Freski për ditët më të nxehta: Kombinime të lehta që do t’ju bëjnë të dalloheni
Idetë më praktike për një stil veror të rehatshëm dhe plot elegancë
Nëse duam të jemi të sinqertë, duhet ta pranojmë që vera është padyshim një nga stinët tona të preferuara, por më së shumti na pëlqen sezoni i pushimeve
Ditëve kur na zë vapa, mjafton të zhytemi në det dhe të freskohemi. Por kur temperaturat ngjiten dhe vala e të nxehtit mbërrin në qytetin tonë, gjërat bëhen pak më të vështira. Në vend që të qëndrojmë në shtëpi me kondicionerin ndezur, detyrohemi të dalim në vapë për shkak të angazhimeve.
Për fatin tonë të mirë, bota e modës na ofron sërish zgjidhjen që na duhet.
Kjo do të thotë që mund të krijoni një pamje të stilit urban, e cila do ta bëjë të nxehtin më të përballueshëm, pa bërë kompromis me stilin tuaj, transmeton Telegrafi.
Mjafton të ndiqni këshillat më poshtë:
1. Qëndroni larg rrobave të errëta
Shmangni rrobat e errëta si e zeza dhe preferoni ngjyrat e çelura, si e bardha apo bezha, sepse nuk tërheqin aq shumë rrezet e diellit.
2. Kushtoni rëndësi materialeve
Pambuku, liri dhe mëndafshi janë disa nga zgjedhjet më të mira që mund të bëni, pasi janë pëlhura të freskëta, ajrosëse dhe thithin lagështinë, duke i lejuar lëkurës të marrë frymë.
3. Zgjidhni veshje me prerje të lirshme
Sado që i doni xhinset e ngushta, më mirë lini ato në dollap, të paktën për ditët më të nxehta. Një fustan maksi i ajrosur, pantallona të shkurtra me bel të lartë me një bluzë pa mëngë ose pantallona liri janë disa nga opsionet më të mira.
4. Mos i harroni aksesorët
Përveç syzeve të diellit, të cilat janë absolutisht të domosdoshme në verë, sepse mbrojnë sytë nga rrezet e dëmshme të diellit, këto ditë po aq të dobishëm do të jenë edhe kapelat prej kashte. Përveç se plotësojnë pamjen tuaj, do t’ju shpëtojnë nga dhimbja e kokës që shkakton dielli.
Kombinime veshjesh të përditshme, ideale për vapën në qytet, mund t’i zbuloni në galerinë e fotove dhe mos hezitoni të “vidhni” ide nga njohësit e modës. /Telegrafi/
The post Freski për ditët më të nxehta: Kombinime të lehta që do t’ju bëjnë të dalloheni appeared first on Telegrafi.