Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 17 August 2025Main stream

Dosja e Jup Kazazit, ndër organizatorët e kryengritjes së Postribës

By: Kult Plus
17 August 2025 at 22:55

“Mbramë, në ora dy mbas mesit të natës u zbulue në seksion se ku ndodhet Jup Kazazi. Në rrethimin që i bëmë shtëpisë dhe mbasi si e pa se neve e gjetëm bodrumin ku ishte mëshefur dhe s’kishte shpëtim, vrau vehten. Këtu popullarizohet se e vramë neve (në dokument nënvizohet me shkrim dore “Mirë”, që nënkupton se e miratojnë). Kemi gjetur disa dokumenta, por ma të randësishmet do t’ua dërgojmë. Zoi Themeli”.

Dokumenti i mësipërm tregon qëndrimin zyrtar që mbajti regjimi komunist për vdekjen e Jup Kazazit, ndër organizatorët e kryengritjes së Postribës, e para antikomuniste në Europën e Lindjes, që po niste instalimin e perdes së hekurt.

Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit  publikoi dosjen e  Jup Kazazit, ndër organizatorët e kryengritjes së Postribës.

Më 9 shtator 1946, duke synuar që me “Postribën” të lironin të burgosurit e të merrnin institucionet, shpërtheu para kohe ajo që sot njihet si Kryengritja e Postribës, me disa qindra kundërshtarë të regjimit, mes të cilëve, vëllezërit Kazazi. Duke qenë më të paktë në numër dhe me armë, kryengritësit dështuan, ndërsa pushteti u bë më i egër duke arrestuar mbi 1200 veta, hapur 11 burgje të përkohshme e vrarë dhjetëra të tjerë. Jupi shpëtoi, por u detyrua të fshihej dhe u strehua te daja i tij.

Me 17 shtator, shtëpia ku fshihej u zbulua, pasi u torturua një dëshmitar që kishte dijeni. Duke mos dashur të binte i gjallë në duart e komunistëve, ai thirri “Rrnoftë Shqipëria. Nuk i dorzohem klyshëve tˋStalinit” dhe vrau veten. Ekzekutorët futën në shtëpi të kontrollonin të vdekurin, nipin 16-vjeçar, Ahmet Kopliku.

I biri i Jupit, Hamza Kazazi thotë se të atin e masakruan edhe për së vdekuri, kënduan e hodhën valle dhe e ekspozuan në qytet.

Pas ngjarjes, 7 anëtarë dhe të afërm të familjes Kazazi u ekzekutuan, vranë veten ose vdiqën, ndërsa dhjetëra të tjerë u internuan. Trupat e të vrarëve nuk iu kthyen kurrë familjeve.

74 vite më pas, ende nuk ndihen varret e:

Halit Kazazi(vëllai i madh)- lindur me 3 mars 1900, i dënuar më 1945 dhe ekzekutuar më 1945 në Shkodër.

Jup Kazazi(vëllai i dytë)- lindur më 6 tetor 1905, vret veten e nuk dorëzohet, më 17 shtator 1946.

Sait(Seit) Kazazi (vëllai i tretë), lindur më 9 prill 1913. Rrethohet në shtëpinë e Hafiz Adem Kazazit. Nuk dorëzohet e vret veten më 6 tetor 1946.

Abdullah Kazazi(xhaxha i Jupit), arrestohet për kryengritjen e Postribës, pushkatohet diku në Shkodër pas 1946-s, në moshën 64- vjeçare.

Rifat Kopliku, daja i Jup Kazazit. Pas arrestimit më 17 shtator 1946 sepse strehoi nipin, u ekzekutua më 24 shkurt 1947.

Osman Kazazi,  kushëri i parë i Jup Kazazit, arrestohet me 17 shtator 1946, dënohet me pushkatim dhe thuhet se vdiq në hetuesi, në moshën 24-vjeçare.

Asim Abdurrahmani (Shpuza), djali i tezes së gruas së Jup Kazazit. Inxhinier, kimist, dënohet me pushkatim si spiun. Arrestuar e pushkatuar në Tiranë, më 8 qershor 1947.

“I biri i Jupit, Hamza Kazazi, pas 1990-s ka nisur kërkimet për eshtrat e të afërmve. Ka gërmuar në Kir, sipas dëshmive të një 13-vjeçari që kishte shkuar të lahej në lumë, kur ka parë të varroset një burrë me pizhame (si në fotot e trupit të pajetë të Jupit), në vendin ku më vonë u vu Drejtoria e Ujërave, pas varrezave të Rrmajit. Hamza Kazazi, pas shumë gërmimesh, nuk arriti dot të identifikonte të atin, por gjeti eshtra të mbështjella në një veladon, me dorë në zemër e me një kryq, që mendohet se qenë eshtrat e një prifti dhe ia dorëzoi ipeshkvit, imzot Zef Simonit në Shkodër. Ndërsa kërkon 7 të zhdukurit e tij prej 30 vitesh, ka arritur të kuptojë se “procesverbalet baheshin të rrejshme”.  Në qershor 2017, Jup Kazazit, qyteti i Shkodrës i ka dhënë titullin “Qytetar Nderi” (pas vdekjes) dhe Presidenti i Republikës, Nishani, i ka akorduar “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” (pas vdekjes).

Dosja në fjalë mund të vihet në dispozicion të të interesuarve, pranë AIDSSH”, shprehet Autoriteti i Dosjeve.

Shfaqja ‘Arka’ me regji të Mentor Zymberaj prezantohet në festivalin ‘Act Alone’ në Islandë

By: Kult Plus
17 August 2025 at 22:24

Shfaqja ‘Arka’ me regji dhe interpretim të Mentor Zymberaj u selektua dhe prezantua në edicionin e XXI-të të Festivalit Ndërkombëtar të monodramës ‘Act Alone’ në Srdureryi, Islande, përcjell KultPlus.

Ky sukses i shfaqjes ‘Arka’ vjen pas suksesit në Etno Fest ku aktori Mentor Zymberaj u shpërblye me çmimin ‘Aktori më i mirë’ dhe pas vlerësimit laureat në festivalin ‘Moldfest’ në Kishneu të Moldavisë.

Shfaqja ‘Arka’ po vazhdon sukseset pas shfaqjes ‘Ëndrrat e Hamletit’ e cila u prezantua në shumë festivale ndërkombëtare./KultPlus.com

Sonte hëna ëndërron e lodhur, e mërzitur

By: Kult Plus
17 August 2025 at 21:55

Poezi nga Sharl Bodler

Sonte hëna ëndërron e lodhur, e mërzitur
Si një grua e bukur që mes jastëkësh t’butë
Përkëdhel gjijt butësisht e lehtë, e dremitur,
Ndërsa ledhatimi ëmbël në ëndrra e fut.

Mbi supin –saten të reshmeve të bardheme,
Syri i saj mashtrohet me pamje të rreme
Ajo tretet e tëra në prehrin e zalisë,
Që lulëzojnë , ngjitjen e drejt kaltërisisë.

N’këtë molisje t’ëmbël, ashtu tinës e kot,
Kur ajo ndonjëherë lëshon një pikë lot,
Një poet besnik, që tërë natën s’ka fjetur,

Në dorën e vet na e merr lotin e trishtimit,
Me një shkëlqim ylberi si t’ish prej rrezatimit,
Dhe e shtrëngon në zemër, nga sytë e djellit fshehur./KultPlus.com

Norvegjia instalon pasqyra masive në malet e qyteteve që s’kanë rreze të drejtpërdrejta të diellit

By: Kult Plus
17 August 2025 at 21:26

Norvegjia ka vendosur pasqyra masive në shpatet e maleve për të reflektuar dritën e diellit drejt qyteteve që për muaj të tërë gjatë dimrit mbeten pa rreze të drejtpërdrejta dielli. Ky zgjidhje inovative u zbatua në Rjukan, një qytet i vogël i vendosur thellë në Luginën Vestfjord në jug të Norvegjisë, transmeton KultPlus.

Për shkak të maleve të thepisura që e rrethojnë, Rjukan nuk merr dritë të drejtpërdrejtë nga dielli nga shtatori deri në mars. Sipas CNET, në vitin 2013 qyteti instaloi tre pasqyra gjigante, secila me sipërfaqe rreth 17 metra katrorë, në një shpat mali aty pranë, për të reflektuar rrezet e diellit drejt sheshit qendror të qytetit.

Këto pasqyra kontrollohen në distancë, furnizohen me energji diellore dhe të erës, dhe janë programuar të ndjekin lëvizjen e diellit në qiell. Ato ndodhen rreth 450 metra mbi qytet dhe rrotullohen në dy akse për të drejtuar dritën poshtë në luginë. Projekti u frymëzua nga një ide e propozuar që në vitin 1913 nga themeluesi i qytetit, Sam Eyde, por u bë i realizueshëm vetëm falë teknologjisë moderne.

Sipas The Hyper Hive, këto pasqyra kanë transformuar jetën në Rjukan, duke u mundësuar banorëve të shijojnë dritën natyrale edhe gjatë muajve më të errët. Ky është një shembull mbresëlënës se si inxhinieria dhe krijimtaria mund të kapërcejnë sfidat gjeografike./KultPlus.com

Dhimitër Shuteriqi në një bisedë me nxënësit, kampi veror i vitit 1972

By: Kult Plus
17 August 2025 at 20:45

Në foto: Presidenti i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, Dhimitër S. Shuteriqi në bisedë me pionierët në Kampin Veror “Qemal Stafa” në Durrës, viti 1972

Ndoshta vëmendja që regjimi i kaluar kishte për librin ishte më e theksuar. Ndoshta kjo vëmendje sot nuk ekziston fare. Ndoshta kjo është arsyeja pse lexuesit janë rralluar as shumë saqë shkrimtarët dhe poetët, si ‘kundërpërgjigje”, po reallohen po aq.

Siç tregon edhe fotoja e vitit 1972, ishin të shumtë fëmijët në takimin e organizuar asokohe me Presidentin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, Dhimitër S. Shuteriqi.

“Herë pas here shkrimtarët takoheshin me lexuesit e tyre. Në këto takime sipas ata mësojnë për përshtypjet që librat e tyre kanë lënë te masat lexuese. 
Lexuesit japin vërejtje dhe sugjerime. Në të njëjtën kohë, shkrimtarët i informojnë lexuesit për atë që po bëjnë” raportohej në kronikat e kohës.

Dhimitër Shuteriqi, i lindur në 26 korrik 1915 në Elbasan ishte shkrimtar dhe studiues i rrallë i historisë së letërsisë sonë.

U nda nga jeta më 22 korrik të vitit 2003./liberale/KultPlus.com

Robert De Niro feston 82 vjetorin e lindjes

By: Kult Plus
17 August 2025 at 20:12

Robert Anthony De Niro (lindi më 17 gusht 1943) është një aktor amerikan. 

I njohur për bashkëpunimet me Martin Scorsese, ai konsiderohet si një nga aktorët më me ndikim të brezit të tij. De Niro është marrës i vlerësimeve të ndryshme, duke përfshirë dy Academy Awards, një Golden Globe Award, Cecil B. DeMille Award, dhe një Screen Actors Guild Life Achievement Award. 

Në vitin 2009, De Niro mori Kennedy Center Honor dhe fitoi një Medalje Presidenciale të Lirisë nga Presidenti i SHBA-së Barack Obama në vitin 2016.

De Niro studioi aktrim nëHB Studio, Stella Adler Conservatory, dhe Actors Studio të Lee Strasberg. Bashkëpunimi i tij i parë me Scorsese ishte me filmin e vitit 1973, Mean Streets. De Niro fitoi dy Academy Awards, një për Aktorin më të Mirë Dytësor për rolin e tij si Vito Corleone në The Godfather: Part 2 (1974) të Francis Ford Coppola dhe tjetri për Aktorin më të Mirë duke portretizuar Jake LaMotta në dramën e Scorsese, Raging Bull (1980). Rolet e tjera të tij të nominuara për Oscar ishin për Taxi Driver (1976), The Deer Hunter (1978), Awakenings (1990), Cape Fear (1991), dhe Silver Linings Playbook (2012).

Ai ka luajtur gjithashtu në filmat 1900 (1976), The King of Comedy (1982), Once Upon a Time in America (1984), Brazil (1985), The Mission (1986), Goodfellas (1990), This Boy’s Life (1993), Mary Shelley’s Frankenstein (1994), Heat (1995), Casino (1995), Jackie Brown (1997), Joker (2019), The Irishman (2019), dhe Killers of the Flower Moon (2023). Ai drejtoi dhe luajti si në A Bronx Tale (1993) dhe The Good Shepherd (2006). Rolet e tij komike përfshijnë Midnight Run (1988), Wag the Dog (1997), Analyze This (1999), filmat Meet the Parents (2000–2010), dhe The Intern (2015)./ KultPlus.com

Mbi 1.3 milion vizitorë në Muzeun Historik dhe atë Etnografik të Krujës

By: Kult Plus
17 August 2025 at 19:34

Shqipëria po preferohet gjithmonë e më shumë jo vetëm për detin por edhe për historinë e kulturën.Kruja është transformuar në një destinacion të mirfilltë për turistët gjatë kësaj vere .

Vetëm në 4 muaj janë regjistruar rreth 1.3 milionë vizitorë të cilët kanë preferuar të eksplorojnë muzeun Historik Kombëtar dhe atë Etnografik por edhe  parkun Kombëtar të Qaf Shtamës, malin e Skënderbeut, si dhe objekte kulti.Turistët e huaj  vlerësojnë  historinë  ,kulturën por edhe mikpritjen që u ofrohet.

Ndikim në tërheqjen e turistëve në këtë zonë ka dhënë shtimi i numrit të bujtinave, cilësia e gatimeve tradicionale dhe çmimet me standarte që i ofrohen turistëve.

Drejtuesit e në Muzeun e Krujës theksojnë se turistët kryesor gjatë kësaj vere janë amerikan por nuk kanë munguar edhe nga shtete europiane./abcnews/KultPlus.com

Billy Joel nxjerr në ankand motoçikletat e tij

By: Kult Plus
17 August 2025 at 19:00

Ikona e rock-ut, Billy Joel po mbyll dyqanin e tij të dashur të motoçikletave në Long Island, Nju Jork, pas pothuajse 15 viteve duke u ofruar fansave mundësinë të shihnin koleksionin e tij personal me dhjetëra motoçikleta, sipas AP.

Joel do të mbyllë dyqanin ”20th Century Cycles” në Oyster Bay në fund të shtatorit dhe do ta nxjerrë koleksionin në ankand për shkak të një çrregullimi të trurit me të cilin është diagnostikuar kohët e fundit, sipas zëdhënëses, Claire Mercuri.

Në maj, Joel njoftoi se po anulonte koncertet e tij të ardhshme pasi u diagnostikua me  hidrocafalit të presionit normal Normal, një grumbullimi ë lëngut në tru që mund të ndikojë në të menduarit, përqendrimin, kujtesën, lëvizjen e të tjera, sipas ”Cleveland Clinic”.

Këngëtari 76-vjeçar tha se kishte vështirësi me ekuilibrin, por ndjehej mirë në përgjithësi.

Joel, i cili u rrit në Hicksville pranë Oyster Bay, hapi ”20th Century Cycles” në fund të vitit 2010 si vend për të mirëmbajtur dhe riparuar motoçikletat e tij, për të restauruar dhe personalizuar ato që blinte dhe për të ekspozuar koleksionin për publikun pa pagesë.

”Më pëlqen stili i vjetër, stili automobilistik nga vitet ’30 deri në ’60. Desha të mbledh shumë nga këto motoçikleta, t’i vendos në një vend dhe t’i lejoj njerëzit të shohin se si duket ajo epokë e motoçikletave, sepse po humbet kjo estetikë”,  tha ai në një video të vitit 2013.

Koleksioni i tij përfshin mbi 75 motoçikleta që datojnë që nga vitet 1940, duke përfshirë “Harley-Davidson”, “Triumph”, “Ducati”,” Moto Guzzi” ,“Indian” dhe BMW.

“Një nga më të çmuarat ishte një ”Vincent Rapide” i vitit 1952, që mund të shitet për dhjetëra mijëra dollarë.

Data e ankandit për koleksionin e tij nuk është vendosur ende./  KultPlus.com

Vdes Terence Stamp, ylli i filmave “Superman”

By: Kult Plus
17 August 2025 at 18:32

Aktori britanik Terence Stamp, një figurë e shquar e kinemasë, i njohur për rolin e tij si superkeqbërësi me emrin gjenerali Zod në filmat  “Superman”, ka vdekur në moshën 87 vjeç, sipas “The Independent”.

Aktori i nominuar për çmimin Oscar, i cili luajti në më shumë se 60 filma gjatë karrierës së tij, duke përfshirë “The Limey dhe The Adventures of Priscilla, Queen of the Desert” vdiq sot mëngjes, bëri të ditur familja e tij.

“Ai lë pas një vepër të jashtëzakonshme, si aktor dhe si shkrimtar, që do të vazhdojë të prekë dhe frymëzojë njerëzit për vite me radhë”, tha familja.

“Ne kërkojmë privatësi në këtë kohë të trishtueshme”, shtoi ajo.

Stamp u lind në East End të Londrës në vitin 1938, bir i një punëtori rimorkiatorësh.

Ai i mbijetoi bombardimeve gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe, menjëherë pas përfundimit të shkollës, ndoqi një karrierë në reklama, ku punoi për disa vite.

Më vonë fitoi një bursë për të studiuar në “Webber Douglas Academy of Dramatic Art” dhe shpejt mori pjesë në një turne kombëtar të dramës së Willis Hall “The Long and the Short and the Tall”, së bashku me aktorin tjetër Michael Caine./KultPlus.com

61 vjet nga vdekja mizore e patriotit, mësuesit dhe poetit Fazli Graiçevci

By: Kult Plus
17 August 2025 at 18:07

Në vitin 1964, pushtuesit serbomëdhenj kishin burgosur shumë patriotë gjithandej Kosove.Atëkohë në burgje mbaheshin dhe torturoheshin pamëshirshëm patriotët tashmë të ndjerë:Adem Demaçi, Metush Krasniqi, Shaban Shala, Fazli Greicevci e shumë të tjerë.Mirëpo,më së keqi pësuan këta dy të fundit-ushtarë të Demaçit, të vrarë mizorisht.

Mirëpo,UDB-ja rankoviçiane ia kishte frikën e madhe nga mësuesi,poeti e patrioti, Fazli Greiçevci(1935-1964) nga fshati Sankovc I Drenasit.

Dhe,17 gushti i vitit 1964 ishte natë e kobshme. Policët vrasës serbosllav,dorëzezë në orët e vona të natës në burgun famëkeq të Prishtinës e mbysin mizorisht mësuesin,edukatorin,revolucionarin,veprimtarin Fazli i cili u bë i njohur si “simbol i flamurit” të shqiptarëve gjatë viteve ’60-ta.Policët vrasës e mbytën barbarisht,por nuk kishin arritur ta mbysnin idealin e lartë të tij,frymën patriotike shqiptare të tij, pasi nuk arritën ta bëjnë për vete Fazliun të bashkëpunonte me ta në dëm të interesave të popullit shqiptar.Vetëm të guximshmit dhe të pathyeshmit mund ta përballonin dhunën shtazarake të pushtuesit serbomëdhenj,hegjemonist e militarist.

Dhe, për të mbuluar gjurmët e veta të krimit policia ia kishte mësyer ish-Klinikës të sëmundjeve të mushkërive në spitalin e Prishtinës(tani Ministria e Shëndetësisë),ku punonte i ndjeri Primarus,Docent,Profesor Doktor Ali Sokoli.Pasi nuk e takojnë në spital,policët serbojugoslav ia mësyejnë natën shtëpisë dhe e ftojnë që të vij në spital.Asokohe ky ka menduar se është përkeqësuar gjendja shëndetësore e ndonjë pacienti.Por, jo.Ai kur shkon në spital takon policinë sekrete rankoviqiane.Xhelatët kërkonin nga Ali Sokoli të nënshkruante një dokument se kinse Fazli Greiçevci kishte vdekur nga sëmundja e tuberkulozit në Klinikën e spitalit.Mirëpo, mjeku Ali parimor dhe I paluhatshëm para furtunave si gjithmonë, nuk pranon të nënshkruaj aktin falso të vdekjes së Fazliut,duke u thënë:

“Unë nuk nënshkruaj e as që do të nënshktuaj kurrë një akt të tillë për vdekjen e mësuesit dhe poetit Fazli Greiçevci”, kishte deklaruar Ali Sokoli,mjek e patriot I rrallë.Atëkohë policia serbe fillojnë edhe ta kërcënonin mjekun,duke I thënë se edhe ai do të pësojë një ditë apo një natë sikur mësuesi Fazli, Shaban Shala dhe shumë të tjerë para tij.Edhe në rastin e mbytjes së patriotit dhe mësuesit Shaban Shala,(1933-1963),nga fshati Letanc I Podujevës,më 20 janar 1963,policët kishin vepruar në të njejtën mënyrë.Ata kërkonin me këmbëngulje duke e kërcënuar që të nënshkruaj aktin e turpshëm të vrasjes se kinse Shaban Shala kishte vdekur nga sëmundja natyrale.Mirëpo,ish-drejtori i Klinikës,Ali Sokoli pa hamendje udbashëve rankoviqianë iu pat thënë troç:”Jo! Nuk e nënshkruaj vdekjen e Shaban Shalës!”

Pra,Njerëzit nuk harrohen për aq kohë sa lënë gjurmë veprimi në kohë të trishta.Në vitet e ’60-ta,nuk ka pasur mjekë në Kosovë të cilët kanë pasur guximin të refuzojnë kërkesat apo vendimet e regjimit shovinist-terrorist jugosllav (serb).Por, një I tillë ishte dhe mbeti ish-Primarius Doc.Prof.Dr.Ali Sokoli.Ky ishte personi I cili luftoi njëkohësisht dy të këqia të cilat e kishin kapluar Kosovën në vitin 1960:sëmundjen e mushkërive dhe UDB-ën rankoviqiane (Uprava Drzavne Bezbednosti),që në shqip I bie Drejtoria e Sigurimit Shtetëror.


Pra,Njerëzit nuk harrohen për aq kohë sa lënë gjurmë veprimi në kohë të trishta.Në vitet e ’60-ta,nuk ka pasur mjekë në Kosovë të cilët kanë pasur guximin të refuzojnë kërkesat apo vendimet e regjimit shovinist-terrorist jugosllav (serb).Por, një I tillë ishte dhe mbeti ish-Primarius Doc.Prof.Dr.Ali Sokoli.Ky ishte personi I cili luftoi njëkohësisht dy të këqia të cilat e kishin kapluar Kosovën në vitin 1960:sëmundjen e mushkërive dhe UDB-ën rankoviqiane (Uprava Drzavne Bezbednosti),që në shqip I bie Drejtoria e Sigurimit Shtetëror.

Njeriu I cili I luftoi këto dy të këqia deri në frymën e tij të fundit,dy të zeza që donin atëkohë të shkatërronin popullin e Kosovës, ishte mjeku I popullit trim dhe patrioti shqiptar Ali Sokoli (8 maj 1921-23 shtator 1974).Ai hyri në historinë tonë të lavdishme si njeriu trim I pathyeshëm e patriot I patrembur para udbashëve rankoviqianë. Atëkohë e sot u bë simbol I qëndresës, u bë legjendë e gjallë për gjeneratat e tij dhe për gjeneratat e ardhshme në Kosovë.Ali Sokoli me një personalitet të veçantë me origjinë rahoveciane,ishte pishtar I mjekësisë kosovare,tuberkulozin e luftoi me punë të parreshtur,të palodhshme e dinjitoze, kurse politikën okupuese serbe e luftoi me guxim, me trimëri dhe me qëndresë stoike.Që të dy këta armiq të popullit shqiptar në Kosovë Aliu I luftoi njësoj dhe I mundi me punë dhe trimëri të pashoqe.Mija e mija të sëmurë në Kosovë janë shëruar nga dora dhe ndihma e këtij mjeku i cili kurrën e kurrës nuk u gjunjëzua para kërcënimeve të inspektorëve duarpërgjakur të UDB-së rankoviqiane.

Kujtojmë se për merita në punë,angazhim në  mjekësinë kosovare Ali Sokoli është dekoruar me shumë mirënjohje në nivelin komunal dhe atë qendror.

Nderim përjetë kryemjekut patriot Ali Sokoli,mësuesit,poetit dhe patriotit Fazli Graiçevci,Shaban Shalës  dhe shumë të tjerëve./KultPlus.com

Vdes në moshën 94-vjeçare aktori i njohur Zija Grapshi

By: Kult Plus
17 August 2025 at 17:25

Ka ndërruar jetë në moshën 94-vjeçare aktori i njohur shqiptar, Zija Grapshi, i cili njihej nga publiku si “gjyshi i përrallave”.

Ai lindi në Gjirokastër dhe përfundoi Liceun Artistik “Jordan Misja” në vitin 1952.

Grapshi nisi karrierën e tij artistike në vitin 1949 në grupin filodramatik pranë Radio Tiranës. Gjatë viteve interpretoi role të ndryshme në komedi, në Teatrin e Estradës së Shtetit dhe në Teatrin Popullor.

Ka qenë pedagog në Institutin e Lartë të Arteve për disa vite. Në mbi 160 shfaqjet e shumta të teatrit të kukullave ku mori pjesë, ka luajtur në përgjithësi role kryesore, ku u bë i dashur për fëmijët me rolet e Shvejkut (1957), Ivanit të madh (1959), sidomos me figurën e Baba Vitit (1987).

Zëri i tij i veçantë, me një ngjyrim karakteristik, me aftësitë imituese, kujdesi për të qenë sa më i natyrshëm, si dhe ndjesia e vërtetësisë në marrëdhëniet me partnerët, kanë qenë disa nga cilësitë e tij interpretative më të zëshme në krijimin e figurave.

Më së shumti u bë i njohur dhe i dashur si aktor i Teatrit të Kukullave të Tiranës, ku edhe dha kontributin më të madh.

Kontributi i tij në teatrin për fëmijë dhe përkrahja e artit të kukullave e bëri atë një figurë të dashur dhe të respektuar në komunitetin artistik shqiptar./atsh/KultPlus.com

Puthja e Tinka Kurtit dhe Naim Frashërit, puthja e parë në film shqiptar

By: Kult Plus
17 August 2025 at 17:00

Aktorja e njohur shqiptare Tinka Kurti jo pak herë e ka kujtuar një puthje në jetën e saj.

Puthja e saj me Naim Frashërin ishte e para puthje në një film shqiptar, dhe kjo e theu një tabu të asaj kohe për mentalitetin sidomos shumë tradicional.

“Është e vërtetë dhe kjo më bën krenare. Nuk pata asnjë hezitim kur tek filmi “Tana”, nën një pemë i dhashë puthjen partnerit tim, aktorit të madh Naim Frashëri. Është puthja e parë në historinë e filmit shqiptar dhe kjo më bën të ndjehem vërtetë mirë. Ishte koha e tillë, mentaliteti që të pengonte për të realizuar skena të tilla. Megjithatë, edhe pse isha shumë e re, pasioni e bën aktorin të interpretojë edhe skena të tilla që tashmë janë të zakonshme” tregon aktorja Tinka Kurti.

“Sigurisht që nuk ishte e lehtë. Madje ju them se për të bërë atë puthje, na u desh të realizonim 29 dubla dhe fatkeqësisht skenën e hoqën më pas. Zemërohem me vete dhe them: “Mirë atëherë që nuk lejonte koha dhe regjimi, po sot, përse nuk jepet puthja ime me Naim Frashërin?” Për mua është një nga momentet më të bukura të karrierës sime si aktore, jo vetëm se kam partner një aktor të madh, porse isha një aktore e vërtetë që shkela çdo bestytni për të realizuar rolin. Dhe këtë nuk e bënte çdo femër aktore” tregon Kurti.

Filmi “Tana”, i cili u prodhua nga Kinostudio Shqipëria në vitin 1958, njihet si filmi i parë artistik i metrazhit të gjatë shqiptarë. Premiera e filmit është dhënë më 17 gusht të vitit 1958.

Ky film për regjisor kishte Kristaq Dhamo, skenari është punuar nga Kristaq Dhamo, Fatmir Gjata dhe Nasho Jorgaqi, ndërsa muzika nga Çesk Zadeja. / KultPlus.com

“Kundër mallkimit të gjuhës shqipe”

By: Kult Plus
17 August 2025 at 16:26

Poezi nga Petro Nini Luarasi

Si shqiptarë që jemi
Shqip ne duhet të mësojmë
Dhe Zotin, të drejtë kemi,
Ne gjuhën shqipe ta lëvdojmë.

Epo ju gjuhën tonë
Doni ta humbisni fare
Dhe me mallkim e me nëmë
Shprehni ta shpini në varre.

S’më vjen rëndë nga priftërinjtë
Që s’ dinë ç’ bëjnë e ç’punojnë,
I urdhërojnë të zinjtë
Që gjuhën shqipe ta mallkojnë.

Po krye-priftërinjtë e tyre
Nëkëmbës t’ orthodoksisë
Shumë punë prej mynxyre
Bëjnë kundër Shqipërisë!

Të mallkojnë njerëzinë
Të nëmosin gjuhën tonë,
Të përçajnë Shqipërinë,
Zoti mos e pastë thënë!

Thonë s’ ditka Krishti shqip
Dhe shqip-fjalë s’ pret prej nesh,
Vetëm në gjuhën greqisht
Të dëgjon e të mban vesh!

Këto e shumë të tjera,
Që dëgjon në kishë brenda
Dhe na mallkojnë për hera
Gjuhën tonë që s’ ua k’ ënda.

S’ kanë frikë as turpërohen
Që përçmojnë Perendinë,
Po mburren edhe lëvdohen
Sepse shërbejnë Grejqinë!

Gjuhën e kemi tonë
Të vjetër dhe të vyer,
Nga Perendia ish thënë
Që ta ruajmë të çkëlqyer./KultPlus.com

“Edhe 99 herë të rrëzohemi prapë duhet të ngrihemi”

By: Kult Plus
17 August 2025 at 16:02

Dorian Koçi

Edhe 99 herë të rrëzohemi prapë duhet të ngrihemi.

Petro Nini Luarasi

17 gushti shënon helmimin e martirit të kombit, një prej qëndrestarëve dhe atit të shqiptarizmës, Petro Nini Luarasit. Nuk ka ngjarje të rëndësishme të kombit ku të mos ketë lënë kontributin e vet ky vigan i arsimit shqip, që në hapjen e shkollave shqip në Kolonjë, themelimin e shoqatave patriotike në emigracion e deri në Kongresi e II të Manastirit që përcaktoi përfundimisht përdorimin e alfabetit latin.

Lajmëtar i dritës dhe epokës së re që po vinte për shqiptarët ra preh e shovinizmit të fqinjve duke dēshmuar se rruga drejt lirisë nuk është e lehtë. I ringjallur në kujtesën e shqiptarëve përmes një monografie enciklopedi për lëvizjen patriotike shqiptare e shkruar nga i biri, intelektuali Skender Luarasi, ai gjallon gjithandej në memorjen kolektive të kombit.

I paharruar kujtimi i tij 🇦🇱 /KultPlus.com

Rama: Parku Arkeologjik i Antigonesë në Gjirokastër, destinacion për t’u vizituar

By: Kult Plus
17 August 2025 at 15:33

Parku Arkeologjik i Antigonesë në Gjirokastër, një prej monumenteve më të rëndësishme historike dhe kulturore në jug të Shqipërisë, është kthyer në një destinacion tërheqës për vizitorët vendas dhe të huaj.

Kryeministri Edi Rama, ndau në rrjete sociale pamje nga Mozaiku i Kishës Paleokristiane që gjendet në Parkun Arkeologjik të Antigonesë, në Gjirokastër, si një nga vendet që ia vlen të vizitohet, për vlerën e çmuar të trashëgimisë sonë kulturore.

“Parku Arkeologjik i Antigonesë në Gjirokastër, një destinacion për t’u vizituar gjatë këtij muaji, ku mund të shikoni edhe “Mozaikun e Kishës Paleokristiane”, për të cilin specialistët e Drejtorisë së Trashëgimisë Kulturore të Gjirokastrës janë kujdesur ta bëjnë të vizitueshëm për turistët”, shkroi Rama.

Falë punës së përkushtuar të specialistëve të Drejtorisë së Trashëgimisë Kulturore të Gjirokastrës, mozaiku i rrallë është restauruar dhe është bërë i vizitueshëm për publikun. Ky element shtesë pasuron më tej ofertën kulturore të parkut, duke ofruar për turistët një përvojë të veçantë dhe autentike.

Mozaiku i Kishës Paleokristiane, i vendosur brenda hapësirës së parkut, është një dëshmi e rëndësishme e ndikimit të hershëm të krishterimit në këtë zonë. Punuar me mjeshtëri të lartë artistike, ai paraqet motive simbolike dhe dekore të periudhës së shekujve IV-V pas Krishtit.

Antigonea, e themeluar në shekullin e III p.e.s. nga mbreti Pirro i Epirit dhe emëruar në nder të gruas së tij, Antigona, ofron një pasuri të gjerë arkeologjike, përfshirë rrënojat e qytetit antik, muret mbrojtëse, shtëpitë karakteristike, si dhe elementë të kulturës urbane të kohës.

Vizitorët që zgjedhin të eksplorojnë këtë vend do të përjetojnë jo vetëm historinë antike të Epirit, por edhe bukuritë natyrore të luginës së Drinosit, që e rrethon parkun me një peizazh mbresëlënës.

Përmes investimeve të vazhdueshme dhe përkushtimit të institucioneve për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore, Antigonea po pozicionohet gjithnjë e më shumë si një pikë referimi për turizmin kulturor në Shqipëri./atsh/KultPlus.com

‘Si shqiptarë që jemi, shqip ne duhet të mësojmë’

By: Kult Plus
17 August 2025 at 15:05

Poezi nga Petro Nini Laurasi

Kundër mallkimit të gjuhës shqipe

Si shqiptarë që jemi
Shqip ne duhet të mësojmë
Dhe Zotin, të drejtë kemi,
Ne gjuhën shqipe ta lëvdojmë.

Epo ju gjuhën tonë
Doni ta humbisni fare
Dhe me mallkim e me nëmë
Shprehni ta shpini në varre.

S’më vjen rëndë nga priftërinjtë
Që s’ dinë ç’ bëjnë e ç’punojnë,
I urdhërojnë të zinjtë
Që gjuhën shqipe ta mallkojnë.

Po krye-priftërinjtë e tyre
Nëkëmbës t’ orthodoksisë
Shumë punë prej mynxyre
Bëjnë kundër Shqipërisë!

Të mallkojnë njerëzinë
Të nëmosin gjuhën tonë,
Të përçajnë Shqipërinë,
Zoti mos e pastë thënë!

Thonë s’ ditka Krishti shqip
Dhe shqip-fjalë s’ pret prej nesh,
Vetëm në gjuhën greqisht
Të dëgjon e të mban vesh!

Këto e shumë të tjera,
Që dëgjon në kishë brenda
Dhe na mallkojnë për hera
Gjuhën tonë që s’ ua k’ ënda.

S’ kanë frikë as turpërohen
Që përçmojnë Perendinë,
Po mburren edhe lëvdohen
Sepse shërbejnë Grejqinë!

Gjuhën e kemi tonë
Të vjetër dhe të vyer,
Nga Perendia ish thënë
Që ta ruajmë të çkëlqyer. /KultPlus.com

”Express”: Shqipëria një nga vendet më të pabesueshme turistike

By: Kult Plus
17 August 2025 at 14:30

Evropa aktualisht po përballet me një krizë të rëndë zjarresh, me flakët që shpërthyen që nga fundi i korrikut, të shkaktuara nga një valë e madhe të nxehti intensiv, shkruan Vita Molyneux, korrespondente udhëtimesh për prestigjiozen britanike ”Express”.

Këtë vit, afërsisht 440 000 hektarë janë djegur nga zjarret në Evropën Jugore, me pika kyçe që përfshijnë Greqinë, Spanjën, Portugalinë, Turqinë dhe Shqipërinë.

Zjarret kanë rezultuar në viktima: të paktën një person ka vdekur në Shqipëri, së bashku me disa në vende të tjera, me qindra të plagosur dhe dhjetëra mijëra të evakuuar.

Vetëm në Shqipëri, shpërthyen rreth 30 zjarre dhe ka pasur dëme të mëdha në shtëpi, të mbjella dhe kafshë, si dhe evakuime nga fshatrat në Elbasan, Vlorë dhe Berat.

Megjithatë, ndërsa zjarre ka pothuajse në të gjithë Shqipërinë, industria e turizmit po vazhdon si zakonisht.

Kjo është sipas tre turistëve të Zelandës së Re që udhëtojnë nëpër vendin ballkanik, të cilët thonë se është “një nga vendet më të pabesueshme që kanë qenë ndonjëherë”.

Phoenix Attwood dhe i fejuari i saj, Benjamin Fisher kanë qenë në Shqipëri që nga fundi i korrikut me mikun e tyre Conor Downey dhe folën me ne rreth asaj se si është të jesh turist mes zjarreve.

Treshja është aktualisht në Përmet dhe thonë se në përgjithësi, udhëtimi i tyre ka qenë i qetë, kryesisht falë reagimeve të vendasve.

Ata e filluan udhëtimin e tyre në Sarandë, në Rivierën Shqiptare ku gjithçka ishte “plotësisht mirë”, sipas Ben-it.

“Kishim dëgjuar më parë ( kur  mbërritëm në Shqipëri) për zjarret, por nuk kishim parë asgjë. Në Sarandë ishte plotësisht mirë dhe nuk ishim të vetëdijshëm për këtë, por sapo filluam të udhëtonim me autobus për në Gjirokastër, pamë pika të shumta tymi dhe zjarri nëpër male dhe ishim pak më të shqetësuar atëherë sepse ishte padyshim më afër nga sa mendonim”, shtoi ai.

Realiteti i zjarreve u bë i dukshëm kur grupi vendosi të shkonte në një udhëtim me kajak në Syrin e Kaltër, në jug të Shqipërisë, një destinacion i njohur turistik ku uji nga burimi natyror është aq i pastër sa mund të shihni deri në një thellësi prej 50 metrash.

“Ndërsa po bënim kajak në Syrin e Kaltër, një re e madhe tymi zvarritej mbi mal, gjë që ishte mjaft e çuditshme. Kjo ishte një thirrje e vërtetë zgjimi për ne, të gjithë po bëheshim mjaft nervoz”, tha Ben-i.

Reja e tymit u rrit me shpejtësi dhe treshja vendosi të largohej nga zona dhe të kthehej në akomodimin e tyre.

Një nga gjërat që Connor thotë ishte ankthi për mungesën e një komunikimi të qartë.

Por, pavarësisht barrierave gjuhësore, Connor thotë se ”shqiptarët bënë çmos për të qetësuar grupin”.

“Njerëzit në Shqipëri janë shumë të mirë dhe të dashur; janë thjesht shumë të qetë”, shton Connor.

Ai shtoi se të tre anëtarët e grupit janë me fat që janë në një pozicion mjaft të privilegjuar për të përballuar sigurim udhëtimi gjithëpërfshirës dhe se qeveria në Shqipëri e ka situatën nën kontroll.

“Na është bërë mjaft e qartë se qeverisja lokale në Shqipëri ka qenë proaktive në evakuimin e turistëve, sa herë ka qenë e nevojshme”,  shtoi Connor.

“Duke qenë nga Zelanda e Re, ne nuk dimë shumë nga zjarret e mëdha, kështu që mendoj se aty hyn një pjesë e ankthit. Ky është një territor i panjohur për ne, ndërsa për njerëzit këtu, është shumë më qetësues”, thotë Phoenix.

Pavarësisht ankthit nga zjarret, të tre bien dakord se Shqipëria është një vend i mrekullueshëm për t’u vizituar  dhe të tre kanë ndërmend të kthehen sërish.

“Është një vend kaq i bukur dhe ne nuk kemi ndjerë gjë tjetër veçse mikpritje. Kemi pasur kaq shumë ndërveprime të jashtëzakonshme me vendasit, sidomos për ushqimin”, tha Ben-i.

“Nëse do të vini në Shqipëri për ndonjë gjë, ushqimi duhet të jetë patjetër në krye të listës”, thekson ai.

Megjithatë, nëse grupi kthehet, nuk do të jetë përsëri në sezonin e zjarreve.

“Megjithatë, të gjithë kemi rënë dakord që nëse do të ktheheshim në Shqipëri, do të donim të ktheheshim jo në të njëjtën kohë të vitit”, përfundon Connor./atsh/KultPlus.com

Një grua që kishte dashuruar shumë

By: Kult Plus
17 August 2025 at 14:03

Poezi nga Xhevdet Bajraj

Një grua e shndërruar në një grusht dheu
ende e mban mend
që dikur kishte dashuruar shumë
aq shumë
sa tani nga ajo
në një fushë pa Zot
mbinë lule
Nganjëherë
por vetëm nganjëherë
kafshët u afrohen
i nuhasin ato
e dridhen
pastaj e lëshojnë një zë
të dhimbshëm
si në ditën e parë të botës. / KultPlus.com

‘Të edukojmë vajzat, ato edukojnë familjen dhe kombin’, fjalimi i Abdyl Frashërit që ngriti në këmbë parlamentin osman

By: Kult Plus
17 August 2025 at 13:25

Nga Hasan Bello

Në fjalën e hapjes së Parlamentit të parë osman sulltan Abdylhamidi II (1876-1909) premtoi se në kuadër të reformave që do të realizonte do të hapte edhe një shkollë për përgatitjen e nënpunësve e kuadrove të lartë të shtetit osman dhe se brenda një viti do të sillte në Parlament një rregullore të re mbi arsimin.

Në diskutimet që u zhvilluan në Parlament lidhur me legjislacionin e vilajeteve dhe bashkive u vu re se zbatimi i këtyre ligjeve ishte i kushtëzuar nga nënpunësit e shkolluar dhe nga populli që dinte shkrim e këndim. Këto diskutime nxorrën në pah gjendjen e mjeruar që ekzistonte në mbarë Perandorinë Osmane. Deputeti i Ajdënit, Ahmet Efendiu, ngriti shqetësimin se në zonën e tij, me përjashtim të imamëve, nuk kishte njerëz që dinin të lexonin.

Një diskutim po aq të zjarrtë lidhur me këtë problem, më 14 janar 1878, mbajti me cilësinë e deputetit të Janinës edhe Abdyl bej Frashëri.

Ai e filloi diskutimin e tij duke shtruar pyetjen: “Cili është vallë shkaku i prapambetjes dhe i moszhvillimit të Perandorisë Osmane, i mbarë viseve që ajo zotëron në Europë, në Azi dhe në Afrikë?

Sipas disa hamendësive tre janë shkaqet kryesore: shkaku i parë është injoranca, shkaku i dytë despotizmi dhe shkaku i tretë është paaftësia e funksionarëve që ndodhen në krye të punëve, të cilët merren ose me argëtime ose me kotësira, por aspak me përparimin e shtetit dhe të kombit”.

Abdyl Frashëri mbajti një qëndrim kritik, sidomos ndaj mos zbatimit siç duhej të reformave të Tanzimatit (1839) të nisura nga sulltan Abdylmexhidi lidhur me përmirësimin e arsimit.

Sipas tij, baza e një shteti dhe e një populli ishte arsimi, ligjet e drejta dhe zbatuesit e tyre. Por këto tre elementë në Perandorinë Osmane ishin të mangëta.

“Që shteti osman të qytetërohet,-vazhdoi më tej ai,-është detyrë parësore që një orë e më parë të përqëndrohet në zgjidhjen e tre shkaqeve të mësipërme. Çdo begati dhe lulëzim që ka lidhje me qytetërimin është arritur me anë të arsimit.

Pa arsim, asnjë popull nuk ka përparuar, por ka rënë poshtë nga dita në ditë derisa më në fund është ballafaquar me gjithfarë fatkeqësish. Që na mungon arsimi, dhe në fakt na mungon shumë, besoj se të gjithë jemi në gjendje ta vërtetoni.

Në këtë fushë, jo vetëm nuk është bërë sa duhet, por nuk është bërë asnjë grime përpjekje…Përveç disa medreseve të zakonshme, çfar shkollash të tjera kemi në popull? Disa kohë më parë u hap një universitet, por ende pa filluar mirë edhe ai u mbyll. Pastaj u hap Liceu i Gallatasaraj, por edhe kësaj shkolle ende nuk ia kemi parë frytet.

Po në provinca si është gjendja? Përveç disa qyteteve që kanë shkolla plotore, ku mësimet zhvillohen pa plan dhe pa program, në qytetet e tjera dhe sidomos në fshatra nuk ka jo vetëm plotore por as fillore, madje as foshnjore.

Edhe pse nuk e njoh Anadollin mendoj se atje nuk ka ndonjë dallim nga Rumelia ose, për shembull, nga Shqipëria, ku nuk ka shkolla në asnjë fshat…Nëse banorit fatkeq të këtyre viseve do t`i kërkohet një dokument me shkrim, ai nuk është në gjendje, për shkak të mos arsimimit, të paraqesë asgjë tjetër përveç letërnjoftimit. Të kemi mëshirë…Si do të qytetërohemi me këtë padituri? Si do të përparojmë?

Kur do të zgjohemi nga ky gjumë i rëndë shekullor? Pastaj, përveç dy shkollave për vajza që janë hapur tani vonë në Stamboll, në provinca nuk ka asnjë shkollë për to. Çfar të bëjmë? Mos duhet t`i përzemë gratë nga rendi shoqëror?

Ne duhet të interesohemi edhe për edukimin e tyre. Nuk duhet të harrojmë se edukata e burrave është në varësi të edukatës së vajzave. Në qoftëse nëna është e paditur, ju e kuptoni se në ç`shkallë të ulët do të mbetet fëmija pa edukatë, pa moral, pa karakter.”

Për të përmirësuar dhe zgjeruar sistemin arsimor, Abdyl beu propozoi që të merreshin këto masa emergjente: në medresetë dhe shkollat ekzistuese të ndryshohej metodologjia e mësimdhënies dhe kategorizimi i tyre; në çdo fshat të hapeshin shkolla fillore dhe të ciklit të të ndërmjetëm për djem e për vajza; në çdo qendër vilajeti të hapej nga një shkollë e mesme (idadije); në Stamboll të themelohej një universitet ku nën shembullin e vendeve europiane të kishte nga një degë për çdo shkencë; për t`i shërbyer akoma më mirë nevojave të arsimit të themelohej një Akademi.

Ai e mbylli fjalën duke kërkuar që këto masa emergjente për arsimin, të mos liheshin për vitin tjetër, por një orë e më parë të silleshin në Parlament për t`u miratuar.

Gjatë kohës që Abdyl beu mbante diskutimin, disa deputetë që nuk e kuptonin siç duhej këtë problem, në shenjë refuzimi kishin braktisur sallën, ndërsa shumica e të pranishme e duartrokiti fort në shenjë miratimi.

Sadi efendiu, deputeti i Halepit (Siri), vuri në dukje se fjalimi i Abdyl beut duhej rregulluar dhe plotësuar në disa vende, sidomos në lidhje me viset e Anadollit, për të cilat, sipas tij, Abdyli beu nuk kishte thënë asnjë fjalë. “Ndoshta nuk më dëgjuat me kujdes,-ndërhyri Abdyli,-nuk fola për anën e Anadollit mbasi nuk e njoh aq mirë, kurse Rumelinë, sidomos Shqipërinë, e njoh fare mirë. Ajo është më poshtë se errësira”.

Ndërsa kryetari i Parlamentit, Ahmet Vefik Pasha për të zbutuar situatën, meqenëse në sallë ishin të pranishëm edhe përgjegjësit e vërtetë të kësaj gjendjeje theksoi se, shpirti i një kombi ishte arsimi dhe komentoi se qëllimi i Abdyl beut ishte nxjerrja në e pah e mangësive të sistemit arsimor dhe jo mohimi tërësor i tij. Ai i kërkoi Abdyl beut që diskutimin, i cili kishte sipas tij, pamjen e një parashtrese, t`ia dorëzonte komisionit të posaçëm të çështjeve arsimore.

“Dakord,-iu përgjigj ai, e pastaj shtoi,-Do të jetë mirë sikur atë ta shqyrtojnë njerëz të aftë. Besoj, se midis anëtarëve të komisionit ka njerëz të tillë.

Pakujdesia nganjëherë është më e keqe se padituria, prandaj ne nuk përparojmë. Se nga anon më tepër burimi i së keqes sonë, nga paaftësia apo nga padituria, kjo nuk dihet. Megjithatë, nga çdo anë që të peshojë, për ne është njësoj”.

Kësaj çështjeje Abdyl beu iu rikthye edhe një herë në diskutimin që ai mbajti mbas dhjetë ditësh. Kështu, më 24 janar 1878 kur iu desh të mbronte parashtresën që kishte mbajtur një ditë më parë deputeti shqiptar Mehmed Ali Vrioni lidhur me organizimin e vilajeteve, zërave kundërshtues ai iu drejtua me këto fjalë: “Do t`u jap një përgjigje diskutantëve që kundërshtuan Mehmed Aliun. Ata nuk pranojnë se ne jemi të paditur.

Ne, pohojnë ata, jemi me qytetërim të përkryer, ne jemi një popull që kemi dalë nga kombi arab. Natyrisht ne jemi të qytetëruar, dhe ashtu siç e morëm ne qytetërimin nga grekët e lashtë, ashtu edhe europianët e morën qytetërimin nga ne, me ndryshimin se ata e morën në një mënyrë të tillë sa nuk na lanë ne asgjë. Ne kemi mësuar histori dhe e dimë se si ishte gjendja e kaluar e perandorisë dhe në ç`shkallë është sot.

Dje, foli Haxhi Ahmed Efendiu për mungesën e shkollave tek ne dhe për gjendjen e keqe të medreseve. Këto fjalë nuk i pranuan ato katër a pesë deputetë që po kundërshtojnë edhe sot Mehmed Aliun. Por fjalët që tha ai dje mbi arsimin dhe ato që thashë edhe unë disa ditë më parë, po i përsëris: te ne nuk ka asnjë shkollë që të jetë me të vërtetë shkollë”.

Kjo deklaratë ngjalli reagime në të forta në Parlament dhe bëri që disa deputetë të brohorisnin në formë kundërshtimi se shkolla kishte kudo. “Unë,-deklaroi Abdyl beu,-përkundrazi, po dëshmoj se nuk ka.

Edhe në Shqipëri edhe në Arabi nuk ka shkolla. Dikur, 600 vjet, madje edhe 1000 më parë, në Damask dhe në Bagdad, kishte shkolla ku mësoheshin shkencat, kurse tani nuk ka mbetur asgjë, sepse po të kishte shkolla për të qenë, nxënësit që dalin nga medresetë tona do të ishin në një nivel tjetër.

Të themi të drejtën, te ne nuk bëhet asnjë punë për të qenë. Çdo gjë që bëjmë ne, e bëjmë për provë, prandaj nuk shohim asnjë rezultat prej tyre. Ne duhet të heqim dorë nga kjo praktikë. Ne vetë nuk jemi në gjendje të realizojmë gjësendi. Në qoftëse duhen bërë reforma, duhet që ato sende që europianët i morën nga Azia dhe i përkryen, ne tani t`i marrim prej tyre dhe t`i zbatojmë në vendin tonë”.

Në njëmemorandum që Abdyl bej Frashëri i dërgoi sulltan Abdylhamidit II më 13 tetor 1880 mbi çështjen shqiptare, ndërmjet të tjerash trajtoheshin edhe tre problematika kryesore: pikëpamjet e tij mbi politikën e vendeve europiane ndaj Perandorisë Osmane dhe Shqipërisë; disa propozime lidhur me riorganizimin administrativ të vilajeteve shqiptare dhe bashkimin e tyre në një të vetëm; dhe disa sugjerime mbi çështjet e arsimit dhe gjuhës shqipe tek popullsia shqiptare.

Në memorandum Abdyl Frashëri ngrinte shqetësimin mbi rrezikun e madh që u kanosej shqiptarëve nga përhapja e shkollave të huaja, sidomos të atyre që ishin hapur nga shtetet ballkanike, të cilat përdornin gjuhën greke, sllave e latine dhe që shumë shpejt ndërmjet popullit shqiptar do të shkaktonin përçarje kombëtare, krahinore dhe fetare. Shkaku kryesor i kësaj situate, sipas tij, ishte mospasja e shkollave shqipe dhe mungesa e shkollave në përgjithësi tek popullsia myslimane.

Si rezultat, një pjesë e mirë, duke mos përfituar saç duhej nga shkollat ekzistuese kishte mbetur injorante, ndërsa pjesa tjetër ashtu si popullsia e krishterë për nevojat e saj sociale apo tregtare ishte e detyruar të mësonte greqisht, sllavisht, italisht apo ndonjë gjuhë tjetër.

Situata ishte e tillë saqë në Janinë popullsia duke mos përdorur gjuhën shqipe nga dita në ditë po e braktiste atë dhe po përdorte çdo ditë e më shumë gjuhën greke, ndërsa në Manastir, Kosovë dhe Shkodër numri i atyre që përdornin gjuhën sllave e italiane po vinte duke u rritur. Kështu, serbët, grekët dhe bullgarët bashkë me përhapjen e gjuhëve të tyre ishin duke përparuar drejt territoreve shqiptare.

Si zgjidhje të kësaj situate, Abdyl beu propozonte përdorimin dhe mësimin e gjuhës shqipe nëpër shkolla. Vetëm në këtë mënyrë, qoftë myslimanët qoftë të krishterët shqiptar krahas gjuhës së tyre do të mësonin edhe gjuhën osmane, që ishte gjuha zyrtare e shtetit. Ai bënte thirrje që sistemi arsimor të mos lihej në duart e të huajve; arsimimit nga shkollat e mësuesit e huaj t`i jepej fund dhe që Shqipëria të shpëtohej nga kjo gjendje.

Prapambetja e popullsisë myslimane për shkak të mos arsimimit, krahasuar kjo me popullsinë e krishterë, do të shoqërohej me një prapambetje edhe në fushën e tregtisë dhe industrisë, çka sipas tij do të prishte ekuilibrat e brendshëm dhe brenda pak vitesh do të bëhej shkak për trazira./ KultPlus.com

Unë ngrihem përsëri

By: Kult Plus
17 August 2025 at 12:50

Poezi nga Maya Angelou

Shqipëruar nga: Rudi Pobrati

Mund të gëzohesh se po më braktis,
Se nga dhimbja e gjitha po mpihem
Ti mendon se po më shkel me këmbë,
Por si pluhur, unë përsëri do ngrihem.

Te shqetëson kryelartësia ime?
Ç’gjë të shkaktoi, papritur mërzinë?
Se unë rri sikur kam puse me nafte,
Që burojnë aty poshtë në kuzhinë?

Njësoj si dielli, njësoj si hëna
Në baticat në harmoni
Njësoj si shpresa që çohet lart,
Unë do ngrihem përsëri.

Brengosesh se jam e bukur, seksi,
Pse të kapi papritur habia?
Se unë eci sikur kam diamante
Aty ku takohen kofshët e mia?

Nga kasollet e turpit të historisë
Unë ngrihem
Nga e kaluara e hidhur, mes bukurisë
Unë ngrihem;
Jam ujëvarë e lartë, e zezë freskuese,
Po fryhem e derdhem po aq tmerruese.

Duke lënë pas frikën e natës se gjatë
Unë ngrihem
Në një agim mrekullisht të qartë
Unë ngrihem
Duke bartur dhuntitë e të pareve të mia
Jam ëndrra dhe shpresa e skllaves për liri
Unë ngrihem përsëri,
përsëri ngrihem
Ngrihem përsëri!/KultPlus.com

❌
❌