Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Apatia që po e sfilit vendin

Nga Ben Andoni

Jo thjesht debati gati grotesk për mandatin e dy kryetarëve të partive të vogla, por ajo që po ndodh me opozitën në përgjithësi me ligjërimin deri cfilitës përditor të Berishës; zhgënjimi dhe boshësia që vjen nga vonesat dhe amullia e sistemit të drejtësisë, shtuar me aksionet e stërlodhshme të Ramës ndaj informalitetit po përcillen me një apati të madhe në vend. Stina e nxehtë e favorizon edhe më shumë për faktin se është stina më e vështirë e vitit, ndërsa shpresa e ndryshimit tashmë duket se është tejet i largët.

Zgjedhjet kanë pak javë që kanë mbaruar. I vetmi referim gjysmë objektiv është viti 2030, vit i mëtuar i integrimit të Shqipërisë, por që kap deri elementë grotesku, kur në ditët tona po përflitet deri për ekzistencë të kësaj status quo të BE-së dhe rrezikun gjithnjë e më të afërt të luftës. Ndërkohë apatia ka kapur çdo segment të së përditshmes, ndërsa situata në vend dhe sidomos tollovia e drejtimit nga PS-ja dhe papërgatitjes për shumë problematika të administratës së saj tregojnë se gjërat janë të vështira për t’u ndryshuar.

Studiuesit e lidhin termin “apati” sidomos në Evropën Lindore me shumë elementë kompleksë, të cilat janë të ndikuar kryesisht nga faktorë historikë, shoqërorë dhe politikë. Lajm i mirë është se nuk konsiderohet si tipar universal, por është përgjigje ndaj realiteteve tona specifike, ku tek ne ligjërohet sepse Berisha është prej 35 vitesh në fokus të Shqipërisë post ’90, kurse Rama nga viti 1998 (27 vjet) është prej gati katër mandatesh. Sëbashku, janë aktorët dhe protagonistët kryesorë politikë-shoqërorë të vendit. Duke pasur parasysh trashëgiminë e historisë së socializmit; zhvillimet ekonomike në vend, në disa momente që e ccuan vendin në zgrip; dhe mos arritjen e objektivave nga politika për demokracinë (ende s’kemi zgjedhje të pranuara), apatia tashmë është një reagim fare i arsyeshëm ndaj këtij realiteti. Dhe, pavarësisht njëfarë rritjeje ekonomike, e cila shikohet në vendet tona në Ballkan; pabarazitë e të ardhurave dhe mundësive janë të mëdha; kurse lodhja e publikut për lëvizje sociale ka përcjellë në një frustrim dhe ndjenjën që po e përjetojmë të gjithë se përpjekja individuale është fare e kotë. Nuk ndryshon asgjë. Ky realitet është fat vetëm i qeveritarëve dhe njerëzve pranë tyre që nuk i ndahen protagonizmit dhe që po ndikojnë t’i zbrazin vendet e tyre. Duke nisur me Shqipërinë dhe Kosovën, që dikur ishin krenare për popullsitë e reja në kontinent duke vazhduar me Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Federatën e Bosnje Hercegovinës, tashmë ballkanasit garojnë për të ikur.

Shqipëria e ka të gjallë trashëgiminë e autoritarizmit dhe këtë e shikon deri në diskursin e liderëve të partive që lapsuset Frojdiane u nxjerrin fjalë për fjalë shprehjet e komunizmit, tranzicionet ekonomike dhe ndjenja e pafuqisë përballë diçkaje që nuk ndryshon…po e lodh vendin. Por nuk “e kupton” as Rama dhe ca më keq dhe opozita, që pason vetëm veprimet e tij, pa asnjë ide të re, duke i shërbyer pak individëve./kb

Plani për punësimin e emigrantëve/ Zbardhet projekti i qeverisë

Diaspora mbetet prioritet i qeverisë shqiptare. Jo vetëm me të drejtën e votës së mundësuar për herë të parë në zgjedhjet e 11 majit, por duket se ka një plan për t’i ftuar shqiptarët e larguar jashtë të rivijnë në atdhe.

Në strategjinë kombëtare për migracionin, parashikohen lehtësim politikash për rikthimin dhe riintegrimin e emigrantëve në shoqërinë shqiptare.

Në dokumentin e punuar në bashkëpunim edhe me Organizatën ndërkombëtare të migracionit theksohet një projekt që pritet të nis në 2026 si një fushatë e gjerë informuese për mundësitë e punësimit në vend, e cila do të zgjas katër vite me institucione përgjegjëse Ministrinë e Ekonomisë dhe atë të Jashtme dhe përfshirjen gjithashtu të Ambasadave dhe shoqatave me vlerë rreth 70 milionë lekë.

Së pari, planifikohet që deri në 2026 të jetë kryer identifikimi i kapaciteteve intelektuale dhe profesionale të emigrantëve shqiptarë. Mbi 56 milionë lek mendohen të shkojnë po ashtu për krijimin e stimujve për të promovuar kthimin e emigrantëve përkohësisht ose përgjithmonë, me qëllim transferimin e aftësive të fituara jashtë dhe për të sjellë vlera të reja kulturore në vendlindjen e tyre.

Më tej vlerësohet e nevojshme anketimi dhe konsultimi vjetor me sipërmarrësit shqiptarë që qëndrojnë jashtë vendit, për të matur nivelin e interesit të tyre për investime në Shqipëri dhe për të identifikuar pengesat kryesore që hasin institucionalisht.

E për ata që janë rikthyer kërkohet monitorimi i tyre në tregun e punës si dhe raportimi periodik në lidhje me nevojat që paraqesin në zyrat e punës, me qëllim përmirësimin e programeve të punësimit. /TCH/Kb

365 – Cunami që shkatërroi Aleksandrinë dhe rrënjët e një qyteti legjendar

Më 21 korrik të vitit 365 pas Krishtit, një ngjarje natyrore katastrofike goditi brigjet lindore të Mesdheut: një tërmet, mendohet me magnitudë rreth 8 ballë sipas shkallës Rihter, me epiqendër në afërsi të Kretës, shkaktoi një cunam të tmerrshëm që preku rëndë qytetin e Aleksandrisë në Egjipt. Dallgët përfshinë pjesën më të madhe të deltas së Nilit dhe bregdetit egjiptian, duke shembur godina, rrënuar portet dhe marrë jetën e rreth 50 mijë njerëzve, një nga humbjet më të mëdha të regjistruara në botën antike nga një fatkeqësi natyrore.

Ngjarja është dokumentuar nga burime të kohës, përfshirë historiani Ammianus Marcellinus, i cili përshkruan se si deti “u tërhoq papritur”, duke zbuluar shtratin e tij, dhe më pas u kthye me forcë shkatërruese, përmbytës dhe vdekjeprurëse.

Por Aleksandria nuk ishte një qytet i zakonshëm. E ndërtuar mbi një truall pjellor e strategjik midis Mesdheut dhe Liqenit Mariut (sot Mariut), ajo ishte një ndërmarrje urbane e ideuar për lavdinë e Aleksandrit të Madh, i cili e themeloi atë në prill të vitit 331 para Krishtit, gjatë fushatës së tij në Egjipt.

Dinokrati dhe vizioni i qytetit ideal

Arkitekti kryesor i Aleksandrit për këtë projekt ishte Dinokrati i Rodosit, një figurë enigmatike, por gjeniale e antikitetit. Para se të zgjidhej delta e Nilit si vendndodhje e qytetit, Dinokrati i propozoi Aleksandrit një ide shumë më madhështore dhe mitike: të ndërtohej një qytet mbi malin Athos (në Greqinë e sotme), dhe në të njëjtën kohë të gdhendej në faqen e malit një skulpturë gjigante e Aleksandrit, me një qytet të vogël në njërin krah dhe një lumë apo kanal detar që do rridhte nga dora tjetër – një vepër që do sfidonte vetë natyrën dhe perënditë.

Këtë ide ambicioze e përshkruan Vitruviusi, arkitekt dhe inxhinier romak i shekullit I p.e.s., në veprën e tij të famshme “De Architectura” – traktati i vetëm mbi arkitekturën e lashtësisë që ka mbijetuar deri më sot. Sipas tij, Dinokrati e kishte projektuar monumentin si një simbol të përjetshëm të lavdisë së mbretit.

Por Aleksandri, përkundër pasionit për madhështinë, ishte edhe një strateg i mprehtë. Ai e hodhi poshtë idenë, duke i vënë në dukje Dinokratit se projekti i tij nuk kishte marrë në konsideratë jetën reale të banorëve: “Ku do të mbillnin grurë?” – pyeti Aleksandri, duke i kërkuar që të gjente një vend më të jetueshëm dhe të përshtatshëm për një qytet të madh. Kështu lindi ideja për Aleksandrinë, pranë deltës së begatë të Nilit, në një vend ku deti takonte tokën pjellore dhe ku tregtia, kultura dhe shkenca do lulëzonin për shekuj me radhë.

Trashëgimia e Dinokratit

Përveç vizionit të tij për Aleksandrinë dhe malin Athos, Dinokrati është përmendur edhe si projektues i varrit madhështor të Filipit II, babait të Aleksandrit, në Vergina të Maqedonisë. Edhe pse monumenti nuk u përfundua plotësisht, ai konsiderohej një ndërmarrje e shkëlqyer për kohën e vet, që bashkonte arkitekturën, simbolikën dhe pushtetin në një strukturë të vetme.

Aleksandria pas cunamit

Pas cunamit shkatërrues të vitit 365, Aleksandria arriti të ringrihej, por trauma e humbjes ishte e madhe. Qyteti, dikur një nga qendrat më të ndritura të dijes dhe kulturës në botën antike – me Bibliotekën e famshme dhe Farin e Aleksandrisë – u përball me sfida të reja politike, ekonomike dhe natyrore në shekujt që pasuan. Megjithatë, fama e tij si qyteti i themeluar nga Aleksandri dhe projektuar nga Dinokrati, mbeti e gjallë dhe vazhdon të jetë pjesë e trashëgimisë botërore.

Përgatiti: L.Veizi

Horoskopi ditor, 21 Korrik 2025

Dashi

Gjate kësaj dite do zbuloni disa ane te tjera te karakterit te partnerit tuaj te cilat do iu pëlqejnë jashtë mase. Do ndiheni me se miri dhe do kaloni momente te këndshme se bashku. Beqaret nuk duhet te jene te turpshëm sepse ne këtë mënyrë nuk do e gjejnë dot personin e duhur. Situata financiare do filloje te konsolidohet tej mase.

Demi

Nëse jeni ne çift duhet te tregoheni sa me te hapur me personin qe keni ne krah dhe te flisni me te si për gjerat pozitive edhe për ato negativet. Beqaret me ne fund do realizojnë takimin qe kane ëndërruar prej kohesh. Ne planin financiar vërtet do përballeni me disa vështirësi, por ne fund do arrini ta stabilizoni situatën dhe do ndiheni me te qete.

Binjaket

Lidhja juaj do vazhdoje te jete e qëndrueshme edhe sot. Komunikimi do jete i mire dhe për çdo moment do ruani bashkëpunimin. Beqaret nga ana tjetër ka shume gjasa qe te fillojnë angazhime serioze te cilat do ua ndryshojnë rrjedhën e jetës. Ne planin financiar fati do jete ne anën tuaj. Te ardhurat do jene aq te mira sa ju mund te kryeni shpenzimet e domosdoshme.

Gaforrja

Çastet e lumtura do jene te shumta gjate kësaj dite ne jetën tuaj ne çift. Do ndiheni për mrekulli dhe do harroni gjithçka tjetër kur te jeni pranë atij qe dashuroni. Beqaret do kenë mundësi vetëm për aventura, asgjë me tepër sesa kaq. Ne planin financiar nuk duhet te ndërmerrni rreziqe te mëdha sepse ende situata nuk do jete ne periudhën me te favorshme.

Luani

Kënaquni me atmosferën qe do mbizotërojë sot ne jetën tuaj ne çift dhe mos kërkoni asgjë me shume nga partneri. Po e tepruar mund te keni mosmarrëveshje. Beqaret te cilët presin prej kohesh një gjest apo një fjale nga dikush qe pëlqejnë do e marrin atë. Financat nuk do jene ne gjendjen me te mire, por kjo nuk do te thotë qe te alarmohen menjëherë.

Virgjeresha

Do ketë përmirësime te ndjeshme gjate kësaj dite ne jetën tuaj ne çift. Klima do filloje dalëngadalë te ngrohet dhe ju do ndiheni akoma me mire se dikur. Beqaret duhet t’i marrin gjerat shtruar dhe te mos kërkojnë me ngulm princin e tyre te kaltër. Çdo gjë ka kohen e vet. Me paratë tregohuni sa me te arsyeshëm. Po e tejkaluat me shpenzimet do keni vështirësi.

Peshorja

Venusi do iu beje te tregoheni me te hapur ndaj ndryshimeve ne çift gjate kësaj dite dhe çdo gjë do shkoje me mire mes jush dhe atij qe keni ne krah. Vazhdoni ne këtë rruge. Beqaret mund te kenë edhe dashuri me shikim te pare nëse nuk mbyllen ne vetvete. Financat fatmirësisht nuk do përbejnë asnjë problem, përkundrazi për disa do ketë përmirësim te situatës.

Akrepi

Nëse sapo keni krijuar një lidhje, ka rrezik qe te përballeni me zhgënjime gjate kësaj dite. Asgjë nuk do shkoje ashtu si e kishit menduar. Beqaret do jene te parrezistueshem dhe do marrin propozime te shumta nga persona te ndryshëm. Duhet te marrin kohen e duhur për t’u menduar dhe për te vendosur. Ne planin financiar do keni fat me shumice.

Shigjetari

Asgjë nuk do shkoje si duhet sot ne jetën tuaj ne çift. Do keni debate te shpeshta dhe te forta me partnerin dhe pjesën me te madhe te ditës do jeni te mërzitur. Beqaret do jene gjithë kohës ne kërkim te dashurisë se madhe. Disa do e gjejnë, ndërsa te tjerët do duhet te presin ende. Ne planin financiar duhet te mendoheni njëqind here para se te kryeni ndonjë shpenzim.

Bricjapi

Tregohuni sa me realiste sot juve qe jeni ne një lidhje dhe mos kërkoni gjera te pamundura nga ai qe keni ne krah. Beqaret do jene me joshës se kurrë dhe nuk do ndalen derisa te bëjnë për vete dike. Ka shume gjasa qe ne mos sot shume shpejt te filloje një lidhje e qëndrueshme. Plutoni do iu nxite te shpenzoni pa fund dhe situata financiare do behet delikate.

Ujori

Do kaloni momente mjaft pasionante gjate kësaj dite ne jetën tuaj ne çift dhe do ndiheni shpesh si ne ëndërr. Shfrytëzojeni çdo çast dhe çdo sekonde kur te jeni pranë partnerit. Beqaret do realizojnë disa takime, por asnjeri nuk do ua mbushe mendjen sa për te hedhur hapa me tej. Shpenzimet nuk do mundeni dot t’i ndalni, por te paktën kufizojini.

Peshqit

Do i kaloni një e nga një te gjitha vështirësitë qe keni pasur ne jetën tuaj ne çift sot dhe atmosfera do behet me e ngrohte. Beqaret do kenë takime fantastike te cilat nuk duhet t’i humbasin për asnjë lloj arsyeje. Me financat vazhdoni te tregoheni te matur sepse po kryet gabimin me te vogël do keni vështirësi te mëdha edhe ne te ardhmen./kb

Trump donte të anulonte kontratat qeveritare me Musk. Pse ndryshoi plani?

Për qeverinë amerikane, ndarja me Elon Musk është më e lehtë të thuhet sesa të bëhet.

Pasi Elon Musk kritikoi publikisht planin e taksave dhe buxhetit të Donald Trump, presidenti amerikan shkroi në Truth Social se mënyra më e mirë për të kursyer para federale ishte të priste të gjitha kontratat me kompanitë e Musk.

Sipas Wall Street Journal, pas kësaj Shtëpia e Bardhë nisi në heshtje një shqyrtim dhe zbuloi se pothuajse të gjitha marrëveshjet e SpaceX me qeverinë nuk mund të anulohen, pasi ato janë kritike për Pentagonin dhe NASA-n.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se shqyrtimi i kontratave qeveritare u përqendrua në një gamë kompanish me kontrata fitimprurëse qeveritare.

SpaceX u konsiderua ofruesi kryesor i lëshimeve në botë dhe një lojtar kyç në komunikimet satelitore. m.p.

Kosova cakton 1 muaj paraburgim për zyrtarin e qeverisë serbe

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji zëvendësdrejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Igor Popoviq.

Ai dyshohet për veprën penale “nxitje e përçarjes dhe mosdurimit”.

“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, gjykata vlerësoi se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate në këtë rast penal dhe se çdo masë tjetër do të ishte e pamjaftueshme për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale, si dhe pengimin e rrjedhës normale të kësaj procedure penale”, u tha në njoftimin e Gjykatës Themelore.

Avokati i tij, Ljubomir Pantoviq, tha se mbrojtja do ta apelojë këtë vendim të Themelores.

“Është pranuar kërkesa e prokurorisë, në të cilën pretendohet se Igor Popoviq ka nxitur përçarje dhe urrejtje në fjalimin që e mbajti para dy ditësh”, tha Pantoviq.

Popoviq u ndalua më 18 korrik në Kosovë pasi sipas autoriteteve në Kosovë gjatë një fjalimi në Hoqë të Madhe, ai e ka cilësuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si “organizatë terroriste” dhe i ka krahasuar veprimet e saj me ngjarje të rënda ndërkombëtare. m.p.

A ka filluar revolucioni në PD? Flaka e parë u ndez…

YLLI PATA – Deklarata e kryetarit të bashkisë së Kavajës, Fisnik Qosja, përbën një zhvillim serioz politik.

Kryebashkiaku, është një prej figurave të pakta të opozitës shqiptare, që përveç shiritit zyrtar të postit që përfaqëson, atij kuqezi, mban edhe mantelin e fituesit. Një mantel, të cilin e kanë veshur shumë pak në “armatën” humbëse të udhëhequr nga Sali Berisha.

Qëndrimet e Qoses janë zhvillim serioz, pasi në thelb, kreu i bashkisë së Kavajës, ka kundërshtuar tërë substraktin politik të strategjisë opozitare.

Ai së pari ka kundërshtuar qartë politikën e bojkotit, dhe mos njohjes së realitetit politik. Qosja thotë se PD duhet të jetë pjesë në të gjithë zhvillimet politike në Parlament, duke përfshirë reformat e rëndësishme.

“Duhet të marrim pjesë në të gjitha reformat, në drejtësi, territoriale, parlamentare. Një parti politike duhet të jetë pjesëmarrëse, sepse nëse ti nuk je pjesëmarrës, atëherë kot që je. Një ekip po nuk luajti në fushë nuk do quhet ekip. Duhet të luash në fushë, atëherë luan mirë apo keq, atë e gjykojnë qytetarët, por ama ti duhet të luash”, deklaroi kryebashkiaku i Kavajës, në një intervistë në A2.

Një qëndrim krejt i fortë dhe në thelbin e tij, një alternativë e atij që ka ofruar opozita e Sali Berishës. Qosja, këtë qëndrim nuk e ka vetëm me fjalë, por me aksione konkrete. Ai merr pjesë thuajse në të gjithë mbledhjet e kryeministrit Edi Rama me krerët e pushtetit vendor. E kemi parë me ministren e Turizmit, Mirela Kumbaro, në zonat turistike që përfshin bashkia e tij, si dhe në aktivitete të tjera së bashku me qeverinë qëndror, të cilën e kontrollon mazhoranca socialiste e Edi Ramës.

Për këtë, Qosja nuk ka fare droje, e as kompleks, por jep mendimin e tij hapur, duke qënë si pjesëmarrës i mandatuar nga qytetarët që e kanë zgjedhur.

Madje, ajo që është më e rëndësishme, është se sjellja e tij, pra mënyra “formale” është krejt brenda normave të edukatës civile. Pa sforco teatrale, e as sinjale për të treguar dhëmbë të kërcëlluar apo fytyrë të ngrysur. Përkundrazi, kryebashkiaku i Kavajës është përgjithësisht me buzë në gaz, siç duhet e ka në natyrën e tij prej “çuni të Shqipërisë së mesme”.

Por nuk mbaron këtu zhvillimi i sotëm që mban emrin e Fisnik Qoses. Ai ka rrëzuar mënyrën sesi Sali Berisha ka zgjedhur deputetët, duke thënë se duhet të ishin doemos kandidatët që fituan primaret. Nga ana tjeter ai e thotë hapur e troç se PD-së i duhen figura të reja.

Ndërkaq, përpos elaborimit të argumentit “debat” brenda PD-së dhe parashtrimit në mënyrë kirurgjike të problemeve, ka një kleçkë në mjedisin e këtyre zhvillimeve.

Përveç kryetarit të bashkisë së Kavajës që është një personazh me autoritet publik dhe politik, edhe Ervin Saljanji pas daljes nga burgu e përmendi argumentin “ndryshim”. Ndërkohë që edhe zëra të tjerë në PD, duke nisur nga Myslym Murrizi etj, kanë qenë edhe më të zëshëm e të ashpër në kritika.

Mes fjalë të tjera, në kozmosin politik të Partisë Demokratike nuk mungojnë zërat e ndryshëm, që në logjikën e opozitës janë më të lirë që të shprehen, pasi nuk kanë çfarë të humbin.

Gjithsesi, edhe në aspektin retorik, ky diskutim është shumë i rëndësishëm, pasi na paraqitet krejt i ndryshëm nga panelistët që mbështesin Berishën, të cilët stonojnë fort në vazhdimin e rrahjes së ujit në havan.

Por përtej shprehjes dhe fjalës si fuqi primare në politikë, deklaratat e shkëputura mund të mbeten gudulisje për trupin e mpirë të opozitës shqiptare.

Parashtrimi i argumenteve dhe ideve, arrijnë të jenë efektive nëse ato adresohen aty ku duhet dhe i bashkëngjitet një aksion politik, perndryshe krijojnë edhe më shumë zhgënjim edhe pesimizëm.

Logjika e përdorur këto vite, se fajin e ka delfini i radhës i doktorit e jo Sali Berisha, e ka çuar PD-në në gjendjen e të sëmurit të Bosforit para rrëzimit të Perandorisë Osmane.

Për ta ringritur, duhet një revolucion i vërtetë “qemalist”, që të themelojë një republikë të vërtetë europiane në ish-godinën e Shtëpisë Qëndrore të Ushtrisë Popullore. Këtë nuk e bëjnë as pasuesit e “Abdulhamitit” e as xhonturqit, duhet një mustafaqemal, qoftë edhe pa mustaqe. m.p.

Aeroportet e Moskës mbyllen pas sulmeve me dronë në Ukrainë

Një sulm i vazhdueshëm me dronë ukrainas ndaj Rusisë shkaktoi mbylljen e përkohshme të aeroporteve kryesore të Moskës dhe anulimin e të paktën 140 fluturimeve, thanë zyrtarët.

Më shumë se 230 dronë ukrainas u rrëzuan mbi Rusinë që nga mëngjesi i së shtunës – përfshirë 27 mbi kryeqytet – sipas ministrisë ruse të mbrojtjes.

Sipas organit mbikëqyrës të aviacionit rus, katër aeroportet kryesore që i shërbejnë kryeqytetit u ndërprenë dhe më shumë se 130 fluturime u detyruan të ridrejtoheshin. Që atëherë të gjitha kanë rifilluar operacionet normale.

Ndërkohë, të paktën tre persona u vranë gjatë sulmeve ajrore ruse në Ukrainë gjatë natës, sipas zyrtarëve rajonalë.

Shoqata e Operatorëve Turistikë të Rusisë (Ator) tha të dielën se aeroportet e Moskës u mbyllën 10 herë brenda 24 orëve për shkak të grevave.

Ministria e mbrojtjes e Rusisë tha se dronë u rrëzuan gjithashtu mbi rajonet pranë kufirit ukrainas, përfshirë Rostovin dhe Bryanskun, si dhe mbi Detin e Zi. Nuk u raportuan viktima. m.p.

Akuza tjetër e Endri Shabanit: Lapaj bëri listat në 12 të natës

Endri Shabani, kryetari i Nismës Thurje, tregoi në A2 CNN, se çfarë ndodhi me Dash Sulën.

“Ligji i jep të drejtën kreut të koalicionit që të dorëzojë listat. Ne thjesht propozonim lista. Ne kemi çuar listën tonë të dielën dhe ato janë dorëzuar të mërkurën në 12 të natës. Çdo punë që bëhet në mes të natës ka gabime dhe një nga këto gabime ka qenë edhe kjo e zotit Sula, që iu faturua Nismës Thurje. Edhe zoti Zeqir Kordhoni nuk është propozuar nga Nisma Thurje për listën e mbyllur. Çuam 3 kandidate për listën e mbyllur të Tiranës. Por, kishin çuar më shumë gra seç duhej dhe e zëvendësuan Majlinda Zikon e vendit të nëntë dhe futën Zeqir Kordhonin. Edhe zoti Sula u fut në 12 të natës dhe të nesërmen në mëngjes kërkonte garanci te lista e mbyllur. Negociatat me zotin Sula nuk i kam bërë unë. Unë kam pasur kundërshtitë e mia për disa kandidatë dhe parti të vjetra që donin të bëheshin pjesë e koalicionit”.

“Ka pasur parti të tjera, shumë të vjetra, të cilat donin të bëheshin pjesë e koalicionit, por unë isha kundër sepse doja të ishim të gjithë të rinj”.

Sipas tij, aktivistët e Nismës Thurje janë ndjerë të mënjanuar gjatë gjithë fushatës.

“Ku ka demokraci, ka tension. Pas kësaj që ndodhi, jemi të gjithë shumë të dëshpëruar pasi vite të tëra punë janë dëmtuar dhe na duhet shumë kohë për të rifituar besimin e publikut. Doja që debatin mos ta kishim bërë në publik, pasi edhe medias i ka shërbyer pasi ka hequr vëmendjen nga çështje më të mëdha në vend, siç është Thethi. Është telenovelë e shëmtuar, do doja ta kishim shmangur këtë”.

“Tani, duhet të gjejmë një mënyrë që Adriatiku të japë dorëheqjen, as unë nuk do e marr, por ta marrë dikush tjetër. Me zotin Pano Soko kam folur dhe do përpiqemi ta zgjidhim, duke mos rikonfirmuar tendencat autoritare që nuk i shërbejnë kauzës”, deklaroi Shabani. m.p.

Kaçinari më në fund del nga izolimi! Nis hapja e rrugëve

Pas shumë vitesh, Njesia Administrative e Kaçinarit në Mirditë ka dalë nga izolimi që ishte krijuar nga mungesa e infrastrukturës rrugore.

Në zbatim të kontratës së lidhur me Bashkinë Mirditë dhe banorët, kompania “Shpërdhaza-Energji” që do të ndërtoje HEC-et në Kaçinar ka zbarkuar prej muajsh në terren.

Punëtorë dhe mjete të rënda po punojnë çdo ditë, duke hapur rrugët e fshatrave dhe rehabilituar aksin Bukmir-Kaçinar, ndërhyrje që janë pritur mjaft mirë nga banorët.

Sipas tyre, mungesa e infrastrukturës ishte një faktor i rëndësishëm që solli shpopullimin e kësaj zone, duke e bërë të vështirë jetesën dhe zhvillimin e saj. m.p.

Shëngjin, 23-vjeçari bie nga ballkoni i hotelit

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë pasdite në Shëngjin ku një 23-vjeçar ka rënë nga ballkoni i hotelit ku po qëndronte me pushime.

23-vjeçari banues në Burrel është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për ndihmë të specializuar mjekësore.

Gjendja e tij raportohet të jetë e rëndë ndërsa të tjera detaje priten në vijim nga policia. Blutë e Lezhës bëjnë me dije se grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes. m.p.

Pano Soko: “Turp për ne, kam frikë t’i shoh votuesit tanë në sy”

Pano Soko i cili në zgjedhjet e 11 Majit garoi nën siglën e Nismës Shqipëria Bëhet ka komentuar përplasjen mes Adriatik Lapajt dhe Endrit Shabanit të Nismës Thurrje. Soko e quan të gjithë situatën të turpshme ndërsa thekson se mosrespektimi i angazhimit për listat e hapura rrezikon besimin e qytetarëve. Soko bën thirrje që të përmbushen zotimet e dhëna para votuesve si dhe i bëri thirrje individëve të cilët në mënyrë fiktive, janë paraqitur në listë të mbyllur që ti përmbahen angazhimit të tyre për të dhënë dorëheqjen dhe për të çliruar mekanizmin e listës së hapur.

“Çështja është akoma duke u zhvilluar. Kjo që ndodhi ishte një turp në dy plane: E para ishte e gjithë mospërmbushja e angazhimit tonë që morëm përpara njerëzve që na votuan, që ne do shkonim me lista të hapura duke garantuar një mekanizëm për të cilin ne dolëm garant përpara njerëzve.

I bëj thirrje të gjithë individëve të cilët në mënyrë fiktive, janë paraqitur në listë të mbyllur që ti përmbahen angazhimit të tyre për të dhënë dorëheqjen dhe për të çliruar mekanizmin e listës së hapur.

Koalicioni jonë i ka marrë votat për të çuar në Parlament ata që morën më shumë vota, jo ca njerëz fiktivë që nuk ishin për vota.

E dyta ka të bëjë me tensionet e komunikimit që kanë ekzistuar mes nesh, dhuna është e pafalshme. Komunikimi publik për gjëra që duhen zgjidhur me njëri-tjetrin, është gabim që shpesh herë rezulton fatal, sepse kur gjërat bëhen publike, “urat digjen”, prandaj gjërat mbahen në privatësi për të ruajtur urat.

Të gjitha palët e përfshira të ndërmarrin anagzhimin e tyre për të përmbushur detyrimin që kanë ndaj votuesit dhe për të çaktivizuar listën e mbyllur. E kemi të detyrueshme t’u dalim garant njerëzve, dhe është e turpshme nëse nuk e bëjmë”, deklaroi Soko.

Pano Soko thekson se janë të dënuar të gjejnë një zgjidhje, pasi së pari duhet bërë për hir të qytetarëve që i votuan.

“Nëse ne nisim rrugëtimin tonë politik me një humbje angazhimi të tillë, atëherë besimi i njerëzve nuk është një gjë që fitohet shpesh herë. Personalisht jam ndjerë shumë në siklet, në detyrim ndaj atyre njerëzve që na kanë votuar. Nuk i shof dot në sy.

Besoj se ne do gjejmë forcën për të dalë mbi veten për hir të atyre njerëzve që na kanë besuar. Jemi të dënuar të gjejmë një zgjidhje”, tha Pano Soko.

Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet fitoi mandatin në zgjedhjet e 11 Majit ndërsa marrëveshja mes palëve ishte bërë që emrat e listës së mbyllur që përbëhej nga të afërm të kandidatëve, do të jepnin dorëheqje si një artificë që kandidatët e listës së hapur të ishin ata që garonin për mandatet.

Përplasja nisi mes Adriatik Lapajt dhe Endrit Shabanit pasi daja i këtij të fundit nuk pranoi të japë dorëheqjen. Deklaratat mes Lapajt dhe Shabanit kanë qenë të ashpra ndërsa tashmë priten të tjera zhvillime. m.p.

Endri Shabani: Dajës sim i kanë bërë kërcënime te dera e shtëpisë

Endrit Shabani, kryetari i Nismës Thurje, tregoi në A2 CNN, kërcënimet që ka marrë daja i tij, Zeqir Kordhoni.

“Zoti Zeqir Kordhoni është ndjerë i përdorur. Ai ka thënë që nuk mund të talleni me mua. Ai është aktivist që në vitin 2023. Ka mbledhur firma, ka shpërndarë fletëpalosje… Në irritim e sipër, ai tha “unë jam burrë, jo politikan”. Ai është ndjerë se Adriatiku nuk është treguar serioz me të. Unë jam përpjekur ta bind, por kur kanë nisur kërcënimet unë nuk e bind dot më, kam humbur mundësinë për të komunikuar dhe e fundit, nuk e di a është e drejtë që ta bind. Unë kam luftuar me modelet e dhunës dhe nuk e pranoj dot si normale që në një konflikt politik, zgjidhja të jetë dhuna, kërcënimi i fëmijëve, gruas, familjes… Nuk dua të hyj në detaje, por ka marrë kërcënime me jetë”, tha Shabani.

“Ky është standard i tejkaluar edhe te partitë e vjetra që njiheshin si të dhunshme. Unë nuk dua ta përshkallëzoj më tej situatën dhe shpresoj që edhe zoti Kordhoni mos ta bëjë denoncimin. Dua ta shuaj sa më shpejt këtë. Nëse Kleana Xhuveli, e cila e ka revokuar dorëheqjen, ka dakordësinë e të gjithëve, të shkojë ajo në Parlament. Është vajzë e re, jurist dhe po aq e mirë sa Endrit Shabani dhe Adriatik Lapaj. Ajo përfaqëson “Shqipëria bëhet”. Nuk ka pasur kurrë pretendim nga Nisma Thurje për të marrë mandat. Zoti Zeqir Kordhoni nuk e ka menduar ndonjëherë të bëhet deputet duke qenë në fund të listës”, shtoi më tej Shabani.

Sipas tij, Adriatik Lapaj duhet të mbante fjalën. “Politika e vjetër këtë punë ka bërë 34 vjet. Premtime para zgjedhjeve që nuk mbaheshin pas zgjedhjeve”, theksoi Shabani.

Më tej, ai iu kthye kërcënimeve ndaj dajës së tij: “Nuk e kemi as moralin tani që t’i themi një njeriu që i është kërcënuar familja “tërhiqu ti se bënë shaka këta që të kërcënuan fëmijët”. Edhe dje një personazh publik i thonte që “publiku do t’i pështyjë fëmijët e tu kur të dalin në rrugë”. Në një situatë të tillë, zgjidhja është ligjore. Ne mund t’i kërkojmë KQZ-së që të njohë dorëheqjet e dorëzuara në 11 maj. Listën e mbyllur e mbushëm me njerëz që nuk kishin synim për t’u bërë deputet. 6500 njerëz kanë votuar për Adriatikun dhe 3100 për mua. Në asnjë rrethanë nuk ndodh që të gjithë dëshirat e votuesve të përfaqësohen në Parlament”.

“Zoti Zeqir Kordhoni ka reaguar në një moment irritimi dhe është përkeqësuar situata kur ka marrë kërcënime. Aty më pas nuk ka më pikë kthimi. Kjo është fatkeqësia. Unë besoj se pas gjithë kësaj situate, si unë, ashtu edhe zoti Lapaj, nuk besoj që pretendojmë më mandat. Nuk kam si i them zotit Kordhoni “mos i merr seriozisht kërcënimet me telefon e në shtëpi”. Ky është model që duhet ta dënojmë, nuk mund ta promovojmë”, deklaroi Shabani. M.P.

“Nuk arrij dot t’ia mbush mendjen dajës”, Endrit Shabani: Jam kthyer duarbosh sa herë…

Endri Shabani, kryetari i Nismës Thurje, deklaroi në studion e “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN, se sa herë që ka shkuar për një marrëveshje paszgjedhore me Adriatik Lapajn, është kthyer duarbosh.

“Ky nuk është konflikt për një mandat ose për një rrogë, është konflikt për një parim. Unë mendoj që zoti Lapaj duhet të hyjë në Parlament, por nuk i bind dot të tjerët që të mbajnë fjalën, ndërkohë që zoti Lapaj nuk e mban. Sepse i bie që të kemi dy standarde”, tha Shabani.

Kur u pyet nëse ka patur konflikte të mëhershme me Lapajn, Shabani u përgjigj: “Është një tension i natyrshëm në një komunitet demokratik. Jemi individë me identitetin dhe mendimet e tyre, kështu që ka pasur tension të vazhdueshëm dhe roli i drejtuesve është që t’i sheshojnë tensionet dhe të shohin përpara. Konteksti ku ka ndodhur sjellja e zotit Zeqir Kordhoni ka qenë që ne nuk kishim më një vizion për koalicionin. Jam kthyer duarbosh sa herë që kam shkuar për të negociuar për një marrëveshje paszgjedhore. Ka pasur mungesë dëshire ndoshta për të vazhduar bashkëpunimin. Kam dashur mos ta personalizojmë me një njeri koalicionin, vendosjen e një stafi dhe buxheti të përbashkët për koalicionin, por jam kthyer duarbosh dhe ka prodhuar tension”.

Sipas Shabanit, “kjo ka krijuar ndjesinë sikur i gjithë suksesi që është ngritur nga puna e një ekipi të tërë, është personalizuar nga një njeri i vetëm”.

“Adriatiku ka marrë më shumë vota sesa të tjerët, por nuk ka marrë vota mjaftueshëm. Çdokush tjetër nga kandidatët që do të merrte më shumë vota, do të hynte në Parlament, por jo kryetari i koalicionit. Nëse ne nuk e mbajmë fjalën, i shërbejmë politikës së vjetër sepse politika e vjetër këtë do, që të thotë se edhe të rinjtë nuk e mbajnë fjalën”, deklaroi më tej Shabani.

“Asnjë nga ne nuk ka marrë mjaftueshëm vota për një mandat, ky është mandat që përfaqëson të gjithë koalicionin, nuk mund të personalizohet. Ky është mentalitet i partive të vjetra, që “vetëm ky e bën”. Për një mandat në Tiranë duhen 13 500 vota. Në këtë garë kemi fituar si ekip. Ne duhet të jemi ndryshe nga klasa e vjetër politike”, theksoi më tej Shabani. m.p.

Po punonte tokën, përmbyset zetori, ndërron jetë 62-vjeçari

Një 62-vjeçar në Divjakë ka humbur jetën, duke punuar në një tokë arë me një mjet bujqësor.

Sipas policisë, dyshohet se aksidentalisht mjeti është përmbysur dhe për pasojë 62-vjeçari ka ndërruar jetë.

“Divjakë/Informacion paraprak. Në datë 20.07.2025, shtetasi M. M., 62 vjeç, duke punuar në një tokë arë me një mjet bujqësor, dyshohet se aksidentalisht mjeti është përmbysur dhe për pasojë 62-vjeçari ka ndërruar jetë’, njoftoi sot policia. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të rastit”. m.p.

Të shtëna me armë zjarri në Sarandë, plagoset një ish-polic

Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar pak minuta më parë në lagjen nr. 4 të qytetit të Sarandës, në rrugën “Mitat Hoxha”. Si pasojë e të shtënave ka mbetur i plagosur një person, identifikuar si Adil Veli, 54 vjeç, ish-efektiv policie.

Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur për shkak të një konflikti mes disa personash, teksa kanë kaluar në nxjerrjen e mjeteve prerëse, thika. Burime bëjnë me dije se një nga personat e përfshirë në konflikt ka nxjerrë armën e zjarrit pistoletë dhe ka qëlluar në ajër. Më pas, ky person ka qëlluar Adil Velin 3 herë me qytë pistolete në kokë.

I plagosuri është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Sarandës, ndërsa ende nuk dihet gjendja e tij shëndetësore. Policia ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po vijojnë hetimet për zbardhjen e rrethanave. Deri më tani, nuk ka të dhëna zyrtare për autorin apo motivin e sulmit.

Njoftimi i plotë i policisë:

Sot, rreth orës 19:10, në lagjen nr. 4, Sarandë, dyshohet se gjatë një konflikti është dëmtuar me një send të fortë, dyshohet me tytën e një pistolete, shtetasi A. V., 56 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.

Nga këqyrja paraprake e vendit të ngjarjes, dyshohet se gjatë momentit të goditjes me tytën e armës, arma është shkrepur në mënyrë të pavullnetshme në ajër, pa shkaktuar pasoja. Si provë materiale, në vendin e ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar një gëzhojë arme zjarri.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të saj. m.p.

Pse Arjan Konomi i përmendi emrin e fëmijëve dajës së Endri Shabanit? Mos vallë…

Një tjetër episod ka përfshirë telenovelën politike shqiptare, teksa aktivisti i Shqipëria Bëhet, Arjan Konomi ka publikuar një video në rrjetin social Instagram, duke iu drejtuar drejtpërdrejt Zeqir Kordhonit, kandidat për deputet aktual në koalicionin Lapaj-Shabani dhe njëkohësisht daja i Endri Shabanit.

Pas kërcënimeve që kanë shkuar në drejtim të zotit Kordhoni, ka ardhur reagimi i gazetarit Konomi.

Në videon e publikuar, Konomi i bën thirrje Kordhonit që të heqë dorë nga mandati i deputetit, ndërsa përmend edhe emrat e fëmijëve të tij. Këtu lindin disa pyetje: përse përmenden emrat e fëmijëve të Kordhonit pasi ai është kërcënuar? A përfaqëson kjo një formë të re presioni apo edhe kërcënimi të nënkuptuar?

Çfarë interesi publik kanë emrat e fëmijëve?

Kujtojmë që përplasja ka ardhur pasi Lapaj preu në besë aleatët dhe votuesit duke u tëhequr nga premtimi që nuk do merrte mandatin nëse koalicioni do merrte vetëm 1 mandat. Por për këtë akt politik, Konomi nuk ka asnjë thirrje ndaj Lapajt. Ama kërkon llogari ndaj një “ushtari”, pavarsisht se “gjenerali” Lapaj ka “tradhëtuar”. (Lexo.al) m.p.

Qafë-Thanë, shumë radhë dhe pritje të gjata në kufi

Pasditja e së dielës, siç ndodh gjatë gjithë sezonit veror dhe jo vetëm, në pikën kufitare të Qafë-Thanës ka shënuar radhë të gjata.

Kontrolli në këtë pikë kufitare kryhet në mënyrë të përbashkët midis dy policive, pavarësisht se të dyja palët ndodhen në një kabinë.

Kjo nismë nuk ka dhënë asnjë rezultat, pasi kontrolli përsëri bëhet nga të dyja palët kufitare dhe e vetmja gjë që ka ndryshuar është vendosja e këtyre të fundit brenda një kabine, ndërsa procedurat e kalimit vijojnë të jenë të njëjta.

Radhët këtë pasdite ishin me 4 korsi dhe ata që donin të kalonin drejt Maqedonisë së Veriut kanë qenë të detyruar të presin nga 40 minuta deri në 1 orë.

Shumica prej mjeteve ktheheshin nga bregdeti ku kishin qenë për fundjavë apo dhe për më shumë ditë. m.p.

Endri Shabani: Lapaj u bë lider koalicioni dhe fitoi vëmendje publike më shumë se unë

Endrit Shabani, i rikthyer nga pushimet, u shfaq sonte në studion e A2 për të dhënë shpjegimet e tij për mandatin e shumëdiskutuar mes tij dhe Adriatik Lapajt. Sipas tij, drejtuesi i “Shqipëria Bëhet” ka shkelur fjalën e dhënë.

“Kur kemi rënë dakord për të hyrë në zgjedhje si koalicion, kemi thënë se, nëse do të merrnim vetëm një mandat, asnjëri nga dy liderët e partive nuk do ta merrte mandatin. Pse? Sepse Adriatiku u bë lider i koalicionit dhe, duke qenë lider, do të fitonte më shumë vëmendje publike. Pra, do të ishte i favorizuar. Pas 11 majit, ai e shkeli fjalën. Në fillim tha se do ta refuzonte mandatin, kurse më pas ndryshoi mendje”, u shpreh Shabani. m.p.

Gjenerali gjerman: Rusia do të sulmojë Kievin me 2 mijë dronë

Rusia po planifikon të sulmojë me mbi 2 mijë dronë Ukrainën. Këtë fakt e ka bërë të ditur gjenerali gjerman Christian Freuding në një intervistë të publikuar më 19 korrik.

Numri i dronëve marramendës i përshkruar nga Freuding, i cili kryeson grupin e punës për Ukrainën në Ministrinë gjermane të Mbrojtjes, vjen ndërsa Rusia vazhdon të zgjerojë prodhimin e dronëve.

Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme Ukrainase i tha revistës Politico në qershor se Kremlini planifikon të prodhojë 2 milionë dronë dhe 30 mijë dronë me rreze të gjatë veprimi dhe me karrem në vitin 2025, duke shënuar një zgjerim kritik të programit të luftës me dronë të Moskës.

Midis 13 shtatorit 2022 dhe 30 gushtit 2023, forcat ruse qëlluan me gati 2 mijë dronë Shahed në Ukrainë. Kjo “do të paraqesë një sfidë serioze për sistemin e mbrojtjes ajrore ukrainase”, shtoi Freuding në një podcast.

“Kundërmasa të zgjuara” janë të nevojshme, shtoi ai, duke vënë në dukje se përdorimi i raketave Patriot kundër dronëve kamikazë rusë është i palogjikshëm, të cilët kushtojnë 30,000-50,000 euro, ndërsa një raketë Patriot kushton mbi 5 milionë.

Sakaq, Moska ka bërë me dije se lufta e Ukrainës është e gjatë dhe komplekse. Deklaratat e Donald Trump tregojnë një dëshirë për të arritur një marrëveshje në Ukrainë sa më shpejt të jetë e mundur, por Uashingtoni po e kupton gjithnjë e më shumë kompleksitetin e këtij procesi “të gjatë dhe të vështirë”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, në një intervistë me VGTRK, të cituar nga Tass.

Ne jemi mësuar me “retorikë mjaft të ashpër dhe të drejtpërdrejtë”, shtoi Peskov, por “në të njëjtën kohë ai konfirmon qëllimin e tij për të vazhduar të bëjë gjithçka që është e mundur për të lehtësuar një zgjidhje paqësore”.

Në lidhje me një takim mes Trump dhe Putin, Peskov thekson se “ende nuk ka ardhur koha”. Ai pranoi, megjithatë, se kishte filluar ta konsideronte një takim midis dy udhëheqësve “të domosdoshëm” dhe se “me kalimin e kohës, është diçka që padyshim do të ndodhë”.

Më pas, shtoi se “mund të jetë e nevojshme të formalizohen disa marrëveshje të rëndësishme të arritura me kalimin e kohës, pas shumë pune”. “Kjo punë ende duhet të bëhet”, vazhdoi ai, duke arritur kështu në përfundimin se koha për një samit midis Trump dhe Putin “ende nuk ka ardhur”. m.p.

❌