Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 9 August 2025FaxWeb

Rama vlerëson aktet heroike të dy efektivëve Troci e Mustaj: Policia e Shtetit nuk përfaqësohet nga ata që e turpërojnë, mirënjohës për shembullin dhe shpëtimin e qytetarëve!

By: Fax Web
9 August 2025 at 18:29

Kryeministri Edi Rama ka vlerësuar aktin heroik të efektivëve të policisë gjatë kohëve të fundit, i pari Agim Troci që u plagos duke luftuar me flakët në Delvinë më 25 korrik dhe i dyti Klajdi Mustaj, që shpëtoi 3 udhëtarë teksa makina e tyre mori flakë në ecje, në aksin Levan-Fier.

Kreu i qeverisë tha sot nëpërmjet një postimi në rrjetin Instagram, se Policia e Shtetit nuk përfaqësohet nga ata që e turpërojnë, por ehde nga gra, vajza, djem dhe burra që punojnë me përkushtim dhe nga heronj si dy rastet e mësipërme.

Ai e shoqëron postimin edhe me pamjet e momenteve kur polici Mustaj merr në krah udhëtarët e plagosur dhe i largon nga rreziku i flakëve, duke pësuar edhe vetë dëmtime, me djegie në duar.

Kurse Agim Troci, shef i Komisariatit të Delvinës, mbeti i plagosur teksa luftonte me flakët në zonën e Delvinës më 25 korrik. Ai u dërgua me urgjencë për mjekim në spital, pasi u asfiksua gjatë përpjekjeve për shuarjen e flakëve në Kopaçëz.

Kurse efektivi 26-vjeçar Klajdi Mustaj, shpëtoi personat në një automjet që u aksidentua në vendin e quajtur “Qafa e Koshovicës” në Fier mbrëmjen e së premtes dhe rrezikoi të shpërthente në flakë.

Lëvizje diplomatike para samitit në Alaskë, JD Vance takohet me homologët evropianë

By: Fax Web
9 August 2025 at 18:08

Një takim i organizuar me urgjencë është zhvilluar sot në Angli mes zëvendëspresidentit amerikan JD Vance dhe ministrit të Jashtëm britanik David Lammy, në kuadër të përgatitjeve për samitin e javës së ardhshme në Alaskë, që pritet të fokusohet në luftën në Ukrainë dhe qëndrimin e Rusisë.

Sipas zyrtarëve perëndimorë, qëllimi i takimit është të ofrojë një panoramë më të qartë për vendet europiane mbi qëndrimin e Shteteve të Bashkuara, si dhe për të ndarë informacionet që Uashingtoni ka mbi propozimet e fundit të presidentit rus Vladimir Putin.

Ky zhvillim vjen pas një takimi të diskutueshëm të mbajtur të mërkurën në Moskë mes të dërguarit të Donald Trump, Steve Witkoff, dhe presidentit rus. Sipas burimeve diplomatike, Trump ka komunikuar më pas me liderët europianë përmes telefonit, por nuk ka dhënë shumë detaje, përveç faktit se plani i propozuar do të kërkonte që Ukraina të dorëzonte disa territore.

Ndërkohë, Witkoff pritet të marrë pjesë në mënyrë virtuale në takimin e së shtunës. JD Vance ndodhej në Angli për pushime familjare dhe takimi u shtua në axhendën e tij, që përfshinte edhe një takim më herët me sekretarin britanik të Jashtëm.

Sipas asaj që kuptohet nga burime diplomatike europiane, propozimi i Putinit përfshin njohjen nga Ukraina të kontrollit të plotë rus mbi rajonin e Donbasit, zonë që aktualisht është pjesërisht e pushtuar nga Rusia. Megjithatë, detajet e planit mbeten të paqarta, pavarësisht disa bisedave të mëvonshme telefonike mes zyrtarëve europianë, sekretarit amerikan të Shtetit Marco Rubio dhe vetë Witkoff.

Ende nuk ka qartësi lidhur me fatin e dy rajoneve të tjera të diskutueshme, Kherson dhe Zaporizhzhia, ndërsa një tjetër pikë e nxehtë mbetet edhe statusi i garancive të sigurisë që SHBA do të ofrojë në të ardhmen.

Pikërisht këto paqartësi kanë alarmuar liderët europianë, të cilët tani po përpiqen me urgjencë të marrin më shumë informacion, ndërsa theksojnë rëndësinë që Ukraina të ketë fjalën e saj në çdo marrëveshje përfundimtare.

Zelensky intensifikon diplomacinë, flet në telefon me Macron, Starmer dhe liderë të tjerë evropianë

By: Fax Web
9 August 2025 at 17:56

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka zhvilluar biseda telefonike me disa prej liderëve kryesorë evropianë, përfshirë Presidentin e Francës Emmanuel Macron, kancelarin gjerman Friedrich Merz dhe Kryeministrin britanik Keir Starmer.

Në një postim në platformwn X, Macron shkruan se ka folur si me Zelenskyn, ashtu edhe veçmas me Merz dhe Starmer, duke theksuar përkushtimin e tyre për të mbështetur Ukrainën. “Ne qëndrojmë të bashkuar dhe të përkushtuar në mbështetjen e Ukrainës, duke vazhduar punën brenda Koalicionit të të Vullnetshmëve,” shkruan Macron.

Ai shton se e ardhmja e Ukrainës nuk mund të vendoset pa pjesëmarrjen e ukrainasve, por edhe evropianët janë pjesë e domosdoshme e zgjidhjes, pasi siguria e tyre është e lidhur ngushtë me këtë proces.

Në orët e fundit, Zelensky ka zhvilluar biseda edhe me udhëheqës të tjerë evropianë:

Spanjë: Presidenti ukrainas foli me Kryeministrin spanjoll Pedro Sanchez, duke theksuar se “gjëja më e rëndësishme tani është të sigurohemi që Rusia të mos imponojë përsëri kushtet e saj jorealiste.” Ai shtoi se është thelbësore që udhëheqësit evropianë të kenë një qëndrim të unifikuar. “Zëri i Evropës duhet të merret seriozisht dhe ne po koordinojmë qëndrimin tonë të përbashkët,” tha Zelensky.

Finlandë: Zelensky zhvilloi bisedë edhe me Presidentin finlandez Alexander Stubb, ku u diskutua nevoja për veprime të mençura dhe të koordinuara për të kundërshtuar qëllimin e Rusisë për të zgjatur konfliktin dhe për të përvetësuar territore.

Të shtëna me armë në Times Square, tre të plagosur, arrestohet autori

By: Fax Web
9 August 2025 at 17:46

Paniku shpërtheu në Times Square herët mëngjesin e të shtunës kur tre persona, përfshirë një grua të re dhe dy burra, u qëlluan me armë zjarri në një nga zonat më të ngarkuara të New York City-t. Një i dyshuar është arrestuar, ndërsa të plagosurit janë në spital jashtë rrezikut.

Incidenti ndodhi rreth orës 1:20 të mëngjesit, midis West 44th Street dhe 7th Avenue në Manhattan, me policinë dhe ekipet e shpëtimit që mbërritën menjëherë në vendngjarje. Sipas autoriteteve, të plagosurit janë një vajzë 18-vjeçare, një djalë 19-vjeçar dhe një burrë 65-vjeçar, të cilët u dërguan në Spitalin Bellevue, ku janë në gjendje të qëndrueshme.

Burime policore raportuan se autori i dyshuar është tashmë në paraburgim, pa dhënë detaje të mëtejshme rreth motiveve të sulmit. Një dëshmitar që ishte pranë zonës raportoi në mediat sociale se makina që ndodhej direkt përpara tij ishte “qëlluar”, me plumba që shpuan xhamat e automjetit.

Policia po vazhdon hetimet për të përcaktuar rrethanat dhe shkaqet e incidentit, ndërsa Times Square mbetet nën prani të shtuar të policisë.

Nga Velipoja drejt ish-Jugosllavisë, 5 km not në kujtesë të të rinjve që sfiduan komunizmin

By: Fax Web
9 August 2025 at 17:44

Shtatë notarë zgjodhën të përshkojnë me not një distancë rreth 5 km deri në derdhje të Bunës në përkujtim të dhjetëra djemve e vajzave që thuajse 4 dekada më parë notuan nën presionin e armëve për t’u arratisur nga Velipoja drejt ish Jugosllavisë.

Të rinjtë e asaj kohe sfiduan komunizmin duke kaluar kufirin ujor me not… Organizatori Kliti Hoti tregon se ky është viti i dytë që po zhvillohet një aktivitet i tillë por që synon të kthehet në traditë.. Pjesëmarrësit ishin notar jo vetëm nga Shkodra por edhe qytete të tjera.

Të emocionuar ata thonë se e pritën me kënaqësi ftesën për tu bërë pjesë e një kujtese që nuk duhet harruar.

Të izoluar dhe nën kushte të vështira, shumë djem e vajza morën guximin 39 vite më parë që përmes ujit të kalonin në territorin që sot i përket Malit të Zi.

Disa prej tyre arritën të arratiseshin e të tjerë mbetën të vrarë nga regjimi diktatorial i kohës. Ky aktivitet nuk ishte vetëm një homazh por edhe një mesazh i fortë drejt brezit të ri për t’i kujtuar se liria ka patur çmim, çmimin e jetës.

Aksidenti tragjik në Brazil, 11 viktima dhe dhjetëra të plagosur

By: Fax Web
9 August 2025 at 17:31

Të paktën 11 persona humbën jetën pas një aksidenti të rëndë të ndodhur në Brazil. Një autobus është përplasur me një kamion. Pas përplasjes autobusi ka shpërthyer në flakë.

Ndërsa rreth 46 persona u plagosën, 12 prej të cilëve janë në gjendje të rëndë, përfshirë edhe shoferin e kamionit.

Shkaqet e aksidentit janë ende të panjohura, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Thellohet bilanci në Gaza! Humbin jetën edhe 11 palestinezë nga kequshqyerja

By: Fax Web
9 August 2025 at 17:19

Të paktën edhe 11 persona të tjerë kanë humbur jetën si pasojë e kequshqyerjes në Rripin e Gazës, duke e çuar në 212 numrin total të viktimave nga uria, mes tyre 98 fëmijë

Ndërkohë, të paktën 38 persona janë vrarë dhe 491 të tjerë janë plagosur gjatë 24 orëve të fundit si pasojë e operacioneve ushtarake izraelite, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, e drejtuar nga Hamasi.

Këto zhvillime ndodhin në një kohë kur raportet flasin për një afat të ri të vendosur nga Izraeli për evakuimin e qytetit të Gazës deri më 7 tetor 2025 – përvjetori i dytë i nisjes së luftës. Ky afat është pjesë e një plani të ri të miratuar nga kabineti i sigurisë së Izraelit për të marrë kontrollin e plotë të qytetit dhe për të zhvendosur më shumë se një milion banorë drejt jugut të territorit.

Sipas mediave izraelite, plani përfshin pesë “parime” për përfundimin e luftës, ndër të cilat përmendet edhe “marrja e kontrollit të sigurisë në territor”.

Plani parashikon zhvendosjen e popullsisë drejt al-Mawasit, një kamp i madh çadrash në jug të Gazës, i mbipopulluar dhe pa kushte minimale për jetesë. Shumë nga banorët aktualë të qytetit të Gazës janë tashmë të zhvendosur të brendshëm që jetojnë në rrënoja apo çadra.

Organizatat humanitare kanë ngritur alarmin për pasojat katastrofike që ky plan do të ketë mbi popullsinë palestineze. Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar për një situatë të urisë ekstreme dhe vështirësi të mëdha për të përmbushur nevojat bazë të njerëzve.

Agjencia humanitare e OKB-së deklaroi se sasia e ndihmave që po futen në Gaza është shumë larg minimumit të nevojshëm për të shmangur katastrofën humanitare.

Izraeli mohon ekzistencën e urisë dhe ka akuzuar agjencitë e OKB-së për vonesa në shpërndarjen e ndihmave, duke pretenduar se ato nuk i marrin ndihmat nga kufiri.

Ministria e Shëndetësisë në Gaza njoftoi se 21 persona u vranë gjatë përpjekjes për të marrë ushqim brenda një dite. Ndërkohë, OKB raportoi se që nga fundi i majit, 1,373 palestinezë janë vrarë gjatë kërkimit për ndihma ushqimore – shumica e tyre nga forcat izraelite.

Organizata e re “Gaza Humanitarian Foundation”, e mbështetur nga SHBA dhe Izraeli, është përgjegjëse për disa nga qendrat e shpërndarjes së ndihmave, por OKB i ka cilësuar këto si të rrezikshme për civilët.

Izraeli ka hedhur poshtë kritikat dhe ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, ka deklaruar se “dënimet ndërkombëtare nuk do ta lëkundin vendosmërinë tonë”.

Fier/Flakët përfshijnë ullishta në Sejmenas, situata nën kontroll pas dy orësh përpjekje

By: Fax Web
9 August 2025 at 16:59

Një zjarr i përmasave të konsiderueshme ka përfshirë pasditen e sotme ullishtet dhe sipërfaqet me shkurre të thata në fshatin Sejmenas, njësi administrative Fier-Shegan, në Bashkinë Lushnje.

Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje ndërhynë tre mjete zjarrfikëse të Lushnjes, dhjetëra efektivë policie, si dhe banorët e zonës, të cilët u angazhuan për më shumë se dy orë për të vënë flakët nën kontroll dhe për të mbrojtur banesat që ndodheshin pranë zonës së djegur.

Aktualisht, situata paraqitet plotësisht e kontrolluar, ndërkohë që vatrat po monitorohen nga afër për të parandaluar riaktivizimin e mundshëm të flakëve.

Paralelisht, grupi hetimor i Policisë së Shtetit, së bashku me specialistët zjarrfikës dhe policinë shkencore, po punojnë për të përcaktuar shkakun e zjarrit. Dyshimet paraprake flasin për një shkëndijë elektrike në rrjetin shpërndarës të fshatit, e cila mund të ketë shkaktuar përhapjen e flakëve.

Autoritetet u bëjnë thirrje banorëve të jenë të kujdesshëm dhe të njoftojnë menjëherë shërbimet e emergjencës në rast të çdo rreziku zjarri.

Vlorë/Policia Kufitare e Vlorës u vjen në ndihmë dy shtetasve gjermanë, veliera e të cilëve kishte mbetur e bllokuar që prej mbrëmjes së djeshme në grykëderdhjen e lumit Seman

By: Fax Web
9 August 2025 at 16:56

Salla Operative e DVKM Vlorë mori njoftim se një velierë me flamur gjerman, në bord të së cilës ndodheshin dy shtetas, kishte mbetur e bllokuar në grykëderdhjen e lumit Seman dhe kërkohej ndihmë.

Menjëherë, nga Njësia e Patrullës Detare u nis mjeti lundrues, i cili bëri të mundur transportimin e sigurt të dy shtetasve drejt bregut.

Nga verifikimet rezultoi se veliera ishte nisur nga Korfuzi, Greqi, dhe për shkak të kushteve të terrenit, prej mbrëmjes së djeshme ishte bllokuar në këtë zonë.

Të dy shtetasit ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore dhe do të asistohen nga Kapiteneria e Portit Vlorë për veprime të mëtejshme.

Policia Kufitare vijon të qëndrojë në gatishmëri të plotë, 24/7, në shërbim të qytetarëve dhe turistëve.

Siria dënon konferencën e grupit terrorist SDF, tërhiqet nga bisedimet e planifikuara në Paris

By: Fax Web
9 August 2025 at 16:53

Qeveria siriane dënoi me forcë konferencën e fundit të organizuar nga grupi terrorist Forcat Demokratike Siriane (SDF) në verilindje të Sirisë, duke e quajtur atë një goditje serioze për negociatat në vazhdim dhe shkelje të qartë të marrëveshjes së 10 marsit. Një zyrtar i lartë i qeverisë, i cituar nga Agjencia Siriane e Lajmeve (SANA), tha se ngjarja e mbajtur në Sirinë verilindore “nuk ishte një kornizë kombëtare unifikuese”, por më tepër një “koalicion i brishtë” i palëve që kërkojnë të minojnë unitetin dhe sovranitetin e Sirisë.

Damasku akuzoi pjesëmarrësit për “mbrojtje të agjendave separatiste, duke u mbështetur në mbështetjen e huaj dhe duke shmangur angazhimet në kuadër të procesit të paqes”, tha SANA. Qeveria dënoi pritjen e “figurave separatiste të përfshira në akte armiqësore”, duke thënë se kjo përbën “një përpjekje për të ndërkombëtarizuar çështjen siriane, për të ftuar ndërhyrjen e huaj dhe për të rivendosur sanksionet”.

Ajo paralajmëroi se propozimet e transmetuara në takim, duke përfshirë thirrjet për një “bërthamë të re ushtarake kombëtare”, rishikimet e deklaratës kushtetuese dhe ndryshimet në ndarjet administrative, kundërshtojnë drejtpërdrejt dispozitat e marrëveshjes së 10 marsit, e cila urdhëronte integrimin e të gjitha institucioneve civile dhe ushtarake në verilindje të Sirisë në strukturat shtetërore. Damasku gjithashtu akuzoi “fraksionet ekstremiste kurde” brenda SDF-së se po ndjekin “ndryshime sistematike demografike kundër sirianëve arabë” sipas udhëzimeve nga Malet Kandil të Irakut, nga ku vepron grupi terrorist PKK.

Qeveria theksoi se forma e shtetit sirian duhet të përcaktohet “përmes një kushtetute të përhershme të miratuar me referendum popullor”, jo “përmes mirëkuptimeve fraksionale ose detyrimit të armatosur”. Si rezultat i konferencës, burimi konfirmoi se Siria nuk do të marrë pjesë në asnjë takim të planifikuar në Paris dhe do të refuzojë të negociojë me “çdo palë që kërkon të ringjallë epokën e regjimit të shpërbërë nën ndonjë emër apo mbulesë”.

Damasku i kërkoi SDF-së të “angazhohet seriozisht” në zbatimin e marrëveshjes së 10 marsit dhe u bëri thirrje ndërmjetësve ndërkombëtarë të “zhvendosin të gjitha bisedimet në kryeqytetin sirian”, duke e përshkruar Damaskun si “adresën legjitime dhe kombëtare për dialog midis sirianëve”. Më 10 mars, presidenca siriane njoftoi nënshkrimin e një marrëveshjeje për integrimin e SDF-së në institucionet shtetërore, duke riafirmuar unitetin territorial të vendit dhe duke hedhur poshtë çdo përpjekje për ndarje.

SDF-ja dominohet nga grupi terrorist YPG, dega siriane e PKK-së terroriste. Bashar al-Asad, udhëheqësi i Sirisë për gati 25 vjet, iku në Rusi në dhjetor, duke i dhënë fund regjimit të Partisë Baath, e cila kishte qenë në pushtet që nga viti 1963. Një administratë e re kalimtare e udhëhequr nga Ahmed Al-Sharaa u formua në janar.

Organizata e Franc Çopjas/ Paratë e drogës vinin me autobus, bliheshin prona në Shqipëri

By: Fax Web
9 August 2025 at 16:24

Policia e Shtetit ka shpallur në kërkim 6 persona si pjesë e organizatës kriminale të Franc Çopjas dhe Ervis Çelës, te goditur se fundi gjate një operacioni te koordinuar nga SPAK me Europol dhe autoritetet e disa vendeve europiane. Sipas hetimeve, kjo organizate ka trafikuar 28 ton kokainë nga Paraguai drejt vendeve te Bashkimit Europian.

Në dy operacione ne vitet 2020 dhe 2021 janë sekuestruan 17 ton kokainë, me një vlerë tregu të llogaritur deri në 3.5 miliardë euro. Mes 6 të kërkuarve janë Fadil alias Jul Balla, Mariglen Kamami, Denis Daja, Vilson Pepa si dhe Riza Çela. 4 prej tyre ndodhen jashtë vendit. Ka dyshime se ata fshihen në Dubai, Belgjikë dhe në Spanjë.

Ndërsa brenda territorit të Shqipërisë rezulton të fshihet Fadil alias Jul Balla, pronari i restortit “Ajman Park” të sekuestruar nga SPAK. Sipas organit të akuzës, Fadil Balla, dyshohet se paratë e krimit të fituara nga shitja e drogës i ka investuar për llogari të Franc Copjas dhe Ervis Çelës në prona dhe troje. Policia e Shtetit pritet ti drejtohet zyrtarisht Interpolit për shpalljen në kërkim ndërkombëtar të personave që nuk janë gjetur gjatë kontrolleve në vendin tonë.

Por si silleshin në Shqipëri milionat e parave të përfituara nga trafiku i drogës? Sipas të dhënave nga hetimet e SPAK, organizata shqiptare e trafikut te kokainës, kishte ngritur një mekanizëm financiar dhe paratë silleshin nëpërmjet metodave, “hawala” ose “token”.

Një prej metodave kryesore ka qenë transporti fizik i parave “cash” nga vendet e BE-së drejt Shqipërisë, duke përdorur shoferë autobusësh të përzgjedhur prej grupit kriminal. Në këmbim ata përfitonin rreth 2% te shumës se parave qe transportonin.

Mes të tjerash SPAK thotë, se shumat e mëdha qarkullonin përmes një zinxhiri ndërmjetësish pa u pikasur në sistemet bankare, pasi paratë qarkullonin drejt Bolivisë, shtet që ka një sistem të ulët të kontrollit financiar. Mes 16 masave të firmosura nga gjykata e posaçme, SPAK njoftoi se janë ekzekutuar shtatë me arrest me burg dhe dy me detyrim për paraqitje. Kurse, njërit prej krerëve te organizatës, Franc Çopja masa iu komunikua në Belgjikë ku ndodhet aktualisht i arrestuar.

Irani i arreston 20 të dyshuar për spiunazh për Izraelin

By: Fax Web
9 August 2025 at 16:11

Irani i ka arrestuar 20 njerëz për të cilët dyshon se janë operativë të agjencisë së spiunazhit të Izraelit, Mossad, gjatë muajve të fundit, njoftoi të shtunën gjyqësori iranian.

Të mërkurën, Irani ekzekutoi një shkencëtar bërthamor me emrin Rouzbeh Vadi, i cili u dënua për spiunazh për Izraelin dhe për ndarjen e të dhënave me një tjetër shkencëtar bërthamor, i vrarë gjatë sulmeve ajrore të Izraelit ndaj Iranit në qershor, raportuan mediat shtetërore.

Zëdhënësi i gjyqësorit, Asghar Jahangiri, u tha gazetarëve në Teheran të shtunën se akuzat ndaj disa prej 20 të arrestuarve janë hedhur poshtë dhe ata janë liruar, por nuk tregoi sa prej tyre saktësisht.

“Gjyqësori nuk do të tregojë asnjë mëshirë ndaj spiunëve dhe agjentëve të regjimit sionist, dhe me vendime të forta do t’i bëjë shembull për të gjithë”, citohet të ketë thënë Jahangiri nga mediat iraniane.

Plagosja e 27-vjeçarit me armë në Tiranë: 3 të arrestuar, një tjetër në kërkim

By: Fax Web
9 August 2025 at 15:48

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Fier, ku dy persona janë dëmtuar me mjet prerës gjatë një konflikti për motive të dobëta.

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe Komisariati i Policisë Fier, pas marrjes së njoftimit se dy persona kishin shkuar për mjekim në spital, nisën hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe identifikimin e autorëve.

Sipas hetimeve të kryera, dyshohet se ngjarja ka ndodhur në lagjen “11 Janari”, Fier, kur shtetasi A. M., 28 vjeç, ka pasur një konflikt me vëllezërit E. H., 40 vjeç dhe T. S., 38 vjeç, për motive të dobëta. Gjatë përplasjes, E. H. ka goditur me thikë A. M., ndërsa vëllai i tij, T. S., ka pësuar dëmtime të lehta në dorë gjatë ngjarjes.

Pas veprimeve të shpejta hetimore, u arrestua në flagrancë 40-vjeçari E. H., për veprën penale “Vrasja me dashje” e mbetur në tentativë. Autoritetet po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe përgjegjësitë e tjera të mundshme.

Forcat e Armatosura dhe emergjencat civile vijojnë luftën me flakët në Livinë dhe Navaricë

By: Fax Web
9 August 2025 at 15:39

Trupat e Forcave të Armatosura dhe emergjencat civile të qarkut Vlorë, së bashku me mjetet zjarrfikëse, po vijojnë ndërhyrjen nga toka në fshatrat Livinë dhe Navaricë, njësia administrative Dhivër, bashkia Finiq.

Nga ajri, operacioni mbështetet nga avioni “Canadair” kroat dhe helikopteri i Forcave të Armatosura, të cilët po kryejnë hedhje të vazhdueshme mbi vatrat e zjarrit.

Dhunoi bashkëshorten dhe mbante armë pa leje, arrestohet 24-vjeçari në Devoll

By: Fax Web
9 August 2025 at 15:39

Një ngjarje kriminale e mundshme është parandaluar në fshatin Tren, Devoll, pas ndërhyrjes së shpejtë të Policisë.

Pas denoncimit të një 19-vjeçareje se bashkëshorti i saj, 24-vjeçari F. H., e kishte dhunuar në banesën e tyre, shërbimet e Komisariatit të Policisë Devoll kanë reaguar menjëherë dhe kanë arrestuar autorin në flagrancë.

Gjatë kontrollit në shtëpinë e të arrestuarit, janë gjetur dhe sekuestruar një armë gjahu të mbajtur pa leje dhe një gjerdan me fishekë. Autori është vënë në pranga dhe po përballet me akuzat për dhunë në familje dhe mbajtje armë pa leje. Policia vazhdon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Sfida për “Topin e artë”, Ousmane Dembele shihet si favorit për të fituar trofeun

By: Fax Web
9 August 2025 at 15:20

Pas publikimit të 30 kandidatëve për “Topin e Artë” nga “France Football” është ndezur përpara kohe gara mediatike për të përcaktuar favoritët kryesorë për trofeun më të rëndësishëm individual të futbollit.

Megjithëse në listën e zgjeruar bëjnë pjesë të gjithë yjet e momentit, vetëm tre prej tyre do të shkojnë si finalistë në Paris për mbrëmjen gala më 22 shtator.

Sa I përket parashikimeve, në krye të listës qëndron Ousmane Dembele.

Sulmuesi I rilindur te Paris SG, ishte protagonist absolut në sezonin e fundit, duke ndihmuar parizienët të fitojnë gjithçka të mundëshme, përfshirë edhe Champions League për herë të parë në histori.

Duke qëndruar në këto parashikime, Dembele ka një sfidë të fortë me Lamine Yamal, talentin e Barcelonës, pa asnjë diskutim njeriu I titullit të fundit kampion në La Liga.

Një vend mes tre finalistëve pritet të ketë edhe Mohamed Salah, si golashënuesi më i mirë i sezonit të fundit në Premier League dhe kampion me Liverpool.

Një garë e fortë dyshe do të jetë ajo e trofeut “Kopa” për lojtarin më të mirë U21.

Lamine Yamal është pretendent edhe në këtë kategori, por ka rivalitetin e fortë të talentit të Paris SG, Desire Doue.

Sa I përket garës për “Trajnerin më të Mirë”, Luis Enrique i Paris SG duket se nuk ka rivalë mes kandidatëve të tjerë që janë Antonio Conte, Hansi Flick, Enzo Maresca dhe Arne Slot.

Të gjitha këto janë parashikime, ndrësa gjithçka do të zbulohet më 22 shtator në ceremoninë e Parisit.

Trafik armësh e municionesh nga Shqipëria në Itali, arrestohet në Lezhë kreu i organizatës kriminale! Dy herë i dënuar në Milano, në pranga dhe dy të tjerë (EMRI)

By: Fax Web
9 August 2025 at 15:19

Kreu i një organizate kriminale të trafikut të armëve mes Shqipërisë dhe Italisë është arrestuar nga Policia e Shtetit në Lezhë ditën e sotme, në bashkëpunim edhe me Guardia di Financën dhe zyrën e ekspertit në Ambasadën Italiane në Tiranë.

30-vjeçari Françesk Mecaj me precedentë penalë të theksuar në Milano të Italisë dhe i dënuar dy herë si kreu i grupit në Lecco për armë dhe trafik droge, u arrestua si rezultat i operacionit të koduar “Dërgesa”.

Në pranga ranë edhe dy persona të tjerë, drejtues të mikrobueis për transport udhëtarësh Shqipëri-Itali, në bagazhet e të cilit u gjet armatimi. Ai akuzohet se kishte dërguar 5 armë zjarri dhe municion drejt vendit fqinj.

Njoftimi i Policisë së Shtetit:

“Finalizohet operacioni policor ndërkombëtar i koduar “Dërgesa”, për goditjen e trafikimit të armëve të zjarrit dhe municionit luftarak

Operacioni u zhvillua nga DVP Lezhë në bashkëpunim me Departamentin e Policisë Kriminale, DVP Shkodër dhe GdF Italiane, në koordinim me Interpol Tiranën dhe Zyrën e Ekspertit të Sigurisë pranë Ambasadës Italiane në Shqipëri.

Dërgoi 5 armë zjarri dhe një sasi municioni luftarak në Itali – kapet dhe vihet në pranga 30-vjeçari nga Malësia e Madhe.

30-vjeçari, me precedentë të theksuar kriminal në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike dhe i dënuar dy herë si kreu i një grupi kriminal që vepronte në qytezën e Lecco-s pranë Milanos/Itali, u arrestua si rezultat i operacionit.

Në pranga u vunë gjithashtu edhe dy shtetas, drejtues të një mikrobusi për transport udhëtarësh, në bagazhet e të cilit u gjetën armët dhe municioni luftarak.

Sekuestrohen 5 armë zjarri automatike të tipit kallashnikov; qindra fishekë luftarakë dhe 4 krehra fishekësh.

Sekuestrimi u bë në kufirin mes Sllovenisë dhe Italisë, ku u ndalua mikrobusi i nisur nga Shqipëria me destinacion Italinë, i drejtuar nga shtetasit E. M. dhe A. D.. Të dy këta shtetas janë shoqëruar nga Policia Italiane për veprime të mëtejshme.

Hetimet e Policisë së Lezhës bënë të mundur identifikimin e shtetasit F. M., 30 vjeç, lindur në Shkodër dhe banues në Hot të Malësisë së Madhe, i cili kishte dërguar armët drejt Italisë kundrejt fitimit financiar.

Nga grumbullimi dhe analiza e informacionit, rezultoi se ky shtetas siguronte armë dhe municione luftarake për palë të treta në BE, duke përdorur shoqëri transporti privat dhe duke i kamufluar në valixhe me sende të ndryshme.

Operacioni vijon në Shqipëri e  Itali për identifikimin dhe kapjen e pritësit të armëve, si dhe të personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet.

Materialet procedurale ndaj shtetasit F. M. i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprën penale “Trafikim i armëve dhe municioneve luftarake”.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë të Diasporës: Sulmi ndaj News24, alarm kombëtar për lirinë e shprehjes dhe demokracinë në Shqipëri

By: Fax Web
9 August 2025 at 15:15

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD) ka reaguar pas sulmit të Policisë së Shtetit ndan News24.

“Censura është arma e pushteteve të korruptuara – fjala e lirë nuk negociohet”, thuhet në një deklaratë.

Reagimi

Ndërhyrja e sotme e Policisë së Shtetit në ambientet e News 24 dhe Panorama Group, me ndërprerjen brutale të sinjalit televiziv, është një akt i rëndë politik, jo një procedurë teknike. Ai synon të godasë një media kritike dhe të dërgojë një mesazh frikësues për çdo zë të pavarur: kush guxon të ekspozojë korrupsionin dhe lidhjet e pushtetit me krimin, do të ndëshkohet.

Në çdo shoqëri demokratike, media e lirë është garancia themelore e llogaridhënies, mbrojtja e publikut nga abuzimi dhe korrupsioni. Në sisteme ku liria e shtypit sulmohet, kufijtë midis demokracisë dhe autokracisë zhduken. Sot Shqipëria po rrezikon seriozisht të kalojë në këtë vijë të errët.

Një model i përsëritur i mbylljes së zërave kritikë

Ky nuk është precedent i parë. Më herët, Ora News u përball me ndërhyrje të ngjashme dhe Agon Channel u mbyll, duke lënë pas dhjetëra gazetarë pa punë dhe publikun pa një burim informacioni alternativ. Sot është News 24, nesër mund të jetë çdo media tjetër që guxon të jetë e pavarur. Ky model është tipik për regjimet që, hap pas hapi, ndërtojnë kontroll total mbi informacionin publik.

Liria e shprehjes – themel i demokracisë

Neni 10 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Karta e të Drejtave Themelore të BE-së e garantojnë qartësisht të drejtën e lirisë së shprehjes dhe të marrjes së informacionit pa ndërhyrje nga autoritetet. Mbyllja e një sinjali televiziv për arsye politike është shkelje e drejtpërdrejtë e këtyre akteve ndërkombëtare, të cilat Shqipëria i ka ratifikuar dhe ka detyrimin t’i zbatojë.

Sipas Reporterëve pa Kufij (RSF), Shqipëria ka shënuar rënie të ndjeshme në indeksin e lirisë së medias, pikërisht për shkak të presioneve politike, ekonomike dhe gjyqësore ndaj gazetarëve. Ky veprim i sotëm nuk është thjesht një çështje e një televizioni – është një tregues i qartë i rrënimit të standardeve demokratike.

Thirrja e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)

Ne e dënojmë me forcën më të madhe këtë atentat ndaj fjalës së lirë dhe i bëjmë thirrje:

Rifillim të menjëhershëm të transmetimit të News 24 dhe garantim të të drejtës për të funksionuar pa ndërhyrje politike.
Hetim të pavarur dhe transparent për veprimet e Policisë së Shtetit dhe ndëshkim të përgjegjësve.
Vendosje të mekanizmave ligjorë të fortë që mbrojnë mediat nga censura dhe nga presioni politik e ekonomik.
Solidaritet aktiv të gjithë redaksive – sepse heshtja sot është bashkëfajësi nesër.

Media nuk është dekor i demokracisë; ajo është shtylla që e mban atë në këmbë. Kur media hesht ose mbyllet, qytetari humb fuqinë për të kontrolluar pushtetin. Nëse sot pranohet që një televizioni t’i shuhet zëri për arsye politike, atëherë nesër mund të pranohet që edhe qytetarit t’i mbyllet goja për çdo kritikë.

UGSHPD deklaron se fjala e lirë është vijë e kuqe. Çdo pushtet që e shkel këtë vijë, nuk po sulmon vetëm një media apo disa gazetarë – po sulmon të drejtën themelore të çdo shqiptari për të ditur të vërtetën.

Demokracia nuk mund të mbijetojë pa media të lira. Media e lirë nuk mund të mbijetojë pa guximin për të sfiduar pushtetin.

Shqiptarët kthehen në atdhe për pushimet verore, fluks në Portin e Vlorës

By: Fax Web
9 August 2025 at 15:04

Porti i Vlorës ka pritur në orët e para të mëngjesit 1019 pasagjerë dhe 267 automjete nga trageti i linjës Brindisi–Vlorë. Raportohet ndërkohë se autoritetet portuale presin një fluks edhe më të madh gjatë pasdites.

Sipas informacioneve, e sotmja shënon ditën me numrin më të lartë të pasagjerëve për këtë sezon, duke kaluar shifrën e 2000 udhëtarëve të mbërritur brenda ditës.

Fluksi më i madh regjistrohet zakonisht gjatë fundjavave, kur shumë shqiptarë që punojnë dhe jetojnë në vendet e Bashkimit Europian zgjedhin të kthehen në atdhe për pushimet verore. /tpz

Qëlloi me armë gjahu 22 kuaj në Parkun e Llogarasë, identifikohet autori, nisin hetimet për 55-vjeçarin

By: Fax Web
9 August 2025 at 15:03

Policia e Orikumit ka identifikuar dhe proceduar penalisht S. M., 55 vjeç, banues në Orikum, i dyshuar për plagosjen me armë gjahu të një kali në territorin e Parkut të Llogarasë. Fillimisht dyshohej se ishin dëmtuar dy kuaj të një 46-vjeçari, por verifikimet zbuluan se ishte plagosur vetëm njëri prej tyre.

“Në vijim të dokumentimit të plotë për rastin e referuar në Prokurori, për veprën penale ‘Keqtrajtimi i kafshëve’, ku në territorin e parkut të Llogarasë, fillimisht dyshohej se ishin dëmtuar dy kuaj të shtetasit K. K., 46 vjeç, por nga verifikimet rezultoi se ishte dëmtuar njëri prej tyre, të cilit i ishin shkaktuar disa dëmtime nga armë gjahu, specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Orikum kanë bërë të mundur identifikimin e autorit të dyshuar dhe nisjen e procedimit penal në ngarkim të tij, konkretisht ndaj shtetasit S. M., 55 vjeç, banues në Orikum”, njoftoi policia.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua, për ekzaminime të mëtejshme, edhe një armë gjahu në pronësi të shtetasit S. M.

❌
❌