Rita Ora do të publikojë këngën e re brenda pak ditësh, pasi thuhet se ka incizuar kolonën zanore të një seriali të madh televiziv në Netflix
Rita Ora do të publikojë këngën e saj më të re brenda pak ditësh.
Këngëtarja 34-vjeçare, e njohur për hitin “How We Do”, ka qenë kohët e fundit në studio duke punuar për këngën e re që do të jetë pjesë e emisionit të njohur të takimeve “Love Is Blind UK”.
Sipas raportimeve, kënga mban titullin “Joy” dhe ka një mesazh të fuqishëm për gjetjen e paqes së brendshme. Ajo pritet të publikohet gjatë ditëve në vijim, shkruan DailyMail.
Një burim ka treguar për The Sun se: “Nuk është sekret që Rita e adhuron dashurinë, ndaj pranoi menjëherë të realizojë një këngë për Love Is Blind UK”.
Edhe pse ajo pritet të publikojë shumë shpejt albumin e saj të katërt në studio, “Joy” nuk do të jetë pjesë e tij.
Sipas burimit, kjo këngë konsiderohet si një “mini projekt anësor” dhe nuk është menduar si pjesë e materialit të albumit të ri.
“Kënga do të përdoret në emision dhe do të jetë e disponueshme për dëgjim në platforma digjitale, por nuk ka plane për videoklip apo promovim shtesë”, është thënë më tej.
Ndërkohë, Rita ka folur edhe për një moment delikat në karrierën e saj, kur u përfshi në mënyrë të pavërtetë në thashethemet rreth identitetit të “Becky with the good hair”, një figurë misterioze e përmendur në albumin “Lemonade” të Beyoncé-s.
Albumi i vitit 2016 përmbante këngë me tekste të fuqishme që flisnin për tradhti, përfshirë këngën “Sorry” ku Beyoncé i referohej një gruaje që besohej se kishte qenë në një lidhje me bashkëshortin e saj, Jay-Z.
Spekulimet në internet shpërthyen dhe shumë fansa aluduan se kjo “Becky” ishte Rita Ora, e cila në atë kohë ishte pjesë e labelit Roc Nation të Jay-Z.
Ajo u akuzua padrejtësisht për një lidhje me reperin dhe u detyrua të mohojë publikisht gjithçka. Tani, në një intervistë në podkastin “Begin Again” të Davina McCall, Rita ka rrëfyer se ishte thellësisht e lënduar nga këto akuza, pasi Beyoncé kishte qenë gjithmonë mbështetëse e saj.
“Ajo ka qenë si një zanë e mirë për mua prapa kamerave, një mbrojtëse e vërtetë. Kjo është ajo që e bën edhe më të pabesueshme, sepse midis nesh ka pasur gjithmonë vetëm dashuri”, ka thënë Rita.
Ajo ka folur gjithashtu për mënyrën se si është ndjerë me trupin e saj gjatë viteve të fundit. Në një intervistë tjetër në podkastin “Happy Place” të Fearne Cotton, në bashkëpunim me projektin për vetëvlerësim të Dove, Rita ka treguar se ka pasur periudha kur nuk e pranonte veten dhe ndihej “e shëmtuar” në fund të të njëzetave.
“Në fund të të njëzetave fillova ta ndiej më shumë këtë presion. Nuk kisha më energji, nuk kujdesesha për trupin tim, sëmuresha shpesh dhe nuk ndihesha mirë me veten. Nuk pranoja faktin që nuk isha aq e dobët sa të tjerët dhe e barazoja këtë me të qenit e shëmtuar. Tani kur e mendoj, e di që nuk ka qenë ashtu.
Është njësoj si në terapi, kur përballesh me versionin më të ri të vetes dhe kupton se ajo vajzë ka qenë gjithsesi shumë e bukur”, ka përfunduar ajo. /Telegrafi/
The post Rita Ora do të publikojë këngën e re brenda pak ditësh, pasi thuhet se ka incizuar kolonën zanore të një seriali të madh televiziv në Netflix appeared first on Telegrafi.