Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Përse Edi Rama ka të drejtë ta bëjë këtë debat me gjyqtarët?

By: Mero Baze
23 August 2025 at 19:10

Nga Mero Baze

Fushata e kryeministrit Rama kundër disa vendimeve gjyqësore që prekin vendimmarrjen e qeverisë ka shkaktuar reagime dhe dyshime lidhur me të ardhmen e raporteve mes qeverisë dhe pushtetit gjyqësor. Reagimi më i ashpër ka ardhur nga një OJQ e gjyqtarëve, e cila e praktikon këtë sportin e reagimeve vetëm kur nuk reagon Berisha.

Por përtej partizanllëkut të tyre, debati i kryeministrit me gjyqësorin ka shumë rëndësi.

Ka rëndësi pikë së pari, pasi vetëm debati është mekanizmi që mund të korrigjojë raportet mes pushtetit gjyqësor dhe atij ekzekutiv kur pushtetet e tyre mbivendosen, siç është debati i vlerësimit të akteve zyrtare që lidhen me politikat e qeverisjes. Fjalë vjen, qeveria është votuar për një politikë të caktuar dhe vendos të zhvillojë politikat e saj, ndërsa gjyqësori ndërhyn dhe thotë: “ky koncesion nuk duhej bërë se nuk është në interes të publikut”, apo “ky projekt cenon sigurinë kombëtare”, apo “ky projekt nuk cenon interesin publik”, siç ishte ky i fundit.

Ky është debat që duhet bërë publikisht, por duhet ulur që pas debatit rregullat të shkruhen dhe të mos shndërrohet në debat të përjetshëm.

Në këtë aspekt nuk shikoj asnjë shqetësim nga prirja e kryeministrit që të debatojë për vendime gjyqësore që i mbivendosen politikave qeverisëse, pasi ai është votuar dhe është pushteti politik i vendit.

Nga ana tjetër, do të ishte e dëmshme që kryeministri të bëjë komente për vendime ndaj individëve apo çështjeve gjyqësore që prekin zyrtarë që janë nën akuzë për korrupsion apo shkelje të tjera. Kjo do të ishte presion mbi drejtësinë.

Këtë e bën rregullisht Sali Berisha, duke i sharë më libër shtëpie çdo prokuror apo gjyqtar që ka çështjet e tij dhe, çuditërisht, nuk konsiderohet presion mbi drejtësinë pasi nuk reagon njeri. Dhe kjo është një shenjë që këtu nuk ka shqetësim për pavarësinë e gjyqësorit, por për kufizimin e prirjes për të marrë pushtet politik prej drejtësisë.

Por e parë në perspektivën e vendit drejt Bashkimit Evropian, dhe zhvillimeve të fundit rreth hartimit të Kodit të ri Penal, ky debat është pozitiv pasi është në të kundërt të tendencës që ka Kodi Penal që të ndalojë të komentosh vendime të drejtësisë apo prokurorëve. Vetë Edi Rama po tregon se projekti i Kodit Penal, hartuar nga ministri Manja, nuk ka perspektivë, pasi nëse ai do ishte tani në fuqi, Edi Rama mund të dënohej me tre vjet burg për këto deklarata.

Për këtë arsye debati është edhe një shenjë pozitive rreth perspektivës së Kodit të ri Penal, i cili parashikon sanksione për sjellje të tilla.

Kjo i shton arsyet përse Edi Rama ka të drejtë ta bëjë këtë debat.

Ajo që do të më pëlqente më shumë është që Edi Rama, si kryeministër, të reagojë edhe kur gjyqtarët cenojnë të drejtat e njeriut të qytetarëve nën hetim apo gjykim nga prokuroria apo gjykatësit që kthehen në noterë të këtyre shkeljeve. Kjo do ta kompletonte betejën e tij, pasi ai nuk është vetëm roje i interesit publik apo shtetëror, por edhe i të drejtave themelore të qytetarëve.

The post Përse Edi Rama ka të drejtë ta bëjë këtë debat me gjyqtarët? first appeared on JavaNews.al.

Lodhja e kotë e Berishës për të retushuar historinë e tij personale me Rugovën

By: Mero Baze
22 August 2025 at 18:44
Nga Mero Baze
Nuk është ndonjë mëkat që mes politikanëve me profil të lartë të ketë probleme në jetën e tyre politike dhe njerëzore, pavarësisht se kush ka të drejtë. Dhe Sali Berisha e ka shumë të vogël tre deri katër vjet bashkëjetesën në paqe me Rugovën (deri në fillim të vitit 1995) dhe gjithë pjesën tjetër dhjetëvjeçare një luftë të ftohtë me të.

Arsyeja ka qenë bazike, dhe u ngjet gjithë arsyeve përse njerëzit në politikë hyjnë në konflikt me Sali Berishën. Ai donte ta përdorte Ibrahim Rugovën në funksion të pushtetit të tij në Shqipëri. Në fillim donte të përdorte vijën e tij paqësore për t’u treguar dhe vetë si i moderuar me SHBA dhe Evropën lidhur me çështjen e Kosovës. Madje, në takimin me Presidentin Klinton në shtator të vitit 1995, pa ia kërkuar askush, i ka sugjeruar Presidentit një autonomi për Kosovën do të ishte zgjidhja e duhur “pavarësisht se çfarë duan ata”.

Më pas, kur hyri në konflikt me SHBA, kryesisht nga viti 1996 e më pas, ai u përpoq të përdorte Rugovën për të radikalizuar situatën në Kosovë nën kontrollin e tij me qëllim që të bëhej faktor ndërkombëtar dhe udhëheqës i “dobishëm” për të mos destabilizuar rajonin. Rugova e refuzoi prerë dhe qartë duke ndërprerë kontaktet me të dhe nën këshillat e SHBA. Ai u përpoq të përdorte Adem Demaçin me naivitetin e tij si kundërshtar të Rugovës dhe më pas lëvizjen studentore fillimisht brenda LDK kundër Rugovës, por ai përsëri e refuzoi.

Për një kohë të gjatë, në vitet 1996–1997, i vetmi politikan shqiptar që i kishte raportet e mira me SHBA ka qenë vetëm Ibrahim Rugova, dhe shkëputja e kontakteve të tij me Sali Berishën ka qenë një kusht për mbështetjen e tij.

Kjo mëri e Berishës ndaj Rugovës vazhdoi pasi doli në opozitë në vitin 1997, kohë pas së cilës Rugova nuk shkeli më në Shqipëri deri në vitin 2004.

Arsyeja ishte Sali Berisha. Ai e refuzoi vizitën e Berishës në Kosovë në vitin 2000 duke e kthyer atë nga kufiri, dhe nuk e priti kurrë në Kosovë deri ditën që u nda nga jeta, e cila shënon dhe vizitën e parë të Berishës në Kosovë, duke marrë pjesë në varrimin e tij.

Edhe pse formalisht raportet ishin përmirësuar në rrugë protokollare, personalisht Ibrahim Rugova e refuzoi deri në fund të jetës së tij.

Kjo luftë e ftohtë mes të dyve nuk do të thotë se pushteti i Sali Berishës nuk ka kontribuar për Kosovën dhe as që Ibrahim Rugova nuk e donte Shqipërinë.

Deri në vitin 1995 ministria e jashtme e Shqipërisë dhe trupi diplomatik i saj ishin të gjithë në shërbim të çështjes së Kosovës. Sali Berisha u ftua me Ibrahim Rugovën se nuk e përdori dot për hallët e pushtetit të tij, por kjo nuk ka lidhje me shtetin shqiptar. Në përpjekje për të mbuluar luftën e tij ndaj Rugovës, Berisha përmend aktivitetet e shtetit shqiptar pro Kosovës. Ato kanë qenë padiskutim një nga kontributet më të mëdha në histori që Shqipëria ka dhënë për Kosovën. Shumë diplomatë shqiptarë të rinj të asaj kohe ishin më shumë ambasadorë të Kosovës sesa të Shqipërisë.

Por kjo nuk do të thotë asgjë për raportet mes Sali Berishës dhe Ibrahim Rugovës. Ato janë ato që janë: dy njerëz që nuk i besuan njëri-tjetrit, për shkak të përpjekjeve të Berishës për të minuar autoritetin e tij në Kosovë dhe për ta keqpërdorur atë dhe Kosovën si mjet presioni përballë SHBA në kulmin e krizës me SHBA më 1996.

Përpjekja e tij për ta retushuar historinë tani në fund të saj, është banale dhe e pakuptimtë. Berisha nuk është më as aleat politik i LDK edhe pse formalisht duket se është me të. Sali Berisha është aleat real me Albin Kurtin, në gjithë qëndrimet e tij ndaj Kosovës, pra është aty ku ishte më 1996 kundër Ibrahim Rugovës kur keqpërdorte naivitetin e Demaçit kundër Rugovës dhe studentët brenda LDK që më pas u kthyen në lëvizje studentore me Albin Kurtin më 1997.

Madje aq i zemëruar ishte Ibrahim Rugova me Berishën më 1997, sa në një konferencë të pazakontë shtypi më 7 nëntor 1997 në Prishtinë, bëri thirrje të nderohet Ramiz Alia si udhëheqësi shqiptar me më shumë merita për Kosovën:

*“Njohja e Republikës së Kosovës është bërë nën mandatin pluralist të Ramiz Alisë dhe po ashtu, siç dihet, ai është njëri nga kryetarët që ka bërë më së shumti për çështjen e Kosovës, hapjen e Zyrës sonë, njohjen e Republikës dhe fillimin e programit televiziv satelitor. Kërkojmë nga parlamenti shqiptar që t’i sigurojë Ramiz Alisë statusin e ish-Presidentit. Kosova do të ketë marrëdhënie të rregullta dhe të mira me Shqipërinë dhe deklaratat e momentit nuk do të ndikojnë shumë në këtë.”
(8 Nëntor 1997 – Gazeta Bujku)
Dhe të gjithë këtë e kishte mes të tjerash për të poshtëruar Sali Berishën dhe “kontributin” e tij për Kosovën.

Ndaj, Sali Berisha lodhet kot të retushojë një histori që është me dëshmitarë të gjallë dhe e dokumentuar. Mbi të gjitha nuk është se i hyn dhe aq shumë në punë. Në dosjen e tij të “non grata”, Ibrahim Rugova zë një peshë të rëndësishme tek pjesa e rolit që Berisha ka luajtur për minimin e stabilitetit në rajon. Nuk besoj se LaCivitës i bëjnë punë këto gënjeshtrat e reja të Berishës në publik. Ato të vjetrat janë mbajtur shënim nga vetë SHBA deri në Rambuje.

The post Lodhja e kotë e Berishës për të retushuar historinë e tij personale me Rugovën first appeared on JavaNews.al.

Pse Berishës i duhet të “qetësojë” Metën në parlament, pasi e ka çuar “bedel” në burg?

By: Mero Baze
21 August 2025 at 19:23
Nga Mero Baze

Sali Berisha i ka ofruar formalisht dhe tre deputetë të tjerë Ilir Metës në Kuvend që të formojë një grup parlamentar, i cili ka disa privilegje më tepër financiare dhe administrative. Përveç këtyre, ajo që ka më shumë rëndësi për Ilir Metën është që partia e tij të ketë logon si parti me grup parlamentar.

Lëshimin e parë të madh e bëri përpara zgjedhjeve kur futi katër deputetë të Partisë së Lirisë në listë të sigurt, ndërkohë që e gjithë partia në Tiranë – e cila identifikohet me Ilir Metën – mori vetëm 7 mijë vota.

Në pamje të parë ngjan si sakrificë ekstreme, por Berisha e ka të qartë pse e bën sakrificën.

Të gjitha lëshimet u bënë pasi Ilir Meta u burgos paraprakisht nga SPAK, me një procedurë e cila ngjan gjahu për shtriga për shkak të qasjes politike që aplikon SPAK për të bërë paraburgime të balancuara politikisht.

Dhe meqë nga shumica në pushtet e kishte tejkaluar planin, nga opozita – duke arrestuar Ilir Metën – rrëzoi gjithë planin e opozitës. Në një farë mënyre Ilir Meta shkoi në paraburgim dhe mbahet ende në paraburgim, ndonëse është dorëzuar dosja për gjykim, si “bedel” për Sali Berishën dhe familjen e tij që po mbeten të paprekur.

Procedurat që u zbatuan për Berishën dhe dhëndrin e tij, që u mbajtën jashtë burgut – dhe që në fakt janë korrekte – nuk u aplikuan në rastin e Ilir Metës.

Ish-presidenti i vendit po mbahet në burg për një çështje për korrupsion që ka përfunduar tek lobimet e gruas së tij për një kushëri të vetin, për t’u favorizuar në një biznes telekomunikacioni.

Dhe ky është momenti kur Berishës i është bërë dy herë nder nga SPAK. E para, që i është hequr nga loja Ilir Meta si aktor, duke u burgosur, dhe e dyta, duke i dhënë mundësi Berishës ta kompensojë atë me deputetë kukulla apo numra fals, që të jetë thjesht një bamirës politik.

Realisht, Partia e Lirisë ka vdekur politikisht. Ajo nuk prodhon dot asnjë mandat. Dhe kjo është një siguri më shumë për Berishën që nuk e ka më nëpër këmbë. Thjesht ai do ta përcjellë me respekt në pensionin politik, duke bërë sikur e respekton në Kuvend dhe sikur i ofron deputetë për ta mbajtur si kufomë politike.

Faktorët e tjerë opozitarë që morën rreth 200 mijë vota, Berisha jo vetëm që nuk i afron, por i lufton politikisht, sepse janë faktorë realë.

Ilir Metën bën sikur e afron pasi e di që nuk ekziston dhe i heq paranojën që ai po bën burg në vend të tij dhe djalit të tij, i cili as hetohet për Gërdecin, as për grabitjen e pronave në çdo cep të bregdetit të Shqipërisë.

Duke dërguar Ilir Metën “bedel” për gjithë mëkatet e opozitës, Berisha është gati t’ia ruajë si muze partinë derisa të dalë nga burgu, duke i falur mandate reale dhe formale në Kuvend. Mjafton që të mos kujtohet që po sakrifikohet për të.

The post Pse Berishës i duhet të “qetësojë” Metën në parlament, pasi e ka çuar “bedel” në burg? first appeared on JavaNews.al.

Fraksionet opozitare të PD, si banda mercenare të klaneve të PS

By: Mero Baze
20 August 2025 at 19:37

Nga Mero Baze

Fenomeni më i shëmtuar që i ka ndodhur opozitës së Sali Berishës, është se partia nuk është fraksionuar sipas ideve apo alternativave të ndryshme që ka, por sipas halleve që ka Partia Socialiste dhe njerëzit e pushtetit të saj, që përdorin PD-në si një kontingjent mercenarësh për të luftuar njëri-tjetrin.

Duke qenë dy parti me mentalitete krejt të ndryshëm, Berisha nuk ka pasur mundësi ta parashikojë këtë degradim.

Gjithmonë në PD ka pasur njerëz që kanë pasur lidhje me PS-në dhe e anasjelltas në PS, por kurrë PD nuk ka qenë më shumë se sa sot një kontingjent mercenarësh në funksion të luftës së klaneve brenda PS.

Dhe tani, meqë çdo klan i PS ka bandën e vet në PD që e mban me para, që i financon portalet, që i jep leje ndërtimi apo licenca për biznese, koncesione, tendera etj., PD është fraksionuar jo si një parti idesh të djathta, por si një garnizon lufte që reflekton interesat e së majtës dhe luftës së klaneve brenda saj.

Në një farë mënyre PS tani është bërë edhe pushtet edhe opozitë për veten e saj, një gjendje në të vërtetë po aq e degraduar politike, e cila për shkak të fuqisë financiare dhe pushtetit ka gjetur të varfrit e PD që i mban me para dhe i bën të ndjehen mirë si të emëruar në opozitë.

Kështu, grupi kryesor i PD që vërtitet rreth Shkëlzen Berishës mbahet nga një grup brenda pushtetit, me leje ndërtimi, me zhbllokim pronash të falsifikuara që ka marrë Shkëlzeni kur ishte në pushtet, siç është rasti i Ksamilit dhe Sarandës, dhe me një sërë financimesh përmes oligarkëve të medias së familjes së tij, e cila tani është një media po aq e pasur sa mediat e mëdha të pushtetit, edhe pse është qesharake.

Një tjetër grup mbahet nga klane të PS për stimulimin e protestave kundër rivalëve të tyre, siç ishin protestat para Bashkisë së Tiranës me 10 vetë, apo për të financuar portale gjobëvënëse që shtiren si opozitare për të luftuar rivalët e tyre në parti.

Dhe ky zinxhir i pafund vazhdon tek çdo kush që në PS ka nevojë të sulmojë dikë. Ka gjithmonë gati një grup mercenar në PD apo një portal që vetëdeklarohet i tyre, por që mbahet me lekët e PS.

Kjo skemë shtrihet pastaj edhe në bashki në rrethe, duke kompletuar në kapilaritet kthimin e opozitës në një bandë mercenare në funksion të pushtetit.

Ky është niveli më i ulët dhe poshtërues që ka pasur opozita ndonjëherë në Shqipëri.

Ky rivalitet pastaj reflektohet edhe tek ajo që quhet luftë e brendshme në PD, që në fakt janë po ashtu mekanizma të lëvizur nga PS. I vetmi biznes që mund të bëjë gazeta Tema, për shembull, është me kërkesat që vijnë nga politikanë nga PD që gazeta t’i sulmojë që ata të bëhen të besueshëm tek Berisha. Madje për këtë janë gati edhe të paguajnë, pasi tani kultura e mercenarizmit është kthyer në kulturë politike normale brenda PD.

PD nuk ka qenë kurrë në këtë nivel. Ka qenë gjithmonë një parti pa demokraci, një parti e diktuar nga Berisha, një parti pa garë dhe frymëzim, por ka qenë një parti që nuk është dorëzuar në këtë mënyrë tek pushteti.

Dhe me gjasë kjo ka ndodhur pasi të parët që janë dorëzuar tek pushteti janë fëmijët e Sali Berishës dhe bizneset e tyre. Pastaj të tjerët me stilin: secili për vete, Zoti për të gjithë.

Ndaj nuk ka faj Flamur Noka që thotë në shtator duhet të hidhemi të gjithë në luftë, pasi i duket e vetmja rrugë që të “zbulojë” mercenarët e PS në PD. Vetëm se harron që ata paguhen nga PS pikërisht për të bërë sikur bëjnë luftë dhe nuk ka për ta kuptuar dot as këtë herë.

The post Fraksionet opozitare të PD, si banda mercenare të klaneve të PS first appeared on JavaNews.al.

Mero Baze: A duhet hetuar Olsi Dado si krijues i “Nesti Angonit”?

By: Mero Baze
18 August 2025 at 19:54

Nga Mero Baze

Sot teksti i plotë i “denoncuesit” Nesti Angoni është publikuar dhe mund të gjykojmë mbi cilësinë e tij. Është e qartë që është një tekst i rëndomtë, që është kërkuar për të nisur një procedim penal ndaj Kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Në tekst, siç shihet, ka akuza që Veliaj ka tre vila në Qerret, ndërsa sot pas dy vitesh hetimesh SPAK ka provuar që prindërit e Ajola Xoxës kanë një shtëpi për të cilën ende nuk i kanë paguar 30 mijë euro ndërtuesit dhe ajo është ende në emër të ndërtuesit. E vetmja gjë e vërtetë është që ekzistojnë personat Erion Veliaj, Gentiana Sulaj dhe Gent Sula. Dhe vetëm nga ky fakt që këta ekzistojnë ka nisur hetimi.

Pra është e qartë që kemi të bëjmë me një hetim të kërkuar me ngulm nga një prokuror, i cili muaj më parë ka pasur konflikt personal për të, lidhur me kërkesat e tij për një leje ndërtimi jashtë kritereve ligjore që kishte bashkia e cila nuk i është realizuar. Mund të ketë dhe arsye të tjera që ende nuk i dimë.

SPAK ka vërtetuar më pas që personi “Nesti Angoni” nuk ekziston, por thuhet që ai e ka dorëzuar dorazi denoncimin, çka do të thotë se ai duhet të ketë paraqitur një ID kur e ka dorëzuar. Plus, në SPAK ka kamera për ata që hyjnë e dalin. Pra ka shumë pak shanse që SPAK ta mashtrojë ndonjë njeri me ID false, nën vëzhgimin e kamerave. E gjitha është diçka e kurdisur nga vetë institucioni dhe në këtë rast kemi të drejtë të dyshojmë që është kurdisur nga prokurori i çështjes, i cili ka mbajtur dhe qëndrim emocional ndaj procesit, duke përdorur fjalë fyese ndaj të dyshuarit Veliaj.

Në procesin e hetimeve ai po ashtu ka përdorur metoda të paligjshme shantazhi ndaj njerëzve që ka pyetur, disa prej të cilëve kanë dhënë dëshmi pasi ka përfunduar hetimi. Dikujt i ka treguar një tunelë që të çon drejt e në qeli tek 313, të tjerëve u ka përmendur emrat e fëmijëve që nuk do t’i shohin më, se do shkojnë në burg, apo presione të tjera, duke përdorur edhe histori familjare të zbuluara nga përgjimet e paligjshme.

Më tej, i njëjti prokuror është investuar personalisht në sulme ndaj gazetarëve, përfshirë mua, duke shpifur përmes fundorinave që kontrollon në portalet gjobvënëse, për gjithë artikujt që kanë kritikuar praktikat e SPAK në këtë hetim. Në këtë histori nuk ka kursyer as sulmet e ulëta ndaj çdo gazetari, deri dhe familjarëve të tyre. Sot, për shembull, fundorina që paraqitet si zëdhënësi i Olsi Dados kishte sulmuar fëmijët e mi, të cilët për fat janë të qyetetarë normal dhe te suksesëshem dhe nuk janë as autikë e as me probleme mendore, por kjo tregon se dyshja Dado-Fundorina nuk i ndal asgjë që të bëjnë betejë ndaj kujtdo që ua thotë të vërtetën në sy.

Kjo kuptohet lehtë nëse shikon se si tipa si ky fundorina gjobvënës, që paguhet edhe nga ministra të PS dhe mbështeten me dezinformata prej Dados, mbrojnë atë për çdo shkelje ligjore që kanë bërë dhe sulmojnë gazetarët kritikë me të dhe praktikat e SPAK. Ky proces, ku është përfshirë shpesh edhe zyra e shtypit e SPAK, e ka kthyer atë godinë në një zyrë propagande që vendos të dënojë përmes opinionit publik dhe jo fakteve.

Tani hetimi ndaj Erion Veliajt le të vazhdojë dhe të gjykohet, por nëse ky proces është i stisur me një paçavure të tillë të shkruar nga vetë SPAK, i shoqëruar me thashetheme se “Nesti Angoni është shërbimi sekret grek” që ka sjellë qindra faqe (e vetmja lidhje që ka me Greqinë është se edhe fundorina që përdor SPAK dhe Dado janë me letra greke), atëherë ai duhet hetuar patjetër dhe hetimi duhet të përqendrohet rreth rolit personal të Olsi Dados në këtë histori.

E di që tani ai dhe fundorinat që përdor janë ende në fazën e euforisë që intriga e tyre ka funksionuar, por jeta është e gjatë dhe e drejta për të hetuar një prokuror në konflikt personal me të dyshuarin dhe që sajon një letër për të nisur një hetim është e pashmangshme.

Të nisësh një hetim nga një paçavure e tillë, të ngresh një furtunë gjyqi popullor ndaj tij, pastaj të kalosh tek garderoba e një fondacioni që vinte në skenë opera dhe t’i paraqesësh fustanet e shfaqjeve si fustane të gruas së tij për të zgjuar dallgët e gjyqeve popullore të komunizmit, do të thotë që ai ka qenë i ndërgjegjshëm për mungesën e fakteve dhe është kujdesur ta mbushë atë boshllëk me propagandë.

Edi Rama pati premtuar se do të bëjë një Komision të së Vërtetës për abuzimet e SPAK, dhe personat e intimiduar, kryesisht nga ky prokuror por edhe të tjerë, të bëjnë denoncimet e tyre. Shpresojmë ta bëjë në Kuvendin e ri, edhe pse mund të vërë në siklet disa ministra të tij që janë 24 orë në linjë me fundorinat që drejtojnë gjithë këtë operacion të pistë.

The post Mero Baze: A duhet hetuar Olsi Dado si krijues i “Nesti Angonit”? first appeared on JavaNews.al.

“Ndjellësi i fatkeqësive” që i ngre topin për “fitore të rreme” Edi Ramës

By: Mero Baze
17 August 2025 at 20:22
Nga Mero Baze

Një video dhe foto që kisha postuar dje nga pasojat e zjarreve në Delvinë në një reportazh, ishte ripostuar sot nga Sali Berisha, i cili vinte alarmin për djegien e ullinjve dhe vreshtave. Pastaj, si zakonisht, edhe teoritë e tij konspirative, që ullinjtë i ka djegur Edi Rama se do bëjë resorte në pllajat e Delvinës.

Ka diçka thellësisht joserioze kur Sali Berisha merret me fatkeqësitë natyrore, dhe kjo ka të bëjë me dëshirën e tij që ato të jenë sa më të rënda dhe sa më të pariparueshme. E ka pasur këtë në çdo fatkeqësi natyrore që ka pasur vendi gjatë viteve të tij në opozitë. Por më flagrante ka qenë me tërmetin dhe pandeminë, ku çdo ditë dilte dhe ndillte zi, sikur nuk mjaftonte ajo që po ndodhte.

Dhe në të dyja rastet e humbi keq betejën. Madje, gati-gati, ato dy fatkeqësi – njëra natyrore dhe tjetra njerëzore – iu kthyen Edi Ramës në favor për mandatin e tretë. Nëse nuk do të ishte tërmeti dhe pandemia, Edi Rama do shkonte drejt zgjedhjeve me skandalet politike të viteve 2017 e 2018, që po e brenin.

Falë tërmetit dhe 1.3 miliardë eurove që arriti të mbledhë në botë, ai e ktheu fatkeqësinë natyrore në një shans politik të pazakontë, për t’u dhënë shtëpi shumë herë më të mira mijëra qytetarëve që u prekën nga fatkeqësia. Edhe pandemia po ashtu: guximi për të hapur vendin për të huajt në të vërtetë është pikënisja e bumit të turizmit që po jetojmë tani.

Por edhe sikur të mos ia kishte dalë, nuk do të ishte ndonjë përgjegjësi e madhe e tij.

Por e vërteta është se ato fatkeqësi iu kthyen në fat politik, mes të tjerash, edhe falë nekrofilisë së Sali Berishës që ndillte vdekje dhe tmerre çdo ditë.

Tani e njëjta gjë po ndodh me zjarret. Ato kanë qenë një sprovë e vështirë për qeverinë dhe, falë Zotit që ndërhyri dy herë përmes shiut, janë shmangur tragjedi të mëdha që qeveria nuk do t’i përballonte dot.

Aktualisht, zona më e dëmtuar është Delvina dhe Gramshi. Dëmi më i rëndë dhe i pariparueshëm për momentin janë vreshtat dhe ullishtet. Por në tërësi, dëmet zënë një peshë të vogël në raport me fatkeqësitë e tjera natyrore.

Tani beteja e Berishës për të bërë politikë me këto dëme, përveçse është e bezdisshme, është edhe jo produktive, pasi thjesht i ngre topin Edi Ramës, duke e shfaqur si shpëtimtar të një beteje që nuk është dhe aq heroike. Janë më pak se 100 shtëpi të dëmtuara në gjithë vendin, disa objekte kulti – kryesisht kisha – dhe një program special për rinovimin e vreshtave dhe ullishteve.

Nuk është ndonjë sfidë që vë në provë qeverinë. Përkundrazi, i bën nder të duket më e aftë sesa është. Dhe kjo falë Sali Berishës, një njeriu që ndjehet mirë kur ka fatkeqësi.

The post “Ndjellësi i fatkeqësive” që i ngre topin për “fitore të rreme” Edi Ramës first appeared on JavaNews.al.

Edhe një herë për “ekskursionin” e detyruar të Berishës në Kosovë

By: Mero Baze
16 August 2025 at 18:17
Nga Mero Baze
Sali Berisha nuk është një politikan që bën “qoka” publike për biznesmenë. Madje as për bizneset e mëdha të Shqipërisë që i ka pasur në paradhomë dhe i ka bërë të pasur, ai nuk është parë t’u shkojë për ditëlindje apo festa familjare. Mik e ka Zamir Manen, por nuk di të ketë shkuar ndonjëherë në ditëlindjen e tij. Mik e ka pasur Shefqet Kastratin, por nuk i ka shkuar ndonjëherë. Mik e ka pasur Rezart Taçin, madje edhe sponsor të gruas, por nuk i ka shkuar në ditëlindje. Madje as Irfanit, që i ka dhënë uzina, fabrika, konvikte e shkolla, nuk i ka shkuar.

Detyrimi i Sali Berishës për të shkuar në një ditëlindje të një biznesmeni në Kosovë, fsheh pas përuljen e thellë të tij ndaj rrjetit klientelist të bizneseve të lidhura me familjen e tij gjatë kohës që ka qenë në pushtet dhe tani në opozitë.

Ndërkohë, klanit Osmani si dhe Dreshajve nga Kosova që drejtojnë lojërat e fatit dhe shtëpitë e seksit në Hamburg, ai u tregon respekt personalisht, duke marrë edhe dhëndrrin me vete. Djali i tij Shkëlzeni, po ashtu, u ka shkuar atyre për sebepe familjare në Kosovë, përkundër distancës që ata formalisht mbajnë nga biznesi.

Se kush është klani Osmani në Hamburg, e ke lehtë ta kërkosh në internet. Kanë qenë sponsorë të Partisë Demokratike më 2005 si pagues të kontratës së lobimit të BG&R dhe, pasi Berisha i futi në pushtet, të dy këto grupe biznesi kontrolluan tregun e lojërave të fatit në Shqipëri duke punuar në mënyrë thuajse ilegale dhe kanë shërbyer për interesa financiare të Familjes Berisha, për pagesat e padeklaruara dhe investime të tjera në Perëndim.

Është kjo arsyeja që Berisha, 81 vjeçar, merr rrugën e shkon në Istog, në ditëlindjen e një pronari bordelloje, apo që djali i tij mban kontaktet e rregullta me klanin Osmani. Një vit më parë, kur një prej njerëzve të fotografuar me Shkëlzenin u arrestua në Spanjë për drogë, të gjithë e relativizuan lajmin, sikur ajo foto ishte si ndonjë foto politikanësh në fushatë elektorale. Në fakt ishte foto e Shkëlzenit me gruan e tij, në një tavolinë dreke me personin e arrestuar.

Të gjitha këto nuk vlejnë për të treguar se kush janë miqtë e Berishës, pasi ata kanë punën dhe jetën e tyre. Këto vlejnë për të treguar se sa i përkulur është Sali Berisha ndaj njerëzve që janë të lidhur me familjen e tij për biznese shpesh të dyshimta dhe sa i përkushtuar është ndaj tyre.

Mashtrimet banale të Berishës të tipit “kthim në fëmijërinë time” apo “kthim në traditat e tij në bjeshkë” janë gënjeshtra fëminore. Berisha si fëmijë s’ka qenë kurrë në Kosovë, madje as si i rritur. Për herë të parë ka shkelur pasi vdiq Rugova, sepse sa ishte gjallë ai nuk ia dha këtë shans.

Hipokrizia e tij duke bërë vlerësime për Rugovën dhe duke shpallur këtë biznesin e bordellos “luftëtarë të lirisë” janë banalitetet e një njeriu në hall, që e thërrasin për t’u shërbyer, duke e ngritur nga krevati.

Nëse të njëjtat fakte do të ishin për Edi Ramën apo ndonjë politikan tjetër, Sali Berisha do t’i kishte përditë duke ekzagjeruar faktet dhe duke u përpjekur t’i “denonconte”. Në rastin e tij, media jo vetëm që e injoron këtë gjë, por e paraqet udhëtimin e Berishës në Istog si ekskursion turistik. Në fakt është ekskursion i detyruar nga dikush që ka fuqi ta ngrejë një 81 vjeçar nga krevati dhe t’i thotë: “Eja këtu të të shikojnë që je njeriu im.” Dhe të mos ketë fuqi ta kundërshtojë.

Kjo tregon se në dorë të kujt mund të jetë pushteti në Shqipëri dhe kush mund të na e komandojë kryeministrin nëse Berisha do të kishte kohë dhe mundësi të rikthehej.

The post Edhe një herë për “ekskursionin” e detyruar të Berishës në Kosovë first appeared on JavaNews.al.

Përse Berisha dhe dhëndri i tij janë ulur në gjunjë para një biznesmeni të shtëpive të seksit

By: Mero Baze
15 August 2025 at 20:18

Nga Mero Baze

Sali Berisha, i shoqëruar nga dhëndri i tij, kanë vizituar Istogun të ftuar nga një biznesmen që drejton shtëpi publike në Hamburg, Gani Dreshaj.

Ai, së bashku me anëtarë të familjes, janë pronarë të “Dollhouse”, një shtëpi seksi në Hamburg të Gjermanisë që vizitohet shpesh edhe nga politikanë të Kosovës. Shikoni faqen e ektij biznesi ne internet: (https://www.dollhouse.de/impressum.html).

Kjo nuk është një punë ilegale, por një punë shumë fitimprurëse dhe legale në Gjermani. Nuk kemi ndonjë rezervë pse ai është një lloj biznesmeni seksi në Gjermani.

https://www.botasot.info/lajme/790745/ky-eshte-klubi-i-striptizit-i-gani-dreshajt-ne-hamburg-ku-argetohen-edhe-politikanet-e-kosoves/

E panjohura është se çfarë e lidh Sali Berishën dhe dhëndrin e tij me një biznesmen që ka shtëpi publike në Hamburg?

Të thuash që dhëndri i Berishës është qejfli bordellosh, është tepërim, edhe pse nuk është ndonjë mëkat i madh.

Por përkushtimi i tij ndaj gruas shihet te përkushtimi që ka ndaj vjehrrit dhe kuptohet që as i shkon në mendje.

Berisha, po ashtu, të vetmin aset “moral” që ka kur sulmon kundërshtarët kryesisht për çështje seksuale dhe “çështje nderi”, siç i quan ai, është pretendimi se s’ka tradhtuar kurrë gruan.

Tani, të dy këta burra, që s’i tradhtojnë kurrë gratë, kanë marrë rrugën nga Tirana, duke kërkuar leje edhe në gjykata e prokurori, për të shkuar në Kosovë pasi një biznesmen seksi mbush 60 vjeç. Duke e parë nga jashtë, duket pak si tepër. Fakti që ky biznesmen tani është afër Ramush Haradinajt nuk është ndonjë arsye e fortë, pasi Berisha është më afër me Albin Kurtin sesa me LDK-në apo Ramush Haradinajn.

Arsyeja është më e thellë.

Gani Dreshaj është sponsori i Sali Berishës. Është sponsor i aktiviteteve të tij politike, por edhe i sponsorizimeve të artikujve kundër Shqipërisë në shtypin gjerman.

Peter Tiede, korespondent i gazetës së njohur gjermane “Bild”, është shfaqur në Tiranë nga 17 deri më 21 shkurt, për të ndjekur protestën e opozitës dhe ka qenë gjatë gjithë kohës nën shoqërinë e Gani Dreshajt dhe një familjari të Sali Berishës, Shkëlqim Berisha.

Dhoma ku qëndroi gazetari (dhoma nr. 1904) rezultonte e rezervuar nga Gani Dreshaj, hyrja e të cilit në Tiranë nuk provohet nga sistemi TIMS, çka do të thotë se ka hyrë nga Kosova pa u deklaruar.

The post Përse Berisha dhe dhëndri i tij janë ulur në gjunjë para një biznesmeni të shtëpive të seksit first appeared on JavaNews.al.

Beteja me zjarret duhet të kthehet në një betejë 12-mujore

By: Mero Baze
12 August 2025 at 20:02

Qeveria shqiptare duhet të shikojë mundësinë e një plani kombëtar për betejën me zjarret, që me ndryshimet klimatike do të jetë gjithnjë e më shumë një sfidë e vështirë. Beteja me zjarret nuk fitohet në gusht. Sado heronj t’i kemi zjarrfikësit – të cilët në fakt i kemi të patrajnuar dhe të papajisur me mjetet e duhura – sado avionë apo helikopterë të marrim, nuk do t’ia dalim dot. Beteja me zjarrin duhet të kthehet jo vetëm në kulturë kombëtare, por edhe në strategji kombëtare.

Së pari, Shqipëria duhet të shikojë urgjent mundësinë e një investimi të madh për t’i bërë malet e saj të përshkueshme me rrugë emergjence. Nuk po them rrugë të asfaltuara apo të shtruara për vetura, por rrugë emergjence të gjera që përshkruajnë, sipas një studimi antizjarr, linjat ku duhet të bllokohet zjarri sa herë që bie. Malet shqiptare janë ndër më të papërshkueshmet në Evropë. Malet e jugut janë thuajse pa asnjë rrugë, ndërsa malet e veriut kanë patur dikur disa rrugë të ndërtuara nga industria minerare, të cilat me siguri janë degraduar, por gjurma ekziston. Këto rrugë duhen rivitalizuar urgjentisht, ndërsa në jug duhet një projekt profesional për ndërtimin e rrugëve që përshkruajnë faqet e maleve. Rrugë të thjeshta, të hapura me eskavatorë, që shërbejnë si brez antizjarr dhe si pritë ku zjarrfikëset mund t’i dalin përballë zjarrit.

Së dyti, në çdo fshat dhe qytet, ashtu siç ka qenë në kohën e komunizmit, duhet të rikthehet i famshmi “brez i zjarrit” – një brez i qethur pa bimësi dhe i prekshëm nga mjetet dhe njerëzit që ndajnë qendrat e banuara nga pylli. Kjo nuk do shumë investim. Thjesht e kemi harruar që e kemi patur në çdo fshat dhe qytet. Ka qytete ku ende mund të shihen gjurmët e këtij brezi, sidomos në ato të braktisurat e pashfrytëzuara për ndërtime. Mos prisni ta shihni në Vlorë, Durrës apo Sarandë, por në Delvinë apo Rrogozhinë mund ta gjeni diku.

Nga ana tjetër, duhet një strategji e qartë e burimeve hidrike në funksion të zjarreve, dhe duhen ndërtuar rezervuarë e liqene aty ku ka mundësi, në faqet e maleve. Tani e tutje, beteja me zjarret do të jetë e përvitshme dhe gjithnjë e më e egër. Është lufta e re e njeriut me natyrën në shekullin XXI, dhe nuk ndodh vetëm në Shqipëri. Sado piromanë të kemi, ka edhe plot arsye të tjera pse do kemi zjarre, ndaj të mos fokusohemi vetëm tek dënimet, por edhe tek parandalimi.

Së treti, kultura antizjarr duhet futur në çdo shkollë, në çdo institucion shtetëror, në çdo leje ndërtimi dhe planifikim urban të çdo fshati, qyteti apo zone turistike. Në një vend ku jepen leje për kulla, aq më tepër duhet të ketë një studim për efektet e zjarrit në to – sepse tek ne mund të rezultojë fatale, me zjarrfikëset e prishura që kemi. Pra, beteja kryesore është beteja e infrastrukturës kundër zjarrit.

Pastaj vjen beteja tjetër – ajo e luftës me zjarrin vetë. Kjo është më e njohura dhe më e thjeshta, vetëm se do shumë para. Shqipëria ka nevojë të kontraktojë një flotë zjarrfikësesh nga ajri dhe të shtojë në mënyrë urgjente flotën e zjarrfikësve tokësorë, që mund ta menaxhojnë vetëm nëse arrijmë të ndërtojmë atë që thashë më sipër: rrjetin e përshkueshëm të maleve me rrugë emergjence, sipas një studimi profesional të bllokimit të zjarrit.

Shtimi maksimal i zjarrfikësve në tokë dhe blerja e orëve të fluturimit të avionëve zjarrfikës dhe helikopterëve është një kosto e lartë, por e domosdoshme. Pasi të kemi ndërtuar infrastrukturën kundër zjarrit dhe mjetet kundër zjarrit, atëherë duhet të fokusohemi tek dënimet ligjore për zjarrin. Këtu policia duhet t’u kthehet metodave të survejimit dhe identifikimit në terren të personave problematikë – piromanë, barinj të papërgjegjshëm që mendojnë se duke djegur kullotat shpëtojnë delet (ndërkohë që djegin delet dhe fshatin), si dhe zjarrvënës të qëllimshëm që shpesh frymëzohen nga politika.

Por kjo është e fundit që duhet të bëjmë. Para kësaj, na duhet të ndërtojmë një infrastrukturë të tërë kundër zjarreve, një flotë të fuqishme për t’i fikur dhe pastaj një legjislacion e rrjet policor kundër piromanëve, që mezi presin të kënaqen duke parë si përpijnë flakët Shqipërinë.

The post Beteja me zjarret duhet të kthehet në një betejë 12-mujore first appeared on JavaNews.al.

Nëse gazetarët që protestojnë e kanë vërtet për lirinë e shtypit…

By: Mero Baze
11 August 2025 at 18:13

Nga Mero Baze

Protesta simbolike e gazetarëve të News 24, kundër marrjes së zyrave nga qeveria për shkak të problemeve të pronarit të kompanisë, ka kuptim si solidaritet me pronarin. Madje, nga një anë, më duket një besnikëri për t’u admiruar ndaj tij. Nuk është e lehtë që gazetarët e një redaksie të madhe të jenë të gjithë solidarë me pronarin në një moment të tillë të vështirë, për shkak të problemeve që ka me qeverinë, qofshin ato financiare apo politike.

Dhe për këtë, ata janë një shembull i pazakontë besnikërie në raportet mes gazetarëve dhe pronarit në Shqipëri.

Por artikulimi i tyre publik ka një problem kur flasin për goditje ndaj lirisë së shtypit. Kjo është një goditje shumë e rëndë për pronarin e kompanisë dhe për të ardhmen financiare të tyre, çka mendoj se e tejkalon rrezikun për lirinë e shtypit. Kjo goditje mund të shërbejë edhe si një arsye që ata, për disa muaj, të mos marrin rroga apo të kenë pasiguri për të ardhmen.

Por e vetmja gjë që unë mendoj se ata e kanë fituar nga kjo goditje është liria e shtypit. Për atë, ata duhet të gëzoheshin. Në një moment të tillë krize personale mes pronarit dhe qeverisë, të dalësh e t’i bësh thirrje qeverisë si gazetarë të rikthejë raportet normale me pronarin e tyre, nuk është kërkesë për rikthimin e lirisë së shtypit, por kërkesë për t’u kthyer nën kontrollin e qeverisë. Raportet e pronarit me qeverinë kanë qenë një histori e “diskriminimit pozitiv” të tij në raport me shumë media të tjera, përjashto grupin Klan.

Ai, pikërisht për shkak të raporteve me pushtetin, është bërë një ndërtues i madh, ka përfituar prona publike që nga Berisha e deri tek Rama. Ndoshta e keni harruar, por blloku i ndërtesës tek rruga “Panorama” afër Hipotekës ka qenë uzinë shtetërore, dhe Sali Berisha ia ka dhënë në vitin 2008 duke e “këmbyer” me një tokë që kishte në Yzberisht, e cila nuk vlente asnjë lek. Privatizimi i pronave publike tek “Qyteti i nxënësve”, ku ka një bllok të madh apartamentesh, po ashtu. Marrja e konviktit të Gjuhëve të Huaja dhe kthimi në universitet privat, gjithashtu. Kontratat tek Autotraktorët po ashtu kanë qenë shumë favorizuese. Pra, historia e tij si biznesmen është histori favorsh nga pushteti.

Kjo mund të ketë prodhuar miliona, por mos më thoni që ka prodhuar liri shtypi. Kriza e tanishme është qartazi një krizë mes pronarit dhe qeverisë, por nga ana tjetër është një moment fatlum nëse gazetarët e tij duan vërtet liri shtypi. Solidariteti i tyre me pronarin është i lavdërueshëm nga pikëpamja njerëzore, por vajtimi se tani po humbasin lirinë e shtypit është kontradiktor. Ata tani po e fitojnë lirinë e shtypit, pasi tani janë të lirë nga hallet e pronarit me pushtetin.

Ata duhet ta festojnë nga kjo pikëpamje fillimin e një ere të re të lirisë së shtypit në kompaninë e tyre.

Presioni i tyre që qeveria të tërhiqet e të bëhet prapë mike me pronarin është fatal për lirinë e shtypit. Pastaj ata nuk kanë më asnjë shpresë. E kam fjalën nëse qajnë vërtet për lirinë e shtypit.

The post Nëse gazetarët që protestojnë e kanë vërtet për lirinë e shtypit… first appeared on JavaNews.al.

Irfani po diskriminohet, duke u hequr nga lista e të privilegjuarve

By: Mero Baze
9 August 2025 at 16:57

Nga Mero Baze

Anila Jole më zgjoi nga gjumi sot në mëngjes për të më treguar çfarë po ndodhte. Ishte e tronditur dhe më kujtoi ditën kur policët kishin rrethuar redaksinë e gazetës Tema në janar të vitit 2009. Nuk është rasti i njëjtë dhe as i krahasueshëm politikisht, por është një skenë e ngjashme.

Ka tre debate sot për marrjen e zyrave që ka përdorur për 25 vite me qira News 24.

Debati i parë është kritika e disa gazetarëve ndaj shumicës së mediave që nuk i japin zë asaj që po ndodh me zyrat e News 24. Në fakt, ky është një debat paksa spekulativ. E vetmja gjë që duhet të bëjë media sot është të pasqyrojë atë që ndodh, sepse nëse i hyn me themel një raporti të thellë se çfarë ndodh dhe pse po ndodh, nuk është se kjo shkon shumë në favor të pronarit të News 24.

Gazeta Tema ka pasqyruar çdo zhvillim dhe opinionet rreth ngjarjes, shumica e të cilave nuk përputhen me ato të gazetës sonë. I kam publikuar, pasi shumica e këtyre gazetarëve janë shembull i heshtjes dhe mungesës së solidaritetit kur gjëra të tilla i ka bërë udhëheqësi i tyre shpirtëror, Sali Berisha. Madje kanë qenë brutalë dhe zemërzinj në gëzimin publik që kanë shfaqur. Shumë prej tyre janë ende online. Ndaj na i kurseni moralin për solidaritetin.

Rasti i News 24, nga pikëpamja formale, nuk është si asnjë rast tjetër në median shqiptare më parë — as si Koha Jonë, as si Tema, as si Top Channel. Është një rast atipik dhe i kundërt, pasi po del nga lista e mediave që qeveria i mban mirë me tendera dhe prona publike. Pra, lajmi i keq për pronarin është se po bëhet media e pavarur, çka ai e urren. Lajmi i mirë për gazetarët është se do të vazhdojnë punën sa të gjejnë një zyrë të re, pasi nuk u është marrë licenca, por vetëm zyrat. Uroj te fillojnë punë sa më shpejt dhe të mos destabilzohet e ardhmja e punësimit të tyre.

Akoma më mirë është dhe për opozitën, se gjeti më në fund një kauzë në këto ditë të nxehta, kur vetëm Berisha nuk ka shkuar në plazh ngaqë i kanë sekuestruar vilën si familje nën akuzë për korrupsion. Irfani ka shanse të bëhet lideri i tyre për disa javë.

Ndryshe nga News 24, gazeta Tema kishte një kontratë të ngjashme 25-vjeçare në vitin 2007, dhe një vit më vonë, duke shpikur gazetën si “rrezik për sigurinë kombëtare”, Sali Berisha me ish-ushtarin e bindur Bujar Nishani rrethuan redaksinë me policë dhe nuk na lejuan të hynim brenda. Nuk ishte se kishin prishur kontratën. Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë i urdhëroi të mos pengonin gazetarët dhe mbrojti kontratën, por Bujar Nishani, si një zvarranik i vërtetë, thoshte: “Nuk po pengojmë gazetarët, por kemi rrethuar një territor se rrezikohet siguria kombëtare.” Deklaratat i botonte në faqen e parë të gazetës Panorama, që i jepte zë dhunës së Sali Berishës ndaj gazetës.

The post Irfani po diskriminohet, duke u hequr nga lista e të privilegjuarve first appeared on JavaNews.al.

Kritikët opozitarë të Kodit Penal, janë pro një Kodi represiv

By: Mero Baze
8 August 2025 at 20:28
Nga Mero Baze

Ka dy lloj akuzash ndaj Edi Ramës për Kodin e ri Penal, edhe pse ai vetë nuk ka ndonjë qëndrim publik rreth ndonjë tendence të caktuar.

Të parët, përfshi edhe mua, e akuzojnë grupin e punës së qeverisë se po përgatit një Kod represiv, që shkon në të kundërt të forcimit të lirive themelore të qytetarit dhe që rrit varësinë e Shqipërisë nga pushteti i prokurorëve dhe gjyqtarëve të korruptuar të vendit. Nenët me plot ekuivoke, dënimet e larta dhe adresimi i burgut për çdo kundërvajtje rrisin në maksimum shanset që të kemi një drejtësi arrogante dhe të korruptuar, pasi presioni që ushtron mbi qytetarin pushteti i tyre në momentin e hetimit dhe gjykimit është shumë i lartë për shkak të Kodit. E thënë më thjesht, një Kod Penal që u rrit pazarin prokurorëve dhe gjyqtarëve.

Nuk po diskutoj ato nenet për agjitacion e propagandë apo tradhti ndaj atdheut, pasi ato i zhbën filtri i Bashkimit Europian.

Tendenca e dytë për kritika është ajo e opozitarëve të qeverisë, të cilët çuditërisht e akuzojnë Edi Ramën për të kundërtën e kësaj. E akuzojnë se ai po zbut dënimet për nëpunësit që bëjnë kundërvajtje administrative, duke tentuar të mos i quajë më vepra penale.

Madje kanë marrë këtë rast, që është ende sporadik në projekt, dhe gjithë betejën kundër Kodit e kanë mbështetur tek fakti që Edi Rama po bën një Kod që të mos dënohen nëpunësit zyrtarë, duke ia lënë pastaj në dorë fantazisë së Fatos Lubonjës, i cili flet dhe shkruan “me të dëgjuar” se ky Kod po bëhet që Rama të shpëtojë të korruptuarit dhe të bëhet autoritar. Hajde bëji bashkë të dyja!

Edi Rama nuk ka ndonjë shans të bëhet autoritar përmes Kodit Penal, por përmes pushtetit politik, që tani, edhe për shkak të kësaj opozite, e ka të plotë. Kodi represiv bën autoritarë prokurorët dhe gjyqtarët, pra e shndërron Shqipërinë nga Republikë parlamentare në Republikë prokurorësh. Përpjekja për të normalizuar ndëshkimet për nëpunësit e shtetit, po ashtu, jo vetëm që nuk e bën autoritar, por kthen në normalitet administratën e frikësuar, që nuk pranon të firmosë dhe që ka gjasa askush të mos kërkojë më të shkojë në një zyrë shteti për punë.

Kjo duhet të jetë e vetmja opozitë në botë që sulmon atë pjesë të Kodit që nuk është represive dhe në vend që të bëjë betejë për liritë themelore të qytetarëve, bën betejë kundër lirisë së nëpunësve publikë që të mos terrorizohen nga Republika e prokurorëve.

Dhe kur mendon pastaj se këta duan të vijnë në pushtet në emër të qytetarëve, të duket sikur e kanë ndarë mendjen që nuk vijnë dhe me këtë rast të hakmerren ndaj qytetarëve që nuk i votojnë.

The post Kritikët opozitarë të Kodit Penal, janë pro një Kodi represiv first appeared on JavaNews.al.

Dy arsye pse Albin Kurti i ktheu protestuesit e sotëm në kundërshtarë

By: Mero Baze
7 August 2025 at 20:37

Nga Mero Baze

Albin Kurti mund t’ia kishte ulur rëndësinë politike protestës së sotme madhështore në Prishtinë në mbështetje të udhëheqësve të UÇK që po gjykohen në Hagë. Mund t’ia kishte ulur rëndësinë dhe të bëhej lider i asaj proteste edhe për shkak të një vendimi politik që ka mbajtur kundër krijimit të Gjykatës Speciale më 2015.
Në një farë mënyre mund të dilte e të thoshte që kjo ka qenë kauzë e tij e vjetër.
Dhe kështu do të sfumonte gjithë sfondin politik të kësaj proteste, e cila mes të tjerash drejtohet edhe kundër tij. Ose, së paku, është e motivuar nga qëndrimet e tij politike po aq sa dhe nga sjellja e prokurorëve në Hagë.

Nëse ai dhe Vetëvendosja do të dilnin sot e të thoshin “erdhët më në fund në qëndrimin tonë”, ata thjesht do të kishin ulur eksitimin politik që shkakton protesta në Kosovë në zemër të një fushate elektorale për zgjedhjet lokale dhe në prag të dështimit të zgjedhjeve të fundit parlamentare.

Nuk e bëri për dy arsye.

E para, se kauzën kundër Gjykatës Speciale e ka pasur false. E ka pasur kauzë kundër Perëndimit dhe jo kundër Gjykatës Speciale. Duke qenë se Gjykata ka qenë një imponim i SHBA dhe BE, ai aty nuk ka përfaqësuar dashurinë për UÇK, por qëndrimin e tij tashmë të konsoliduar kundër Perëndimit. Pra ka demonstruar profilin e tij politik anti-perëndimor.
Po ta kishte atë kauzë pro-UÇK, do të ishte sot në protestë. Ai në fakt i ka qëndruar besnik motiveve përse ka votuar kundër Gjykatës Speciale, pasi vazhdon të jetë kundër Perëndimit. Dhe kjo është arsyeja pse ato kërkesat e tij për votimin kundër më 2015 nuk i bëjnë përshtypje askujt dhe u duken bajate. Nuk e ka pasur votën pro UÇK, por kundër Perëndimit.

Së dyti, ai e refuzon këtë protestë jo aq sepse është protestë kundër Gjykatës Speciale, por sepse e di që është kundër tij. Ata njerëz në shesh, më shumë se Haga, i egërson qëndrimi cinik i qeverisë së tyre ndaj fatit të udhëheqësve politikë dhe bllokimi i një ndihme zyrtare për ta.

Duke qenë e tillë, kjo protestë bëhet edhe më shumë politike, edhe më shumë elektorale, edhe mbi të gjitha edhe më shumë anti-Albin se çdo protestë tjetër në Kosovë. Është një protestë që e ka ndarë shoqërinë e Kosovës jo pro dhe kundër UÇK, por pro dhe kundër Albin Kurtit. Dhe kjo duhet t’i jetë dukur mbrëmja më e gjatë e këtyre pesë viteve në pushtet.

The post Dy arsye pse Albin Kurti i ktheu protestuesit e sotëm në kundërshtarë first appeared on JavaNews.al.

Saga e Papavramëve, ose të jesh “pasardhës”

By: Mero Baze
5 August 2025 at 10:57

Nga Mero Baze

Robert Papavramin e kam takuar fizikisht kur kryeministri Edi Rama, i cili është dhe një nga njerëzit që ka komunikuar gjithë jetën me të si njeriu më i afërt, e dekoroi atë në Nëntor të vitit 2014. Shkëmbimet e mesazheve në distancë me Papavramin, deri atëherë më kishin kompleksuar, për shkak të vëmendjes së tepërt që ai kishte ndaj artikujve të mi duke më vënë nofkën “antiLenin”.

Por për herë të parë për të kam dëgjuar fjalë të rënda nga ish Sekretari i Parë i Rinisë së KQ të PPSH pas arratisjes së tyre. Na bën një mbledhje në Pallatin e Kulturës “Studenti” dhe “Sekretari i Parë” foli për familjen e degjeneruar të Tedi Papavramit që “hëngrën bukën e shokut Enver dhe përmbysën kupën”. Interesante ishte se të gjithë ata që donin të shpjegonin një gjë më tepër pas kësaj “damkosje”, flisnin për Bertin, profesorin e famshëm të Liceut, që kishte “masakaruar” të birin me disiplinën e tij dhe kish krijuar mitin e profesorit rebel.

Pasi u takuam u çlirova, pasi mu duk se atë e njihja prej kohësh. Kur u largua më dërgoi një mesazh nga Athina, para se të mbërrinte në Francë. Dhe më tej ruajtëm një raport në distancë duke shkëmbyer mesazhe dhe dhurata, zakonisht një shishe grapa që ai nuk harronte të ma dërgonte kurrë me të njohurit e tij që vinin për Krishtlindje në Tiranë.

Saga e Papavramëve, ose të jesh “pasardhës”

I dashtun Z. Mero,

Njohja me juve ishte vitit se bashku me Medaljen e Edit.

Ju falenderoj per artikullin e bukur e sidomos per moralin e tij.

Besnik deri ne fund … Ndrove dhe fotografine, gjynah qe mungonte

nji stilograf i vertete …. (ne foto) megjithate falenderime dhe per kete

Edhe nji here falenderime dhe qe pranuat te vinit ne takim.

Gjynah qe smund te rri pak me gjate

Koke me koke (me koken e madhe… Te ANTILENINIT sqiptar)

Me respekt (vertete) te vecante, duj te urua te gjtha te mirat

Përshëndetje Prof. Berti!

Kur Edi më tha se duhet të vish të takosh një lexues tëndin, pata mëdyshjen që ka xhelati me viktimat e veta, pasi shumë nga lexuesit e mij nuk më lexojnë nga qejfi, por nga halli. Kur më tha kush ishe, mu duk sikur e mora unë atë medaljen e Mirënjohjes dhe lashë çdo plan të së djelës.

Më pyeti Edi më pas dhe më tha a ta duk si fëmijë Roberti?

-Po i thashë dhe ka një shpjegim për tipat e palëkundur si ai. Naivitetin fëminor e kanë si bindje për çdo objektiv të tyre. Besojnë si fëmijë dhe luftojnë si të çmendur. Faleminderit që të njoha.

Mero

Po ribotojë sot në ditën e ndarjes me të, editorialin e vitit 2014, kur ai mori mbprasht vlerësimin për betejat e jetës së tij.

Saga e Papavramëve, ose të jesh “pasardhës”

Nga Mero Baze

Sot kam takuar nga afër Bert Papavramin. Në sallën e hartave në Kryeministri, ku ai mori një dekoratë mirënjohjeje nga kryeministri i Shqipërisë, ai mbajti një leksion të dhimbshëm, të pashkruar askund mbi sagën e Papavramëve. Duke përjetuar dramën e të qenit në qendër të një brezi të shquar Papavramësh, ai u rrit, siç e tha dhe vetë, si “djali i doktorit” më të shquar shqiptar, dhe po ikën nga bota, si baba i djalit më të talentuar shqiptar.

Të gjithë që folën, vizatuan karakterin e tij të fortë, pedagogun e rreptë deri në diktator, dhe skalitësin e vullnetit të djalit të tij të talentuar që një ditë t’ia dilte dhe të sundonte botën me Stradivarin e tij.

Por, përse Prof. Papavrami meriton më shumë se një dekoratë mirënjohjeje?

Shqipëria është një vend pa histori elitash të trashëgueshme. Është një lloj vendi ku shfaqen udhëheqës pa pasardhës, gjeni të keqkuptuar dhe anatemuar, dhe milionerë që shndërrijnë e shuhen si xixëllonja.

Ne kishim një mbret, i cili për kohën ndoshta ia doli të sundonte me marifetet shqiptare, dhe që arriti të formësonte një identitet të shtetit shqiptar, por që nuk ia doli të lërë pasardhës të nivelit të tij. Ne kishim një diktator që sundoi Shqipërinë 50 vjet, por që përveç shkretëtirës ekonomike dhe morale që la pas, nuk la as ndonjë pasardhës për të qenë. Ne kishim një njeri që hoqi zvarrë këtë vend për 24 vjet dhe vazhdon të zvarritet akoma, që simbol të pushtetit të tij bëri “Familjen” makute, që përdor pushtetin për t’u pasuruar dhe rrezaton banalitet, mediokritet, inferioritet dhe tek brezi i dytë dhe një urrejtje ndaj Shqipërisë që nuk vazhdoi ta mbajë në pushtet Supergjyshin.

Ne kemi gjeni si Ismail Kadareja, të cilët mjedisi meskin shqiptar nuk i gjykon nga veprat, por nga muhabetet e shitëses së djathit në lagje, dhe nga fakti pse ia doli të mos burgosej nga Enver Hoxha. E gjithë duket një përpjekje për të vrarë çdo gjeni që mund të lindë në këtë vend, me një “kamë” banale të smirës që kemi ndaj vlerave.

Këto 25 vjet ne kemi parë dhe njohur miliarderë të bërë brenda vitit, që po brenda disa vitesh u harrohet emri, ose bëhen për anekdota. Akoma nuk kemi një milioner shqiptar, i cili të na bindë se do ketë dhe djalin e stërnipin e tij, po të suksesshëm në biznes. Tani jemi të mbushur me drama fëmijësh që i kishin baballarët milionerë dhe janë pa perspektivë.

Bert Papavrami është një përjashtim i madh i historisë së Shqipërisë, pasi ai ishte djali i doktor Papavramit, që të vriste me emrin dhe peshën e rëndë të autoritetit të tij në kohën që jetoi, dhe ia doli të ishte një pasardhës. Dhe këtu nuk i la shumë kohë vetes të krekosej si i tillë, por i hyri punës të linte dhe pasardhësin e tij.

Tedi Papavrami, ndoshta do t’ia tregojë varrit ç’ka hequr nga i jati derisa të bindej se nuk ishte fëmijë i zakonshëm, por duhet të ishte me detyrim, në mos një violinist i madh, një Papavram i madh. Sot ia ka dalë, por natyrisht me çmimin e rëndë që të diktojnë rregulla të tilla dragoniane, për të qenë një pasardhës. Saga e Papavramëve është e tillë, që për të mbetur Papavram, diçka duhet të lësh rrugës. Doktor Papavrami la pleqërinë në internim për t’u hapur rrugë dy pasardhësve të vet. Prof. Papavrami shpërndau talentin e tij si grimcat e arit në një zall lumi që nuk i shikon askush, për të mbushur Shqipërinë me violinistë të talentuar si Spahiu, Skënderi dhe djali i tij, Tedi. Ky i fundit natyrisht që sakrifikoi fëmijërinë e tij, për të qenë ky që është sot. Ai nuk pati lodra, nuk u gërvisht kurrë në fusha futbolli dhe as u rrah dot me shokët e lagjes, pasi një xhelat i rrinte tek koka për ta bërë pasardhës.

Tani ia kanë dalë. Doktor Papavrami nuk ka peng asgjë nga ato që i ndodhën pas ikjes së dy pasardhësve. Tedi natyrisht që mund të vajtojë fëmijërinë, por jo suksesin që arriti. Por mbi të gjithë këta, Bert Papavrami ka meritën të ishte kyçi i sagës së Papavramëve. Ai vendosi të ketë një dinasti të tillë dhe ia arriti. Sikur disa shqiptarë më shumë të bënin atë që ka bërë ai, Shqipëria do ishte një vend më fisnik, me më shumë pasardhës, me më shumë familje të mëdha dhe jo “Familje” mafioze banale në pushtet, me më shumë mbiemra që rëndojnë shumë herë më tepër se llogaritë e fryra të këtyre që vijnë, mjelin Shqipërinë dhe ikin.

Mos u trishto Prof. Berti. Edhe Doktor Papavrami, edhe Tedi Papavrami, ndoshta s’do kujtoheshin, po të mos i mbaje ti në shpinë dhe t’i nxirrje në breg. Nga një pinjoll prej një dere, në këtë vend kemi pasur plot! Për të pasur tre rresht, duhet një Bert Papavrami në mes. Këtu është diferenca mes atyre që lind Zoti dhe atyre që rriten si pasardhës.

The post Saga e Papavramëve, ose të jesh “pasardhës” first appeared on JavaNews.al.

Avokati i Popullit duhet të hetojë linçimin politik të Metës dhe Veliaj si dy “bedelë” të Reformës në Drejtësi

By: Mero Baze
3 August 2025 at 20:10

Nga Mero Baze

Avokati i Popullit ka njoftuar se ka marrë kontakte në burg me Ilir Metën dhe Erion Veliajn gjatë ditëve të fundit lidhur me pretendimet e tyre rreth tejkalimit të dhunës psikologjike dhe fizike në burg nga autoritetet zyrtare të burgjeve dhe presionit të SPAK mbi ta. Ende nuk ka ndonjë komunikatë zyrtare të Avokatit të Popullit mbi përmbajtjet e denoncimeve të tyre, por për publikun është pak a shumë e qartë fakti që Ilir Meta ka më shumë se një vit në paraburgim, nën pretendimin se mund të ndikonte mbi hetimet apo të arratisej. Veliaj ka hyrë në muajin e shtatë me të njëjtin arsyetim.

Kjo është hera e parë, qysh pas arrestimit të Fatos Nanos në Shqipëri, që dy politikanë të lartë ankohen për shkelje të të drejtave të njeriut në burg, edhe pse tek rasti i Fatos Nanos padrejtësi ishte arrestimi dhe jo aq trajtimi në burg.

Në rastin në fjalë i kanë të dyja.

Nuk jam i qartë për çfarë ka hetuar inspektori i Avokatit të Popullit, por për mendimin tim ai mund ta bënte një raport dhe pa shkuar fare në burg. Si dy figura me profil të lartë politik, ata natyrisht duhet të krahasohen me të ngjashmit e tyre të burgosur vitet e fundit, madje dhe të ngjashmit nga i njëjti kamp politik.

Fjala vjen, Erion Veliaj duhet të krahasohet me mënyrën se si autoritetet në burgje kanë trajtuar Saimir Tahirin, Ilir Beqajn, Vangjush Dakon, Lefter Kokën, Alqi Bllakon etj.
Sjellja është tërësisht e ndryshme, madje e pakrahasueshme. Për fat të mirë me të tjerët janë sjellë normal, madje dhe liberal në shumë praktika, kurse në rastin e Veliajt ka një diskriminim të qartë, gati në formë linçimi, që fillon me rrethin e tij familjar dhe përfundon me mënyrën se si sillen me të në burg, sikur kanë kapur kreun e ISIS.

Përpara skandalit të fundit të Ulsi Manjës, që i çoi 30 forca speciale për ta shoqëruar në 250 metra rrugë përballë burgut ku ishte klinika, dëgjova dhe lexova lajme që në fillim mu dukën përpjekje për t’u tallur. Në një prej tyre thuhej se Veliaj nuk është i sëmurë por do shkojë në spital se do të takojë Mero Bazen. Këtë e boton portali i një fundërine që mburret gjithe diten që pi kafe me Dumanin dhe Olsi Dadon si dhe një TV që është sekuestruar ngaqë pronari është trafikant droge, por qeveria dhe Ulsi Manja nuk guxon të shkojë t’i marrë çelësat dhe pas vendimit të Gjykatës së Lartë. Ky pra, që i dërgon 30 policë një ish-kolegut të tij në burg për ta terrorizuar, Ylli Ndroqit nuk guxon t’i çojë një përmbarues t’i marrë çelësat e pronave që i ka sekuestruar shteti, për të mos thënë që bën pazare me të.

Pas aksionit, disa miq të mi më thanë se jo vetëm Ulsiu, por dhe Olsi Dado, ishte bërë gati të më “arrestonte” po të më gjente në spital.Pastaj më thanë se vet Ulsiu ja ka raprtuar këtë kryeministrit dhe disa ministrave se “ishte e detyruar të çonte forcat speciale” se ai do takonte Mero Baze. Vetëm unë nuk e dija që Veliaj do shkonte në spital dhe që unë do shkoja ta takoja.

Kjo çmenduri e ushqyer nga mashtrues ordinerë, që për fat të keq janë dhe ministra, vjen e gjitha nga fakti që janë vegla të një mekanizmi përsekutimi politik ndaj një njeriu të pafajshëm, tashmë që është në burg dhe shpikin arsye pse kanë mobilizuar forca policore. Unë as kam bërë ndonjë kërkesë të takoj Erion Veliajn dhe as më duhet ta takoj, se nuk kam ndonjë hall për të sqaruar me të. Shokët dhe miqtë e tij në qeveri, po i ka marrë malli, le t’i marrin leje Ulsiut. Por shpifje të tilla për të justifikuar linçimin ndaj tij, janë të neveritshme dhe burojnë nga ligësia e epsheve të pushtetit ndaj një njeriu që tani është në burg.

E njëjta gjë dhe me Ilir Metën. Nëse e krahasojmë atë me të ngjashmin e tij Sali Berisha apo dhëndrrin e tij, skena është krejt e ndryshme. Berisha ka një akuzë më të rëndë se Ilir Meta, por është i lirë bashkë me dhëndrrin e tij qysh pas muajit të parë të marrjes nën hetime, pa qenë i pandehur, dhe shumë mirë që është bërë kështu. Kurse Ilir Meta mbahet mbi një vit në burg. Arsyetimi “politik” i njerëzve të SPAK të krijon idenë se ata janë duke i çuar mesazh Berishës që: “Ty dhe djalin nuk po ju biem më qafë nga opozita, por për ju po çojmë ‘bedel’ Ilir Metën”. Kështu, ish-presidenti, ish-kryeministri dhe ish-kryeparlamentari mbahet në paraburgim, jo për ndonjë akuzë për tradhti kombëtare apo rrezik për sigurinë kombëtare, çka mund ta justifikonte, por mbahet në paraburgim se ish-gruaja e tij ka përdorur një kartë krediti të një kushëriri që besohet se ka bërë korrupsion në emër të tyre.

Pra logjika politike e këtyre ndëshkimeve është që: nga pushteti po bëjmë “bedel” Veliajn, nga opozita po bëjmë “bedel” Metën dhe kështu quhen të balancuara politikisht.

Për këtë arsye, një hetim i qartë i Avokatit të Popullit duhet jo vetëm të bëjë publike pretendimet e tyre të verifikuara, por t’i krahasojë dënimet dhe linçimet e tyre edhe me politikanë të tjerë të së njëjtës krah politik, për të kuptuar se ata po linçohen politikisht. Dhe linçimi politik në demokraci është shumë herë më i rëndë se shkelja me këmbë e të drejtave të qytetarëve të thjeshtë për arsye korruptive apo papërgjegjësie institucionale. Të rënda janë dhe ato, por ato janë sëmundje të sistemit tonë. Rikthimi i linçimeve politike është një dramë që kemi mbyllur me grupet armiqësore të Enver Hoxhës, që nga Tuk Jakova deri tek Kadri Hazbiu. Ramiz Alia, për hir të së vërtetës, nuk e ka bërë këtë. Rikthimi i linçimit selektiv politik në vitin 2025 tregon shumë për atë se çfarë drejtësie po bëjmë.

The post Avokati i Popullit duhet të hetojë linçimin politik të Metës dhe Veliaj si dy “bedelë” të Reformës në Drejtësi first appeared on JavaNews.al.

Paradoksi i reagimit opozitar kundër projekt Kodit të ri Penal

By: Mero Baze
2 August 2025 at 20:56

Nga Mero Baze

Vitin e kaluar, kur shumica në pushtet propozoi ngritjen e Komisionit të posaçëm “anti-korrupsion”, i njohur si “Komisioni Xhafa”, gjithë kritikat e opozitës, madje dhe një pjesë e institucioneve të drejtësisë, iu kundërvunë se ai do të zhbënte nenet represive të Kodit Penal, do të frenonte SPAK lidhur me praktikat abuzive kundër lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, duke pasur disa raste konkrete, si dhe do të shërbente për të futur drejtësinë nën kontroll të Edi Ramës për shkak të frikës së tij se drejtësia po përdorej si armë kundër ministrave të tij dhe zyrtarëve të lartë shtetërorë.

Të gjitha këto akuza janë publike dhe kanë qenë pjesë e parashikimeve që ka shoqëruar Komisionin “Xhafa”, i cili e mbylli punën bashkë me mandatin e Kuvendit të vjetër dhe nuk dihet a do ta rifillojë prapë në Kuvendin e ri.

Pra, paranoja kolektive ishte se Komisioni do të rekomandonte thjeshtim dhe qartësim të Kodit Penal për të frenuar stilin represiv, tendencat për përndjekje politike dhe krijimin e një gjendje pasigurie për nëpunësit e shtetit lidhur me interpretimin e klauzolës së “shpërdorimit të detyrës” apo rasteve të tjera.

Në të njëjtën kohë qeveria premtoi një Komision të së vërtetës, ku do të dëshmonin njerëz të hetuar nga prokuroria speciale, pra nga SPAK-u, lidhur me metodat e hetimit, kërcënimet “off record” të prokurorëve që kërcënonin personat nën hetim me burg, apo me lincimin e familjes duke u përmendur fëmijët gjatë hetimit, apo drejtimin e gishtit tregues nga qelitë e burgut 313, ngjitur me ndërtesën e SPAK-ut. Raste që disa dëshmitarë ia kanë atribuar, për shembull, prokurorit Olsi Dado. Disa prej tyre i ka bërë publik edhe kryeministri Edi Rama.

Pra, gjithë opozita ka qenë nën paranojën se Edi Rama po bënte një Kod liberal për të shpëtuar veten dhe, duke llogaritur refuzimin e SPAK-ut dhe të prokurorit të përgjithshëm për të marrë pjesë në këtë komision, po krijohej ideja se opozita po mbronte SPAK-un nga minimi i autoritetit të tij prej qeverisë, edhe pse vetë publikisht ishte armiku më i madh i SPAK-ut.

Tani, me bërjen publik të draftit tragjikomik të Kodit të ri Penal, që është një kombinim i mediokritetit, pafatësisë, ligësisë njerëzore dhe mbi të gjitha dëshirës për t’u shfaqur si zelltarë regjimorë, opozita me të drejtë është tërësisht kundër dhe akuzon qeverinë se po vendos diktaturën.

Në fakt, ky është pretendim i tepërt, sepse ai Kod nuk kalon kurrë nëse ne kemi ndërmend të shkojmë drejt Bashkimit Evropian, por sidoqoftë tregon dëshirat e zelltarëve të Edi Ramës se si e duan ata pushtetin gjyqësor.

Por, le t’i lëmë në të drejtën e tyre për ta kundërshtuar atë ashpër si gjithë ne të tjerët.

Puna është se opozita duhet ta ndajë tani se çfarë do: do Komisionin Xhafa, që kërkon të dalë me rekomandime për të reformuar politikën penale dhe aktet represive me tendencë politike që janë shfaqur, ku prokurorët e SPAK-ut nuk nisen nga çështjet, por nisen nga emrat dhe gjejnë problemet, apo do këtë Kodin e ri penal të Ulsiut.

Ne dëgjojmë prokurorët e SPAK-ut që, kur flasin për brutalitetin e tyre dhe dënimet pa shkak, të përmendin përqindje, a thua se dënimi pa faj i një përqindjeje më të ulët njerëzish është arritje, sepse mund t’i dënonin të gjithë pa faj.

I keni vënë re kur thonë tani që telefonat nuk do merren më pa vendim gjykate? Ou! E që i kanë marrë deri tani pa vendim gjykate, kush mban përgjegjësi për ekspozimin e jetës private të qytetarëve te fundërinat e shtypit që kontrollon SPAK-u?

Ne duam të dimë cila është tendenca e opozitës në këtë rast: a është për një reformim dhe çlirim të politikës penale nga republika e prokurorëve, apo thjesht do të shajë Kodin e Ulsiut, i cili qysh tani është kthyer në letër higjienike.

Ky është rasti kur opozita duhet të përfshihet si institucion në debat dhe jo si shoqëri civile me status në Facebook apo konferenca shtypi. Pra, duhet të dimë edhe ne të tjerët se ç’tendencë ndjek opozita: a është për ashpërsimin e Kodit siç po propozohet, apo për reformimin e tij drejt një kodi normal dhe demilitarizimin e tij nga represioni i prokurorëve dhe papërgjegjësia e tyre për të drejtat themelore të njeriut në Shqipëri, çka është dallimi kryesor mes një drejtësie në liri dhe një drejtësie në diktaturë.

Diferenca mes Kodit Penal të diktaturës dhe demokracisë janë vetëm liritë themelore të njeriut. Pjesa tjetër në diktaturë ka qenë më korrekte dhe më e ashpër ndaj krimit dhe mbi të gjitha gjyqtarët dhe prokurorët kanë qenë kristal të ndershëm në raport me këta që kemi.
Por ne kemi zgjedhur lirinë e qytetarëve dhe jo lirinë e prokurorëve për t’i dhunuar ata, për t’u dukur edhe si Arianit Çela, edhe si Zylyftar Ramizi edhe si Prel Martini.

The post Paradoksi i reagimit opozitar kundër projekt Kodit të ri Penal first appeared on JavaNews.al.

Sikur liria jonë të ishte në dorë të Ministrit të Drejtësisë së Shqipërisë?

By: Mero Baze
1 August 2025 at 19:38
Nga Mero Baze

Nuk besoj se do të kemi një Kod Penal si ky që është shkruar nga “ekspertët” e Ministrisë së Drejtësisë, pavarësisht alarmit që na shkakton të gjithëve, por e sigurt është që nuk kemi Ministri Drejtësie.
Madje kemi një ministër tinzar, i cili jo vetëm e prezantoi dhe mori autorësinë për projekt-Kodin e ri, por filloi t’i sulmonte nën brez të gjithë aktorët e tjerë të drejtësisë që u distancuan nga bashkëpunimi me të. Më flagrant ishte sulmi ndaj Prokurorit të Përgjithshëm Olsi Çela, i cili i doli ballazi kundër gjithë përmbajtjes së Kodit dhe doktrinës së tij, duke distancuar institucionin e tij nga projekti. Fill pas kësaj, Ulsi Manja mbushi shtypin me një shkresë formale, ku një nëpunës i Prokurorisë kishte marrë njoftim para dy vitesh dhe kishte shprehur dakordësinë për bashkëpunim.

Në pamje të parë duket si një përpjekje në panik për të sulmuar “tradhtarin” e parë që doli hapur kundër, por në të vërtetë e gjithë kjo tregon një përpjekje tinzare për hartuar një Kod në fshehtësi, duke konsideruar si bashkëpunim një email të para dy viteve dërguar një zyrtari.
Pra në atë moment që Prokurori i Përgjithshëm doli kundër, Ministrit të Drejtësisë i ka punuar turri të hapë emailet, të gjejë një email të një nëpunësi të prokurorisë që i kanë dërguar letër dakordësimi para dy viteve dhe ta përdorë këtë për të “demaskuar” Prokurorin e Përgjithshëm që u distancua.

E njëjta frazeologji e rrumbullakosur u përdor dhe duke thënë që “na e ka kërkuar Bashkimi Evropian”, apo “është kërkesë e BE”, se po punohet me të gjitha institucionet etj.

Para disa ditësh kërkova që të bëhen publikë këta ekspertë anonimë që po punokan në emër të të gjithëve kur të gjithë janë kundër.

Sot thuajse të gjitha institucionet janë kundër. Përfshi dhe vetë Bashkimin Evropian. Kryeministri u distancua duke thënë që ende s’e ka prekur me dorë dhe se nuk do të kalojë një Kod që bie ndesh me parimet e Brukselit.
Dhe kemi arsye ta besojmë pasi në këtë rrugë ai nuk futet dot fshehurazi në BE, pasi do kalojë nga porta kryesore, pra do kontrollohet nga Bashkimi Evropian.

Kjo është dhe arsyeja që nuk do ta kemi Kod Penal këtë projekt-Kod.

Por ama fakti që Ministri i Drejtësisë është i qartë për çfarë ka bërë, dhe që në mënyrë tinzare përpiqet të mbrojë ata pavarësisht permbajtjes  mediokre, te lig, dhe kundër çdo lirie njerëzore, duke u përpjekur të inkriminojë dhe aktorë të tjerë të institucioneve të drejtësisë, madje dhe vetë Bashkimin Evropian, tregon se predispozicioni politik është në frymën e projektit dhe jo të Kodit evropian që me siguri një ditë do ta kemi. Pra duam apo s’duam ne, tinzaria e Ulsiut në këtë rast, nuk përfaqëson një projekt aksidental, por një test se deri ku mund të shkohet.

Tani u bë e qartë që atë projekt nuk e pranon as Bashkimi Evropian, as institucionet e drejtësisë në Shqipëri, as shoqëria civile, as mendimi kritik intelektual në vend, as opozita, madje madje dhe qeveria mbajti distancë. Nga kjo pikëpamje ky është një rast, kur Ulsiu nuk na bën dot dëm, pasi nuk është në dorë të tij, por të shumë aktorëve të tjerë.

Por mendoni një moment sikur liria juaj të ishte në dorë të Ministrit të Drejtësisë së Shqipërisë? Do na dukej Haxhi Lleshi si George Washington-i krahasuar me pasardhësit e tij dibranë që u kemi besuar “drejtësinë e re”.

The post Sikur liria jonë të ishte në dorë të Ministrit të Drejtësisë së Shqipërisë? first appeared on JavaNews.al.

Një ide se si lobistët mund të na bindnin për pastërtinë e parave të Berishës

By: Mero Baze
31 July 2025 at 19:17
Nga Mero Baze

Lobistët e Sali Berishës në SHBA, kanë përtuar të gjejnë ndonjë argument për të qenë për t’i ndryshuar mendjen qeverisë amerikane se Sali Berisha nuk e meriton të sanksionohet “non grata” bashkë me familjen e tij për korrupsion madhor dhe minim të demokracisë. Janë mjaftuar të thonë atë që thotë dhe Berisha, por që më mirë se kushdo e ka thënë vet qeveria amerikane pse ajo nuk ka bërë publike dosjen e Berishës për korrupsion dhe minim të demokracisë.

Në fakt, e vetmja gjë që është deklaruar qysh në fillim nga Sekretari i Shtetit dhe zyrtarët amerikanë, është që SHBA nuk bën komente dhe nuk jep sqarime personale për sanksionet e saj “non grata” të klasifikuar nën nenin që kap Sali Berishën.

Fakti që nuk jep fakte, nuk do të thotë që nuk ka fakte. Madje, Berisha për këtë çështje hapi dhe një gjyq në Francë për të detyruar Sekretarin e Shtetit t’i bënte publike dosjen.

Ka vende të tjera si Britania e Madhe që të shpallin “non grata” dhe nuk të bëjnë publik as emrin. Bashkë me Berishën janë shpallur “non grata” në Britani dhe 8 bashkëpunëtorët e tij, por emrat nuk janë bërë publik. Sali Berisha e bëri vetë publik se mund të mos e dinim që ishte “non grata” dhe në Britani nga një qeveri e djathtë “anti-Soros”.

Por meqë lobistët e tij janë të fiksuar pas idesë që nuk ka fakte për korrupsion madhor, një fakt ata mund ta verifikojnë vetë dhe të na ndihmojnë edhe ne.

Berisha ka bërë tre kontrata më 2025 me ta: një me Continental Strategy dhe Continental PLLC, tjetrën me degën ligjore të Continental Strategy dhe Continental PLLC, dhe një me strategjistin LaCivita, shumë i njohur në SHBA për shkak se ka mundur t’i marrë Donald Trump-it 20 milionë dollarë për fushatë.

Nga të tre këto kontrata, Sali Berisha nuk ka deklaruar asnjë lek të paguar në KQZ në Shqipëri.

Continental Strategy dhe Continental PLLC kanë deklaruar shumën 6 milionë dollarë për të cilën Berisha thotë se do ta paguajë një elektricist nga Tropoja në New York, që ka krijuar një fondacion patriotik. Për LaCivitën nuk ka ende asnjë faturë dhe as për degën ligjore të Continental Strategy dhe Continental PLLC.

Tani është shumë e thjeshtë. Këta lobistët e Sali Berishës t’i thonë popullit shqiptar se sa miliona euro të tjera, përveç 6 milionë dollarëshit, i kanë marrë Sali Berishës, pastaj ne t’i shpjegojmë se ku i gjeti Sali Berisha këto dhjetëra milionë dollarë që paguan të heqë njollën e korrupsionit me para korrupsioni.

Ndoshta po zbardhëm këtë aferën e fundit korruptive për mënyrën se si janë paguar vetë, të tjerat kuptohen më mirë dhe ata e kanë më të lehtë të justifikohen pse nuk janë hequr dot “non gratën”.

 

The post Një ide se si lobistët mund të na bindnin për pastërtinë e parave të Berishës first appeared on JavaNews.al.

Gjykata Kushtetuese ndjehet ende e frikësuar nga pushteti okult i SPAK mbi të

By: Mero Baze
30 July 2025 at 19:45

Nga Mero Baze

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për cenimin e fshehtësisë së korrespondencës dhe të dhënave personale ndaj një qytetareje, të cilës iu mor telefoni gjatë një hetimi penal të zhvilluar nga SPAK, është një hap i drojtur përpara i Gjykatës Kushtetuese, në përpjekje për të frenuar frymën represive të SPAK, por mbetet një akt gjysmak.

Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se qytetares Onejda Ymeraj i është cenuar liria dhe fshehtësia e korrespondencës dhe e drejta për mbrojtjen e të dhënave personale, pasi SPAK i sekuestroi telefonin personal.
Pas sekuestrimit të celularit në shkelje të ligjit shqiptar, SPAK ka përdorur sekuestrimin e telefonit për të siguruar fakte për çështje për të cilat nuk ishin objekt i hetimit. Në rastin në fjalë u cenua rëndë privatësia dhe u përfshinë edhe të dhëna të ndjeshme të shëndetit të pacientëve që ajo menaxhonte si drejtoreshë spitali privat, si dhe jeta e saj private.

Por vendimi është i cunguar dhe reflekton ende frikën që Gjykata Kushtetuese ka nga praktikat shantazhuese të SPAK ndaj tyre, në kapërcim të ligjit.
Gjykata Kushtetuese konstaton cenimin e të drejtave themelore dhe urdhëron asgjësimin e të dhënave që nuk lidhen me objektin e hetimit penal, por njëkohësisht, ajo lejon mbajtjen e pjesës tjetër, me kushtin që të jetë “nën kontroll gjyqësor”.

Ky “pranimi i pjesshëm” i ankesës së qytetares, në fakt është një legalizim i pjesshëm i praktikave të paligjshme të SPAK-ut – me arsyetimin absurd se shkelja ndodh vetëm kur tejkalohet objekti i hetimit.

Në Shqipëri nuk ekziston asnjë ligj i posaçëm që rregullon ndërhyrjen në korrespondencën elektronike private. Dhe për sa kohë ky boshllëk ligjor vazhdon, ne duhet të bazohemi te Kushtetuta dhe Konventa Evropiane, ku fshehtësia e korrespondencës është e garantuar me ligj, dhe që sipas Konventës Evropiane mund të kufizohet vetëm nëse kufizimi bazohet në një ligj, i cili duhet të jetë i qartë dhe i parashikueshëm në zbatim, dhe ndjek një qëllim të interesit publik.

Në një rast të paprecedent, SPAK sekuestroi disa muaj më parë telefonat dhe kompjuterat e dy gazetarëve nën akuzën se kishin lidhje me grupe kriminale, edhe pse kishte një vendim të Gjykatës së Lartë për rastin Lapsi.al, kundër kësaj praktike. Artan Hoxha dhe Enton Qyno u bastisën duke iu marrë telefonat dhe kompjuterat në shtëpi dhe në drekë ua dorëzuan përsëri mbrapsht duke u kërkuar ndjesë se kishin shkelur ligjin, pa asnjë garanci se përmbajtjet ishin kopjuar apo keqpërdorur.

Gjykata Kushtetuese e pranon shkeljen në këtë rast, por vetëm përgjysmë. Ajo konstaton cenimin e të drejtave kushtetuese vetëm për ato të dhëna që nuk lidhen me objektin e hetimit.

Po çfarë ndodh me pjesën tjetër? Sipas Gjykatës, ajo mund të mbahet, për aq kohë sa është “nën kontroll gjyqësor”. Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut është e prerë: korrespondenca private mund të lexohet vetëm me autorizim gjyqësor të mëparshëm.

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë në këtë rast ka shprehur më shumë frikë nga SPAK se sa dakordësi me Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Madje, paqartësia me të cilën ka shkruar vendimin lë përshtypjen që lejon që përmbajtje të mbahet e sekuestruar “nën kontrollin gjyqësor”, një shprehje e paqartë që të lë të kuptosh në mënyrë të tërthortë se sekuestrimi i korrespondencës është bërë nga prokuroria pa një autorizim gjyqësor paraprak.

Telefoni mund të sekuestrohet si objekt fizik. Por korrespondenca private nuk është një send. Ajo është shprehje mendimi, komunikim personal, ndarje intime, dhe si e tillë gëzon një mbrojtje të posaçme sipas Kushtetutës dhe Konventës Evropiane.

SPAK i ka nëpërkëmbur këto praktika me brutalitet.

Zyra e Shtypit e SPAK ka marrë mesazhet e personave nën hetim, që nuk kanë lidhje me çështjen që hetohen dhe ua kanë hedhur turmave si ushqim për qentë, jetën e tyre private. Rasti i Erion Veliajt, ku transkriptet e nxjerra nga fjalimi i depozituar në gjykatë i prokurorit Osli Dado iu dhanë shtypit, duke u nxjerrë dhe nga konteksti dhe duke linçuar atë edhe për jetën e tij private, janë dëshmi për një politikë të qëllimshme diskriminuese dhe linçuese nga SPAK për mënyrën se si i keqpërdor këto materiale.

Nëse prokuroria ka sekuestruar, lexuar apo përdorur korrespondencë elektronike pa vendim të posaçëm gjyqësor dhe pa një bazë të saktë ligjore, atëherë nuk kemi të bëjmë me një thjesht “tejkalim kompetencash”. Kemi të bëjmë me një cenim brutal të nenit 36 të Kushtetutës dhe nenit 8 të KEDNJ-së.

Kompromisi që Gjykata Kushtetuese në këtë rast ka bërë me shkelësin e të drejtave themelore të njeriut është trishtuese.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, nga njëra anë, sanksionon SPAK-un duke i shfuqizuar vendimmarrjen e tij, në këtë rast si antikushtetuese, dhe nga ana tjetër, i ngarkon po SPAK detyrën për të zbatuar vendimin brenda tre muajsh. Pra, shkelësi i të drejtave ngarkohet me detyrën për të “korrigjuar” shkeljet që vetë ka kryer.

Gjykata Kushtetuese nuk është gjykatë që jep dënime dhe urdhra. Ajo mbron Kushtetutën ose e rishkruan atë. Kaq detyrë ka.

Një akt antikushtetues i kryer nga kushdo nuk mund të korrigjohet nga shkelësi. Nëse SPAK ka kryer një akt antikushtetues, dhe kjo është konstatuar tanimë nga Gjykata Kushtetuese, ky akt bën të pavlefshme çdo provë apo pasojë juridike që mbështetet mbi të.

Ky kompromis procedurial i Gjykatës Kushtetuese është tregues i një kompleksi të heshtur frike ndaj SPAK-ut, një kompleks që nuk po zhduket, por po maskohet me gjuhë të moderuar dhe vendime që ruajnë balancën, por jo rendin kushtetues.
Ky kompleks institucional shpjegon edhe mjegullën e qëllimshme që shoqëron vendimin e Gjykatës. Ajo flet për “garanci procedurale” që duhen respektuar, por nuk i liston askund se cilat janë. Përmend “kontroll gjyqësor”, por nuk sqaron as kur dhe as si ka ndodhur ndërhyrja e paligjshme.

Dhe më e rëndësishmja: nuk ka guximin të thotë troç që Republika e Shqipërisë nuk ka asnjë ligj që lejon ndërhyrjen në korrespondencën private. Ky është një fakt ulëritës, i cili nuk mund të maskohet pas frazash hartimi të Gjykatës Kushtetuese.

Ky vendim është, padiskutim, një hap përpara në mbrojtjen e të drejtave themelore, por njëkohësisht, ai është edhe një dëshmi e qartë e frikës së pashuar që Gjykata Kushtetuese vijon të ndiejë përballë SPAK-ut. Edhe pse ka thyer heshtjen dhe ka pranuar një cenim, nuk guxon ta çojë logjikën kushtetuese deri në fund. Vendimi i lë “litarin jashtë”, me shpresën se prokuroria nuk do të ofendohet dhe mos e dhëntë Zoti, të mos i “rikujtohet” të përgjojë sërish ndonjë anëtar të kësaj gjykate.

Nëse edhe Gjykata Kushtetuese shkruan me dorën e drejtësisë, por fshin me frikën nga pushteti i SPAK, atëherë nuk kemi më balancë pushtetesh, por një gjykatë të përkulur përpara “forcës”.

Kjo është një “gjysmë drejtësie” që në thelb është një padrejtësi e re, më e rafinuar, por jo më pak e rrezikshme. Dhe një precedent i tillë nuk mund të kalojë në heshtje, pa reflektim publik dhe institucional. Sepse një vendim që “i shkel syrin” SPAK-ut, për llogari të një kompromisi të heshtur institucional, nuk është një akt gjykues – është një akt politik.

Në një shtet kushtetues, drejtësia nuk mund të jetë pak profesionale dhe pak politike, ashtu si një grua nuk mund të jetë pak shtatzanë dhe pak e virgjër. Ajo ose është e pavarur, ose nuk është fare.

The post Gjykata Kushtetuese ndjehet ende e frikësuar nga pushteti okult i SPAK mbi të first appeared on JavaNews.al.

Përse Këlliçi e teproi me Berishën?

By: Mero Baze
28 July 2025 at 19:45
Nga Mero Baze

E pata paralajmëruar Belindin se sinqeriteti i tij i tepëruar duke u lavdëruar se bashkë me socialistët kishin arrestuar Veliajn do t’i kushtonte. Sikur të mos mjaftonte ajo, vazhdoi dhe një ditë më pas filloi të shpërndante urdhra të tjera arresti për dy bashkiakë të tjerë socialistë: Tërmet Peçin dhe Agron Malajn.

Me sa duket këtu e mbushi kupën.

Sali Berisha befas ka shpërthyer ndaj tij, duke akuzuar “ata deputetë të opozitës që sillen si gazetarë të kronikës”, përmes Çim Pekës. Dhe nuk ka faj.

Ai ka një betejë të gjatë, së paku pesëvjeçare, kundër SPAK dhe drejtësisë së re, ndaj të cilëve është konstant duke mos pranuar asgjë, kurse Belindi del që jo vetëm bashkëpunon me SPAK, por madje dhe me kanale brenda socialistëve për të arrestuar socialistë të tjerë.

Sali Berishën më mirë shaje nga mëngjesi në darkë sesa ta lavdërosh SPAK-un dhe të mburresh që ke bashkëpunuar dhe ke plane të tjera bashkëpunimi në të ardhmen, siç bën Belindi.

Dhe është e gjitha pa sens politik ajo që ka bërë Belindi. Belindi iu gjend Berishës në ditët më të vështira politike, për të rimarrë kontrollin mbi partinë pas shpalljes non grata dhe pastaj, kur ai u përball me drejtësinë për shkak të “non gratës” dhe nisi përpjekjen për ta delegjitimuar drejtësinë e re, ky i hidhet në anën tjetër dhe bëhet me drejtësinë e re.

Po ai, njëqind herë ta fal të bëhesh me Lulin kundër tij sesa të bëhesh me SPAK dhe të bësh sikur je pro tij. Kjo është dhe arsyeja që Berishës i këputën nervat me të sot.

Ky nuk është paralajmërim për Belindin, por për gjithë deputetët e tjerë që bëjnë sikur bashkëpunojnë me drejtësinë e re. Kjo është vijë ndarëse me Berishën. Drejtësia e re mund të fusë në burg gjithë PS-në, madje dhe Edi Ramën, por Berisha nuk ka ndërmend t’ia dijë për nder. Atij i duhet nderi i tij dhe ata ia kanë marrë nderin duke e marrë të pandehur. Ndaj tani deputetët e Berishës janë aty për të ruajtur nderin e tij dhe jo nderin e drejtësisë. Këtë duhet jo vetëm ta kuptojnë mirë, por dhe ta demonstrojnë. Këto sjelljet nëpër ekrane sikur janë zëdhënës të Dumanit mund t’u kushtojnë. Le më pastaj aleanca treshe ku hyjnë klanet socialiste dhe Dumani.

E pata paralajmëruar dy ditë më parë, jo kaq i sinqertë publikisht. Sidomos kur bën si zëdhënës i Dumanit, apo si I dërguar i Trumpit. Je thjesht ushtar i Berishës. Aty rri!

 

The post Përse Këlliçi e teproi me Berishën? first appeared on JavaNews.al.

❌
❌