Gazeta Si – Një automjet i dyshimtë është ndjekur dhe ndaluar në rrugën “Myslym Shyri” në Tiranë pasditen e kësaj të mërkure, pasi dyshohej se posedonte armë zjarri.
Gjatë ndjekjes, mjeti drejtohej nga një i ri, që u shpall në kërkim, ku pasagjer ishte edhe i kërkuari Skerdi Sina.
Sipas policisë, makina është përplasur me 3 automjete të tjera në rrugën “Andon Zako Çajupi”, pranë selisë së Partisë së Lirisë te sheshi “Willson” dhe më pas është ndaluar nga policia.
Pas kontrollit dhe gjatë operacionit, është sekuestruar një armë zjarri. Shoferi mundi të largohej para mbërritjes së efektivëve, kurse Sina u shoqërua fillimisht dhe më pas u arrestua në komisariat.
Sina rezultoi se ishte në kërkim për ngjarjen e ndodhur në ‘Astir” më 9 janar, ku u shpëtua një vajzë e re që ishte mbyllur me forcë brenda një apartamenti nga një grup të rinjsh që posedonin armë dhe drogë.
Ndjekja ditën e sotme u bë nga forcat “Shqiponja” dhe të dyshuarit rrezikuan edhe jetët e qytetarëve gjatë arratisjes së rrezikshme, por për fat të mirë pa të lënduar.
“Rreth orës 16:30, në zonën e “Vasil Shantos”, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” i bënë shenjë ndalimi një automjeti tip “Audi Q8”, në të cilin ndodheshin dy persona, pasi kishin dyshime të arsyeshme se personat në automjet mund të ishin të armatosur. Drejtuesi nuk iu bind urdhrit të Policisë, vijoi lëvizjen me shpejtësi, përplasi tre automjete dhe më pas, së bashku me pasagjerin, braktisi automjetin në rrugën “Moskat”. Gjatë largimit, dyshohet se këta shtetas hodhën në tokë një armë zjarri pistoletë, e cila u sekuestrua dhe do të dërgohet për ekzaminime të mëtejshme. Si rezultat i ndjekjes nga shërbimet e Policisë, u bë e mundur kapja dhe shoqërimi në ambientet e DVP Tiranë i pasagjerit në automjet, S. S., 29 vjeç, të cilit, gjatë kontrollit fizik, iu gjetën një krehër dhe municion”, njoftoi policia pas hetimeve paraprake.
Ndërkohë, është bërë identifikimi i drejtuesit të automjetit dhe vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e tij. Grupi hetimor i ngritur për rastin po vijon veprimet për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje.
Ngjarja e rëndë në Astir, ndodhi në janar të këtij viti, kur policia mori një telefonatë shqetësuese nga një 21-vjeçare që ishte e kyçur në një apartament me qira ditore.
E reja u shpreh për blutë se ishte dhunuar nga disa persona, duke ngritur kështu alarmin dhe për forcat RENEA, që u angazhuan në nxjerrjen e saj nga apartamenti.
Për ngjarjen, u shpallen në kërkim katër persona, që u akuzuar për armëmbajtje, kokainë dhe jelekun antiplumb, gjëra këto që u gjetën tek banesa e marrë me qira ngjitur atij ku ishte ngujuar 21-vjeçarja.
Këta djem, së bashku me tre vajza, mes tyre dhe 21-vjeçarja, kanë festuar përgjatë gjithë mbrëmjes deri në orët e para të mëngjesit, në dy banesa të marra me qira ditore, në zonën e Astirit.
Vajza u shpreh në polici se shkoi me dëshirën e saj në banesë, por është frikësuar kur ka parë armët. Ndryshe nga sa ka pretenduar gjatë telefonatës, në polici ajo ka deklaruar se nuk e kanë dhunuar. Ndërkohë edhe nga akt ekspertiza e kryer rezultoi se nuk kishte shenja dhune.
Por, pasi u nxorr nga apartamenti, e reja ishte në gjendje të rëndë psikologjike.
The post Tiranë / Arrestohet autori i dyshuar i ngjarjes në ‘Astir’, gjatë ndjekjes nga policia përplasi disa makina appeared first on Gazeta Si.