Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Tkurren kuotat në Universitetin e Tiranës

Ulja e numrit të studentëve ka bërë që universitetet të ulin kuotat e pranimit. Për vitin e ri akademik 2025-2026 Universiteti i Tiranës do të pranojë vetëm 4,400 studentë.

Ndërkohë që uljen më të ndjeshme e ka Fakulteti i Filologjisë, i cili i ka reduktuar kuotat me 13% në krahasim me vitin e shkuar,” thotë gazetarja Ermelinda Hoxhaj.

Në 6 vitet e fundit kuotat për pranimet e studentëve në këtë universitet kanë rënë me më shumë se 18%.

Në 2020 pranimet ishin mbi 5,500 studentë, ndërkohë që për këtë vit Senati Akademik ka miratuar gati 4,400 kuota, ose 146 pranime më pak se vitin e shkuar.

Reduktimi i kuotave të pranimit normalisht vjen në proporcion me numrin në ulje të studentëve që regjistrohen pranë këtij universiteti.

Nga 6 fakultete që ka Universiteti i Tiranës, reduktim më të ndjeshëm të kuotave të pranimit ka Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë me 13%, më pas renditet Fakulteti i Gjuhëve të Huaja të cilët i kanë ulur kuotat për vitin e ri akademik me 11% dhe Shkencat Sociale ku në total në programet bachelor do të pranohen 530 studentë.

Nga ana tjetër, tre fakultete nuk i kanë prekur kuotat, duke mbajtur të njëjtin nivel prej gati 5 vitesh. Ekonomiku ka 1,200 kuota, Shkencat e Natyrës do të pranojnë rreth 900 studentë të rinj ndërsa Fakulteti i Drejtësisë 670.

Aktualisht maturantët vijojnë me regjistrimet për t’u bërë pjesë e garës në universitete, ku listojnë 10 preferenca që duan të garojnë.

Afati i fundit i aplikimit është 3 gushti.

Klan News

Kosova heq tarifën ndaj mallrave amerikane

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur të premten se Kosova do ta heqë tarifën doganore ekzistuese prej 10 për qind në mallrat amerikane.

“Tani e tutje, të gjitha produktet me orgjinë nga Shtetet e Bashkuara do të kenë tarifë 0 për qind kur të hyjnë në vendin tonë. Kosova i mirëpret produktet amerikane në tregun e saj dhe besojmë fuqishëm se kjo do të ndikojë në rritjen e këmbimit tregtar dhe shtimin e investimeve”, ka thënë Kurti në nisje të mbledhjes.

Kurti ka thënë se përmes këtij hapi dëshmohen marrëdhëniet e mira mes dy vendeve dhe tregohet se Kosova dëshiron të ketë marrëveshje për tregti të lirë me Shtetet e Bashkuara.

Ministrja në detyrë për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Donika Gërvalla, ka thënë se në katër vjetët e fundit, marrëdhëniet me SHBA-në kanë arritur transformim substancial, çka, sipas saj, ka ndikuar në forcim të marrëdhënieve bilaterale, sidomos në fushën e sigurisë dhe diplomaci.

“Këtë vendim e shohim si vazhdimësi të politikave të pandara të vendit tonë me Shtetet e Bashkuara, jo vetëm në forcimin e miqësisë, por në krijimin dhe forcimin e një partneriteti të mirëfilltë, me një shtet që ka qenë gjithmonë përkrahës ndaj shtetësisë sonë”.

Ndërkaq, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një postimi në X iu drejtua presidentit amerikan, Donald Trump, dhe popullit amerikan, duke iu thënë se Kosova “është partnerja juaj e besueshme në përpjekjet për ta bërë Amerikën dhe aleatët e saj të fuqishme, të sigurt dhe më prosperuese”.

Lajmi për heqjen e tarifës është mirëpritur edhe nga odat ekonomike në Kosovë.

Oda Ekonomike Amerikane tha se muaj më parë kishte bërë thirrje për heqjen e kësaj tarife.

“Ky hap i rëndësishëm pasqyron një demonstrim të fortë dhe strategjik për të avancuar bashkëpunimin ekonomik me SHBA-në, partnerin më të ngushtë politik dhe ekonomik që ka Republika e Kosovës”, ka thënë Oda amerikane, duke shtuar se ky vendim hap rrugën për rritjen e flukseve tregtare dhe investimet në sektorët kyç.

Ndërkaq, Oda Ekonomike e Kosovës tha se vendimi do të mundësojë rritjen e shëmbimeve tregtare.

“Ky vendim, i marrë sot, do të mundësojë rritjen e shkëmbimeve tregtare, tërheqjen e më shumë investimeve amerikane në Kosovë dhe anasjelltas, por mbi të gjitha, dëshmon miqësinë e sinqertë dhe të përhershme që ekziston mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ne kërkojmë që hapi i radhës të jetë njohja e statusit të privilegjuar për çdo investitor amerikan në Kosovë”.

Tarifat e reja të Trumpit

Vendimi i Kurtit ka ardhur një ditë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, i ka prezantuar tarifat e reja ndaj 69 vendeve me të cilat bën tregti SHBA-ja, me arsyetimin se ato kanë qenë të padrejta ndaj ekonomisë amerikane.

Në vendimin e publikuar nga Shtëpia e Bardhë është thënë se mallrat e çdo vendi partner tregtar që nuk përfshihen në aneksin e urdhrit, do të jenë subjekt i taksës prej 10 për qind bazuar në urdhrin ekzekutiv të prillit.

Në atë urdhër, Kosova ishte goditur me tarifë reciproke prej 10 për qind, ashtu sikurse Shqipëria dhe Mali i Zi.

Me vendimin e ri për tarifat, që do të zbatohet prej 7 gushtit, vendet tjera të Ballkanit janë goditur me tarifa më të larta: Maqedonia e Veriut 15 për qind, Bosnje-Hercegovina 30 për qind dhe Serbia 35 për qind.

Në nivel botëror, vendet më të goditura nga tarifat janë Siria, Laosi dhe Mianmari me tarifa që shkojnë deri në 41 për qind.

Trump, fillimisht, i pati bërë publike tarifat në prill, por më pas i ka pezulluar ato për 90 ditë, që të mundësojë zhvillimin e negociatave me palët e interesuara.

Kur tarifat ishin përmendur për herë të parë, ekspertët në Kosovë patën vlerësuar se ato do të kenë shumë ndikim për shkak të varësisë së madhe nga importet.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pati kërkuar nga Qeveria në detyrë e Kosovës pezullimin e taksës, por ajo kishte mbetur në fuqi.

Osmani pati thënë se zyra e saj e ka bërë gati një ligj që do të mundësonte heqjen e tarifave prej 10 për qind ndaj mallrave amerikane, por se për miratimin e këtij ligji duhet fillimisht të konstituohet Kuvendi i ri – diçka që nuk ka ndodhur ende, as pas mbi 50 tentimesh.

Organizatat ekonomike në Kosovë kanë treguar se nga viti 2019, ka nisur rritja e eksporteve të përgjithshme të Kosovës në SHBA.

Këtë e tregojnë edhe të dhënat e Doganës së Kosovës, sipas të cilave, vlera e tyre në vitin 2019 ishte tre milionë euro, ndërsa tre vjet më vonë arriti në mbi 131 milionë (2022).

Produktet që i eksporton Kosova në SHBA, përfshijnë: ushqime, lëngje, tekstil, dyshekë, por dhe prodhime nga druri dhe plastika.

Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës për muajin qershor të këtij viti, produktet e importuara nga SHBA-ja përbëjnë më pak se 1 për qind të importit në Kosovë.

Ditë më parë, Ambasada amerikane në Prishtinë i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Shtetet e Bashkuara besojnë se ekzistojnë mundësi të rëndësishme për bashkëpunim ekonomik me Kosovën në disa sektorë strategjikë dhe se heqja e barrierave tregtare do t’i forconte më tej këto lidhje.

“Ne i inkurajojmë sektorët publikë dhe privatë në Kosovë që të vazhdojnë të kërkojnë mundësi ekonomike dhe investime në tregun amerikan dhe që Qeveria të promovojë një mjedis transparent dhe të qëndrueshëm për bizneset amerikane që kërkojnë të zgjerohen në Kosovë”, është thënë mes tjerash në përgjigje./REL

KPA shkarkon nga detyra prokurorin Kledian Llaho

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi sot, më 1 gusht, shkarkimin nga detyra të prokurorit të Sarandës, Kledian Llaho, duke ndryshuar vendimin që kishte marrë shkalla e parë e KPK-së tre vite më parë.

Trupa gjykuese e kryesuar nga Natasha Mulaj vendosi unanimisht që Llaho duhej shkarkuar duke çmuar të drejtë pretendimin e Komisionerit Publik dhe drejtuesit të SPAK se “Llaho nuk rezulton i besueshëm në kriterin e pasurisë”.

Sipas tvklan, në verifikimin e çështjeve profesionale u konkludua se “subjekti ka dështuar të ndërmarrë hetime logjike, të mbledhë gjithë provat dhe në mënyrë efektive”.

Prej janarit të këtij viti, Llaho ishe pezulluar me kërkesë të SPAK për veprime me natyrë korruptive, duke kërkuar përftime të parregullta materiale, nga të cilat do të përfitonte në mënyrë të drejtpërdrejtë vjehrri i tij.

Arrestohet një prej autorëve të dyshuar të vrasjes së Renato Hoxhajt në Vlorë

Policia e Vlorës ka vënë në pranga një prej autorëve të dyshuar të vrasjes së 58-vjeçarit Renato Hoxhaj, ngjarje e ndodhur më 27 prill të këtij viti.

Sipas uniformave blu i arrestuari është pjesëtar i një grupi kriminal që vepron në fushën e krimeve të rënda dhe i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje.

“Si rezultat i operacionit policor të koduar “Në gjurmë”, të zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Vlorë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, u bë i mundur lokalizimi dhe arrestimi i një prej autorëve të dyshuar të ngjarjes së ndodhur më datë 27.04.2025, në lagjen “Hajro Çakërri”, ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi R. H., 58 vjeç.

Në vijim të hetimeve, bazuar mbi provat e siguruara nga Seksioni për Hetimin e Krimeve të Rënda, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, me vendimin e datës 30.07.2025, ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, për shtetasin K. B., alias A. G., 42 vjeç, banues në Vlorë, i dyshuar si bashkëautor në kryerjen e veprës penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim.

Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e datës 27.04.2025, rreth orës 06:20, pranë Poliklinikës së qytetit të Vlorës, ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi R. H., 58 vjeç.

Vijojnë veprimet për kapjen e bashkëpunëtorëve të tjerë të dyshuar”, njofton policia.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë./Opinion.al

Ministri i Brendshëm pret ambasadorin e Britanisë së Madhe në Tiranë, Nick Abbot

Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha ka pritur sot në një takim ambasadorin e Britanisë së Madhe në Tiranë, Nick Abbot.

Bashkëbisedimi u përqendrua në bashkëpunimin e vazhdueshëm mes dy vendeve në fushën e sigurisë, në kuadër të Planit të përbashkëta të Masave, “Dialogu kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda”, me theks të veçantë te prioriteti strategjik i rikuperimit të aseteve të përfituara nga veprimtaria kriminale.

“Funksionalizimi i Zyrës së Rikuperimit të Aseteve është një nga rekomandimet kyçe të Bashkimit Europian dhe një element thelbësor i axhendës sonë të integrimit. Në këtë drejtim, Ministria e Brendshme ka përfituar mbështetje të vazhdueshme nga partnerët.

Mbështetja e Mbretërisë së Bashkuar në këtë fazë është një kontribut i çmuar për konsolidimin e këtij mekanizmi të ri institucional, si pjesë e zbatimit të Strategjisë Kombëtare kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit 2024–2030”, shprehet Hoxha.

Ai thekson se diskutuan për mundësitë e zgjerimit të kësaj mbështetjeje, përmes:

-trajnimeve të avancuara për ekspertët e ZRA dhe bashkëpunëtorët institucionalë;

-mbështetjes për takime operacionale ndërkombëtare dhe rajonale;

-ndërtimit të kanaleve të drejtpërdrejta me homologët britanikë;

-zhvillimit të databazës analitike të rasteve të ZRA, në përputhje me standardet më të mira britanike.

Dosja “5D”, GJKKO rrëzon kërkesën e Redi Mollës për ndryshimin e masës së sigurisë

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar rrëzoi poshtë një kërkesë të Redi Mollës, i cili kërkonte ndryshimin e masës së sigurisë nga burg në arrest shtëpie.

Vendimi u mor nga trupa gjykuese e përbërë nga treshja Flora Hajredinaj, Flojera Davidhi dhe Erjon Bani, shkruan tvklan.

Kujtojmë se për dosjen në fjalë gjykata ka nisur dëgjimin e dëshmitarëve.

Kompania 5D Konstruksion sh.p.k, sipas SPAK, posedohej në mënyrë de facto nga Redi Molla dhe Mariglen Qato.

Ata dyshohen se kanë përfituar tendera nga Bashkia e Tiranës në kundërshtim me ligjin.

“Draftin e Kodit të ri Penal nuk e ka hartuar qeveria”/Rama:Rrini të qetë, pa vulën…

Kryeministri Edi Rama ka komentuar sot reagimet kundër lidhur me draftin Kodin e ri Penal.

Përmes një postimi në platformën ‘X’, Rama shprehet se qeveria nuk ka qenë pjesëmarrëse në hartimin e draftit, por është një nga palët e interesuara dhe është duke e shqyrtuar draftin e ndërtuar sipas kryeministrit nga ekspertë të fushës.

Sipas tij, do të ketë konsulta me Komisionin Europian para se drafti i Kodit Penal të marrë ‘vulën’ e Bashkimit Europian.

“Shoh që disa shoqata gazetarësh na kanë bërë një thirrje urdhëruese për të ndërhyrë urgjentisht në draftin e Kodit të Ri Penal, çka tregon se ata që duhet të informojnë publikun për procesin e saponisur të diskutimit të këtij drafti nuk e kanë kuptuar akoma (edhe pse u tha shumë qartë nga ministri i drejtësisë) se Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli i Ministrave, nuk kanë marrë pjesë në hartimin e draftit po ia kanë besuar një grupi ekspertësh të nderuar, nën udhëhehjen e Drejtorit të Shkollës së Magjistraturës, Profesor Arben Rakipit.

Kështu, hëpërhë qeveria është thjeshtë njëra nga shumë palët në këtë proces dhe e kemi marrë e po e studiojmë draftin, për të ballafaquar më pas qëndrimet tona me ato të grupit të ekspertëve, gjë që ua sugjerojmë edhe shoqatave të alarmuara për lirinë e shtypit, të cilat në këtë fazë, në vend se të alarmohen duhet të ndjehen shumë të lehtësuara e të respektuara, sepse kanë të gjithë kohën e nevojshme për ta studiuar e pastaj ballafaquar draftin e Kodit të Ri Penal me grupin e punës, njësoj siç do të bëjë qeveria e siç duhet të bëjnë të tëra palët e interesuara – sidomos ato brenda sistemit, të cilat në vend se të japin deklarata sa të nxituara aq edhe qesharake për shtyp, bëjnë mirë të ulen me grupin e ekspertëve dhe të ballafaqojnë opinionet e tyre.

Ky është një proces demokratik dhe transparent, ku kush do të kontribuojë për një Kod të Ri Penal për Shqipërinë 2030 në BE i ka rrugët e hapura e të gjithë kohën e nevojshme, ndërsa kush do të bëjë zhurmën e vet mund ta bëjë, se demokracia i ka edhe zhurmuesit e vet, po s’mund të thotë dot që s’na pyeti kush.

Pasi të bëhen të gjitha ballafaqimet e grupit të punës me të gjitha palët e interesuara dhe në pavarësi të plotë nga qeveria, Ministria e Drejtësisë do ta marrë draftin e rishikuar e do ta konsultojë natyrisht edhe me Komisionin Europian, sepse pa vulën e Brukselit drafti nuk shkon dot në parlament!

Kështu që miq të shoqatave të shtypit rrini të qetë se nuk ju vjen dot asnjë e keqe nga Kodi i Ri Penal, në Shqipërinë që po shkon në BE dhe jo në BRSS”, shkruan Rama.

Gjykata Evropiane:Italia duhet të sigurojë rishikimin e vendimeve për azilkërkuesit

Gjykata Evropiane e Drejtësisë ka marrë vendim të premten që vendet e Bashkimit Evropian mund t’i përshpejtojnë refuzimet e kërkesave të azilit për personat që janë nga vendet që konsiderohen të “sigurta”, por vetëm nëse ky përcaktim përmbush standardet strikte ligjore, dhe u mundëson aplikantëve dhe gjykatave të kenë qasje dhe t’i kundërshtojnë provat mbështetëse.

Në lëndën para gjykatës së BE-së përfshihen rastet e dy shtetasve të Bangladeshit, të cilët janë shpëtuar në det nga autoritetet italiane dhe janë transferuar në një qendër ndalimi në Shqipëri, nën protokollin e dakorduar mes Italisë dhe Shqipërisë.

Rasti ka përfunduar në gjykatë pasi kërkesat e këtyre dy azilkërkuesve janë refuzuar, bazuar në përcaktimin e Italisë se Bangladeshi është shtet i “sigurt”.

Kushti i dytë i gjykatës parasheh që një shtet i origjinës mund të përcaktohet i “sigurt” nëse ofron mbrojtje adekuate për gjithë popullsinë, përfshirë minoritetet.

Në kuadër të përpjekjeve të Qeverisë së krahut të djathtë në Romë për të përshpejtuar procesimin e kërkesave të azilkërkuesve, dhe për të zvogëluar numrin e atyre që mund të hyjnë në shtet, Italia e ka përpiluar një listë të shteteve që i konsideron të sigurta për migrantët dhe të cilët, sipas saj, nuk kanë të drejtë ligjore për të kërkuar mbrojtje ndërkombëtare.

Qeveria italiane synon t’i dërgojë migrantët nga shtetet e përcaktuara si të “sigurta” në një qendër ndalimi në Shqipëri, ku do të analizohen kërkesat për azil, përmes një procedure të përshpejtuar.

Një gjykatë italiane që është marrë me lëndën e dy shtetasve të Bangladeshit, ka kërkuar nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë të sqarojë nëse Qeveria italiane mund të përpilojë një listë të shteteve të “sigurta” dhe nëse Roma duhet t’i deklarojë burimet e veta mbi të cilat e ka shpallur një vend të “sigurt” dhe se çfarë kriteresh janë respektuar.

Teksa qasja e të djathtës ekstreme sa shkon e pëlqehet më shumë në bllokun evropian me 27 vende anëtare, shumë shtete të BE-së janë duke miratuar qasje më të ashpër ndaj migrimit.

Shumë kryeqytete evropiane janë duke shqyrtuar idenë që të krijohen qendra jashtë bllokut për azilkërkuesit të cilëve u është refuzuar azili, ose janë në proces.

Megjithatë, përpjekja e Italisë për t’i procesuar kërkesat dhe për t’i transportuar migrantët në Shqipëri është duke u përballur me një mori pengesash ligjore.

Zyra e kryeministres së Italisë, Giorgia Meloni, ka thënë të premten përmes një deklarate se vendimi i gjykatës së BE-së është “befasues” dhe “dobëson politikat për të luftuar imigrimin ilegal masiv dhe mbrojtjen e kufijve kombëtarë”./REL

Rregullore për kantieret e ndërtimit/ Rama: Masa drastike nëse cënohet komuniteti

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se për kantieret e ndërtimit në zonat e banuara do të ketë një rregullore të re.

Në një video të bërë në rrjete sociale lidhur me lirimin e hapësirave publike, Rama theksoi se duhen marrë masa që kush ndërton pallat të mos bëhet problem për banorët e zonës.

“Kush ndërton pallat nuk mund të bëhet problemi i zonës. Duhet të marrë masa që zona përreth të mos e ndjejë fare ose ta ndjejë shumë pak. Kantiere të rrethuara, pa zaptim të trotuareve, me kalime për këmbësorët këto janë gjëra bazike,” theksoi Rama.

Ai njoftoi se së shpejti do të miratohet një rregullore e re për ndërtuesit, e cila do të përcaktojë detyrime të qarta për menaxhimin e kantiereve në zonat urbane.

 

“Nuk po bëjmë vetëm një pastrim të platformave dhe tendave, por edhe një kontroll të kantierëve. Sepse kantieret nuk dalin në televizor, por janë një burim i përditshëm shqetësimi për qytetarët,” shtoi Rama.

Lirimi i hapësirave publike, Rama: Do hapim portal për denoncime!

Kryeministri Edi Rama foli sot për aksionin e qeverisë për lirimin e hapësirave publike.

Përmes një komunikimi live në rrjete sociale, Rama paralajmëroi hapjen e një portali të posaçëm për të denoncuar të gjitha rastet e zaptimit të hapësirave publike.

Më tej, kreu i qeverisë theksoi se kjo betejë do të vazhdojë deri në finalizimin e tij dhe deri sa qytetarët të kuptojnë se nuk mund të shtyjnë kufirin aty ku fillon jeta e komunitetit.

”Nuk mundet dot të moshuarit mos të kenë mundësi të ulen në një hapësirë përmes lagjes sepse aty dikush ka vendosur një tra, apo dikush ka vendosur të lidhë zorrën me sistemin e ujit apo të hapë një pus për të hapur lavazh.

Duhet durim edhe për faktin se disa nuk marrin vesh. Ça po bëjmë ne? Kemi studiuar rregulloret e shumë qyteteve, si Barcelona apo Kopenhageni që i kanë kufizimet e caktuara.

Ka qytete tjera që kanë formula tjera por ne do ti bëjmë shumë të qarta këto. Rregullorja do të përcaktojë me centimetra kufijtë e hapësirave që mund të përdoren nga subjektet private.

Do të ketë edhe detyrime, por edhe ndëshkime të forta për ata që nuk respektojnë rregullat. Me rëndësi të kuptojmë se ideja nuk është hajde o burra të ndëshkojmë. Do hiqen të gjitha dërrasat platformat, do hiqen hap pas hapi.

Është shumë gjë e mirë që ju të merrni pjesë…do të hapet edhe një portal i posaçëm hapësira ime, ku të gjithë të denoncojë zaptimin e hapësirave.

Duhet të ndahet mendja se nuk mund të shtyhesh përtej kufirit ku fillon jeta e komunitetit. Ndëshkimet do të jenë të forta…Rilindja Urbane 2.0 do t’i kthejë këto hapësira të çliruara në vende të denja për qytetarët.

Pastrojmë disa zona, por nuk mund t’i lëmë ashtu. Duhet të ndërhyjmë me projekte urbanistike që të krijojmë hapësira të bukura dhe të dobishme”, shprehet Rama.

“S’mund të paraqitemi si rraqexhi e…”/Rama: Nuk bëhemi dot anëtarë të BE duke…

Kryeministri Edi Rama ka dalë sot në një komunikim live në rrjete sociale, teksa po flet për ngjarjet e ndodhura së fundmi në vend si dhe për rrugën drejt integrimit europian.

Sipas tij, kjo e fundit kërkon një përqasje të re ndaj hapësirës së përbashkët dhe respektit për territorin.

Ai thekson se është e domosdoshme të vendoset një vijë e qartë ndarëse mes të drejtës, për të zhvilluar një aktivitet legjitim dhe kufijve që duhen respektuar në hapësirat që i përkasin të gjithëve.

”Nuk mund të bëhemi anëtarë të BE duke i ndarë mbrapsht punët, disa andej që përpiqet të bëjnë punën dhe disa që përpiqen të bëjnë diçka duke mos pyetur për punën e përbashkët.

Në këtë aspekt territori ka një rëndësi të posaçme. Respekti për hapësirën e përbashkët ka rëndësi të posaçme. Vendosja qartë e kufirit mes të drejtës mbi hapësirën e përbashkët dhe të drejtës së kujdo që do të zhvillojë një aktivitet të caktuar legjitim në këtë hapësirë është një domosdoshmëri.

Nuk mundet dot që të vazhdojmë të lejojmë që bukuritë e mëdha që na ka falur zoti të abuzohen dhe nga ana tjetër ne të paraqitemi para fëmijëve tanë, pastaj edhe të tjerëve, nëse për veten nuk paskemi respekt si raqexhi, si delenxhi dhe si abuzues me pasuri që nuk janë tonat, por janë të përbashkëta.

Kemi bërë disa hapa, por ju siguroj që ky nuk është aksion, por është një përpjekje e pandalshme e të qëndruarit së bashku”, tha Rama.

“U rreshtua në llogoren e antiligjit”, Rama: Gjykatësi Balliu i dha pallatin e…

Pas prokurores Elsa Gjeli, kryeministri Edi Rama ka prezantuar një tjetër shembull, të një gjykatësi që sipas tij është rreshtuar në llogoren e Antiligjit dhe të Antishtetit kundër interesave të Shqipërisë.

Përmes një postimi në rrjete sociale, Rama thekson se gjykatësi Balliu ka vendosur më 31 korrik, që një pallat pa leje, i konfiskuar dhe i vendosur në funksion të Kadastrës, ta konsiderojë si pronë të ndërtuesve të paligjshëm.

Ndër të tjera, ai thekson se prokurorja Gjeli dhe gjykatësi Balliu nuk janë të vetmit që “mbajnë gjallë” në sistemin tonë të drejtësisë.

“Pas prokurores Gjeli, e cila e konsideroi krimin e ndërtimit të një fshati të tërë turistik pa leje në zemër të Thethit, si një zhvillim të natyrës dhe as nuk hapi fare hetime, duke u vendosur hapur në llogoren e Antiligjit e të Antishtetit kundër interesave të Republikës së Shqipërisë, dje u shfaq në të njëjtën llogore gjykatësi Balliu, i cili një pallat të tërë pa leje të konfiskuar nga shteti në mes të Tiranë dhe të vendosur në funksion të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, e konsideroi si pronë legjitime të ndërtimtarëve të paligjshëm, duke vendosur masë sigurie në favor të tyre.

Fatkeqësisht as Gjeli as Balliu, nuk janë të vetmit prokurorë e gjykatës që po mbajnë gjallë në sistemin tonë të drejtësisë forcën e vjetër brutale të Antiligjit e të Antishtetit në dëm të interesave të shtetit, të komunitetit e të njerëzve të zakonshëm të këtij vendi, sa herë që përballë tyre gjenden subjekte të biznesit të madh.

Pyetja që rilind në vend të ulërimës së revoltës edhe në këtë rast është, ku janë institucionet e pavarura të qeverisjes së gjyqësorit e të kontrollit të këtyre shpërdoruesve të pavarësisë së drejtësisë, të cilat prej kohësh po provojnë inekzistencën e tyre në raport me abuzime ulëritëse prokurorësh e gjykatësish të çdo niveli?

Njerëzit që na votojnë e kërkojnë llogarinë tek ne për qëndrimet Antiligj e Antishtet të njerëzve të drejtësisë së pavarësuar totalisht nga ekzekutivi.

Po ne ku ta kërkojmë llogarinë në emër të interesave të tyre dhe të vetë shtetit, për këto e shumë thika të tjera pas shpinës që Republika jonë dhe plot qytetarë të saj marrin nga Gjelat e Ballinjtë brenda sistemit të drejtësisë, të cilët paguhen prej taksave të shqiptarëve më shumë e shumë më shumë se sa të gjithë rrogëtarët e tjerë të këtij shteti.

Një gjë është pak po e sigurtë: Mandatin e fortë për ta bërë Shqipërinë 2030 shtet të së drejtës, anëtar të Bashkimit Europian, shqiptarët nuk e na e dhanë për të ngritur duart lart përballë Gjelave të prokurorive e Ballinjve të gjykatave, qoftë kur shqelmojnë Republikën qoftë kur grushtojnë njerëzit që meritojnë drejtësi, vetëm drejtësi dhe as më shumë e as më pak se sa drejtësi.

Drejtësia vonon po nuk harron, thotë Populli. Për të gjithë”, shkruan Rama.

Prostitucion në një apartament në Elbasan, arrestohen 2 shtetase nga Kazakistani

Policia e Elbasanit ka vënë në pranga 2 shtetase nga Kazakistani, pasi ushtronin prostitucion në një apartament të marrë me qira, në lagjen “5 Maji”.

Po ashtu është proceduar penalisht pronarja e apartamentit.

Uniformat blu kanë sekuestruar shuma parash në valuta të ndryshme, 3 celularë dhe dokumentet e 2 shtetaseve të arrestuara.

“Rreth 1 javë më parë, Policia e Elbasanit zbuloi dy apartamente të tjera të marra me qira, nga shtetase të huaja, për të ushtruar prostitucion.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve, si rezultat i një hetimi të kryer me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë, për goditjen e një rasti të ushtrimit të prostitucionit, finalizuan operacionin “Booking”, gjatë të cilit u zbulua apartamenti në lagjen “5 Maji”, ku kryhej kjo veprimtari.

Për këtë rast u arrestuan në flagrancë shtetaset nga Kazakistani, A. A., 34 vjeç dhe A. A., 27 vjeç, si dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen R. Ç., 42 vjeçe, banuese në Elbasan.

Nga veprimet hetimore rezultoi se shtetaset e huaja ushtronin prostitucion në apartamentin e marrë me qira nga 42-vjeçarja”, njofton policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Elbasanit, për veprime të mëtejshme./Opinion.al

Ndez zjarr pranë rezervuarit dhe dogji dhjetëra rrënjë ulliri, arrestohet 41-vjeçari

Policia ka vënë në pranga një 41-vjeçar, pasi ndezi zjarr në afërsi të rezervuarit të fshatit Kryekuq, dhe si pasojë u dogjën dhjetëra rrënjë ulliri.

Si pasojë e përhapjes së flakëve janë djegur 70 rrënjë ulliri në pronësi të një shtetaseje.

“Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale, me qëllim identifikimin dhe nxjerrjen para përgjegjësisë penale të autorëve të rasteve të zjarrvënieve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Divjakë arrestuan në flagrancë shtetasin D. T., 41 vjeç, banues në fshatin Kryekuq.

41-vjeçari dyshohet se ka ndezur zjarr në afërsi të rezervuarit të fshatit ku banonte, për të pastruar një sipërfaqe toke nga barishtet.

Si pasojë e përhapjes së flakëve janë djegur 70 rrënjë ulliri në pronësi të një shtetaseje”, njofton policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme./Opinion.al

Marrëveshja për emigrantët, Gjykata Europiane e Drejtësisë rrëzon qeverinë italiane

Gjykata Europiane e Drejtësisë (GJED) ka rrëzuar qeverinë italiane dhe i ka dhënë të drejtë padisë kundër procedurës së kufirit në qendrat e pritjes së emigrantëve në Shqipëri.

“Përcaktimi i vendeve të treta si vende të sigurta origjine duhet të jetë i mundur të rishikohet në mënyrë efektive nga gjykata”, ka vendosur GJED, duke vënë në pikëpyetje përdorimin e plotë të qendrave të ngritura në Shqipëri, sipas asaj që shkruan La Repubblica.

Prej muajsh tashmë, ato janë përdorur vetëm për të strehuar 25-30 emigrantë, ndërsa mbeten bosh rreth 400 vende që, sipas projektit fillestar të kryeministres Giorgia Meloni, do të duhej të strehonin kërkuesit e azilit të shpëtuar në det.

Çfarë vendosi gjykata?

Sipas gjykatës, një shtetas i një vendi të tretë mund të përballet me refuzimin e kërkesës së tij për mbrojtje ndërkombëtare nëpërmjet një procedure të përshpejtuar kufitare, nëse vendi i tij i origjinës është shpallur “i sigurt” nga një shtet anëtar.

Gjykata sqaron se një shpallje e tillë mund të bëhet përmes një akti ligjor, për sa kohë që ai akt mund të jetë objekt i një kontrolli gjyqësor efektiv, në lidhje me respektimin e kritereve thelbësore të përcaktuara nga e drejta e Bashkimit Evropian.

Së fundi, Gjykata thekson se, deri në hyrjen në fuqi të një rregulloreje të re që do të zëvendësojë direktivën aktuale, një shtet anëtar nuk mund të shpallë si vend “të sigurt” një vend të tretë që nuk përmbush, për kategori të caktuara personash, kushtet thelbësore për një shpallje të tillë.

Rregullorja e re, e cila do të lejojë parashikimin e përjashtimeve për kategori të qarta dhe të identifikueshme personash, do të hyjë në fuqi më 12 qershor 2026, megjithatë, legjislatori i BE-së mund ta përshpejtojë këtë afat.

Padia nga gjykatat italiane

Gjyqtarët e disa gjykatave italiane, përfshirë edhe Gjykatën e Kasacionit, të cilës iu drejtua Ministria e Brendshme Italiane pas vendimeve të përsëritura për anulimin e mbajtjes së emigrantëve në Shqipëri (por edhe në dy qendra të tjera në Itali për kërkuesit e azilit) iu drejtuan Gjykatës së Drejtësisë së BE-së me dy pyetje:

Pyetja e parë kishte të bënte me vetë përkufizimin e një vendi si “i sigurt”, edhe kur ekzistojnë kategori personash ose zona në rrezik. Edhe pse çdo qeveri ka të drejtën të përcaktojë listën e vendeve të sigurta, përfshirja e një shteti në atë listë nuk duhet të ndodhë nëse ai nuk i plotëson kushtet përkatëse.

Pyetja e dytë lidhej me mundësinë për të përfshirë në listë vende ku është konstatuar shkelja e të drejtave themelore dhe të panegociueshme të njeriut, sipas Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në dëm të një ose më shumë kategorive të njerëzve.

Ndikimi i vendimit mbi qeverinë

Me këtë vendim nuk do të jetë më e mundur të rikthehen fillimisht në qendrën pritëse në Shëngjin dhe më pas në Gjadër, emigrantët e shpëtuar në det nga anijet ushtarake italiane dhe që vijnë nga vende që Italia i konsideron si të sigurta, pra emigrantë që, sipas qeverisë, duhet të kthehen shpejt në vendet e tyre, sapo të përfundojë procedura e përshpejtuar kufitare.

Ky ishte një projekt që qeveria italiane ishte detyruar ta braktiste muajt e fundit, pasi shumë gjyqtarë italianë kishin konsideruar se rregullat ishin në kundërshtim me një vendim të mëparshëm të Gjykatës së Drejtësisë së BE-së të tetorit 2024, dhe për këtë arsye i kishin drejtuar vetë Gjykatës pyetje paraprake mbi interpretimin e duhur të konceptit të “vendit të sigurt”.

Interpretimi i dhënë nga Gjykata e Drejtësisë i thotë gjyqtarëve italianë se ndërhyrja e tyre për të anuluar ndalimin e emigrantëve që vijnë nga një shtet i përfshirë nga qeveria në listën e vendeve të sigurta është e ligjshme.

La Repubblica shkruan se ky vendim e gjen të papërgatitur qeverinë e Melonit, e cila kishte llogaritur shumë një vendim në favor të saj.

Kjo bazuar edhe në ato që kishte parë të paralajmëruar në muajt e fundit nga qëndrimet politike të shumicës së shteteve të përfaqësuara në Gjykatën e Drejtësisë së BE-së, si dhe nga përputhshmëria me direktivën e re për kthimet, që pritet të hyjë në fuqi vitin e ardhshëm, menjëherë pas zbatimit të Paktit të ri për Migracionin dhe Azilin.

Kujtojmë se në mars qeveria e Melonit vendosi të ndryshojë funksionin te qendrat e emigrantëve në Shëngjin dhe në Gjadër.

Nëse më parë ato ishin konceptuar për mbajtjen e emigrantëve të shpëtuar në ujërat ndërkombëtare, tashmë përdoren për strehimin e atyre që u është refuzuar azili dhe që janë në pritje të riatdhesimit.

Por edhe për këtë, Meloni ka hasur telashe pasi Gjykata e Lartë në Romë kërkoi opinionin e Gjykatës Europiane të Drejtësisë për rastet e dërgimit të dy emigrantëve, duke ngritur pikëpyetje për qëllimet për të cilat po shfrytëzohet aktualisht kjo qendër.

Në rastin e parë, kërkohet opinion për përputhshmërinë e dërgimit nga Italia në kampin e Shqipërisë të azilkërkuesve të refuzuar me qëllim riatdhesimin.

Ndërsa në rastin e dytë, opinioni kërkohet për dërgimin në Gjadër të azilkërkuesve të hyrë në mënyrë të paligjshme./tvklan

Tropojë/I shpallur në kërkim për kultivim të bimëve narkotike, arrestohet 29-vjeçari

Një 29-vjeçar ka rënë në prangat e Policisë së Tropojës, pasi ishte shpallur në kërkim për kultivim të bimëve narkotike.

Sipas uniformave blu mësohet se 29-vjeçari me iniciale Gj. P., ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë, në vijim të punës për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, pas punë të mirorganizuar, finalizuan operacionin policor të koduar “Lekbibaj”, si rezultat i të cilit, në vendin e quajtur “Kodra e Markajve”, Lekbibaj, kapën shtetasin:

Gj. P., 29 vjeç, banues në fshatin Mserr.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Shtetasi Gj. P. dyshohet se ka kultivuar bimë narkotike, në vitin 2022, në fshatin Mserr”, njofton policia.

“Indeksi që rrëzon…”/Tabaku: Shqipëria ka një krizë të sajuar nga vetë qeveria

Deputetja e PD dhe Kryetarja e Komisionit për Çështjet Europiane, Jorida Tabaku, ka reaguar pas publikimit të Indeksit të Biznesit nga Dhoma Amerikane e Tregtisë, duke e cilësuar atë si një dëshmi të qartë të dështimit ekonomik të qeverisë dhe një reflektim real të situatës që përballin bizneset në Shqipëri.

Në një analizë të publikuar në rrjetet sociale, Tabaku ka bërë një krahasim të të dhënave të indeksit që prej vitit 2013, duke vënë në dukje se problemet themelore të ekonomisë shqiptare nuk kanë ndryshuar, pavarësisht propagandës për reforma dhe zhvillim.

“Vit pas viti, bizneset në Shqipëri përballen me të njëjtat plagë: informalitet, monopole, korrupsion dhe burokraci,” shkruan Tabaku, duke theksuar se çdo fushatë e qeverisë është ndërtuar mbi premtime të pambajtura nga lufta ndaj informalitetit, te digjitalizimi e deri te shpresa se turizmi do të shpëtojë ekonominë.

Sipas saj, problemet nuk burojnë nga tregu, por nga ndërhyrja e drejtpërdrejtë e pushtetit, përmes ligjeve me porosi dhe qokave klienteliste që mbyllin tregun dhe ndëshkojnë konkurrencën e ndershme.

“Kemi një krizë të sajuar me duart e një qeverie që nuk ka punuar për qytetarët, por ka ndërtuar një sistem të padrejtë,” deklaron Tabaku, duke shtuar se sistemi aktual takson më shumë se sa qytetarët fitojnë dhe i bën barrë të padrejtësisë ekonomike të gjithë ata që punojnë ndershmërisht.

Deputetja e PD thekson se biznesi shqiptar nuk ka nevojë për slogane, por për ndershmëri, konkurrencë të lirë dhe rregulla që vlejnë për të gjithë.

Ajo e mbyll reagimin e saj me një apel të qartë për ndryshim:

“Shqipëria ka nevojë për një ndryshim të vërtetë. Jo për një tjetër shfaqje.”

Goditën me thikë një 42-vjeçar gjatë një konflikti, vihen në pranga 2 vëllezër

Policia ka vënë në pranga 2 vëllezër, pasi goditën me sende të forta dhe me thikë një 42-vjeçar, gjatë një konflikti për motive të dobëta.

Mësohet se dy shtetasit akuzohen për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja, prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Personit arrestuan shtetasit:

-B. B., 38 vjeç, dhe B. B., 41 vjeç (vëllezër), për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja, prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, pasi dyshohet se dje, në lagjen “Tre Heronjtë”, gjatë një konflikti për motive të dobëta, kanë goditur me sende të forta dhe me mjet prerës (thikë), shtetasin B. B., 42 vjeç, i cili po merr mjekim në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Mjeti prerës (thikë) u sekuestrua në cilësinë e provës materiale”, njofton policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Ndezën zjarre në fshatrat Gosë e Madhe e Luz i Madh, procedohen penalisht dy shtetas

Policia ka proceduar penalisht 2 shtetas, pasi ndezën zjarre në fshatrat Gosë e Madhe dhe Luz i Madh.

Mësohet se ka nisur procedimi në gjendje të lirë për shtetasit R. S., 66 vjeç, banues në fshatin Gosë e Madhe dhe F. K., 70 vjeç, banues në fshatin Luz i Madh.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, mbrëmjen e djeshme, sapo morën njoftimin se kishte rënë zjarr në dy fshatra në Kavajë, janë nisur menjëherë drejt vendngjarjes.

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore, shërbimet e Policisë bënë të mundur identifikimin e autorëve të dyshuar, shtetasve R. S. dhe F. K., të cilët dyshohet se kanë ndezur zjarr për djegien e mbeturinave dhe si pasojë e përhapjes së flakëve janë djegur dy sipërfaqe toke në pronësi të tyre.

Në vijim të veprimeve, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit R. S., 66 vjeç, banues në fshatin Gosë e Madhe dhe F. K., 70 vjeç, banues në fshatin Luz i Madh. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë”, njofton policia.

GJKKO liron nga arresti i shtëpisë kryetarin e Bashkisë së Tropojës, Rexhë Byberi

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka liruar nga masa arrest në shtëpi, kryetarin e Bashkisë së Tropojës, Rexhë Byberin si dhe nënkryetarin Abedin Kërnaja.

Ata po hetohen për shpërdorim detyre.

Togat e zeza vendosën detyrim paraqitje një herë në muaj për ta.

Sipas avokatëve ndaj Byberit dhe Kërnajës kishte mbaruar afati 6-mujor i masës së sigurisë duke marrë si referencë vendimin e Gjykatës Kushtetuese ndaj Mimoza Margjekës.

Sipas tvklan, gjatë seancës gjykata i la detyra prokurorit të çështjes të pyesë ekspertët të cilët kanë përcaktuar dënimin e shkaktuar nga hapja e një rruge në Bashkinë e Tropojës.

Sipas prokurorisë, drejtuesi i bashkisë gjatë procesit për hapjen e rrugës me gjatës 3.2 kilometra, e cila në pjesën dërrmuese kalonte nëpër rrugën këmbësore ekzistuese, duhej të aplikonte në sistemin elektronik e-leje pranë Bashkisë Tropojë, si institucioni vendor që ka tagrit të shqyrtojë dhe miratojë lejen e ndërtimit të infrastrukturës.

Prokuroria thotë së “Bashkia Tropojë duhej të bashkëvepronte me institucionet e tjera kompetente për ndërtimin e rrugës si: Agjencia Kombëtare e Mjedisit për hartimin e Raportit të Vlerësimit për ndikimin në mjedis, si edhe me Ministrinë e linjës, për impaktin e ndërtimit të rrugës së re dhe pasojat e këtyre punimeve të ndërtimit”.

Nga këto veprime dhe mosveprime, sipas SPAK është shkaktuar një dëm prej mbi 277 milionë lekë.

❌