Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Flakët përhapen me shpejtësi në Gramsh, pritet ndërhyrje nga ajri

Gjatë orëve të mbrëmjes të kësaj të diele një vatër zjarri është shfaqur në afërsi të fshatit Sojnik, në Gramsh.

Burime për mediat bëjnë me dije se flakët kanë përfshirë një masiv pyjor të dendur, ku ndërhyrja e forcave zjarrfikëse është pothuajse e pamundur për shkak të terrenit të vështirë dhe mungesës së aksesit rrugor.

Zjarri po vijon të përhapet me shpejtësi, ndërkohë që pritet ndërhyrje nga ajri me qëllim neutralizimin dhe vënien në kontroll të flakëve.

Autoritetet lokale u kanë bërë thirrje banorëve që të tregojnë kujdes dhe të jenë vigjilent. m.p.

Fotot me autorin e vrasjes në Gjilan, reagon për herë të parë Osmani

Presidentja e Kosovës ka shprehur keqardhje për humbjen e tre jetëve në Gjilan dhe përcolli ngushëllime për familjet e viktimave.

Ajo u bëri thirrje organeve të rendit dhe drejtësisë që autorët të kapen sa më shpejt dhe të dalin para drejtësisë, për t’u përballur me përgjegjësinë e plotë ligjore. Presidentja e cilësoi keqardhje faktin që vitin e kaluar autorët u lanë të lirë nga institucionet e drejtësisë, pas një kohe të shkurtër në paraburgim, pavarësisht veprave të rënda për të cilat akuzoheshin.

Ajo komentoi edhe fotografitë e autorit të krimit të bëra në ambiente publike me figura të ndryshme të politikës, përfshirë atë vetë. Presidentja sqaroi se këto fotografi janë realizuar gjatë një aktiviteti festiv të Ambasadës së Shqipërisë në Kosovë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve institucionalë, personaliteteve politike dhe qytetarëve.

“Është po ashtu shqetësues manipulimi me qëllim të keqinformimit të opinionit publik, duke përdorur fotografi të rastit të bëra në ambiente publike që autori i këtyre veprave i kishte bërë me një sërë figurash publike. Nga një hulumtim i thjeshtë del se këto fotografi janë bërë gjatë një organizimi festiv të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Kosovë, me rastin e një aktiviteti publik ku morën pjesë edhe përfaqësues të tjerë institucionalë, personalitete nga politika, të ftuar të tjerë dhe qytetarë. Brenda vitit, Presidentja del në fotografi me mijëra qytetarë e pjesëmarrës në aktivitete publike, të cilët as nuk i njeh e as nuk mund ta dijë se cila është veprimtaria e tyre. Prandaj, aludimet për kinse shoqërim janë asgjë tjetër pos shpifje”, shkruan Presidentja e Kosovës. m.p.

“Joan Gamper”, Barcelona i jep leksione Como-s

Barcelona ka fituar 5-0 ndaj Como në stadiumin “Johan Cruyff”, miqësore e vlefshme për trofeun e përvitshëm “Joan Gamper”. Ishte Fermin Lopez që zhbllokoi rezultatin në minutën e 20-të, duke përfituar nga një top i humbur nga miqtë, ylli i Barcelonës dërgoi topin në rrjetë me një goditje të bukur në kufijtë e zonës së rreptësisë.

Në minutën e 35-të ishte sërish Fermin Lopez, që shënoi një tjetër gol të bukur, me një goditje klasi prapë nga kufijtë e zonës së rreptësisë. 22-vjeçari i shumë kërkuar këtë merkato, nuk heziton të tregojë cilësinë dhe klasin e tij, sa herë që i jepet mundësia nga Flick.

Dy minuta më pas, ishte Raphinha që tundi rrjetën për herë të tretë, pas asistit të marrë nga Marcus Rashford. Nuk mund të mungonte Lamine Yamal pa shënuar në këtë takim. Numri i ri 10 i Barcelonës gjeti rrjetën në minutën e 42-të, pas asistit të Ferran Torres. Pjesa e parë u mbyll 4-0 për të zotët e shtëpisë.

Në fillim të pjesës së dytë, ishte sërish Lamine Yamal, i cili gjei rrjetën pas asistit të bukur të marrë nga Ferran Torres, i sapo futur në fushë. Rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund, 5-0 për Barcelonën. Katalanasit e nisin sezonin e ri me trofe, edhe pse ishte një ndeshje miqësore. m.p.

Arbana Osmani marton vëllain! Fjalimi që na shkriu zemrat

Me emocione, shumë lot gëzimi e një ceremonie të kuruar deri në detajin më të vogël, vëllai i moderatores ikonë të ekraneve shqiptare, Arbana Osmanit i ka dhënë fund beqarisë.

Dasma e organizuar një natë më parë, kishte mbledhur bashkë familjarë e miq të shumtë të familjes Osmani, ku të gjithë duartrokitën, festuan dhe trokitën gotat për një kapitull të ri në jetën e Sidritit dhe partneres dhe shoqes së tij të zemrës.

Fjalimi i Arbanës për të atin, ka tërhequr vëmendjen e të gjithëve! Ashtu e përsosur në të folur dhe ne detaje, moderatorja arriti që të lumturonte akoma dhe më tepër në këtë ditë të veçantë babain e saj. Ajo solli suprizë këngëtarin e tij të preferuar, Sinan Hoxhën, i cili i mblodhi tok të gjithë bashkë në tryezën e rrumbullakët e ku kënduan dhe kërcyen pa mbarim. m.p.

Izraeli nuk tërhiqet, tanket po përparojnë në Gaza

Forcat izraelite po vazhdojnë ofensivën e tyre në Rripin e Gazës, me tanke që përparojnë drejt korridorit të Moragut, zonë që ndan Khan Younisin nga Rafahi në jug të Gazës. Media izraelite Ynet raporton për një avancim të befasishëm të tankeve në këtë rajon, ku banorët e Gazës janë larguar në panik nga zona.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu në një konferencë për shtyp njoftoi se qeveria ka dhënë urdhër Forcave të Mbrojtjes Izraelite për të kaluar në fazën vendimtare të operacionit dhe për të marrë kontrollin e fundit mbi bastionet e Hamasit. Prioritet i tyre është zona ku pretendojnë se ndodhen selia qendrore, komandantët dhe infrastrukturat kyçe e Hamasit.

Netanyahu e përshkroi Qytetin e Gazës si “kryeqytetin e terrorit”, duke theksuar rëndësinë e këtij operacioni për shkatërrimin e strukturave të grupit militant në zonë. m.p.

Kur do të ketë zgjedhje për Bashkinë e Tiranës? Flet Ermal Hasimja

Ndërsa kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ndodhet në paraburgim, ende nuk është e qartë se çfarë do të ndodhë me postin e kreut të bashkisë më të madhe në vend.

Pyetja që shtrohet më shpesh është nëse dhe kur do të zhvillohen zgjedhjet për kryetar të ri, në vjeshtë apo në vitin 2027.

Sipas pedagogut dhe opinionistit Ermal Hasmja, i cili foli në emisionin “Politics” të Euronews Albania, edhe vetë kryeministri Edi Rama ndodhet përballë një dileme serioze në lidhje me këtë situatë dhe zgjidhjen që duhet t’i japë, duke peshuar argumentet pro dhe kundër organizimit të zgjedhjeve të reja në Bashkinë e Tiranës.

Hasmja thekson se hezitimi i Ramës për të marrë një vendim në këtë rast tregon se vendimmarrja nuk është e lehtë, duke qenë se ai ndodhet mes presionit për të reaguar dhe kostove politike që mund të sjellë një vendim i tillë.

Sipas tij, koha do të jetë faktori që do ta kufizojë manovrën politike dhe do ta detyrojë kryeministrin të marrë një vendim përfundimtar për zgjedhjet.

“Edi Rama gjendet përballë disa argumenteve kundërshtuese. Nga njëra anë, është në sikletin që ka kryetarin e bashkisë më të madhe të Shqipërisë praktikisht pas hekurave. Nga ana tjetër, nëse bën zgjedhjet, ai de facto tregon dhe heq përfundimisht mbështetjen ndaj Veliajt. Dhe gjithashtu është i detyruar më pas që t’i japë zgjidhje këtij problemi, aq më tepër në një realitet si Shqipëria, ku të gjithë e dinë që është ai që do ta vendosë çështjen e zgjedhjeve, pasi në një mënyrë apo tjetër ai e kontrollon situatën. Fakti që ndodhemi në këtë fazë ku ende nuk merret një vendim, tregon se nuk është e lehtë për të ndarë midis alternativave. Por me shumë gjasë, do të vijë një moment ku koha do të luajë në favor të mbajtjes së zgjedhjeve në Tiranë,” u shpreh Hasmja në “Politics”, Euronews Albania. m.p.

“Arrestimi i Metës nuk ishte dinjitoz”, zbulohet raporti i Avokatit të Popullit

Ilir Meta nuk u trajtua në mënyrë dinjitoze gjatë arrestimit në datë 21 tetor 2024, por ai nuk është rrëmbyer, sikurse pretendon ish-funksionari dhe avokatët e tij.

Kjo është një nga gjetjet e Avokatit të Popullit, në një raport konfidencial që Top Channel pati mundësi ta shikojë dhe që do t’i jepet me sugjerimet përkatëse Policisë së Shtetit dhe ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha.

Në raportin e Avokatit të Popullit, thuhet se gjatë arrestimit të ish-presidentit, ka shkelje të të drejtave të njeriut pasi sikurse është vërejtur, në momentin e parë duhet t’i vendosej në dispozicion vendimi i gjykatës, pra të informohej për masën e arrestit si dhe t’i rezervohej e drejta e një telefonate, pra me avokatin.

Diçka e tillë nuk ka ndodhur, bëhet me dije, dhe nëse ka ndodhur barra për ta provuar procedurën nuk i takon të dyshuarit, por Policisë, e cila duhet të kishte kamera trupi për ta provuar.

Por, policia nuk ka pasur kamera trupi që të provojnë versionin që këmbëngulin, ndaj merret i vërtetë versioni i pretendentit, në këtë rast besohet Ilir Meta.

Gjetjet e tjera të Avokatit lidhen me përdorimin e jelekut, një shenjë dalluese, e cila konstatohet se ishte e shkruar policia vetëm në kurrizin e oficerëve dhe jo përpara, ç’ka do të informonte të dyshuarin për operacionin, si edhe për prezencën e forcave operacionale, të cilat aktivizohen vetëm në rast të rrezikshmërisë së shtetasit që do të arrestohet

Në këtë rast, i arrestuari konsiderohet se nuk ishte i rrezikshmërisë së lartë përsa kohë i është përgjigjur ftesave të SPAK dhe është treguar i gatshëm të ballafaqohet me drejtësinë.

Shkelje e të drejtave është konsideruar edhe shoqërimi i Atemis Pecës, që ishte në të njëjtin mjet me Metën. Për të, konstatohet se është mbajtur me pranga në ambientet e drejtorisë, pa qenë e nevojshme.

Ilir Meta, ndonëse nuk është dërguar në dhomat e shoqërimit, rezulton nga kontrolli i Avokatit të Popullit se emri i tij u regjistrua në sistem dy orë me vonesë. m.p.

Ministri Vengu: Presim 2 helikopterë të Emirateve Arabe e 1 Canadair nga Greqia

Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu ka bërë të ditur se situata e zjarreve në vend vijon të jetë dinamike, ndërsa forcat e angazhuara në terren po punojnë për sigurimin e zonave të banuara dhe krijimin e perimetrit të sigurisë në të gjitha vatrat problematike.

Sipas tij, që nga mëngjesi i sotëm janë evidentuar 21 vatra zjarri në të gjithë vendin, prej të cilave 7 janë shuar dhe 14 vijojnë aktive. Avioni Canadair kroat ka ndërhyrë në zonat me prioritet më të lartë, përkatësisht në Kranë të Finiqit dhe Lukovë të Himarës, ndërsa ekuipazhet e Bazës Ajrore Farkë kanë operuar në Ballaj dhe Zhabjak të Rrogozhinës dhe aktualisht në Poliçan, ku flakët nuk rrezikojnë perimetrin e ish-Kombinatit Mekanik.

“Ndërhyrjet nga ajri dhe toka kanë ulur rrezikun për banorët, shtëpitë dhe bizneset, por situata mbetet e vështirë për shkak të erërave të forta dhe temperaturave të larta që pritet të vijojnë”, u shpreh ministri.

Gjatë orëve në vijim, flotës në veprim do t’i bashkohen edhe dy helikopterë të Forcës Ajrore të Emirateve të Bashkuara Arabe, një Canadair nga Greqia.

Ministri Vengu theksoi gjithashtu se Komiteti Shtetëror i Emergjencave Civile ka urdhëruar rritjen e gatishmërisë së bashkive në nivelin maksimal në mbarë vendin, ndërsa forcat operacionale janë të angazhuara në çdo vatër kritike në territor. m.p.

Të huajt nuk do mbahen në burgjet angleze, ç’do ndodhë me shqiptarët?

Shumica dërmuese e të huajve që kanë kryer krime dhe që shpallen fajtor nga sistemi i drejtësisë në Britani do të deportohen menjëherë në vendet nga kanë ardhur në bazë të planeve të saponjoftuara nga qeveria.

Ministrja e Drejtësisë Shabana Mahmood, ka propozuar ndryshimin e legjislacionit për deportimin e ëdo të huaji që është shpallur fajtor me vendim gjykate.

Megjithatë terroristët e huaj, vrasësit dhe ata që janë dënuar për krime mjaft të rënda do vazhdojnë ta vuajnë dënimin në burgjet angleze. Aq e rëndë është kriza e popullimit të burgjeve në Britani, saqë ato janë të mbushura në masën 97.5 përqind.

Britanisë i kushton 45 mijë stërlina mbajtja në burg e një të dënuari, ndërkohë që të huajt përbëjnë 12 përqind të numrit të burgosurve nëpër burgjet britanike. Qeveria britanike ndërkohë ka miratuar ndryshimet ligjore që hyjne në fuqi në shtator, sipas të cilave lejojnë guvernatorët e burgjeve të deportojnë kriminelët e huaj të cilët kanë kryer 30 përqind të dënimit nga 50 përqind që ka qënë më parë. Ndërsa tanimë kërkohet deportimi i menjëhershëm i tyre. Problem mbetet se cilat vende do i pranojnë këta shtetas të tyre që të vuajnë apo edhe qoftë të ripranohen në vendet e origjinës. m.p.

MEKI: News24 dhe Panorama kanë një qira të papaguar ndaj shtetit prej 2 mln €

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, ka bërë një tjetër reagim që hedh poshtë pretendimet e medias Panorama (kompania Shoqëria Panaroma Group sh.a.) dhe News24 (kompania Fokus Media News) se kishte një kontratë qiraje deri në vitin 2033 për godinën e cila u sekuestrua nga shteti për t’i kaluar kompanisë ushtarake “KAYO sh.a., pas një vendimi gjyqësor të formës së prerë.

Në reagim thuhet se pasuria me nr. kadastral 10/304 (në administrim të Ndërmarrjes Industriale Nr.1) është çështje e veçantë, e ndryshme dhe pa asnjë lidhje juridike apo faktike me godinën e kaluar shoqërisë Kayo sh.a., me VKM nr. 158, datë 12.3.2025.

Por pavarësisht kësaj, MEKI tregon se Shoqëria Panaroma Group sh.a., ka një detyrim prej 2 milionë eurosh të akumuluar që nga viti 2017, për shkak të mospagimit të qirasë për godinën, të cilën ajo thotë se i takon duke pretenduar një kontratë te vlefshme deri në vitin 2033.

“Për pasurinë 10/304, me sipërfaqe 13,922 m2, subjekti qiramarrës ka mosshlyerje të detyrimeve prej muajit shkurt 2017. Sipas akteve financiare të dosjes administrative, detyrimi i pashlyer i faturuar deri në shtator 2021 arrin në shumën 88,305,280 lekë (qira) dhe 2,562,310 lekë (kamatëvonesa). Meqenëse pagesat nuk kanë vijuar pas kësaj date, detyrimet vijojnë të rriten dhe aktualisht përllogariten mbi 2 milionë euro; shuma përfundimtare do të formalizohet pas rifreskimit të llogaritjeve”,- njofton MEKI.

Për më tepër, ministria thotë se në vitin 2021, kompanisë Shoqërisë Panaroma Group sh.a., i është njoftuar zyrtarisht ndërprerja e kontratës për shkak të këtyre detyrimeve të papaguara dhe në vend që të përmbushte detyrimet dhe të dorëzonte pasurinë, subjekti ka ndërmarrë masa sigurimi dhe padi me qëllim pengimin e ekzekutimit të detyrimeve të kontratës, duke vijuar të përdorë prej vitesh pa kundërshpërblim një pasuri publike.

“Kjo sjellje është e padrejtë dhe e paligjshme, duke cënuar parimin e trajtimit të barabartë dhe duke ngarkuar barrë të padrejtë mbi taksapaguesit, poashtu edhe mbi punonjësit që përgjigjen para ligjit për ndjekjen, monitorimin dhe respektimin e kontratave”,- thuhet në reagim. m.p.

Poliçani i “kryqëzuar” para flakëve, kryebashkiaku kërkon përforcime

Një tjetër zjarr ka përfshirë pasditen e kësaj te diele zonën përreth Uzinës së Armëve në Poliçan, hera e dytë kjo brenda pak ditësh.

Burime për mediat bëjnë me dije se situata paraqitet alarmante, ndërkohë që flakët janë duke u përhapur me shpejtësi, kjo falë erës dhe temperaturave të larta.

Në vendin e ngjarjes prej orësh ndodhen zjarrfikësit e Poliçanit, ndërkohë që në ndihmë të tyre kanë shkuar edhe tre mjete dhe 15 zjarrfikës nga Berati, me qëllim për të neutralizuar sa më shpejt flakët të cilat po përhapen me shpejtësi drejt Uzinës, në afërsi të zonës B.

Mësohet se autoritetet kanë evakuuar të moshuarit në azil si dhe banorët e fshatit Plirezës.

Në vendin e ngjarjes ka shkuar edhe kryebashkiaku Adriatik Zotkaj i cili i alarmuar dhe i shqetësuar ka kërkuar ndihmë dhe forca të tjera zjarrfikëse për të shuar zjarrin i cili prej orësh po tregohet i pamëshirshëm dhe po djeg çfarë po i del para. m.p.

Tërmeti i fuqishëm në Turqi, raportohet për të plagosur

Një tërmet me magnitudë 6.1 ka goditur mbrëmjen e sotme rajonin e Sındırgı-t në provincën Balıkesir të Turqisë Perëndimore, duke shkaktuar dëme materiale dhe lëndime te qytetarët. Sipas Ministrit të Shëndetësisë, Kemal Memişoğlu, deri tani raportohet për katër persona të plagosur, të cilët po marrin trajtim mjekësor dhe nuk janë në rrezik jete.

Lëkundja kryesore ndodhi në orën 19:53 me orën lokale dhe u ndje në disa qytete të mëdha, përfshirë Izmirin, Bursën dhe deri në Stamboll. Menjëherë pas saj, zona u trondit nga një seri pasgoditjesh, përfshirë një tërmet 4.6 ballë në orën 20:01, si dhe dy të tjerë me magnitudë 4.1 dhe 4.0 brenda pak minutash. Në total, janë regjistruar shtatë paslëkundje mbi magnitudën 3.0.

Raportohet se disa ndërtesa janë shembur, përfshirë të paktën një në qytetin e Sındırgı, ndërsa në zonën Serkan Sak janë rrënuar 10 ndërtesa. Në Stamboll, dy persona u nxorën të gjallë nga rrënojat nga ekipet e shpëtimit. m.p.

Ylli i PSG “injoron” ekipin: E meritoj të fitoj “Topin e Artë”

Ndërsa shumë presin një përballje finale midis Ousmane Dembele dhe Lamine Yamal për “Topin e Artë 2025”, Achraf Hakimi gjithashtu ëndërron të fitojë këtë çmim prestigjioz dhe thotë se e meriton plotësisht atë. Të paktën kjo është ajo që deklaroi mbrojtësi maroken në një intervistë të fundit për “Canal+”.

I gjendur në listën me 30 të nominuarit për “Topin e Artë” të këtij viti, bashkë me 8 lojtarë të tjerë të PSG-së, Achraf Hakimi është i bindur se e meriton këtë trofe individual.

“Kur njerëzit më përmendin në debatin për “Topin e Artë”, është një ëndërr që nuk kam guxuar kurrë ta imagjinoj. Nëse kam mundësinë ta fitoj, mendoj se e meritoj edhe unë. Pas sezonit historik që kam pasur, nuk ka shumë lojtarë që kanë shënuar në çerekfinale, gjysmëfinale dhe finale, veçanërisht si mbrojtës.

Njerëzit shpesh mendojnë se jam sulmues ose mesfushor, por jo, unë luaj në një mbrojtje me katër lojtarë dhe puna ime është të mbrohem. Statistikat që kam paraqitur këtë vit nuk janë ato të një mbrojtësi tipik. Besoj se kur një mbrojtës e arrin këtë, ai e meriton edhe më shumë se një sulmues të fitojë këtë trofe”, u shpreh Hakimi. m.p.

Vance: “Po përgatisim një takim Putin-Zelensky, por…”

Zëvendëspresidenti i SHBA-së JD Vance tha se Shtetet e Bashkuara po punonin për bisedime midis Presidentit rus Vladimir Putin dhe Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.

Në një intervistë për Fox News, ai tha se nuk mendonte se do të ishte produktive që Putin të ulej me Zelensky-n para se të takohej me Presidentin e SHBA-së Donald Trump.

Vance shtoi gjithashtu se administrata e tij shpresonte të arrinte një zgjidhje të negociuar midis Rusisë dhe Ukrainës, por paralajmëroi se të dyja palët ndoshta do të ishin të pakënaqura me rezultatin.

Duke iu drejtuar mundësisë së sanksionimit të Kinës për blerjen e naftës ruse, Vance vuri në dukje se Trump ende po shqyrtonte opsionet e tij dhe ende nuk kishte marrë një vendim. m.p.

Lezhë, sherr për vendin e parkimit, një person transportohet te ‘Trauma

Një konflikt mes disa personave mbrëmjen e sotme në Shëngjin ka përfunduar me plagosjen e njërit prej tyre.

Sipas burimeve, ngjarja ka ndodhur në zonën e Kunes, ku një person është goditur me sende të forta në kokë dhe është dërguar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.

Ndërkohë, policia, e cila mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes, ka shoqëruar njërin prej autorëve të dyshuar, i cili po merret në pyetje.

Nga të dhënat paraprake, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur pas sherrit për vendparkimin. m.p.

Festivali “Nona”, gjyshet shqiptare festë tradite në Përmet

Ato sjellin në Përmet traditën më të mirë të gatimit dhe produkte artizanale të zonës në atë që njihet si Festivali i Gjysheve.

Gjyshe përmetare, por edhe gjyshe nga Vlora e nga Kosova kanë qenë këtë vit pjesë e festivalit, i vetmi kushtuar gjysheve në Evropë.

“Jam Aida. Jam gjyshe nga Kosova, përkatësisht nga qyteti i Mitrovicës. Këtu jam për herë të parë në këtë panair. Marr pjesë me punimet e mia artizanale.”

Janë disa produkte tipike, që ia ofrojmë si vizitorëve vendas dhe të huaj. Janë të tëra artizanale, jo për treg të gjerë, si uthulla e mjaltit, likeri i thanës, liker me arrë, propolis, produktet e bletës. Nuk është hera e parë që marr pjesë në këtë panair.”

“Ne jemi këtu, përpunojmë qumështin tonë. Prodhimet tona janë kaçkavall, djathë deleje, salcë, gjalp dhe gjizë.”

“Ecim sipas traditës. Byrek me lakra, byrek me mish, që i themi mesnik, byrek me spinaq, byrek me hithra, byrek me fasule, byrek me lëpjeta të egra të malit, qumështor që e kemi traditë.”

“Kemi gatuar reshedi dhe byrek me lakra.”

Organizatorët e Festës së Gjysheve, shprehen se qëllimi i këtyre tre ditëve, veç të tjerave, është rigjallërimi i zonave të tjera të Shqipërisë, përveç Tiranës, që është metropoli i vendit. Aktiviteti ka mbledhur mijëra turistë vendas dhe të huaj, ndërkohë që “Nona” synon të shndërrohet në festivalin e gjysheve evropiane, gjë për të cilën nevojiten fonde. m.p.

Gaza, kilometra të tëra në këmbë për të mbajtur ”frymën gjallë”

Kamionë të ngarkuar me ndihma hynë nga perëndimi i Beit Lahiya të Gazës të dielën ku njerëzit e zhvendosur u mblodhën për mbledhjen e ndihmave.

Palestinezët e zhvendosur mbanin çanta me miell dhe mallra të tjera ndërsa ecnin me kilometra për t’u çuar ushqim familjeve të tyre.

“Do të dal të marr ushqim për fëmijët e mi dhe betohem se nuk kam as një kafshatë për te ngrënë”, thotë njeri prej tyre.

Afërsisht 200 palestinezë kanë vdekur nga uria në Gaza që nga fillimi i luftës, pothuajse gjysma e tyre kanë qenë fëmijë, sipas ministrisë së shëndetësisë të Gazës. Rreth 1,200 njerëz u vranë dhe 251 u morën peng në Gaza në sulmin e Hamasit më 7 tetor 2023 ndaj komuniteteve jugore izraelite.

Më shumë se 61,000 palestinezë janë vrarë nga sulmi i Izraelit në Gaza, sipas ministrisë së shëndetësisë të Gazës. m.p.

Kancelari gjerman: Nuk pranojmë që çështjet territoriale të vendosen…

Kancelari gjerman tha se solidariteti i Gjermanisë me Izraelin mbetet i pandryshuar pavarësisht vendimit të javës së kaluar për të ndaluar eksportet ushtarake.

Ne një interviste për transmetuesin publik ARD Merz tha se vendimi i qeverisë së tij për të ndaluar dërgesat ishte në përgjigje të njoftimit “surprizë” nga Izraeli “për të përshkallëzuar përsëri konfliktin ushtarak në Rripin e Gazës”.

Ndërkohë, Gjermania nuk mund të pranojë që çështjet territoriale midis Rusisë dhe Amerikës “të diskutohen ose madje të vendosen mbi kokat e europianëve dhe ukrainasve”, tha Merz i cili supozon se Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy do të jetë i përfshirë në takim”. m.p.

Zjarret pushtojnë kontinentin europian, një i vdekur në Greqi

Një person ka humbur jetën në Greqi pasi zjarret kanë përpirë rreth 16 mijë hektarë tokë, në mes të situate të rëndë në të gjithë Europën. Në rajonin e Kerateas, pranë Athinës, një i moshuar u gjet i pajetë në shtratin e tij brenda një kasolleje, pas shpërthimit të zjarrit të premten.

Observatori Kombëtar i Athinës paralajmëroi se erërat e forta që po favorizojnë flakët do të vazhdojnë të paktën deri të hënën.

Në Itali, zjarrfikësit po luftojnë prej së premtes një zjarr në shpatet e malit Vezuv pranë Napolit. Të gjitha rrugët turistike drejt kraterit janë mbyllur. Për shuarjen e zjarrit po përdoren gjashtë avionë tip “Canadair” dhe dronë për monitorim.

Në Francë, rreth 1.400 zjarrfikës po punojnë për të parandaluar riaktivizimin e zjarrit më të madh në dekada në rajonin Aude, i cili ka djegur mbi 160 kilometra katrorë tokë me pyje e vreshta. Zjarri la një të vdekur, 25 të plagosur, mes tyre 19 zjarrfikës. Temperaturat deri në 39°C dhe erërat e forta pritet të vështirësojnë shuarjen, e cila mund të zgjasë për javë të tëra.

Në Spanjë, zjarrfikësit po përballen me një vatër në provincën Avila, 100 kilometra në perëndim të Madridit. Edhe aty temperaturat ekstreme pritet të vazhdojnë deri javën tjetër, duke rritur rrezikun e përhapjes. m.p.

❌