana e duhur?/kb

Në hetim për korrupsion dhe pastrim parash, SPAK i komunikon sot akuzat edhe Ajola Xoxës

By: el da
23 July 2025 at 09:31
Në hetim për korrupsion dhe pastrim parash, SPAK i komunikon sot akuzat edhe Ajola Xoxës

Ajola Xoxa, bashkëshortja e kryebashkiakut të pezulluar të Tiranës, Erion Veliaj, është paraqitur sot në ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), e shoqëruar nga avokati i saj, Maks Haxhia.

Burime zyrtare bëjnë me dije se Xoxa do të njihet sot me akuzat që rëndojnë mbi të, në kuadër të hetimeve të thelluara për korrupsion, fshehje pasurie dhe pastrim parash, ku është përfshirë edhe bashkëshorti i saj dhe disa biznesmenë.

SPAK pritet t’i komunikojë zyrtarisht akuzën, ndërsa mbetet për t’u parë nëse do të kërkohet masa e ndonjë ndalimi apo garanci pasurore në vijim të procedurave. Ky zhvillim vjen një ditë pasi Erion Veliaj u shpall zyrtarisht i pandehur dhe iu komunikuan akuzat në qelitë e paraburgimit në Durrës./kb

Shqiptarët të fiksuar me “Mercedes”, Durrësi kryeson numrin e autoveturave

By: el da
23 July 2025 at 07:50

Dy markat e makinave që dominojnë në Shqipëri ende vijojnë të mbeten gjermanet Volkswagen dhe Mercedes Benz.

Instituti i Statistikave (INSTAT) publikoi botimin “Karakteristikat e Mjeteve Rrugore” për vitin 2024, i cili ofron një pasqyrë të detajuar mbi mjetet rrugore që qarkullojnë në Shqipëri.

“Në fund të vitit 2024, numri i mjeteve rrugore të regjistruara (me status aktiv ose të çregjistruara përkohësisht) arriti në 959.226 mjete, duke shënuar një rritje me 10,5%, krahasuar me vitin 2023. Autoveturat përbëjnë 80,8% të mjeteve gjithsej.
Numri i autoveturave për 1.000 banorë u rrit në 328 (nga 292 në vitin 2023)” thuhet në njoftimin e INSTAT.

Të dhënat tregojnë se Qarku i Tiranës ka numrin më të madh të mjeteve rrugore me 34,8%, i ndjekur nga Durrësi dhe Fieri. Durrësi ka numrin më të lartë të autoveturave për 1.000 banorë (483).

Karakteristikat teknike të mjeteve

Sa u takon karakteristikave teknike të mjeteve shumica e tyre vijojnë të jenë manual, edhe pse rritja e atyre me kambio automatike ka qenë e shpejtë se fundmi.

“58,8% e mjeteve kanë kambio manuale. Rritje e ndjeshme e mjeteve të prodhuara pas vitit 2011 me 44,4%. 47,9% e autoveturave kanë moshë mes 11-20 vjet” vlerëson INSTAT.

Dy markat më të përhapura mbeten Volksëagen dhe Mercedes Benz mbeten markat më të përdorura të autoveturave. Sipas INSTAT, 72,9% e autoveturave përdorin naftë, ndërsa përdorimi i autoveturave elektrike është rritur me 2 herë, krahasuar me vitin 2023./Monitor/kb

 

Trump paralajmëron Iranin: Mund t’ju godasim sërish nëse është e nevojshme

By: el da
23 July 2025 at 07:30

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka paralajmëruar se SHBA mund të sulmojnë përsëri objektet bërthamore të Iranit, nëse situata e kërkon një veprim të tillë. Kjo deklaratë erdhi pas pranimit të ministrit të Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, i cili konfirmoi për Fox News se tre instalacione bërthamore ishin dëmtuar rëndë nga sulmet ajrore amerikane të zhvilluara në qershor.

“Sigurisht që janë dëmtuar, siç kam thënë më parë. Dhe do ta bëjmë përsëri, nëse është e nevojshme!”, shkroi Trump në rrjetin e tij Truth Social, duke iu përgjigjur komenteve të Araghchit.

Sulmet amerikane të datës 22 qershor goditën tri qendra bërthamore në Fordow, Natanz dhe Isfahan, gjatë një konflikti 12-ditor mes Izraelit dhe Iranit.

Trump e karakterizoi këtë goditje si një shkatërrim të plotë të kapaciteteve bërthamore të Iranit, por një raport i mëvonshëm nga inteligjenca amerikane sugjeroi se dëmi ishte vetëm i përkohshëm dhe se programi i Iranit ishte vonuar me disa muaj. Megjithatë, Shtëpia e Bardhë e quajti këtë raport “krejtësisht të pasaktë”.

Në të njëjtën kohë, Irani ka njoftuar se do të rinisë bisedimet me vendet evropiane për programin e tij bërthamor. Takimi është planifikuar për të premten në Stamboll, ku do të marrin pjesë përfaqësues nga Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei, konfirmoi se bisedimet do të fokusohen në heqjen e sanksioneve dhe çështjet që lidhen me programin bërthamor civil të Iranit.

Programi bërthamor i Iranit u kufizua ndjeshëm pas marrëveshjes së vitit 2015 (JCPOA), por pësoi një goditje të rëndë pas tërheqjes së SHBA-ve në vitin 2018. Nga ai moment, Irani ka rritur gradualisht aktivitetet bërthamore, përfshirë pasurimin e uraniumit në nivele që janë shumë të afërta me ato të nevojshme për prodhimin e armëve bërthamore. Iranit i ka qëndruar besnik pretendimit se programi i tij është për qëllime civile, ndërkohë që shtetet perëndimore kanë shprehur shqetësim për mundësinë e një eskalimi të tensioneve./kb

Horoskopi ditor, 23 Korrik 2025

By: el da
23 July 2025 at 07:00

Dashi

Jeta juaj ne çift do ketë disa pengesa te vogla gjate kësaj dite. Nuk do ndiheni mire ne krahët e atij qe keni ne krah dhe nuk do i shmangni dot debatet. Beqaret do mbyllen ne vetvete dhe nuk do pranojnë kurrsesi ftesat qe do iu bëhen. Ne planin financiar ka ardhur koha te bëni një riorganizim te situatës dhe te ulni për pak kohe shpenzimet.

Demi

Sot do ndizet drita jeshile ne jetën tuaj ne çift dhe mund t’i shprehni pa dorashka te gjitha ato qe ndieni. Atmosfera do jete aq e këndshme sa emocionet do jene te njëpasnjëshme. Beqaret do kenë disa takime te rëndësishme te cilat mund t’ua ndryshojnë te ardhmen. Financat nuk do jene ne gjendjen me te mire, prandaj bëni shume kujdes.

Binjaket

Duhet te tregoheni shume te duruar dhe te matur me partnerin tuaj gjate kësaj dite, përndryshe do lindin probleme te mëdha te cilat me zor do zgjidhen. Pranoni here pas here te toleroni. Beqareve do filloje t’iu rrahe zemra fort ne momentin qe ata me pak e presin. Financat do jene problematike. Nuk duhet tepruar me shpenzimet dhe ne rast nevoje duhet kërkuar ndihme.

Gaforrja

Harmonia do mbizotërojë gjate gjithë kësaj dite ne jetën tuaj ne çift. Do kuptoheni mjaft mire me atë qe keni ne krah dhe nuk do ndodhe asgjë e keqe. Beqaret do iu japin prioritet miqve dhe nuk do e kenë mendjen për te krijuar një lidhje. Sektori i te ardhurave do jete akoma me i privilegjuar se me pare. Do iu jepet mundësia edhe për te shlyer borxhet e marra prej kohesh.

Luani

Ne përgjithësi klima yjore do jete e ngrohte sot. Do ndiheni mjaft mire pranë partnerit tuaj dhe do argëtoheni pa fund. Gjithë kohen e lire ai do ua kushtoje juve. Beqaret nuk duhet te nxitohen te krijojnë menjëherë një lidhje me persona qe sapo i kane njohur sepse do kenë zhgënjime me vone. Ne planin financiar duhet te reflektoni mire para se te bëni çdo lloj shpenzimi.

Virgjeresha

Ndikimi i planetëve nuk do jete aspak negativ ne jetën tuaj ne çift sot. Do e dini mire se çfarë te bëni qe te ruani një klime sa me harmonike dhe te mos keni debate. Beqaret duhet te pranojnë ftesa, por jo te nxitohen për te marre vendime. Ne planin financiar do keni fat me shumice. Jo vetëm qe do kryeni te gjitha shpenzimet e menduara, por do hiqni edhe disa para mënjanë.

Peshorja

Do filloni te mendoni për projekte te përbashkëta me partnerin tuaj gjate kësaj dite dhe te bëni edhe plane për një te ardhme. Bashkëpunoni dhe bëni atë qe është me e mira e te dyve. Beqaret do e kenë te pamundur ta gjejnë princin e kaltër. Te ardhurat do jene delikate. Verifikoni njëherë situatën para se te kryeni çfarëdo lloj shpenzimi.

Akrepi

Ka mundësi qe qielli i dashurisë te jete i zymte gjate kësaj dite. Nuk do kuptoheni mire me atë qe keni ne krah dhe here pas here do debatoni fort. Beqaret do i joshin te gjithë personat qe do kenë pranë pa menduar se ata mund te jene ne një lidhje. Mos bëni gjera për te cilat te pendoheni shpejt. Financat do përkeqësohen për shkak te disa shpenzimeve te pamenduara qe keni kryer se fundmi.

Shigjetari

Nëse jeni te dashuruar do ndiheni te qete dhe nuk do keni probleme gjate kësaj dite. Si ju ashtu edhe partneri do tregoheni te kuptueshëm dhe do toleroni here pas here. Beqaret gjithashtu do jene me fat dhe do mund te ndryshojnë rrjedhën e jetës. Financat do vazhdojnë te jene ne te njëjtën situate si me pare. Nuk do ketë vështirësi.

Bricjapi

Ata qe janë ne një lidhje do kenë nevoje për me shume ngrohtësi dhe mbështetje nga partneri i tyre sot. Mund edhe t’ia kërkoni atij këtë pa druajte sepse ai do jete ne humor dhe do ua plotësojë dëshirat. Beqaret me shume gjase do takojnë personin qe kane ëndërruar gjithmonë. Nëse nuk tregoheni te matur ne planin financiar do keni probleme serioze.

Ujori

Sido qe te jene rrethanat ne jetën tuaj ne çift, sot do bëni çmos qe te qëndroni sa me afër partnerit tuaj dhe te flisni gjere e gjate për gjithçka. Ai nga ana tjetër do jete i gatshëm t’iu dëgjojë dhe t’iu mbështesë. Beqaret do kenë një dite emocionuese fale disa propozimeve emocionuese qe do iu bëhen. Ne planin financiar do keni mbështetjen e disa familjareve.

Peshqit

Lidhja me partnerin do vazhdoje te jete e forte edhe gjate kësaj dite. Do kaloni çaste romantike dhe mjaft emocionuese se bashku. Beqaret do kenë veçse mundësi për aventura kalimtare, ndërsa për dashuritë e mëdha dhe jetëgjata do iu duhet ende te presin. Ne planin financiar do jeni te vendosur dhe mjaft këmbëngulës qe ta përmirësoni sa me shpejt situatën./kb

 

Edi Rama falenderon çunat që çmontuan strukturën metalike të lokalit

By: el da
22 July 2025 at 22:38

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Kryeministri Edi Rama ka falenderuar ata individë që i janë bindur urdhrit për lirimin e hapësirave publike, duke çmontuar vetë strukturat metalike të shtesës së një lokali.

Kryeministri shkruan se është momenti që të respektohet hapësira e përbashkët me komunitetin.

“Çuna, ka ardhur koha për t’u tërhequr matanë kufirit të komunitetit dhe për të jetuar me biznes, pa penguar të tjerët të jetojnë në hapësirat e përbashkëta komunitare. Respekte për çmontimi”, ka shkruar Rama.

Në të gjithë vendin, prej disa ditësh ka nisur një aksion për lirimin e hapësirave publike që janë zaptuar nga struktura metalike dhe karrige të lokaleve.

❌
❌