Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Si po degradojnë vilat e Durrësit dhe Shirokës që lidhen me Mbretin Zog

20 June 2025 at 17:23

Dy ndërtesa me rëndësi historike, që lidhen me familjen e Mbretit Zogu I-rë, mbeten sot në mëshirë të fatit pa mbrojtjen e duhur ligjore. Njëra në Durrës dhe tjetra në Shkodër, të dyja përballen me gjendje degraduese dhe mungesë plani të qartë restaurimi nga autoritetet.

Rezidenca verore e Zogut, nga shkatërrimi drejt rilindjes

Vila Mbretërore në kodrën e Durrësit ka një histori që nis në vitin 1925, kur, asokohe, Presidenti i sapozgjedhur Ahmet Zogu siguroi një hua nga qeveria italiane.

Ndërtimi i saj u mbështet nga fondet e kredisë SVEA (Società per lo Sviluppo Economico dell’Albania/Shoqëria për Zhvillimin Ekonomik të Shqipërisë) dhe nisi punimet në vitin 1927, me një sërë kontratash e shtesash financiare që vijuan deri në vitin 1938.

Fillimisht u njoh si “Vila Presidenciale”, por më pas u shndërrua në simbol të pushtetit të Zogut dhe një nga ndërtesat më të rëndësishme të periudhës së tij si monark, me një investim total që kalonte 1.5 milionë franga ari – ekuivalente me 40 milionë euro të ditëve të sotme – të krahasueshme me ndërtimet madhore shtetërore të kohës.

Pas Luftës së Dytë Botërore, vila u përdor si godinë pritjeje dhe gjatë regjimit komunist priti figura të njohura ndërkombëtare, përfshirë udhëheqësin sovjetik Nikita Hrushov, dhe më vonë ish-presidentin amerikan Jimmy Carter në fillim-vitet ’90.

Gjatë trazirave të vitit 1997, godina u dëmtua rëndë dhe u vandalizua, duke humbur një pjesë të mirë të elementeve të saj të brendshëm.

Ditët e sotme vila qëndron e kyçur pa status mbrojtjeje. Trashëgimtari, Princ Leka, pati paraqitur dikur plan restaurimi, por pa përkrahje nga autoritetet nuk mundi ta materializonte.

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI) pohoi për Citizens.al se nuk ka projekte për restaurimin e saj pasi objekti nuk është klasifikuar si pasuri kulturore.

Sidoqoftë, atë që nuk e realizoi shteti ndër vite, duket se ka marrë përsipër ta realizojë sipërmarrësi Kadri Morina, i cili e fitoi të drejtën e pronësisë mbi vilën pas një marrëveshjeje me familjen mbretërore.1

Ai tha për Citizens.al se arkitektë italianë dhe francezë po punojnë për ripërpunimin sipas gjendjes origjinale të vitit 1939. Sipas Morinës, projekti parashikon restaurim brenda pesë vitesh.

“Do përdoret si qendër atraktive për turistët, shqiptarët dhe shtetin,” tregoi Morina.

Megjithatë, fakti që vila nuk ka status mbrojtjeje e lë të lirë sipërmarrësin e njohur në sektorin e sigurimeve që të vendosë vetë për projektin përfundimtar apo anën estetike.

Vila e Shirokës, mes pretendimeve për pasurinë dhe kërcënimin nga degradimi

Me stil neoklasik dhe të ndërtuar nga mjeshtri Kolë Idromeno rreth viteve 1920-1930, vila në Shirokë pretendohet nga Bashkia e Shkodrës, Kisha, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë (BSPSH) dhe familja Zogu e cila e pati përdorur si shpi pushimi.

Pas Luftës së Dytë Botërore, vila u shtetëzua dhe përdor si kamp veror për pionerët dhe organizatat e punëtorëve. Pas rrëzimit të diktaturës, në vitin 1992 ajo iu dha BSPSH-së.

Njësoj si vila në Durrës, edhe vila e Shirokës u grabit dhe vandalizua gjatë trazirave të vitit 1997.

Pas rikthimit në Shqipëri, familja Zogu nisi një proces të gjatë gjyqësor që i kontestoi pronësinë sindikatave. Në dy vendime të viteve 2007 dhe 2013, Leka II-të gëzoi të drejtën, por kjo iu rrëzua nga një vendim tjetër i vitit 2023.

“Jam shumë i bindur, me dokumentacionin dhe provat, që dihet botërisht që [vila] ka qenë prona jonë, kemi plotësuar të gjitha kushtet ligjore,” tha për Citizens.al, Leka II-të, sipas të cilit, gjykata ka qenë e njëanshme.

Burime thanë për Citizens.al se interes për vilën e Shirokës kanë shfaqur edhe Kisha dhe Bashkia Shkodër. Ndërkohë Leka II-të thotë se synon ta transformojë godinën në një muze historik, duke theksuar mbështetjen publike dhe zhvillimin turistik të Shkodrës.

Arkitekti Zef Çuni, ish-zv.ministër i Ekonomisë, Kulturës, thekson se kjo vilë “ia vlen të hapet për publikun” pasi “është një nga ndërtesat më të bukura që ka realizuar Kolë Idromeno” përshkruan gjendjen e vilës në Shirokë si tejet të nderë.

“Ka vetëm një derë, që shtyhet dhe ti mund të hysh, por është e braktisur dhe e shkatërruar,” tregon Çuni, sipas të cilit fasada e vilës ruan ende aspekte domethënëse nga ana e arkitekturës.

Në nëntor 2023, Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale miratoi në parim vendosjen e mbrojtjes paraprake me qëllim shpalljen “Monument i Kategorisë së II-të”, por vendimi nuk është zbatuar.

Mungesa e një plani të qartë restaurimi e lë të braktisur edhe vilën e Shirokës, teksa në horizont edhe këtu shfaqet një sipërmarrës.

Leka II-të tha për Citizens.al se sipërmarrësi Alban Xhillari ka një kontratë zhvillimi me sindikatat. Citizens.al u mundua ta konfirmojë këtë pretendim duke synuar një komunikim direkt me z. Xhillari, por ai ishte i paarritshëm.

Të dyja vilat përfaqësojnë trashëgiminë arkitektonike shqiptare: Durrësi si tregues i periudhës mbretërore dhe Shiroka e gjenialitetit të Kolë Idromenos. Për fat të keq, pa plane mbrojtjeje, integrim institucional ose financim të qëndrueshëm, të dyja ndërtesat po degradojnë.

Ndërsa ka nisur një zgjidhje e mundshme në Durrës nga iniciativa private, Shiroka mbetet e paralizuar për shkak të çështjeve ligjore.

  1. Saktësim! Një version i mëparshëm i këtij artikulli përmendte gabimisht se Kadri Morina kishte fituar të drejtën e pronësisë mbi vilën Mbretërore në Durrës përmes një procedure ankandi. Në fakt, prona është siguruar nga z. Morina përmes një marrëveshjeje me përfaqësues të familjes mbretërore. Artikulli është përditësuar për të pasqyruar këtë informacion të saktë. ↩

The post Si po degradojnë vilat e Durrësit dhe Shirokës që lidhen me Mbretin Zog appeared first on Citizens.al.

❌
❌