Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 22 August 2025Main stream

Turizmi bie nga Kosova, më pak dhe turq, polakë e spanjollë, rikthehen serbët

22 August 2025 at 14:08

Turizmi bie nga Kosova, më pak dhe turq, polakë e spanjollë, rikthehen serbët

Turizmi po shfaq tendenca të reja përgjatë këtij viti. Në total, ritmet e hyrjes së shtetasve të huaj në vend janë ngadalësuar ndjeshëm, në krahasim me vitin e mëparshëm. Për janar-korrik në vend kanë hyrë 6.58 milionë shtetas të huaj, me rritje 3.5% me bazë vjetore, nga 23% të njëjtën periudhë të një viti më parë. Edhe në korrik shifrat ishin të vakëta, me 1.82 milionë hyrje, ose vetëm 0.4% më shumë se korriku 2024.

Ngec turizmi, hyrjet e shtetasve të huaj rriten 0.4% në korrik; “arratisen” shqiptarët

Nëse e shohim gjeografinë sipas shteteve, faktori kryesor që po e ndikon ngadalësimin e turizmit është Kosova. Në 7 mujorin 2025 hynë gjithsej 2.3 milionë shtetas nga Kosova, me rënie 5%, ose 121 mijë shtetas më pak. Për shkak të peshës së lartë që zë turizmi nga shteti fqinjë, me 35% të totalit për 7 mujorin, efekti është i dukshëm. Edhe në korrik hyrjet nga Kosova ranë me 6%.
Zbehja e turizmit patriotik lidhet me tre arsye. Së pari, që nga janari 2024 Kosova lëviz pa viza në shtete e BE-së, duke bërë që një pjesë e pushuesve me aftësi të lartë paguese të shkojnë në vende të tjera. Së dyti, shtrenjtimi i çmimeve në Shqipëri i ka larguar shumë të tjerë. Së treti, rënia e euros e bën të paleverdishëm monedhën e përbashkët që përdor Kosova, në krahasim me shtetet që e përdorin të njëjtën valutë, si psh Greqia.
Edhe italianët, grupi i dytë më i madh i turistëve në vend, me 10% të totalit po largohen gradualisht për shkak të rritjes së çmimeve. Për 7 mujorin, hyjnë 664 mijë shtetas italianë, me rritje 4.5%. Në të njëjtën periudhë të një viti më parë zgjerimi kishte qenë 47%.
Maqedonia e Veriut vijon të mbetet besnike ndaj plazheve shqiptare, me rritje përkatësisht 11.3% për 7 mujorin, por me ngadalësim prej 1.3% në korrik. Në rënie të fortë në korrik ishte dhe Mali i Zi (-25%), ndërsa për 7 mujorin tkurrja është gati 2%.
Greqia vijon me rritje, 12% për 7 mujorin dhe 7.4% për korrikun.
Në rënie janë vizitat nga Turqia, që në korrik ranë me 33% dhe për 7 mujorin me 8.3%.
Në rënie janë dhe polakët, që u tkurrën 12% në korrik dhe po aq për 7 mujorin, e spanjollët me tkurrje 5.3% për 7 mujorin. Operatorët turistikë pohojnë se tkurrja ka ardhur kryessht nga largimi i turistëve individualë.
Janë rikthyer serbët, me 16% më shumë hyrje për 7 mujorin, ose 77 mijë. Në korrik rritja është më e fortë, me 28%, teksa ata po preferojnë kryesisht jugun.
Në rritje të fortë ishin hyrjet nga Franca e Gjermania, përkatësisht me 47% dhe 27% për 7 mujorin.

 

The post Turizmi bie nga Kosova, më pak dhe turq, polakë e spanjollë, rikthehen serbët appeared first on Revista Monitor.

Tregu i sigurimeve përmirësoi lehtë rritjen gjatë korrikut

22 August 2025 at 14:00

Tregu i sigurimeve e përmirësoi lehtë rritjen gjatë muajit korrik. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), për 7-mujorin tregu raportoi prime të shkruara bruto në vlerën e 15.5 miliardë lekëve, në rritje me 9% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Rritja është zgjeruar nga niveli prej afërsisht 8% i 6-mujorit, por megjithatë në masën dërrmuese ajo vazhdon të vijë nga sigurimet e detyrueshme motorike, ndërsa shumica e produkteve të sigurimit vullnetar janë në rënie.

Sigurimet e detyrueshme motorike për përgjegjësitë ndaj palëve të treta u rritën me 13.1% në 7-mujorin e parë të viti. Normat më të larta të rritjes u regjistruan në produktin e sigurimit të brendshëm TPL, me 13.5% dhe Kartonit Jeshil, me 13.3%. Pjesërisht, rritja e sigurimit TPL i detyrohet shtrenjtimit mesatar të çmimeve, pas fillimit të aplikimit të rregullores që parashikon diferencimin e primeve mbi bazën e disa elementeve të rrezikut.

Tashmë, pesha e sigurimeve të detyrueshme motorike në sigurimin e Jo-Jetës ka arritur në 66%, nga 63.3% që kishte qenë më parë.

Shumica e produkteve të sigurimit vullnetar janë në rënie. Rritje me ritme të kënaqshme këtë vit po shënojnë vetëm sigurimi Kasko dhe sigurimi i përgjegjësive civile.

Produkti më i rëndësishëm i sigurimit vullnetar, sigurimi i pronës nga zjarri dhe fatkeqësitë natyrore, është në rënie me 2.5% krahasuar me një vit më parë. Ky produkt sjell vetëm 11% të primeve në tregun e Jo-Jetës, nga 12.3% një vit më parë.

Në pjesën më të madhe, kontratat e sigurimit për këtë produkt janë të lidhura me sigurimin e kolateraleve, për kreditë bankare, duke bërë që edhe ky produkt faktikisht të jetë më shumë i detyrueshëm sesa vullnetar.

Situata paraqitet e ngjashme edhe në tregun e sigurimit të jetës. Primet e shkruara bruto u rritën me 13.2% për 7-mujorin e parë të vitit, por edhe në këtë rast rritja është përcaktuar në masën dërrmuese nga sigurimi i jetës së debitorit, me më shumë se 81% të primeve të shkruara bruto. Edhe ky është një produkt i kërkuar në shumicën e rasteve në mënyrë të detyrueshme nga bankat dhe institucionet financiare ndaj huamarrësve.

Nga ana tjetër, vlera e dëmeve të paguara për 7-mujorin është në rritje shumë të lehtë me 0.9% krahasuar me një vit më parë. Kompanitë e sigurimeve paguan gjithsej 4.8 miliardë lekë dëme.

Dëmet janë rritur me ritme më të larta në segmentin e sigurimit të Jetës, me 14%, ndërsa në tregun e Jo-Jetës rritja është më e vogël, me 2.5%. Por, dëmet e paguara me objekt Fondin e Kompensimit të Byrosë Shqiptare të Sigurimeve kanë pësuar rënie të ndjeshme gjatë 7-mujorit, duke bërë që rritja e dëmeve bruto për totalin e tregut të jetë e vogël.

Burimi: AMF

The post Tregu i sigurimeve përmirësoi lehtë rritjen gjatë korrikut appeared first on Revista Monitor.

Anketa: 76 % e të moshuarve kanë nevojë për ndihmë në përditshmëri

22 August 2025 at 13:01

Rreth 76% e të moshuarve mbi 65 vjeç në vendin tonë nevojë për asistencë në aktivitetet e përditshme, sipas një anketë që zhvilloi programi i Kombeve të Bashkuara (PNUD) në fund të vitit të kaluar në 790 familje me të moshuar mbi 65 vjeç.

Të moshuarit u ndanë në tre grupe kryesore: Të pavarur ose minimalisht të varur (49%), pjesërisht të varur dhe me vështirësi fizike (28%), si dhe shumë të varur me sëmundje të shumta (24%).

Të dhënat e përpunuara nga anketa treguan se sa më i lartë niveli i varësisë, aq më e përhapur është prania e sëmundjeve kronike. Në grupin shumë të varur, 84% vuajnë nga sëmundje kardiovaskulare, 61% nga artriti dhe 53% nga dhimbjet kronike. Mesatarisht, këta individë raportuan 4.3 sëmundje secili, krahasuar me 2.3 tek grupi i pavarur.

Mbi gjysma e të moshuarve shumë të varur (56%) vizitojnë mjekun çdo 1-2 muaj. Po ashtu, gjysma e tyre marrin rregullisht më shumë se pesë barna, ndërsa 43% raportojnë nevojë për pajisje shtesë mjekësore.

Megjithëse nevoja për ndihmë financiare është e madhe, shumë të moshuar përballen me pengesa burokratike dhe mungesë informacioni mbi programet e mbrojtjes sociale. Vetëm 6% përfitojnë aktualisht pagesa për paaftësi, ndërsa 41% nuk kanë dijeni për programet ekzistuese.

Grupi shumë i varur i të moshuarve ka nevoja të theksuara, pasi 92% kërkojnë ndihmë për ecjen, 85% për t’u ngritur nga shtrati, 77% për larje e veshje. Po ashtu, mbi 90% kanë nevojë për ndihmë në menaxhimin e barnave, blerje dhe pagesa faturash.

Grupi pjesërisht i varur shfaq kërkesa më të moderuara për ndihmë, 69% për ecje, 37% për t’u ngritur nga shtrati, ndërsa mbi 70% kërkojnë ndihmë në blerje dhe pagesa.

Grupi i pavarur nuk ka nevoja për shërbime të tilla si pastrimi (68%) dhe blerjet (66%).

Anketa tregoi se për të moshuarit shumë të varur kërkohet kujdes i vazhdueshëm dhe asistencë gjithëpërfshirëse, ndërsa për grupin pjesërisht të varur më efektive do të ishin shërbimet rehabilituese dhe teknologjitë ndihmëse që mund të parandalojnë rritjen e varësisë.

Të dhënat e studimit tregojnë qartë se grupi shumë i varur i të moshuarve përbën kategorinë më të rrezikuar, duke pasur nevojë për kujdes të vazhdueshëm dhe asistencë gjithëpërfshirëse, jo vetëm shëndetësore, por edhe ekonomike e sociale./ B.Hoxha

The post Anketa: 76 % e të moshuarve kanë nevojë për ndihmë në përditshmëri appeared first on Revista Monitor.

Ngec turizmi, hyrjet e shtetasve të huaj rriten 0.4% në korrik; “arratisen” shqiptarët

22 August 2025 at 11:37

Korriku ka vijuar të shfaqë një tendencë të ngadalësuar të turizmit, e konstatuar kjo në gjithë pjesën e parë të vitit.

Të dhënat e INSTAT bëjnë të ditur se në korrik në vend hynë 1.82 milionë shtetas të huaj, shifër që është vetëm 0.4% më e lartë se e njëjta periudhë e një viti më parë. Ky është ritmi më i ulët i hyrjeve këtë vit, me përjashtim të muajit mars, kur tendenca ishte me rënie (-2.7%).

Për 7 mujorin, në vend kanë hyrë gjithsej 6.58 milionë shtetas të huaj, me rritje prej 3.5% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Një vit më parë, për të njëjtën periudhë në vend kishin hyrë 23% të huaj më shumë.

Ngadalësimi i turizmit në fakt nisi që në gjysmën e dytë të vitit të kaluar, teksa rritja e çmimeve duket se stepi shumë turistë që vinin në Shqipëri pasi vendi ishte reklamuar si një destinacion me kosto të ulët.

Operatorët e kishin parashikuar që ky sezon veror pritej të ishte relativisht i dobët. Rezervimet individuale për korrik-gusht janë më të ulëta se një vit më parë sidomos nga Vlora në Sarandë. Ata që po mungojnë janë diaspora dhe Kosova. Pjesa më e qëndrueshme mbetet turizmi i organizuar, i cili po respekton shifrat e kontratave me garanci të nënshkruara. Operatorët turistikë druhen se vlerësimet jo shumë të mira që Shqipëria po merr së fundmi nga turistët që sjellin agjencitë e huaja mund të na çojnë një hap pas.

“Përveç turizmit të organizuar, që ka rritje, sepse janë kontratat me garanci, pra të parapaguara dhe po respektohen, rezervimet individuale janë shfaqur dobët. Përjashto Shëngjinin dhe Velipojën, ku frekuentimi kryesor mbetet nga Kosova, në të gjithë bregdetin nga Durrësi në Vlorë e Sarandë, rezervimet individuale kanë qenë më pak se qershori i vitit 2024. Kjo është më e dukshme sidomos në Vlorë dhe në Sarandë”, – ka pohuar më herët për Monitor Rrahman Kasa, Kryetar i Unionit Turistik Shqiptar.

Pavarësisht investimeve dhe masave të marra, sektori vuan nga infrastruktura e dobët, trafiku, mbetjet, zhurmat dhe kantieret e ndërtimit aktive në zonat turistike, ndërkohë që së fundmi po shfaqen edhe probleme bazë si mungesa e ujit, kryesisht në Golem. Edhe rritja e vazhdueshme e çmimeve ka bërë që të largohen një pjesë e pushuesve, si italianët, që në qershor ishin me rënie dhe që janë grupi i dytë më i madh pas Kosovës, me rreth 1% të totalit. Edhe Kosova, që pas heqjes së vizave ka ulur fluksin e hyrjeve drejt Shqipërisë, ndërsa dhe ata janë ankuar për shtrenjtim të çmimeve.

Ngadalësimi i fluksit të turistëve është reflektuar dhe në uljen e çmimeve.  Në javën e parë të korrikut, panorama u bë më e qartë dhe mungesa në plazhe, të cilat mbusheshin plot vetëm në fundjava, solli një ulje zinxhir të çmimeve të hoteleve, si dhe fushata agresive sponsorizimi në rrjete sociale. Nga Saranda në Ksamil, Vlorë dhe Himarë çmimet u rishikuan me rënie 10-25%. Borshi dhe Qeparoi ishin të vetmit në rritje për shkak të kërkesës, teksa Durrësi dhe Golemi mbeten rajoni me raportin më të mirë çmim/shërbim.

 

Edhe shqiptarët po zgjedhin të ikin jashtë

Rritja e çmimeve gjatë viteve të fundit ka bërë që edhe vetë shqiptarët të zgjedhin të ikin jashtë, ku një destinacion i preferuar është Greqia. INSTAT raportoi që Në muajin Korrik 2025, 782.849 shtetas shqiptarë numërohen të kenë dalë nga territori i Shqipërisë, duke shënuar rritje me 11,1 %, krahasuar me Korrik 2024. Hyrja e operatorëve ajrorë me kosto të ulët është një tjetër arsye që ka nxitur daljen e shqiptarëve jashtë vendit.

 

The post Ngec turizmi, hyrjet e shtetasve të huaj rriten 0.4% në korrik; “arratisen” shqiptarët appeared first on Revista Monitor.

Sektori bankar financon rreth 42% të borxhit publik të Shqipërisë

22 August 2025 at 11:03

Sektori bankar është gjithnjë e më shumë financuesi kryesor i borxhit publik të vendit.

Të dhënat nga Shoqata Shqiptare e Bankave tregojnë se vlera e titujve qeveritarë në bilancin e sektorit bankar në mesin e këtij viti arriti në vlerën e afërsisht 591 miliardë lekëve, në rritje me 9.1% krahasuar me një vit më parë. Ekspozimi ndaj qeverisë shqiptare përbënte rreth 27.5% të vlerë totale të bilancit të sektorit bankar. Kjo shumë përfshin investimin në letra borxhi në monedhën vendase dhe në valutë të huaj (Eurobonde).

Borxhi i mbajtur nga bankat tregtare vendase përbënte rreth 41.7% të stokut të përgjithshëm të borxhit publik të Shqipërisë (duke përfshirë edhe garancitë) në mesin e vitit 2025.

Mes bankave tregtare, Banka Kombëtare Tregtare (BKT) ngelet financuesi kryesor i borxhit të qeverisë shqiptare. Në mesin e këtij viti, BKT kishte investime në vlerën e afërsisht 182 miliardë lekëve në titujt qeveritarë. Kjo shumë përbënte 30.6% të investimeve të sektorit bankar në titujt e qeverisë shqiptare dhe afërsisht 12.9% të stokut total të borxhit të qeverisë shqiptare.

BKT ka një diferencë të ndjeshme me bankat e tjera në tregun e letrave me vlerë të qeverisë, edhe falë disponibilitetit të lartë të fondeve krahasuar me bankat e tjera. Në mesin e këtij viti, BKT zotëronte 24.7% të totalit të depozitave bankare. Pjesa e lartë në tregun e letrave me vlerë të qeverisë ka një ndikim të rëndësishëm në rezultatin financiar të bankave, sepse siguron përfitime të kënaqshme me një shkallë të ulët rreziku.

Në vend të dytë renditet Credins Bank, me një portofol prej 98.3 miliardë lekësh ose sa rreth 17% e totalit të letrave me vlerë të qeverisë në bilancin e sektorit bankar. E matur si peshë ndaj totalit të borxhit të brendshëm, përllogaritet se Credins Bank në mesin e këtij viti financonte rreth 6.9% të borxhit publik.

Historikisht, Credins ka qenë një bankë më e fokusuar te huadhënia për sektorin privat dhe është aktualisht huadhënësi më i madh në ekonominë shqiptare. Megjithatë, në vitet e fundit Credins gradualisht ka rritur peshën e investimeve në tituj, me qëllim diversifikimin e strukturës së aktiveve në bilanc.

Banka e tretë me pjesën më të lartë të tregut të titujve qeveritarë renditet Raiffeisen Bank Shqipëri, me një portofol prej 71.6 miliardë lekësh ose 12.1% të totalit të investuar nga sektori bankar në këto instrumente. Në raport me vlerën totale të borxhit publik të vendit, Raiffeisen mban një pjesë prej rreth 5.1%.

Dikur financuesi kryesor i borxhit të brendshëm të qeverisë shqiptare, Raiffeisen nisi uljen e ekspozimeve në këto instrumente pas vitit 2011. Ky vendim u diktua nga grupi bankar zotërues, për shkak të vështirësive pas rritjes së kërkesave për kapital në mbulim të aktiveve që grupi zotëronte në tregjet jashtë Eurozonës.

Megjithatë, mes bankave që investojnë në borxhin e qeverisë shqiptare, Raiffeisen është e vetmja bankë që nuk ka ekspozim në Eurobonde dhe i gjithë portofoli i saj përbëhet nga tituj në Lekë.

Vijon Banka Intesa Sanpaolo Shqipëri, që zotëron rreth 11.3% të ekspozimeve të sektorit bankar në tituj të qeverisë shqiptare, për një vlerë totale prej rreth 67.1 miliardë lekësh.

 

Pjesa e mbetur e investimeve të bankave tregtare në tituj të qeverisë shqiptare ndahet mes Tirana Bank, me 8.5% të totalit,  ABI Bank, me 7.9%, OTP Bank Albania, me 5.6%, Union Bank, me 5% dhe Fibank, me 2.2%. Procredit Bank dhe Banka e Bashkuar e Shqipërisë (UBA) nuk raportojnë në bilancet e tyre investime në këto instrumente.

The post Sektori bankar financon rreth 42% të borxhit publik të Shqipërisë appeared first on Revista Monitor.

Ankandi për 101 mijë tonë naftë, shpallet fituesi, vlera e kontratës rreth 30 mln euro

22 August 2025 at 10:00

Bashkimi i operatorëve “EUROPETROL DURRËS ALBANIA” sha dhe “BITEX REFINERY” sha janë fitues të ankandit të fundit të qeverisë për shitjen e rreth 101 mijë tonëve naftë. Ankandi i njoftuar nga Albpetrol në fillim të gushtit është mbyllur me një ofertë rreth 31 milionë euro bërë nga kompania fituese.

Në njoftimin e fituesit shpallur nga Albpetrol nuk jepet vlera totale e ofertës por bëhet me dije se kompanitë duhet të paguajnë sigurimin e kontratës në vlerën 311 milionë lekë që përbën 10 për qind të saj. Në rast të finalizimit të kësaj kontrata kompanitë do të duhet të tërheqin sasinë e karburantit brenda 12 muajsh.

“Rrjedhimisht, jeni të lutur të paraqisni pranë shoqërisë “Albpetrol” sha, me adresë: Rr. Fier – Patos km 7, sigurimin e kontratës në vlerën 311,234,827 (treqind e njëmbëdhjetë milion e dyqind e tridhjetë e katër mijë e tetëqind e njëzet e shtatë) lekë, në masën 10% të vlerës së përllogaritur të kontratës, siç parashikohet në dokumentet e ankandit, dhe të nënshkruani kontratën brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga dita e marrjes së këtij njoftimi.

Në rast se nuk pajtoheni me këtë kërkesë, ose tërhiqeni nga nënshkrimi i kontratës, do të konfiskohet sigurimi i ofertës suaj dhe ankandi do të anulohet, siç parashikohet në pikën 16/b, të Urdhrit nr. 83, datë 10.02.2012, “Për rregullat dhe procedurat e shitjes së produkteve hidrokarbure”, i ndryshuar” thuhet në njoftimin e Albpetrol.

 

Ankandi

Procesi i shitjes ndoqi formulën e miratuar, ku çmimi minimal për njësi është 77.45% i çmimit ndërkombëtar Brent + K, ndërsa në pikat e lëvrimit çmimi llogaritet 77.45% e çmimit Brent – 4.04 USD/bbl + K, duke mbuluar kostot e transportit dhe magazinimit. Diferenca “K” mbetet ofertë e lirë nga pjesëmarrësit dhe do të përcaktojë fituesin e ankandit.

Nafta që do të dalë në treg ndodhet në disa pika magazinimi të Albpetrol, përfshirë Usojë, Visokë, Gorisht, Zharrëz, Kuçovë dhe Amonicë, ndërsa afati i evadimit është 12 muaj nga nisja e procedurës.

Për herë të fundit, Albpetrol zhvilloi një ankand të ngjashëm vitin e kaluar, kur arriti të siguronte një ofertë të suksesshme për shitjen e 159 mijë tonëve naftë brut me vlerë rreth 70 milionë euro. Në atë ankand, oferta fituese u dha nga bashkimi i operatorëve “Europetrol Durrës Albania” dhe “R.B.H. Belinë” sha

Albpetrol prodhoi në vitin 2024 mbi 70 mijë tonë naftë, me një rritje modeste prej 1.8% në raport me vitin paraardhës./ N.Maho

The post Ankandi për 101 mijë tonë naftë, shpallet fituesi, vlera e kontratës rreth 30 mln euro appeared first on Revista Monitor.

2022-2024, Shqipëria me popullsinë me të nën-ushqyer në Europë

21 August 2025 at 23:03

Programi i Kombeve të Bashkuara për Ushqimin, FAO, në hartën  globale mbi prevalencën e nën-ushqyerjes për periudhën 2022–2024 tregon se Shqipëria ka nivelin më të lartë të nën-ushqyerjes në Europë duke u klasifikuar vetëm me Ukrainën një vend tashmë prej  vitesh në luftë.

Sipas të dhënave më të fundit të FAO-s për periudhën 2022–2024, Shqipëria shfaqet si i vetmi vend në Europë ku nën-ushqyerja është ende problem. Teksa pjesa dërrmuese e vendeve europiane kanë prevalencë pothuajse zero të popullsisë që nuk arrin të sigurojë ushqim të mjaftueshëm, Shqipëria paraqitet me një ngjyrë më të errët, ndryshe nga fqinjët dhe nga standardi i europian.

Sipas vlerësimeve të FAO-s, prevalenca e nën-ushqyerjes në Shqipëri llogaritet rreth 5.4% e popullsisë, ndërsa në vendet e Bashkimit Europian ky tregues është nën 2%, shpesh edhe i papërfillshëm. Për krahasim, në vendet e rajonit si Maqedonia e Veriut, Mali i Zi apo Greqia, fenomeni është i padukshëm në statistikat e FAO-s, duke treguar se aksesi në ushqim është më i qëndrueshëm.

Të dhënat e FAO tregojnë se nën-ushqyerja në Shqipëri erdhi në rritje. Në fillim të periudhës (2014–2016), prevalenca e nën-ushqyerjes ka qenë 4.5%, duke mbetur relativisht e qëndrueshme për disa vite radhazi, me luhatje të vogla në intervalin 4.3–4.5%. Kjo tregon se për një periudhë të gjatë, situata ka qenë pothuajse njësoj, pa rritje apo ulje të dukshme.

Megjithatë, pas vitit 2019–2020 vihet re një tendencë rritëse. Nga niveli 4.3%, prevalenca e nën-ushqyerjes arrin në 5.4% për vitet 2020–2021, duke u rritur më tej në 5.8% në 2021–2022 dhe duke shënuar një kulm të ri në 6.2% në periudhën 2021–2023.

Në periudhën më të fundit, 2022–2024, niveli i nën-ushqyerjes ra në 5.4%, duke shënuar një përmirësim të lehtë, por mbetet dukshëm më i lartë sesa mesatarja e viteve të mëparshme.

FAO raporton se Shqipëria jo vetëm që nuk ka barë progres po rrezikon të thellojë kontrastin me fqinjët në treguesin e nën-ushqyerjes.

Teksa vendet e tjera europiane e kanë çuar fenomenin e nën-ushqyerjes drejt zhdukjes, Shqipëria ka mbetur  një “pikë e errët” në një kontinent që konsiderohet shembull i sigurisë ushqimore./ B.Hoxha

 

 

 

The post 2022-2024, Shqipëria me popullsinë me të nën-ushqyer në Europë appeared first on Revista Monitor.

Shqiptarët shpenzuan mesatarisht 108 euro për frymë për sigurime në 2024

21 August 2025 at 23:01

Primi i sigurimit për frymë u rrit për të katërtin vit radhazi vitin e kaluar. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), ky tregues, i shprehur ndryshe edhe si densiteti i sigurimeve në vend, arriti në 10634 lekë (rreth 108 euro), në rritje me 11.6% krahasuar me një vit më parë.

Rritja e primit të sigurimit për frymë u ngadalësua ndjeshëm nga niveli prej gati 25% i vitit 2023. Megjithatë, rritja e fortë e vitit 2023 i detyrohej kryesisht rishikimit të dhënave demografike, pas Censit të popullsisë, që tregoi një rënie të ndjeshme të numrit të përgjithshëm të popullsisë.

Ulja e numrit të përgjithshëm të popullsisë sidoqoftë duket se ka vazhduar të ndikojë edhe vitin e kaluar, po të kemi parasysh se primet e shkruara bruto u rritën vetëm me 7%, më pak krahasuar me nivelin e primit mesatar për frymë.

Megjithëse densiteti i sigurimeve në Shqipëri është në nivelet më të larta të regjistruara ndonjëherë, vlerësohet se ai ngelet ende ndër më të ulëtit të Europë.

Treguesi i densitetit të sigurimeve vazhdon të ketë diferenca të mëdha mes Tiranës dhe qarqeve të tjera të vendit. Statistikat e AMF-së tregojnë se Tirana është i vetmi qark me prime mesatare për frymë sipër mesatares kombëtare, në vlerën e afërsisht 20 011 lekëve për vitin e kaluar ose 88% më shumë krahasuar me mesataren kombëtare. Për Tiranën, primet e shkruara bruto për frymë u rritën me 6% krahasuar me një vit më parë.

Tirana është gjithashtu i vetmi qark me një strukturë relativisht të ekuilibruar të primeve, ku sigurimet e detyrueshme motorike përbëjnë rreth 51% të primeve të shkruara bruto. Kjo mund të shpjegohet me përqendrimin e produkteve vullnetare, si ato të biznesit apo të atyre të sigurimit të pronës në kryeqytet.

Në pjesën tjetër të vendit, sigurimet e detyrueshme motorike përbëjnë nga 84% (në Durrës) deri në pothuajse 97% (në Kukës dhe Berat) të primeve të shkruara bruto. Shifrat tregojnë qartë se, jashtë kryeqytetit, tregu i sigurimeve në Shqipëri është pothuajse i gjithi një treg i sigurimeve të detyrueshme të makinave.

Pas Tiranës, qarku dytë për nga vlera e primeve të shkruara bruto është Durrësi, me afërsisht 7885 lekë për frymë.

E treta renditet Vlora, me prime sigurimi në vlerën e 7819 lekëve për frymë, Gjirokastra, me afërsisht 7697 lekë për frymë dhe Korça, me 7506 lekë për frymë.

Në fund të renditjes, me diferencë të thellë nga qarqet e tjera të vendit, paraqitet Berati, me afërsisht 3384 lekë për frymë. Kjo shumë është sa 32% e mesatares kombëtare dhe më pak se 17% e nivelit maksimal, që shënohet në Tiranë.

Burimi: AMF

Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), vitin e kaluar primet e shkruara bruto arritën një vlerë totale prej 24.5 miliardë lekësh ose rreth 249 milionë eurosh./ E.Shehu

The post Shqiptarët shpenzuan mesatarisht 108 euro për frymë për sigurime në 2024 appeared first on Revista Monitor.

Eficienca e energjisë u përkeqësua tek ujësjellësit, ERRU: Bëni studime të dedikuara

21 August 2025 at 23:00

Treguesi i eficiencës së energjisë në ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizimeve shënoi hap pas në 2024 edhe pse ulja në raport me 2023-in ishte thuajse e papërfillshme. Gjithsesi Enti Rregullator i Energjisë u kërkon ndërmarrjeve të shohin me kujdes arsyet nga ka ardhur kjo situatë për ta përmirësuar atë në vazhdim.

“Ky tregues është veçanërisht i ndjeshëm, pasi kostot e energjisë elektrike zënë pjesën më të madhe të kostove totale operative (O&M) në sektorin e ujit. Për vitin 2024, mesatarja sektoriale e eficencës së energjisë është në nivelin 0.66 kWh/m³, duke reflektuar një rritje të lehtë krahasuar me vitin 2023 (0.63 kWh/m³)” nënvizoi ERRU.

Sipas raportit të performancës kostot e energjisë ishin 23.2 për qind e kostove të operimit dhe mirëmbajtjes që kanë ujësjellësit, një nivel ky i konsiderueshëm dhe me ndikim të fortë. Kostot e energjisë janë bërë madje shkak i një zinxhiri borxhesh të prapambetura që ndërmarrjet kanë ndaj kompanisë së shpërndarjes së energjisë që arrijnë në disa qindra milionë euro. Çdo korrigjim në anën pozitive të eficiencës jep ndikim në konsumin që kanë ndërmarrjet. Enti ka kërkuar që ndërmarrjet e ujësjellësit të ndërmarrin studime mbi eficiencën për të parë situatën specifike të tyre, problemet por edhe zgjidhjet e mundshme.

“Përkeqësimi i këtij treguesi krahasuar me vitin 2023 vjen kryesisht se volumi i ujit të prodhuar është ulur me afërsisht 14.6 milion m3 , ndërsa energjia e konsumuar në kWh është ulur me rreth 750 mijë, pra afërsisht 2 herë më pak se uji i prodhuar. Këtë diferencë mund ta shpjegojmë me faktin se pompat janë konsumuar më shumë për 1 vit dhe nuk janë efikase, por ekziston mundësia që raportimi nga shoqëritë UK, i sasisë së energjisë së konsumuar (ose matja e saj) ose i sasisë së ujit të prodhuar (40% e vlerësuar) nuk ka qenë i saktë. Nisur nga kjo situatë Shoqëritë UK duhet domosdoshmërisht të gjejnë mundësinë për të realizuar studim mbi eficencën e energjisë dhe përmirësimin e saj, në sistemet e furnizimit me ujë dhe KUN” thuhet në raport./ N.Maho

The post Eficienca e energjisë u përkeqësua tek ujësjellësit, ERRU: Bëni studime të dedikuara appeared first on Revista Monitor.

Yesterday — 21 August 2025Main stream

Nga ndalimi i celularëve te masat kundër bullizmit, miratohet udhëzimi për vitin e ri shkollor

21 August 2025 at 16:10

Me nisjen e vitit të ri shkollor, Ministria e Arsimit dhe Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit kanë miratuar një udhëzim të përbashkët që përcakton masat kryesore për mbarëvajtjen e vitit shkollor 2025–2026 në sistemin arsimor parauniversitar.

Udhëzimi, i botuar në Fletoren Zyrtare, përfshin një sërë detyrimesh që lidhen me regjistrimin e nxënësve, shpërndarjen e teksteve shkollore, ndalimin e përdorimit të celularëve në shkolla, si dhe parandalimin e dhunës dhe bullizmit në institucionet arsimore.

Fillimisht në udhëzim përcaktohet se regjistrimet e nxënësve në Institucionet Arsimore Parauniversitare (IAP) të bëhen në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi që përcakton moshën dhe dokumentacionin e nevojshëm.

Për shpërndarjen e testeve shkollore udhëzimi përcakton se drejtoritë e IAP-ve duhet të afishojnë në vend të dukshëm listën e teksteve shkollore, ku të shënohen titulli, shtëpia botuese, çmimi i tekstit për çdo klasë, vendi ku do të shpërndahen tekstet, si dhe periudha e shpërndarjes sipas një grafiku për çdo klasë.

Institucionet arsimore vendore, përgjegjëse për arsimin parauniversitar, drejtuesit e IAP-ve dhe mësuesit të ndjekin me përgjegjësi procesin e shpërndarjes dhe të shitjes së teksteve shkollore për të gjithë nxënësit para fillimit të procesit mësimor dhe të pajisjes me tekste shkollore në përdorim falas për klasat I–IX të arsimit bazë.

Po ashtu kërkohet që prej institucioneve arsimore vendore, përgjegjëse për arsimin parauniversitar dhe institucionet arsimore parauniversitare të marrin masa për zbatimin e legjislacionit në fuqi për ndalimin e përdorimit të telefonit celular në mjediset e institucioneve arsimore parauniversitare.

Prioritet mbetet edhe masat kundër dhunës dhe bullizimit, ku u është kërkuar ZVAP-ve dhe drejtoritë e shkollave të zbatojnë me prioritet Planin Kombëtar të Veprimit “Për fuqizimin e mekanizmave të parandalimit të çdo forme dhune e bullizimi dhe rritjen e sigurisë në institucionet arsimore parauniversitare”, miratuar me urdhrin nr. 32, datë 21.1.2025.

Ndër masat konkrete të kërkuara janë: zbatimi i Kodit të Etikës së mësuesit (gusht 2025), planifikimi i veprimtarive ndërgjegjësuese për parandalimin e dhunës, bullizmit dhe ekstremizmit, ngritja e këndit “Stop dhunës në shkollë” dhe ekipeve “antibulling” në çdo shkollë. Gjithashtu, theksohet nevoja për monitorimin e komisioneve të etikës dhe disiplinës, si dhe organizimi i veprimtarive sensibilizuese më 21 nëntor, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare kundër Dhunës në Shkollë.

The post Nga ndalimi i celularëve te masat kundër bullizmit, miratohet udhëzimi për vitin e ri shkollor appeared first on Revista Monitor.

Doganat, strategji të re për sistemet dixhitale doganore sipas standarteve të BE-së

21 August 2025 at 15:10

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave në bashkëpunim me AKSHI-n dhe UNCTAD dhe me asistencën e DG Taxud ka filluar prej kohësh draftimin e Strategjisë për Zhvillimin e Sistemeve të Teknologjisë së Informacionit në kuadër të aderimit në Bashkimin Evropian.

Grupi i Përhershëm i Punës zhvilloi sot mbledhjen e radhës duke u fokusuar në tre kolonat kryesore të sistemeve:

I. Sistemet qendrore Transevropiane të zhvilluara nga Komisioni që mund të kërkojnë dhe zhvillime nga vendet kandidate, ku përfshihen 18 sisteme IT si: për shkëmbimin e certifikatave të Dritares së Vetme Doganore të BE-së; kontrolli importit; menaxhimi i riskut doganor; eksportuesit të regjistruar; informacioni i detyrueshëm tarifor evropian; regjistrimi dhe identifikimi i operatorit ekonomik- EORI2; AEO; menaxhimi i garancisë; sistemi IPR; tarifa e integruar etj.

II. Sistemet e decentralizuara Transevropiane të zhvilluara nga Komisioni dhe që kanë një komponent kombëtar që do të zhvillohet nga vendet kandidate për në BE, si NCTS (sistemi tranzitit), Sistemi Autorizuar i Eksportit dhe sistemi i zhdoganimit të centralizuar për import;

III. Kërkesat e BE-së për sistemet kombëtare që duhet të zhvillohen eksluzivisht nga vendet kandidate që synojnë zbatimin e proceseve të përcaktuara në legjislacionin e UCC dhe Dritares së vetme (SW) të BE-së, ku përfshihen Njoftimi i mbërritjes, prezantimit dhe magazinimit të përkohshëm dhe Sistemi kombëtar i importit.

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave është e angazhuar në procesin e integrimit evropian kryesisht në kapitullin 29 – Bashkimi Doganor dhe ka si prioritet kryesor përafrimin e legjislacionit doganor dhe sidomos të sistemeve të IT me standartet e BE-së pasi doganat në momentin e aderimit marrin rëndësi parësore si porta e parë e hyrjes dhe porta e fundit e daljes në tregun e përbashkët evropian.

The post Doganat, strategji të re për sistemet dixhitale doganore sipas standarteve të BE-së appeared first on Revista Monitor.

Kosova importon zhavorr nga Serbia, mbi 100 kompani vendore të bllokuara

21 August 2025 at 14:00

Shoqata e Gurthyeve dhe Betonjerkave ka ngritur alarmin për gjendjen kritike të sektorit minerar në vend. Sipas tyre, më shumë se 100 kompani të licencuara po mbahen të bllokuara, ndërsa Kosova poimporton zhavorr nga Serbia.

Shoqata e Gurthyeve dhe Betonjerkave në kuadër të Lidhjes së Bizneseve të Kosovë ka shprehur shqetësimin për gjendjen jashtëzakonisht të rëndë në të cilën ndodhet sektori minerar.

Për shkak të mosfunksionimit të institucioneve, ligjeve të pakoordinuara dhe vonesave të pajustifikuara, mbi 100 kompani të licencuara janë të bllokuara, ndërsa investime milionëshe dhe qindra vende pune janë në prag të humbjes.

Kompanitë tona, që kanë investuar miliona euro dhe punësojnë qindra punëtorë, po rrezikojnë falimentimin për shkak të:Mosfunksionimit të bordeve dhe departamenteve përkatëse; Ligjeve të pakoordinuara ndërmjet institucioneve. Bllokimit të mbi 100 kompanive të licencuara si rezultat i mos harmonizimeve te ligjeve. Qindra lëndëve të mbetura pa trajtim në Bordin e Minierave. Vonesave të pajustifikuara nga institucionet. Shtrenjtimit të energjisë elektrike që po stagnon prodhimin”, thuhet në reagimin e tyre.

Sipas tyre, shkaktarë të kësaj situate janë:

mosfunksionimi i bordeve dhe departamenteve përkatëse,
ligjet e pakoordinuara ndërmjet institucioneve,
bllokimi i mbi 100 kompanive të licencuara nga ligji i ri i vitit 2023,
qindra lëndë të mbetura pa trajtim në Bordin e Minierave,
si dhe vonesa të pajustifikuara nga institucionet.

Shoqata e Gurthyeve ka treguar po ashtu se Kosova është duke blerë zhavorr në sasi të madhe nga Serbia.

Edhe më shqetësuese është fakti që një sasi e madhe zhavorri po importohet nga Serbia, ndërkohë që kompanitë vendore mbahen të bllokuara. Kjo gjendje jo vetëm që dëmton industrinë vendore, por rrezikon vendet e punës, të hyrat e shtetit dhe stabilitetin e sektorit ndërtimor Kompanitë tona, që kanë investuar miliona euro dhe punësojnë qindra punëtorë, po rrezikojnë falimentimin”.

Sipas tyre kjo gjendje ka ardhur për shkak të mosfunksionimit të bordeve dhe departamenteve përkatëse; Ligjeve të pakoordinuara ndërmjet institucioneve; Bllokimit të mbi 100 kompanive të licencuara nga ligji i ri (2023); Qindra lëndëve të mbetura pa trajtim në Bordin e Minierave; Vonesave të pajustifikuara nga institucionet.

Shoqata ka thënë se thirrja e tyre është e qartë.

Formoni institucionet pa vonesa. Harmonizoni ligjet dhe ndalni bllokadat. Jepni mbështetje sektorit vendor për të shpëtuar vendet e punës dhe ekonominë e vendit! Nëse nuk veprohet tani, pasojat do të jenë të pariparueshme për industrinë dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës”.

The post Kosova importon zhavorr nga Serbia, mbi 100 kompani vendore të bllokuara appeared first on Revista Monitor.

Shqipëria ndër tre vendet më të pakënaqura në Europë për gjendjen financiare

21 August 2025 at 13:06

Shqipëria së bashku me Bullgarinë dhe Turqinë kishin nivelin më të ulët të kënaqësisë për anën financiare sipas EUROSTAT.

Në vitin 2022, mesatarisht, njerëzit në BE e vlerësuan gjendjen e tyre financiare me 6.6 në një shkallë nga minimumi 0 dhe maksimumi 10. Kjo vlerë është pak më e ulët krahasuar me vlerësimin e përgjithshëm të kënaqësisë me jetën prej 7.1 për të njëjtin vit.

Nivelet më të larta të kënaqësisë financiare u gjetën në Holandë dhe Finlandë, të dyja me 7.6, të ndjekura nga Suedia me 7.4 dhe Austria me 7.3.

Në anën tjetër të shkallës, me nivelin më të ulët të kënaqësisë financiare ishin bullgarët me 4.6, Turqit me 4.7 dhe Shqiptarët me 4.8. Kjo do të thotë se shumica e njerëzve në këto vende më shumë të pakënaqur sesa të kënaqur me gjendjen e tyre financiare.

Nga viti 2013 deri në vitin 2022, kënaqësia e njerëzve me gjendjen e tyre financiare u rrit në shumicën e vendeve të BE-së. Përjashtim bënë Danimarka, Luksemburgu dhe Suedia, ku ra pak, dhe Franca dhe Finlanda, ku mbeti në vend.

Rritjet më të mëdha ishin në Portugali (+1.4 pikë), dhe në Irlande, Qipro dhe Slloveni (+1.3, +1.2 dhe +1.1 pikë, përkatësisht).

Marrëdhënia midis nivelit të të ardhurave dhe kënaqësisë me situatën financiare ndryshon pak midis vendeve të BE-së. Ata në kuintilin më të ulët te të ardhurave janë më të pakënaqur, ku bën pjesë edhe Shqipëria. Këto janë gjithashtu vendet me hendekun më të madh në nivelet e kënaqësisë midis atyre me të ardhurat më të larta dhe më të ulëta.

Në Greqi, niveli i kënaqësisë së atyre në kuintilin më të lartë te të ardhurave ishte më shumë se dyfishi i nivelit të atyre në kuintilin më të ulët të të ardhurave; në Bullgari dhe Kroaci ishte 75% më i lartë.

Boshllëqet më të vogla midis niveleve të kënaqësisë së kuintileve me të ardhura më të larta dhe më të ulëta ishin në Maltë, Itali dhe Finlandë.

 

Burim: Eurostat

The post Shqipëria ndër tre vendet më të pakënaqura në Europë për gjendjen financiare appeared first on Revista Monitor.

Ndërhyrje emergjente në Urën e Milotit, ARRSH hap tenderin për projektin

21 August 2025 at 12:00

Autoriteti Rrugor Shqiptar parashikon të bëjë një ndërhyrje në Urën e Milotit, e cilësuar si emergjente dhe që lidhet konkretisht me mbrojtjen e themeleve. Në një procedurë të çelur këtë të enjte, me fond limit 107 milionë lekë, ARRSH vlerëson se ky projekt erdhi pas një investigimi në terren të konsulentit, i cili konstatoi gjendjen e saj dhe nevojën për ndërhyrje. Ura ndodhet aktualisht në mes të jetëgjatësisë që kanë veprat e kësaj natyre; ndërhyrja parashikon rritjen e sigurisë.

ARRSH vlerëson se themelet e Urës janë në një gjendje tej të dëmtuar.

“Për këtë sugjerojmë se Urës, si masë emergjente, duhet t’i bëhen punimet sipas përshkrimeve të mëposhtme, për të siguruar një jetëgjatësi të saj me kufizimin e ngarkesave, siç ajo është sot, për një periudhë deri në (5÷10) vjet” – thuhet në dokument.

Më të detajuara në dokumente nënvizohen problematikat konkrete të vërejtura në themelet e urës.

Ndër problematikat kryesore të vërejtura është problemi i themeleve, të cilat pothuaj kanë dalë në sipërfaqe, për shkak të gërryerjes së përgjithshme të shtratit të lumit.
Thellësia mesatare e gërryerjes së përgjithshme dhe lokale shkon (3÷5) m.
Vazhdimi i marrjes së zhavorrit në mënyrë të pakontrolluar në lumë është shkaku kryesor i kësaj situate, fenomen që shfaqet edhe në urat e ndërtuara së fundmi mbi këtë lumë” – thuhet në dokumentin e ARRSH.

Ndër punimet e parashikuara që të kryhen janë:

  • Pastrimi i zonës përreth pilotave (32 pilave) dhe nivelimi i shtratit përreth tyre;

  • Betonimi i pilotave të themeleve në një lartësi (1.5÷2.5) m duke gjykuar sipas rastit (mbrojtjen e pilotave të dëmtuara dhe thellësisë së gërryerjes);

  • Përforcimi dhe mbrojtja e themelit të pilës dhe ballit nga gërryerjet lokale nëpërmjet krijimit të një qilimi me blloqe të lidhura gabioni, siç tregohet në projekt.

Ura e Milotit ndodhet në aksin rrugor Milot–Lezhë, mbi lumin Mat, në rrugën kombëtare Milot–Lezhë, SH1. Projekti për ndërtimin e urës ka datën 24.04.1979, hartuar nga Instituti i Projektimeve Nr. 2, dhe ka qenë pjesë e Projektit “Hekurudha Laç–Shkodër–Kufi” (Urë hekurudhore dhe automobilistike mbi lumin Mat).

The post Ndërhyrje emergjente në Urën e Milotit, ARRSH hap tenderin për projektin appeared first on Revista Monitor.

BSH do të ndryshojë rregulloren për veprimet që regjistrohen në bilancin e pagesave

21 August 2025 at 11:00

Banka e Shqipërisë ka përgatitur disa ndryshime në rregulloren e saj “Për veprimtarinë valutore”. Objekti i rregullores në fjalë është përcaktimi i rregullave për kryerjen e veprimeve që regjistrohen në llogarinë korente dhe kapitale, në formën e pagesave dhe transfertave nga dhe në Republikën e Shqipërisë.

Ato përfshijnë veprimet ndërmjet rezidentëve dhe jorezidentëve nëpërmjet përdorimit të mjeteve të pagesës në valutë dhe transferimin e njëanshëm të aktiveve nga dhe në Republikën e Shqipërisë.

Ndryshimet e propozuara në rregullore lidhen kryesisht me detajimin e përkufizimit të konceptit të rezidencës. Megjithëse në pamje të parë ndryshimet lidhen me teknikalitete, përkufizimi i rezidencës është element i rëndësishëm në llogaritjen e flukseve në bilancin e pagesave të vendit.

Sipas projekt-rregullores, rezident klasifikohet çdo person fizik ose person juridik që e ka qendrën e interesit ekonomik në territorin e Republikës së Shqipërisë, zakonisht për një periudhë jo më të shkurtër se dymbëdhjetë muaj.

Personi fizik konsiderohet rezident kur banon zakonisht në Republikën e Shqipërisë ose ushtron aty veprimtari ekonomike në mënyrë të qëndrueshme dhe nuk ndryshon rezidencën vetëm për arsye studimi, trajtimi shëndetësor, shërbimi të përkohshëm apo udhëtimi jashtë vendit.

Me rregulloren aktuale, një person fizik konsiderohet rezident për sa kohë që është i regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile të Republikës së Shqipërisë, pavarësisht nga kohëzgjatja e qëndrimit jashtë saj.

Lidhur me personat juridikë, projekt-rregullorja përcakton se ata konsiderohet rezidentë kur: janë të inkorporuar ose regjistruar sipas legjislacionit shqiptar ose e kanë vendin e menaxhimit efektiv apo qendrën e operacioneve kryesore në Republikën e Shqipërisë.

Degët e jorezidentëve në Republikën e Shqipërisë do të trajtohen si njësi rezidente, ndërsa degët e rezidentëve jashtë Republikës së Shqipërisë do të trajtohen si njësi jorezidente.

Njësitë diplomatike dhe konsullore dhe kontingjentet ushtarake të Republikës së Shqipërisë jashtë vendit, si dhe anëtarët e familjeve të tyre, konsiderohen rezidentë të Republikës së Shqipërisë, ndërsa organizatat ndërkombëtare të vendosura në Republikën e Shqipërisë konsiderohen jorezidente dhe personeli i huaj i akredituar konsiderohet jorezident.

Njësitë jo-fitimprurëse do të njihen si rezidente në rastin kur veprojnë kryesisht në Republikën e Shqipërisë.

Entitetet me qëllim të posaçëm, si shoqëritë zotëruese, fondet apo subjekte të ngjashme do të klasifikohen në varësi të inkorporimit ose menaxhimit efektiv.

Klasifikimi i rezidencës për zbatimin e kësaj rregulloreje bazohet në parimet e Manualit të Bilancit të Pagesave (dokument i FMN) dhe rregulloret përkatëse të Bankës Qendrore Europiane.

Të gjithë personat apo njësitë e tjera, që nuk përfshihen në kategorinë “rezidentë” sipas përcaktimeve të mësipërme, do të konsiderohen si “jorezidentë”.

The post BSH do të ndryshojë rregulloren për veprimet që regjistrohen në bilancin e pagesave appeared first on Revista Monitor.

Projekti me BB për shërbimet publike, bëhet efektive kredia 80 mln USD, ecuria

21 August 2025 at 10:00

Institucionet disbursuan 8.4 milionë dollarë deri në gusht sa i takon projektit “Përmirësimi i Qasjes së Barabartë në Shërbime Publike me Cilësi të Lartë përmes GovTech” që po mbështetet nga Banka Botërore.

Kjo e fundit vlerësoi në një raport të këtyre ditëve se kjo shumë i përgjigjet 13 për qind të totalit të financimit të parë që u bë efektiv në vitin 2023 dhe që ka një shumë prej 65 milionë dollarësh. I njëjti raport vlerëson se financimi i dytë po për këtë projekt i miratuar në mars të këtij viti u bë efektiv këtë gusht. Shuma e këtij financimi të dytë është 80 milionë dollarë.

Banka vlerësoi se ecuria e përgjithshme e zbatimit mbetet “e Kënaqshme”, duke qenë se zbatimi vazhdon të ecë përpara në të gjitha aspektet e Programit – si për Programin Kryesor ashtu edhe për Financimin Shtesë (AF).

Më konkretisht, vlerësimi “S” jepet për shkak të: (i) përgatitjes së shpejtë dhe miratimit të një Financimi Shtesë për Programin (80,000,000 USD / 76,900,000 EUR) – i konceptuar për të rritur dhe zgjeruar më tej Programin – i cili hyri në fuqi më 11 gusht 2025;

(ii) arritjes së shtatë Rezultateve të Lidhura me Shpërndarjen (DLRs) deri më tani, duke përfshirë një Rezultat të Mëparshëm nën AF, ndërkohë që 6 DLR të tjera janë në rrugën e duhur për t’u arritur deri në fund të vitit kalendarik(disa prej tyre përpara afatit), dhe është vërejtur progres në të gjitha 9 DLI-të;

(iii) progresit në të gjitha procedurat e prokurimit dhe aktivitetet e Programit për Rezultate (PforR) dhe të Financimit të Projektit të Investimit (IPF) brenda secilës prej katër Zonave të Rezultateve të PforR-së;

(iv) forcimit të kapaciteteve të Njësisë së Koordinimit (CU) brenda AKSHI-së, përmes zgjerimit të strukturës së saj dhe punësimit të ekspertëve mbështetës; dhe

(v) progresit të shtuar në zbatimin e veprimeve të Planit të Veprimit të Programit (PAP).

Sipas Bankës norma e disbursimit të Programit, pas 24 muajsh zbatim, është 13 për qind e Programit Kryesor (Financimi Shtesë sapo ka hyrë në fuqi). Deri në vlerësimin e ardhshëm pritet që norma e disbursimit të arrijë rreth 23 për qind të gjithë Programit (Programi Kryesor dhe Financimi Shtesë).

Projekti synon të mbështesë sektorin publik në përmirësimin e shërbimeve publike, për të rritur kapitalin njerëzor dhe për të përshpejtuar zhvillimin ekonomik gjithëpërfshirës. Në fokus është forcimi i disa shërbimeve të lidhura veçanërisht për grupet më të cenueshme, si të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara, gratë me arsim të ulët dhe shtresat më të varfra./ N.Maho

The post Projekti me BB për shërbimet publike, bëhet efektive kredia 80 mln USD, ecuria appeared first on Revista Monitor.

OKB: Politikat fiskale të Shqipërisë kanë “nxitur” pabarazinë

20 August 2025 at 23:02

Politikat fiskale të Shqipërisë kishin ndikim shumë të dobët në uljen e pabarazisë sipas ”World Social Report 2025” nga Kombet e Bashkuara.

Botimi i OKB-së argumentoi se si politikat fiskale ndikojnë në uljen e pabarazisë në vende të ndryshme të botës. Psh në Europën Perëndimore dhe Amerikën e Veriut politikat fiskale arrijnë të ulin ndjeshëm pabarazinë, në shumë vende të tjera, të tilla si Shqipëria ndikimi mbetet i kufizuar.

Vendi ynë renditet në mesin e vendeve ku roli i politikës fiskale në uljen e pabarazisë është i dobët. Në grafikun e mëposhtëm ajo renditet pranë Federatës Ruse, Serbisë dhe Malajzisë, me një diferencë shumë të vogël midis koeficientit Gini të të ardhurave të tregut dhe atyre të disponueshme pas taksave dhe transfertave (Koeficienti Gini i të ardhurave të tregut tregon sa e pabarabartë është shpërndarja e të ardhurave para se të ndërhyjë shteti, ndërsa Koeficienti Gini i të ardhurave të disponueshme tregon pabarazinë pas taksave dhe pas përfitimeve që jep shteti, pensione, ndihma sociale, shërbime publike).

Bazuar në këtë matje studimi i Kombeve të Bashkuara tregon se sistemi fiskal shqiptar, përfshirë taksat dhe programet e shpërndarjes sociale, nuk arrin të zvogëlojë ndjeshëm hendekun mes shtresave të pasura dhe të varfra.

Në kontrast, vendet e Europës Veriore si Irlanda, Belgjika, Finlanda dhe Austria shënojnë ndikimin më të madh, duke arritur të reduktojnë pabarazinë me mbi 12 deri në 16 pikë përqindjeje. Kjo diferencë e madhe thekson se politikat fiskale në Shqipëri kanë një efekt modest dhe se barra e taksave dhe shpërndarja e burimeve publike nuk arrijnë të funksionojnë si mekanizma të fortë për balancimin social.

Ndërsa shumë vende të rajonit apo edhe më tej arrijnë të përdorin politikën fiskale si instrument për uljen e pabarazisë, Shqipëria edhe pse me një qeverisje socialiste rrezikon të mbetet në një spirale ku diferencat sociale thellohen, duke penguar zhvillimin e qëndrueshëm dhe progresin e kapitalit njerëzor.

Raporti i OKB -së vë në dukje se Shqipëria ka ende një rrugë të gjatë për të ndërtuar një model më të drejtë shpërndarjeje të të ardhurave, ku shteti të ketë një rol më aktiv në mbrojtjen e shtresave të brishta dhe reduktimin e pabarazisë.

Sipas World Social Report 2025 të Kombeve të Bashkuara, Shqipëria mbetet në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta, por përballet ende me sfida të mëdha në drejtim të pabarazisë, punësimit dhe mbrojtjes sociale.

Raporti thekson se pasiguria në tregun e punës mbetet një fenomen i përhapur edhe në vendet me të ardhura mesatare, përfshirë Shqipërinë. Një pjesë e madhe e punësimit zhvillohet në sektorin informal, duke i ekspozuar punëtorët ndaj kushteve të pasigurta dhe të ardhurave të paqëndrueshme. Ky fenomen pengon rritjen e qëndrueshme ekonomike dhe ul besimin tek institucionet./ B.Hoxha

The post OKB: Politikat fiskale të Shqipërisë kanë “nxitur” pabarazinë appeared first on Revista Monitor.

Plani i rritjes se BE për Ballkanin, tre projektet e para të Shqipërisë 32 mln euro

20 August 2025 at 23:01

Bashkimi Europian ka miratuar një paketë mbështetjeje prej 87.7 milionë eurosh në  kuadër të Planit të Rritjes, për projektet e para që do të financohen përmes Kornizës së investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF). Nga faza e parë e financimit Shqipëria përfiton 32 milionë euro për tre projekte.

Projekti i parë është “Digjitalizimi i sistemit të transmetimit të energjisë”, i cili përfshin 40 nënstacione të tensionit të lartë në gjithë vendin, duke rritur kështu  kapacitetin e rrjetit dhe duke ulur humbjet. Vlera e projektit arrin në 95.3 milionë euro, ku BE kontribuon me 10.5 milionë euro. Afati i përfundimit është viti 2030.

Projekti i dytë është rikonstruksioni i Hidrocentralit të Fierzës. investimi synon të zgjasë jetën e hidrocentralit edhe 30 vite, duke rritur efikasitetin me 4% dhe prodhimin me 10%. Faza e dytë e projektit mbështetet nga fondet e Planit të Rritjes me 13.6 milionë euro, në një investim total prej 64.2 milionë euro. Afati i përfundimit të punimeve edhe për këtë projekt është viti 2030.

Projekti i dytë është Linja e re Rrashbull – Tiranë dhe Unaza e Tiranës. Ndërtimi i linjës së transmetimit 400/220 kV synon zgjerimin e rrjetit për të përballuar kërkesën në rritje në Kryeqytet. Investimi kap vlerën 61.1 milionë euro, ndërsa BE kontribuon me 8 milionë euro. Projekti pritet të përfundojë këtë vit.

Plani i Rritjes i Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor i ka projektet e para në fushën e energjisë së pastër pothuajse në të gjitha vendet e rajonit. Shqipëria është ndër përfitueset më të mëdha.

Shqipëria në këtë fazë ka tre projekte madhore, që arrijnë vlerën mbi 220 milionë euro, ku BE kontribuon me 33 mln euro.

Vlera e projekteve në Mal të zi në fazën e parë të planit të Rritjes është rreth 54 milionë euro, ku BE kontribuon me më pak se 10 milionë.

Serbia është vendi me projektet më të orientuara drejt diversifikimit të energjisë (hidro + diellore). Të dy projektet kanë vlerë 186 milionë euro dhe BE kontribuon me rreth 41 mln euro./ B.Hoxha

The post Plani i rritjes se BE për Ballkanin, tre projektet e para të Shqipërisë 32 mln euro appeared first on Revista Monitor.

Jo vetëm ushqimet, po shtrenjtohen dhe produktet e tjera

20 August 2025 at 23:00

Inflacioni bazë u rrit për të pestin muaj radhazi në korrik dhe ka arritur nivelet më të larta që prej fillimit të vitit 2024.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, inflacioni bazë u rrit në 2.91%, nga 2.69% që kishte qenë për qershorin. Inflacioni bazë ka përvijuar gjithashtu një tendencë të qëndrueshme të rritjes me bazë vjetore. Në qershorin e vitit të kaluar ai kishte qenë në nivelin 2.29%

Nënshporta që mat inflacionin bazë është zgjeruar lehtësisht me rishikimin e peshave në vitin 2025, në 69.6% të totalit të shportës së IÇK-së, nga 69% në vitin 2024.

Inflacioni bazë përjashton kryesisht ato produkte që kanë luhatshmëri të lartë, produktet ushqimore dhe ato energjetike dhe ka si qëllim kryesor ta zhveshë rritjen e përgjithshme të çmimeve nga luhatjet me natyrë më afatshkurtër.

Në raportin e fundit të politikës monetare, Banka e Shqipërisë vlerësonte se inflacioni vazhdon të jetë nën objektivin prej 3%, i ndikuar nga rënia e inflacionit nga jashtë, mbiçmimi i kursit të këmbimit dhe goditjet e përsëritura të ofertës. Por, nga ana tjetër presionet e brendshme inflacioniste mbeten të qëndrueshme, duke sugjeruar se aktiviteti ekonomik është pranë potencialit.

Sipas Bankës së Shqipërisë, inflacioni bazë ngelet mbi inflacionin total dhe mbi mesataren e vet të dekadës së fundit, ndërkohë që inflacioni i brendshëm kaloi vlerën e inflacionit total në muajin qershor dhe vijon të mbetet mbi mesataren respektive, duke filluar nga muaji mars i këtij viti. Këto vlerësime konfirmojnë qëndrueshmërinë e presioneve inflacioniste, por, megjithatë, në muajin korrik, Banka e Shqipërisë vendosi të ulë normën bazë të interesit nga 2.75% në 2.5%. Kjo ishte ulja e tretë e normës bazë të interesit në harkun e një viti.

Rritja e vazhdueshme e inflacionit bazë deri në kufirin e 3% mund të jetë një sinjal i një ndryshimi të ri në kursin e politikës monetare në muajt e ardhshëm.

Paralelisht me inflacionin bazë, edhe inflacioni bazë neto për qershorin u rrit në 3.04%, nga 2.45% që kishte qenë për qershorin. Inflacioni bazë neto përjashton më tej nga inflacioni edhe nëngrupet e ushqimeve të përpunuara (përfshirë bukën dhe drithërat) dhe matet mbi 44.6% të shoqërisë së IÇK-së.

Ndërkohë, inflacioni që përjashton të gjitha produktet ushqimore dhe energjetike për muajin korrik u rrit në 2.94%, nga 2.45% që kishte qenë në muajin qershor.

Sipas INSTAT, inflacioni total në ekonomi, i matur për të gjithë shportën e mallrave dhe shërbimeve të konsumit për korrikun u rrit më tej në 2.5%, nga 2.4% që kishte qenë për muajin qershor dhe 2.1% që kishte qenë një vit më parë./ E.Shehu

 

https://monitor.al/cmimet-e-ushqimeve-pershpejtojne-inflacionin-e-korrikut-ne-2-5-niveli-me-i-larte-nga-shkurti-2024/

 

Burimi: BSH

The post Jo vetëm ushqimet, po shtrenjtohen dhe produktet e tjera appeared first on Revista Monitor.

Before yesterdayMain stream

FDA ngre alarmin, karkalecat e paketuar të dyshuar për kontaminim radioaktiv

20 August 2025 at 15:30

Administrata e Ushqimit dhe Barnave e SHBA-së (FDA) ka paralajmëruar qytetarët amerikanë të mos konsumojnë disa produkte karkalecash të ngrirë të markës Great Value, të shitur në rrjetin e supermarketeve Walmart, për shkak të dyshimeve për kontaminim me Cesium-137, një izotop radioaktiv.

FDA bëri të ditur se kushdo që ka blerë produktet duhet t’i hedhë menjëherë dhe të mos i konsumojë. Paralajmërimi erdhi pasi Dogana dhe Mbrojtja e Kufijve e SHBA-së (CBP) zbuloi praninë e Cs-137 në disa kontejnerë transporti në katër porte amerikane – Los Angeles, Houston, Savannah dhe Miami. Kontejnerët e prekur janë bllokuar dhe nuk janë lejuar të hyjnë në vend.

Hetimi dhe shqetësimet e FDA-së

Agjencia tha se po “heton në mënyrë aktive” rastin e kontaminimit me Cs-137 në ngarkesat e ardhura nga Indonezia. Deri tani, nuk ka prova që ndonjë produkt i kontaminuar të ketë hyrë në tregun amerikan, por FDA thekson se karkalecat mund të jenë “përgatitur, paketuar ose ruajtur në kushte të pasigurta higjienike” që i ekspozuan ndaj rrezikut.

“Nëse keni blerë karkaleca të papërpunuar të ngrirë në Walmart që përputhen me këtë përshkrim, mos i konsumoni. Hidhini menjëherë,” – theksoi FDA në njoftimin zyrtar.

Agjencia shtoi se edhe ekspozimi i kufizuar ndaj Cs-137 rrit rrezikun për zhvillimin e kancerit, pasi izotopi dëmton ADN-në e qelizave të gjalla. Sasitë e gjetura janë nën nivelin e shqetësimit për ushqimet e importuara, por FDA thekson se kujdesi lidhet me “ekspozimin e përsëritur dhe afatgjatë në doza të vogla.”

Reagimi i Walmart

Walmart ka konfirmuar tërheqjen e produkteve dhe njoftoi se klientët që i kanë blerë mund t’i kthejnë për rimbursim të plotë.
“Shëndeti dhe siguria e klientëve tanë është prioriteti kryesor,” – tha një zëdhënës i kompanisë për TIME. “Ne kemi bllokuar menjëherë shitjen dhe kemi hequr produktin nga dyqanet e prekura, ndërkohë që po bashkëpunojmë me furnitorin për të hetuar rastin.”

Çfarë është Cesium-137?

Sipas Agjencisë Amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit (EPA), Cs-137 është izotopi radioaktiv më i zakonshëm i Cesium-it. Ai prodhohet përmes fisionit bërthamor dhe përdoret në pajisje mjekësore, instrumente matëse dhe në terapinë me rrezatim për trajtimin e kancerit.

Megjithatë, Cs-137 është edhe një nënprodukt i mbetjeve nga reaktorët bërthamorë dhe shpesh është zbuluar në zonat pranë aksidenteve bërthamore. Në tokë mund të qëndrojë për dekada, duke hyrë në ciklin ushqimor. Ekspozimi i zakonshëm ndodh në nivele shumë të ulëta, të padëmshme për shëndetin, por FDA paralajmëron se edhe këto nivele, nëse grumbullohen me kohën, përbëjnë rrezik.

Sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), sasi më të larta të Cs-137 mund të shkaktojnë djegie, sëmundje nga rrezatimi dhe në raste ekstreme edhe vdekje.

The post FDA ngre alarmin, karkalecat e paketuar të dyshuar për kontaminim radioaktiv appeared first on Revista Monitor.

❌
❌