Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Martesa në kohën e emigracionit, një sport ekstrem i rrezikshëm 

Nga Leonard Veizi

Të martohesh në Shqipëri, duket se po kthehet në një sport ekstrem, një sfidë që vetëm më të guximshmit dhe më të ‘çmendurit’ e ndërmarrin…

…Në modernitetin e epokës që po jetojmë, – që duket sikur lëviz me shpejtësinë e dritës, – ku dëshira për një jetë më të mirë shpesh na shpie larg shtëpisë, dashuria dhe martesa po kthehen në një metaforë të brishtë. Si mund të ndërtohet një jetë familjare në një kohë kur rruga drejt lumturisë është e mbushur me pengesa të paimagjinueshme? Ky realitet i ashpër, ku ëndrrat për të ardhmen përplasen me realitetin e hidhur të emigracionit dhe vështirësive ekonomike, po e kthen martesën në Shqipëri në një “sport” për të fortët, ku shpirti dhe zemra vihen në provë si kurrë më parë.

Statistikat e zbehura të martesës

Të dhënat e fundit nga INSTAT për vitin 2024 flasin vetë: numri i martesave në Shqipëri ka rënë në nivelin më të ulët që nga fillimi i viteve ’90. Vetëm 16,120 çifte vendosën të lidhin fatet e tyre, një shifër alarmante që tregon se martesat po kthehen në një “specie në zhdukje”.

E pranoni për bashkëshorte shoqen Eva? – pyeste nëpunësi i Gjëndjes Civile, Danen, që spo linte dy gurë bashkë të zbriste nga fshati në qytet.

-Po.

E pranoni për bashkëshort shokun Ramadan? – vazhdonte nëpunësi i Gjëndjes Civile tek filmi “Shkëlqim i Përkohshëm”

-Jo.

Martesa nuk u bë.

Ky fenomen nuk është rastësor. Ai është një pasqyrim i drejtpërdrejtë i dy plagëve kryesore që po e gërryejnë shoqërinë shqiptare: emigracioni masiv dhe kriza ekonomike. Si mund të martohen të rinjtë kur gjysma e tyre janë larg vendit dhe tjetra po lëviz për t’u larguar?

Emigracioni dhe kriza ekonomike

Sipas Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), Shqipëria ka një nga shkallët më të larta të emigracionit në Evropë. Kjo “hemorragji” demografike, që i ka zhveshur qytetet dhe fshatrat nga shtresa më e re dhe më produktive, ka krijuar një hendek të thellë social. Shumë të rinj, të cilët ndërtojnë jetën e tyre jashtë vendit, e kanë të vështirë të krijojnë familje dhe të martohen me partnerë që jetojnë ende në Shqipëri.

Për ata që mbeten, lufta është me realitetin ekonomik. Çmimet e banesave kanë arritur nivele të papërballueshme, duke e kthyer blerjen e një prone në një ëndërr të largët pa një hipotekë afatgjatë. Ky realitet i detyron të rinjtë të punojnë në disa vende pune njëkohësisht, duke lënë pak vend për planifikimin e një të ardhmeje familjare. Si mund të nisë një çift një jetë të re kur bazat financiare janë aq të pasigurta?

Një thirrje e papërgjigjur nga politika

Në një kohë kur statistikat flasin qartë, politikanët vazhdojnë të bëjnë thirrje boshe për “rritje të natalitetit”. Por kjo rritje nuk arrihet me fjalë, por me veprime konkrete. Mungesa e paketave stimuluese për çiftet e reja – si kredi të buta, mbështetje për strehimin dhe punësimin – tregon se vëmendja e qeverisë është e fokusuar diku tjetër, shpesh te koncesionet dhe projektet që nuk sjellin ndihmë të drejtpërdrejtë për familjet.

Si rezultat, Shqipëria rrezikon të kthehet në një “realitet-shou” të quajtur “Kush rri më gjatë beqar pa u lëkundur”. Martesa, dikur një simbol i shpresës dhe i një të ardhmeje, rrezikon të bëhet një eksponat në muze. Ky realitet tragjik na bën të reflektojmë: çfarë duhet të ndodhë që dashuria dhe ëndrrat për familje të mos jenë më një sport ekstrem, por një rrugë e mundshme për të gjithë?

Kreditë e buta për shtëpi nga Bashkia, zbardhet vendimi, ja sa familje përfitojnë

Këshilli Bashkiak i Tiranës shpalli një ditë më parë 1100 fitues të kredive të buta për shtëpi. Përfituesve iu subvencionohen interesat e kredive nga buxheti i shtetit për blerjen e një apartamenti në Tiranë. Ata kanë një vit e gjysmë afat të gjejnë shtëpinë, në të kundërt iu digjet si mundësi.

“Afati maksimal për kryerjen e procedurave të përfitimit të kredisë është 18 (tetëmbëdhjetë) muaj nga data e protokollimit të listës emërore pranë institucionit, që monitoron subvencionimin e interesave të kredisë”, përcaktohet në projektvendim.

Pas miratimit të listës nga këshilli bashkiak, fituesit duhet të paraqiten në bankën e nivelit të dytë me të cilën Bashkia e Tiranës ka lidhur marrëveshje me qëllim përfitimin e kredisë së butë, që financon blerjen e shtëpisë.

SUBVENCIONIMI I INTERESAVE

Programi për subvencionimin e interesave të kredive që zbatohet prej disa vitesh, synon të ulë barrën financiare për individët dhe familjet me të ardhura të ulëta, duke subvencionuar një pjesë të normës së interesit të kredisë për blerje shtëpie nga fondet e buxhetit të shtetit. Ndërsa nga përfituesit, kredia do të paguhet deri në fund të afatit të shlyerjes me interes 3%.

“1,001 (njëmijë e një) dosje aplikimesh individ/familje kanë rezultuar me dokumentacion të rregullt, konform parashikimeve të Anekseve nr. 1 dhe 3 bashkëlidhur dhe pjesë përbërëse e vendimit nr. 103 datë 08.10.2024, të Këshillit Bashkiak, “Për miratimin e sistemit të pikëzimit, nivelit minimal dhe maksimal të të ardhurave dhe dokumentacionit që duhet të plotësojnë individët/familjet për t’u trajtuar me programin e subvencionimit të familjeve që përfitojnë kredi të lehtësuara nga shteti”, përcaktohet në projektvendimin e “Për miratimin e familjeve që përfitojnë nga programi social “Subvencionimi i interesave të kredisë” i financuar me fondet e buxhetit të shtetit, në bashkinë e Tiranës”. Shpallja e fituesve kaloi në dy faza.

Në total për programin aplikuan 2,337 individë, ku u përzgjodhën rreth 42% e tyre që plotësonin dokumentacionin e kërkuar nga programi për subvencionimin e interesit të kredive, si dhe limitin e lejuar të të ardhurave mujore. Programi u jep përparësi familjeve të reja, të rinjve nën 40 vjeç dhe familjeve njëprindërore me fëmijë.

ANKIMIMI

Ndërsa individët apo familjet që nuk janë shpallur përfitues nga programi social “Subvencionimi i interesave të kredisë”, kanë të drejtën e ankimit administrativ, pranë kryetarit të bashkisë, brenda 5 ditëve pune nga momenti i shpalljes publike të listës së përfituesve. Ankimi duhet të depozitohet pranë zyrave të Bashkisë Tiranë dhe përcillet pranë Drejtorisë së Përgjithshme Juridike, Aseteve dhe Licencimit, e cila së bashku me dosjen e ankuesit ia paraqet kryetarit të bashkisë, i cili brenda 7 ditëve pune del me vendim në lidhje me ankimin e paraqitur nga ankuesit.

Përmes programit të subvencionimit të kredive për shtëpi, përfituesit marrin kredi në vlera të ndryshme, bazuar në numrin e anëtarëve. Shuma minimale e kredisë nis nga 5,5 milionë lekë për 1 persona. Për 2 persona, për strukturë apartamenti 1+1 vlera e financimit është 6,8 milionë lekë. Për një hyrje 2+1 lëvrohen 10 milionë lekë dhe për apartament 3+1 për një familje mbi 5 anëtarë lëvrohen 12,4 milionë lekë kredi.

Fazat e përzgjedhjes së fituesve, 954 aplikues nuk përmbushën kriteret

Në projektvendim shpjegohet se në fazën e parë u shpallën 2,337 aplikime janë shpallur fituese, ndërsa 954 aplikime nuk kanë kaluar kriteret e përcaktuara. Faza e parë konsiston me paraqitjen e aplikimit të çdo aplikanti/ familje, nëpërmjet portalit qeveritar “e-Albania” (Faza 1), brenda 30 ditëve kalendarike nga njoftimi publik për hapjen e thirrjes, duke zgjedhur shërbimin “Kërkesë për të përfituar nga programet e strehimit social. Të gjithë qytetarët e shpallur fitues duhet të plotësonin dhe dorëzonin formularin e strehimit elektronikisht në portalin e-Albania, duke bashkëngjitur dokumentacionin e kërkuar. Dokumentet duhet të dorëzoheshin nga data 4 shkurt deri më 4 mars 2025, pranë Sektorit të Informimit dhe Shërbimeve për Qytetarët në Bashkinë Tiranë, ose me postë, në adresën zyrtare të Bashkisë Tiranë.

Në përfundim të afateve përkatëse të fazës së dytë (nga data 04.02.2025 deri më 04.03.2025), janë administruar dhe shqyrtuar në total një numër prej 1884 aplikime, nga të cilat janë skualifikuar për mungesë dhe/ose problematikë dokumentacioni 817 dosje. Gjithashtu, Drejtoria e Programeve Sociale dhe Monitorimit të Strehimit ka seleksionuar si të rregullta 1067 aplikime, të cilat i janë përcjellë për shqyrtim të mëtejshëm pranë Komisionit të Strehimit të ngritur me vendimin nr. 11, datë 05.02.2020, të ndryshuar, të Këshillit Bashkiak, duke i bashkëlidhur edhe listën e inventarit që përmban të dhënat për të gjithë dokumentacionin e dorëzuar nga aplikuesit. Më tej, Komisioni i strehimit, ka renditur sipas formulës së pikëzimit listën e individëve/ familjeve të cilët rezultojnë me dokumentacion të rregullt sipas kuadrit ligjor në fuqi.

Në përfundim të shqyrtimit të dokumentacionit, ky komision shqyrtoi në total një numër prej 1067 (njëmijë e gjashtëdhjetë e shtatë) aplikimesh, prej të cilave rezulton si më poshtë: Numri i dosjeve të skualifikuara në total është 66 (gjashtëdhjetë e gjashtë), si më poshtë: – 50 (dyzetë e nëntë) aplikues me dokumentacion jo të rregullt ose nuk plotësojnë kushtet e parashikuara në vendimin nr. 103 datë 08.10.2024, i Këshillit Bashkiak “Për miratimin e sistemit të pikëzimit, nivelit minimal dhe maksimal të të ardhurave dhe dokumentacionit që duhet të plotësojnë individët/familjet për t’u trajtuar me programin e subvencionimit të familjeve që përfitojnë kredi të lehtësuara nga shteti”; – 15 (pesëmbëdhjetë) Aplikime rezultojnë me të ardhura familjare mbi limitin e përcaktuar në njoftimin publik me anë të shkresës nr. 47528 prot., datë 12.12.2024; – 1 (një) Aplikim ka rezultuar nën limitin e të ardhurave, e përcaktuar në njoftimin publik me anë të shkresës nr. 47528 prot., datë 12.12.2024.

Numri i dosjeve të cilat disponojnë dokumentacion të rregullt konform Aneksit nr. 1 dhe 3 të vendimit 103/2024 të Këshillit Bashkiak si dhe njoftimin publik me anë të shkresës nr. 47528 prot., datë 12.12.2024. – 1001 (njëmijë e një) dosje aplikimesh individ/familje kanë rezultuar me dokumentacion të rregullt, konform parashikimeve të Anekseve nr. 1 dhe 3 bashkëlidhur dhe pjesë përbërëse e vendimit nr. 103 datë 08.10.2024, të Këshillit Bashkiak, “Për miratimin e sistemit të pikëzimit, nivelit minimal dhe maksimal të të ardhurave dhe dokumentacionit që duhet të plotësojnë individët/familjet për t’u trajtuar me programin e subvencionimit të familjeve që përfitojnë kredi të lehtësuara nga shteti”, si dhe njoftimit publik me anë të shkresës nr. 47528 prot., datë 12.12.2024./e.t

Raporti për farsën/ Berisha: Në 10 qershor gati dosja për kancelaritë europiane

Kreu i Partisë Demokratike deklaron se zgjedhjet e 11 majit ishin të manipuluara dhe se raporti përfundimtar do t’u dërgohet institucioneve ndërkombëtare në 10 qershor. Në këtë raport janë të përfshira akuza për përfshirje të krimit të organizuar dhe denoncime për qeverinë Rama.

Brenda dhjetë ditësh, Partia Demokratike do të përfundojë raportin përfundimtar mbi atë që e cilëson si një nga manipulimet më të rënda zgjedhore në historinë e Shqipërisë. Lajmin e bëri të ditur kreu i PD, Sali Berisha, gjatë një konference për media të mbajtur këtë të premte, ku deklaroi se ky dokument do t’u dorëzohet të gjitha kancelarive të vendeve anëtare të OSBE-së, Bashkimit Europian, Këshillit të Europës dhe organizatave ndërkombëtare vëzhguese.“Raporti përfundimtar do të jetë gati më 10 qershor dhe do të shpërndahet në çdo kancelari perëndimore që ndjek zhvillimet në Shqipëri. Deri atëherë, kemi shpërndarë raportin paraprak, i cili përmban denoncimet më të rënda për parregullsi dhe manipulime që kanë ndodhur më 11 maj,” u shpreh Berisha. Ai deklaroi gjithashtu se për shkak të dërgimit të raportit paraprak, disa liderë ndërkombëtarë kanë refuzuar të urojnë Edi Ramën për rezultatin elektoral. “Kërkesa të panumërta janë shpërndarë për të marrë urime, por ato nuk po vijnë. Statuse nuk postohen, sepse zgjedhjet i kanë ngecur në fyt,” tha ai me ironi. Në vijim të akuzave të forta, Berisha publikoi edhe pamje filmike, që sipas tij, provojnë praninë e “zyrave paralele” të Partisë Socialiste në afërsi të qendrave të votimit. Ai i cilësoi këto si “shtabe të manipulimit zgjedhor” dhe përmendi emra zyrtarësh që, sipas tij, janë përfshirë drejtpërdrejt në blerje votash, përfshirë Enkelejda Ymerajn. Berisha akuzoi se zgjedhjet në Tiranë u dominuan nga grupe kriminale si “Hakmarrja për Drejtësi”, segmentet e bandës së Shullazit dhe grupi i Xhabaftëve. “Tirana ishte e rrethuar nga krimi, nga killerë, trafikantë dhe struktura mafioze që ndihmuan manipulimin elektoral”, tha ai. I pyetur për kërkesat e kandidatëve të PD-së për rinumërim votash preferenciale, Berisha theksoi se çdo individ ka të drejtë të kërkojë transparencë dhe se partia i mbështet të gjitha iniciativat ligjore për këtë qëllim. “Ne nuk ndalojmë askënd. Përkundrazi, i kemi udhëzuar strukturat që të ndihmojnë në çdo rast ku kërkohet e vërteta,” shtoi ai.  Kryetari i PD, Sali Berisha tha se Lulzim Basha nuk denoncoi farsën elektorale, por u fokusua te ruajtja e karriges së tij. Berisha shtoi se kishte paralajmëruar për manipulimin e zgjedhjeve që më 27 prill dhe se PD duhet të faktojë parregullsitë përpara se të bëjë analizën e brendshme. Sipas Berishës, Basha kishte një projekt tjetër, një marrëveshje të heshtur, që u duk edhe në deklaratën ku “të dy palët shpalleshin fitimtare”. Ai theksoi se PD sot është e hapur dhe po punon seriozisht për të denoncuar zgjedhjet, një proces që kërkon punë të madhe. Berisha ironizoi përpjekjet e Edi Ramës për të marrë urime ndërkombëtare, që sipas tij, nuk po vijnë. Kryetari i PD, Sali Berisha i cilësoi zgjedhjet e fundit si një farsë dy herë më të madhe se ajo e vitit 2021 dhe tha se është në një mision për të mbrojtur votën, si një e drejtë themelore për një shoqëri të lirë. Berisha akuzoi qeverinë se ka shkrirë shtetin me krimin dhe drogën, duke përdorur propagandë për të justifikuar manipulimin. Lideri democrat, Sali Berisha tha se me Edi Ramën nuk mund të ketë zgjedhje të ndershme dhe se opozita po punon për të denoncuar farsën dhe për të bindur çdo qytetar për realitetin e manipulimeve.

Ambasada e SHBA-së “uron thatë” për zgjedhjet e 11 majit

Ndërsa opozita po mbetet dyerve të institucioneve për të gjetur të vërtetën e saj pretenduar për “zgjedhje të manipuluara” Shtetet e Bashkuara të Amerikës reaguan dje në një mesazh të thatë, por fort diplomatik i cili po lexohet herë si “urim për zgjedhjet” dhe herë si “pikëpyetje” për mbështetjen e qeverisë.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka reaguar për herë të parë lidhur me zgjedhjet parlamentare të 11 majit, duke dhënë një mesazh që në mënyrë të tërthortë shihet si një njohje e legjitimitetit të procesit zgjedhor në vend. Përmes një postimi të shkurtër në rrjetet sociale, ambasada amerikane ka përgëzuar qytetarët shqiptarë për zgjedhjet dhe ka theksuar se SHBA pret të vijojë partneritetin e ngushtë me Shqipërinë. “Urojmë popullin e Shqipërisë për zgjedhjet parlamentare dhe presim të vazhdojmë partneritetin tonë të ngushtë me Shqipërinë.”, thuhet në deklaratë. Ky reagim i ambasadës interpretohet si një mesazh stabiliteti dhe vazhdimësie në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, dhe në të njëjtën kohë si një miratim i heshtur për rezultatin e zgjedhjeve, ndonëse pa hyrë në vlerësime të drejtpërdrejta për standardet apo klimën e procesit. Krahasuar me zgjedhjet e tjera mesazhi i ambasadës së SHBA-ve nuk është i njëjtë. Në mesazhin e fundit nuk përmendet bashkëpunimi me qeverinë, apo urimi në vetë të parë për kryeministrin Edi Rama. Më shumë duket një mesazh kalimthi sa për të vënë emrin në rreshtin e shteteve të tjera, por kur mesazh I thatë vjen nga SHBA, edhe vetë thatësia lë shumë nënkuptime. Ndërkohë, në kampin opozitar situata mbetet e tensionuar. Partia Demokratike dhe aleatët e saj kanë deklaruar se nuk e njohin rezultatin përfundimtar, duke ngritur një sërë dyshimesh për manipulime në procesin e votimit dhe numërimit. Kryetari i PD-së Sali Berishë, në daljet e tij për mediat, shprehet se zgjedhjet u zhvilluan “nën klimën e frikësimit, abuzimit me pushtetin dhe mungesës së garancive të barabarta për të gjithë aktorët politikë.” Opozita ka dorëzuar zyrtarisht kërkesa për rinumërim votash në qarqet e Tiranës, Durrësit, Korçës dhe disa zona të tjera, duke paralajmëruar se nuk do të qëndrojë pasive nëse KQZ nuk i trajton seriozisht këto pretendime. Nga ana tjetër, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka konfirmuar se është në proces të shqyrtimit të kërkesave të paraqitura nga subjektet zgjedhore dhe do të veprojë në përputhje me Kodin Zgjedhor dhe afatet e përcaktuara për ankimimet. Zyrtarisht, rezultati paraprak është shpallur dhe janë ndarë mandatet. SHBA, si një nga partnerët strategjikë më të rëndësishëm të Shqipërisë, ka ndjekur prej vitesh nga afër çdo proces zgjedhor në vend, shpesh duke dhënë mesazhe të qarta për nevojën e standardeve demokratike dhe reformave zgjedhore. Këtë herë, edhe pse reagimi ishte i shkurtër dhe i kujdesshëm, tonaliteti i tij sugjeron njohje të rezultatit dhe legjitimitet të procesit.

Reformimi/ Rama paralajmëron ndryshime në qeveri dhe PS

Pas fitores së mandatit të katërt, kryesocialisti Edi Rama tha se do të ketë një proces reflektimi të brendshëm dhe ndryshime në qeveri.  Ndërsa të “mërziturve” që humbën mandatin e deputetit dhe kanë shprehur pakënaqësi për procesin e numërimit të votave preferenciale Rama u pretoi karrierë tjetër dhe rikandidim.

 Kryetari i Partisë Socialiste dhe njëkohësisht Kryeministër i vendit, Edi Rama, ka paralajmëruar një fazë të re ndryshimesh dhe reformash të brendshme, që do të nisin nga muaji shtator, si pjesë e strategjisë së tij për të përballuar sfidat e mandatit të katërt qeverisës. Duke folur në një takim me deputetët socialistë të dalë nga zgjedhjet e 11 majit, kandidatët që garuan, si dhe ish-deputetët që nuk do të jenë më pjesë e Kuvendit, Rama theksoi nevojën për reflektim dhe përmirësim nga brenda radhëve të mazhorancës. “Kemi mësuar se për t’i arritur këto suksese, duhet një punë e madhe me veten. Duhet ta nisim nga vetja për të ndarë mendjen si duhet mbi disa gjëra që duhen parë ndryshe, dhe duhet të bëjmë disa gjëra ndryshe,” u shpreh ai, duke lënë të kuptohet se një ristrukturim në nivelet drejtuese të Partisë dhe qeverisë është i pashmangshëm. Rama deklaroi se për t’i dhënë kuptim mandatit të katërt dhe për ta shfrytëzuar atë maksimalisht, do të kërkohet një mirëkuptim i thelluar mes strukturave të brendshme të PS-së dhe partnerëve ndërkombëtarë, veçanërisht familjes europiane socialiste, me të cilën PS synon një lidhje më të ngushtë politike dhe strategjike “Duhet të bëjmë disa lëvizje në udhëheqjen e partisë dhe në qeveri. Na duhet një mirëkuptim i plotë mes nesh dhe me familjen tonë europiane, sepse do ta përdorim fuqinë e mandatit të katërt,” theksoi ai.

Mesazh për “humbësit”

Rama ndaloi edhe te pjesëtarët e Partisë Socialiste që nuk arritën të siguronin një vend në Kuvend në zgjedhjet e fundit, duke i inkurajuar që të mos e përjetojnë largimin si dështim personal. Sipas tij, ky moment duhet parë si një mundësi për rritje profesionale, dhe si pjesë e një procesi natyral të zhvillimit politik të një force të madhe. “Nuk ka garë individuale që mund ta humbasësh pa u mërzitur. Por ju siguroj se nëse do e shohin humbjen e vendit të punës si mundësi të re për një vend tjetër pune, si fitues të mandatit historik të 11 majit, atëherë jo vetëm do të jenë të dobishëm për këtë familje, por do ta pasurojnë karrierën e tyre profesionale,” tha Rama. Ai shtoi se askush nuk është përjashtuar përfundimisht dhe se garat e ardhshme do të sjellin mundësi të reja për të gjithë ata që vazhdojnë të kontribuojnë në mënyrë të ndershme dhe profesionale. “Dhe nëse do të rikthehen në Kuvend, do të garojnë përsëri në të ardhmen. Ajo që ka rëndësi është të qëndrojnë të lidhur me parimet dhe qëllimet tona.” Fjalimi i Ramës ishte i ngarkuar me tone vetëkritike dhe paralajmërime për një proces reformimi të thellë, që nuk do të kufizohet vetëm në emra të rinj apo lëvizje formale, por në një rindërtim të filozofisë së drejtimit, në përputhje me realitetin e ri politik dhe sfidat e integrimit europian. Në këtë kontekst, shtatori shihet si moment kyç i një riorganizimi të brendshëm, ku PS do të përpiqet të krijojë një model të ri drejtimi, sipas Ramës, më të përqendruar në meritokraci, transparencë dhe performancë, jo vetëm në qeverisje, por edhe në funksionimin e saj si forcë politike.

Mosnjohje e rezultatit/ Berisha kërkon qeveri teknike dhe zgjedhje të parakohshme

Kreu i PD shpall si zgjidhje emergjente krijimin e një qeverie teknike dhe zhvillimin e zgjedhjeve të reja, pasi i quan farsë zgjedhjet e 11 majit. Ai ka sjellë me fakte se si prodhoheshin fletët e votimit në Elbasan duke e qujatur atë si “trenin bullgar” të manipulimit të votave.

Partia Demokratike nuk e njeh rezultatin zgjedhor të 11 majit dhe kërkon krijimin e një qeverie teknike që do të garantojë, sipas saj, zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Lideri i opozitës, Sali Berisha, ka deklaruar se procesi zgjedhor ishte një farsë e orkestruar nga qeveria, nën ndikimin e krimit të organizuar dhe me metoda që, sipas tij, i përkasin një epoke tjetër. Në një deklaratë të gjatë për mediat, Berisha denoncoi zbatimin në terren të skemës së njohur si “treni bullgar”, një praktikë manipulimi që, sipas tij, është zbatuar në Elbasan dhe zona të tjera. Ai e krahasoi procesin me zgjedhjet në Zimbabve 30 vite më parë dhe shtoi se opozita nuk do të pranojë kurrë një rezultat të tillë, që nuk përfaqëson vullnetin e lirë të qytetarëve. “Ka vetëm një zgjidhje, një qeveri teknike dhe zgjedhje të reja ku shqiptarët të votojnë të lirë. Ne kemi me qindra dokumente që tregojnë se procesi u kthye në farsë”, deklaroi Berisha, duke shtuar se PD nuk do të ndalet derisa të rikthehet vota e lirë si e drejtë themelore në Shqipëri. Në krah të tij ndodheshin drejtues të degës së Elbasanit, ku sipas PD-së, janë konstatuar shkeljet më flagrante. Deputeti i zgjedhur Blendi Himçi raportoi se në një lokal të fshatit Pekisht, vëzhgues të PD-së kishin zbuluar materiale të dyshimta zgjedhore, përfshirë fletë votimi, lista dhe para në euro. I pyetur nëse Partia Demokratike do të pranojë 50 mandatet e fituara dhe do të hyjë në Kuvend në shtator, Berisha la të hapur çdo mundësi, duke mos dhënë një përgjigje të prerë. Megjithatë, ai theksoi se qëndrimi i partisë është i qartë: zgjedhjet e 11 majit nuk do të pranohen. “Zgjedhje të tilla nuk mund t’i pranojmë kurrë. Parimet e zgjedhjeve të lira janë të sanksionuara në dokumente ndërkombëtare, si dokumenti i Kopenhagenit. Nuk ka asnjë arsyetim që të pranojmë një rezultat të tillë të fabrikuar”, deklaroi ai. Berisha u shpreh se vendimet politike do të merren në vijim, duke lënë të kuptohet se PD mund të përdorë edhe instrumente të tjerë për të kundërshtuar rezultatin, përtej mospranimit publik.

Dumani dhe Antimafia

Në një tjetër linjë akuzash, Berisha sulmoi ashpër kreun e SPAK, Altin Dumani, të cilin e akuzoi se qëllimisht vonoi një operacion të Antimafias italiane, për të mos prishur, sipas tij, planin elektoral të mazhorancës. “Dumani ka mashtruar Antimafian Italiane, duke i thënë ‘pritni, mos veproni tani’. Kush i njoftoi krerët e grupeve kriminale që të zhdukeshin? Ata ishin të paralajmëruar. Këtu janë të gjithë bashkë”, tha Berisha. Ai shtoi se ka respekt për drejtësinë italiane, por se prokurorët e saj janë përdorur si fasadë nga drejtuesit shqiptarë, të cilët, sipas tij, mbrojnë interesat e mazhorancës dhe të grupeve kriminale. Kërkesa për një qeveri teknike rikthen në skenë një debat që është përsëritur në çdo krizë zgjedhore të dekadës së fundit. PD synon të pozicionohet si mbrojtëse e votës së lirë dhe e qytetarëve që, sipas saj, janë të zhgënjyer dhe të frikësuar nga mënyra si po administrohet procesi demokratik./E.T

Berisha ankohet tek DASH dhe BE: Më vodhën!

Partia Demokratike i ka dërguar një raport mbi zgjedhjet e 11 Majit faktorit ndërkombëtar. Në një konferencë për shtyp, Sali Berisha tha se raporti i paraprak i është dërguar Departamentit Amerikan të Shtetit dhe Bashkimit Europian. Ai e ka quajtur procesin e zgjedhjeve të ndikuar nga krimi organizuar, administrata shtetërore, patronazhimi, madje edhe manipulim i votës së emigrantëve.

Shefi i opozitës shqiptare, Sali Berisha, nuk pranon rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit. Duke e konsideruar gjithë procesin si një “farsë”, ai ka ngritur akuza të forta për ndikim të krimit të organizuar, administratës shtetërore dhe blerje votash të cilat sipas tij sollën deformim të vullnetit të qytetarëve dhe grabitje të zgjedhjeve. Lideri i opozitës kërkoi ndërhyrjen e Departamentit Amerikan të Shtetit dhe institucioneve të Bashkimit Europian. Pavarësisht se Partia Socialiste ka fituar 33 mandate më shumë, Berisha këmbëngul se fitorja i është rrëmbyer opozitës përmes manipulimeve. Ai deklaroi për mediat se një raport i hartuar nga zyra e Partisë Demokratike i është dërguar institucioneve ndërkombëtare, për të denoncuar parregullsitë gjatë fushatës dhe ditës së votimit. “Letra nuk është dërguar. Është një raport paraprak që është shpërndarë në disa adresa në Europë dhe SHBA. Ai përmban pikërisht këto që them edhe këtu, asnjë paragraf më shumë. Ne po sensibilizojmë komunitetin ndërkombëtar për farsën zgjedhore që ndodhi më 11 maj. Ky është objektivi ynë dhe ne do ia dalim. Askush nuk mund të shkelmojë parimet themelore të zgjedhjeve të lira, të cilat u shkelen së bashku me vullnetin e qytetarëve shqiptarë në mënyrën më të pamëshirshme…”, u shpreh Berisha në një konferencë për shtyp. Gjithashtu, ai akuzoi dy zëvendësdrejtorë të SHISH për bashkëpunim me ish-agjentë të Sigurimit të Shtetit në mbështetje të Partisë Socialiste gjatë fushatës. “Kam deklaruar publikisht se dy zëvendësdrejtorë kanë marrë regjistrat dhe kartelet e ish-bashkëpunëtorëve dhe i kanë aktivizuar, në kundërshtim me ligjin. Nuk ka asnjë sekret për këtë,” tha ai nga selia blu.

Vjedhja e votës me DHL-në

Kreu i Partisë Demokratike ka përsëritur akuzat për manipulim të votës, duke u ndalur në mënyrë të veçantë te votimi nga diaspora. Në një tjetër deklaratë për mediat, Berisha akuzoi kompaninë ndërkombëtare DHL se, me urdhër të qeverisë, ka shkelur kontratën dhe ka bashkëpunuar me kompani nënkontraktore të lidhur me Partinë Socialiste. Sipas tij, zarfe të votimit janë plotësuar jo nga qytetarët e diasporës, por nga patronazhistë dhe persona të afërt me qeverinë. Ai e cilësoi rolin e Postës Shqiptare si “dorën e zezë” në këtë proces dhe e konsideroi tërësinë e operacionit zgjedhor si një akt të kriminalizuar në shkallë të gjerë. “DHL, me urdhër të qeverisë, ka kontraktuar nënkontraktorë të tjerë që bashkëpunuan ngushtësisht me PS. Pranuam DHL për reputacionin ndërkombëtar, por segmenti shqiptar i saj punoi sipas urdhrave të Edi Ramës. Votat nuk u mbushën nga emigrantët, por nga patronazhistë në Tiranë, madje edhe nga ish-punonjës ambasadash. Posta Shqiptare ka luajtur rolin e dorës së zezë në këtë manipulim. Ky është një proces zgjedhor i kriminalizuar që nuk do të njihet dhe nuk do të pranohet kurrë,” përfundoi Berisha.

Procesi/ Berisha në planin B, mosnjohje zgjedhjesh dhe betejë ligjore

Ish-kryeministri Sali Berisha ka akuzuar qeverinë për manipulim masiv të votës, shpërdorim fondesh publike dhe presion mbi zgjedhësit. Ai i ka bërë thirrje dhe një kërkesë KQZ-së për të mos njohur rezultatin që prodhuan zgjedhjet e 11 majit, veçanërisht votimin nga Diaspora. Plani B i Berishës për të ezauruar ligjërisht procesin pas zgjedhor me ankimime deri në Kolegjin Zgjedhor dhe pritja se çfarë qëndrimesh do të mbajë faktori ndërkombëtar, veçanarisht SHBA.

Në ditën e nëntë pas zgjedhjeve të 11 majit, ish-kryeministri Sali Berisha ka dalë sërish para mediave për të deklaruar refuzimin e rezultatit zgjedhor dhe për të kërkuar mosnjohjen e tij nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Vetëm pak orë pas artikulimit të Berishës për mos njohur zgjedhjet, në Komisionin Qendror Zgjedhor është dërguar një kërkesë nga përfaqësuesi i PD-së në KQZ për të mos njohur procesin zgjedhor, duke ju referuar më shumë procesit në Diasporë. Tashmë kreu I PD-së Sali Berisha po tenton të ezaurojë planin B që mund të jetë I fundit, duke mosnjohur zgjedhjet dhe gjithashtu tentuar të informojë faktorin ndërkombëtar mpër atë që e quan “farsë zgjedhore”, të ndikuar nga shitblerja e votës dhe përdorimi në masë i administratës dhe burimeve shtëtërore, por edhe botës së krimit në favor të PS-së. Deri më tani SHBA-të nuk kanë reaguar mbi zgjedhjet në Shqipëri, kjo e kushtëzuar edhe nga mungesa e ambasadorit amerikan në vendin tonë.  Megjithatë humbja e zgjedhjeve pritej të mos pranohej nga Berisha, i cili tashmë ndjen që zërat kundër tij brenda PD-së janë shtuar, por ende nuk po shfaqen.

Kundërshtimi i procesit

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha në emër të Partisë Demokratike Aleanca për Shqipërinë Madhështore tha para kamerave, gjatë një konference për shtyp se procesi nuk ka qenë zgjedhor, por një “farsë e turpshme elektorale”, ku janë shkelur parimet më themelore të demokracisë dhe të drejtës për votë të lirë. Duke folur nga selia blu, kreu i Partisë Demokratike ka vijuar akuzat e drejtpërdrejta ndaj qeverisë, Edi Ramës dhe institucioneve të drejtësisë, të cilat, sipas tij, kanë heshtur përballë krimeve elektorale. “E morët vesh ju si e mbylli gojën administrata gjatë këtij procesi? Si shërbeu si shpifë e partisë? Si heshti SPAK-u i Altin Dumanit përpara dhjetëra padive për krime zgjedhore? Si u përdor drejtësia për të burgosur liderët e tre partive kryesore opozitare? Ky nuk ishte proces, por një shfaqje kriminale që mashtroi vullnetin qytetar.”, tha Berisha. Në përfundim të numërimit, Partia Demokratike humbi garën me 33 mandate ndaj mazhorancës, por Berisha vijon të artikulojë të njëjtën tezë, vjedhje sistematike të votës, sidomos të diasporës, shpërdorim i fondeve publike dhe frikësim i votuesve. “Në këto zgjedhje shteti doli lakuriq në tërë shëmtinë e tij kundër qytetarëve. U përdorën administrata, presione, dhunë, shpërndarje masive e parave për të blerë votën. Janë 500 milionë euro në prokurime dhe koncesione, 200 milionë euro në gjoba të falura, miliona euro nga kanabisi për të manipuluar rezultatin.”, tha ai. Ish-kryeministri i referohet edhe Kartës së Kopenhagenit, një dokument ndërkombëtar që përcakton standardet për zgjedhje të lira dhe të ndershme, duke deklaruar se asnjë nga pikat kyçe të këtij dokumenti nuk është respektuar në 11 maj. “Në këtë proces nuk pati garë. Në vend që të kishim zgjedhje, patëm një garë fiktive mes një partie të shndërruar në shtet dhe një opozite të zhveshur nga çdo mjet mbrojtës. Ato nuk ishin zgjedhje. Ishte një farsë.”, tha ai. Sipas tij, kontrolli mbi vullnetin e zgjedhësve ishte “i gjithëformshëm, nga miklimet deri te revolja në ballë”. Ai theksoi gjithashtu se është shkelur parimi themelor i ndarjes së shtetit nga partitë politike, duke e quajtur sistemin aktual “një regjim parti-shtet që vret çdo garë të ndershme”. Përsa i përket diasporës, Berisha premton dokumente të reja që do të vërtetojnë manipulimin e votës nga jashtë vendit, ndërsa shprehet i vendosur të ndjekë betejën në dy fronte: në rrugë dhe në arenën ndërkombëtare. “Asnjë rezultat nuk mund të pranohet mbi një falsifikim monstruoz si ky. Kjo nuk është demokraci, por terror politik i institucionalizuar mbi opozitën”, tha ai. I pyetur nga gazetarët, Berisha nuk dha përgjigje për aleatët e tij që morën mandate në listat e sigurt të koalicionit, por e orientoi debatin drejt refuzimit total të rezultatit, duke kërkuar që KQZ-ja të mos e certifikojë procesin. Në përmbyllje, Berisha bëri një krahasim dramatik me diktaturën afrikane të Robert Mugabes: “Kam vëzhguar zgjedhje në Zimbabve dekada më parë. Nuk më shkonte mendja që në vitin 2025 do shihja të njëjtën farsë në Tiranë. Rama nuk bën zgjedhje. Ai organizon një farsë që i ngjan më shumë një akti kriminal sesa një procesi demokratik.”

PD-ASHM ankesë në KQZ

Franci Nuri, në cilësinë e përfaqësuesit pranë KQZ-së, i është drejtuar Komisionit Qendror Zgjedhor me një shkresë zyrtare lidhur me procesin e votimit dhe pasojat e rënda të tij mbi integritetin e zgjedhjeve të datës 11 maj 2025. Në kërkesë, Nuri parashtron të gjitha problematikat që PD ka hasur gjatë procesit të votimit në vend dhe atë  në Diasporë, duke i dokumentuar ato me fakte. Përfaqsuesi ligjor i Partisë Demokratike këkron një auditim të të gjitha votave përfshirë edhe ato të Diasporës, pasi sipas tyre, vullneti i tyre është shtrembëruar. “Të mos certifikojë rezultatin për asnjë qark zgjedhor, përfshirë dhe rezultatin e votimit nga diaspora për atë qark, derisa të përfundojë një auditim i plotë dhe i pavarur mbi të gjithë procesin. Të ndërmarrë menjëherë një auditim të thelluar të gjithë procesit të votimit të diasporës, duke përfshirë: Planifikimin dhe përgatitjen paraprake të procesit; Prodhimin dhe shpërndarjen e fletëve të votimit; Dërgimin, marrjen dhe protokollimin e zarfeve; Procesin e administrimit, hapjes dhe numërimit të tyre; Si dhe çdo akt tjetër i lidhur me këtë proces, që nga regjistrimi i votuesve e deri te shpallja e rezultateve për çdo qark. Kërkojmë që ky auditim të realizohet nga ekspertë të pavarur, të paangazhuar me ndonjë institucion shtetëror apo politik, dhe që rezultatet e tij të bëhen publike në mënyrë të plotë. Pa përfunduar ky auditim dhe pa u bërë transparencë e plotë mbi procesin, shpallja e çdo rezultati për votën e diasporës dhe për rrjedhojë për çdo qark do të ishte një veprim i nxituar dhe në kundërshtim me frymën e ligjit dhe kërkesat minimale të integritetit zgjedhor”, thuhet në kërkesë drejtuar Komisionit Qendror Zgjedhor.

“Eksperti” Manja udhëzon SPAK-un sesi duhet të hetojë

Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja i parashtroi SPAK-ut tetë “udhëzime” të qeverisë sesi duhet të hetojë, vendosë për masat e sigurisë dhe zbusë dënimet duke përdorur “marrëveshje për pranimin e fajësisë”. A po tentohet të mbahet nën kontroll SPAK? Reagon Dumani: “Rekomandimet nuk shoqërohen me të dhëna statistikore, analizë krahasuese apo tregues konkret që justifikon nevojën për ndërhyrje”.

Kur kanë mbetur ende pak vota për tu numëruar dhe kryeministri Rama siguroi pa mund mandatin e katërt me 83 deputetë, nuk është humbur kohë duke nisur “kontrollin” e institucioneve, veçanërisht të SPAK. Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja lëshoi “tetë urdhëresa” të dala nga Këshilli i Ministrave si “Rekomandime për vitin 2025 ndaj prokurorrive në vend”, ku përfshihen disa pika në tërësi pa shumë vlerë, por njëra prej tyre është thelbi. Në pikën e parë thuhet: “Kërkohet respektimi strikt i të drejtave procedurale të të pandehurve dhe viktimave, shmangia e vonesave të pajustifikuara në hetime dhe përdorimi proporcional i masave të sigurimit”, një pikë e cila lidhet drejtëpërdrejtë me masat “arrest me burg” të kërkuara nga SPAK dhe miratuar nga Gjykata Speciale për disa raste konkrete, përfshi edhe kryebashkiakun Erion Veliaj. Më tej në të njëtën pikë, qeveria nëpërmjet ministrit Manja “sugjeron” se: “Shteti i së drejtës nis nga një hetim korrekt dhe i paanshëm”. Që në këtë frazë vihet në diskutim integriteti i SPAK nga ana e qeverisë, pasi lihet të kuptohet se nuk ka pasur hetime korrekte dhe të paanshme. Po në pikën e parë, e cila është baza e “rekomandimeve qeveritare”, vjohet më tej në thelbin e propozimeve që kanë të bëjnë me një zbutje të dënimeve për çështjet e korrupsionit dhe krimit të organizuar, vepra penale të cilat hetohen nga SPAK. “Prokuroria duhet të promovojë përdorimin e procedurave të posaçme, si marrëveshjet për pranimin e fajësisë dhe gjykimet e shkurtuara, veçanërisht për të miturit dhe rastet ku ndëshkimi mund të jepet nëpërmjet alternativave efektive ndaj burgimit”, thuhet në rekomandim. Pikërisht kjo frazë e kamufluar për “të miturit” në fakt duket se shkon për zyrtarët e lartë të cilët pavarësisht veprave penale që dyshohet se kanë kryer të arrijnë në “marrëveshje” për dënime alternative. Shtatë pikat e tjera janë sugjerime në tërësi që nuk prekin thelbin e funksionimit të Prokurorisë Speciale, por pika kryesore është ajo e para. Kryeministri Rama i kishte elaburuar edhe më parë këto shqetësime, madje duke theksuar se nuk do të lejohej republika e prokurorëve dhe gjyqtarëve, por gjatë fushatës elektorale pati një tërheqje të plotë, madje duke dalë në mbrojtje të drejtësisë së re. Tashmë pasi zgjedhjet u mbyllën, synimi duket i qartë, çka ka detyruar edhe kreun e SPAK që të mbajë qëndrim, duke i cilësuar si rekomandime që nuk bazohen mbi fakte. “Rekomandimet nuk shoqërohen me të dhëna statistikore, analizë krahasuese apo tregues konkret që justifikon nevojën për ndërhyrje”, tha Dumani.

Paralajmërimi i Ramës

Para zgjedhjeve dhe menjëherë pas arrstimit të kryebashkiakut Erion Veliaj, kryeministri Edi Rama i dha një sinjal të qartë SPAK dhe Gjykatës së Posaçme. “…këto paraburgimet me një të rënë të lapsit dhe këto noterizimet në Gjykatën Speciale, me filozofinë që çfarë çojmë ne atje, ata vetëm e firmosin, patjetër, se ne jemi Amerika, këto nuk i pranoj më dhe s’kam për t’i pranuar më”, tha kryeministri. Dhe Rama këtë e bëri edhe fakt kur para grupit të tij parlamentar të Partisë Socialiste thirri rektorin Fatbardh Sallaku për të akuzuar edhe një herë SPAK se merr masat e sigurisë “pa gjyq”, dhe kjo ndodhi kur u lëshuan 24 urdhër arrestet për pedagogët e Universitetit Bujqësor. Madje, shefi i qeverisë u ndal gjatë muajit mars të SPAK-u dhe arrestimet, duke i kujtuar shpatën Altin Dumanit. “Shpata ishte te zyra ime, para se të isha unë, shpata ishte te zyra e atij tjetrit, deri në 1912. Drejtësia ishte komplet nën urdhrat e pushtetit politik. Altin Dumani po t’ju them unë, të gjithë e njihni. Altin Dumani ka 20 vjet prokuror, kishit dëgjuar për të? A kishit dëgjuar ndonjëherë për ndonjë ministër me pushtet që shkonte në prokurori të jepte llogari, të dënohej apo të arratisej? As ju s’keni parë, as prindërit tuaj dhe as gjyshërit” u shpreh Rama më 27 mars të këtij viti. Tashmë “përplasja” vijon pas konfirmimit të qeverisë Rama me 83 mandate. Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, renditi dje rekomandimet e Këshillit të Ministrave për luftën ndaj kriminalitetit në vitin 2025. Por drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, tha se pavarësisht se në tërësinë e tyre janë të mirëpritura, disa prej rekomandimeve paraqesin vështirësi për t’u zbatuar nga pikëpamja praktike si pasojë e mënyrës “si janë formuluar apo konceptuar”. Dumani sqaroi se rekomandimet e qeverisë nuk shoqërohen me të dhëna statistikore, analizë krahasuese apo tregues konkretë që justifikojnë nevojën për ndërhyje.

Takimi e Qeverisë me Prokurorinë

Në ambientet e Prokurorisë së Përgjithshme mes përfaqësuesve të qeverisë dhe drejtuesve të sistemit të akuzës janë ndezur debate për pavarësinë e pushtetit. Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, paraqiti një dokument me tetë rekomandime për sistemin e prokurorisë për vitin 2025, me qëllim për të forcuar performancën dhe përgjegjshmërinë e strukturave të hetimit. Në pamje të parë, dokumenti duket si një nismë për të mbështetur drejtësinë në sfidat e saj, por reagimet e menjëhershme nga drejtuesit e prokurorisë treguan një “përplasje”, ku secili institucion duket se ruan me ngulm territorin e vet kushtetues. Ministri Manja këmbënguli se qëllimi i qeverisë nuk është ndërhyrja, por mbështetja. “Qeveria shqiptare angazhohet për të garantuar kushte optimale që Prokuroria e Përgjithshme dhe SPAK të ushtrojnë detyrën e tyre në mënyrë të pavarur, profesionale dhe të vendosur. Ne qëndrojmë krah drejtësisë, jo për ta drejtuar atë, por për ta fuqizuar akoma më shumë pavarësinë e saj, që prokurorët të ndihen të lirë të bëjnë detyrën e tyre, dhe krimi të mos ndiejë më asnjë hapësirë për të vepruar.”, shkruan Manja në statusin e tij në llogarinë e Facebook. Ai theksoi se këto rekomandime nuk cenojnë pavarësinë institucionale të prokurorisë, por synojnë të rrisin transparencën, efikasitetin, përgjegjshmërinë si dhe llogaridhënie përpara publikut. “Rekomandimet tona janë të qarta: më shumë efikasitet, më shumë transparencë, më shumë përgjegjshmëri dhe mbi të gjitha, më shumë besim nga qytetarët”, shkruan Manja. Ai e përmendi disa herë se “qeveria është krah drejtësisë, por nuk synon ta drejtojë atë”. Por, pavarësisht toneve të moderuara të Manjës, kreu i SPAK, Altin Dumani, nuk e fshehu pakënaqësinë ndaj disa prej rekomandimeve. Ai theksoi mungesën e analizës statistikore, të dhënave konkrete dhe treguesve të matshëm në dokumentin e paraqitur. Sipas tij, disa rekomandime janë të paqarta dhe nuk japin udhëzime të qarta se si mund të zbatohen në praktikë, duke rrezikuar të krijojnë më shumë konfuzion sesa përmirësim real. “Pasi jemi njohur me rekomandimet nuk mund të rri pa thënë disa elementë, disa gjetje tonat. Rekomandimet nuk shoqërohen me të dhëna statistikore, analizë krahasuese apo tregues konkret që justifikon nevojën për ndërhyrje. Kjo mungesë i bën rekomandimet të duken subjektive dhe vështirë të matshme sidomos për SPAK që funksionon mbi bazën e efikasitetit, rezultateve dhe besueshmërisë publike. Rekomandimet tek një pjesë e tyre përdorin terma të përgjithshëm si hetimet proaktive, forcimi i qasjes strategjike, por nuk ofrojnë asnjë përkufizim operacional”, tha Dumani. Ai përmendi gjithashtu mungesën e burimeve dhe nevojën për një qasje të kujdesshme për çdo ndërhyrje në strukturat ekzistuese të drejtësisë, duke paralajmëruar se vendime të tilla nuk mund të merren pa një analizë të thelluar mbi efektet që sjellin në punën konkrete të prokurorëve. Në të njëjtën linjë, edhe Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela shprehu rezerva, duke sjellë në vëmendje një nga problemet më të mprehta të sistemit, atë të mungesës së burimeve njerëzore. “Kemi mungesë 35% në organikë, çka e bën të vështirë plotësimin e rekomandimeve. Në prokurorinë dhe gjykatën tiranë sidomos është urgjente përmirësimi i infrastrukturës, pasi cilësia në ndjekjen e hetimeve lidhet me sigurimin e kushteve të punës”, tha Çela. Ai theksoi nevojën urgjente për investime në infrastrukturën e prokurorisë, veçanërisht në Tiranë, ku prokurorët punojnë në kushte të papërshtatshme dhe me mungesa të theksuara teknike. Ai nënvizoi se pa garantuar kushtet minimale për punë, çdo rekomandim mbetet në letër, dhe çdo pritshmëri për hetime cilësore është iluzion. Takimi mes qeverisë dhe drejtuesve të akuzës, edhe pse i zhvilluar në mënyrë institucionale, nxori në pah një ndarje të thellë mbi rolin dhe marrëdhëniet mes ekzekutivit dhe drejtësisë. Disa nga rekomandimet, si ajo për korrektësinë në përdorimin e masave të sigurimit apo për strukturat e reja të hetimit, janë lexuar nga drejtuesit e drejtësisë si referenca të drejtpërdrejta ndaj rasteve konkrete që kanë tronditur politikën kohët e fundit, përfshirë figura të lidhura me mazhorancën.

Manipulim me votave në diasporës? KQZ e quan “problem teknik”

KQZ ka hedhur poshtë pretendimet e opozitës, duke thënë se mospërputhja mes fletëve të votimit dhe zarfeve nuk lidhet me ndërhyrje apo manipulime, por me gabime në mënyrën e dërgimit të votës. Të gjitha këto raste janë të dokumentuara me procesverbal, ndërsa opozita konteston procesin me votën e diasporës duke hedhur akuza për manipulime masive. Kandidatët e listave të hapura në rivalitet se kush do të futet në Parlament.

Pas përfundimit të procesit zgjedhor dhe nisjes së numërimit të votave të ardhura nga diaspora, në disa qarqe janë vënë re mospërputhje mes numrit të fletëve të votimit dhe numrit të zarfeve. Ky fakt është përdorur nga opozita për të ngritur dyshime për manipulim të mundshëm, duke pretenduar që në procesin e administrimit të votës së emigrantëve është ndërhyrë në mënyrë të paligjshme. Por, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dhënë një sqarim të plotë dhe zyrtar mbi këtë çështje, duke rrëzuar çdo pretendim për manipulim. Sipas KQZ-së, këto mospërputhje nuk lidhen aspak me tentativa për deformim të votës, por me gabime teknike nga ana e vetë emigrantëve, të cilët nuk kanë ndjekur saktë udhëzimet për dërgimin e votës. Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi ka bërë të ditur se janë dy rastet më të shpeshta që kanë shkaktuar këtë situatë: e para, kur emigrantët kanë dërguar fletën e votimit vetëm brenda zarfit A, duke mos përfshirë zarfin B që është i nevojshëm për skanimin elektronik. Sipas tij, janë 2,696 raste të tilla, të cilat janë administruar si vota të parregullta, por janë dokumentuar dhe numëruar. E dyta, është kur disa anëtarë të një familjeje kanë futur të gjitha fletët e votimit në një zarf të vetëm B, duke sjellë më shumë fletë votimi se zarfe në sistemin e skanimit. Celibashi ka theksuar se në asnjë rast nuk bëhet fjalë për ndërhyrje të paligjshme apo manipulim të rezultatit. Të gjitha këto raste janë të dokumentuara me procesverbale përkatëse, ndërsa në faqen zyrtare të KQZ-së është vendosur një shënim sqarues për çdo qark, ku tregohet qartë dallimi mes zarfeve të skanuara dhe atyre të numëruara manualisht. Në të dhënat e publikuara deri pasditen e djeshme, rezulton se janë numëruar 194,621 zarfa nga 195,140 të skanuar. Diferenca lidhet me zarfet që nuk mund të skanohen automatikisht, si dhe me rastet e votave të futura në kutitë e posaçme që verifikohen me dorë dhe krahasohen me manifestin e dërgesës nga kompania postare. Në përfundim, çdo dyshim i hedhur mbi manipulimin e votës së diasporës bie poshtë përballë fakteve dhe transparencës së garantuar nga KQZ. Jo manipulim, por thjesht gabime njerëzore në një proces të ri për shumë emigrantë që votuan për herë të parë nga jashtë vendit.

Lufta brenda llojit

Partia Socialiste ka arritur të konsolidojë pozitat në zgjedhjet e 11 majit, duke u renditur e para me 83 mandate, ndërkohë që Partia Demokratike mbetet në kuotën e 50 mandateve. Partia Socialdemokrate dhe lëvizja “Mundësia” kanë siguruar nga 2 mandate, ndërsa Nisma Shqipëria Bëhet dhe Lëvizja Bashkë kanë fituar nga 1 mandat secila. Pas përfundimit të numërimit të fletëve për subjektet zgjedhore në 9 qarqe, betejat më të forta janë zhvendosur në listën e hapur, ku po zhvillohet gara për kandidatët individualë në 6 qarqe, me fokus të veçantë në Tiranë. Në Tiranë, gjatë numërimit të votave të diasporës së Greqisë në ambientet e Parkut Olimpik, deputetja Olta Xhaçka ka arritur të kalojë kolegen e saj brenda PS-së, Blerina Gjylameti, në një garë të ngushtë për mandatin që i takon kuotës gjinore në listën e hapur. Xhaçka, me mbështetjen e 43 mijë votave të diasporës greke, mban tani një avantazh të lehtë, por të pa certifikuar zyrtarisht. Gjylameti kishte qenë përpara me vetëm 19 vota, por pozitat janë përmbysur pas përfshirjes së kutive të diasporës. Edhe brenda PS-së në Tiranë, Ornaldo Rakipi ka krijuar një diferencë prej rreth 200 votash ndaj Xhemal Qefalias, duke e vendosur veten më pranë mandatit. Sipas të dhënave nga KQZ, janë numëruar 198 mijë zarfe të ardhura nga diaspora, ku Partia Socialiste ka marrë 60.83% të votave, krahasuar me 23.73% të Partisë Demokratike. Diferenca mes tyre në vota të emigrantëve ka kaluar mbi 73 mijë. Në total kombëtar, PS ka mbi 853 mijë vota dhe një diferencë prej më shumë se 323 mijë ndaj PD-së, që qëndron me rreth 529 mijë vota. Në Kukës, gara për listën e hapur brenda PD-së u mbyll me përmbysjen e Shkëlqim Shehut nga deputeti Isuf Çela. Në Lezhë, PD ruajti mandatin e katërt me Kastriot Pirolin, ndërsa në PS gara më e fortë është mes Admir Kadelit dhe Marjeta Nelit, ku kjo e fundit ka një epërsi me qindra vota. Ndërkohë në Tiranë, gara në PD konsiderohet e mbyllur, me Jorida Tabakun që kryeson ndjeshëm përballë Ilir Alimehmetit me afro 3 mijë vota avantazh. Po kështu, ministrja Anila Denaj është konfirmuar si përfaqësuese e kuotës gjinore përmes listës së hapur në PS. Në Korçë, deputetja Besa Spaho përpiqet të mbrojë mandatin nga kolegia e saj socialiste Eslemvera Zake, në një tjetër përballje të ngushtë brenda listës së hapur. Rezultatet përfundimtare dhe renditja zyrtare priten të konfirmohen në ditët në vijim nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pasi përpunohen të gjitha votat preferenciale dhe bëhen verifikimet përfundimtare.

Shqipëria vend pritës/ Liderët e BE-së hartojnë politikat e sigurisë dhe ekonomisë

Në samitin e mbajtur në Tiranë, udhëheqësit më të lartë të Europës u mblodhën për të diskutuar sfidat më të mprehta të kontinentit nga siguria dhe lufta në Ukrainë, te bashkëpunimi ekonomik dhe zgjerimi i BE-së. Shqipëria u vlerësua për mikpritjen tradicionale dhe përparimin drejt integrimit europian, ndërsa Kryeministri Rama solli në vëmendje vlerat e lashta të mikpritjes shqiptare, duke e cilësuar vendin si urë mes Lindjes dhe Perëndimit.

Kryeqyteti shqiptar u shndërrua për një ditë në epiqendrën e diplomacisë europiane, duke pritur Samitin e Komunitetit Politik Europian. Në një atmosferë ku mikpritja shqiptare u shfaq jo vetëm si traditë, por si virtyt kombëtar, udhëheqësit më të lartë të kontinentit u bashkuan për të rishikuar dhe ripërcaktuar drejtimet e sigurisë, ekonomisë dhe integrimit. Kryeministri Edi Rama solli në vëmendje një prej trashëgimive më të çmuara të kombit shqiptar, kanunin dhe vlerën e mikpritjes që ai përçon. “Shtëpia e shqiptarit i përket Zotit dhe mikut,” tha ai, duke e lidhur këtë parim të lashtë me aktet heroike të popullit shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur mbrojtën hebrenjtë me jetën e tyre. “Është një fjali që flet thellë për ne si komb,” u shpreh Rama. “Ajo qëndron në themelin e asaj që jemi, dhe është arsyeja pse Shqipëria, edhe sot, është një tokë që pret me zemër të hapur çdo mik.” Ai shtoi me një dozë humori se, ndonëse shpesh thuhet se “dreka nuk është falas”, në Shqipëri gjithçka shërbehet me zemër, një sinjal i mikpritjes së ngulitur në ADN-në e kombit. Kryeministri Rama u ndal edhe te rëndësia e ringjalljes së projektit europian, duke cituar ngjarje të aktualitetit si atentati ndaj Donald Trump dhe fjalët e tij mbi planin e Zotit për Amerikën. “E vërteta është se Zoti kishte një plan edhe për Europën. Le t’i japim Europës një mundësi të rishpikë veten,” u shpreh ai, duke bërë thirrje për kurajë, ndërtim dhe shpresë.

Liderat europianë
Në këtë frymë, edhe liderë të tjerë dhanë mesazhe me peshë. Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan theksoi rëndësinë e dialogut për të zgjidhur konfliktin në Ukrainë dhe bëri thirrje për ndalim të menjëhershëm të masakrave në Gaza. “Katastrofa humanitare në Gaza është e paprecedentë,” tha ai, duke kërkuar veprime konkrete për armëpushim dhe zgjidhje me dy shtete. Ai përmendi gjithashtu një kapitull të ri shprese në Siri dhe bëri apel për solidaritet europian në rindërtim dhe paqe. Ai u shpreh se Evropa duhet të jetë e bashkuar për të përballur sfidat aktuale globale. “Ne duhet të veprojmë të bashkuar, mbi bazën e bashkëpunimit. Për të tejkaluara krizën e besimit në arenën ndërkombëtare, është e nevojshme të krijohet një arkitekturë e drejtë dhe gjithëpërfshirjes globale, e qeverisjes. Ky transformimi, i cili do bazohet në parimet e pandashmërisë, duhet së pari të nisë në shtëpinë tonë, në kontinentin Evropian. Ka potencial të jashtëzakonshëm për të bashkuar në fusha si industria e mbrojtje, energjia, korridoret e transportet, tregjet digjitale dhe lëndët e mineralet kritik”, tha ai. Ndërkohë, shefja e diplomacisë europiane, Kaja Kallas, shprehu vlerësime të veçanta për rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE. “Shqipëria po bën hapa të mëdha. Tani është radha jonë si Bashkim Europian të tregojmë vullnet dhe vizion,” tha ajo, duke nënvizuar se zgjerimi nuk është vetëm çështje gjeopolitike, por një detyrim historik. Një nga momentet që ngjalli më shumë vëmendje ishte edhe praninë e Kryeministrit britanik Keir Starmer, i cili, një ditë para samitit, zhvilloi një vizitë në Tiranë me synimin për të përforcuar bashkëpunimin kundër emigracionit të paligjshëm. Ndonëse u duk se synonte një marrëveshje të ngjashme me atë mes Shqipërisë dhe Italisë, Rama ishte i qartë në qëndrimin e tij, modeli mund të shërbejë si frymëzim, por jo të zbatohet në Shqipëri në të njëjtën formë për Britaninë. Nga ana tjetër, Kryeministrja italiane Giorgia Meloni vlerësoi lidershipin e Ramës dhe u ndal te identiteti europian i Shqipërisë. “Shqipëria është pjesë e Europës, jo vetëm për shkak të aspiratave të saj, por sepse kjo është një e vërtetë historike dhe kulturore,” tha ajo. Ajo theksoi rëndësinë e Ballkanit Perëndimor në arkitekturën e ardhshme europiane, duke e përshkruar rajonin si një urë të domosdoshme mes Lindjes dhe Perëndimit. Samiti në Tiranë dëshmoi se Shqipëria jo vetëm që është një vend mikpritës, por edhe një aktor i rëndësishëm në tryezën e madhe të Europës. Në një botë të trazuar, ajo ofroi jo vetëm një vend takimi, por edhe një model frymëzimi, ku trashëgimia, vlerat dhe vizioni bashkëjetojnë për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët. I pranishëm në Samitin e Komunitetit Politik në Tiranë, kancelari gjerman Mertz tha se është shumë e rëndësishme që ë gjitha palët të bashkëpunojnë për një Europë më të sigurt. Ai u shpreh se tashmë është e qartë që demokracitë janë në rrezik dhe qeveritë duhet të tregojnë se janë të forta për të zgjidhur kriza si emigracioni për të ofruar siguri. “E kemi treguar mirënjohjen duke i nderuar ata. Duhet të bëjmë çdo përpjekje që amerikanët t’i kemi në anën tonë. Ne përballemi me çështjen e emigracionit dhe Starmer e përmendi. Ne përballemi me kërcënime nga emigracioni dhe po përpiqemi ta zgjidhim. Por gjithçka që po bëjmë është në përputhje me të drejtën. Dua të them që ne po shpenzojmë mjaft para, por tek prokurimet shpenzimet që janë tejet të ndërlikuara nuk mjafton. Ndaj jemi të gatshëm të tregojmë që të kemi prokurime më të mira, efikasitet dhe kjo është thjeshtë në favorin tonë. Ne të gjithë e dimë sistemet tona, demokracitë tona janë në rrezik. Mund të jemi të suksesshëm vetëm bashkë”, tha mes të tjerash ai. Ndërkohë që në Tiranë u zhvilluan bisedimet për Europën, delegacionet Ruse dhe Ukrainase u takuan në Stamboll këtë të premte për të mbajtur bisedimet e paqes, të parat bisedime të drejtëpërdrejta në më shumë se tre vjet. Negociatat të cilat po ndërmjetësohen nga Turqia vijnë pas kërkesave të vazhueshme të Presidentit Amerikan Donald Trump për ti dhënë fund luftës në Europën Lindore, në atë që është kthyer në konfliktin më të ashpër që prej luftës së dytë botërore. Takimi në Pallatin DolmaBahçe në Bosfor konsiderohet një shenjë e përparmit diplomatik mes palëve . Në Stamboll negociatat po drejtohen nga delegacioni Amerikan dhe ai Turk.

PS në festë, Berisha në protestë

Kreu i PD-së Sali Berisha pas humbjes së thellë në zgjedhje e sheh “shpëtimin e vetes” në mosnjohjen e rezultatit duke mbajtur protestë më 16 maj, pikërisht në ditën kur në Shqipëri mblidhen liderët e BE-së. Në prag të protestës së 16 majit, Berisha e ka përfshirë Metën si figurë simbolike të luftës kundër regjimit, duke e paraqitur si viktimë të represionit politik të Edi Ramës.

Kryetari i PD-së Sali Berisha rikonfirmoi ditën e djeshme qëndrimin për të mos u dorëhequr nga posrti i kryetarit edhe pas disfatës së rendë në zgjedhje. Ndonëse statuti e përcakton largimin e menjhershëm të kryetarit në rast të humbjes së zgjedhjeve të Përgjithshme, Berisha duket se nuk e ka aspak në mendje largimin, ndërsa brenda kupolës së PD-së ka shumë të zhgënjyer, por asnjëri nuk ka artikuluar dorëheqjen e kryetarit. Në këtë situatë, Sali Berisha teksa sheh kundërshtarin Rama në mandatin e katërt me një shumicë të frikshme prej 83 mandatesh deputetësh ka vendosur që të mbajë protesta për atë që e auan “masakër elektorale” dhe se për këtë do të “informojë” liderët e BE-së. Një nga simbolet e protestës do të jetë Ilir Meta, kreu i Partisë së Lirisë i cili nuk përfshihet as në listën e pretendentëve për të vetmin vend të mbetur bosh në listat e hapura të PD-së për qarkun Tiranë. Meta vijon të mbetet në paraburgim që prej 21 tetorit në burgun 313. Edhe pse opozita e përfshiu në listën e përbashkët me Partinë Demokratike, duket se votat nuk mjaftuan për ta futur në Parlament. Në kushtet kur Gjykata ende nuk ka dhënë një vendim përfundimtar ndaj tij dhe ndërsa ndodhet jashtë jetës aktive politike, Meta po përballet edhe me një humbje të rëndë politike: mungesën e një ulëseje në Kuvendin e Shqipërisë. Sali Berisha, i pyetur për këtë zhvillim në konferencën për mediat të mbajtur të mërkurën, u përpoq ta shpjegojë si rezultat të një sulmi të organizuar nga qeveria. Ai tha se Meta është bërë objekt i një “lufte të egër” nga Edi Rama, për ta penguar politikisht dhe për ta mbajtur të izoluar. “Për sa i përket Ilir Metës, atij i bëhet lufta më e egër që i është bërë njeriut ndonjëherë, nga armiku kryesor i votës së lirë, Edi Rama. Si është kjo? Mbaje në burg që të mos fitojë. Kjo dëshmon efektin e terrorit politik ndaj tij,” tha Berisha. Kreu i opozitës tha se lista e PD-së ofron kandidatë me përfaqësim dinjitoz, por shmangu një përgjigje të drejtpërdrejtë nëse përjashtimi i Metës nga Kuvendi ishte pasoje e listës së mbyllur apo ndonjë lëvizjeje të brendshme. Ndërkohë që numërimi vazhdon në disa zona dhe tensionet politike mbeten të larta, rënia e mundshme e Metës jashtë skenës parlamentare përbën një nga zhvillimet më të bujshme të këtyre zgjedhjeve, duke e lënë jashtë jo vetëm politikës aktive, por edhe përfaqësimit institucional.
Protesta e PD
Sali Berisha ka shpallur zyrtarisht nisjen e asaj që e quan “lufta e fuqishme për mbrojtjen e të drejtës së votës”, duke vendosur 16 majin si datën e përballjes së parë popullore pas zgjedhjeve të 11 majit në orën 17:00 në Bulevardin Zogu I. “Grabisin zgjedhjet për të zhvatur Shqipërinë!”, është slogani i kësaj proteste, e cila vjen vetëm 6 ditë pas zgjedhjeve. “Libri i zi i këtyre zgjedhjeve shkruhet me datën 16 në ora 17:00 në Bulevardin e Parë për të sensibilizuar opinionin publik botëror mbi krimet monstruoze të përbindëshit elektoral Edi Rama, që nuk respekton asnjë rregull, asnjë ligj kombëtar dhe ndërkombëtar për zgjedhjet.”, tha Berisha. Në një konferencë për mediat, lideri i opozitës theksoi se protestat do të jenë përgjigjja ndaj asaj që ai e përshkroi si “farsë elektorale e orkestruar nga Edi Rama dhe organizatat kriminale”. “Zgjedhjet e 11 Majit u diktuan që të gjitha nga krimi. Bandat kriminale të qeverisë ishin aktive në 10 qarqe të Shqipërisë, në 20 bashki të vendit dhe ato patronuan 30 deputetë të mazhorancës kriminale.”, tha Berisha ndër të tjera. Ai tregoi se çdo ditë po grumbullohen fakte që votat janë marrë në kundërshtim me vullnetin e zgjedhësve. “Në çdo orë po dalin dokumente dhe prova shkatërrimtare për farsën e 11 majit, organizuar nga Toto Rino i Tiranës, Edi Rama. Por unë jam këtu për të shprehur vlerësimin tim për të gjithë komisionerët e opozitës që, nën presionin ekstrem të terrorit shtetëror, po kryejnë me përkushtim detyrën e tyre,” u shpreh Berisha, duke i cilësuar ata si linja e parë e mbrojtjes së demokracisë. Ai paralajmëroi një përballje të ashpër politike dhe qytetare, duke përdorur termin “luftë e fuqishme” dhe “mision i të gjitha misioneve”, si një thirrje për mobilizim të demokratëve dhe qytetarëve kundër asaj që e përshkroi si “vjedhje industriale të zgjedhjeve”. Berisha akuzoi qeverinë dhe kryeministrin Rama për kapjen e procesit zgjedhor dhe përdorimin e grupeve kriminale në favor të pushtetit. “Zgjedhjet janë marrë peng nga organizatat kriminale më të fuqishme në Shqipëri dhe rajon, që kontrollojnë miliarda euro. Raportet paraprake të vëzhguesve e kanë rrëzuar përtokë besueshmërinë e këtij procesi,” tha ai. Lideri i opozitës kërkoi lirimin e menjëhershëm të një vëzhguesi të opozitës, që sipas tij është ndaluar padrejtësisht, ndërsa dënoi “terrorizmin policor ndaj numëruesve dhe komisionerëve opozitarë”. Berisha hodhi akuza të drejtpërdrejta ndaj Ramës edhe në planin ndërkombëtar, duke thënë se “është i gatshëm të shndërrojë Shqipërinë në një megaburg kontinental për të marrë mbështetjen e ndërkombëtarëve”. “Askush nuk mund ta fshehë grabitjen. Ata që sot heshtin, nesër do të zhgënjehen rëndë,” përfundoi ai, duke lënë të kuptohet se protesta e 16 majit është vetëm fillimi i një ofensive të gjatë opozitare për “rikthimin e votës së lirë”.

PS drejt shumicës së cilësuar, dërmohet PD, zhgënjehen partitë e reja

Harta zgjedhore është skuqur dhe ka kaluar edhe pritshmëritë e PS në disa qarqe. Kryeministri Edi Rama i afrohet kufirit 83-84 mandate. PD mbetet mes 49-51 mandateve, duke njohur rezultat katastrofik. Tom Doshi i PSD-së renditet në vendin e tretë me 3 mandate, ndërsa të zhgënjyera kanë dalë edhe partitë e reja, të cilat mund të mbesin vetëm me nga një mandat në Tiranë.

Partia Socialiste duket se po i afrohet me ritëm të shpejtë objektivit të shpallur nga Edi Rama në Memorandumin e Kuçit, ku ai parashikoi se do të siguronte nga 78 deri në 88 mandate. Rezultatet paraprake të zgjedhjeve të 11 majit e pozicionojnë PS-në në një epërsi bindëse në të gjithë vendin dhe e çojnë drejt një shumice që shkon përtej nevojave minimale për të krijuar qeverinë. Me trendin aktual, PS jo vetëm që nuk do të ketë nevojë për aleatë për të formuar kabinetin, por do të jetë në gjendje të miratojë e vetme edhe ligje që kërkojnë shumicë të cilësuar në Kuvend. Deri më tani janë numëruar mbi 2400 nga 5225 Qendra Votimi në rang kombëtar. PS ka marrë rreth 290 mijë vota ose 52.5 përqind të totalit, ndërsa koalicioni PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore renditet i dyti me rreth 190 mijë vota apo 34.4 përqind. Partia Socialdemokrate e Tom Doshit qëndron e treta me 4 përqind, pasuar nga “Nisma – Shqipëria Bëhet” me 3.3 përqind, “Mundësia” e Agron Shehajt me 2.7 përqind, Koalicioni Euroatlantik me 1.1 përqind dhe Djathtas për Zhvillim me 0.4 përqind. Sipas shpërndarjes paraprake të mandateve, Partia Socialiste ka fituar 83 deputetë, ndërsa PD ka 51. PSD ka siguruar 3 mandate, ndërsa Nisma, Mundësia dhe Lëvizja Bashkë nga një mandat secila. Në këtë konfigurim, socialistët janë vetëm 1-2 mandate larg shumicës së cilësuar që Rama përmendi që në mars si skenarin më të favorshëm. Koalicioni opozitar është rrëzuar akoma më shumë në këtë vit zgjedhor, krahasuar me 2021 kur PD drejtohej nga Lulzim Basha.
Numërimi në qarqe
Në të gjithë qarqet ku numërimi ka avancuar, Partia Socialiste është rritur në vota dhe në mandate.

Në Fier, ku drejtuese politike është Belinda Balluku, PS pritet të dalë fituese absolute me shtim mandatesh, ndryshe nga zgjedhjet e fundit, aty pritet të merren 12-13 mandate. Në Elbasan, me 351 nga 508 QV të numëruara, PS ka siguruar 54,259 vota, që përbëjnë 61.06 përqind të rezultatit të deritanishëm. PD ka marrë vetëm 25,885 vota (29.13 përqind), ndërsa forcat e reja nuk arrijnë të thyejnë as pragun simbolik të 5 përqindëshit. Në qarkun e Lezhës, ku janë numëruar 103 nga 245 QV, PS mban një epërsi të lehtë me 11,846 vota ose 44.9 përqind, përballë PD-së me 11,398 vota ose 43.3 përqind. Kjo mbetet ndër të paktat zona ku gara është ende e hapur dhe vendimtare për mandatin e katërt që pritet të ndahet midis dy partive kryesore. Rezultatet paraprake nga qarku më i madh elektoral, Tirana, tregojnë se Partia Socialiste e Shqipërisë kryeson me 82725 vota, ose 48.6% të totalit të votave të numëruara deri tani, duke siguruar përkohësisht 19 mandate. Në vend të dytë renditet Koalicioni Partia Demokratike – ASHM me 58931 vota (34.6%) dhe 14 mandate. Një rënie drastike duke humbur kështu 3 mandate dhe zbret nga 17 që kishte në 2021 në vetëm 134mandate. Sipas këtyre rezultateve paraprake, mandate në Tiranë kanë siguruar edhe: Partia Socialdemokrate me 3.5% – 1 mandat, Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet me 3%-1 mandat. Lëvizja Bashkë me 2.8% – 1 mandat. Ndërkohë, bashkia e Vorës është ngjyrosur rozë, me 8082 vota për PS. Kandidati më i votuar i socialistëve është Blendi Gonxhja me 4794 vota personale. Në njësinë numër 10 në Tiranë, PS fiton me 5304 vota, duke u renditur e para me 49.03% të votave. Koalicioni Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë e Madhe (PD-ASHM) është renditur i dyti me 3,498 vota, ose 32.34% të votave. Surpriza për socialistët është në Dibër, ku kemi një përmbysje të rezultatit dhe një rritje historike të PS. Partia Socialiste nën udhëheqjen e Edi Ramës ka përmbysur rezultatin dhe sipas rezultateve të deritanishme merr 3 mandate me 57% të votave. PD zbret nga 3 mandate që kishte në 2021, në vetëm 2 mandate. Rritja në gjithë vendin, i ka dhuruar PS 2 mandate plus në qarkun e Elbasanit. Me 61.3% të votave, PS merr 10 mandate nga 8 që kishte në 2021, ndërkohë PD me aleatët zbresin nga 6 mandate në vetëm 4 me 28.1% të votave. Berisha me aleatët zbresin nga 7 mandate në qarkun e Fierit në 4 mandate me 25.2% të votave. PS rritet në Shkodër me 1 mandat dhe shkon nga 3 në 4 me 35.5% të votave. Berisha bie edhe në bastionin e tij, ku sipas rezultateve deri më tani humb një mandat dhe shkon nga 6 në 5 mandate me 40.2% të votave. Sa i takon votës së diasporës, janë numëruar 1660 zarfe nga 194 889 në total. PS ka 42.68% të votave, ndërsa PD 43.95%. Partitë e tjera janë shumë larg mundësisë për përfaqësim. Ndërkohë në bashkinë Finiq të qarkut të Vlorës, ku numërimi është përmbyllur, PS ka dalë forcë e parë me 2,511 vota, përballë PD me 1,166 vota. “Shqipëria Bëhet” ka marrë vetëm 171 vota. Harta në këtë bashki është ngjyrosur plotësisht në rozë. Ndërsa rezultati i mandateve kryesorë po bëhet gjithnjë e më i qartë, vëmendja po kalon tek emrat. Me këtë konfigurim, mbetet surprizë kush nga kandidatët e listës së gjatë do të hyjë në Kuvend, pasi gara e brendshme brenda partive, veçanërisht në PS, pritet të prodhojë surpriza në emrat përfundimtarë të deputetëve. Vota e diasporës priten të jenë në të njëjtën linjë me votat brenda vendit.

Pas 4 vitesh “non grata”, DASH i hap një rrugë Berishës

Katër vite pas shpalljes “non grata” të kreut të PD-së Sali Berisha, nga SHBA duket se vijnë sinjale positive për t’i hequr gradualisht sanksionin. Berisha la shumë të paqartë nësë i është hequr ndalesa hyrëse në SHBA, por entuziazmi erdhi pas një shkrimi të botuar nga gazetari Marc Caputo, i cili publikoi “qëndrimin e DASH”, që do t’i hiqet ndalesa u udhëtimit, duke e konsideruar një vendim politik “non gratën”, të marrë nga administrata Biden.

Fiks katër vite pasi u shpall “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit, Sali Berisha ka sinjalizuar për një ndryshim të mundshëm në qëndrimin e SHBA ndaj tij. Më 19 maj 2021, Sekretari i atëhershëm i Shtetit, Antony Blinken, njoftoi se Berishës dhe familjes së tij i ndalohej hyrja në Shtetet e Bashkuara, me akuzën për korrupsion madhor dhe minimin e demokracisë. Dje, në majin e vitit 2025, debati është rihapur, me vetë Berishën që flet për një “dënim të vendimit politik” të administratës së mëparshme amerikane. Në një dalje për mediat, kreu i Partisë Demokratike deklaroi se: “Departamenti Amerikan i Shtetit, i drejtuar nga Sekretari i ri Marco Rubio, ka dënuar vendimin politik të marrë më parë nga administrata Biden”. Sinjalin e parë e ka dhënë gazetari amerikan Marc Caputo që punon për agjencinë “Axios”, një media me tepër influencuese sesa me lexueshméri të lartë. Ai është një reporter i njohur, i atashuar pranë Shtëpisë së Bardhë, dhe me këtë cilësi i ka bërë një pyetje Departamentit Amerikan të Shtetit, nëse kreu i opozitës në Shqipëri, Sali Berisha mund të vizitojë Shtetet e Bashkuara. Në një koment në rrjetin “X” ai thotë: “E pyeta Departamentin e Shtetit për statusin e vizës së Berishës dhe më thanë se ai mund të vijë në SHBA” – shkruan gazetari që publikon edhe përgjigjen e DASH. Pikërisht këtu është interesante të lexohet me lupë teksti. Aty nuk flitet për heqje të sanksionit, por për raste përjashtuese. “Ne japim rregullisht përjashtime për të lehtësuar udhëtimin e individëve të caktuar në SHBA, në përputhje me detyrimet ndërkombëtare dhe interesat tona kombëtare”, i është përgjigjur DASH Marc Caputos. Pra duket sikur vendimi për të anulljmuar dekretin e Blknkenit ende nuk është marrë, por ka një qasje që politikisht ai të zhvlerësohet. Dhe kjo duket qartë në pjesën e dytë të deklaratës të lëshuar nga DASH. Sepse aty theksohet se vendimi i Blinken la qenë politik, se ai është marrë ́në mënhrë të dhshimtë dbe se ainm ka dëmtuar marëdhëniet mes dy popujve. “Ne nuk do të lejojmë që interesat tona të politikës së jashtme apo marrëdhëniet me Shqipërinë të mbahen peng nga vendime të politizuara të epokës së Biden-it” – thuhet në reagimin e Departamentit Amerikan të Shtetit dërguar për gazetarin, ku togfjalshi “nuk do të lejojmë”, parathotë atë që do të ndodhë në të ardhmen. Duke e konsideruar këtë si një zhvillim me rëndësi rajonale dhe ndërkombëtare, Berisha falënderoi personalisht Sekretarin Rubio dhe ish-presidentin Donald Trump për qëndrimin e tyre të ri. “Ky vendim është një dënim i atij vendimi politik. DASH ka deklaruar se nuk përkrah qëndrimet politizuese të administratës së mëparshme. Kjo është një përgjigje shumë e fuqishme për përpjekjet e Edi Ramës, Xhorxh Sorosit dhe Blinken për të asgjësuar opozitën konservatore në Shqipëri,” tha Berisha. Megjithatë, nëse ndalesa zyrtare ndaj tij dhe familjes është hequr apo jo, Berisha shmangu një përgjigje të prerë. “Non grata është konsideruar vendim politik. Është dënuar ai vendim. Kjo është e qartë. Por nuk ka një përgjigje të re formale nga DASH. Ajo që ka ndryshuar është qëndrimi politik,” u shpreh ai. I pyetur nëse ka marrë njoftim zyrtar nga Departamenti i Shtetit për ndryshimin e këtij vendimi, Berisha tha se “nuk kam marrë asnjë përgjigje” dhe sqaroi se nuk ka kërkuar vizë për në SHBA që prej vitit 2013, kur la detyrën e Kryeministrit. “Unë nuk kam bërë asnjë kërkesë për vizë që prej vitit 2013. Dhe nuk kam plan të udhëtoj këto ditë, sepse jemi në kulmin e fushatës. Por sigurisht, në një moment të përshtatshëm, do të shkoja. Ky vendim është i rëndësishëm, është një vlerësim i madh për demokratët që nuk u tërhoqën nga e vërteta,” theksoi ai. Deklarata e Berishës vjen pas një njoftimi të lëshuar nga Partia Demokratike, e cila la të kuptohet se ndalesa hyrëse për kreun e saj mund të mos jetë më në fuqi. Megjithatë, asnjë dokument zyrtar nga autoritetet amerikane nuk është publikuar deri më tani, ndërsa asnjë burim nga Departamenti i Shtetit nuk ka konfirmuar ndryshimin e statusit të Berishës. Kjo situatë lë të hapur shumë pikëpyetje: A ka ndryshuar realisht qëndrimi zyrtar i SHBA? A është ky thjesht një interpretim politik i një deklarate apo një sinjal konkret për heqjen e sanksioneve ndaj Berishës? Dhe, mbi të gjitha, a përfshin ky zhvillim edhe anëtarët e familjes së tij, të cilët njësoj si ai, ishin përfshirë në vendimin e vitit 2021? Përgjigjet mbeten për t’u parë, ndërsa një gjë është e sigurt: katër vite pas shpalljes “non grata”, Sali Berisha duket më i vendosur se kurrë për të shpallur një triumf moral ndaj një prej aleatëve më të mëdhenj të Shqipërisë. Dhe kjo, në prag të një tjetër beteje elektorale.

PD kërkon hetim ndërkombëtar për krimet zgjedhore

Drejtuesja politike e PD-së për diasporën, Jozefina Topalli, ka ngritur sërish shqetësimin për shpërndarjen e zarfeve të votimit në shtetin e Greqisë, por edhe Italisë. Ajo ka kërkuar një hetim ndërkombëtar nga institucionet e huaja. PD dyshon dhe thotë se ka prova se persona të paautorizuar marrin nga 30-100 zarfe pa u kërkuar verifikim dhe firmë të dorëzimit, siç e parashikon Kodi Zgjedhor.

Partia Demokratike ju ka kërkuar institucioneve ligjzbatuese që të menaxhojnë procesin zgjedhor për votën e diasporës, duke kërkuar hetim ndërkombëtar për krimet zgjedhore që, sipas saj, po ndodhin kryesisht në Greqi, por jo vetëm. Megjithëse SPAK dhe Prokuroria e Përgjithshme ka në juridksion krimet zgjedhore që zhvillohen brenda territorit shqiptar, opozita kërkon përfshirje të drejtpërdrejtë të vëzhguesve ndërkombëtarë dhe një hetim të thelluar të mbikëqyrur nga institucionet partnere. Drejtuesja politike e PD për diasporën, Jozefina Topalli, ka dalë sërish publikisht për të denoncuar atë që e konsideron si “manipulim sistematik të votës së emigrantëve shqiptarë në Greqi”. Ajo tha se në dhjetëra raste, zarfe të votimit po merren nga persona të paidentifikuar nëpër lokale që funksionojnë si qendra të shërbimeve postare, ku mungon çdo formë verifikimi të identitetit. “Po ndodh që njerëz anonimë marrin 10, 20, deri në 100 zarfe votimi, pa u kërkuar dokument, pa firmë dhe pa asnjë kontroll. Kjo ndodh në lokale të lojërave të fatit që shërbejnë si pika dorëzimi. Nëse një votë hidhet në errësirë, pa gjurmë dhe pa përgjegjësi, ajo nuk mund të konsiderohet legjitime”, deklaroi Topalli. Ajo tha se kjo situatë është shtrirë në të gjithë territorin grek dhe përbën jo vetëm shkelje të ligjit, por një manipulim të pastër të procesit zgjedhor. Sipas saj, ka indicie të forta se pas këtij procesi qëndron partia në pushtet, ndërsa paralajmëroi se në mungesë të transparencës, PD do t’i drejtohet institucioneve ndërkombëtare. “Ky nuk është një incident i izoluar. Ne po flasim për një ndërhyrje masive në vullnetin e votuesve që jetojnë jashtë vendit. Prandaj kërkojmë nga OSBE dhe ODIHR monitorim të menjëhershëm dhe një hetim ndërkombëtar mbi këtë kapitull të errët të procesit zgjedhor”, tha Topalli. Ajo shtoi se përveç manipulimit të votës, janë evidentuar raste ku qytetarët rezultojnë në listat e votuesve si në diasporë, ashtu edhe në Shqipëri, një shkelje direkte e Kodit Zgjedhor që, sipas saj, rrezikon të lejojë votimin e dyfishtë. PD i është drejtuar sërish KQZ lidhur me problematikat e konstatuara me votën e diasporës. Përmes një shkrese, ky renditen problematikat që janë shënuar deri më datë 6 maj, demokratët kërkojnë që të bëhet një audit për Greqinë dhe Italinë, duke argumentuar se rrezikohet integriteti i këtij procesi zgjedhor. Një kopje e kërkesës zyrtare i është dërguar edhe SPAK-ut, me kërkesën për hetim penal të veprimeve që janë duke u ndërmarrë nga persona të paautorizuar, të cilët po marrin në dorë votën e emigrantëve në mënyrë të paligjshme. “Kemi dhjetëra raste të verifikuara, qindra të tjera në hetim. Procesi është dezintegruar. DHL ka humbur kontrollin. Ne besojmë se struktura të lidhura me pushtetin janë përfshirë drejtpërdrejt në manipulimin e votës në diasporë”, shtoi Topalli. Për PD-në, ajo që po ndodh në Greqi është vetëm një shembull i shkeljeve që mund të jenë të pranishme edhe në shtete të tjera, si Italia apo Gjermania. Në fund, Topalli deklaroi se çështja nuk do të mbyllet me reagime sporadike, por do të pasohet nga veprime ligjore dhe politike në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, duke paralajmëruar se kjo do të jetë një nga betejat kryesore të opozitës pas votimeve. PD pretendon se ka dokumentuar raste në Athinë, ku aktivistë të PS shpërndajnë dhe mbledhin zarfe nëpër lagje. Në Selanik, përmend filmime të votës dhe zarfe me më shumë fletë votimi. Në Romë, sipas PD, votuesit kanë marrë edhe zarfet e fqinjëve të tyre pa pasur nevojën e mjetit të identifikimit ndërsa në SHBA ka pasur raste ku zarfet me fletët e votimit janë lënë pa njoftim dhe pa firmën e marrësit.

80 mijë zgjedhës të diasporës ende nuk sjellin zarfin me votën

Deri pasditen e djeshme në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve kanë mbërritur 144.783 zarfa me votën e diasporës. Janë rreth 80 mijë zgjedhës të cilët edhe pse kanë tërhequr flatën e votimit, nuk e kanë dërguar në postë. Problemet më të mëdha si me tërheqjen e zarfave ashtu edhe mosdorëzimin në kohë janë shfaqur me votuesit në Greqi.

Pas miratimit të Kodit të Ri Zgjedhor, për herë të parë iu dha mundësia qytetarëve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit të ushtrojnë të drejtën kushtetuese të votës. Përmes platformës online të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, u regjistruan 245,935 shtetas shqiptarë nga e gjithë bota. Më 14 prill, KQZ nisi dërgimin e zarfeve me fletët e votimit nëpërmjet postës DHL, të ndara sipas qarqeve zgjedhore. Janë shpërndarë gjithsej 245,939 zarfa, por vetëm 224,658 janë marrë nga votuesit, ndërsa rreth 21 mijë nuk janë tërhequr apo janë refuzuar. Ku më shumë se gjysma i përket Greqisë që nuk janë shpërndarë. Nga zarfat e tërhequr, 144,783 kanë mbërritur pranë zyrave të KQZ-së. Kjo do të thotë se afërsisht 80 mijë persona që kanë marrë fletën, nuk e kanë kthyer ende atë, duke e lënë për momentin e fundit të dorëzimit, ose duke refuzuar të votojnë. Gjithsesi afati I mbërritjes së zarfeve tashmë ngushtohet shumë. Kodi zgjedhor e parashikon se çdo votë që mbërrin nga jashtë vendit pas orës 19.00 të datës 11 maj nuk vlen. Një pjesë e madhe e zarfave të padorëzuara i përket shtetit grek, ku nga 68 mijë të regjistruar, vetëm 23 mijë kanë votuar deri tani. KQZ ka njoftuar se afati për tërheqjen dhe dorëzimin e fletëve të votimit në ishujt grekë është pasditja e së martës, ndërsa për qytetet e tjera përfundon më 8 maj. Sipas të dhënave të fundit, për dy ditë rresht nuk është regjistruar asnjë dorëzim i ri, pasi asnjë avion që ka mbërritur në Shqipëri nuk ka sjellë vota nga diaspora. Mbeten vetëm më pak se 48 orë për të përmbyllur procesin e votimit nga jashtë.
Diaspora nuk mund të votojë në Shqipëri
KQZ ka sqaruar se të gjithë qytetarët që janë regjistruar si votues nga diaspora nuk mund të paraqiten fizikisht në Shqipëri për të votuar. Emri i tyre është hequr nga lista e zgjedhësve brenda vendit dhe do të figurojë vetëm në sistemin për votuesit jashtë. Ky mesazh është drejtuar kryesisht për shqiptarët që jetojnë në Greqi, të cilët, për shkak të afërsisë, mund të mendojnë gabimisht se mund të vijnë në Shqipëri për të votuar, ashtu siç ka ndodhur në të shkuarën. Në të kundërt, ata që nuk janë regjistruar online ose janë refuzuar nga KQZ, mund të votojnë në vendbanimet e tyre në Shqipëri, pasi emri i tyre është në listën e zgjedhësve brenda vendit.
Reagimi i Celibashit
Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi e shpjegon rënien e ritmit të dorëzimit të votave me kufizimet e orarit të postës gjatë fundjavës, si dhe me problemet e shumta në adresat e pasakta, mungesën e kontaktit ose numrave të pavlefshëm. “Dje janë grumbulluar vetëm katër vota. Zarfe që nuk janë dorëzuar, ndodhen ende në zyrat e DHL-së për shkak të mungesës së informacionit të saktë për kontaktin e votuesit. Ne i kemi bërë thirrje të interesohen vetë pranë zyrave përkatëse”, u shpreh Celibashi. Ai thekson se procesi nuk duhet paragjykuar para kohe, sidomos në raport me Greqinë. “Ka ende kohë. Unë besoj se mund të kalojë shifrën e 200 mijë votave nga diaspora”, u shpreh ai, duke përmendur se afati për të mbërritur zarfat në Shqipëri është ora 19:00 e datës 11 maj.
PD kërkon shtyrje afati për ID-të e skaduara
Ndërkohë që mbeten vetëm pesë ditë nga dita e votimit, Partia Demokratike ka kërkuar shtyrjen e vlefshmërisë së kartave të identitetit për efekt votimi. Sipas saj, janë rreth 466 mijë qytetarë që nuk mund të ushtrojnë të drejtën e votës për shkak të dokumenteve të skaduara. “I kërkojmë qeverisë të miratojë menjëherë një akt normativ për zgjatjen e afatit të dokumenteve të identitetit për qëllime zgjedhore. I bëjmë thirrje edhe KQZ-së të ndërhyjë me forcë për këtë çështje”, thuhet në deklaratën e PD-së.

Shpërndahen materialet
zgjedhore në Vlorë dhe Korçë

Në KZAZ nr. 84, e vendosur pranë palestrës së shkollës 9-vjeçare “Ismail Qemali”, kanë mbërritur tashmë pajisjet për procesin e numërimit, por edhe për vëzhguesit. Ndërsa në vijim pritet edhe mbërritja e kutive të votimit, të cilat më pas, gjatë së shtunës, do të shpërndahen në të gjitha qendrat e votimit. Ervin Shakaj, kryetar i KZAZ nr. 84, ka konfirmuar se janë 68 qendra votimi në këtë KZAZ, që përfshijnë të gjitha njësitë administrative të Bashkisë Vlorë. Përveç mbërritjes së materialeve zgjedhore, janë inspektuar të gjitha qendrat e votimit, si dhe është bërë përcaktimi i komisionerëve. Bashkia Vlorë ka katër KZAZ: numrat 84, 85, 86 dhe 87, të vendosura pranë palestrës së shkollës “Ismail Qemali”, palestrës së gjimnazit “Ali Demi” dhe në Pallatin e Sportit në Vlorë. Po këtë të martë ka nisur këtë të martë shpërndarja e materialeve zgjedhore në 7 KZAZ-të e qarkut të Korçës, përkatësisht për 422 qendra votimi. Komisionet zonale të administrimit të zgjedhjeve po administrojnë kutitë e votimit së bashku me fletët e votimit, vulat, kamerat e qendrave te votimit dhe pajisjet PEI. Shpërndarja e tyre në qendrat e votimit pritet të kryhet ditën e shtunë një ditë para zgjedhjeve parlamentare. “Sapo kanë mbërritur materialet zgjedhore në KZAZ 70, Bashkia Pogradec. KZAZ-ja është e plotësuar me anëtarë, pritet të evidentohen 106 qendrat e votimit dhe të shtunën, sipas ligjit, do të nisë shpërndarja e materialeve. Janë ngritur komisioneret e qendrave të votimit, të cilët do të paraqiten për të marrë materialet e votimit ditën e shtunë.”, thotë kryetari i KZAZ 70 në bashkinë Pogradec, Mondi Mekolli.

PD akuzon PS-në për blerje votash: SPAK të ndërhyjë

Pas denoncimeve në Tiranë, Fier dhe Korçë dje reagoi dega e PD-së në Berat dhe kandidati i PD për Qarkun Lezhë të cilët akuzojnë Partinë Socialiste për abuzim me pushtetin dhe manipulim të vullnetit të qytetarëve. Demokratët e Beratit kërkojnë hetim urgjent nga SPAK dhe veprim të menjëhershëm të Policisë së Shtetit, ndërsa bë Lezhë Gjoni njoftoi ngritjen e “strukturave vullnetare për mbrojtjen e votës”. Rriten tensionet dhe shënohen disa incidente.

Në javën e fundit të fushatës zgjedhore, kur të gjitha partitë dhe kandidatët kërkojnë të shfrytëzojnë çdo ditë për të siguruar vota, akuzat për manipulim të procesit zgjedhor janë intensifikuar. Me çelësin e pushtetit në dorë, Partia Socialiste është më e favorizuara për të bërë premtime konkrete, por në të njëjtën kohë po përballet me akuza të rënda për keqpërdorim të funksioneve publike. Partia Demokratike ka bërë denoncimet e radhës ndaj PS-së, duke e akuzuar për blerje masive votash nëpërmjet përdorimit të strukturave shtetërore dhe premtimeve klienteliste. Pas Fierit dhe Korçës, edhe nga dega e PD-së në Berat dhe kandidati për deputet në Qarkun Lezhë, Gjin Gjoni, kanë bërë publike pretendime të ngjashme, duke akuzuar funksionarë të PS-së për përpjekje për të tjetërësuar vullnetin e qytetarëve. “Ndërsa kemi hyrë në javën e fundit të fushatës zgjedhore, e dimë se sipas traditës më të mirë të 12 viteve të fundit, kjo është java ku Partia Socialiste blen vota me shumicë, me para në dorë, ndihma, premtime për legalizime, vende pune, apo heqje gjobash. Kjo është java ku vullneti i popullit tjetërsohet rëndë dhe ku mazhoranca aktuale ka varur çdo shpresë për fitore”, thuhet në deklaratën zyrtare të PD Berat. Sipas kësaj force politike, ekzistojnë dëshmi dhe informacione konkrete për individë dhe zona ku po bëhen këto ndërhyrje të paligjshme. “Ne kemi dijeni për emra dhe mbiemra, për zona ku po operohet, për persona që kanë premtuar gjithçka të paligjshme në këmbim të votës. Partia Demokratike është në terren, me strukturat e saj mobile, të cilat po monitorojnë çdo cep të territorit dhe çdo individ të dyshuar”, deklaron PD. Në të njëjtën kohë, kjo forcë politike i ka drejtuar një thirrje të drejtpërdrejtë Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë së Posaçme (SPAK), që të reagojnë pa vonesë dhe të zbatojnë ligjin. “U bëjmë thirrje këtyre dy institucioneve që të tregojnë se janë të paanshme dhe në shërbim të qytetarëve. Nuk kërkojmë tensione apo përplasje, por zbatim të ligjit. Do të sinjalizojmë menjëherë çdo rast të shkeljes së kodit zgjedhor. Nuk do të lejojmë që asnjë votë të tjetërsohet, vidhet apo blihet. Presim që institucionet të reagojnë menjëherë.”, thuhet në deklaratë. Në përmbyllje, PD ka kërkuar që qytetarët të votojnë të lirë dhe të pakërcënuar më 11 maj, duke theksuar se nuk do të lejojë që vullneti i popullit të tjetërsohet. “Ne duam që shqiptarët të votojnë të lirë dhe të pakërcënuar. Por të jeni të sigurt se asnjë votë nuk do të preket. Mjerë ata që nuk bëjnë llogaritë me ligjin dhe vendosmërinë tonë për të mbrojtur deri në fund vullnetin e zgjedhësve”, përfundon deklarata.
Blerje votash në Lezhë
Kandidati i Partisë Demokratike në Lezhë, Gjin Gjoni, ka ngritur akuza të drejtpërdrejta ndaj kandidatëve të Partisë Socialiste, duke i denoncuar për blerje votash dhe abuzim me pushtetin lokal dhe qendror. Në një konferencë për shtyp, Gjoni deklaroi se kandidatët e PS-së po punojnë për të pasur një rezultat të lartë të partisë, por edhe për duke maksimizuar votat personale mes kandiatëve të majtë, duke bërë një gara më të ashpër brenda socialistëve për të blerë votas. Sipas tij, drejtuesit lokalë të PS në Lezhë ndodhen nën presionin e kryeministrit për të ndryshuar rezultatin në këtë qark, çka ka sjellë një valë përpjekjesh për të manipuluar vullnetin e qytetarëve. “Pavarësisht kushteve që kryetari i Partisë Socialiste u ka vënë drejtuesve të qarkut Lezhë për të ndryshuar këtë rezultat, duket se janë në panik dhe kërkojnë të zbatojnë me korrektësi urdhrat e padronit. Deklaratat e dhëna sot nga ata janë të pabaza. Unë kam përmendur emra konkretë dhe kam qenë i qartë në çdo denoncim”, u shpreh Gjoni. Ai tha se çdo ditë PD merr informacion nga qytetarë dhe nga brenda vetë strukturave të PS-së për individë të përfshirë në tentativa për blerje votash. “Janë njerëz të lidhur me pushtetin qendror dhe lokal, që aktualisht punojnë në institucionet e bashkisë dhe të administratës shtetërore në qarkun e Lezhës”, tha Gjoni. Sipas tij, përplasjet e brendshme mes kandidatëve të PS-së për renditje në listën e hapur kanë çuar në një garë të egër për mbështetje elektorale, duke rezultuar në veprime të paligjshme. “Secili kërkon të jetë mbi tjetrin. Janë turrur si hijena në blerjen e votës së qytetarëve të Lezhës”, deklaroi ai. Gjoni njoftoi se Partia Demokratike ka ngritur ekipe vullnetare për të mbrojtur votën dhe për të monitoruar të gjithë territorin. “Ne i kemi në vëzhgim total. Lezha nuk do të jetë dele e zezë në hartën e zgjedhjeve, as në ato të përgjithshme e as në ato lokale”, theksoi ai. Në përmbyllje, Gjoni u shpreh i bindur se Partia Demokratike do të dalë fituese edhe në këto zgjedhje: “PD është forcë fituese, dhe këtë do ta dëshmojmë edhe këtë herë, pavarësisht presionit dhe skemave të mazhorancës. Fitorja do të vijë nga qytetarët, jo nga pazaret.”

300 pjesëmarrës

Jetë në duart e tyre, mbahet kongresi
i parë i mamive të Shqipërisë

Ditën e djeshme në ambientet e “Hotel Tirana”, Urdhri i Infermierëve të Shqipërisë organizoi kongresin e parë të mamive dhe infermiereve të reparteve pediatrike, ku morën pjesë 300 mami dhe infermiere nga i gjithë vendi. Thmeluesi i Urdhrit të Infermierit të Shqipërisë, Sabri Skënderi, tha se kongresi ishte mjaft i rëndësishëm, jo vetëm për kualifikimin e infermierëve dhe mamive por edhe përçimin e mesazheve për humanizëm dhe profesionalizëm. “Në kongres morën pjesë 300 mami dhe infermiere pediatrike. U përzgjodhën 30 tema të zhvilluara në katër salla ku lektorë ishin pedagogë të Fakulteteve të Infermierisë, kryemami dhe mami me eksperiencë të gjatë”-tha Skënderi. Gjithashtu pjesëmarrës ishin edhe përfaqësues të Odës së Infermierisë së Kosovës, në vijimin e bashkëpunimit dhe efikasitetit mes dy vendeve në fushën e infermierisë. “Të jesh mami, më shumë se profesion është mision”-tha Skënderi. Përveç trajnimit kongresi ishte ideuar në formën e gjithëpërfshirjes ku e veçantë ishte ekspozita me 30 punime, piktura dhe grafikë. “Janë përgatitur nga studentë mami në të gjithë fakultetet e vendit. Temat lidhen kryesisht me nënën, periudhën e shtazanisë, lindjes dhe rritjes së fëmijës”-tha Skënderi. Kjo është hera e parë që mbahet kongres me pjesëmarrje të tillë dhe qëllimi kryesor mbetet tërheqja e brezit të ri drejt këtij profesioni. Gjithashtu sipas Skënderit për Urdhrin e Infermierit të Shqipërisë një rëndësi e veçantë i jepet profesionalizmit dhe përftimit të eksperiencave pas diplomimit dhe nisjes së punës.

Rama mandat të katërt për Europë?/ BE i kujton se integrimi varet nga zgjedhjet

Ambasadori i Bashkimit Europian nw Shqipwri, Silvio Gonzato, paralajmëroi se procesi zgjedhor i 11 majit është testi real për Shqipërinë. Ambasadori tha se BE nuk i intereson fituesi, por standardet do të peshojnë në rrugën drejt anëtarësimit. Teksa kryeministri Edi Rama e sheh mandatin e ardhshëm si një votë për Europën, Brukseli i kujton se integrimi matet me drejtësinë dhe ndershmërinë e garës zgjedhore.

Në kulmin e fushatës elektorale ku kryeministri Edi Rama po kërkon mandatin e katërt me premtimin për ta çuar Shqipërinë në Bashkimin Europian, nga ambasada e këtij Unioni në Tiranë erdhi një deklaratë që ftoh entuziazmin e retorikës politike dhe e zhvendos vëmendjen te integriteti i procesit zgjedhor. Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, zhvilloi të enjten një takim me kryekomisionerin Ilirjan Celibashi në ambientet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Pas takimit, ai dha një mesazh të qartë: Brukseli nuk është i interesuar se kush fiton më 11 maj, por si zhvillohen zgjedhjet. “Unë nuk bëj deklarata para zgjedhjeve,” u shpreh Gonzato për mediat. “Por Bashkimi Europian ka besim të plotë te misioni i ODIHR-it, i cili po monitoron nga afër këtë proces. Zgjedhjet duhet të jenë të lira, të ndershme dhe transparente.”, tha ai.  Kjo deklaratë bie në kontrast të fortë me premtimin  nga Edi Rama, i cili gjatë gjithë fushatës ka përsëritur se Shqipëria ka nevojë për një mandat të katërt socialist për të përmbyllur rrugëtimin drejt BE-së. Në disa raste, ai e ka paraqitur veten si garantin e vetëm të stabilitetit dhe besueshmërisë së Shqipërisë përpara Brukselit. Por përfaqësuesi më i lartë i BE-së në Tiranë i kujtoi të gjithëve se zgjedhjet janë një provë për shtetin e së drejtës dhe funksionimin e institucioneve, jo për fjalimet politike.

“Lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit është në zemër të negociatave për anëtarësim,” nënvizoi Gonzato, duke shtuar se “SPAK ka një detyrë shumë të rëndësishme në këtë drejtim.” Për BE-në, fuqizimi i institucioneve të drejtësisë, si dhe garantimi i një gare të drejtë, janë më të rëndësishme sesa deklaratat politike apo premtimet elektorale. Në mënyrë të drejtpërdrejtë, Gonzato theksoi se Bashkimi Europian është në krah të Shqipërisë për ta mbështetur në rrugën drejt anëtarësimit, por nuk ka asnjë interes apo rol ndërhyrës në zhvillimet e brendshme. “Nuk jemi këtu për të ndërhyrë apo për të manipuluar asgjë,” deklaroi ai. Nga njëra anë, një fushatë që e sheh votën si një “po” ose “jo” për Europën përmes një force të vetme; nga ana tjetër, një qëndrim i prerë se integrimi është një proces me standarde të matshme, ku lufta ndaj korrupsionit dhe funksionimi i drejtësisë janë më të rëndësishme se çdo rezultat elektoral. Gonzato e vendosi theksin pikërisht aty ku Rama shpesh ka shmangur të ndalet: te cilësia e procesit. Mesazhi i ambasadorit europian vjen gjithashtu në një moment kur SPAK është nën presion publik dhe politik, me hetime të hapura ndaj zyrtarëve të lartë të cilët po denoncohen në SPAK për krime zgjedhore. Ndërsa Rama kërkon votën për Europën, Europa kërkon zgjedhje të pakontestuara për të vijuar rrugën e integrimit./e.t

Një javë para zgjedhjeve, partitë e reja artikulojnë zgjedhje të parakohshme

Vetëm pak ditë përpara zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 11 majit, retorika politike po ashpërsohet dhe skenari i zgjedhjeve të parakohshme është kthyer në një ndër pikat kyçe të debatit publik. Edhe pse një sjellje tashmë e njohur në politikën shqiptare, artikulimi i hapur i mundësisë për të çuar vendin në zgjedhje të reja menjëherë pas këtyre zgjedhjeve ka marrë më shumë vëmendje këtë herë për shkak të qëndrimeve të partive të reja që kanë hyrë për herë të parë në garë.

Edhe pse ndodhemi vetëm një javë larg zgjedhjeve vendore të 11 majit, skena politike shqiptare po përballet me një zhvillim të pazakontë: partitë e reja që hyjnë për herë të parë në garë po artikulojnë me vendosmëri idenë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, duke përjashtuar çdo mundësi për koalicion paszgjedhor. Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi elektoral në Dimal, ka goditur fort formacionet e reja, duke i akuzuar si të papërgjegjshme dhe si kërcënim për stabilitetin institucional të vendit. “Të tjerët që medemek janë të rinj, thonë se po qe se na vjen ne në dorë kjo punë, do të shkojmë në zgjedhje të parakohshme. Ndërkohë që ne na duhet të mbyllim negociatat në 2027 dhe të futemi në BE,” u shpreh Rama. Kreu i qeverisë ironizoi publikisht alternativat e reja politike, duke thënë se Shqipëria nuk ka nevojë për “imitacione të një partie që ishte e treta dhe e vërteta deri dje, që sot është bërë barra dhe halli i shqiptarëve.” Ai i quajti ato “shëmbëlltyra që kërkojnë të hyjnë në valle dhe pastaj bëhen grabitqare,” ndërsa përmes rubrikës së tij “SY m’SY” në rrjetet sociale, tha se ai vetë përfaqëson “kandidatin më të ri dhe më të vjetër”, duke nënkuptuar kombinimin e energjisë dhe përvojës në Partinë Socialiste. Përveç sulmeve ndaj partive të reja, Rama sulmoi ashpër edhe Partinë Demokratike dhe lidershipin e saj, duke thënë se “PD është më e shqetësuar për të hequr non gratën e Berishës sesa për të ndihmuar qytetarët.”

Përgjigjet Lapaj

Në përgjigje të drejtpërdrejtë ndaj akuzave të Ramës, kreu i “Nisma Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka shpjeguar arsyet e vendimit për të mos hyrë në asnjë koalicion dhe për të çuar vendin në zgjedhje të parakohshme, nëse partitë e reja do të kenë mandate që prishin ekuilibrat aktualë të pushtetit. “Të ka zënë frika, e di ti që do shkojmë në zgjedhje të parakohshme,” tha Lapaj. “Do të shkojmë që të mos e dhunosh e detyrosh administratën për votë. Do të shkojmë që të mos kesh të fortë rreth vetes që kërcënojnë qytetarët. Do të shkojmë në zgjedhje të parakohshme, nëse shqiptarët na besojnë ne aq mandate sa ti të mos e bësh dot qeverinë. Edhe 10 ditë!”, tha ai. Deklarata e Lapajt vjen në kur partitë e reja po synojnë të imponohen si forcë decizive dhe të ndryshojnë rregullat e lojës që në hyrje, duke e parë pjesëmarrjen e tyre jo si aksesor të sistemit, por si pikënisje për një konfigurim të ri politik.

Procesi/ Votat e diasporës në rrezik, pas PS-së edhe PD ngre alarmin për parregullsi

Votimi nga diaspora për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 po shoqërohet me probleme serioze që, sipas Partisë Demokratike dhe vetë qytetarëve që jetojnë jashtë vendit, rrezikojnë të cenojnë jo vetëm të drejtën e votës, por edhe integritetin e gjithë procesit. Pa ditë më parë edhe PS u ankua në KQZ se janë zbuluar raste të keqmenaxhimit të procesit, deri në mohim të së drejtës së votës.

Pavarësisht deklaratave zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve se problemet në votimin nga diaspora janë “të vogla dhe në zgjidhje”, shqetësimet po shtohen ndërsa afatet për përfundimin e këtij procesi po mbyllen shumë  shpejt. Emigrantë shqiptarë kanë treguar për gazetën “Fjala” se janë lënë në pritje dhe pa asnjë informacion, pasi zarfi me të dhënat e tyre ka mbërritur, por askush nuk është rikthyer për të marrë mbrapsht votën e hedhur në mënyrë të rregullt. Kjo përbën, sipas tyre, një shkelje të asaj që ishte premtuar për korrektësi dhe komunikim të plotë gjatë gjithë procesit. Në këtë sfond, Partia Demokratike ka dalë në mënyrë të prerë kundër mënyrës se si po menaxhohet votimi nga jashtë vendit. Në një konferencë për shtyp, Jozefina Topalli, e deleguara politike e PD-së për Diasporën, dhe përfaqësuesi i partisë në KQZ, Franc Nuri, kanë publikuar një sërë problemesh që po e shoqërojnë këtë proces, duke ngritur pikëpyetje të mëdha mbi integritetin e tij.  Drejtuesja politike e diasporës në Partinë Demokratike, Jozefina Topalli, ka shprehur besimin e saj të fortë se diaspora do të japë një goditje të fuqishme keqqeverisjes së Edi Ramës, duke theksuar se kjo është edhe arsyeja që shumë shqiptarë kanë ikur nga Shqipëria. “Diaspora do të bëjë rrotacionin e madh, ndryshimin historik, në një akt të thellë drejtësie ndaj vetes dhe kombit. Shqiptarët po votojnë masivisht, dhe kjo duket nga mesazhet që ata dërgojnë. Po e themi se viti i diasporës është më shumë se një thënie, sepse ata do të bëjnë ndryshimin e thellë,” tha Topalli. Ajo shprehu disa shqetësime të ngritura nga shqiptarët që jetojnë jashtë vendit dhe bëri thirrje për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) që të veprojë menjëherë për t’u dhënë mundësi atyre që të ushtrojnë të drejtën e votës. Tre ditë më parë edhe mazhoranca ngriti shqetësim në KQZ për keqmenaxhimin e procesit zgjedhor të Diasporës, socialistët evidentuan si problem se në disa raste, kryesisht në Greqi dhe Italia kompania DHL nuk ka respektuar protokollet si dhe krijohen vështirësi në komunikimin me postën. “Mosrespektimi i protokolleve të njoftimit nga DHL përmes emailit dhe SMS-ve, sidomos në Greqi dhe Itali. Vështirësi në komunikim me DHL, ku kontaktet nuk përgjigjen ose shfaqen si “call failed”. Refuzim i marrjes së zarfeve të kthimit nga DHL, sidomos në Greqi, dhe raste kur qytetarëve u kërkohet ta dorëzojnë fizikisht në pikën postare. Kërkesa për pagesë për kthimin e zarfeve nga ana e DHL. Fletë votimi mungojnë në zarf, me raste konkrete në SHBA, Itali, Angli dhe Greqi”thuhej në shqetësimin e PS-së.

Problemet e konstatuar

Një nga problemet kryesore është vonesa në dërgimin dhe marrjen e fletëve të votimit nga kompania ndërkombëtare DHL, shpesh përtej afateve ligjore. Sipas PD-së, shumë qytetarë kanë marrë vetëm zarfin e parë, por jo vizitën e dytë të postierit për të dorëzuar votën, duke e bërë procesin të pamundur për t’u përmbyllur. Në disa raste, zarfet janë lënë në mënyrë të paautorizuar nëpër ambiente të hapura, ose janë dorëzuar te persona të tretë pa leje, duke kompromentuar parimin e votës së fshehtë. Janë raportuar gjithashtu probleme me materialet brenda zarfeve, mungesa, gabime në të dhëna, apo fletë të pavlefshme për mungesë vule zyrtare. Një tjetër shqetësim është përdorimi i të dhënave personale nga subjekte politike, si dhe përfshirja e individëve të paautorizuar në mbledhjen apo rikthimin e zarfeve në disa zona të Greqisë. Në Hania dhe qytete të tjera të Kretës, persona të ndryshëm kanë deklaruar publikisht se veprojnë në “bashkëpunim me DHL”, duke grumbulluar apo shpërndarë zarfe në mënyrë kolektive.“Organizimi kolektiv dhe ndërhyrja e paautorizuar në procesin e votimit cenon drejtpërdrejt integritetin e procesit dhe hap rrugë manipulimeve. Autoritetet duhet të ndërhyjnë menjëherë për të hetuar dhe ndjekur penalisht këto veprime të organizuara”, u shpreh juristi i PD-së në KQZ, Franc Nuri. Deri tani, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka dhënë një reagim zyrtar ndaj akuzave të ngritura nga PD. Ndërkohë, koha për votimin nga jashtë është gjithnjë e më e kufizuar dhe ka rrezik që shumë vota të mbeten të papërdorura apo të pavlefshme për shkak të parregullsive në zinxhirin e dorëzimit dhe kthimit të zarfeve. Opozita kërkon që institucionet të reagojnë menjëherë, të garantojnë proces të sigurt dhe të kontrolluar dhe të shmangin çdo tentativë për manipulim apo shkelje të të drejtës së votës për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit.

❌