Reading view

Amerika foli…dhe uroi!

Nga Skënder Minxhozi/

Ishte e para që dikur mbante qëndrim sa herë që Shqipëria kalonte një situatë delikate, ndërsa sot është ndër të fundit që shprehet për zgjedhjet parlamentare. Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka mbajtur më në fund qëndrimin zyrtar ndaj procesit zgjedhor të dy javëve më parë dhe e ka bërë këtë përmes një urimi. I vetmi element që zbulon sesi i ka lexuar Uashingotin zgjedhjet e fundit shqiptare. “Urojmë popullin e Shqipërisë për zgjedhjet parlamentare dhe presim të vazhdojmë partneritetin tonë të ngushtë me Shqipërinë”, shkruan ambasada.

Një telegram më shumë sesa një analizë dhe qëndrim i zgjatur zyrtar. Një frazë e shkurtër krejt në kontrast me deklaratat zyrtare të zgjedhjeve të shkuara, ku kishte mesazhe për të gjitha palët, fituesit dhe humbësit, por edhe për cilësinë e procesit dhe vërtetësinë e rezultatit.

Këtë radhë, si për të provuar se asgjë nuk është më si më parë pas 20 janarit, administrata Trump mjaftohet me një urim të shkurtër, duke mos hyrë qëllimisht në thelbin e procesit zgjedhor, për të mos krijuar dinamika të caktuara brenda politikës shqiptare, e cila e priste me padurim këtë qëndrim prej ditësh.

Së pari, nëse do të kishte rezerva për zgjedhjet e 11 majit, SHBA nuk do të uronin, por do të mbanin një qëndrim tjetër. Më të ashpër, ose mund ta kalonin me heshtje atë që ndodhi në Shqipëri ditën e zgjedhjeve. Në këtë prizëm opozita nuk ka marrë atë që priste nga qëndrimi amerikan për zgjedhjet. Ashtu siç nuk mori as heqjen e statusit non grata për Berishën apo ndonjë mesazh mbështetjeje para zgjedhjeve.

Në anën tjetër Rama mund të jetë i kënaqur me faktin se pala amerikane shprehet se “presim të vazhdojmë përtneritetin tonë të ngushtë me Shqipërinë”. Një mesazh jo edhe aq i koduar e i vështirë për t’u kuptuar, se amerikanët presin vijimësinë e jo diçka tjetër. SHBA njeh rezultatin dhe pret të vijojë bashkëpunimin me qeverisësit!

Edhe një element i fundit: SHBA po na fton në mënyrë të përsëritur që ta heqim nga roli i arbitrit suprem që i kemi dhënë këto 30 vjitet e fundit. E ka bërë këtë duke heshtur praktikisht për çdo ngjarje, krizë apo përplasje që është konsumuar në Shqipëri pas ardhjes në detyrë të presidentit Trump. E ka bërë duke anuluar praktikisht të gjitha programet e asistencës, siç ka bërë në gjithë botën, duke hequr mbështetjen deklamative për drejtësinë e re dhe SPAK dhe duke heshtur gjatë gjithë fushatës së fundit zgjedhore.

SHBA po na thotë se nuk dëshëron më të jetë dera ku trokasim në çdo orë të ditës dhe natës sa herë që e bëjmë lëmsh vendin tonë. Është një vendim i drejtë që na vjen përmes një dekarate për zgjedhjet që ashtu siç është, e shkurtër, telegrafike dhe pa detaje e qëndrime mes rreshtash, na jep mesazhin madhor se kohët kanë ndryshuar e se duhet ta gjejmë tjetërkund gjyqtarin suprem të dikurshëm. Ndoshta më mirë kështu, pasi po na ftojmë të piqemi më në fund.

The post Amerika foli…dhe uroi! first appeared on JavaNews.al.

  •  

Sa më shumë humbasin, aq më radikalë bëhen dhe iu vërsulen njerëzve duke i akuzuar se po i shërbejnë Ramës

Nga Ergys Mërtiri

Kur 3 vjet e gjysëm më parë Berisha nisi foltoren për të marrë PD-në kam qenë i sigurt se kjo do të ishte katastrofë për opozitën. I kam dalë kundër që ditën e parë kësaj aventure, pasi, siç edhe e kam thënë e shkruar asokohe, jo vetëm që nuk do ta shpinte kurrë opozitën në fitore, por përkundrazi, do ta zhyste PD-në në një rrugë pa kthim drejt shndërrimit në një garnizon të mjerë militantësh agresivë që i gafurren gjithë botës në mllef e dëshpërim për pamundësinë e thellë për të qenë konkurrues.

Rezultati i sotëm nuk ma përkëdhel aspak sedrën e bastit të fituar, pasi ky lloj basti është, së pari shumë i parashikueshëm, dhe së dyti, kurrsesi i urueshëm, për pasojën që sjell. Për më tepër, jam i qartë që rezultati nuk do të sjellë as reflektim dhe shumica e atyre që humbën do vazhdojnë ti bien murit me kokë.

Kjo është natyra e militantit. Sa më e fortë të jetë goditja që ha, aq më shumë këmbëngul tek e vetja. Kjo është arsyeja pse sot, shumë prej tyre duken akoma edhe më të vendosur në mbrojtje të Berishës, dhe akoma edhe më agresivë e histerikë kundër atyre që thonë të vërtetën për të.

Të keqen e të verbërve! Një dijetar thoshte dikur se dijen e mësoi prej tyre: ata nuk e hedhin kurrë një hap pa testuar tokën mirë me këmbë nëse ka ndonjë pengesë. Militanti është nga ata lloj të verbërish që vrapon i sigurt drejt murit dhe nuk ndalet as kur thyen kokën pas tij.

Pikërisht, ky është ustallëku i Berishës. Duke ua njohur fort mirë kokën, i përdor e manipulon ata si ti vijë për mbarë, i bindur se nuk do ta zhgënjejnë kurrë.

Kur Berisha propozoi në statut nenin Basha, një sanksion që shkarkon automatikisht kryetarin e partisë në rast humbjeje, pavarësisht nëse zgjedhjet janë të grabitura, dikush mund ta ketë ngrënë karremin duke besuar se ai e ka zeriozisht, sepse do përballet me këtë vendim sapo të vijnë zgjedhjet.

Në fakt, ai e ka ditur më mirë se kushdo se asnjë problem nuk do ketë për ta shkelur atë çfarë vetë ka premtuar e sanksionuar në sy të të gjithë shqiptarëve. Sepse ai i njeh shumë mirë krijesat e veta dhe i manipulon si të dojë.

Sot në PD, jo vetëm që askush nuk i kërkojnë zbatimin e statutit, por kush e përmend këtë shihet si tradhtar që i shërben Ramës duke penguar “luftën për votën e lirë”.

Para zgjedhejve, shumë berishistë (përfshi këtu edhe miq të mi) më thonin se, duke mbështetur partitë e reja po coptoja votën e opozitës e për rrjedhojë po ndihmoja Ramën. Unë iu thoja se partitë e reja vetëm i shërbejnë opozitarizmit, sepse:

1. Nxjerrin në zgjedhje edhe votues që nuk do votonin kurrë për Berishën, çfarë rrit në tërësi votat kundër Ramës.

2. Krijon premisën për largimin e Berishës dhe reformimin e PD-së, çfarë është e vetmja mënyrë që mund të sjellë përmbysjen e Ramës. Në kushtet kur Berisha nuk fiton dot, vota për të vetëm sa i zgjat jetëgjatësinë pengmarrjes së PD-së, e për pasojë zgjat jetëgjatësinë e Ramës në pushtet.

E megjithëse rezultati i zgjedhjeve provoi se Berisha nuk kishte asnjë shans për të fituar (ndërkohë që vendi humbi një shans për t’i hapur rrugë rinovimit të opozitës duke e dërguar Berishën në pension), sot askush nga militantët e tij nuk del të dhotë se kanë gabuar.

Përkundrazi, shumica prej tyre janë bërë edhe më agresivë e histerikë duke sulmuar e akuzuar (shpesh me shpifje nga më të turpshmet) këdo që i kërkon Berishës të mbajë përgjegjësi.

Ky është fati i pashmangshëm i një partie që nuk pranon ndryshimin. Sa më shumë humbet aq më radikale bëhet, e sa më shumë radikalizohet aq më shumë humbet. Derisa një ditë shndërrohet në një grusht njerëzish të egërsuar në luftë me mullinjtë e gjithë botës.

The post Sa më shumë humbasin, aq më radikalë bëhen dhe iu vërsulen njerëzve duke i akuzuar se po i shërbejnë Ramës first appeared on JavaNews.al.

  •  
❌