Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 23 July 2025Opinion.al

Aksident në Bulqizë/ Dy të vdekur dhe një i plagosur

By: e xh
23 July 2025 at 15:27

Dy persona humbën jetën këtë të mërkurë në Bulqizë, ndërsa një tjetër mbeti i plagosur, si pasojë e një aksidenti me makinë.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 14:15, në vendin e quajtur “Antena”.

Sipas policisë të tre personat udhëtonin me makinë, kur në rrethana ende të paqarta, automjeti ka dalë nga rruga.

“Rreth orës 14:15, në vendin e quajtur “Antena”, në Qafë-Buall Bulqizë, një automjet tip “Nisan”, ka dalë nga rruga. Si pasojë e këtij aksidenti, kanë humbur jetën shtetasit B.Gj., dhe D.Gj, si dhe ka mbetur i dëmtuar dhe po transportohet në spital për ndihmë mjekësore shtetasi A.Gj. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të këtij aksidenti”, tha policia e Bulqizës në një njoftim paraprak për mediat.

BE i hap rrugë Shqipërisë për grupkapitullin e fundit, Rama: Shqipëria nuk ndalet

By: e xh
23 July 2025 at 14:57

Bashkimi Europian i ka dhënë “dritën jeshile” Shqipërisë për të hapur grupkapitullin e fundit negociues.
Bëhet fjalë për grupkapitullin e 5-të që përfshin bujqësinë dhe kohezionin.
Qeveria pritet që të hartojë pozicionin e saj negociues dhe t’ja dorëzojë prezidencës daneze.
Për këtë zhvillim ka reaguar edhe Kryeministri Edi Rama.

“Shqipëria nuk ndalet – Sot, më 23 korrik 2025, në vijim të progresit të vazhdueshëm e dinamik të Shqipërisë në rrugën e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të Vendeve Anëtare të Bashkimit Europian autorizoi Presidencën Daneze të ftojë Shqipërinë për të paraqitur Pozicionin e saj Negociues për negociatat lidhur me kapitujt që përbëjnë Grupkapitullin 5 “Burimet, Bujqësia dhe Kohezioni”.

Manaj transferohet në Emiratet e Bashkuara Arabe, sulmuesi pjesë e ekipit Al Sharjah

By: e xh
23 July 2025 at 14:36

Rey Manaj befason me të ardhmen. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare do të transferohet te Al Sharjah, në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Sivasspor pranoi ofertën me vlerë 2 milionë euro dhe marrëveshja cilësohet drejt finalizimit, ku mungojnë vetëm disa detaje teknike. Më parë, klubi që zbriti në Ligën e Parë turke kishte refuzuar 1.5 milionë euro për kartonin e futbollistit.

Në anën tjetër, 28-vjeçari do të paguhet si sheik në Emirate. Manaj do të përfitojë 2.5 milionë euro rrogë në sezon nga aventura te Al Sharjah. Te kjo skuadër, ai do të gjejë edhe lojtarin tjetër të Kombëtares, Fetah Fetahi, i cili është huazuar nga Lokomotiva e Zagrebit.

Gjatë sezonit të kaluar, Rey Manaj shkëlqeu në elitën e futbollit turk, duke qenë protagonist absolut me golat e tij. Por, fundi i sezonit u karakterizua nga kontradiktat me stafin teknik dhe lënia jashtë skuadrës. Duke qenë se kishte vetëm një vit të mbetur në kontratë, klubi vendosi ta shesë.

Ylli i Kombëtares shqiptare e mbyll aventurën te Sivasspor me 34 gola dhe 8 asiste në 63 ndeshje të luajtura.

Thesari në SHBA konfirmon 100 miliardë dollarë të ardhura nga tarifat

By: e xh
23 July 2025 at 14:18

Shtetet e Bashkuara  të Amerikës kanë mbledhur së fundmi gati 100 miliardë dollarë nga tarifat, tha sekretari i Thesarit, Scott Bessent.

“Jemi afër arritjes së 100 miliardë dollarëve. Mendoj se mund të arrijmë në 300 miliardë dollarë në vit”, tha ai në një intervistë me transmetuesin amerikan ”Fox Business”, kur u pyet për nivelin aktual të të ardhurave nga tarifat.

Bessent kishte sugjeruar më parë mundësinë e arritjes së 300 miliardë dollarëve deri në fund të vitit.

Mbetet e paqartë se për çfarë afati kohor specifik po i referohet Bessent me shifrën e tij prej gati 100 miliardë dollarësh. Sekretari theksoi se të ardhurat nga tarifat u rritën në qershor, pa specifikuar një numër.

Zjarret në vend/ Kreu i Emergjencave Civile: Njerëzit, shkaku kryesor

By: e xh
23 July 2025 at 13:56

Kryetari i Emergjencave Civile, Haki Çako, foli për mediat nga zona e Dukatit, aty ku po vijon puna për shuarjen e flakëve.

Edhe pse deklaroi se situata është nën kontroll nga strukturat në terren apo ndërhyrjet nga ajri, theksoi se bëhet fjalë për një zjarr masiv që përbën rrezik edhe për Parkun Kombëtar të Llogarasë.

Sipas Çakos, me ose pa dashje, faktori njeri mbetet kryesori në ndezjen e zjarreve në vend.

“Në pjesën më të madhe të rasteve kemi të bëjmë me pakujdesi, ndryshimi i erërave, por nuk përjashtohen edhe rastet e zjarrvënieve me dashje, që do hetohen nga organet e drejtësisë, por duhet të maksimalizohen ndëshkimet penale ndaj këtyre individëve”, u shpreh ai.

Më tej, tha se po punohet për shuarjen e zjarrit te “Liqeni i Luleve” në Parkun Kombëtar të Lurës dhe në Zall Gjoçaj të Matit.

Ka një shtrirje të konsiderueshme. Ka vështirësi edhe prej terrenit të thyer”, deklaroi ai.

Berisha në krah të Veliajt dhe Metës: Sjellje çnjerëzore brenda burgut

By: e xh
23 July 2025 at 13:53

Kreu i PD, Sali Berisha u ka dalë në krah Ilir Metës dhe Erion Veliajt, të cilët ndodhen në paraburgim.

Ai u shpreh se ndodhin sjellje çnjerëzore brenda burgut, të cilat duhet të dënohen.

“Cilido qoftë i burgosuri, trajtimi i tij në përputhje me rregullat dhe kodin e trajtimit të të burgosurve, është standardi i domosdoshëm për çdo vend anëtar të Këshillit të Europës”, theksoi Berisha.

Berisha: Së fundmi, informacione të besueshme, për të cilat unë kam bërë denoncime, sjelljet në burg ndaj Ilir Metës, kryetarit të PL, janë çnjerëzore, janë politike, janë absolutisht të dënueshme.

I kërkoj Avokatit të Popullit me urgjencë të marrë takim me të burgosurin politik Ilir Meta dhe të bëjë publike të gjitha qëndrimet çnjerëzore të urdhëruara nga Edi Rama dhe Ulsi Manja nga banditë me uniformë brenda institucionit të vuajtjes së dënimit ndaj ish-presidentit dhe ish-kryeministrit të vendit.
Por sot më duhet gjithashtu të denoncoj të dhëna që kam se ka sjellje çnjerëzore edhe ndaj të burgosurit ordiner, Erion Veliaj.

Partia Demokratike ka bërë me dhjetëra e dhjetëra protesta për arrestimin e këtij delinkuenti, i cili është akuzuar as për 20 përqind të krimeve që ka kryer.

Por, cilido qoftë i burgosuri, trajtimi i tij në përputhje me rregullat dhe kodin e trajtimit të të burgosurve, është standardi i domosdoshëm për çdo vend anëtar të Këshillit të Europës.

Vijnë të dhëna se ndaj këtij të burgosuri janë kryer manipulime dhe akte të rënda, të dënueshme ndaj dhe unë i kërkoj Avokatit të Popullit të nisë një hetim të plotë edhe për qëndrimet ndaj këtij delinkuenti ordiner, por që në një vend anëtar të Këshillit të Europës gëzon ato të drejta që ligjet e vendit u njohin personave të burgosur.

Presidenti amerikan fyen gazetarin, CNN publikon video të reja të Trump dhe Epstein

By: e xh
23 July 2025 at 13:33

Gjigandi amerikan CNN ka publikuar foto dhe video të reja nga vitet 1990 në të cilat shfaqet Presidenti aktual Donald Trump me të dënuarin për abuzim seksual Jeffrey Epstein. Regjistrimet vërtetuan se Epstein ishte i pranishëm në dasmën e Trump me Marla Maples në vitin 1993.

Për më tepër, një video nga një sfilatë mode e Victoria’s Secret në vitin 1999 në New York tregoi Trump dhe Epstein duke qeshur dhe duke folur së bashku para evenimentit në pistë.

Pamjet u zbuluan në arkiva nga shërbimi KFile i CNN. Rrjeti thuhet se u përball me Trump në një telefonatë të shkurtër. Presidenti amerikan u përgjigj me zemërim: “Duhet të jesh duke bërë shaka me mua”, citoi CNN Trumpin. Më pas ai e quajti vazhdimisht rrjetin “lajme të rreme” dhe e mbylli telefonin.

Epstein u arrestua dhe më pas u akuzua në vitin 2019. Vdekja e Epstein shkaktoi spekulime në pjesë të shoqërisë amerikane sepse ai kishte lidhje të shkëlqyera në shoqërinë e lartë amerikane.

Personazhe të famshëm dhe miliarderë frekuentonin shtëpinë e tij – madje edhe Trump kalonte kohë me Epstein. Se sa mirë e njihnin njëri-tjetrin të dy është aktualisht objekt debati i nxehtë.

Një raport i Wall Street Journal mbi një letër të supozuar urimi me përmbajtje të ndyrë, që mbante emrin e Trump dhe që thuhet se i ishte drejtuar Epsteinit në ditëlindjen e tij të 50-të në vitin 2003, nxiti së fundmi debatin.

Debati mbi zbulimin e dosjeve të Epstein po përshkallëzohet edhe në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së. Për të parandaluar një votim për publikimin e dosjeve, udhëheqësi republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, dëshiron t’i dërgojë anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve në pushimet e tyre verore më herët këtë të mërkurë, në vend të të premtes. Kjo u raportua unanimisht nga New York Times dhe media të tjera.

Demokratët akuzuan Johnsonin se po përpiqej të ngadalësonte votimin për një rezolutë mbi çështjen Epstein. Rezoluta kërkon publikimin e dokumenteve nga Departamenti i Drejtësisë, duke përfshirë dokumente hetimore dhe të dhëna që lidhen me çështjen. Megjithatë, Johnson e quajti atë një “lojë politike” nga Demokratët.

Rasti Epstein kishte shkaktuar tashmë polemika në Dhomën e Përfaqësuesve ditët e fundit. Situata është delikate për republikanët dhe Presidentin e SHBA-së Donald Trump. Edhe brenda radhëve të tyre, thirrjet për zbulimin e dosjeve të Epstein janë bërë kohët e fundit më të forta. Trump është nën një presion të konsiderueshëm sepse ai mbështeti zbulimin gjatë fushatës së tij zgjedhore.

U rrëzua nga shkëmbi, humb jetën turistja holandeze në Himarë

By: e xh
23 July 2025 at 13:29

Një shtetase holandeze ka humbur jetën pasi dyshohet se gjatë zbritjes nga shkëmbi me litar, është rrëzuar aksidentalisht.

23-vjeçarja të cilës iu dha ndihma e parë mjekësore dhe u transportua me ndihmën e Policisë Kufitare, fatkeqësisht ka ndërruar jetë, për shkak të dëmtimeve të marra.

Gjithashtu e plagosur ka mbetur edhe një 18-vjeçare, shtetase franceze si pasojë e rrëshqitjes së disa gurëve në momentin e ngjarjes. 18-vjeçarja është dëmtuar dhe po merr ndihmë mjekësore në spital.

Ndërkohë grupi hetimor vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Celibashi vendosi, kush e mori mandatin e deputetit të “Nisma Shqipëria Bëhet”

By: e xh
23 July 2025 at 13:22

KQZ vendosi që mandatin në koalicionin e Nismës Shqipëria Bëhet ta marrë Kleana Xhuveli. Në mbledhjen e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, u vendos që dorëheqjet e kandidatëve për deputetë në listat e mbyllura të koalicionit, nuk ishin miratuar nga KQZ në heshtje, ashtu siç sipas tij ishte pretenduar.

Me këtë vendim u zgjidh edhe një ngërç i krijuar mes drejtuesve të koalicionit, ku Lapaj si më i votuari i listës së hapur të koalicionit pretendonte ta merrte vetë mandatin, ndërkohë që vendin e deputetit e pretendoi edhe daja i Endri Shabanit.

Po ashtu është miratuar edhe lista shumëemërore e kandidatëve të koalicionit Nisma Shqipëria Bëhet. Janë dorëzuar në KQZ 12 kërkesa për dorëheqje, të kandidatëve në listën e mbyllur. Ata kanë paraqitur kërkesën për dorëheqje dhe kanë thënë se nuk do merrnin mandatin e deputetit nëse do të rezultonin fitues nga këto zgjedhje.

Më pas kandidati Zeqir Kordhoni ka dorëzuar një deklaratë të dytë, që shpreh gatishmërinë për ushtrimin e funksionit të deputetit.

Kandidatja Kleana Xhuveli ka depozituar në KQZ një deklaratë të dytë për revokimin e dorëheqjes së paraqitur.

“Ka dy momente ligjore që përcaktojnë vendimmarrjen në lidhje me zgjedhjen e kandidatit fitues në këtë çështje. Pretendimi juaj se kandidatët e listës së mbyllur kanë dhënë dorëheqjet dhe KQZ i ka miratuar këto dorëheqje, nuk qëndron.  Me miratimin e listave të kandidatëve, sipas afateve dhe procedurave të këtij kodi, ky process konsiderohet i mbyllur dhe në asnjë rrethanë juridike nuk mund të rikonsiderohet. Përfundimi është se nuk mund të ketë dorëheqje nga kandidimi, pasi listat janë miratuar. Dhe kjo është kështu për çdo lloj shkaku. Kështu që duke qenë se Kleana Xhuveli është renditur para Zeqir Kordhonit në listën e mbyllur të koalicionit, i takon asaj të marrë mandatin e këtij koalicioni. Përfundimisht shpall kandidat fitues zonjën Kleana Xhuveli”, tha Celibashi.

Mbi 100 organizata kërkojnë masa urgjente për të ndalur urinë në Gaza

By: e xh
23 July 2025 at 13:17

Mbi 100 organizata humanitare dhe të të drejtave të njeriut u bënë thirrje qeverive të ndërmarrin veprime urgjente për të ndalur përhapjen e urisë në Gazë.

Ato, gjithashtu, kërkuan armëpushim të menjëhershëm dhe të përhershëm, si dhe heqjen e të gjitha pengesave për shpërndarjen e ndihmave humanitare.

Në deklaratën e nënshkruar nga 111 organizata, përfshirë Mercy Corps, Këshillin Norvegjez për Refugjatët dhe Refugees International, paralajmërohet se uria në Gazë po përhapet me shpejtësi të madhe, ndërkohë që ndihmat jetike, si ushqimi, uji dhe barnat, qëndrojnë të pashpërndara pranë kufirit, pasi organizatave humanitare u ndalohet të veprojnë.

“Derisa rrethimi i Qeverisë izraelite po i lë të uritur banorët e Gazës, punonjësit e ndihmave po bashkohen me ta në radhët për ushqim, duke rrezikuar të qëllohen. Furnizimet kanë mbaruar plotësisht dhe organizatat humanitare po shohin kolegët dhe partnerët e tyre teksa rraskapiten para syve të tyre”, thuhet në reagim.

“Ndalesat dhe vonesat, të shkaktuara nga rrethimi total i Qeverisë izraelite, kanë krijuar kaos, uri dhe vdekje”, sipas organizatave.

Ato kërkuan që qeveritë të veprojnë menjëherë, duke hequr të gjitha pengesat burokratike dhe administrative që bllokojnë ndihmat; duke hapur të gjitha kalimet tokësore drejt Gazës; duke siguruar që ndihmat arrijnë te të gjithë njerëzit në nevojë, pa pengesa; duke refuzuar kontrollin ushtarak mbi shpërndarjen e ndihmave, si dhe duke rikthyer një ndihmë humanitare të udhëhequr nga OKB-ja, bazuar në parimet ndërkombëtare të ndihmës.

“Shtetet duhet të ndërmarrin masa konkrete – si ndalimi i transferimit të armëve dhe municionit – për t’i dhënë fund rrethimit”, thuhet në deklaratë.

Izraeli, i cili kontrollon të gjitha furnizimet që hyjnë në Gazë, mohon se është përgjegjës për mungesën e ushqimit.

Mbi 800 persona u vranë gjatë javëve të fundit, duke u përpjekur të sigurojnë ushqim – shumica e tyre nga të shtënat masive të ushtarëve izraelitë, të pozicionuar pranë qendrave të shpërndarjes së Fondacionit Humanitar në Gazë.

Ky fondacion, i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, është kritikuar ashpër nga organizatat humanitare, përfshirë edhe Kombet e Bashkuara, për, siç është thënë, mungesë të neutralitetit.

Sipas autoriteteve në Gazë, Izraeli ka vrarë afro 60.000 palestinezë në këtë enklavë.

Ofensiva ka nisur në tetor të vitit 2023, pasi Hamasi – grup palestinez, i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera – ka sulmuar Izraelin, duke vrarë 1.200 njerëz dhe marrë peng qindra të tjerë./ REL

Rajoni i pasur me naftë në Sudan bëhet fronti i ri i luftës

By: e xh
23 July 2025 at 13:02

Rajoni i pasur me naftë i Kordofanit në Sudan është kthyer në një vijë të re të frontit të luftës mes ushtrisë dhe forcave paraushtarake rivale, ndërsa të dyja palët përpiqen të fitojnë epërsi në një konflikt që ka shkatërruar këtë shtet të madh afrikan për më shumë se dy vjet.

Sulmet që vranë qindra civilë në fillim të këtij muaji kanë zhvendosur vëmendjen drejt kësaj pjese të vendit.

“Kushdo që kontrollon Kordofanin, kontrollon në mënyrë efektive furnizimin me naftë të vendit, si dhe një pjesë të madhe të Sudanit,” tha për BBC-në analisti Amir Amin nga firma e konsulencës për rreziqe Oasis Policy Advisory.

Ky rajon është gjithashtu jetik për Sudanin e Jugut, një shtet pa dalje në det, pasi nafta e tij kalon nëpër tubacionet e Kordofanit përpara se të eksportohet. Prandaj, stabiliteti i rajonit ka rëndësi strategjike edhe për Sudanin e Jugut.

Beteja për rajonin, i cili përbëhet nga tre shtete me një popullsi prej afro tetë milionësh, është ashpërsuar që nga qershori, kur ushtria sudaneze u përqendrua në rimarrjen e territorit nga Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF), pasi këto të fundit kishin bërë përparime të mëdha duke rimarrë kryeqytetin, Khartoum, dhe shtetin fqinj Gezira, qendra bujqësore e vendit.

Më 20 korrik, lideri ushtarak i Sudanit, Gjenerali Abdel Fattah al-Burhan, mbërriti në aeroportin kryesor të Khartoumit për herë të dytë që kur trupat e tij dëbuan forcat e RSF-së në mars. Megjithatë, ai mbetet i vendosur në qytetin portual të Port Sudanit në lindje, çka sugjeron se ende nuk ndihet i sigurt të rikthehet në mënyrë të përhershme në Khartoum, një qytet i shkatërruar plotësisht.

Konflikti, i cili shpërtheu në prill të vitit 2023, ka shkaktuar vdekjen e rreth 150 mijë personave dhe ka detyruar rreth 12 milionë të tjerë të largohen nga shtëpitë e tyre, sa popullsia e Tunizisë ose Belgjikës.

Forcat RSF e pushtuan Khartoumin menjëherë pas shpërthimit të luftës, pas një përçarjeje të thellë mes gjeneralit Burhan dhe ish-aleatit të tij, komandantit të RSF-së, Gjeneral Mohamed Hamdan Dagalo, i njohur si “Hemedti”. RSF e kishte ndihmuar Burhanin në grushtin e shtetit të vitit 2021 dhe në shtypjen e protestave, derisa konfliktet mbi integrimin e forcave paraushtarake në ushtri sollën përplasjen fatale.

Sipas analistit të International Crisis Group, Alan Boswell, ushtria synon të mposhtë RSF-në në Kordofan për të mundur të avancojë drejt Darfurit, që është dhe vendlindja e RSF-së. Nga ana tjetër, RSF kërkon të marrë Kordofanin për të rifituar vrull dhe për të qenë sërish pranë qendrës së Sudanit, përfshirë kryeqytetin.

Megjithatë, drejtori i think-tank-ut Sudan Transparency and Policy Tracker, Dr. Suliman Baldo, i tha BBC-së se dyshon që ushtria të mund të çajë vijat mbrojtëse të RSF-së në Kordofan. Ai thekson se shumica e luftëtarëve të RSF-së vijnë nga grupi etnik Misseriya në Perëndim të Kordofanit, “prandaj ata po luftojnë për të mbrojtur komunitetet e tyre”.

Sulmet ajrore të ushtrisë në fillim të këtij muaji në Perëndim të Kordofanit, përfshirë kryeqytetin el-Fula dhe qytetin Abu Zabad kanë zemëruar banorët lokalë. Dr. Baldo i konsideron këto sulme si “politikë kundërproduktive e ndëshkimit kolektiv ndaj asaj që quhet baza sociale e RSF-së”.

Ndërkohë, edhe pse ushtria ende kontrollon disa fusha nafte, RSF ka kërcënuar të përshkallëzojë luftën në drejtim të Heglig, një zonë prodhimi të naftës në Kordofanin e Jugut, në kufi me Sudanin e Jugut.

“Nëse aviacioni i ushtrisë rikthehet dhe bombardon qytetarët në Perëndim të Kordofanit, do të godasim Hegligun, do ta mbyllim prodhimin e naftës dhe do të vrasim inxhinierët,” u citua të thoshte Youssef Awadallah Aliyan, kreu i administratës civile të RSF-së në rajon, sipas Sudan Tribune.

Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) raportoi se sulmet në el-Fula dhe Abu Zabad, përfshirë një shkollë ku strehoheshin familje, vranë më shumë se 20 persona. OCHA i dënoi sulmet, duke kujtuar se civilët dhe objektet civile ku përfshihen shkollat dhe strehimoret “nuk duhet kurrë të jenë objektiva”.

Edhe RSF është akuzuar për krime të rënda. UNICEF njoftoi se mbi 450 civilë, përfshirë 24 djem, 11 vajza dhe dy gra shtatzëna, janë vrarë në sulmet e fundit në zonën Bara të Kordofanit të Veriut dhe fshatrat Shag Alnom e Hilat Hamid.

“Këto sulme janë të tmerrshme,” tha UNICEF. “Ato përfaqësojnë një përshkallëzim tronditës të dhunës dhe një shpërfillje totale për jetën njerëzore.”

Laboratori i Kërkimeve Humanitare në Universitetin Yale në SHBA, përmes analizave satelitore të Shag Alnom, ka evidentuar gjurmë të zjarreve të qëllimshme.

Grupi i të drejtave “Emergency Lawyers” raportoi se shumë nga mbi 200 viktimat janë djegur për së gjalli në shtëpitë e tyre ose janë qëlluar.

Frika po rritet për një përshkallëzim të mëtejshëm, pasi RSF raportohet se po mobilizohet për të marrë kontrollin e el-Obeid, kryeqyteti i Kordofanit të Veriut. Qyteti Umm Sumaima ka kaluar disa herë nga njëra palë tek tjetra javët e fundit.

“Është pika e fundit e mbrojtjes për Ushtrinë Sudaneze para el-Obeidit,” tha Dr. Baldo.

Sipas analistit Amin, kontrolli i Umm Sumaima do t’i jepte RSF-së mundësinë të rrethonte ushtrinë, ndërkohë që kjo e fundit po përpiqet të çajë rrugë për të furnizuar trupat e saj në zona të tjera të Kordofanit.

Meqë Kordofani shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 390 mijë km², beteja pritet të jetë e gjatë dhe e përgjakshme.

“Nuk është e qartë nëse kjo do të vendosë përfundimisht fituesin e luftës, por padyshim që do të jetë një pikë kthese e rëndësishme,” tha Amin./tvklan.al

Përshtatur në shqip, artikull i BBC-së

Vota e Diasporës në Itali, Berisha:Në 50% të rasteve,fletët s’u dorëzuan te votuesit

By: e xh
23 July 2025 at 12:58

Kryetari i Partisë Demokratike denoncoi një tjetër parregullsi  të kryer gjatë procesit zgjedhur, që sipas pretendimeve të tij, ka cenuar votën e lirë të qytetarëve shqiptarë.

“Kam paraqitur disa ditë me radhë para mediave dhe publikut farsën zgjedhore të diasporës në Greqi. Skenarë të njëjtë me Greqinë janë zhvilluar edhe në zona të tëra të Italisë. Këtu, zgjedhës të miratuar në Itali kanë qenë 91 mijë. Zarfe të dërguar në Itali janë 91 mijë. Por zarfe të mbërritur në KQZ nga Italia janë 75 mijë apo 15 mijë më pak. Çka do të thotë se 15 mijë e 474 vota u mbytën në Adriatik për arsye politike. Nuk mbërrijnë në destinacion”, tha Berisha.

“Grupi që po analizon ka shqyrtuar gjithsej 353 fatura që DHL ka paraqitur për dorëzimin e votave tek qytetarët shqiptarë. Nuk është u dorëzuar vota 7 për qind të votuesve, janë përjashtuar. Nuk është marrë firma tek 3 për qind e tyre. Kanë firmosur persona të tjerë në 21 për qind të rasteve. Pra, siç e shihni, në rreth 30 për qind, ai që ka marrë votën, nuk dihet kush është, nuk është i zoti, nuk është personi që i takon”.

Ilir Proda takohet me homologun turk: Bashkëpunim pa barriera mes dy Policive

By: e xh
23 July 2025 at 12:43

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ilir Proda ndodhet në një vizitë në Stamboll, ku është takuar me homologun e tij turk, Mahmut Demirtaş.

“Delegacioni shqiptar u prit në një takim miqësor dhe të ngrohtë nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë turke, Guvernatori Mahmut Demirtaş, i shoqëruar nga Drejtori i Departamentit për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Drejtues i Lartë Gökhan Demirtola, dhe Drejtori i Departamentit për Interpolin dhe Europolin, Drejtues i Lartë Mustafa Serkan Sabanca.”-bën me dije Policia përmes një komunikate për mediat.

Në këtë takim, Demirtaş e përgëzoi Prodën për frymën e re të bashkëpunimit dhe vendosmërinë për të forcuar më tej marrëdhëniet me partnerët dhe me agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare. Ai po ashtu shprehu gatishmërinë që Policia turke të vazhdojë të jetë një mbështetje e fuqishme për Policinë e Shtetit.

Proda nga ana tjetër e falënderoi homologun turk, për pritjen dhe për mbështetjen, dhe “e njohu atë me vizionin e tij për një transformim të mëtejshëm të Policisë së Shtetit, me një shërbim gjithnjë e më cilësor për qytetarët dhe një forcë policore më profesionale dhe të besueshme në përballjen me krimin e organizuar dhe terrorizmin”.

Sipas njoftimit për mediat, në këtë takim mes dy drejtuesve u theksua se marrëdhëniet ndërmjet dy policive janë ndërtuar mbi një partneritet strategjik dhe një histori të gjatë bashkëpunimi, i cili është intensifikuar në vazhdimësi për të përballuar sfidat e përbashkëta të sigurisë.

Bashkëpunimi mes dy policive sipas tyre është i gjithanshëm dhe nuk njeh barriera: “Ai shtrihet në fusha kyçe si: lufta kundër krimit të organizuar dhe narkotikëve; bashkëpunimi në fushën e antiterrorizmit dhe të sigurisë publike; kapja, arrestimi dhe ekstradimi i shtetasve në kërkim ndërkombëtar; mbështetja logjistike dhe teknologjike pas sulmeve kibernetike ndaj institucioneve shqiptare; arsimi dhe trajnimi i përbashkët i punonjësve të Policisë, si dhe menaxhimi i kufijve dhe i migracionit”.  

Proda në këtë vizitë ishte i shoqëruar nga Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale Drejtues i Lartë Neritan Nallbati, dhe Drejtori i Departamentit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare Drejtues i Lartë Pëllumb Seferi.

Në përfundim të vizitës zyrtare në Stamboll, delegacioni shqiptar, vizitoi dhe Panairin Ndërkombëtar të Industrisë së Mbrojtjes (IDEF 2025), ku u njoh nga afër me teknologjitë më të fundit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

Greqi, zjarret masive në pyje detyrojnë evakuimin e banorëve

By: e xh
23 July 2025 at 12:21

Forca të mëdha zjarrfikëse vazhdojnë të luftojnë me zjarret pyjore në vendin ballkanik. Sipas zjarrfikësve, zjarret kanë përfshirë një zonë malore dhe të paarritshme në kufirin midis Arkadias dhe Korinthit, gjë që po ndërlikon përpjekjet e ekipeve të zjarrfikësve.

Zjarrfikësit kanë njoftuar vendosjen e përforcimeve me 185 zjarrfikës, përfshirë gjashtë ekipe pyjore dhe 56 automjete, që tani po operojnë në zonë.

Pesëmbëdhjetë aeroplanë dhe 12 helikopterë janë mobilizuar për shuarjen e zjarreve nga ajri, ndërsa makineritë dhe cisternat janë gjithashtu në shërbim.

Pasditen e vonë të së martës, një alarm i ri emergjence u lëshua në 112 duke kërkuar evakuimin e zonave të Kionias, Stymphalias dhe Matsizas duke i nxitur banorët të zhvendosen në zonën e Psarit.

Më parë, një mesazh i ngjashëm ishte dërguar për të evakuuar zonat e Karterit, Drosopigisë, Kastaniasë dhe Lavkas.

Ankandet e energjisë së rinovueshme, Balluku: Shqipëria, eksportues neto brenda 2030

By: e xh
23 July 2025 at 11:37

Përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook, zëvendëskryeministrja dhe njëherësh ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, njoftoi se bashkitë do të përfitojnë nga ankandet ndërkombëtare të energjisë së rinovueshme.

Sipas saj, autoritetet lokale janë të angazhuara për të identifikuar tokat e pafrytshme për bujqësi dhe të papërdorshme për zhvillime urbanistike, të cilat do të vendosen në dispozicion për zhvillimin e projekteve energjetike.

Në këtë postim ajo shpjegoi se bashkitë do të kenë rol aksioner në proces, që pritet të sjellë më shumë përfitime për qytetarët dhe të çojë Shqipërinë drejt statusit të eksportuesit neto të energjisë brenda vitit 2030.

“Bashkitë mund të përfitojnë nga ankandet e energjisë së rinovueshme. Kemi kërkuar nga pushteti vendor, identifikimin e tokave të pafrytshme për bujqësi dhe të papërdorshme për zhvillime urbanistike, të cilat do të vendosen në dispozicion për zhvillimin e ankandeve ndërkombëtare të energjisë së rinovueshme.  Bashkitë do të jenë aksionere në këtë proces. Më shumë përfitime për qytetarët. Shqipëria, eksportues neto i energjisë brenda vitit 2030”, ka shkruar zëvendëskryeministrja Balluku.

 

 

KQZ shpërndau sot mandatet, dorëhiqen kandidatët e listës së mbyllur të PSD

By: e xh
23 July 2025 at 11:34

KQZ ka shpërndarë sot mandatet për subjektet politike dhe kandidatët fitues për qarkun e Tiranës.

Teksa ende nuk është vendosur se kush do ta marrë mandatin e vetëm të Nisma “Shqipëria bëhet”, mësohet se edhe PSD e Doshit do të djegë listën e mbyllur të Tiranës.

Mandati pritet t’i kalojë të parit nga lista e hapur, Tedi Mula. 30-vjeçari mori 2500 vota, dhe është nipi i Avni Mulës e Inva Mulës, dhe sipërmarrës në fushën e AgroPërpunimit.

Situata në vend, 11 vatra zjarri ende aktive

By: e xh
23 July 2025 at 11:29

Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 22 vatra zjarri nga të cilat 11 janë ende aktive dhe 1 është nën monitorim. Vatrat janë evidentuar në bashkitë: Dibër, Mat, Vlorë, Elbasan, Kurbin, Lezhë, Devoll, Korçë, Pustec, Pogradec, Gjirokastër, Përmet, Fier, Berat, Tiranë, Dimal, Malësi e madhe dhe  Kukës.

Aktualisht mbeten aktive këto vatra zjarri: .

–              Në vendin e quajtur “Liqeni i Luleve”, pjesë e Parkut Kombëtar Lurë, bashkia Dibër, vazhdon zjarri që po zhvillohet në tre vatra, por me intensitet të ulët gjatë natës. Vatrat janë aktive mbi fshatin Gurë Lurë, rreth Liqenit të Zi dhe në Fushën e Pelave.

–              Në fshatin Ulëz, bashkia Mat, situata është shumë e vështirë pasi zjarri po zhvillohet në drejtim të pyjeve. Për shkak të terrenit dhe përmasave të zjarrit, forcat operacionale nuk kanë mundur të vënë nën kontroll.

–              Në fshatin Zall Gjoçaj, njësia administrative Derjan, bashkia Mat, ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit të rënë në vendin e quajtur “Përroi i Zi”, një sipërfaqe pyjore me pisha dhe ah. Relievi shkëmbor dhe shumë i thyer e bën të vështirë ndërhyrjen me mjete zjarrfikëse. Ditën e djeshme në terren u angazhuan 40 forca bashkiake dhe 30 efektivë nga FA, 1 avion Canadair nga shteti Italian.

–              Në vendin e quajtur “Maja e Pliskës, mbi fshatin Dukat, bashkia Vlorë, zjarr është shumë intensiv në sipërfaqe shkurre, kullotë dhe pylli me pishë. Flakët të ndihmuara nga era përfshinë edhe kurorat e pishës, duke e bërë problematike gjendjen. Ditën e sotme vazhdon operacioni me forcat 32 operacionale të ndihmuar me 80 forca ushtarake, 2 helikopter të FA-së.

–              Në Qarkun Lezhë ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit të rënë në një sipërfaqe pyjore me pisha dhe pemë lisi, në afërsi të tunelit të Shkopetit, në rrugën Shkopet-Burrel. Është shmangur përhapja drejt banesave.

–              Në fshatin Vernik, bashkia Devoll, vijon puna për shuarjen e zjarrit të  rënë në një sipërfaqe me shkurre.

–              Në fshatin Dishnicë, bashkia Korçë, vijon puna për shuarjen e zjarrit të rënë në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Zjarri vazhdon të përhapet në drejtim të verilindjes drejt Ҫardhakut, i ndihmuar nga era dhe bimësia e shumëllojshme.

–              Në fshatin Pustec, bashkia Pustec ka rënë zjarrin e rënë në vendgrumbullimin e mbetjeve  dhe sot vijon puna për izolimin dhe fikjen përfundimtare të tij.

–              Në fshatin Kosinë, bashkia Përmet, ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit të rënë në një sipërfaqe me shkurre dhe pyll. Në fshatin Kutal janë përqendruar pjesa më e madhe e forcave për shuarjen e zjarrit, pasi është ende aktiv. Rrezik për banesa nuk ka.

–              Në malin Sukë, fshati Mamëz, bashkia Kukës, zjarri i rënë në një sipërfaqe me shkurre ka marrë përmasa dhe rrezikon banesat e fshatit Mamëz. Sot vijon operacioni me forcat operacionale dhe me 100 forca ushtarake për shuarjen e zjarrit.

Në monitorim:

Në vendin e quajtur “Livadhi i Peladhisë”, njësia administrative Zerqan, bashkia Bulqizë,  zjarri i riaktivizuar ka kaluar në fshatin Strikçan, njësia administrative Zerqan, dhe po monitorohet nga Shërbimi vendor i MZSH të bashkisë Bulqizë me 1 automjet zjarrfikës dhe 8 efektivë dhe 8 forca bashkiake.

Si pasojë e zjarreve të rënë,  kryesisht në sipërfaqe me bimësi e pyjore janë djegur rreth 17 hektarë.

Forcat e angazhuara : Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 36 automjete zjarrfikëse dhe 635 forca operacionale. Gjithashtu në operacionet e ditës së djeshme morën pjesë, 190 forca nga FA me 19 mjete dhe 2 Helikopterë, 2 avionë Canadair nga shteti Grek dhe 1 nga shteti Italian. Gjatë ditës sotme janë në operacione 345 forca ushtarake, 2 helikopterë dhe 1 automjet zjarrfikëse me efektivin përkatës.

Kushtet atmosferike dhe rreziku i zjarreve: Sipas informacionit të nga Instituti i Gjeoshkencave (IGJEO), në Qendrën Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile (QKOEC),  sot nuk priten reshje në të gjithë territorin.

Për zjarret në pyje sot pritet nivel rreziku “i lartë” në të gjitha qarqet, ndërsa në qarqet Durrës dhe Shkodër pritet nivel rrezik “I MODERUAR”. Rrezik “I LARTË” pritet gjithashtu nё zona tё lokalizuara të qarkut Shkodër (Jug)  dhe qarkut Durrës (Jug Lindje).

Strukturat e mbrojtjes civile vijojnë të jenë të angazhuara pa ndërprerje në menaxhimin dhe shuarjen e vatrave të zjarrit në të gjithë territorin. U bëjmë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar dhe të raportojnë menjëherë çdo rast të dyshimtë zjarri pranë autoriteteve përkatëse.

Fshehje pasurie, kalon për gjykim dosja ndaj Asllan Dogjanit

By: e xh
23 July 2025 at 11:23

Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, GJKKO, kaloi këtë të mërkurë, 23 korrik, për gjykim dosjen ndaj deputetit demokrat Asllan Dogjani.

Ai akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për fshehje pasurie. Sipas akuzës, Dogjani dyshohet se ka fshehur blerjen e një apartamenti me vlerë mbi 120 mijë euro.

GJKKO më herët e kishte kthyer dosjen e Prokurorisë së Posaçme në ngarkim të tij për plotësim hetimesh.

Dogjani u mor i pandehur nga Prokuroria e Posaçme në dhjetor të 2024-s.

Në atë kohë, SPAK sqaroi Dogjani nëpërmjet dy kontratave të dubluara fshehu nëpërmjet deklarimit të rremë mënyrën e përfitimit të apartamentit në Tiranë, në rrugën “Hamid Shijaku”. Të dyja deklaratat për mbanin të njëjtin numër protokolli, por kushte të ndryshme të përfitimit të pasurisë./tvklan.al

KQZ ndan 37 mandatet e qarkut Tiranë, shtyhet shqyrtimi i kërkesave të Lapajt

By: e xh
23 July 2025 at 11:19

Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi ka ndarë sot 37 mandatet e qarkut Tiranë.

19 mandate janë për PS, 13 për PD, 2 për Mundësia, 1 për PSD , 1 për Lëvizjen Bashkë dhe 1 për koalicionin Nisma Shqipëria Bëhet.

Pas kësaj nisi diskutimi mbi mandatin e vetëm të koalicionit Nisma Shqipëria Bëhet.

Së bashku me përfaqësuesen ligjore të Shqipëria Bëhet, në KQZ është edhe kandidatja e listës së mbyllur Kleana Xhuveli, e renditur e katërta, e cila ka revokuar dorëheqjen dhe ka kërkuar të marrë mandatin.

Kleana Xhuveli është kushërira e parë (vajza e tezes) së Adriatik Lapajt.

Dorina Prethi, përfaqësuesja ligjore e koalicionit Nisma Shqipëria: Për sa kohë KQZ s’ka marrë vendim për të refuzuar apo pranuar dorëheqjet ato konsiderohen të miratuara. Një nga kandidatet e listës së mbyllur e ka bërë revokimin në tejkalim të afatit. Heshtja e KQZ përbën një formë refuzimin të heshtur duke nxitur një situatë paqartësie, mbi vlefshmërinë e dorëheqjes.

Celibashi: deklaratat e tyre në 11 maj duhej të ishin shqyrtuar dhe duhet të kishte disponim dhe sa kohë nuk ka disponuar brenda një afati që në kodi zgjedhor nuk është parashikuar, procesi i KQZ ka rënë në dekadencë dhe këto deklarata konsiderohen të miratuara. Deklaratat s’kanë asnjë vlerë se kanë disponuar mbi dy fakte juridike që konsiderohen të ndodhura, dorëheqjet. Dy kandidatët s janë më kandidatë prej cilës datë?

Prethi: Që në 11 maj, por ka hyrë në fuqi më 10 korrik 2025. Duam kërkesë me shkrim për Kordhonin, është konstatuar firmë e ndryshme, na rezulton që dokumentet të jenë të falsifikuara, dokumentet e kandidimit si kandidat na rezulton se nuk është firma e tij, duke pezulluar ndarjen e mandateve për qarkun Tiranë. Ai nuk është paraqitur fizikisht, ka mospërputhje të nënshkrimit të tij.  Sa kohë s’ka dalë rezultati përfundimtar kushdo ka të drejtë të tërhiqet.

Edhe Partia e Tom Doshit ka depozituar kërkesë në KQZ për dorëheqjen e të gjithë  kandidatëve të listës së mbyllur.

Në Tiranë PSD mori vetëm një mandat dhe e para e listës së mbyllur  është Albana Pëllumbi, por me shkresën e depozituar në KQZ kërkohet që mandati t’i kalojë kandidatit  të parë të listës së hapur i cili është Tedi Mula që ka marrë 2503 vota.

Të dyja kërkesat, ajo e Lapajt dhe e Doshit janë shtyrë për në fund të mbledhjes.

Kujtojmw se mandati i vetëm në Kuvend i koalicionit Shqipëria Bëhet ka sjellë përplasje në distancë mes Adriatik Lapajt dhe Endri Shabanit.

Sipas marrëveshjes së arritur mes dy partive përbërëse të koalicionit, kandidatët e listës së mbyllur ishin familjarë të drejtuesve që kishin firmosur paraprakisht një deklaratë dorëheqjeje nga mandati, për të hapur rrugën kandidatëve të listës së hapur, ku fitues do të shpallej kandidati me më shumë vota preferenciale.

Kandidati i listës së hapur që ka marrë numrin më të madh të votave është Adriatik Lapaj. Megjithatë, i afërmi i Endri Shabanit në listën e mbyllur, Zeqir Kordhoni, ka paraqitur kërkesë për të marrë mandatin. Shabani dhe Kordhoni argumentojnë se ky veprim është pasojë e premtimit të pambajtur të Lapajt, i cili sipas tyre kishte deklaruar më herët se nuk do të mbante mandatin nëse koalicioni fitonte vetëm një vend në Kuvend.

TIRANE – 37 MANDATE

PS: 19 mandate
Edi Rama
Ogerta Manastirliu
Elisa Spiropali
Lindita Nikolla
Taulant Balla
Adea Pirdeni
Albana Koçiu
Igli Hasani
Delina Ibrahimaj
Ilva Gjuzi
Iris Luarasi
Erion Malaj

Nga lista e hapur:
Blendi Gonxhja
Erion Braçe
Ervin Hoxha
Fatmir Xhafaj
Ornaldo Rakipi
Anila Denaj
Olta Xhaçka

PD: 13 mandate
Sali Berisha
Flamur Noka
Albana Vokshi
Belind Këlliçi
Tedi Blushi
Jozefina Topalli
Fatmir Mediu
Edi Paloka
Erisa Xhixho
Mesila Doda
Klevis Balliu
Besart Xhaferi

Nga lista e hapur: Jorida Tabaku

Partia Mundësia: 2 mandate
Agron Shehaj
Erald Kapri

Vodhën mbi 400 mijë euro nga subjekti ku punonin, pranga 37-vjeçarit, në kërkim…

By: e xh
23 July 2025 at 11:18

Një 37-vjeçar është arrestuar nga Policia e Tiranës, pasi akuzohet se së bashku me financieren 30-vjeçare kanë arritur të vidhin 409 000 euro nga subjekti ku ishin të punësuar.

37-vjeçari ishte shpërndarësi i porosive në këtë subjekt.

Nga hetimet dyshohet se shtetasi E. Sh. dhe shtetasja A. S., me detyra respektive shpërndarës i porosive dhe financiere në një subjekt që shiste tekstile me metrazhe, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, gjatë periudhës 2023-2024, kanë vjedhur nga ky subjekt, nëpërmjet mashtrimit me faturat e shpërndarjeve, rreth 409 000 euro.

Ndërkohë, policia vijon punën për arrestimin e financieres A. S.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

❌
❌