Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 22 July 2025Main stream

“Drejtësia në Shqipëri, lojë statistikash”, Minxhozi: Turp! 6 vite SPAK dhe asnjë pikë në horizont për 21 Janarin

By: Rovena
22 July 2025 at 20:47

Në emisionin “Real Story” në ABC News, analisti Skënder Minxhozi ka shprehur shqetësimin për mënyrën se si po zhvillohet drejtësia në Shqipëri, duke e cilësuar atë si një “lojë statistikash” dhe një sistem të ngadalshëm dhe burokratik.

Minxhozi u shpreh se, në rastin e akuzave ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe ish-presidentit Ilir Meta, drejtësia duket se po bëhet gjithnjë e më personale dhe ka humbur fokusin nga akuza e saktë.

Ai ka kritikuar gjithashtu mungesën e përparimit në hetimet për ngjarjen e 21 Janarit, duke theksuar se është turp që, pas gjashtë vitesh nga krijimi i SPAK, kjo çështje ende nuk ka marrë drejtimin e duhur në gjykatë. Minxhozi e ka cilësuar sistemin aktual të drejtësisë si burokratik dhe të papërshtatshëm për të adresuar çështjet e rëndësishme për shoqërinë.

“Kam përshtypjen se drejtësia po i drejtohet një loje statistikash me Veliajn dhe Metën të marrë peng pa akuza. Se si mund ta burgosësh tjetrin që në shkurt e ta komunikosh akuzën në mbarim. Rasti i Veliajt është një qëndrim krejt mbi rreshtat dhe duket se ka kaluar në një gjë personale. Unë nuk mendoj se këto raste do t’i bënte më të mira ose jo Amerika, thjesht shtyn përpara proceset. Drejtësia e re më të madhe historike dhe një obligim moral edhe ndaj shqiptarëve do të kishte dosjet e përgjakura, të cilat ende vijon të mos i prekë. Është turp që pas 6 vitesh SPAK, ne nuk kemi asnjë pikë në horizont për 21 Janarin dhe nuk kemi asnjë shenjë se kur kjo çështje do të shkojë për gjykim. Nuk e dimë se kur do të thirren dëshmitarët dhe kur do të shkojë për gjykim. Është një drejtësi burokratike,” tha analisti Minxhozi./acbnews.al

Before yesterdayMain stream

Tërheqja amerikane nga punët e brendshme të Shqipërisë (dhe të botës)

By: S M
21 July 2025 at 12:59

Nga Skënder Minxhozi/

Në vazhdën e zgjedhjeve relativisht të qeta të 11 majit, sipas standartit shqiptar të zgjedhjeve, një temë e mbajti ndoshta më shumë se të tjerat të tendosur debatin postelektoral për shumë ditë. Ishte “heshtja që fliste” e ambasadës amerikane në Tiranë në lidhje me rezultatin, fitimtarët dhe humbësit. Më saktë, heshtja e autoriteteve amerikane që nuk po dërdonin ende mesazhet e rastit për rezultatin e votimeve dhe mënyrën sesi u zhvilluan ato. Një mesazh i tillë i prerë dhe i paapelueshëm ka qenë tradicionalisht këto 34 vite gongu i mbarimit të garës zgjedhore në vendin tonë.

Gjerësisht qëndrimi amerikan është pranuar si standarti i vlerësimit të zgjedhjeve në Shqipëri. Aq sa pala humbëse e ka pasur përherë të vështirë ta hedhë poshtë ose ta anashkalojë atë, ashtu si edhe pala fituese është kujdesur me fjalët dhe reagimet kur deklarata nga Uashingtoni kishte vërejtje apo tërheqje veshi.

Ky vit do të jetë i ndryshëm. Ashtu si shumë e shumë gjëra kanë qenë të ndryshme pas 20 janarit për të gjithë globin, kur në Zyrën Ovale hyri për herë të dytë Donald Trump. Nuk mërzitet vetëm Berisha me heshtjen amerikane, mërziten edhe evropianët me aleatin e madh që vendos tarifa, mërziten të dyja hemisferat dhe mbi 170 shtete që jetojnë në to për modifikimet e politikës së jashtme amerikane. SHBA ka premtuar të ndryshojë politikën e saj të jashtme, duke ribërë piketat historike të diplomacisë së saj që e shtynin të ishte kudo dhe të fliste, e disa herë të vendoste, për gjithçka.

Pa i hyrë thellë këtij procesi që pritet të jetë i gjatë dhe tejet kompleks, media amerikane njoftoi së fundi se administrata Trump ka marrë vendimin për të hequr dorë nga linja ndërhyrëse në proceset elektorale në botë, duke marrë një pozicion asnjanës dhe protokollar. “Departamenti i Shtetit do të ndërhyjë në zgjedhjet e huaja vetëm kur të ketë një interes të qartë dhe të fuqishëm për SHBA-në, duke u fokusuar në rëndësinë strategjike dhe jo në përhapjen e vlerave demokratike”, shkruan networku i madh Fox News.

Dhe një provë të vogël të këtij e patëm edhe ne shqiptarët që në 11 maj, në këtë cep të Evropës. Ndërsa administrata Biden ishte e kudondodhur para, gjatë dhe pas zgjedhjeve me deklarata e qëndrime disa herë edhe urgjente e kritike, ambasada e SHBA në Tiranë qëndroi gjatë në heshtje teksa rezultati i zgjedhjeve merrte formë. Aq sa, duke e vënë përballë këtë qëndrim të pazakontë me shifrat e zhurmshme të socialistëve, opozita nuk vonoi të krijonte një re tymi sa i përket asaj që e quajti “pakënaqësi amerikane në lidhje me zgjedhjet shqiptare”. “E shihni që s’i kanë uruar, prisni kur t’i heqin vizën. Është çeshtje orësh” – sa e sa orë televizive, shkrime dhe komente e analiza janë derdhur në eterin shqiptar si variacion i këtij kumti pas 11 majit, çka ishte de facto e fundit komardare shpëtimi që i mbeti Sali Berishës përballë 83 mandateve të Edi Ramës.

Prognoza e opozitës për pakënaqësinë amerikane rezulton e pavërtetë, teksa lexon shkrimin e Fox News. SHBA kërkon të ndryshojë kursin e diplomacisë së saj misionare, duke u fokusuar tek një pozicion pragmatist dhe në përputhje të ngushtë me interesat  e saj strategjike. Jo më përhapje e demokracisë në çdo cep të globit si në kohën e republikanëve të G.W.Bush, as edhe një predikim i përbotshëm vlerash apo lista porosish ndaj një morie shtetesh, si çka ndodhur me administratat e Obamës apo Biden. Kjo linjë duket se ka marrë fund, në këmbim të një pozicionimi më të ftohtë e më pak paternalist në këto tema.

Tërheqje apo një riformatim i protagonizmit të shtuar të dekadave të fundit, kjo është diçka që do të marrë formë në muajt dhe vitet e ardhshme. Një gjë ama është e sigurt qysh në krye të herës: Donald Trump ka alergji nga leksionet demokratike kur vjen puna tek zgjedhjet. Shumëkush kujton sesi kontestimi që ai i bëri humbjes përballë Joe Biden në zgjedhjet e vitit 2020, degjeneroi në sulmin ndaj Capitol Hill në 6 janar 2021 ku pati të vrarë dhe të lënduar. Tema e zgjedhjeve është për Trump një nerv i zbuluar dhe me shumë gjasë pozicioni i ri i Departamentit të Shtetit e reflekton edhe në kursin e vet diplomatik këtë rrethanë konkrete që lidhet me Amerikën e pas vitit 2021.

Një tjetër temë irrituese për Presidentin Trump është ajo e drejtësisë. Edhe në këtë aspekt qëndrimi amerikan në lidhje me drejtësinë shqiptare ka reflektuar gradualisht  dhe indirekt humorin e prishur të presidentit Trump me gjykatat e prokurorët e SHBA, të cilët hodhën mbi të një mal prej mbi 90 akuzash para zgjedhjeve të fundit presidenciale.

Heshtja e amerikanëve gjatë muajve të fundit ndaj SPAK dhe përgjithësisht ndaj reformës në drejtësi, ka “folur” në mënyrë mjaft elokuente pa e hapur gojën. Jo më deklarime në mbështetje të drejtësisë së re shqiptare, jo më takime e foto protokollare me përfaqësues të saj, por thjesht një pajtim në heshtje me qëndrimet evropiane në lidhje me këtë temë. Ka rënë në sy muajt e fundit fjala vjen, që takimet e diplomatëve amerikanë me krerë të drejtësisë së re janë kryer në ambasadat britanike ose evropiane, por jo në ambasadën amerikane siç ndodhte rëndom.

Është logjike të mendohet se kjo ftohje e Uashingtonit ndaj këtij projekti të financuar me para amerikane dhe të mbështetur fort qysh në ditët e para pas vitit 2015, ka të bëjë me një qëndrim të ndryshuar të administratës Trump ndaj sistemit të drejtësisë në përgjithësi. Të cilin vetë Donald Trump e ka akuzuar si një repart inkuizitor që godet në mënyrë selektive dhe tendencioze kundërshtarët politikë.

Këto modifikime të politikës amerikane ndaj Shqipërisë shënojnë një kthesë që do të prodhojë efektet e saj në skenën shqiptare. Për mirë ose për keq kjo mbetet të shihet. Ne duhet të fillojmë ta mësojmë veten se nuk do të kemi më mbi krye arbitrin e përjetshëm amerikan, që na thotë çfarë është e drejtë dhe çfarë jo. Kjo është një mundësi për të krijuar pjekurinë dhe pavarësinë tonë, ashtu siç mund të jetë edhe një rrethanë që do ta përkeqësojë, të paktën në hapat e parë, situatën në lidhje me zbatimin e ligjit, standartet demokratike dhe soliditetin e shtetit. Megjithatë për amerikanët kjo tashmë ka pak rëndësi. Ata kanë përqafuar platformën “America First” (Amerika më e para) dhe kjo nënkupton heqjen dorë nga shumë prej spaletave që kanë mbajtur në skenën botërore. Kemi hyrë në një botë të re bashkë me shumë të tjerë rrotull nesh, apo edhe në cepat më të largëta të globit. Duhet të mësojmë të notojmë vetë!

The post Tërheqja amerikane nga punët e brendshme të Shqipërisë (dhe të botës) first appeared on JavaNews.al.

SHBA ndalon diplomatët të komentojnë zgjedhjet jashtë vendit/ Minxhozi: Po riformaton marrëdhëniet me të gjithë botën

By: Rovena
18 July 2025 at 18:36

Analisti politik Skënder Minxhozi deklaroi në një intervistë për emisionin “Tirana Live” në ABC News se diplomacia amerikane ka pësuar një kthesë të dukshme në qasjen e saj ndaj zhvillimeve ndërkombëtare, përfshirë edhe Shqipërinë. Sipas tij, ky ndryshim lidhet me një zbërthim të asaj që ai e cilëson si “doktrina Trump”, e cila ka lënë gjurmë në qasjen aktuale të SHBA-së.

“Diplomacia amerikane ka marrë një kthesë dhe tregohet pse e ka marrë dhe ku konstatohet ajo. Amerika përqendronte një qëndrim për zgjedhjet, kudo ku ndodhnin, dhe ishte një arbitër për zgjedhjet kudo ku ndodhnin. Sot Amerika ka ndryshuar dhe po zbërthen doktrinën Trump. Diplomacia amerikane ka marrë një kthesë, e cila tani shpjegohet; kemi zbërthimin zyrtar të asaj që ndodhi ose nuk ndodhi më 11 maj. Ne patëm një datë të madhe më 11 maj; amerikanët e rinj nuk kanë folur më as për drejtësinë e re. Shikoj që ka një apati, një tërheqje për të mos futur hundët te punët e të tjerëve. Natyrisht, heqja e fokusit dhe një tërheqje e madhe nga ne nuk është një gjë e mirë. Janë procese të koklavitura, që ecin ngadalë. Në sytë e amerikanëve kjo është diçka e re, sepse Amerika po riformaton marrëdhëniet me të gjithë botën. Administrata e re ka një qasje të re ndaj rolit që ka Amerika në raport me vendet e tjera,” tha analisti.

Duke folur për skenën politike shqiptare, Minxhozi kritikoi opozitën për qëndrime të shkëputura nga realiteti ndërkombëtar. Ai përmendi gjithashtu pritshmëritë e opozitës për një ndryshim qëndrimi nga SHBA ndaj çështjes së “non gratës” së Sali Berishës dhe dosjes “McGonigal”, duke theksuar se këto janë rrëzuar nga raporti më i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH).

“Opozita vazhdon të jetojë në një univers paralel, nuk sheh se çfarë po ndodh, nuk dëshiron që t’i shikojë gjërat në kontekst dhe të pranojë marrëdhëniet e reja. Kërkon që të sillet si në kohën e Biden, por ne duam kohën e Trump dhe këtu ka një kontradiktë. Pritshmëritë që opozita krijoi për heqjen e ‘non gratës’ së Berishës apo edhe për dosjen ‘McGonigal’, por raporti i fundit i DASH konfirmon krejt të kundërtën e asaj që pretendoi opozita shqiptare,” shtoi Skënder Minxhozi./abcnews.al

 

Të mësosh hilet para rregullave

17 July 2025 at 09:42

Nga Skënder Minxhozi/

 

Kjo është pikërisht kjo që po shohim të konsumohet këto orë mes dy prej figurave të reja që hynë në fushatën e 11 majit me synime të deklaruara për të prodhuar një revolucion politik. Në vend të revolucionit në fakt po prodhojnë zhgënjim tek mijërat që i votuan, ose shpoti e nënqeshje ironike tek ata që nuk u besuan votën.

Përplasja Lapaj-Shabani nuk është një konflikt parimesh, por fryt i skemave e taktikave hileqare që ata sollën në fushatën elektorale, me shpresën se do të zbutnin apo devijonin efektet e kodit zgjedhor. Të një kodi të padrejtë për të vegjëlit, duhet pranuar. Dhe sapo hilet që aplikuan krijuan sherre të brendshme lidhur me mandatin parlamentar që morën, partneriteti shpërtheu, miqësia politike u prish dhe gjuha shkoi larg tek kërcënimet.

Si zakonisht ai që nuk përton të përdorë i pari akuzën, denigrimin dhe arrogancën publike është Adriatik Lapaj. Një politikan i cili pretendonte gjatë fushatës se kishte në dorë çelësat e zgjedhjeve dhe se do të vendoste gjithçka vetë pas 11 majit. Si çdo yll i ri që e djeg vrullshëm karburantin e vet, dhe ai e sheh sot veten viktimë të cinzimit të politikës, por edhe të skemave që ndërtoi me Shabanin dhe bashkëpunëtorët e tij.

Është e kotë të dëgjohen dhe të kërkohet të analizohen replikat tashmë armiqësore mes tyre në këto javë pas zgjedhjeve. Tashmë aty s’ka më asgjë politike, por vetëm mllef personal. Koalicioni “Shqipëria bëhet” ka qenë një produkt i dy lëvizjeve politike dhe si i tillë debati se cilit i takon mandati i vetëm që prodhuan 60 mijë votat kombëtare, është thjesht subjektiv. Secili po tërheq nga vetja e tij në këtë proces divorci publik ku janë përfshirë edhe familjarë e të afërm. Është një skenë e shëmtuar dhe diametralisht e kundërt me realitetin që ky koalicion apo edhe partitë e tjera të reja ofronin para zgjedhjeve.

Strategjia elektorale e shpërndarjes së fokusit në të gjithë territorin e Shqipërisë dhe diasporën, e jo tek një apo dy qarqe, duket se ka penalizuar në mënyrë fatale koalicionin “Shqipëria bëhet”. Votat për të prodhuar mandate janë aty, por janë të shpërndara në të gjithë hartën elektorale të vendit.

Kësisoj është e kotë të hysh e të ndash tani sherret për mandatin e mbetur, pasi ishte dhe është lehtësisht e parashikueshme se për atë mandat do të kishte sherr, pavarësisht përbetimeve se “unë heq dorë, unë s’futem në parlament”. Siç pritej doli dikush, ai i panjohuri i zakonshëm i këtyre rasteve, që prishi gjithë skemën. Kur listat mbushen me persona rastësorë, me farefis e dajallarë, atëhere është rasti mbreti i botës. Dhe rasti vendosi pasi logjika dhe strategjia politike që e dobët, e improvizuar dhe fluturake.

Sherri Lapaj-Shabani është epilogu i trishtë i një sage e cila vetëm tre muaj më parë vetëofrohej me ambicjen për të ndryshuar trashëgiminë 35 vjeçare të politikës së tranzicionit shqiptar. Ajo që mbetet është një parlament i ri i dominuar sërish nga dy aktorë të vjetër, teksa “të rinjtë” mbetën praktikisht me një grusht mizash në dorë. Sepse mësuan hilet para rregullave.

Duke hequr mënjanë Shehajn, i cili ka qenë edhe më parë deputet, të gjithë krerët e lëvizjeve të reja politike mbetën jashtë Kuvendit. Sindroma e “dajës së Endrit”, por edhe gabime të tjera para dhe gjatë fushatës, lanë jashtë parlamentit një mozaik siglash që mund të kishin më shumë rol në politikën e sotme shqiptare. Dhe duhet thënë se Qori, Shehaj, Lapaj e Shabani kishin një rast të artë që të krijonin një masë kritike sfiduese në sallën e parlamentit, aty ku është qendra gravitacionale e politikës.

Edhe këto lëvizje politike, që refuzuan edhe të bashkëpunonin mes tyre, rezultojnë sot de facto në librin e trashë të dështimeve për të rrëzuar PS e PD nga piedestali i përjetshëm. Sepse veç të tjerash nuk shkohet në luftë kundër mbifuqisë politike të Ramës e Berishës me dajallarë dhe emra tërësisht të panjohur të cilët nuk i thonë asgjë askujt. E ky është një mësim i hidhur, që Lapaj e Shabani nuk janë të parët që po e mësojnë.

The post Të mësosh hilet para rregullave first appeared on JavaNews.al.

Debati Rama-Farage si pasqyrë e botës së re ku kemi hyrë

By: S M
1 July 2025 at 17:08

Nga Skënder Minxhozi/

Nigel Farage është një personazh i njohur në Britaninë e Madhe dhe jashtë saj. Është njeriu që ka marrë përsipër meritën (damkën, nëse shihen sondazhet e sotme), për avancimin bashkë me Boris Johnson të fushatës së famshme të Brexit në verën e vitit 2016. Thënë ndryshe daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian pas referendumit të shpallur nga kryeministri i kohës David Cameron.

Prej disa ditësh Nigel Farage, kryetar i një partie politike të ekstremit të djathtë ka nisur një debat në distancë me kryeministrin Rama në lidhje me kriminalitetin shqiptar në Britani. “Merr kriminelët e tu” është mesazhi bazë i Farage, i cili tingëllon në sinkron të plotë me frymën ksenofobe e raciste që të djathtat evropiane po ndjekin këto kohë nën shembullim e administratës së Donald Trump, që ka nisur prej muajsh një gjueti emigrantësh në rrugët e qytetet e SHBA. Në thelb ajo që derdh Farage në mesazhet e tij për Ramën është një pjesë e helmit përjashtues në rang planetar që ka pushtuar kryesisht hemisferën veriore pas zgjedhjeve amerikane. Jemi futur në një botë të re dhe duhet bashkëjetuar me të!

Debati Rama-Farage është vetëm njëri ndër shumë e shumë episodet ku qindra mijë shqiptarë që punojnë sa shpirti jua di në lloj-lloj punësh të rënda, që çojnë përpara familjet e tyre me sakrifica të pafundme, shkollojnë fëmijët, që hapin biznese e paguajnë taksa – i gjithë ky komunitet njerëzor, vijon të vuajnë imazhin e trafikantit, kriminelit apo shkelësit të ligjit me pasaportë shqiptare. A thua se kombësitë e tjera janë engjëj! A thua se dhe vetë britanikët nuk janë de facto porositësit dhe konsumuesit më të parë të drogës e veseve të tjera për të cilat tregohen me gisht të ardhurit!

Britania e Madhe po përjeton sot një debat të brendshëm në lidhje me emigracionin, që sillet prej vitesh në rreth vicioz. Dalja nga Bashkimi Evropian nuk e zgjidhi problemin e infiltrimeve të refugjatëve klandestinë dhe as integrimin e tyre në shoqërinë britanike. Nuk përmirësoi as ekonominë e situatën sociale, çka krijon frustrim dhe shtyn drejt tezave të personazheve si Farage. Në këtë amulli politike stagmatizimi i një komuniteti si ai shqiptar ka qenë prej kohësh në axhendën e disa politikanëve e mediave. Megjithatë realieti është kokëfortë. Masa milionëshe e emigrantëve nga India, Pakistani, Bangladeshi, Lindja e Mesme apo Evropa Lindore së bashku me problematikat që ajo ka krijuar ndër vite, nuk mund të mbulohen me “shoshën” modeste të shqiptarëve. Jemi shumë pak për të qenë koka e turkut në një fuqi 60 milionëshe.

Nigel Farage është rasti klasik i populistit që po përpiqet të ndërtojë rikthimin e tij politik në skenën politike britanike, pas zhgënjimit masiv që ka shkaktuar Brexit, të cilin ai e glorifikoi dhe pasi po sheh se konservatorët në krizë, sfera më e afërt politike me idetë e tij, janë tashmë një basen votash ku ai mund të marrë përkrahje dhe konsensus. Ky është edhe thelbi i debatit të tij me Ramën: të fitojë pikë në lojën politike kombëtare.

Vetëm pak vite më parë Shqipëria doli vendi me më pak grabitje në Evropë, një shifër që habiti shumëkënd. Asnjë çudi në fakt. Ky është një realitet i cili lidhet me sjelljen tonë, me atë që jemi dhe bëjmë, përjashtuar rastet speficike nga të cilat nuk është i imunizuar asnjë vend. Britania e Madhe më e para, ashtu si çdo vend i madh perëndimor.

Kur statistikat flasin, e vërteta del në shesh. Kur elita drejtuese e një vendi si Britania e Madhe kërkon të bëjë propogandë e luftë politike me emigracionin, e vërteta fshihet, përdridhet dhe manipulohet. Ky është rasti kur shifrat fryhen, statistikat fillojnë e fusin ujë, teksa populistët e tipit Farage nisin e kërkojnë kokat e turkut për paaftësinë e tyre për të ofruar zgjidhje për krizat e brendshme.

Tirana dhe qytetet e tjera të Shqipërisë janë një vend shumë më i sigurt se Londra apo Liverpuli e kjo pasiguri në ato qendra të mëdha urbane natyrisht s’i detyrohet shqiptarëve të dhunshëm aty. S’mund të jemi engjëj në vendin tonë dhe kriminelë e vrasës nëpër botë. Nuk shkon as me logjikë e as me fakte. Më e saktë është të thuhet siç nuk ka pyll pa derra, po ashtu nuk ka komunitete emigrantësh pa kriminelë e trafikantë. Puna është se këta të dytët bëjnë rregullisht më shumë zhurmë e bien në sy ku e ku më fort sesa qindra mijë të tjerët që ulin kokën e mundohen të përballin jetën e vështirë të emigrantit.

Do dalë përherë një Farage që të na e fryjë këtë lloj propogande spekuluese, e cila zhduket ngadalë dhe me shumë vështirësi nga trutë e opinionit publik. Siç ka ndodhur me “italianët janë mafiozë”, “francezët arrogantë” apo me “hebrenjtë hileqarë” etj etj. Janë klishe të cilat fatkeqësisht vetëm koha do i shërojë dhe kura zakonisht në këto raste është e ngadaltë. S’po përmendim klishetë për britanikët sepse lista do të ishte shumë e gjatë dhe jo fort e bukur!

 

 

The post Debati Rama-Farage si pasqyrë e botës së re ku kemi hyrë first appeared on JavaNews.al.

Neni Basha, kur Doktori përjetëson paraardhësin

By: S M
29 June 2025 at 16:39

Nga Skënder Minxhozi/

Doni t’i gjeni një përcaktim të shkurtër dhe përmbledhës asaj që po ndodh në Partinë Demokratike pas 11 majit?! Mjafton të shqiptoni togëfjalëshin “neni Basha” dhe i keni thënë të gjitha. Nuk ka nevojë as për analiza, refleksione, kalkulime a tjerrje të këtij lloji. Shihni si u soll kreu i partisë në momentin që u vu përballë shifrave zgjedhore dhe do të kuptoni gjithçka. Do të kuptoni përse partia po hesht teksa u tkurr me 250 mijë vota krahasuar me katër vite më parë. Do të kuptoni përse Berisha dhe të tjerët që tashmë janë emëruar deputetë janë kaq të qetë dhe bëjnë një luftë imagjinare sa për sy e faqe me kutitë e votimit sa për të kaluar vapën.

Do të kuptoni përse stanjacioni e jo rotacioni apo rinovimi i elitës drejtuese janë alfa dhe omega e Partisë Demokratike qyshse përzunë me hunj e shkallë zjarrëfikësish nga selia kryetarin humbës tre vjet të shkuara. Do të kuptoni më në fund përse Edi Rama ka luksin të mos lerë mbledhje a konferencë (apo edhe dasëm) pa marrë pjesë në Evropë e SHBA, duke lënë në Tiranë shqytarët e vet që të merren me folklorin elektoral të opozitës.

E keqja e epokës teknologjike që jetojmë është se asgjë që thuhet publikisht nuk zhduket më. Google dhe gjigandët e tjerë të botës dixhitale kanë shpikur madje “të drejtën e harresës” si mjet për t’i hequr nga qarkullimi disa ngjarje e lajme të vjetra. Por ja që deklaratat e Berishës në momentin kur PD miratonte nenin e largimit të kryetarit në statutin e ri, janë ende në rrjet. Ai deklaronte, fjala vjen, në 1 dhjetor 2021 se “kryetari do të largohet, nëse humb zgjedhjet, pa asnjë diskutim. Ky nen do quhet “Neni Basha”! Duke e shoqëruar propozimin me lëvizjen karakteristike të dorës kur dëshëron të garantojë ata që ka përpara, Doktori mundi t’i shkëpusë disa duartrokitje e fishkëllima entuziaste militantëve të mbledhur në sallë, por siç ka ndodhur rëndom me garancitë e tij publike, ato kanë qenë fjalë të shkruara në akull.

Mund t’i shohë kushdo dhe të provojë sesa pak përputhen këto fjalë sot me qëndrimin në zyrë të Sali Berishës. Mund të shohë fjala vjen edhe atë që deklaronte Gazmend Bardhi tre vjet më parë e ta krahasojë me atë që thotë këro orë në favor të qëndrimit të Berishës edhe pasi mbeti 33 mandate prapa Edi Ramës në zgjedhje.

“Neni Basha” është sot totemi i vërtetë që mban në këmbë PD-në e sotme, filozofinë e saj të vijimësisë dhe të kultit të individit. Sikur të mos kishte një nen të posaçëm për shkarkimin e kryetarit të PD, nuk do të dinim si ta përkufizonim shpejt e me pak fjalë refuzimin e tij për të ikur nga detyra. Neni në fjalë nuk parasheh sesa të vështira kanë qenë zgjedhjet për partinë, sesa hajdute ishte pala tjetër dhe sesa “rrethana” specifike u bënë pengesë për fitoren e garës elektorale. Ky nen, sipas ngulmimit dhe batutave ironike që Berisha përdorte në momentin që aprovohej uninamisht dhe duke mallkuar “Lul bravën”, nuk duhej të linte asnjë shteg për justifikime. Të tillë e donte Berisha dhe të tjerët asokohe. Rigoroz, të prerë dhe të paapelueshëm. Ironia e 11 majit provoi se guri i hedhur lart në atë moment, ra shpejt mbi kokat e propozuesve të nenit. Koha dhe graviteti fitojnë gjithnjë, thonë ligjet e fizikës.

A ka nder më të madh për Lulzim Bashën sesa të krijosh një dispozitë staturore me emrin e tij e cila parasheh shkarkim automatik në rast humbjeje të zgjedhjeve, e më pas kur kjo rrethanë të paraqitet, ti ta refuzosh atë publikisht dhe me insistim! Basha arriti një rezultat elektoral në kufinjtë e komikes, por për një gjë duhet të jetë i kënaqur: ata që e larguan e kanë kthyer në simbolin e papërgjegjshmërisë së tyre. Me siguri do të jetë duke fërkuar barkun nga kënaqësia që nga 12 maji. E dënuan me një nen të cilin nuk po e zbatojnë ata vetë të parët…

 

The post Neni Basha, kur Doktori përjetëson paraardhësin first appeared on JavaNews.al.

Kutitë u hapën, pushime të mbara!

By: S M
24 June 2025 at 09:56

Nga Skënder Minxhozi/

 

Ashtu siç pritej saga e hapjes së kutive dëshmoi edhe një herë tjetër, nëse ka qenë nevoja për diçka të tillë, se zgjedhjet shqiptare rezultojnë të ndershme e pa probleme kur ato verifikohen brenda trajektores së ditës së votimit dhe periudhës së numërimit të votave. Qindra kuti janë hapur tashmë në të gjithë territorin e Shqipërisë dhe ato kanë zbuluar një listë problemesh teknike, kurthesh të vogla komisionerësh, bërryla kandidatësh apo thjesht pakujdesi, të cilat deri tani nuk kanë lëvizur nga vendi as edhe njërin prej 33 mandateve që Rama ka avantazh mbi Berishën. Madje as mandatin milimetrik të Zegjinesë! As Ilir Alimehmeti nuk ja mori dot vendin Jorida Tabakut e as partitë e reja nuk shtuan dot asnjë mandat tjetër. Rinumërimi i la shifrat aty ku i gjeti, me përjashtim të pak qindra votave që kanë lëvizur më shumë brenda listave të të njëjtës forcë politike, sesa mes pozitës dhe opozitës.

Ajo që shpaloset sa herë rihapen kutitë në proceset elektorale shqiptare, po konfirmohet edhe këtë radhë. Madje për ironi të fatit, kur janë rinumëruar 50 përqind e kutive të Tiranës partia më e favorizuar padrejtësisht me vota është PD. Në 606 kuti të rinumëruara demokratët kanë marrë padrejtësisht 309 vota, kurse PS 223 vota. Ata që bërtasin se janë vjedhur, rezultojnë se ju kanë marrë vota të tjerëve!

Që rinumërimi ishte një stuhi në gotën e ujit kjo pritej. Sepse zgjedhjet tona kanë kohë që kanë marrë një dozë të madhe vëmendjeje dhe verifikimi në procesin e votimit dhe numërimit të votës. Tregtia e vockël e votave mes komisionerëve e kandidatëve nëpër tryezat e numërimit është e vetmja lojë që po zbulohet gradualisht duke na dhënë të kuptojmë edhe një herë sesa i madh është hendeku mes asaj që dëgjojmë nga podiumet e politikës dhe studiot televizive, me atë që ka ndodhur realisht në terren me mbi 5200 kutitë e votimit në 11 maj.

Masakra elektorale që priste Sali Berisha rezultoi ashtu siç pritej, një flluskë sapuni. Shqipëria e varfër nuk ka trena shqiptarë, e jo më të ketë trena bullgarë, siç thotë opozita.

Vendi ynë i drejtohet kësisoj edhe një herë më tepër pas një sage elektorale, një vere të nxehtë të mbushur me lajme pushimesh, me turma turistësh nëpër plazhe dhe rrugët, fshatrat e qytetet dhe me gosipin e tekave të vipave që ndërrojnë kostumet e banjos, të dashurat apo destinacionet ekzotike. Sherri i zgjedhjeve vjen e tretet si vesa para diellit, sapo stina e nxehtë instalohet fuqiplotë dhe topit shqisat politike të miliona shqiptarëve.

Për pak ditë politika shqiptare do të heqë spinën dhe do t’i drejtohet plazhit. Ky do të jetë edhe akti i fundit dramës së sforcuar zgjedhore, ku më në fund Ilirian Celibashi do të ketë mundësinë të hedhë firmën finale mbi rezultatin e 11 majit. Është një procedurë disamujore që përsëritet e me të cilën jemi mësuar tashmë, madje e kemi bërë edhe Kosovën të sillet si ne me zgjedhjet me kalimin e viteve.

Me hapjen e kutive opozita mori edhe nje tjetër bumerang në fytyrë. Pas rinumërimit të votave kudo nëpër Shqipëri teorema e masakrës elektorale është sot edhe më e dobët e anemike.

Jemi përballë rastit klasik kur një palë humbëse e përdor kontestimin e rezultatit si melhem për plagët e marra në kutitë e votimit. Pas rinumërimit në kuti nuk po gjendet shkaku i humbjes, por alibia e saj. Berisha po e shtyn me mjeshtëri karrocën e humbësit drejt pushimeve verore, ndërkohë që lufta e tij me kutitë po bie qysh tani në plan të dytë, përballë luftës tjetër, asaj të vërtetës mes Iranit dhe Izraelit. Shqiptarët po dëshmojnë se janë më të interesuar për raketat mbi Tel Aviv e Teheran, sesa për dramat psiko-sociale Alimehmeti-Tabaku apo Xhaçka-Gjylameti.

Ndodhemi në një pikë të sezonit politik, atë post-zgjedhor, ku Sali Berisha “takon” Lulzim Bashën. Në sensin që të dy janë gjetur përballë realitetit të ftohtë identik të shifrave elektorale që i ka nxjerrë humbës, duke u përpjekur të justifikohen me lloj-lloj piruetash përballë shqiptarëve. Siç pritej, edhe hapja e kutive nuk ndihmoi. Megjithatë do të ndihmojnë pushimet verore dhe plazhi, “melhemi” i zakonshëm i opozitës në 12 vitet e fundit.

The post Kutitë u hapën, pushime të mbara! first appeared on JavaNews.al.

4 muaj pa Kuvend/ Minxhozi: Kosova po rrezikon të mbetet jashtë “trenit të historisë” për shkak të papërgjegjshmërisë politike

By: Rovena
16 June 2025 at 21:15

Analisti Skënder Minxhozi në emisionin “Real Story” në ABC News, ngriti shqetësimin për papërgjegjshmërinë e klasës politike kosovare në një moment vendimtar për të ardhmen e vendit.

Duke iu referuar një paralajmërimi historik të ish-presidentit amerikan Bill Klinton për domosdoshmërinë e kapjes së momenteve të favorshme diplomatike, Minxhozi theksoi se dështimi i institucioneve në Prishtinë për të formuar Kuvendin, edhe pas disa muajsh nga zgjedhjet, reflekton një mungesë serioze të vetëdijes politike.

Ai paralajmëroi se një sjellje e tillë në kushtet aktuale të sanksioneve ndërkombëtare dhe tensioneve me Serbinë, rrezikon të lërë Kosovën jashtë zhvillimeve strategjike, në një kohë kur nevojitet bashkëpunim dhe lidership i pjekur.

“Nëse shtete të tilla të cilat kanë nevojë për suport, njohje dhe integrim për strukturën e organizmave ndërkombëtare. Nëse nuk i kapin në kohë të shpejtë oportunitete dhe momentet e favorshme që sjell rrjedhja e ngjarjeve, ato rrezikojnë që nëse e kapin me vonesë trenin e historisë të gjejnë kushte më të pafavorshme. Këtë frazë Bill Klinton e ka thënë për shqiptarët e Kosovës, ‘futuni në dialog me Serbinë sepse ajo që do të merrni më vonë do të jetë më pas se ajo që po iu ofrohet tani’.

Ky është problemi i madh me klasën politike kosovare sot. Mjafton që të shohim luftën për Albulenën për të kuptuar se sa pak seriozë po tregohen. Kjo është e papranueshme se si të kenë kaluar 32 herë dhe Kurti e partia e tij të kenë vazhdë këtë qasje. Kanë votuar në shkurt dhe tani jemi në qershor dhe nuk kanë arritur akoma që të bëjnë Kuvendin.

Kjo tregon një vetëdije politike dhe një papërgjegjshmëri e cila në momente kaq shumë delikate, ku Kosova ka nevojë për klasën më bashkëpunuese të mundshme, ku i duhen të gjithë ato impuetet e mundshme, që Kosova të jetë sa më e konfliktuar përballë një Serbie që e dimë se sa e fuqishme është, përballë një sfide që hedh SHBA dhe Evropa, sepse janë në sanksione. Mendojnë se hajde se po marr disa emigrantë të paligjshëm nga Amerika dhe ata do të më marrin me sy të mirë mua. Nuk ndodh kjo! Papërgjegjshmëria e klasës politike kosovare dhe e fituesve relativë të zgjedhjeve të shkurtit është e dhimbshme”, tha analisti./abcnews.al

Axhenda e shurdhit

By: S M
14 June 2025 at 18:54

Nga Skënder Minxhozi/

“Ajo që thoni ju s’ka asnjë lidhje me përkrahjen për qeverinë. Ka qenë një datë e vendosur shumë muaj më parë. Eshtë krejt gjë tjetër”. Kjo qe përgjigja që Sali Berisha i dha një gazetari televiziv gjatë fushatës, kur ai e pyeti për Samitin e Komunitetit Politik Evropian që do të zhvillohej në Tiranë pak ditë pas zgjedhjeve të 11 majit. Në atë rast, por edhe në të tjera rrethana, Berisha përpiqej rregullisht ta minimizonte rëndësinë e atij aktiviteti edhe pse në mes të Tiranës kish nisur të marrë formë ngrehina e përkohshme ku do të mbahej Samiti.

Ishte preludi i atij takimi i cili do të sillte një breshëri urimesh në adresë të Edi Ramës për “fitoren në zgjedhje”. Megjithëse kutitë ishin ende duke u numëruar dhe tradita shumëvjeçare e zgjedhjeve shqiptare këshillonte kujdes në deklarata dhe urime. Ato vinin si rregull pasi Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve të zbardhte zyrtarisht rezultatin final.

47 krerë shtetesh e qeverish të Evropës nuk mjaftuan që Sali Berisha të mos i hynte detit në këmbë për të bindur shqiptarët se fitorja e Ramës qe në fakt një humbje dhe se ai ishte më i izoluar se kurrë nga ndërkombëtarët pasi kishte vjedhur zgjedhjet. Gjithçka e kthyer kokëposhtë, gjithçka e parë në të kundërtën e saj. Është një axhendë politike që shpërfill realitetin, duke ndërtuar një të tillë enkas për vete.

Këtë po shohim edhe në këtë muaj të parë pas zgjedhjeve parlamentare, kur fitorja e qeverisë dhe humbja e opozitës janë të dyja të përmasave madhështore. Siç e thoshte edhe slogani elektoral i Partisë Demokratike. Më e para lojë pasqyrash që lidhet me zgjedhjet u luajt me urimin e munguar, e më pas të anatemuar të qeverisë amerikane. Pasi Berisha e pati të vështirë ta konsiderojë turravrapin e hareshëm të Von Der Leyen mes shiut në krahët e Edi Ramës, si një shuplakë të Brukselit për Tiranën, ai u hodh matanë Atlantikut. “Pse s’po vjen urim nga amerikanët”? “Ta shihni që do t’i hedhin poshtë zgjedhjet, Rama i ka ditët e numëruara”!

Loja e heshtjes me Amerikën i dha hov edhe një herë më tepër teorive të komplotit për gjithfarë urdhërash e mesazhesh sekrete që Trump i paskesh dërguar Edi Ramës, ndërkohë që sipas të njëjtave teori Altin Dumani bënte gati prangat për kryeministrin me dosjen e Mcgonigalit në dorë. E gjitha sipas parimit shvejkian “e ç’më duhet mua se çfarë them unë”?!

E njëjta axhendë propogande prej shurdhi e cila shpërfill çdo lidhje me të vërtetën dhe realitetin ka pushtuar edhe temat e tjera të aktualitetit politik. Hapen kapitujt e negociatave me Bashkimin Evropian, e menjëhershme vjen replika: mirë që u hapën, po shihni kur do të mbyllen! Deklarojnë zyrtarët më të lartë të BE, përfshirë komisioneren e zgjerimit Marta Kos se Shqipëria mund të aderojë në Union brenda vitit 2030, sërish opozita vijon me të vetën: Rama na ka izoluar si askush më parë me miqtë e partnerët!

Për të disatën herë gjatë ditëve të fundit Berisha po pretendon se ministri i jashtëm Igli Hasani ka kërcënuar misionin vëzhgues të OSBE-ODIHR me qëllim që ata të ndryshojnë qëndrim në përpilimin e raportit final të zgjedhjeve të 11 majit. Çka e detyroi misionin në fjalë të deklarojë zyrtarisht për median shqiptare se “nuk ka pasur asnjë kërcënim apo frikësim ndaj misionit tonë të vëzhgimit të zgjedhjeve në asnjë moment gjatë qëndrimit të tij, as para dhe as pas publikimit të deklaratës paraprake me gjetjet dhe përfundimet”. E megjithatë, sado i qartë e pa ekuivok të jetë ky paragraf, sërish nuk ka ndonjë garanci se Berisha nuk do e përsërisë historinë e ministrit të jashtëm me misionin sipas versionit të tij. E ka fajin axhenda e shurdhit!

Është po kjo axhendë që prodhoi fantazmën e trenit bullgar apo të 130 mijë votave të munguara, që vijojnë të mbeten akuza pa prova. Apo edhe më keq, të provuara si të pavërteta. Axhenda e shurdhit bën të dalin në plan të dytë e të mos përmenden devijimet e votave brenda listës së opozitës, kalimet e votave nga një kandidat tek tjetri, shoqeruar me akuza publike mes emrave të njohur të Partisë Demokratike.

Nevoja urgjente për një fabul justifikuese për humbjen e thellë krijon prioritete të cilat nuk kanë lidhje me realitetin, por me interesin partiak. Në vitrinë është ulur këmbëkryq axhenda e shurdhit. Jo e atij që nuk dëgjon, por shumw më keq se kaq. Axhenda e atij që dëgjon, sheh dhe kupton, por bën sikur nuk disponon asnjërën nga këto aftësi. Dhe ky është invaliditeti më i keq sepse të çon rregullisht t’i biesh murit me kokë.

The post Axhenda e shurdhit first appeared on JavaNews.al.

Bumerangu ndodhet brenda kutive

10 June 2025 at 16:32

Nga Skënder Minxhozi

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve njoftoi se ka anulluar pushimet verore pas kalimit në rinumërim të disa qarqeve kryesore. Kryekomisioneri Ilirian Celibashi tha gjithashtu se nuk nevojiten fonde shtesë për të rinumëruar votat në Tiranë, Fier e Dibër pasi janë kursyer 3 milion euro nga procesi i votimit në diasporë. Në këtë mënyrë mesi i gushtit do e gjejë KQZ në procesin e rinumërimit, duke e shtyrë drejt fundit të verës certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve. Shqipëria s’do të njohë rezultatin e zgjedhjeve të mbajtura në pranverë deri në fund të verës. Tipike shqiptare kjo dukuri e shëmtuar më shumë se 30 vjeçare!

Opozita po turret drejt rinumërimit të votave në disa qarqe kryesore, në abuzim me të drejtën përkatëse që i jep Kodi Zgjedhor. Ashtu siç sugjeronte me të drejtë një koleg së fundi, kjo taktikë bllokimi e shtyrjeje duhet të ketë edhe një përgjegjësi të caktuar nga pas. Nëse kontestohet vetëm për të kontestuar, ndërkohë që shifrat nuk lëvizin, duhet të ketë një penalitet për atë palë që e abuzon këtë të drejtë. Zgjedhjet kombëtare nuk mund të mbahen peng për arsye grupi apo paneli politik.

Strategjia e opozitës synon në këto kushte të arrijë disa objektiva të brendshme, kuptohet duke shpërfilur gjithçka që mund të konsiderohet si interes publik apo kombëtar. Së pari Berisha kërkon që përmes mbajtjes “gjallë” të debatit për standartin e zgjedhjeve, të anashkalojë dhe anullojë çdo tendencë diskutimi e debati brenda PD në lidhje me përgjegjësinë e tij personale në rezultatet e 11 majit. “Neni Basha” i cili e nxjerr jashtë zyrës së kryetarit Doktorin, është një çengel procedural që përflitet se do të përdoret nga zyrtarë të caktuar në PD sapo rezultati zgjedhor të jetë shpallur zyrtarisht nga KQZ. Berisha nuk do të donte kurrsesi që kjo andrallë statutore apo edhe debate e pakënaqësi të individëve të ndryshëm në parti, të vendosin sadopak në rrezik pozitën e tij dominuese në PD. Jo më kot avokati i tij kërcënonte pak ditë më parë me përplasje fizike ata që do t’i binin në qafë “shpëtimtarit të partisë”!

Së dyti, edhe kjo e lidhur me fatin e Berishës, PD po kërkon që përmes rinumërimeve të largojë edhe debatin tjetër më të gjerë, atë të forumeve drejtuese partiake për humbjen madhështore ku e futën opozitën shqiptare. Listat e mbyllura qenë produkti i një vizioni të bunkerizuar që Berisha ka për forumet drejtuese të partisë. Përgjegjësia e këtyre forumeve për lënien rrugëve të mbi 200 mijë votave, është një temë që normalisht duhet të kishte provokuar një debat të fuqishëm të brendshëm të cilin në PD po mundohen ta bllokojnë me çdo kusht. Dhe karta më e përdorur në këto raste dihet cila është: Na vodhën!

Së treti, ndërtimi i një teoreme për trukimin e zgjedhjeve do të shërbente si karburant për të rianimuar sadopak votuesin opozitar, i cili ndodhet tashmë i demotivuar, në një depresion psikologjik të cilit nuk i shihet fundi. Gjetja e ndonjë parregullsie brenda kutive të rinumëruara do t’i jepte një grimë shpresë dhe fuqi tezës se zgjedhjet u fituan, por Rama përvetësoi fitoren!

Ka një kundër-argument megjithatë në gjithë këtë strategji “tërhiq e mos e këput”. Është bumerangu që krijohet objektivisht kur paditë dhe ankimimet verifikohen dhe rezultati nuk ndryshon. Gjatë këtyre javëve pas 11 majit Berisha dhe zyrtarët më të lartë të PD kanë shpenzuar shumë kohë dhe energji për të artikuluar akuza të rënda dhe skualifikuese për procesin elektoral. Treni bullgar është një togëfjalësh i përdorur gjerësisht në kriticizmin e opozitës ndaj zgjedhjeve. Megjithatë asnjë provë konkrete nuk ka filtruar deri më sot nga mbi 5000 kutitë e votimit në të gjithë territorin në lidhje me këtë akuzë, edhe pse me mundësitë që ofron sot teknologjia celularët dhe kamerat e çdo tipi e formati filmojnë gjithçka që ka të bëjë me jetën tonë të përditshme.

Edhe akuza tjetër, ajo e mungesës së 130 mijë fletëve të votimit, u pa nga hapja e kutive të Vlorës se kishte qenë një boshllëk procedural, e jo një vakuum i vërtetë që nënkupton manipulim dhe modifikim të rezultatit.

Sali Berisha e di fort mirë se duke kërkuar rihapjen e procesit në qarqet e mëdha, thjesht po shtyn certifikimin final të zgjedhjeve. Ai e di se po kërkon në vendin e gabuar për provat e manipulimit. Prej kohësh që tashmë s’mbahen mend, zgjedhjet shqiptare nuk e kanë të keqen brenda kutive të votimit. Zgjedhjet tona nuk blihen ose shiten ditën e zgjedhjeve, as kutitë nuk hapen dhunshëm për t’u mbushur me fletë votimi. Gjithçka ndodh shumë më herët. Atëhere kur palët dalin e blejnë nëpër fshatra e qytete me para në dorë, vende pune apo oferta të tjera ekonomike. Dhe në këtë pikë opozita ka qenë e paaftë të krijojë me vota konkrete e të qarta mozaikun e vjedhjes së zgjedhjeve në 11 maj.

Rezultati elektoral i radhës nuk le shumë vend për të manovruar me akuzat e vjedhjes e manipulimit. 33 mandate distancë mes palëve kryesore janë një greminë që nuk mund ta mbushë asnjë akuzë apo listë akuzash. Vullneti i votuesit ka qenë i qartë, detajet dhe ngjarjet sporadike nuk mund ta tjetërsojnë një humbje të rëndë dhe të pakthyeshme politike e elektorale. Duke rihapur kutitë pa gjetur në to atë që do të dëshëronte të gjente (përveç firmave të komisionerëve të vet) Berisha do të kishte në fund të sezonit veror një argument më pak për vjedhjen e zgjedhjeve. Një argument me pak, por një bumerang më shumë…

Masakër qeveritare apo masakër brezash?!

3 June 2025 at 10:14

Nga Skënder Minxhozi

Katër djem (jo edhe aq) të rinj vinin vërdallë nëpër Shqipëri dhe emigracion gjatë fushatës së fundit të 11 majit. Disa prej tyre kishin qenë aktivistë politikë në të shkuarën, njëri edhe deputet. Pakkush nga votuesit e kuptonte se çfarë përfaqësonin politikisht dhe me gjasë ende s’kanë lexuar asnjë rresht nga programi i tyre. Dinë se ata janë kundër Ramës dhe Berishës.

Pak shqiptarë patën kohë t’i kuptojnë partitë e reja deri në 11 maj. Jo si persona, por si projekte politike. E megjithatë Lapaj, Shehaj, Shabani e Qori morën plot 164 mijë vota, bashkë me treshen Basha-Alibeaj e Shehi. Një e katërta e votave opozitare në 11 maj u hodh jo për ASHM-në e Berishës, Metës e Mediut por për parti që kandidonin për herë të parë në zgjedhje. Një mal me vota që në katër vite firuan nga thesi i madh i votave anti-qeveri, për shkak levizjesh e partish të ngritura me nxitim, me pak financa dhe me fare pak njohje në opinionin publik. Pa shumë shaka në rrethet mediatike qarkullon një batutë e cila sfidon këdo të gjejë numrat dy në partitë e Lapajt, Shehajt e Qorit. Me siguri mbi 95% e shqiptarëve nuk jua dinë emrat!

Nëse kërkojmë të kuptojmë 11 majin, nuk mund ta minimizojmë kurrsesi rezultatin final vetëm tek “vjedhje, vjedhje, vjedhje…”. Nxitimi i Berishës dhe Metës për t’ja faturuar humbjen e tyre te madhe personale dhe të shtrirë pothuajse në të gjithë hartën e vendit, vetëm rolit manipulues të qeverisë është një alibi e cila ka mërzitur tashmë edhe vetë elektoratin e djathtë, i cili ka 12 vjet që pret që këta kalorës të vjetër të politikës të nxjerrin më në fund nga cilindri kartën magjike që do të çojë në opozitë Edi Ramën.

Ajo që ka ndodhur në vend të fitores së premtuar, është një refren qaraman që fillon në mëngjes e nuk shuhet as në darkë, madje edhe në studiot gjithashtu qaramane që vajtojnë zgjedhjet. Gjuetia e momentit quhet “gjej votat e vjedhura”, duke mohuar njëherësh “votat e humbura për fajin e shefave”! Askush nuk i kërkon sot fjala vjen Berishës llogari përse nuk i ruajti dot votat. Edhe pse ishte vetë shefi i opozitës siguronte të madh e të vogël se kësaj radhe Rama s’kishte nga ja mbante pasi ai i kishte siguruar votat e shqiptarëve.

Pyetja që studiot televizive opozitare dhe media tjetër pranë PD e PL refuzon ta bëjë është “pse nuk jepni dorëheqjen për shkak se nuk i ruajtët votat”?! Sepse e sigurt është që dikush duhej të kishte ikur tashmë. E thotë edhe “neni Basha” që Berisha e instaloi në statutin e partisë duke e shoqëruar me ironi dhe thumba për paraardhësin e tij. Si e do dorëheqjen, për shkak se nuk mblodhe vota mjaftueshëm, apo për shkak se pasi i mblodhe nuk dite t’i ruash?! Do ikësh si i pabesueshëm për elektoratin, apo si i pazoti të ruash kutitë e tua?! Këto janë pyetjet që s’i bën askush sot, por që janë thelbi i humbjes së 11 majit.

Leximi që nxjerrin në pah shifrat tregon se përveç rastit të PS, e cila ka ruajtur kuotat si një parti e vjetër dhe si forca politike më e madhe e tranzicionit (mori mbi 850 mijë vota), pala tjetër përballë, ajo e PD-PL ka rënë zhurmshëm duke humbur 250 mijë vota krahasuar me 2021. Dyshja Berisha-Meta që janë parë si formati elektoral më dinamik dhe si rreziku më i madh për PS, rezultuan të jenë një tollumbace e shfryrë në raport me sfidën ndaj pushtetit.

Gjysëm milioni vota (529 mijë egzaktësisht) nuk janë pak për të kaluar një katërvjeçar të qetë në opozitë, por janë krejt të pamjaftueshme për të synuar qeverisjen. Dhe PD-LSI synimin kryesor kanë pushtetin,  të paktën kështu na kanë thënë deri më sot.

Puna është se trashëgimia politike dhe elektorale e këtyre dy siglave të mëdha të politikës shqiptare ndodhet sot nën trysninë e erozionit nga ajo që mund të shihet si një luftë brezash në elitën politike të vendit.

Nuk ishin vetëm Lapaj, Shehja e Qori problemi i Sali Berishës e Ilir Metës në 11 maj. Janë edhe politikanët e rinj, ata që nuk janë përlyer me servilizmin ndaj shefave të djeshëm ose të sotëm dhe që e bëjnë të qetë gjumin në darkë, pa frikën e ndonjë kontrolli të BKH në shtëpi.

Konkretisht, Jorida Tabaku dhe Ilir Alimehmeti kanë marrë të dy së bashku në qarkun Tiranë në 11 maj plot 38.5 mijë vota. Ndërkohë i gjithë koalicioni ASHM ka marrë në Tiranë 164 mijë vota. Vetëm dy kandidatë të listës së hapur kanë marrë çerekun e votave të të gjithë opozitës së vjetër në kryeqytet!

Nuk ka tregues më të qartë se ky, se efekti gërryes ka funksionuar së jashtmi, por ka qenë prezent edhe brenda elektoratit të PD e PL. Së bashku me partitë e reja, kandidatët e rinj brenda PD janë sfida reale ndaj brezit të vjetër të politikanëve demokratë që vijojnë t’i shkojnë pas qorrazi Doktorit. Nuk ka një masakër qeveritare në zgjedhjet e majit, ka një masakër brezash në rradhët e opozitës së vjetër shqiptare që nuk di ta shohë humbjen në sy dhe ta pranojë.

Masakër qeveritare apo masakër brezash?!

By: S M
2 June 2025 at 19:37

Nga Skënder Minxhozi/

 

Katër djem (jo edhe aq) të rinj vinin vërdallë nëpër Shqipëri dhe emigracion gjatë fushatës së fundit të 11 majit. Disa prej tyre kishin qenë aktivistë politikë në të shkuarën, njëri edhe deputet. Pakkush nga votuesit e kuptonte se çfarë përfaqësonin politikisht dhe me gjasë ende s’kanë lexuar asnjë rresht nga programi i tyre. Dinë se ata janë kundër Ramës dhe Berishës.

Pak shqiptarë patën kohë t’i kuptojnë partitë e reja deri në 11 maj. Jo si persona, por si projekte politike. E megjithatë Lapaj, Shehaj, Shabani e Qori morën plot 164 mijë vota, bashkë me treshen Basha-Alibeaj e Shehi. Një e katërta e votave opozitare në 11 maj u hodh jo për ASHM-në e Berishës, Metës e Mediut por për parti që kandidonin për herë të parë në zgjedhje. Një mal me vota që në katër vite firuan nga thesi i madh i votave anti-qeveri, për shkak levizjesh e partish të ngritura me nxitim, me pak financa dhe me fare pak njohje në opinionin publik. Pa shumë shaka në rrethet mediatike qarkullon një batutë e cila sfidon këdo të gjejë numrat dy në partitë e Lapajt, Shehajt e Qorit. Me siguri mbi 95% e shqiptarëve nuk jua dinë emrat!

Nëse kërkojmë të kuptojmë 11 majin, nuk mund ta minimizojmë kurrsesi rezultatin final vetëm tek “vjedhje, vjedhje, vjedhje…”. Nxitimi i Berishës dhe Metës për t’ja faturuar humbjen e tyre e madhe personale dhe të shtrirë pothuajse në të gjithë hartën e vendit, vetëm rolit manipulues të qeverisë. Kjo është një alibi e cila ka mërzitur tashmë edhe vetë elektoratin e djathtë, i cili ka 12 vjet që pret që këta kalorës të vjetër të politikës të nxjerrin më në fund nga cilindri kartën magjike që do të çojë në opozitë Edi Ramën.

Ajo që ka ndodhur në vend të fitores së premtuar, është një refren qaraman që fillon në mëngjes e nuk shuhet as në darkë, madje edhe në studiot gjithashtu qaramane që vajtojnë zgjedhjet. Gjuetia e momentit quhet “gjej votat e vjedhura”, duke mohuar njëherësh “votat e humbura për fajin e shefave”! Askush nuk i kërkon sot fjala vjen Berishës llogari përse nuk i ruajti dot votat. Edhe pse ishte vetë shefi i opozitës siguronte të madh e të vogël se kësaj radhe Rama s’kishte nga ja mbante pasi ai i kishte siguruar votat e shqiptarëve.

Pyetja që studiot televizive opozitare dhe media tjetër pranë PD e PL refuzon ta bëjë është “pse nuk jepni dorëheqjen për shkak se nuk i ruajtët votat”?! Sepse e sigurt është që dikush duhej të kishte ikur tashmë. E thotë edhe “neni Basha” që Berisha e instaloi në statutin e partisë duke e shoqëruar me ironi dhe thumba për paraardhësin e tij. Si e do dorëheqjen, për shkak se nuk mblodhe vota mjaftueshëm, apo për shkak se pasi i mblodhe nuk dite t’i ruash?! Do ikësh si i pabesueshëm për elektoratin, apo si i pazoti të ruash kutitë e tua?! Këto janë pyetjet që s’i bën askush sot, por që janë thelbi i humbjes së 11 majit.

Leximi që nxjerrin në pah shifrat tregon se përveç rastit të PS, e cila ka ruajtur kuotat si një parti e vjetër dhe si forca politike më e madhe e tranzicionit (mori mbi 850 mijë vota), pala tjetër përballë, ajo e PD-PL ka rënë zhurmshëm duke humbur 250 mijë vota krahasuar me 2021. Dyshja Berisha-Meta që janë parë si formati elektoral më dinamik dhe si rreziku më i madh për PS, rezultuan të jenë një tollumbace e shfryrë në raport me sfidën ndaj pushtetit.

Gjysëm milioni vota (529 mijë egzaktësisht) nuk janë pak për të kaluar një katërvjeçar të qetë në opozitë, por janë krejt të pamjaftueshme për të synuar qeverisjen. Dhe PD-LSI synimin kryesor kanë pushtetin,  të paktën kështu na kanë thënë deri më sot.

Puna është se trashëgimia politike dhe elektorale e këtyre dy siglave të mëdha të politikës shqiptare ndodhet sot nën trysninë e erozionit nga ajo që mund të shihet si një luftë brezash në elitën politike të vendit.

Nuk ishin vetëm Lapaj, Shehja e Qori problemi i Sali Berishës e Ilir Metës në 11 maj. Janë edhe politikanët e rinj, ata që nuk janë përlyer me servilizmin ndaj shefave të djeshëm ose të sotëm dhe që e bëjnë të qetë gjumin në darkë, pa frikën e ndonjë kontrolli të BKH në shtëpi.

Konkretisht, Jorida Tabaku dhe Ilir Alimehmeti kanë marrë të dy së bashku në qarkun Tiranë në 11 maj plot 38.5 mijë vota. Ndërkohë i gjithë koalicioni ASHM ka marrë në Tiranë 164 mijë vota. Vetëm dy kandidatë të listës së hapur kanë marrë çerekun e votave të të gjithë opozitës së vjetër në kryeqytet!

Nuk ka tregues më të qartë se ky, se efekti gërryes ka funksionuar së jashtmi, por ka qenë prezent edhe brenda elektoratit të PD e PL. Së bashku me partitë e reja, kandidatët e rinj brenda PD janë sfida reale ndaj brezit të vjetër të politikanëve demokratë që vijojnë t’i shkojnë pas qorrazi Doktorit. Nuk ka një masakër qeveritare në zgjedhjet e majit, ka një masakër brezash në rradhët e opozitës së vjetër shqiptare që nuk di ta shohë humbjen në sy dhe ta pranojë.

The post Masakër qeveritare apo masakër brezash?! first appeared on JavaNews.al.

11 maji, SHBA foli/ Lela: Mesazhi, një formalitet. Minxhozi: Amerikanët treguan për vijimësi për partneritet dhe jo thyerje

By: Re Nato
29 May 2025 at 20:08

Shefi i zyrës së shtypit në PD, Alfred Lela thotë se mesazhi i SHBA për zgjedhjet e 11 majit, përmes ambasadës në Tiranë, ishte një formalitet.

Në emisionin “Real Story” në ABC News, Lela deklaroi se SHBA nuk u shpreh në favor të rezultatit.

Ndërsa analisti Skënder Minxhozi theksoi se amerikanët e certifikuan procesin e zgjedhjeve.

Alfred Lela: Si për çdo gjë tjetër, këndvështrimet do të ndryshojnë dhe duhet të jemi “ok” me këtë. Heshtja e gjatë, thotë diçka. Vonesa, thotë diçka. Mesazhi vetë, në leximin tim, edhe ai e thotë diçka. Çfarë thotë mesazhi? Mesazhi duket si një formalitet i urimit, por është më i pagjeniu mesazh, pa sens që është shpërndarë ndonjëherë nga ambasada e SHBA. U futa dhe pashë mesazhet pararendëse, i 2021 ishte flakë. Kemi qenë në mes të flakëve të Yurit në favor të dashnisë asokohe me Ramën. Ajo e shpall 2 orë para mesnate. Mesazhi me gjithë vulosjen që i ke bërë, do thoja që është një shenjë gishti e cila nuk vulos asgjë në favor të atij rezultati që është 83 mandate për PS, që duket sikur ka vulosur fundin e botës.

Skënder Minxhozi: Për mendimin tim, mesazhi amerikan ishte shumë i mirëmenduar, sepse shprehja e vjetër thotë, po të shkruaj gjatë sepse nuk kam kohë të shkruaj shkurt. Amerikanët kishin shkruar shumë shkurt kësaj radhe. Një telegram, më shumë sesa një letër. Do e vija në një kontekst më të gjerë të SHBA, së pari me botën dhe më specifikisht pastaj, dhe me ne. Unë mendoj se po. Amerika zgjodhi të mos flasë para, si rrallëherë. Gjithmonë jemi mësuar që arbitri të thotë diçka në faqen e saj online. Dhe vendosi të flasë shumë shkurt pas. Pra, është minimalja e lejueshme. Kjo ka të bëjë vetëm me zgjedhjet. Kjo lidhet me atë që Amerika e sotme, ka vendosur të jetë pas datës 20 janar, më së shumti. Nuk është më vendi që hidhet në zjarr për standardet. Pra, nuk është më vendi që ka një politikë të mirëfilltë të sigurisë ballkanike. Është një vend që nuk ka folur për drejtësinë e re, që kur ka ardhur Trump. Deklarata, gjërat që dëshiron t’i thotë, i tha. Unë mendoj se procesin e ka certifikuar, sepse ky do të jetë qëndrimi i fundit amerikan për këtë ngjarje, që është 11 maji. Është e mirëmenduar, është vetëm një frazë, por vendimin e dha. Nuk ka dashuri politike për palët. Ata nuk duan të jenë më kujdestari dhe gjykata supreme./abcnews.al

Amerika foli…dhe uroi!

By: S M
27 May 2025 at 17:26

Nga Skënder Minxhozi/

Ishte e para që dikur mbante qëndrim sa herë që Shqipëria kalonte një situatë delikate, ndërsa sot është ndër të fundit që shprehet për zgjedhjet parlamentare. Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka mbajtur më në fund qëndrimin zyrtar ndaj procesit zgjedhor të dy javëve më parë dhe e ka bërë këtë përmes një urimi. I vetmi element që zbulon sesi i ka lexuar Uashingotin zgjedhjet e fundit shqiptare. “Urojmë popullin e Shqipërisë për zgjedhjet parlamentare dhe presim të vazhdojmë partneritetin tonë të ngushtë me Shqipërinë”, shkruan ambasada.

Një telegram më shumë sesa një analizë dhe qëndrim i zgjatur zyrtar. Një frazë e shkurtër krejt në kontrast me deklaratat zyrtare të zgjedhjeve të shkuara, ku kishte mesazhe për të gjitha palët, fituesit dhe humbësit, por edhe për cilësinë e procesit dhe vërtetësinë e rezultatit.

Këtë radhë, si për të provuar se asgjë nuk është më si më parë pas 20 janarit, administrata Trump mjaftohet me një urim të shkurtër, duke mos hyrë qëllimisht në thelbin e procesit zgjedhor, për të mos krijuar dinamika të caktuara brenda politikës shqiptare, e cila e priste me padurim këtë qëndrim prej ditësh.

Së pari, nëse do të kishte rezerva për zgjedhjet e 11 majit, SHBA nuk do të uronin, por do të mbanin një qëndrim tjetër. Më të ashpër, ose mund ta kalonin me heshtje atë që ndodhi në Shqipëri ditën e zgjedhjeve. Në këtë prizëm opozita nuk ka marrë atë që priste nga qëndrimi amerikan për zgjedhjet. Ashtu siç nuk mori as heqjen e statusit non grata për Berishën apo ndonjë mesazh mbështetjeje para zgjedhjeve.

Në anën tjetër Rama mund të jetë i kënaqur me faktin se pala amerikane shprehet se “presim të vazhdojmë përtneritetin tonë të ngushtë me Shqipërinë”. Një mesazh jo edhe aq i koduar e i vështirë për t’u kuptuar, se amerikanët presin vijimësinë e jo diçka tjetër. SHBA njeh rezultatin dhe pret të vijojë bashkëpunimin me qeverisësit!

Edhe një element i fundit: SHBA po na fton në mënyrë të përsëritur që ta heqim nga roli i arbitrit suprem që i kemi dhënë këto 30 vjitet e fundit. E ka bërë këtë duke heshtur praktikisht për çdo ngjarje, krizë apo përplasje që është konsumuar në Shqipëri pas ardhjes në detyrë të presidentit Trump. E ka bërë duke anuluar praktikisht të gjitha programet e asistencës, siç ka bërë në gjithë botën, duke hequr mbështetjen deklamative për drejtësinë e re dhe SPAK dhe duke heshtur gjatë gjithë fushatës së fundit zgjedhore.

SHBA po na thotë se nuk dëshëron më të jetë dera ku trokasim në çdo orë të ditës dhe natës sa herë që e bëjmë lëmsh vendin tonë. Është një vendim i drejtë që na vjen përmes një dekarate për zgjedhjet që ashtu siç është, e shkurtër, telegrafike dhe pa detaje e qëndrime mes rreshtash, na jep mesazhin madhor se kohët kanë ndryshuar e se duhet ta gjejmë tjetërkund gjyqtarin suprem të dikurshëm. Ndoshta më mirë kështu, pasi po na ftojmë të piqemi më në fund.

The post Amerika foli…dhe uroi! first appeared on JavaNews.al.

Zgjedhjet për Tiranën/ Minxhozi: Berisha do veprojë si me listat e mbyllura, do vendosë kandidatin e vet

By: Re Nato
26 May 2025 at 21:07

Analisti Skënder Minxhozi thotë se kreu i PD, Sali Berisha do veprojë për zgjedhjet që mund të mbahen për Bashkinë Tiranë, njësoj si më 11 maj.

Në emisionin “Real Story” në ABC News, Minxhozi u shpreh se Berisha do vendosë kandidatin e vet.

“E konsideroj kusht të panegociueshëm për të hyrë në zyrën e kryetarit të Bashkisë Tiranë, që politikani duhet të jetë i profilit të lartë, dhe të ketë eksperiencë, mundësisht, nga një sektor, nga një dikaster që ai ka drejtuar. Unë mendoj, them, Berisha do të veprojë si me listën e mbyllur të Tiranës. Ai do vendosë një figurë që ai e konsideron të sigurt në Tiranë. Më mirë ta humbas, sesa ta fitojë dhe ta humbasë prapë pas 6 muajsh”, theksoi ai./abcnews.al

Berisha i 12 majit është lajmi më i keq për opozitën

By: S M
26 May 2025 at 14:49

Nga Skënder Minxhozi/

 

Rrallë herë distanca mes palëve në një proces zgjedhor ka qenë kaq e qartë dhe e panegociueshme. Plot 33 mandate parlamentare ndajnë sot dy partitë më të mëdha të vendit pas zgjedhjeve të 11 majit. Me këtë raport forcash mund të krahasohen vetëm zgjedhjet e dekadës së parë të pluralizmit, ato të viteve 1992-1997, kur gara nuk qe thjesht stafetë pushteti por përmbysje e vërtetë në dy kontekste shumë të vështira dhe komplekse.

Ky rezultat e ka bërë edhe më dramatike se më parë situatën brenda opozitës kryesore. Nëse Lulzim Basha e Monika Kryemadhi fitonin 63 mandate në vitin 2021, sot opozita e Berishës e Metës ka vetëm 50 të tillë. Një realitet shifrash që e ka bërë agresiv dhe mohues Sali Berishën dhe besnikët rreth tij, teksa Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve po vijon të certifikojë rezultatet në 12 qarqet.

Një Berishë që diku shfaqet i qetë e në humor, e diku kërcënues e sfidues, është profili i kreut të vjetër të opozitës pas 11 majit. Dikush e sheh këtë qëndrim si një teatër të momentit pas të cilit fshihet kënaqësia për mandatet e fituara. Dikush tjetër e konsideron si një qëndrim të dyzuar për shkak të vështirësisë ku ndodhet, me një situatë të dobësuar në Kuvend dhe një proces gjyqësor që po përgatitet të fillojë ndërsa statusi non grata mbetet i palëvizur. Gjithsesi është një Berishë tjetër ky nga ai që pamë gjatë fushatës që sapo u mbyll.

Edhe për shkak të udhëzimeve e strategjisë së konsulentëve amerikanë Sali Berisha u soll gjatë fushatës pa gjuhën e helmatisur që përdor rëndom sa herë që ka zgjedhje. Ai u kthye në “origjinë” sapo rezultati nisi të marrë formë, duke përdorur ndaj Ramës e të tjerëve gjuhën e zakonshme me pullë të kuqe, kërcënimet, sharjet e fyerjet më të rënda. U rikthye në Berishën që gjithmonë kemi njohur, ofensiv, arrogant dhe shpërfillës.

Kishte shumë arsye që e shtynë Doktorin të ndjekë një trajektore të qetë para zgjedhjeve. Përtej këshillave të Lacivitas e të tjerëve, ai qëndroi stoik në shpresën për të marrë një sinjal çfarëdo nga Uashingtoni. Pagoi miliona dollarë që t’i vinte një ftesë, një heqje e statusit non grata apo një mesazh nga dikush pranë Donald Trump. Premtoi gjithçka, shmangu epitetet e sharjet për Edi Ramën edhe kur ai e quante “buf” dhe “kënetë”, i futi në sirtar përkohësisht kërcënimet. Një Berishë model, në një moment shumë delikat, ku fitorja dhe disfata qëndronin ngjitur me njëra-tjetrën. Një Berishë që tejkaloi vetveten dhe duroi me gojën mbyllur e veshët hapur drejt Amerikës.

Post-12 maji, kur votat e Vorës në fillim e më pas ato të të gjithë territorit nisën t’i japin formë një humbjeje epokale, shënuan një rikthim të fortë në origjinë. U rishfaq Berisha i akuzave “fantastiko-shkencore”, i marrjes nëpër gojë të gjithkujt e gjithçkaje, i tezave më të pamendueshme të cilat si zakonisht i vijnë në vesh nga qytetari dixhital. Mbi të gjitha u rikthye mes nesh Doktori që nuk e di çfarë është dorëheqja dhe reflektimi, autokritika dhe të tërhequrit pas. Tani nuk është më politikan por misionar. Zgjidhje më praktike për të përjetësuar veten në zyrën e kryetarit nuk do ta gjente as Lacivita megjithë stafin e Trumpit, edhe sikur të mendoheshin një muaj rresht!

Berisha po përpiqet t’i japë një përmasë mistike karrierës së tij politike në kushtet e një humbjeje të thellë e të pafalshme. Po i thotë shqiptarëve se nuk është më një politikan që ecën sipas rregullave të lojës, por një misionar që i bindet vetëm Zotit. Me fjalë të tjera po i thotë atyre që e votuan dhe ne të tjerëve se pas kësaj humbjeje të rëndë që pësoi në 11 maj do të ndodhin dy gjëra: e para nuk do të dorëhiqet nga posti i kreut të PD dhe e dyta ai nuk do t’i bindet më statutit të partisë dhe logjikës që thotë se humbësi largohet, por do ta trajtojë veten si një rast krejt special, që tejkalon normat partiake dhe sfidon në heshtje lumin e thirrjeve për largim.

Me këtë qasje Berisha hedh në koshin e plehrave edhe nenin e famshëm të largimit të kryetarit të partisë pas humbjes së zgjedhjeve, të cilin dikur e quante me shpoti “neni Basha”. Nuk dihet nëse do të bjerë dakord të paktën që ta quajë këtej e tutje atë pikë të statutit “neni Berisha”!

Sjellja e Sali Berishës pas 11 majit është një kapje me thonj pas karriges, jashtë kohe, jashtë logjike dhe jashtë të gjitha rregullave e kanuneve që mbajnë në këmbë një forcë politike demokratike në një sistem demokratik standartesh. Nëse në fushatë u përmbajt njëfarësoj që të mos rrëshqiste në formatin klasik shumëvjeçar që na ka mësuar të shohim, sot nuk ka më asnjë faktor madhor që ta përmbajë të mbyllur e të ndrydhur absurdin që gjallon brenda Berishës dhe stafit të tij të ngushtë në lidhje me zgjedhjet dhe kapjen e PD.

Kush mendon sot se Berisha është një njeri i lumtur me rezultatin që arriti në 11 maj mund të jetë duke u gabuar rëndë. Shifra e 50 deputetëve arrin t’i fusë brenda thesit të gjithë besnikët që Berisha do të donte t’i kishte me vete “për ditë të keqe” pas vetes, por kjo shifër përfaqësimi është mjaft anemike për të pasur një peshë politike të dorës së parë në politikën shqiptare dhe institucionet që rrjedhin prej saj. Edi Rama ndodhet shumë pranë shifrës magjike 84 në Kuvend, e cila i siguron votimin e ligjeve me shumicë të cilësuar. Nëse fjala vjen PS do të kishte marrë rezultatin e vitit 2021, pra 74 mandate, votat e PD do të ishin esenciale për çdo konsensus të këtij niveli. Në anën tjetër, katër deputetë të partive të reja, pa llogaritur 3 mandatet e PSD të Doshit, janë një hapësirë votash mbi të cilat Doktori nuk ka kontroll dhe influencë, çka e bën edhe më kompleks pozicionin e tij në parlament.

Me 50 deputetë në katër vitet e ardhshme ai do të ketë mjaftueshëm karburant për të thirrur nën armë mbështetësit e tij të hënave kur thirret në SPAK, por nuk do të ketë shumë peshë për të ushtruar influencën që do të donte të kishte në pallatin e politikës. Aq më pak për të ushtruar mjaftueshëm presion mbi drejtësinë në një moment shumë delikat për të e familjarët e tij. 11 maji ofroi një listë të mpakur mandatesh, prej nga rrjedh edhe pozita e vështirë e Berishës sot, kur po i kërkohet largimi edhe nga kandidatët që futi në listat e deputetëve.

Ky realitet do ta bëjë Berishën edhe më pak elastik e të hapur në kushtet e reja ku ndodhet. Ajo që vjen për PD është edhe më e keqe sesa ajo që kemi parë deri para zgjedhjeve të 11 majit. Prandaj 12 maji është momenti që dikush, dikur dhe diku brenda Partisë Demokratike të ngrihet e të flasë duke e parë në sy Berishën, për t’i thënë se po e fut partinë në një rrugë pa krye, duke mos dhënë dorëheqjen.

Pasi mori vetëm 7 bashki nga 61 të tilla në zgjedhjet lokale të dy viteve më parë, pasi e mpaku opozitën duke provokuar lindjen e një gjysëm dyzine partish të reja opozitare që duhej të ishin parimisht aleatet e PD, pasi mori 13 deputetë më pak se Basha në 11 maj, Sali Berisha po thotë sot se s’ka ndërmend të largohet nga kreu i PD. Mjafton vetëm post-12 maji për t’i thënë “mjaft” mbretërimit të pambaruar të Doktorit të salduar në karrigen e kryetarit!

 

 

The post Berisha i 12 majit është lajmi më i keq për opozitën first appeared on JavaNews.al.

“Mungesa e Veliajt ka qenë kosto për PS”, Lami: Roli i Bashkisë së Tiranës, i pangjashëm me atë që ka pasur në zgjedhjet e tjera

By: Rovena
20 May 2025 at 20:46

Analisti Roland Lami në emisionin “Real Story” nga Sokol Balla në ABC News tha se mungesa e figurës së Erion Veliajt ka pasur një kosto për Partinë Socialiste për zgjedhjet e 11 majit.

Lami shtoi se Bashkia e Tiranës nuk pati të njëjtin rol në zgjedhje, krahasuar me ndikimin e saj në zgjedhjet e kaluara. Sipas tij fushatës elektorale i mungoi protagonizmi, energjia dhe karizma e Veliaj.

Roland Lami: Mungesa e Veliajt ka qenë një kosto për PS. Bashkia e Tiranës nuk i ndje si në një pozicion taktik. Roli i Bashkisë së Tiranës është i pangjashëm me rolin që ka pasur në zgjedhjet e tjera, kjo lidhte me rolin e bashkisë, por dhe Veliajt. Mungoi protagonizmi i Veliajt, energjia dhe karizma tij. Janë këto dy komponentë për mua që them se kanë ndikuar.

Të njëjtin lajm me Lamin ndau dhe analisti Skënder Minxhozi, i cili u shpreh se për shkak të mungesës së Veliajt dhe “marazit” të qytetarëve për partitë e mëdha, partitë e vogla morën më shumë vota, madje më shumë vota se në qytetet e tjera ku mund të njiheshin më shumë.

Skënder Minxhozi: Votat e partive të vogla ka qenë një votë inati për shkak të marazit që kanë pasur me dy partitë e mëdha. Mendoj se mungesa e figurës së Veliajt ka pasur një ndikim. Veliaj mendoj se aleatët më të mirë i ka në krah të vet./abcnews.al

Humbja shqiptare e Lacivitas dhe fryma botërore anti-Trump

19 May 2025 at 22:09

Orët e para të të hënës kanë sjellë turma të mëdha entuziaste në rrugët e Bukureshtit me flamuj rumunë dhe ato të Bashkimit Evropian në duar. Kryetari i bashkisë së Bukureshtit Nikoshur Dan, një politikan centrist dhe proeuropian ka triumfuar me tetë pikë diferencë ndaj kundërshtarit të tij Xhorxh Simion në garën për poltronin e presidentit.

Simion, një nacionalist i ashpër dhe euroskeptik i bindur u mundua të fitojë betejën duke kopjuar fushatën amerikane të Donald Trump dhe duke u akuzuar në mënyrë të përsëritur si i afërt me Vladimir Putin.

E gjitha kjo perspektivë e zymtë ka rënë pas fitores së Dan dhe forcave properëndimore që i ngritën lart kuotat e tij elektorale pas raundit të parë të votimeve. Zgjedhjet rumune ishin vetëm testi politik i radhës në një Europë të futur në kaos nga lufta në Ukrainë, qëndrimi ndaj Rusisë dhe pozicionimi ndaj linjës së re politike e tregtare të Donald Trump në SHBA. Më parë në këtë test brenda kontinentit e kishte kaluar Gjermania, ku e djathta proeuropiane e Friedrich Merz kishte mundur të ndalë valën elektorale të AFD të ekstremit të djathtë.

Këto dy procese elektorale nuk janë të vetmet të mbajtura nën një klimë presioni që vjen nga pasojat e epokës së re ku kanë hyrë Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas zgjedhjes së Donald Trump, e që përzihet me një listë të gjatë krizash sociale, kulturore apo identitare brenda kontinentit të vjetër. Europa e sotme ka vite që e vuan praninë e Trump në zyrën më të rëndësishme të botës, një marrëdhënie e vështirë që ka nisur qysh në mandatin e parë të Trump në vitin 2016.

Vetëm një javë para zgjedhjeve të shkurtit në Gjermani, zv.presidenti amerikan J.D Vance mbajti një fjalim në Mynih, ku ai sulmoi me terma të ashpër të gjitha demokracitë evropiane, politikat ekonomike e sociale të BE dhe politikën e saj të jashtme. Fjala e J.D Vance kishte si sfond sulmet e ethshme të manjatit miliarder Elon Musk, i cili ndërhyri në mënyrë të hapur në procesin zgjedhor gjerman, duke u rreshtuar pro partisë së ekstremit të djathtë AFD. Vështirë se mbahet mend një sulm më i organizuar dhe i hapur i një demokracie ndaj një vendi tjetër sovran e demokratik në prag të një procesi tejet delikat për të ardhmen e vendit.

E megjithatë AFD nuk mundi të marrë pushtetin. Në të kundërt, siç duket edhe nga presioni amerikan, ajo u skedua në 2 maj nga Zyra federale për Mbrojtjen e Kushtetutës si një parti ekstremiste. Një vendim që nuk u ndryshua edhe pas deklaratës së Sekretarit të Shtetit Rubio, se kjo ishte një  “tirani e maskuar”, ndërsa zv.presidenti Vance u shpreh se “Muri i Berlinit i ringrit”. Kaq i fortë ishte reagimi gjerman, sa këtë e ndjeu edhe Tesla me makinat e saj elektrike, shitjet e të cilave ranë në shifra 70-80 përqind në Gjermani dhe të gjitha vendet kryesore evropiane.

Ardhja e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë në 20 janar të këtij viti i dha hov një fushate të vërtetë botërore të “ndreqjes së hesapeve” majtas-djathtas, në Evropë e Azi, me miq e armiq. Shpallja e linjës së re diplomatike të mosndërhyrjes (siç u pa me Gjermaninë, një sjellje e pjesshme e selektive), si dhe nisja e një lufte panbotërore me tarifat doganore, e futën Presidencën Trump në një sfidë që praktikisht përfshiu aleatë dhe kundërshtarë. Të gjithë bashkë nën goditjen e Donaldit që kërcënoi Groenlandën me pushtim, që ftoi Kanadanë të bëhet shteti i 51-të i SHBA, që deklaroi se Bashkimi Evropian u krijua “për të varrosur Amerikën”, që nisi një luftë tregëtare të paprecedent me Kinën dhe që kërcënoi me pushtim të Kanalit të Panamasë.

Hutimi ndërkombëtar përballë kësaj rrokopuje të papritur duket se ka zgjatur shumë pak. Pasi siç po provohet nga java në javë, Trump po has vështirësi të mëdha në aplikimin e kësaj epoke të re globale që kërkon t’u imponojë vendeve të tjera. Një muaj e gjysmë pas dy prillit, kur shpalli listën e tarifave reciproke me shtetet e treta, vetëm Britania e Madhe ka konkluduar një marrëveshje tregtare me Uashingtonin. Kritikët e Trump thonë se vendet e tjera qëndrojnë në pritje se mos presidenti ndërron mendje, ndërkohë që Kina dhe BE tregohen të kujdesshme. Bisedimet e deritanishme japin shenja shtensionimi, por ende jo marrëveshje afatgjata.

Në planin politik revolucioni Trump duket se po prodhon të kundërtën e asaj që pritej. Jo një eksportim të modelit të ri amerikan dhe as të real-politikës apo strategjisë anti-sistem të cilat predikon doktrina e Donald Trump, por një thirrje nën armë e forcave të moderuara në të gjitha vendet kryesore, që po kërkojnë t’i bëhen pengesë rrëshqitjes që i kërcënon nën shembullin amerikan.

Dhe faktet janë të dukshme. Përveç zgjedhjeve gjermane e rumune, edhe Australia i dha në 3 maj sërish pushtetin partisë laburiste të Antoni Albanese, duke refuzuar opozitën e Peter Dutton, një politikan me qëndrime të ngjashme me Trump.

Shumë mijëra kilometra më në veri, rasti më i bujshëm i reagimit ndaj epokës trumpiste duket se është ai i Kanadasë, ku liberalët e majtë të Marc Carney arritën të mbajnë në opozitë edhe për katër vite Pierre Polievre, një opozitar që përdori gjatë fushatës një pjesë të tezave të Trump. Agresioni i fortë diplomatik i Trump krijoi shanset që edhe një parti në pushtet e diskretituar, si ajo Liberale, të fitojë papritur në zgjedhje. Sepse me poshtërimin që i kishte bërë thuajse çdo ditë kanadezëve, Trump ja doli të “krijojë” për herë të parë në historinë moderne të vendit, një materie deri tani ta panjohur në Kanada: nacionalizmin kanadez!

Ndërkohë ngjitur me Kanadanë, në 11 mars ishulli më i madh i botës Groenlanda, tregoi me votën e 55 mijë banorëve të tij se nuk e dëshëron bashkimin me SHBA. Në zgjedhje fituan demokratët, të cilët janë më të afërt me Danimarkën dhe nuk e duan pavarësinë e plotë nga vendi evropian.

Paralelisht me këto ngjarje, paradoksalisht e djathta ekstremiste evropiane ndjehet sot që Trump është në pushtet, më e dobët se dje kur ai s’kishte ardhur ende në Shtëpinë e Bardhë. Marine Le Pen, politikania franceze që është simboli i të djathtës ksenofobe jo vetëm në vendin e saj, e gjen veten me një dënim nga gjykatat vendase, që mund ta pengojë të garojë në zgjedhjet e 2027. Edhe kryeministra të afërt me Trump si Viktor Orban, po ndjejnë izolim brenda Bashkimit Evropian, ndërsa Brukseli po mendon të anashkalojë politikën e vetos që Hungaria, Sllovakia e ndonjë vend tjetër përdorin për të bllokuar vendimmarrjet sensitive të BE.

Në listën e këtij rizgjimi duket se futet edhe vendi ynë, me peshën e tij modeste në këtë përballje globale. Fushata në Shqipëri ka qenë e përqëndruar fort tek karta Trump dhe njerëzit që e sollën atë në zgjedhjet shqiptare. Prania e Chris Lacivita në kampin opozitar dhe kontrata 6 milion dollarë me një kompani lobimi pranë stafit të Trump dhe Rubio, jo vetëm që i dha opozitës një hov drejt spektrit të tezave që përdor sot Donald Trump. Këto dy blerje brenda rrethit të ngushtë të Presidentit sollën në zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri edhe fjalorin që përdor sot ky mjedis politik, edhe sjelljet që aplikon ai sot SHBA me palët e treta, pa harruar premtimin për të zbatuar këtu tek ne shumëçka nga ato që sot Uashingtoni po zbaton në planin e brendshëm.

Fatmirësisht kjo “ethe” e importuar ra zhurmshëm me votën e shqiptarëve. Lacivita dhe kompania “Continental Strategy” do i marrin honoraret e majme që kanë nënshkruar me PD e Berishën, por projekti i tyre për të sjellë në pushtet në Shqipëri një të djathtë-satelit të linjës Trump, dështoi. Mesa duket bota po fillon të kërkojë dhe të gjejë gradualisht antitrupat ndaj asaj që shihet sot si përmbysja më e madhe gjeopolitike pas rënies së Murit të Berlinit. Dikush, me mendje dhe vështrim të hollë, fut në këtë rizgjim edhe zgjedhjen e Papës Leoni i 14-të. Për arsye të kuptueshme…

Humbja shqiptare e Lacivitas dhe fryma botërore anti-Trump

By: S M
19 May 2025 at 19:51

Nga Skënder Minxhozi/

 

Orët e para të të hënës kanë sjellë turma të mëdha entuziaste në rrugët e Bukureshtit me flamuj rumunë dhe ato të Bashkimit Evropian në duar. Kryetari i bashkisë së Bukureshtit Nikoshur Dan, një politikan centrist dhe proeuropian ka triumfuar me tetë pikë diferencë ndaj kundërshtarit të tij Xhorxh Simion në garën për poltronin e presidentit. Simion, një nacionalist i ashpër dhe euroskeptik i bindur u mundua të fitojë betejën duke kopjuar fushatën amerikane të Donald Trump dhe duke u akuzuar në mënyrë të përsëritur si i afërt me Vladimir Putin.

E gjitha kjo perspektivë e zymtë ka rënë pas fitores së Dan dhe forcave properëndimore që i ngritën lart kuotat e tij elektorale pas raundit të parë të votimeve. Zgjedhjet rumune ishin vetëm testi politik i radhës në një Europë të futur në kaos nga lufta në Ukrainë, qëndrimi ndaj Rusisë dhe pozicionimi ndaj linjës së re politike e tregëtare të Donald Trump në SHBA. Më parë në këtë test brenda kontinentit e kishte kaluar Gjermania, ku e djathta proeuropiane e Friedrich Merz kishte mundur të ndalë valën elektorale të AFD të ekstremit të djathtë.

Këto dy procese elektorale nuk janë të vetmet të mbajtura nën një klimë presioni që vjen nga pasojat e epokës së re ku kanë hyrë Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas zgjedhjes së Donald Trump, e që përzihet me një listë të gjatë krizash sociale, kulturore apo identitare brenda kkontinentit të vjetër. Europa e sotme ka vite që e vuan praninë e Trump në zyrën më të rëndësishme të botës, një marrëdhënie e vështirë që ka nisur qysh në mandatin e parë të Trump në vitin 2016.

Vetëm një javë para zgjedhjeve të shkurtit në Gjermani, zv.presidenti amerikan J.D Vance mbajti një fjalim në Mynih, ku ai sulmoi me terma të ashpër të gjitha demokracitë evropiane, politikat ekonomike e sociale të BE dhe politikën e saj të jashtme. Fjala e J.D Vance kishte si sfond sulmet e ethshme të manjatit miliarder Elon Musk, i cili ndërhyri në mënyrë të hapur në procesin zgjedhor gjerman, duke u rreshtuar pro partisë së ekstremit të djathtë AFD. Vështirë se mbahet mend një sulm më i organizuar dhe i hapur i një demokracie ndaj një vendi tjetër sovran e demokratik në prag të një procesi tejet delikat për të ardhmen e vendit.

E megjithatë AFD nuk mundi të marrë pushtetin. Në të kundërt, siç duket edhe nga presioni amerikan, ajo u skedua në 2 maj nga Zyra federale për Mbrojtjen e Kushtetutës si një parti ekstremiste. Një vendim që nuk u ndryshua edhe pas deklaratës së Sekretarit të Shtetit Rubio, se kjo ishte një  “tirani e maskuar”, ndërsa zv.presidenti Vance u shpreh se “Muri i Berlinit i ringrit”. Kaq i fortë ishte reagimi gjerman, sa këtë e ndjeu edhe Tesla me makinat e saj elektrike, shitjet e të cilave ranë në shifra 70-80 përqind në Gjermani dhe të gjitha vendet kryesore evropiane.

Ardhja e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë në 20 janar të këtij viti i dha hov një fushate të vërtetë botërore të “ndreqjes së hesapeve” majtas-djathtas, në Evropë e Azi, me miq e armiq. Shpallja e linjës së re diplomatike të mosndërhyrjes (siç u pa me Gjermaninë, një sjellje e pjesshme e selektive), si dhe nisja e një lufte panbotërore me tarifat doganore, e futën Presidencën Trump në një sfidë që praktikisht përfshiu aleatë dhe kundërshtarë. Të gjithë bashkë nën goditjen e Donaldit që kërcënoi Groenlandën me pushtim, që ftoi Kanadanë të bëhet shteti i 51-të i SHBA, që deklaroi se Bashkimi Evropian u krijua “për të varrosur Amerikën”, që nisi një luftë tregëtare të paprecedent me Kinën dhe që kërcënoi me pushtim të Kanalit të Panamasë.

Hutimi ndërkombëtar përballë kësaj rrokopuje të papritur duket se ka zgjatur shumë pak. Pasi siç po provohet nga java në javë, Trump po has vështirësi të mëdha në aplikimin e kësaj epoke të re globale që kërkon t’u imponojë vendeve të tjera. Një muaj e gjysëm pas dy prillit, kur shpalli listën e tarifave reciproke me shtetet e treta, vetëm Britania e Madhe ka konkluduar një marrëveshje tragëtare me Uashingtonin. Kritikët e Trump thonë se vendet e tjera qëndrojnë në pritje se mos presidenti ndërron mendje, ndërkohë që Kina dhe BE tregohen të kujdesshme. Bisedimet e deritanishme japin shenja shtensionimi, por ende jo marrëveshje afatgjata.

Në planin politik revolucioni Trump duket se po prodhon të kundërtën e asaj që pritej. Jo një eksportim të modelit të ri amerikan dhe as të real-politikës apo strategjisë anti-sistem të cilat predikon doktrina e Donald Trump, por një thirrje nën armë e forcave të moderuara në të gjitha vendet kryesore, që po kërkojnë t’i bëhen pengesë rrëshqitjes që i kërcënon nën shembullin amerikan.

Dhe faktet janë të dukshme. Përveç zgjedhjeve gjermane e rumune, edhe Australia i dha në 3 maj sërish pushtetin partisë laburiste të Antoni Albanese, duke refuzuar opozitën e Peter Dutton, një politikan me qëndrime të ngjashme me Trump.

Shumë mijëra kilometra më në veri, rasti më i bujshëm i reagimit ndaj epokës trumpiste duket se është ai i Kanadasë, ku liberalët e majtë të Marc Carney arritën të mbajnë në opozitë edhe për katër vite Pierre Polievre, një opozitar që përdori gjatë fushatës një pjesë të tezave të Trump. Agresioni i fortë diplomatik i Trump krijoi shanset që edhe një parti në pushtet e diskretituar, si ajo Liberale, të fitojë papritur në zgjedhje. Sepse me poshtërimin që i kishte bërë thuajse çdo ditë kanadezëve, Trump ja doli të “krijojë” për herë të parë në historinë moderne të vendit, një materie deri tani ta panjohur në Kanada: nacionalizmin kanadez!

Ndërkohë ngjitur me Kanadanë, në 11 mars ishulli më i madh i botës Groenlanda, tregoi me votën e 55 mijë banorëve të tij se nuk e dëshëron bashkimin me SHBA. Në zgjedhje fituan demokratët, të cilët janë më të afërt me Danimarkën dhe nuk e duan pavarësinë e plotë nga vendi evropian.

Paralelisht me këto ngjarje, paradoksalisht e djathta ekstremiste evropiane ndjehet sot që Trump është në pushtet, më e dobët se dje kur ai s’kishte ardhur ende në Shtëpinë e Bardhë. Marine Le Pen, politikania franceze që është simboli i të djathtës ksenofobe jo vetëm në vendin e saj, e gjen veten me një dënim nga gjykatat vendase, që mund ta pengojë të garojë në zgjedhjet e 2027. Edhe kryeministra të afërt me Trump si Viktor Orban, po ndjejnë izolim brenda Bashkimit Evropian, ndërsa Brukseli po mendon të anashkalojë politikën e vetos që Hungaria, Sllovakia e ndonjë vend tjetër përdorin për të bllokuar vendimmarrjet sensitive të BE.

Në listën e këtij rizgjimi duket se futet edhe vendi ynë, me peshën e tij modeste në këtë përballje globale. Fushata në Shqipëri ka qenë e përqëndruar fort tek karta Trump dhe njerëzit që e sollën atë në zgjedhjet shqiptare. Prania e Chris Lacivita në kampin opozitar dhe kontrata 6 milion dollarë me një kompani lobimi pranë stafit të Trump dhe Rubio, jo vetëm që i dha opozitës një hov drejt spektrit të tezave që përdor sot Donald Trump. Këto dy blerje brenda rrethit të ngushtë të Presidentit sollën në zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri edhe fjalorin që përdor sot ky mjedis politik, edhe sjelljet që aplikon ai sot SHBA me palët e treta, pa harruar premtimin për të zbatuar këtu tek ne shumëçka nga ato që sot Uashingtoni po zbaton në planin e brendshëm.

Fatmirësisht kjo “ethe” e importuar ra zhurmshëm me votën e shqiptarëve. Lacivita dhe kompania “Continental Strategy” do i marrin honoraret e majme që kanë nënshkruar me PD e Berishën, por projekti i tyre për të sjellë në pushtet në Shqipëri një të djathtë-satelit të linjës Trump, dështoi. Mesa duket bota po fillon të kërkojë dhe të gjejë gradualisht antitrupat ndaj asaj që shihet sot si përmbysja më e madhe gjeopolitike pas rënies së Murit të Berlinit.

The post Humbja shqiptare e Lacivitas dhe fryma botërore anti-Trump first appeared on JavaNews.al.

“Greqia”, Minxhozi: Celibashi, i zënë ngushtë nga PD

By: Re Nato
15 May 2025 at 20:31

Analisti Skënder Minxhozi thotë se Kryekomisioneri Shettëror për Zgjedhjet, Ilirjan Celibashi është zënë ngushtë nga PD, lidhur me votat e diasporës shqiptare në Greqi.

Në emisionin “Real Story” në ABC News, Minxhozi u shpreh se votat duhet të numërohen dhe shtoi se procesi duhet të mbarojë.

“Duhet të mbarojë diçka dikur. E pamë se çfarë ndodhi sot. Është e padrejtë kjo që i thotë subjektit. Janë padrejtësi të paevitueshme, kijojnë kaos në zgjedhje. Mirë Celibashi, është figurë demokristiane, në sensin pozitiv të termit. Nuk është kot aty kaq shumë vite, e kanë lënë dy partitë e mëdha. Te votat e Greqisë e shoh që Celibashi është zënë ngushtë”, theksoi ai./abcnews.al

 

❌
❌