Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

“Mund të humbësh, por duhet të lufosh…” Salianji: PD nuk ka bërë gjithçka mirë

Pas gati dhjetë muajsh në qeli, ish-deputeti Ervin Salianji u rikthye në Tv Klan në një intervistë për emisionin “Opinion”.

I pyetur për situatën politike nga gazetari Blendi Fevziu, Salianji tha se Partia Demokratike nuk ka bërë gjithçka mirë. Sipas tij, “mund të humbësh, por duhet të luftosh”.

“Po, Partia Demokratike nuk ka bërë gjithçka mirë. Ka pasur vende të caktuara ku është marrë lehtshëm. Pra mendohej që do vijë rotacioni vetëm. Mund të humbësh, por duhet të luftosh. E kam thënë edhe një herë. Në betejë shkon, lufton, të vinte kështu siç ishte organizuar gjithë shteti përballë një partie. Ta vështirëson për të mos thënë ta pamundëson. Por më mirë të biesh në betejë se sa të biesh në gjumë. Je më i nderuar”, tha Salianji.

I pyetur se çfarë pozicioni do të kërkojnë në Partinë Demokratike, Salianji u përgjigj se “asnjë”. Ai tha se do të vazhdojë të bëjë aktivitet publik dhe politik.

Salianji u lirua nga qelia më 8 korrik, pas gati 10 muajsh burg. Vendimi u mor nga Gjykata e Fierit, ku u mbajt seanca për shqyrtimin e kërkesës së tij për liri me kusht. Salianji kishte kryer deri më tani 2/3 e dënimit dhe i kishin mbetur edhe 3 muaj të tjerë për të kryer dënimin e plotë.

Si e pritën të burgosurit? Salianji: Pritja ka qenë e…

Ish-deputeti Ervin Salianji ka folur në emisionin “Opinion”, në lidhje me kohën që kaloi në burg për rreth 9 muaj si dhe për të ardhmen e tij pasi la qelinë.

Gjatë intervistës, Salianji është pyetur se si është pritur nga të burgosurit e tjerë në momentin që është futur në burg.

Ai u shpreh se është pritur mirë nga të dënuarit, ndërsa shtoi se shumë prej tyre ndodhen në qeli edhe për krime të pretenduara.

Ish-deputeti thotë se në burg i është dashur që në ambientet e përbashkëta t’i ndajë edhe me persona që në studiot televizive, siç thotë ai, janë cilësuar si krerët e grupeve kriminale.

“Të gjithë ata që ishin aty e kanë shkelur ligjin ose janë në pritje tu gjykuar për një krim të pretenduar. Kush është në atë institucion ka shkelur ligjin. Janë të gjitha llojet e veprave penale. Burgu i Fierit është burgu më i madh në Shqipëri për kapacitet që mban sot. Ka të dënuar të të gjithë profileve dhe veprave të kryera”,-Salianji.

Pra nga njerëz të administratës deri te vrasës?

Ka nga ata që ju nëpër studio i keni quajtur si krerët e grupeve kryesore kriminale.

Të lidhte puna me ta?

Aty nuk ke punë, ke vetëm vuajtje. Padyshim ka edhe ambiente të përbashkëta që ndaje me ta. Në ato ambiente janë persona që nuk kanë mundësi të kryejnë vepra penale. Pritja ka qenë e mirë.

Nga deputet në qelinë e burgut, Ervin Salianji rrëfehet në Opinion

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji ishte mbrëmjen e sotme në emisionin ‘Opinion’ për një rrëfim lidhur me periudhën e vuajtjes së dënimit të burgun e Fierit dhe për aspiratat e tij të adhshme në politikë.

Përballë gazetari Blendi Fevziu, Salianji foli për herë të parë për ndjesitë e tij për këtë ‘përmbysje’ të jetës së tij politike dhe vuajtjen e dënimit për 9 muaj.

Po ashtu, Salianji u ndal shkurtimisht edhe te vepra penale për të cilën u dënua, duke u shprehur se atë veprim e kishte ndërmarr në të mirë të interesit publik.

Pjesë nga fjala e Salianjit:

Një vijë e ndan vdekjen nga burgu. Kur ti je i izoluar dihet që nuk ekziston për njeri, por thjesht dihet që do të kthehesh një ditë. Nuk ka asnjë aspekt pozitiv burgimi, ndaj edhe quhet vuajtje dënimi. Kur ke një pozicion të caktuar dhe kur nuk e pret, padrejtësia ta bën që barra të jetë më e rëndë.

Të gjithë që përfundojnë në qeli kanë pendim për një veprim të caktuar që e kanë bërë, dhe po vuajnë në një farë mënyre pasojat e veprimeve të tyre.

Kur nuk di pse ke hyrë në burg, unë mendoj se kam bërë mirë jo kam bërë keq në pikëpamje të interesit publik, të rëndohet më shumë. Ditët aty janë pafundësisht të gjata.

I ndërtuan me fjalën e Ramës? Gazetarja tregon në Opinion çfarë po ndodh në Theth

Së fundmi në Theth ka nisur një aksion për prishjen e ndërtimeve pa leje. Gazetarja Emi Kalaja bëri një raportim për emisionin “Opinion” në Tv Klan ku sqaroi se çfarë po ndodh atje.

Sipas asaj që tha gazetarja, situata në Theth është e tillë:

Banorët janë në tokën e tyre, por kanë ndërtuar pa asnjë leje. Ata kanë interpretuar thirrjen e Ramës për paketën e maleve si leje dhe tashmë policia i ka nisur për ndjekje penale. Ndërkohë vendimi për të shembur ndërtesat ka ardhur brenda këtyre 10 ditëve që jemi në sezon.

Emi Kalaja: Nuk kanë asnjë leje. As për shtëpitë që janë ndërtuar.

Blendi Fevziu: Si i kanë ndërtuar me llafin e Ramës?

Emi Kalaja: I kanë ndërtuar duke pretenduar se mund të investonin sepse kanë trokitur dyer më dyer.

Blendi Fevziu: Kanë interpretuar fjalën e Ramës dhe kanë interpretuar si leje ndërtimi?

Emi Kalaja: Kanë investuar me shpresën që po ndërtojnë në tokën e tyre.

Gazetarja bëri me dije se pjesa më e madhe e ndërtimeve janë kontejnerë dhe shtëpiza druri që kanë ardhur të gatshme dhe janë vendosur brenda këtyre 4 muajsh. Sipas saj, procedimet e para janë konstatuar në fund të muajit mars.

“Pavarësisht se flitet për indiferencë nga ana e shtetit, nuk ka qenë e tillë. Ka qenë në muajin mars që kur kanë mbirë si kërpurdhat që në muajin mars”, raportoi gazetarja.

Sipas gazetares, vetëm një prej ndërtimeve ka qenë mbi beton, ndërsa pjesa tjetër në çakull ose mbi rrasa guri.

Gazetarja Kalaja tha se vendimi për ekzekutim prishje ka ardhur vetëm dy javë më parë pasi janë ndjekur disa procedura ligjore. Ajo tha se banorët kanë kërkuar që t’i shembin, po pas sezonit turistik.

“Kanë pranuar edhe muajin shtator, por thjesht gjatë këtyre kohe të mos u shkatërrohet biznesi dhe ai dinjitet i Thethit i ngritur prej vitesh”, tha gazetarja.

Ajo raportoi se bëhet fjalë për të paktën 80 subjekte që do të shemben.

Emi Kalaja: Edhe aty ku shihen 5 shtëpiza konsiderohet një subjekt i vetëm. Në një farë mënyrë një situatë kaotike në Theth, edhe strukturat e Bashkisë Shkodër punojnë paralelisht për të pastruar territorin.

Blendi Fevziu: Ajo që shoh unë që të pastrosh dhe të kthesh fushën e kishës siç ka qenë për mua është e pamundur. Ka qenë pamja më e bukur, më e fotografuara.

Emi Kalaja: Është kartolina e Thethit.

Blendi Fevziu: Kartolinë që nuk është më mesa duket.

Mikpritja shqiptare, Fevziu ndan episodin me të bijën: S’më kishte ndodhur kurrë!

Për shqiptarët, mikpritja ka qenë gjithnjë zakon për të respektuar këdo që troket. Por një ngjarje e pakëndshme duket se e ka lëkundur pak drejtuesin e emisionit “Opinion” në Tv Klan, Blendi  Fevziun, i cili  e ka promovuar gjithnjë mikpritjen shqiptare.

Ai ndan me të ftuarit një episod të ndodhur në Tepelenë me vajzën e tij 9-vjeçare, gjatë një ndalese kur ajo ishte përpjekur të përdorte tualetin. Zonja që ndodhej aty, kishte refuzuar edhe pse ishin përpjekur të blinin diçka.

Gjon Dukgilaj: Avantazhi më i madh i Shqipërisë janë  dy elementë për mua, shqiptari që ka shikimin dhe buzëqeshjen ndryshe prej popujve të tjerë.

Blendi Fevziu: Janë miqësorë thua?

Gjon Dukgilaj: Ne jemi të veçantë.

Blendi Fevziu: A thua? Më ndodhi një histori para një jave në Tepelenë që më bëri të dyshoj se unë  vazhdimisht kam thënë që ne kemi një mikpritje të rrallë, e kemi kod zakonor, nuk e kemi standard turistik, mirëpo isha me vajzën e vogël duke shkuar për në Sarandë, ndalova në një karburant në   Tepelenë për të furnizuar makinën, vajza 9 vjeç, donte të shkonte në banjë, ishte një restorant dhe hotel  aty ngjitur. I thashë sime shoqeje çoje një çikë, merr edhe një 2 mijë lekësh që të paguash një ujë se mos të përdorësh banjën. Shkoi dhe gruaja e lokalit që ishte bosh, e përzuri. Një fëmijë 9 vjeç që vjen për të hyrë në banjë dhe t’i thuash ik, s’ke për të hyrë në banjë, nuk besoj që ka vend të globit, kudo që të shkosh.

Gjon Dukgilaj: Nuk ka pasur banjë se s’ka mundësi.

Blendi Fevziu: Kishin banjë që ç’ke me të! E përzuri, duhet të hash mish i tha që të shkosh në banjë. Ajo më ka tronditur dhe m’u duk një rast i frikshëm. Nuk më kishte ndodhur 35 vjet që kam unë në Shqipëri që shëtis si gazetar, nuk më kishte ndodhur kurrë. Unë nuk isha vetë kuptohet, nuk më pa se po mbushja makinën, por të kthejë fëmijë 9 vjeç…çfarë mund t’i bëjë ai një turisti të huaj?

Çfarë ndodhi me “Bankers Petroleum”? Gazetarja Daci: 110 mln euro janë taksat e…

Në emisionin “Opinion”, në Tv Klan, gazetarja Glidona Daci, ka sqaruar se çfarë ka ndodhur me kompaninë “Bankers Petroleum Albania”, kur një ditë më parë, 2 korrik 2025, u arrestua drejtori aktual i kompanisë, Hongping Shiao, shtetas kinez, si dhe ish-drejtori, Leonidha Çobo.

Në total janë lëshuar 14 masa sigurimi, por vetëm nëntë prej tyre janë ekzekutuar.

Gazetarja sqaron se kushdo që është arrestuar, është ndaluar në kuadër të hetimeve, pra ndodhen në paraburgim.

Sakaq, masat e sigurisë vijnë pas një hetimi gjashtë mujor, me metoda pro-aktive, që përfshijnë përgjimet ambientale dhe telefonike.

“Prokuroria e Fierit i ka firmosur këto udhërarreste me vendim të Gjykatës së Fierit. Për shkak të një hetimi gjashtë mujor, me metoda pro-aktive, pas sinjalizimit të marrë nga Drejtoria Tatimore.

Metoda pro-aktive do të thotë përgjimet dhe vëzhgimet në terren. Pra, fotografimi, bisedat, dhe përgjimet, qofshin ambientale apo telefonike”, tha gazetarja.

Daci sqaron më tej se prej një afati kohor 10-vjeçar, nga viti 2004 deri më 2024, kjo kompani rezultonte në shtet me humbje, duhe shmangur kështu pagimin e detyrimeve tatimore dhe të TVSH-së.

“Është bërë investigimi i plotë, sepse rezulton të paktën nga 2004, deri në 2024, që kompania “Bankers Petroleum Albania, të ketë dalë çdo vit me humbje, duke shmangur kështu pagimin e detyrimeve tatimore dhe TVSH-në”, tha ajo.

Sakaq, sipas gazetares, brenda këtij afati kohor 10-vjeçar, “Bankers Petroleum Albania”, nuk ka paguar taksat në vlerë 110 milionë euro.

“Sipas të gjitha dokumenteve të mbledhura nga ana e Prokurorisë së Fierit, rezulton që në total, për shkak të eksportit, por edhe shitjes brenda vendit, kompania të ketë pasur një fitim apo fatura që shkojnë në 5 miliardë euro.

Ndërkohë, nga ana tjetër, pjesa e shpenzimeve, rezulton në vlerën e 110 milionë euro. Janë taksa të cilat nuk janë paguar”, sqaroi gazetarja./tvklan

Babai abuzoi me vajzën e mitur, Daci në Opinion:Pritet akt-ekspertimi i detajuar…

Një ngjarje e rëndë tronditi opinionin publik dy ditë më parë, ku një vajzë 12 vjeçe ka rënë pre e abuzimit seksual nga babai i saj në qarkun e Fierit.

Rasti i rëndë abuziv është rrëfyer vetë nga e mitura, e cila pak pas mesnatës së të dielës u largua nga banesa, për t’u fshehur në shtëpinë e një prej fqinjëve të saj.

Për të na dhënë më shumë detaje lidhur me këtë ngjarje të rëndë, gazetarja e Klan News, Glidona Daci, në studion e “Opinion” në Tv Klan tregon se ka qenë denoncimi i babait për largimin e vajzës nga banesa që ka sjellë zbulimin e ngjarjes.

Daci ndër të tjera thekson se në dëshminë e tij babai si fillim e ka pranuar ngjarjen, por ndryshe nga sa pretendon vajza që është abuzuar që 5 vjeç, ai thotë se kjo gjë ka ndodhur vetëm një herë kur ata po lëviznin me makinë nga Tirana drejt Fierit.

“Sipas informacioneve që kemi siguruar ka qenë një denoncim i babait në 29 qershor për largimin  vajzës nga shtëpia. Vajza ishte 12 vjeç dhe ishte larguar nga banesa. Ngjarja ka ngritur në alarm gjithë policinë e Fierit dhe kjo ndoshta ishte pika e kthesës që çoi në zbulimin e kësaj ngjarje. Pas kontrolleve që janë bërë vajza është gjetur në shtëpinë e një fqinji dhe kur është pyetur nga psikologu ajo ka treguar që është abuzuar nga babai që në moshën 5-vjeçare. Në atë periudhë ata jetonin në Gjermani.

Nga ana tjetër në momentin që është bërë arrestimi i babait ka ardhur një njoftim shumë i shkurtër nga policia e Fierit në datën 30 qershor ku specifikonte se është arrestuar një 30-vjeçar për shkak se dyshohej që ka kryer marrëdhënie seksuale me vajzën e tij të mitur 12-vjeçare. Pas marrjes së deklarimeve të babait ai ka pranuar se ka abuzuar me të bijën. Ka shpjeguar se ngjarja ka ndodhur vetëm një herë, gjatë një momenti kur ai po kthehej nga Tirana në Fier me të bijën kur po udhëtonin me makinë, por nuk ka pranuar të japë shpjegime të mëtejshme”, raporton gazetarja.

Po ashtu gazetarja thotë që nga aktekspertimi paraprak rezulton se ndaj vajzës janë kryer marrëdhënie seksuale, por pritet aktekspertimi i detajuar për të hedhur më shumë dritë mbi ngjarjen.

“Nga aktekspertimi paraprak që i është bërë vajzës rezulton se ndaj vajzës janë kryer marrëdhënie seksuale, por për të specifikuar më tej do të duhet të presim aktekspertimet e tjera që do t’i vihen në dispozicion prokurorisë.  Ai e ka pranuar në monmentet e para. Nëna pretendon se nuk ka ditur asnjë gjë dhe e ka mohuar kategorikisht”, thekson Daci.

Ndërkohë ndër të tjera gazetarja, Daci thekson se Policia pritet të nisë një verifikim edhe për shkollën, nëse ishte në dijeni të kësaj ngjarje.

Mjaltë me apo pa hile? Ja si i përgjigjet bletari në Opinion pyetjes më të shpeshtë

Gerald Toska nga “Ferma e Bletëve Toska” është bletar, i cili këtë profesion e ka trashëguar nga i ati. I ftuar në “Opinion” në Tv Klan për të folur mbi prodhimet vendase duke prezantuar edhe mjaltin e produktet e tjera të biznesit të tij, ai zbuloi edhe ca sekrete.

Një nga pyetjet më të shpeshta të konsumatorit është: “mjaltë me apo pa hile?” Bletari më në fund tregon si të dallojmë mjaltin cilësor nga ai industrial.

Blendi Fevziu: Si ta dallojmë ne mjaltin e mirë nga ai mjalti me hile? Këtë më thuaj ti mua. Dëgjojeni e mos më pyesni më se më mbytët me këtë punë! Si dallohet?

Gerald Toska: Mjalti, atë gjë që po thua ti e nxjerr vetëm laboratori.

Blendi Fevziu: Po laborator lëvizës?

Gerald Toska: Atë e nxjerr vetëm laboratori.

Blendi Fevziu: Kur e bëjnë me hile si e bëjnë, çfarë i fusin?

Gerald Toska: Kur e bëjnë me hile, njerëzit faktikisht nuk kanë faj sepse edhe mjalti industrial po qarkullon shumë nëpër treg dhe aty njerëzit i bashkojnë një çikë. Ky mjalti, kur është bio, kur vjen sezoni i dimrit ky ngrin, kurse mjalti industrial nuk ngrin.

Blendi Fevziu: Po ju ngriu mjalti, e keni tamam.

-Ka edhe mjaltë që s’ngrin.

Gerald Toska: Ka mjaltë që s’ngrin, është mjalti i pishës, por në Shqipëri s’ka. Vetëm i gështenjës qëndron që nuk ngrin, por mjalti shumëlulesh, i akacies, i lulediellit ngrin.

Çmimet e pronave në vend, Malaj dhe Shakohoxha debat në “Opinion”

Mbrëmjen e sotme në emisionin ‘Opinion’ në TV Klan po diskutohet çmimi i apartamenteve në Tiranë dhe në bregdet.

Pjesë e panelit të të ftuarve, ekspertit të ekonomisë, Arben Malaj, në analizën e tij u shpreh se sektori i ndërtimit rezulton forma më e mirë për pastrimin e parave, duke shtuar se edhe në Shqipëri ka elementë të kësaj natyre që kanë deformuar tregun.

“E para dhe mbi të gjitha është raporti kërkesë-ofertë. Blej, por me sa burime e blejnë, nga të ardhurat nga puna, kredia apo burime informale, që janë deri në kriminale dhe kanë ngritur kaq shumë çmimet në Shqipëri. Nga kompanitë, si ajo e Trump që e ka shpallur organizatë terroriste, më duket në Ekuador, dhe kemi investime në Shqipëri. Krimi i organizuar, edhe nga Italia apo vendet e tjera është i ndjeshëm në pasuritë e patundshme. Janë shqiptarët ndërmjetës, pastaj janë të huajt. Në analizë risku, në pastrim parash, në të gjitha manualet, organizatat më të mira në botë, ndërtimi është me flamur të kuq, sepse është mundësia më e mirë për të pastruar paratë. Dhe çmimi rritet kur deformohet një nga elementët, ose ka rënë oferta, që ne japim leje pafund, ose është rritur kërkesa në mënyrë të paarsyeshme”, deklaroi Malaj.

Analiza e tij, u pasua me një debat, pasi Dritan Shakohoxha e kundërshtoi duke thënë se është akuzë e rëndë.

Dritan Shakohoxha: Ore seriozisht e ke që mund të thuash?!

Arben Malaj: Ore ti je ekspert për sportin, unë jam për këtë dhe ti më thua mua…?! Po seriozisht dhe me zë të lartë! Unë them kush e ka deformuar tregun që një shqiptar nuk blen dot?! Ti më tregon mua?! Paraja kriminale në ndërtim për qytetarët shqiptarë, se jam ekspert për atë… Pse Banka e Shqipërisë vuri rregulla strikte për të ulur kërkesën në treg?! Nuk financojmë 100%, për të ulur kërkesën. Është e deformuar kërkesa!

Dritan ShakohoxhaSapo the që Banka po ndërhyn për të frenuar kërkesën, ndërkohë që thua kërkesa vjen nga bota e krimit.

Arben Malaj: Ti s’kupton logjikën! Bie kërkesa e bankës dhe rritet paraja kriminale. Banka e bën sepse është e detyruar që prej krizës së 2008-ës…

“Shoferi ishte me shpejtësi”, gazetari: I mituri ndodhet në intubim

Një ngjarje e rëndë ndodhi ditën e djeshme, më 25 qershor”, në kryeqytet, ku një makinë përplasi dy monopatinë. Si pasojë kanë mbetur lë lënduar tre të mitur, njëri prej tyre në gjendje të rëndë.

Gazetari Merin Maxhi në emisionin “Opinion” në Tv Klan tregon se si është gjendja shëndetësore e trë të miturve. Dy të mitur ndodhen në gjendje shëndetësore stabël, ku kanë dëmtime të lehta në krah dhe këmbë. Kurse i mituri tjetër ndodh në intubim në gjendje të rënduar.

Ai ka marrë dëmtime lëndime të shumta, sidomos në kokë. Për shkak se ka qenë pasagjer në njërën prej monopatinave, ai ka marrë goditje e parë, dhe më të rëndë nga makina, kurse lëndimet të tjera i ka marrë nga shembja në tokë.

“Aksidenti ka ndodhur rreth orës 10:47 tek vendi i quajtur si “Ura e ish-Dajtit”, ku një automjet kanë përplasur dy monopatinë, ku lëviznin tre të mitur. Njëri prej tyre ka qenë në gjendje të rënduar dhe kjo ka bërë që në momentet e para të ngjarjes qytetarët të mendonin që kishte humbur jetës, për shkak të prezencës së madhe të gjakut në vendin e ngjarjes, por edhe për shkak të dëmtimeve të mëdha që kishte marrë. Për momentin ai është ende në gjendje të rënduar shëndetësore, ndodhet në intubim për shkak të goditjeve të forta që ka marrë në kokë. Pasi ka qenë personi që ka marrë goditjen e parë, sepse ka qenë pasagjer në një prej monopatinave, kurse goditjen e dytë e ka marrë pasi ka rënë në tokë. Ndërkohë dy të miturit e tjerë ka dëmtime të lehta në krah dhe në këmbë, por gjendja e tyre është e stabilizuar”, thotë gazetari.

Më tej gazetari sqaron të gjithë dinamikën e ngjarjes. Drejtuesi i mjetit ishte duke lëvizur nga Xhamia e Namazgjasë, për në drejtim të “Urës së ish-bllokut”, kurse tre fëmijët e mitur nga godina e kryeministrisë për në drejtim të Ministrisë së Brendshme. Në këtë moment drejtuesi i mjetet ka qenë me shpejtësi pak më të lartë se normat e lejuara, bazuar në pamjet filmike që gazetari u referohet, shoferi ka tentuar të kapë semaforin me dritë jeshile, kurse fëmijët gjatë gjithë kohës kanë lëvizur me të kuqe dhe pa masa mbrojtëse.

“Të tre të miturit kanë qenë pa masa mbrojtëse dhe të paktën nga dinamika e ngjarjes, sensi i tyre i lëvizjes ka qenë nga godina e kryeministrisë për në drejtim të Ministrisë së Brendshme. Kurse automjeti ku udhëtonte 41-vjeçari ka qenë duke lëvizur nga Xhamia e Namazgjasë, për në drejtim të “Urës së ish-bllokut”. Në momentin kur ai ka kaluar semaforin, shpejtësia sipas ekspertizës ka qenë disi e lartë përtej normës së lejuar, sepse ka nxituar për të kapur semaforin jeshil dhe të paktën nga këqyrja paraprake e kamerave është futur në momentin që semafori sapo ka ndezur ngjyrën portokalli. Ndërkohë sa i takon tre të miturve, të tre ata dyshohet se kanë lëvizur me semafor të kuq. Kjo është edhe problematika që haset nga përdoruesit e monopatinave”, sqaroi më tej gazetari Merin Maçi.

Eric Adams intervistë për Opinion: Mezi pres të vij në Shqipëri!

Kryebashkiaku i New York-ut, Eric Adams, zhvilloi një intervistë për gazetarin Blendi Fevziu në emisionin “Opinion” në Tv Klan.

I pyetur nga Fevziu, Adams tha se nuk e ka vizituar deri më tani Shqipërinë, por “mezi po pret” ta vizitojë vendin tonë.

Pjesë nga biseda:

Blendi Fevziu: E keni vizituar ndonjëherë Shqipërinë?

Eric Adams: Jo nuk e kam vizituar, por djali im ka qenë në Shqipëri.

Blendi Fevziu: E di shumë mirë. Djali juaj ka qenë i pranishëm në një festival kënge në televizionin tonë.

Eric Adams: Po, po.

Blendi Fevziu: Çfarë përshtypjesh pati ai nga vendi ynë?

Eric Adams: Ai e do shumë Shqipëri. E do shumë. Thotë që nëse do të dalë në pension në ndonjë vend, do të dalë në pension në Shqipëri.

Blendi Fevziu: Na duhet t’ju ftojmë në vendin tim. Është vend shumë i bukur, është një vend i vogël, por jashtëzakonisht i bukur. Nga deti, tek malet, nga liqenet, tek lumenjtë. Është një vend i vogël, por shumë i bukur. Shpresoj që ta vizitoni shpejt atë?

Eric Adams: Mezi po pres.

Kryebashkiaku i New York-ut intervistë për Opinion:Shqiptarët janë shpirti i qytetit

Me rastin e paradës së shqiptarëve, kryebashkiaku i New York-ut, Eric Adams ka dhënë një intervistë ekskluzive për gazetarin Blendi Fevziu.

Që në nisje të kësaj interviste, nuk hezitoi të bënte me duar shqiponjën dykrenare. Teksa u ndal te pjesëmarrja e tij në paradën etnike “Rrënjët shqiptare”, i quajti shqiptarët atje “motra dhe vëllezër”.

Komunitetin shqiptar në NYC, e cilësoi edhe “zemra e shpirti i qytetit”, duke rreshtuar një sërë lëvdatash për ta.

“Kam raporte të jashtëzakonshme me shqiptarët, kam qenë prezent në paradat e shqiptarëve në vitet e fundit. Marrëdhënia jonë është shumë e rëndësishme, mbase jam personi i vetëm që mund ta bëj flamurin shqiptar. Ka të bëjë me gjërat që ato i sjellin qytetit, besojnë te familja, në Zot dhe siguria publike.

Na kanë ndihmuar të luftojmë kriminalitetin! Janë kontribues të vërtetë, jo vetëm mbajnë veshur flamurin kuq e zi, por veshin uniformën e policisë me krenari, numrat e shqiptarëve në polici”, tha Adams për “Opinion”.

Sipas Adams, në New York jetojnë mbi 200 mijë shqiptarë.

“Duket ndonjëherë si Shqipëri e vogël, janë të pranishëm në lagjet më të rëndësishme të qytetit”, tha ai.

A ka ndonjë shqiptarë në Iran që kërkuar kthimin në vend? MEPJ reagon për “Opinion”

Teksa përplasjet mes Iranit, Izraelit dhe SHBA-së sa vijnë e bëhen më të ashpra, një pyetje që qarkulloi në studion e emisionit ‘Opinion’ mbrëmjen e sotme ishte “A ka shqiptarë nga Irani që ka kërkuar të kthehet në Shqipëri?”

Kësaj pyetje i tha përgjigje Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme për ‘Opinion’, e cila konfirmoi se nuk ka asnjë kërkesë nga qytetarë shqiptarë që jetojnë në Iran për t’u kthyer në vend.

Kjo përgjigje vjen në një moment kur tensionet mes Iranit dhe Izraelit janë përshkallëzuar ndjeshëm pas sulmeve ajrore të Tel Avivit në Teheran. Irani ka reaguar me një sërë kundërsulmesh, ndërkohë që në “lojë” u futën edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Megjithatë, deri tani, autoritetet nuk kanë sinjalizuar ndonjë nevojë emergjente për evakuim të shtetasve shqiptarë në Iran.

“Opinion” siguron pamjet ekskluzive të raketave në qiellin e Katarit

Tensionet në Lindjen e Mesme duket se janë në kulmin e tyre, ndërsa rajoni po përfshihet nga një valë e re përplasjesh të rrezikshme, që mund të rrezikojnë stabilitetin global. Konflikti mes Iranit dhe Izraelit ka hyrë në një fazë të re, me përfshirjen e drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara.

Ndërkohë që Irani është zotuar për një hakmarrje të ashpër ndaj sulmeve të fundit ndaj objekteve të tij bërthamore, bota ndjek me ankth zhvillimet në një nga zonat më të nxehta dhe më të paqëndrueshme të globit.

Në këtë klimë alarmante, emisioni “Opinion” në Tv Klan sjell ekskluzivisht dy video që vijnë në kohë reale nga ajo se çfarë po ndodh në vatrën më të nxehtë të globit, Lindjen e Mesme.

Në njërën prej videove, që gazetari Blendi Fevziu tregon, shihen dronët dhe raketat në qiellin e Katarit dhe të  Bahrain. Ndërkohë në videon tjetër, tregohen pamjet e qytetarëve në Katar që vrapojnë të alarmuar.

“Disa raketa balistike dhe dronë janë nisur këtë të hënë, 23 qershor, nga Irani në drejtim të Katarit dhe Bahrain. Ne kemi dy video që vijnë live nga Doah dhe nga Bahrain, ku tregohen pamjet e dronëve dhe raketave në qiellin e Katarin e Bahrain-it. Është duke goditur bazat amerikane. Gjithashtu në videon tjetër tregohet se si vrapojnë njerëzit në qendrat tregtare të Katarit. Njëkohësisht ka një zonë të lirë fluturimi, pra nuk po fluturohet me fluturime konverciale në zonën rreth e rrotull. Deri tani kompanitë evropiane kanë anuluar fluturimet drejt Iranit, drejt zonës së Gjirit Persik”, tha Blendi Fevziu.

Kujtojmë se Shtete e Bashkuara të Amerikës tashmë janë përfshirë zyrtarisht në konfliktin mes Izraelit dhe Iranit. Avionët amerikanë B2, që janë avionët më të sofistikuar të globit sot me një vlerë gati dy miliardë euro secili prej tyre, kryen mëngjesin e së dielën, më 22 qershor, një fluturim prej 33 orësh për të bombarduar tre prej impianteve nukleare ku mendohej se mund të ketë përpunim dhe përgatitje të armëve bërthamore në brendësi të territorit të Iranit.

Ishte vetë Presidenti Donald Trump që bëri publik lajmin, duke e cilësuar si një operacion të suksesshëm me sulme të përqëndruara dhe tepër të sakta. Menjëherë erdhi një reagim nga Irani, i cili deklaroi se nuk do e linte me kaq dhe se “loja nuk kishte përfunduar”./ tvklan.al

Arianit Shehu në Opinion: Nëse do mundej, Irani do e ‘trondiste’ botën!

E gjithë bota po mban frymën dhe i ka sytë nga konflikti i ashpër i ditëve të fundit mes Iranit-Izraelit-SHBA-së.

Për të folur lidhur me këto përplasje, ishte mbrëmjen e sotme përmes një lidhjeje në emisionin “Opinion”, drejtori i lartë i Institutit Demokratik Amerikan për Lindjen e Mesme, Arianit Shehu.

Si një njohës i mirë i këtij rajoni, duke marrë parasysh se ka jetuar 22 vjet atje, Shehu tha se Shtetet e Bashkuara kanë tre synime të qarta, pas sulmeve në Iran.

“E para, që t’i jepet rëndësi dialogut të paqes në rajon, pa ndërhyrjen amerikane situata do vazhdojë të eskalojë. Irani nuk do ketë më mundësi të manipulojë me programin bërthamor.

Irani ka përdorur programin e pasurimit të uraniumit që ta imponojë veten si fuqi rajonale. Mos të harrojmë se luftërat civile në rajon kanë qenë të sponsorizuara nga Irani. Ka qenë narrativa e tij politike, duke e përdorur si element dominues në rajon.

Synimi i tretë është që populli Iranian, unë jetoj prej 22 vitesh në Lindjen e Mesme, meriton që në të ardhmen të jetojë në një shtet demokratik, pasi është shtet i bazuar në doktrinën fetare”, tha Shehu.

Për Iranin, theksoi se “po ta kishte pasur mundësinë të destabilizonte botën, do e kishte bërë”. Njëjtë, siç ka bërë me rajonin.

Eksperti rendit rrugët më të rrezikshme në Shqipëri

Sinjalistika e qarkullimit rrugor në Shqipëri duket se ka një problem të madh si pasojë e numrit të lartë të tabelave që sjellin çoroditjen e përdoruesve të rrugës.

Nisur nga eksperimenti i “Opinion” në Tv Klan, ku stafi përshkoi një segment 38 km, nga Rrogozhina deri në rrethrrotullimin e Bradasheshit ku numëroi plot 65 tabela të ndryshimit të shpejtësisë duke variuar nga 10-80 km/h, në emisionin e sotëm, 18 qershor, është trajtuar çështja e kaosit të trafikut në vend.

Në një intervistë me gazetarin Blendi Fevziu, eksperti i sigurisë rrugore, Fatmir Hasho, shprehet se një shpjegim për numrin e lartë të këtyre të tabelave është presioni për uljen e numrit të aksidenteve, duke gjetur zgjidhjen më të lehtë, shtimin e këtyre elementeve të sinjalistikës.

“Në vijueshmëri të viteve, duke pasur problematikë nga aksidentet, presioni i gjithanshëm që nga media, pushteti vendor, policia etj për uljen e numrit të aksidenteve kalojmë tek gjëja më e thjeshtë, vendosja e tabelave. Kur filloi mirëmbajtja e rrugëve, kam qenë i pari që kam ngritur zërin, ‘ju lutem mos na e bëni Shqipërinë me 50km/h’. Mjetet sot ecin me shpejtësi normale 110 dhe nuk e ndjejnë fare”,shprehet Hasho.

Ndërkohë sa i takon rrugëve më të rrezikshme në vendin tonë, Hasho ka listuar disa prej tyre, duke ju bërë thirrje përdoruesve të rrugës që të tregojnë kujdes.

“Tek rrugët e rrezikshme unë do të fusja me shumë përgjegjësi rrugën Lezhë Shkodër sepse ka parakalime të gabuara, por është shumë e rrezikshme edhe pse është sistemuar pak dhe do të porosisja kujdes maksimal. Me standard do të fillojmë që tek autostrada me pagesë, Thumanë-Kashar, Bajpasi i Fierit, përfshirë edhe Levan Vlorë, pastaj kemi Qafë Thanë-Pogradec me sinjalistikë të plotë të rregullt dhe brenda të gjitha normave. Qafë Thana në zbritje sepse në ngjitje me sinjalistikën horizontale jemi shumë dobët. Rrugët më të rrezikshme janë Bradashesh-Elbasan, të gjithë zonën nga Elbasani deri në në Qafë Thanë në gjendjen që është sot. Ka gjithë ato mori kthesash dhe kemi edhe trafik të shtuar. Vazhdon të mbetet problem nga Lushnja deri në Fier”, tha Hasho.

Aksi Rrogozhinë-Bradashesh me 65 tabela rrugore, Qato shpjegon pse ka ndodhur kjo

Qarkullimi rrugor në Shqipëri duket se ka një problem të përhershëm gjatë vitit, të shtuar gjatë sezonit veror me bllokimin e rrugëve duke e bërë të vështirë lëvizjen në një pjesë të konsiderueshme aksesh. Nisur nga një eksperiment i emisionit “Opinion” në Tv Klan, ku stafi përshkoi një segment 38 km, nga Rrogozhina deri në rrethrrotullimin e Bradasheshit ku numëroi plot 65 tabela të ndryshimit të shpejtësisë duke variuar nga 10-80 km/h.

Gjithashtu, gjatë ditës së diel, në aksin e Pajovës, gazetari Blendi Fevziu konstatoi dhe një radhë automjetesh mbi 4 km të gjatë për shkak të policave të vendosura në rrugë.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Rrugore, Altin Qato, i ftuar për një intervistë në emision thotë se ndryshimi i tabelave ndodh për shkak të pranisë së lartë të aktivitetit në rrugët interurbane dytësore.

Altin Qato: Ju i referoheni rrugëve interurbane dytësore të cilat kanë shumë ndërhyrje në rrugë, pra kufizohen rrugët nga biznese, qendra banimi, aktivitete të ndryshme, shkolla. Nisur nga kjo ndërhyrje shumë e madhe që bëhet në rrugë, nga analiza e riskut që bën Instituti për Sigurinë Rrugore,  përcaktohet edhe klasifikimi i sinjalistikës. Pra, kemi shumë ndërhyrje në rrugë. Në rastin konkret, të Pajovës, është një zonë me risk, ne e kemi përcaktuar njollë të zezë pasi kemi pasur një sërë aksidentesh rrugore, edhe me vdekje, kemi pasur vitin e kaluar dy aksidente pikërisht në atë segment sepse dendësia e  popullsisë, bizneseve, aktiviteteve është shumë e madhe në të dy krahët e rrugës dhe duke bërë ndërprerje në hyrje-dalje,  plus edhe këmbësorët që rëndom kalojnë…

Blendi Fevziu: Dakord, por eedhe avionët bien, ne nuk mund të ndalojmë ndërtimin e aeroporteve dhe qarkullimin ajror pse ka aksidente.

Altin Qato: Në bazë të kësaj analize vendoset sa është shpejtësia e lejuar, plus edhe ngadalësuesi i shpejtësisë në Kodin Rrugor përcaktohet.

Blendi Fevziu: Por jo në rrugë interurbane.

Altin Qato: Interurbane dytësore e ka deri në 50 km.

I pyetur për segmentet ku shpejtësia e lejuar është deri në 20 km/h, ai ritheksoi sërish të njëjtën gjë duke shtuar se është e rëndësishme siguria e qytetarit.

Altin Qato: Mund të jenë segmente shumë të veçanta ku ka ndërhyrje në rrugë dytësore, dalje nga rrugët, kalim këmbësorësh, por janë akse të veçanta që ne i quajmë rrugë interurbane dytësore të cilat kanë ndërprerje të madhe. Në atë aks rrugor janë mbi 60 ndërprerje që normalisht kur ka ndërprerje kur hyn nga një rrugë dytësore në një rrugë kryesore, normalisht që do të ketë një ulje të  shpejtësisë. Kur kufizohet rruga në të dy krahët me banesa, biznese, shkolla, normalisht  që do të kemi një ulje të kufizimit sepse gjithmonë prevalon siguria e qytetarit dhe kjo bëhet nga një analizë e mirëfilltë nga një institut i specializuar dhe gjithë parametrat që përfshihen në aksin rrugor bëjnë përcaktimin.

Eksperti i ARRSH-së në Opinion:Si aksi Elbasan-Rrogozhinë,nuk ka asnjë rrugë në botë

Trafiku është kthyer në tmerrin e të gjithë drejtuesve të automjeteve në Shqipëri. Marrë shkak nga sinjalistika e tepruar dhe e gabuar në aksin rrugor “Elbasan-Rrugozhinë”, në emisionin “Opinion”, në Tv Klan, u diskutua se çfarë e shkakton kaosin e trafikut.

Eksperti i sigurisë rrugore së Autoritetit Rrugor Shqiptar, Astrit Zenelaj, ka folur për këtë problem rrugor, ku në 38 kilometra gjenden 65 tabela, të cilat shpesh herë bëhen dhe burim aksidentesh në këtë aks.

Kështu, ky aks rrugor është krejtësisht i ndryshëm nga akset e tjera. Kjo sepse sipas Zenelajt, ka mbi 60 rrugë dytësore që kryqëzohen me këtë aks, ashtu sikurse kalon nëpër 8 zona të banuara. Ndaj dhe sinjalistika e tepruar, sipas tij bëhet për sigurinë e këtyre, por sërish shkakton trazira me automjetet që kalojnë aty, pasi nuk mund të manovrojnë në intervale të shkurtra rrugore me uljen e shpejtësisë.

“Elbasan-Rrogozhinë ka specifika krejt ndryshe nga çdo lloj rruge në territorin e Republikës së Shqipërisë. Është 38 km dhe mbi 60 rrugë dytësore që kryqëzohen me të, pa llogaritur që kjo rrugë kalon në 8 zona të banuara. Si të thuash fshatra. Po të marrim e të numërojmë shtëpitë që dalin direkt aty, aksesi është…”, tha ai.

Por kush është problemi kryesor që kemi ne në rrugët e Shqipërisë? Sipas ekspertit, janë ndërtimet anës akseve rrugore.

“Problemi kryesor është ndërtimi anë rrugëve. Që nga viti 2018 që bëhet aplikimi në sistem online, është kufizuar në mënyrë të jashtazakonshme ndërtimi dhe aksesi në rrugët nacionale. Që të mos futen në rrugë nacionale. Është detyrë e pushtetit vendor që çdo pronë që ndodhet në kufir rrugor, t’i bëjnë në rrugë të brendshme dhe të kërkojë pranë Autoritetit Rrugor një akses për një rrugë të vetme”, tha ai.

Lufta Iran-Izrael, Zekthi: Eliminimi i Khameneit vetëm nëse…

Konfliktet në Lindjen e Mesme vijojnë të shkaktojnë frikë dhe kaos. Duke folur lidhur me këtë situatë dhe rrezikun e prekjes së Shqipërisë nga kjo luftë, analisti Fitim Zekthi, në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan shprehet se rreziku për vendin tonë është pothuajse zero.

Lidhur me përfshirjen e SHBA në konfliktin Izrael-Iran, Zekthi shprehet se ka një debat në kabinetin e Trump, teksa shtoi se Presidenti amerikan e ka shumë të vështirë të vendosë.

“SHBA sot është në një debat të jashtëzakonshëm të kabinetit të Trump. Maga nuk do luftë, por luftë do shefi i ushtrisë amerikane për Lindjen e Mesme. Luftë duan disa njerëz që vijnë nga kampi i neokonservatorëve. Ka një debat të madh. Trumpi e ka shumë të vështirë të vendosë. Fushata e Izraelit e ka arritur qëllimin për të shkatërruar pajisjet bërthamore të Iranit. Të paktën njëra prej tyre ajo që ndodhet në Fardoë, shumë thellë në mal nuk mund të asgjësohet nga aviacioni izraelit dhe duhet përdorur aviacioni i sofistikuar amerikan B2 që mban bomba rreth  13 ton”, shprehet analisti, Zekthi.

Përfshirja e vetme që mund të ketë SHBA sipas Zekthit është duke bombarduar me aviacionin e sofistikuar B2 pajisjet bërthamore të Iranit, por sipas tij kjo nuk do të sjellë ndonjë pasojë të madhe.

“SHBA mund të përfshihet në luftë vetëm duke bombarduar me B2 dhe kjo nuk do të sjellë ndonjë pasojë të madhe. Vetëm nëse Izraeli do të çmendet plotësisht dhe do të kërkojë me çdo kusht ndryshim regjimi dhe SHBA do të bijë ‘viktimë’ e kësaj”, tha Zekthi.

Ndërsa sa i përket eliminimit të Udhëheqësit Suprem iranian Ali Khamenei, Zekthi shprehet se Izraeli do të kërkojë vrasjen e tij vetëm nëse nuk arrihet bombardimi me B2 me ndihmën e Amerikës.

“Izraeli ndoshta ka mundësinë që ta eliminojë. Vrasja e liderëve nuk ka qenë traditë dhe në Luftën e Dytë Botërore nuk ka ndodhur kjo gjë. Nëse do të dështojë përpjekja amerikane dhe izraelite për të bombarduar me B2 ato njësitë atëherë mendoj që Izraeli do të eliminojë Khamenein. Kjo nuk do të bëjë ndonjë gjë të madhe, thjesht ato do të gjejnë një lider tjetër, pasi në kushte të tjera sot Irani ëhstë e pamundur pa ndërhyrje tyokësore të ndryshojë regjimin”, u shpreh Zekthi.

Konfliktet në Lindjen e Mesme, Zekthi zbulon se çfarë mund t’i ndodhë Shqipërisë

Konflikti midis Izraelit dhe Iranit, i cili çdo ditë e më shumë është më agresiv, ka filluar që të japë ndikimin e saj tek popujt e tjerë, që nuk janë as pjesë e kësaj lufte.

Mbrëmjen e sotme, në studion e emisionin “Opinion”, në Tv Klan, u diskutua tema “A rrezikohet Shqipëria pas konfliktit Izrael-Iran?”, me të ftuar analistin Fitim Zekthin.

Zekthi u shpreh se Shqipëria është jashtë çdo lloj mundësie ndikimi ushtarak nga ky konflikt. Sipas tij, ekziston mundësia e një pasoje të vogël rajonale nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndërhyjnë me trupa ushtarakë në këtë konflikt, por sërish ky është thjesht një supozim e jo diçka e mirëqenë.

“Në fazën ku është konflikti një herë, ne jemi totalisht jashtë çdo lloj ndikimi të mundshëm, në kuptimin e pasojave ushtarake. Jo ne, por gjithë rajoni ynë, gjithë Evropa.

Maksimumi, maksimumi, pasoja mund të ketë vetëm në vendet e rajonit, nëse do hyjë SHBA në luftë. Nëse vazhdon kështu sikurse është, ai konflikt do vazhdojë për një periudhë të caktuar kohor, deri sa të dyja palët të bëjnë një marrëveshje. Nëse hyn SHBA në luftë, mund të ketë ndoshta një pasojë të vogël rajonale, sepse Irani do përpiqet të godasë mbi bazën amerikane diku në Irak ose diku në Katar. Ndoshta se dhe atë Irani mund të mos e bëjë, nga presioni i madh”, tha ai.

Edhe pse Izraeli ka forcë ajrore më të madhe se Irani, kjo nuk e ka bërë këtë të fundit të “gjunjëzohet”. Sipas Zekthit, thelbi i gjithë këtij konflikti është nëse në Iran qëndron ose jo regjimi.

“Fakti që Izraeli ka marrë haësirën ajrore, s’do të thotë se ka gjunjëzuar Iranin. Duhet të bijmë dakord e për një gjë tjetër. Pra, Irani vazhdon të qëndrojë, e unë mendoj se do kthehet në çështje shumë të rëndësishme të debatit, nëse do mbijetojë apo jo regjimi. Regjimi pa ndërhyrje tokësore, do të mbijetojë. Atje do të kthehet në një lloj beteje nëse rri ose jo regjimi. Kaq. Nuk besoj të ketë pasoja më të gjera se kaq”, u shpreh Zekthi.

Edhe pse Shqipëria mund të mos ndikohet nga ana ushtarake, lidhur me pasojat e këtij konflikti, ekziston një rrezik tjetër. Ai i sulmeve kibernetike nga Irani.

“E vetmja gjë teorikisht, është ndonjë sulm kibernetik ndoshta nga Irani, sikurse ka ndodhur vjet, parvjet”, tha analisti.

❌