Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Një bandë muzikore në Gjermani i këndon Revolucionit Flamingo

Protestat e “Revolucionit Flamingo” nuk kanë bërë jehonë vetëm në rrugët dhe lagjet e Shqipërisë. Ato janë dëgjuar edhe qindra kilometra larg, në mesin e shqiptarëve të diasporës, të cilët edhe pse prej vitesh jetojnë jashtë vendit, vazhdojnë ta ndiejnë Shqipërinë si pjesë të identitetit të tyre. Të frymëzuar nga kjo lëvizje, dy artistë shqiptarë që jetojnë në Gjermani kanë krijuar këngën “Flamingo”, një këngë që i bën thirrje qytetarëve të mos heshtin përballë padrejtësive.

Protestat e përditshme kanë krijuar terrenin për një revolucion kulturor, duke ndryshuar mendësinë e qytetarëve mbi mënyrën se si duhet të qeveriset vendi. Të larguar pikërisht për shkak të keqqeverisjes, Ina dhe Kris u frymëzuan nga këto protesta dhe kështu lindi kënga “Flamingo”, e cila flet për revoltën, kujtesën, lidhjen me vendin, tokën, kulturën dhe njerëzit.

“Ata që kanë frikë nga populli, ngrenë mure, porta, roje, por harruan se toka nuk bëhet e huaj…, vetëm pse dikush e shkroi në letër.” -ky është një ndër vargjet që këndohet nga këngëtarja shqiptare Ina Salaj, pjesë e bandës “Crimson Roots” në Gjermani.

Edhe pse Ina dhe bashkëshorti i saj Kris jetojnë prej pesë vitesh në Gjermani, ata thonë se kanë marrë pjesë në protestat e organizuara atje si një mënyrë për të ngritur krye ndaj padrejtësive që i janë bërë bashkëkombësve. Megjithatë, pamundësia për të qenë në Shqipëri i shtyu të protestonin përmes muzikës.

“Vendosëm të protestojmë edhe nëpërmjet muzikës, duke qenë se pamundësia për të qenë çdo ditë në shesh, në Shqipëri, e bëri edhe më të madhe dëshirën që zëri ynë të dëgjohej përmes kësaj kënge dhe të motivonte të gjithë ata që po përpiqen kaq shumë për këtë kauzë”, u shpreh këngëtarja shqiptare.

‘Crimson Roots’, ose në shqip ‘Rrënjët e Kuqe’, është një bandë rock nga Nurembergu, e themeluar nga dy shqiptarët Ina dhe Kris, bashkëshortë. Muzika e tyre është kryesisht në anglisht, por për këngën “Flamingo” vendosën të këndojnë në shqip, duke e ndërtuar tekstin mbi emocionet që u ngjallën nga protestat.

“Teksti u shkrua shumë natyrshëm. Nuk donim ta bënim shumë të drejtpërdrejtë apo politik, por dëshironim që të përcillte dhimbjen, dashurinë dhe revoltën. Për ne, pjesa më e rëndësishme e tekstit është ideja se një vend është i gjallë kur njerëzit flasin, protestojnë dhe nuk pranojnë të ulin kokën”, tha Ina duke shtuar që nuk donte të qëndronte vetëm spektatore, por gjeti forcën të thoshte pse të mos jem edhe unë pjesë e diçkaje më të madhe se vetja.

Edhe titulli i këngës nuk u zgjodh rastësisht. Flamingoja, e kthyer tashmë në simbol të protestave në Shqipëri, u bë edhe boshti i këngës. Sipas këngëtares, muzika nuk e ndryshon botën brenda natës, por mund të ndikojë te njerëzit dhe t’i motivojë ata të mos qëndrojnë indiferentë.

Pavarësisht se larg Shqipërisë, protestat kanë arritur të frymëzojnë shqiptarët e diasporës, duke i kthyer ata në pjesëmarrës aktivë të kauzës, nëpërmjet protestave të organizuara nëpër qytetet ku jetojnë, me publikime dhe komente në rrjetet sociale apo, tashmë, edhe me këngë përmbajtësore të cilat synojnë të forcojnë solidaritetin dhe të motivojë qytetarët të mos heshtin përballë padrejtësive.

Lexo gjithashtu:

The post Një bandë muzikore në Gjermani i këndon Revolucionit Flamingo appeared first on Citizens.al.

Rrjetet sociale, hapësira e re e përplasjes politike

Algoritmet e rrjeteve sociale vendosin çdo ditë se çfarë shohin miliona përdorues në ekranet e tyre. Ato analizojnë sjelljen e secilit përdorues, pëlqimet, komentet, shpërndarjet, kohën e publikimit dhe ndërveprimet e mëparshme për të përcaktuar se cilat postime do të marrin më shumë shtrirje. Sa më i lartë angazhimi, aq më shumë rritet mundësia që një përmbajtje të shpërndahet gjerësisht.

Pikërisht algoritmin ka zgjedhur të fajësojë për herë të dytë kryeministri Edi Rama për dukshmërinë që kanë marrë protestat në rrjetet sociale dhe jehonën e tyre jashtë vendit. Megjithatë, gjatë një vëzhgimi të aktivitetit të tij në Facebook, rezulton se vetëm në këtë platformë ai ka publikuar mbi 40 postime, video dhe reagime të drejtpërdrejta lidhur me protestën dhe protestuesit, duke e kthyer këtë çështje në një nga temat kryesore të komunikimit të tij publik.

“Kush mendon se me like dhe followers bën politikë, ose bën vetëm politikë, bën gabim. Me followersa dhe like bën shërbimin e atyre oligarkëve më të mëdhenj të planetit të cilët përmes algoritmit dhe platformave, pasurohen eksponencialisht çdo ditë”, -u shpreh kryeministri Rama gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste më 20 maj.

Ndërkohë, për vite me radhë, rrjetet sociale kanë qenë një nga armët më të forta të komunikimit politik të Edi Ramës, duke i siguruar avantazh në arritjen e audiencës. Sot, të njëjtat platforma po përdoren nga një brez i ri protestuesish për të sfiduar narrativën e qeverisë, duke e kthyer këtë avantazh në një terren përballjeje.

Deklarata e kryeministrit erdhi pasi debati publik është zhvendosur edhe te raporti mes politikës dhe oligarkisë vendase. Për herë të parë, në protesta po artikulohet gjerësisht slogani “Shqipëria e shqiptarëve, jo e oligarkëve”, ndërsa vetë kryeministri ka deklaruar në të kaluarën se në Shqipëri nuk ka oligarkë.

Prania e madhe e të rinjve në protesta ka bërë që të mos informohemi më vetëm nëpërmjet mediave tradicionale por edhe nëpërmjet rrjeteve sociale. Qindra përdorues, mes tyre edhe figura me mijëra ndjekës, kanë publikuar vazhdimisht materiale nga protesta, si foto, video, transmetime live duke krijuar një kanal komunikimi të pavarur nga mediat tradicionale.

Sipas ekspertit të IT-së, Besmir Semanaj, ky volum i madh përmbajtjesh krijoi një betejë paralele në hapësirën digjitale, mes rrjeteve sociale dhe mediave tradicionale që sipas protestuesve duhen bojkotuar pasi pronarët e tyre kanë lidhje të drejtërdrejta me qeverinë.

“Pati një fluks të koordinuar përmbajtjesh që, sipas vlerësimit tim, synonin të deformonin algoritmin dhe ta paraqisnin protestën si të dhunshme ose me mesazhe që nuk e përfaqësonin atë. Megjithatë, masiviteti i protestës e theu këtë efekt dhe sot shpërndarja e përmbajtjes duket se është rikthyer në normalitet“, u shpeh eksperti i IT-së, Semanaj.

Sipas tij, krahas përmbajtjeve organike, ka pasur edhe materiale të sponsorizuara që synonin t’i jepnin një drejtim tjetër algoritmit dhe të ndikonin në mënyrën se si zhvillohej debati publik.

“Ato përmbajtje të sponsorizuara synonin të deformonin algoritmin, të demotivonin protestuesit dhe të krijonin një narrativë të shtrembëruar për publikun ndërkombëtar. Edhe pse kjo nuk mund të konfirmohet zyrtarisht, efekti ishte rritja e konfuzionit dhe polarizimit të debatit publik,” shtoi eksperti.

Debati për algoritmin nuk mbeti vetëm në nivel deklaratash në rrjet, por protestuesit i dhanë zë kësaj çështjeje poshtë “shtëpisë” së kryeministrit, në sheshin e kryeministrisë. Në ditën e 27-të të protestës, më 26 qershor, protestuesit bënë thirrje që të raportonin dhe të mos e ndiqnin më kryeministrin në rrjetet sociale.

“Le ta godasim aty ku i dhemb më shumë”, u shpreh njëri prej folësve, duke ftuar protestuesit që të nisnin menjëherë fushatën e raportimit.

Sipas ekspertit, veprime të tilla mund të ndikojnë në mënyrën se si shpërndahet përmbajtja në platformat sociale.

“Raportimet masive mund të ulin përkohësisht shtrirjen e një postimi, ndërsa reklamat e sponsorizuara rrisin dukshmërinë e përmbajtjeve të caktuara. Në disa raste përdoren edhe materiale të manipuluara ose të gjeneruara me AI për të ndikuar perceptimin publik”, u shpeh eksperti i IT-së, Semanaj.

Kryeministri ka shtuar ndjeshëm ritmin e komunikimit në rrjetet sociale, duke publikuar pothuajse çdo ditë reagime, komente dhe kritika ndaj protestës, një strategji e tillë, sipas ekspertëve, është e qëllimtë pasi mund të ndikojë në mënyrën se si audienca e percepton realitetin, veçanërisht përdoruesit që ekspozohen kryesisht ndaj mesazhit të parë që u shfaqet në ekran.

“Një strategji e tillë mund të dominojë vëmendjen e audiencës. Sa më shpesh të postojë një figurë publike, aq më shumë hapësirë zë në feed. Megjithatë, ngjarje të mëdha si protestat masive mund ta zbehin këtë efekt”, u shpreh Semanaj.

Në këtë përplasje secila palë përpiqet të fitojë terren në betejën për vëmendjen e publikut. Aktiviteti i kryeministrit Rama është intensiv në rrjetet sociale tregon një përpjekje të vazhdueshme për të dominuar hapësirën online dhe për të imponuar këndvështrimin e tij mbi zhvillimet që po ndodhin në vend. Edhe ndryshimi i fotografisë së profilit në Facebook, ku shfaqet një flamingo u interpretua nga shumë përdorues si një mesazh i koduar në kulmin e debatit publik.

Përplasja për vëmendjen në rrjetet sociale është bërë po aq e rëndësishme sa vetë protesta, sepse në epokën digjitale, kush arrin të dominojë rrjedhën e informacionit, fiton një pjesë të rëndësishme të betejës për perceptimin publik.

Pushteti ekonomik dhe politik nuk shfaqet më vetëm përmes parasë apo forcës, por edhe përmes kontrollit të imazheve dhe narrativave.

The post Rrjetet sociale, hapësira e re e përplasjes politike appeared first on Citizens.al.

“Mos dil më në protestë”: qytetarët rrëfejnë presionin pas tubimeve

E drejta për të protestuar dhe marshuar në mënyrë paqësore është një nga liritë themelore të garantuara nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Por gjatë javëve të fundit, ushtrimi i kësaj të drejte duket se është shoqëruar me procedime penale, thirrje në komisariat dhe forma presioni ndaj qytetarëve që kanë marrë pjesë në “Revolucionin Flamingo”.

Dhjetëra mijëra qytetarë kanë dalë në shesh për të shprehur pakënaqësitë e tyre, ndërsa disa prej protestuesve janë shoqëruar ose thirrur në komisariat për t’u marrë në pyetje.

Disa prej të proceduarve i treguan Citizens.al se janë ndaluar nga persona të veshur civilë menjëherë pas protestave, në qoshe rrugësh, në lokale apo në lagjet ku banojnë. Sipas tyre, u është kërkuar të identifikohen dhe më pas janë “këshilluar” të mos marrin më pjesë në protestë.

Protesta qytetare, e nisur më 31 maj dhe që vijon çdo pasdite në orën 19:00 përballë Kryeministrisë, konsiderohet nga pjesëmarrësit si një mobilizim i rrallë qytetar, pa organizim nga partitë politike. Për shumë prej tyre, kjo ka qenë hera e parë që marrin pjesë në një protestë, ndërsa kontakti me strukturat policore pas tubimeve u ka krijuar pasiguri dhe tension.

Një prej tyre është 32-vjeçari Ledio Aliaj, i biri i një punonjësi administrate. Ai tregon se një të premte, pas përfundimit të protestës, u ndalua nga policia teksa lëvizte me motor. Arsyeja e ndalimit, sipas tij, ishte një kontroll rutinë, por pyetjet që iu bënë nga efektivët kishin të bënin me angazhimin e tij në protestë.

Ledio thotë se pas atij episodi nuk është ndaluar më nga policia, por mesazhet i kanë ardhur në mënyrë të tërthortë, përmes të atit.

“Thuaji çunit të mos dalë më në protestë”, rrëfen Ledio, ndërsa shton se nga dita në ditë pret që babai i tij të pushohet nga puna.

Berber me profesion, Ledio tregon se gjatë punës së përditshme dëgjon histori të ngjashme edhe nga klientët e tij, shumë prej të cilëve kanë marrë pjesë në protestat e qershorit.

“Ne ikim të gjithë në protestë dhe asnjëri nuk është zmbrapsur, pavarësisht tentativave”, shprehet ai.

Një tjetër protestues, i cili kërkon të mbetet anonim, tregon se është ndaluar disa herë nga efektivë policie për shkak të aktivitetit të tij profesional. Ai zotëron një studio dizajni dhe printimi, ku mes shërbimeve që ofron janë edhe pankartat dhe materialet grafike që përdoren në protesta.

“Unë kam studion time, biznesin tim ku bëj dizajn dhe printime të ndryshme, dhe më kanë ardhur pesë ditë me radhë, duke më pyetur pse printoni pankarta për protestë, se është e kundërligjshme”, rrëfen ai.

Sipas tij, pyetjet e përsëritura dhe ndalimet në rrugë nuk kishin lidhje me ndonjë shkelje konkrete, por synonin ta dekurajonin angazhimin e tij.

“Për sa kohë është i ligjshëm printimi, do të thotë që mund të printoj”, shprehet protestuesi, duke e cilësuar sjelljen e personave civilë si formë intimidimi dhe presioni.

“Pavarësisht angazhimit tim në protestë, unë do të vazhdoj fort dhe akoma më fort çdo ditë, derisa Edi Rama të ikë”, shton ai.

Për avokatin Gent Sejrani, nga qendra “Për Drejtësi Sociale”, akuzat e ngritura ndaj protestuesve nuk përputhen me natyrën e tubimeve të zhvilluara deri tani.

“Akuza e Policisë së Shtetit ka të bëjë me pengim të qarkullimit të mjeteve të transportit, si dhe shqetësim për rendin dhe qetësinë publike. Thënë kjo, nuk kemi të bëjmë me dhunë nga ana e qytetarëve, pasi mund të themi se është një nga protestat më paqësore që ka pasur në vendin tonë”, u shpreh avokati Sejrani.

Sipas tij, procedimet e deritanishme nuk mbështeten në shkelje të kryera nga protestuesit, por janë përdorur si taktikë frikësimi.

“Akuza që, në analizën time ligjore, nuk ekzistojnë dhe nuk janë kryer nga ana e protestuesve”, tha Sejrani.

Protesta e një brezi që transmeton “live”

“Revolucioni Flamingo” karakterizohet nga një pjesëmarrje e lartë e të rinjve, brezit Gen Z dhe çifteve të reja. Pankartat me meme, transmetimet live, fotografitë dhe videot e shpërndara në rrjetet sociale kanë shërbyer si motor i protestës, duke afruar edhe qytetarë që nuk kanë mundur të marrin pjesë fizikisht, përfshirë shqiptarë të diasporës.

Sokol Gjoka është influencer me rreth 70 mijë ndjekës në TikTok dhe ka qenë pjesëmarrës në protestë pothuajse çdo ditë. Me telefonin në dorë, ai e ka transmetuar protestën drejtpërdrejt për mijëra ndjekës. Por nga rrëfimi i tij, duket se këto transmetime nuk kanë tërhequr vetëm vëmendjen e qytetarëve.

Sokoli u thirr në komisariat më 19 qershor, me objekt “bllokim i qarkullimit të mjeteve” gjatë mbrëmjes së 16 qershorit.

“Më thanë që duhet të vish të paraqitesh te Rajoni Nr. 1 Tiranë për arsye të protestës dhe të disa videove që ke hedhur në TikTok”, tregon Sokoli përmes një bisede telefonike.

Pasi u paraqit në komisariat si person i proceduar, ai thotë se u pyet për rreth 30 minuta. Në fund, sipas tij, iu kërkua të nënshkruante një deklaratë ku thuhej se kishte qenë në marshim mbrëmjen e 16 qershorit. Sokoli thotë se atë mbrëmje ndodhej në punë dhe nuk kishte marrë pjesë në protestë.

“Unë kam qenë në punë atë natë për të cilën u procedova dhe u thashë që nuk do ta firmos deklaratën, pasi kam kamerat te puna që e vërtetojnë që kam qenë atje”, u shpreh ai.

Më tej, ai shton se i kupton policët, pasi sipas tij ata po kryejnë detyrën, ndërsa protestat zhvillohen edhe në interes të tyre.

“Njëri nga policët më tha: bëni mirë që protestoni”, përfundoi Sokoli, i cili në ditën e 26-të të protestave feston ditëlindjen dhe shpreson ta festojë me një lajm të mirë, që për të do të ishte dorëheqja e kryeministrit Rama.

Nga një pyetësor i shpërndarë nga Citizens.al, dhjetëra qytetarë u shprehën se nuk janë trajtuar me korrektësi nga autoritetet.

“Këto procedime dhe mënyra se si është vepruar nga Policia e Shtetit tregojnë qartazi se qëllimi kryesor është intimidimi dhe frikësimi i protestuesve. Theksoj se shumica e të proceduarve janë të rinj dhe e kanë marrë vesh që po procedohen vetëm nëpërmjet medias, pasi nga ana e Policisë së Shtetit nuk janë thirrur apo njoftuar”, u shpreh avokati Gent Sejrani.

Pavarësisht procedimeve, thirrjeve në komisariat dhe rasteve të raportuara të presionit, numri i protestuesve që dalin çdo ditë në shesh vijon të mbetet i lartë. Për pjesëmarrësit, kjo tregon se praktikat e frikësimit nuk kanë arritur të ndalin mobilizimin qytetar

The post “Mos dil më në protestë”: qytetarët rrëfejnë presionin pas tubimeve appeared first on Citizens.al.

Njësoj si në Shqipëri, diaspora shqiptare vijon protestat në qytete të botës

Që prej 1 qershorit, pasditet dhe mbrëmjet i kanë gjetur me mijëra protestues sheshin përballë kryeministrisë, të cilët thërrasin njëzëri “Rama në Burg, Berisha në Burg”.

Këto protesta masive për nga pjesëmarrja dhe apartiake kanë frymëzuar edhe diasporën shqiptare, e cila që prej 5 qershorit ka organizuar protesta solidarizuese në 26 qytete të Europës dhe Amerikës.

Me të njëjtat thirrje kolektive si në vend, edhe shqiptarët e larguar kanë kërkuar anulimin e ndërhyrjeve në zonën e mbrojtur Pishë Poro-Nartë dhe dorëheqjen e Edi Ramës, e cila sipas tyre në rast se do realizohej do të sillte kthimin e tyre në atdhe. Ata e konsiderojnë emigrimin pasojë të shkaqeve që denoncohen në protesta, duke e lidhur largimin e tyre me korrupsionin, mungesën e mirëqenies ekonomike dhe mënyrën e qeverisjes së vendit.

Mbi 55 protesta janë thirrur nëpër diasporë, duke i dhënë jehonë ndërkufitare problematikave që kanë shtruar në narrativën publike qytetarët që jetojnë në Shqipëri. 13 dhe 14 qershori ishin ditët me mobilizimin më të madh të diasporës, ku u zhvilluan të paktën 33 protesta në qytete të ndryshme të botës. Nga Filadelfia në SHBA, Hamburgu dhe Berlini në Gjermani, Melbourne në Australi, Padova në Itali, Stockhlom të Suedisë, deri në Toronto në Kanada.

Shqiptarët u mblodhën në sheshe publike me pankarta dhe thirrje të ngjashme me ato që dëgjohen çdo mbrëmje para Kryeministrisë në Tiranë.

“Nëse do të ndërronte sistemi politik do të kthehesha në Shqipëri”

Tre protestuese shqiptare në tre vende europiane që jetojnë në Suedi, Norvegji dhe Gjermani, tregojnë arsyet pse iu bashkuan mobilizimit të diasporës.

29-vjeçarja Silvana Palushi jeton prej tre vitesh në Gjermani dhe ka qenë organizatore dhe pjesëmarrëse aktive në tre protesta të mbajtura, në të cilat shprehu shqetësimin se problematikat që ngrihen nga qytetarët në Shqipëri nuk kufizohen vetëm brenda vendit.

“Ne besojmë se Shqipëria nuk ka mungesë potenciali dhe as mungesë njerëzish të aftë. Problemi qëndron te mënyra se si organizohet pushteti dhe ekonomia. Për këtë arsye, protestat nuk kanë qenë vetëm reagim ndaj një ngjarjeje të caktuar, por shprehje e një pakënaqësie më të thellë ndaj një realiteti që për shumë qytetarë është bërë i papranueshëm”, u shpreh Silvana, duke shtuar se Shqipëria ka nevojë për drejtësi sociale.

Teksa kritikët shprehen se shqiptarët që kanë emigruar po jetojnë shumë mirë në vendet përkatëse, sipas Silvanës, shpesh harrohen arsyet pse ata janë larguar.

“Një pjesë e mirë e diasporës nuk është larguar sepse e ka dëshiruar emigrimin, por sepse ka ndjerë mungesë mundësish, pasiguri dhe mungesë perspektive në vendin e vet. Për këtë arsye, kur qytetarët protestojnë në Shqipëri, shumë emigrantë e shohin veten në ato kërkesa dhe ndihen të përfaqësuar prej tyre”, shtoi Palushi.

Nga ana tjetër, Esmeralda Korra jeton në Suedi prej 7 vitesh, por ky fakt nuk e ka shkëputur emocionalisht nga Shqipëria. E nxitur nga protestat në vend, ajo ka organizuar më 13 qershor protestën në Malmö, Suedi. Esmeralda dhe shqiptarët e tjerë kanë bërë të njëjtat kërkesa si në Shqipëri.

“Kërkesat tona ishin në përputhje të plotë me ato të Tiranës, ku do të veçoja anulimin e menjëhershëm të ligjit për zonat e mbrojtura, ndalimin e shkatërrimit të natyrës dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama si përgjegjës kryesor i kësaj klime rrënuese”, u shpreh Esmeralda Korra.

Shumë emigrantë nuk i humbasin lidhjet me Shqipërinë pasi kanë familjarë që jetojnë ende në vend, çka përbën një nga arsyet e forta pse diaspora proteston.

“Protestat në Shqipëri kanë gjetur një mbështetje kaq të madhe në diasporë sepse ne që kemi ikur nuk kemi harruar si është të jetosh atje. Prindërit dhe vëllai im, po ashtu edhe miq të mi jetojnë ende atje. Duke jetuar në një vend si Suedia, ku ligji dhe qytetari respektohen, ne natyrshëm duam të njëjtën gjë për vendin tonë”, tha Korra.

Edhe Ardita Halimi, me origjinë nga Prishtina pavarësisht se ka emigruar në moshën 1 vjeçare dhe jeton në Oslo, Norvegji shprehet se për çështje ardhetarizmi është shumë e ndjeshme, pasi mendon se këto çështje i prekin të gjithë pavarësisht kufijve.

“Fillimisht protestat u organizuan si reagim ndaj çështjes së tjetërsimit të tokave dhe investimeve të diskutueshme, por me kalimin e kohës mesazhi u zgjerua edhe drejt pakënaqësisë për keqqeverisjen, mungesën e transparencës dhe mënyrën se si po menaxhohen interesat publike”, u shpreh Ardita. 

Sipas saj, protestat kanë evoluar nga një reagim ndaj një çështjeje konkrete në një shprehje më të gjerë pakënaqësie ndaj qeverisjes dhe mungesës së transparencës.

“Ajo që më shtyu të dal në protestë ishte ndjenja e përgjegjësisë dhe përkatësisë. Edhe pse jetoj jashtë, zhvillimet në Shqipëri më prekin dhe më interesojnë. Kur bëhet fjalë për të ardhmen e vendit tonë, ndihem e detyruar të jap kontributin tim, qoftë edhe duke ngritur zërin në mënyrë paqësore.” përfundoi ajo.

Pyetjes nëse do të ktheheshin në Shqipëri në rast të një ndryshimi të sistemit politik, tre protestueset e diasporës i’u përgjigjën pozitivisht, duke e lidhur rikthimin e tyre me nevojën për ndryshime të thella politike në vend.

Pjesëmarrja e diasporës i ka dhënë këtij mobilizimi një dimension ndërkombëtar, duke e kthyer atë në një formë komunikimi solidariteti mes shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit. Për shumë prej tyre, emigrimi nuk e ka zbehur lidhjen me Shqipërinë, por ka forcuar ndjeshmërinë ndaj problematikave që ata i konsiderojnë si shkaktarë të largimit të tyre.

Protestat e diasporës shqiptare pritet të vijojnë edhe gjatë fundjavës së 27-28 qershorit, me tubime të paralajmëruara në të paktën 11 qytete të Europës dhe Amerikës së Veriut.

Më 27 qershor do të zhvillohen protesta në Amsterdam, Bruksel, Frankfurt, Këln, Oslo, Rennes dhe Romë. Ndërsa më 28 qershor në Londër, Milano, New York dhe Torino. Fundjava e ardhshme pritet të dëshmojë vazhdimësinë e angazhimit të shqiptarëve jashtë vendit në këtë lëvizje qytetare.

Lexo gjithashtu:

The post Njësoj si në Shqipëri, diaspora shqiptare vijon protestat në qytete të botës appeared first on Citizens.al.

❌