Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 13 July 2025Main stream

Datëlindje dashurie

By: Kult Plus
13 July 2025 at 11:18

Poezi nga Ángel González
Sjellë në shqip nga Erion Karabolli

Si do të jem unë

kur të mos jem më unë?

Kur koha

ta ketë modifikuar strukturën time,

dhe trupi im të jetë tjetër,

tjetër gjaku im,

të tjerë sytë dhe flokët e mi.

Do të mendoj për ty, mbase.

Me siguri,

trupat e mi të njëpasnjëshëm

– duke më zgjatuar, të gjallë, drejt vdekjes –

njëri-tjetrit do t´ia kalojnë

dorë më dorë,

zemër më zemër,

mish më mish,

atë elementin e mistershëm

që përcakton trishtimin tim

kur ti ikën,

që më shtyn të të kërkoj verbërisht,

që, në mënyrë të pashmangshme,

më çon tek ti:

me një fjalë, atë çka njerëzit e quajnë dashuri.

Dhe sytë

– ç´rëndësi ka po s’qenë më këta sy –

do të të ndjekin pas kudo që të shkosh, besnikë./ KultPlus.com

Murat Toptani, një nga pionerët e skulpturës shqiptare

By: Kult Plus
13 July 2025 at 10:45

Murat Toptani ka lindur më 13 korrik 1867 në Aka, (Kaukaz) në kohën e internimit të babait-Said Toptanit.

Ai ka qenë patriot, atdhetar, ushtarak, poet, publicist, piktor, skulptor si dhe mësues, që punoi shumë për futjen e gjuhës shqipe nëpër shkollat turke. Gjithashtu zotëronte disa gjuhë të huaja si, turqisht, frëngjisht, arabisht, persisht, gjermanisht dhe italisht.

Mësimet i filloi në shkollën “Madam Fyrer”, ndërsa studimet e larta i vazhdoi në “Gallata Saraj” të Stambollit. Gjatë vijimit të mësimeve në “Madam Fyres”, pati rastin të njihet me Asijen, vajzën e poetit komëtar Naim Frashërit. Kjo njohje motivoi lindjen e një dashurie të sinqertë në mes Muratit dhe Asijes, ndërsa më vonë me pëlqimin e vëllezërve Frashëri këta dy të rinj u martuan. Lidhjet mes familjes Toptani dhe Frashëri u forcuan edhe më shumë kur Vesimeja, motra e Murat Toptanit, u martua me më të voglin e vëllezërve Frashëri, me Mehmet Frashërin.

Më 1912 Murat Toptani ka qenë përfaqësues i Tiranës në Kuvendin e Vlorës, ku firmosi Aktin e Pavarësisë./ KultPlus.com

Debutimi i Frank Sinatrës më 13 korrik 1939

By: Kult Plus
13 July 2025 at 10:12

Së bashku me grupin e Harry James, debutoi me incizimin e tij të parë më 13 korrik 1939, ku më pas u bë shumë i dashur për publikun. 

Karriera e Sinatrës nuk përfundoi pas pesë apo dhjetë viteve, por qëndroi më shumë se gjysmë shekulli.

Ai performoi para një audience shumë të madhe, duke përfshirë edhe presidentët John Kennedy dhe Richard Nixon.

Gjithashtu, incizimet e tij vazhdojnë të jenë prezente te të gjitha moshat.

Disa nga këngët e tij më të famshme janë: Fly Me to the Moon, My Way, That’s Life, Come Fly with Me e të tjera. /KultPlus.com

Zbulimet arkeologjike në fshatin Lin, një udhëtim mes historisë dhe natyrës

By: Kult Plus
13 July 2025 at 09:36

Në brigjet piktoreske të liqenit të Ohrit, rreth 20 kilometra larg qytetit të Pogradecit, ndodhet fshati Lin, një nga destinacionet më të veçanta që ndërthur bukurinë natyrore me pasurinë historike.

Ky fshat i vogël, i vendosur mbi një gadishull që futet thellë në liqen, ofron një panoramë magjepsëse dhe një trashëgimi kulturore me vlera të jashtëzakonshme.

Një nga thesaret më të çmuara të Linit janë rrënojat e bazilikës paleokristiane, të zbuluara në majën e kodrës që ngrihet mbi fshat.

Zbulimet arkeologjike të realizuara gjatë dekadave të fundit kanë nxjerrë në dritë një kishë të hershme që daton në shekujt V–VI pas Krishtit, e pasur me mozaikë të rrallë, zbukurime gjeometrike dhe simbole kristiane. Mozaikët janë të ruajtur në mënyrë mbresëlënëse, duke dëshmuar për një qendër të rëndësishme shpirtërore dhe kulturore të asaj kohe.

Një bashkëpunim katërvjeçar midis arkeologëve zviceranë dhe atyre shqiptarë përmbylli me sukses fazën e parë 2021-2025, duke cilësuar sitin pranë Linit, në Pogradec, si vendbanimin më të vjetër palafit në Evropë.

Po ashtu, konfirmohet që “Lin 3” mbulon 2000 vite të historisë së vendbanimeve dhe të paktën 10-12 faza apo fshatra të ndryshëm përgjatë hapësirës kohore 6000 – 4000 para Krishtit.

Vizitorët që ngjiten në kodër, jo vetëm që përballen me historinë e lashtë të krishtërimit në rajon, por edhe me një pamje panoramike që të lë pa fjalë: Liqeni i Ohrit shtrihet i kaltër përpara, ndërsa kufiri me Maqedoninë e Veriut është vetëm pak minuta larg në horizont.

Fshati Lin është një atraksion më vete. Rrugicat e ngushta me kalldrëm, shtëpitë karakteristike me oborre të gjelbëruara, mikpritja e banorëve dhe traditat e ruajtura me përkushtim i japin këtij vendi një atmosferë të ngrohtë e autentike.

Shumë vizitorë ndalojnë për të provuar gatimet e zonës ose për të bërë një shëtitje buzë liqenit, aty ku koha duket sikur ndalon.

Lini është një nga ato vende ku natyra dhe historia bashkëjetojnë në harmoni të plotë. Është një udhëtim që të çon njëkohësisht në rrënjët e qytetërimit dhe në thellësitë e qetësisë shpirtërore.

Për këdo që viziton Pogradecin, ndalesa në Lin është jo vetëm një rekomandim, por një përvojë e domosdoshme./atsh/KultPlus.com

Liqeni i Seferanit, një ndër atraksionet natyrore më të vizituara në Belsh

By: Kult Plus
13 July 2025 at 09:04

Liqeni i Seferanit në Belsh është kthyer në një nga atraksionet më të pëlqyera për turistët që zgjedhin të eksplorojnë bukuritë natyrore të Shqipërisë së mesme.

I pozicionuar në fshatin me të njëjtin emër, ky monument natyre përfaqëson një liqen karstik me një sipërfaqe prej rreth 87.5 hektarësh dhe një ekosistem të pasur, që tërheq vëmendjen e vizitorëve të apasionuar pas natyrës, qetësisë dhe biodiversitetit.

Liqeni ofron mundësi për ecje përgjatë brigjeve, vëzhgim të florës dhe faunës vendase, si dhe aktivitete të lehta rekreative, duke e kthyer këtë zonë në një pikë referimi për turizmin rural dhe natyror në qarkun e Elbasanit.

Falë infrastrukturës së përmirësuar dhe promovimit të qëndrueshëm të zonave të mbrojtura, Belshi po fiton gjithnjë e më shumë vëmendjen e turistëve vendas dhe të huaj, të cilët shprehen të entuziazmuar nga peizazhi dhe mikpritja lokale.

Tashmë Belshi i rilindur tërësisht është një destinacion i rëndësishëm turistik në qarkun e Elbasanit.

Në përgjithësi është një zonë me një peizazh natyror që të bënë për vete në të katër stinët por më interesante është pranvera dhe vjeshta, ku bimësia pikas me ngjyrat e saja të theksuara.

Gjithë krahina numëron rreth 84 liqene, midis tyre ka dhe të vegjël fare, por të gjithë janë të bukur dhe kanë karakteristikat e tyre.

Kanë një florë befasuese sidomos në pranverë. Disa numërohen me emra për bukurinë e tyre si, ai i Seferanit, Merhojes, Cestijes, Degës, me një florë të pasur si, zambaku i bardhë, zambaku i verdhë, karakteristikë për ujërat e këtyre liqeneve që tërheqin vëmendjen e vizitorëve.

Në perëndim të qytezës, në liqenin e Seferanit, ishte faltorja e Afërditës dhe kulti i saj ushtrohej duke hedhur në ujë enë e terrakota si dhurata për perëndeshën./atsh/KultPlus.com

Kulinaria nxitje turizmit, listë me produkte tipike për t’u regjistruar

By: Kult Plus
12 July 2025 at 23:40

Kulinaria konsiderohet si një pjesë e pandashme e turizmit dhe me shumë potencial në zhvillimin e këtij sektori që jep një kontribut të madh në ekonominë e vendit.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në bashkëpunim me Agjencinë Gjermane për Bashkëpunimin Ekonomik, po punojnë për hartimin e një liste me produkte tradicionale shqiptare, të cilat kanë potencialin për t’u regjistruar si skema cilësie, që do të shtojnë vlerë në zhvillimin e turizmit.

Sipas ekspertëve të fushës, turizmi dhe zhvillimi i tij, falë dhe politikave për diversifikimin e ofertave turistike, ka rritur interesin e turistëve të huaj, të zgjedhin vendin tonë për të pushuar.

Konkretisht ekspertët po punojnë në regjistrimin si skema cilësie të recetave të vjetra, ku bëjnë pjesë shumë produkte vendase.

Sipas tyre, në gjysmën e territorit janë screenuar dhe ka mbi 50 produkte që sot kanë potencialin për tu regjistruar si skema cilësie siç i ka Italia.

Ata vlerësojnë se vendi ynë ka qindra produkte që meritojnë të regjistrohen.

MBZHR vitet e fundit po mbështet ngritjen e agroturizmeve si shembujt që po kthehen në trend tashmë nga shumë fermerë dhe banorë të zonave rurale, që investimet në prodhime tipike të zonës dhe i kanë kthyer fermat apo shtëpitë e tyre, në oaze të mikpritjes turistike. /atsh/ KultPlus.com

‘Një buzëqeshje e ngrohtë është gjuha universale e mirësisë’

By: Kult Plus
12 July 2025 at 23:05
  1. “Mirësia e vazhdueshme mund të arrijë shumë. Ashtu si dielli e shkrin akullin, mirësia bën që keqkuptimi, mosbesimi dhe armiqësia të avullojnë”.

Albert Shvajcer

2. “Ka prova të pakundërshtueshme se sa më i lartë niveli i vetëvlerësimit, aq më shumë gjasa ka që njeriu të trajtojë të tjerët me respekt, mirësi dhe bujari”.

Nethënill Brendën

3. “Transparenca, ndershmëria, kujdestaria e mirë, madje edhe humori, funksionojnë në biznes, në të gjithë kohët”.

Xhon Gerzema

4. “Mbani mend, nuk ka një gjë të tillë, si një akt i vogël mirësie. Secili akt mirësie shkakton një dallgë, e cila nuk ka një fund logjik”.

Skot Adams

6. “Ai që të ka bërë një akt mirësie, do të jetë më i gatshëm të të bëjë një tjetër, se sa ai që e keni detyruar”.

Benjamin Frenklin

7. “Dashuria dhe mirësia nuk shkojnë kurrë dëm. Ato gjithmonë bëjnë diferencën. Bekojnë atë që i merr dhe bekojnë edhe ty, që i jep”.

Barbara de Anxhelis

8. “Mirësia është gjuha që të shurdhërit mund ta dëgjojnë dhe të verbërit mund ta shohin”.

Mark Tuein

9. “Mirësia është më e rëndësishme se sa mençuria, dhe pranimi i kësaj është fillimi i mençurisë”.

Teodor Isak Rubin

10. “Mirësia njerëzore nuk ka dobësuar asnjëherë forcën apo zbutur strukturën e një populli të lirë. Një komb nuk ka pse të jetë mizor, për të qenë i fortë”.

Frenklin Delano Ruzëvelt

11. “Tre gjëra në jetën e njeriut janë të rëndësishme. E para është të jesh i mirë. E dyta të jesh i mirë. Dhe e treta është të jesh i mirë”.

Henri Xhejms

12. “Një buzëqeshje e ngrohtë është gjuha universale e mirësisë”.

Uilliam Artur Uard

13. “Gjithmonë jini pak më të mirë se sa është e nevojshme”.

Xhejms Berri

14. “Ai që di si të tregojë dhe pranojë mirësinë, do të jetë një mik më i mirë se çdo zotërim”.

Sofokliu

15. “Ruaje mirë brenda vetes atë thesar, mirësinë. Mëso si ta japësh pa hezitim, si të humbasësh pa pendesë, si të fitosh pa qenë i keq”.

Xhorxh Send

Debate, shfaqje teatrore e muzikë në Natën e dytë të Etno Fest

By: Kult Plus
12 July 2025 at 22:32

Agron Gërguri

Nata e dytë e Etno Fest-it nisi me instalacionin e Malda Susurit “Të kam në mendje”  përcjellur me fjalë që duhet mbajtur në mendeje: të kam, dashni, sy, bardhësi, ajër, harmoni, bimë, hije, botë, za, zog, hare, motiv, inspirim, univers… Mbi platformën e instalacionit plotë ndjesi u zhvillua debat në temën “Ndikimi i traditës në shendetin mendor” në debat morën pjesë Fadil Hysaj i cilli konstatoi se “Bërthama identitare e ruanë  qenien “Vjosa Sadriu Hamiti foli për rëndësinë e gjuhës dhe Kanunit në ruajtjen e bërthamës identitare,  ndërsa Klara Shehu Profesoreshë e antikës në Unversitetin e Sorbonës në Francë trajtoi aspekte psikologjike të ndikimit të riteve dhe  dhe zakoneve në shëndetin tonë mendor duke e vë në spikamë dallimin midis traditës dhe zakoneve.

Aktorja Sheqerie Buqaj  me një monolog ilustroi  shpërthimin e dhimbjes së ndrydhur.
Sali Zogiani  tregoi disa anekdota^ në temen e ngushëllimeve në rastet e mortit.


Tema e identitetit në shfaqjen “Të turpëruarit” e Altin Bashës

Artistë nga Kosova dhe Shqipëria  ishin bërë bashkë në shfaqjen teatrore “Të turpëruarit”. Një avokati amerikan me origjinë pakistaneze, dhe gruan e tij, Emily, piktore e talentuar në një darke me miqë prekin  temën e identitetit ndërthurur me religjionin dhe politikën që rrënojnë raportet dhe rrjedhimisht edhe  identitetet.

   Në njëfarë mënyre të ata turpërohen në vete dhe kjo ndjesi shkakton dramë që eksploron identitetin, kulturën dhe konfliktet në një shoqëri të diversifikuar. Mesazhi kryesor i shfaqjes është reflektimi mbi identitetin, kulturën dhe konfliktet ndërkulturore në shoqërinë e sotme amerikane referenncialisht edhe në shoqëritë tjera. Personazhet i interoretuan Adrian Morina, Blerta Syla Surroi, Aurita Agushi, Kushtrim Sheremeti dhe Endrit Ahmetaj. Kostumet dhe skenografia e  Iliriana Bashës. 

Tema e shfaqjes prek raporte ndërnjerëzore

Përmes historisë së personazheve si Amir Kapoor dhe gruas së tij Emily, shpalosen sfidat dhe dilemat e një shoqërie ku  ndihen ndikimet e trashëgimisë kulturore ptanimi – mospranimi  në procesin ndryshimeve të shoqërisë moderne ku interferimet në identitet janë të paevitueshme. Shfaqja rrezaton me një fuqi  inkurajuese mbi marrëdhëniet ndërkulturore dhe thellon përvojën tonë në kontekstin e diversitetit kulturor dhe identitetit në botën moderne.
Veprën e Ayad Akhtar e kishte lexuar skenikisht përmbajtshëm regjisori Altin Basha me një regjisur spontane. 

 Nukleusini qenies identitar

Dilema e përshfaqjes  të të kundërtës nga që përfaqësinin personazhet ishte e bukura e shfaqjes, ku pastaj zbardhen edhe marrëdhënet  dashurore që tejkalojnë raportet identitare dhe bëhen trekëndësh… për pasoj prishet identiteti i dashurisë dhe vjen dhuna ndaj gruas…
Partirura skenike ku përshfaqet dilima e përkatësisë identitare e Amarit në interpretim të aktorit Adrian Morina ishte nga momentet më dramatike të shfaqjes.
Edhe aktori Endrit Ahmetaj pati poashtu një shpërthim ekspresiv që prekte majat e shqetësimit për pasigurinë identitare që lexohet si dilemë pse jo edhe dyshim se të tjerët janë kundër vetëm se ne jemi musliman. Poashtu në nivel të kërkesave të personazheve ishin edhe Blerta Syla, Aurita Agushi dhe Kushtrim Sheremeti me thyerjet emocionale,  ritmin dhe intonimin shprehës komunikun fuqishëm me publikun e Etno Festit.

   Përveç temës identitare drama prekte edhe disa mikrotema që plotësonin mozaikun e shtjellimit teatror: dashuria, arti dhe tradhëtia.

   Shfaqja nxorri mesazhe shqetësuese që përmblidheshin tek fakti se mungesa e identitetit  ka rrezik të prishë edhe  familjen ku pastaj siç i ndodhë Amir Kaporit as drejtësia dhe arti nuk e gjejnë paqtimin dhe se  dallimet që dalinë si bindje të ngurta identitare nuk  i pajton as dashuria.
Spektatorët e duartrokitën gjatë shfaqjen që provokoj, shqyrtoj dhe dilematizoj raporte të shumfishta njerëzore në kërkim të identitetit. 

Etno nejën e përmbajtësoi me këngë të bukura këngëtarja Vala Mulliqi./ KultPlus.com

Yesterday — 12 July 2025Main stream

Mbahet në Durrës, edicioni i parë i festivalit të artit performativ

By: Kult Plus
12 July 2025 at 21:52

Amfiteatri i Durrësit u shndërrua mbrëmjen e djeshme në një ambient ku qindra artdashës dhe turistë të huaj, u bashkuan në atmosferën artistike të festivalit “Nga errësira në dritë”.

Performanca nga lëvizja artistike “Tamom”, të gërshetuara me dansin bashkëkohor, krijuan një atmosferë magjike në Amfiteatrin e Durrësit për të gjithë qytetarët dhe artdashësit që morën pjesë.

Kryebashkiakja e Durrësit, Emirana Sako tha se kjo “shfaqje, përgatitur nga lëvizja më e re artistike, “Tamom”, në bashkëpunim artistik me Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, shënon edicionin e parë të asaj, që synohet të bëhet një festival tradicional multidisiplinar i artit performativ në Durrës”.

Lëvizjet Tamom dhe dansi bashkëkohor, erdhën si një performancë e kuruar dhe prodhuar nga Klod Dedja.

Kjo nismë shënon edicionin e parë të asaj që synohet të bëhet një festival vjetor multidisiplinar i artit performativ në Durrës një hapësirë ku lëvizja, prezenca dhe bashkëpunimi artistik bashkohen pa kufij.

Shfaqja solli një udhëtim në lëvizje me tri vepra koreografike nga emra të njohur ndërkombëtarë si Russell Maliphant (Britani e Madhe), Mauro Bigonzetti (Itali) dhe Erion Kruja (Shqipëri)./atsh/ KultPlus.com

UNESCO i jep edhe një shans Ohrit

By: Kult Plus
12 July 2025 at 20:58

Ohrit dhe Maqedonisë së Veriut iu dha një vit tjetër për të përmbushur një sërë detyrimesh dhe për të vepruar sipas rekomandimeve të vërejtura në raportet e mëparshme të Misioneve të Monitorimit Reaktiv, për të cilat do të duhet të paraqitet raport në UNESCO deri më 1 shkurt të vitit të ardhshëm.

Nga ana tjetër, dyzet organizata nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe vende të tjera evropiane kanë të shprehur publikisht shqetësimin nga në lidhje me vendimin e Komitetit të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Organizatat akuzojnë Komitetin se ka injoruar përsëri rekomandimet e ekspertëve.

“Komiteti i Trashëgimisë Botërore u informua për transformimin shqetësues të pronës më shumë se dy dekada më parë. Njëzet e dy vjet më vonë dhe pasi tre misione ngritën alarmin se Rajoni i Ohrit është de-facto Trashëgimi Botërore në Rrezik, Komiteti ka vendosur përsëri të injorojë ekspertët dhe të shpërblejë shpërfilljen e Konventës me një shans tjetër. Nuk kemi arsye të besojmë se këtë herë do të jetë ndryshe. Ne besojmë se me këtë vendim Komiteti ka tradhtuar parimet mbi të cilat është themeluar dhe ka minuar në mënyrë aktive vetë thelbin e Konventës së Trashëgimisë Botërore”, thonë nga Organizatat.

Kryetari Komunës së Ohrit Kirill Pecakov thotë se po përpiqet në përmbushjen e kërkesave të UNESCO-s, megjithatë kritikon Shqipërinë për mosbashkëpunim sa i takon statusit dhe përmbushjes së kërkesave.

“Kemi edhe shumë për të punuar, megjithatë ajo që më shqetëson më shumë si kryetar i qytetit të Ohrit, edhe pse Ohri është në sulm ose më aktual kur flitet për statusin e UNESCO-s megjithatë duhet ta kuptojmë se bëhet fjalë për rajonin e Ohrit ku varet nga dy shtete dhe nga më shumë komuna në përparimin e komunave dhe të gjithë atë që e bëjmë si Komuna. Më shqetëson se një nga problemet më të mëdha në teren është mosbashkëpunimi mes Maqedonisë dhe Shqipërisë dhe vërejtjet e shumta në pjesën e Shqipërisë”, tha Kirill Pecakov, kryetar i Komunës së Ohrit.

Komiteti për Trashëgimi Botërore të UNESCO-s në draft–dokumentin e miratuar në kuadër të sesionit të 47-të të këtij viti kërkoi që rajoni i Ohrit të vendoset në listën e pasurive botërore dhe kulturore në rrezik. Po aty, u theksua se vazhdon degradimi i atributeve të cilët e transferuan rajonin e Ohrit si trashëgimi e mbrojtur e UNESCO-s dhe u kërkua përmbushje e vërejtjeve të misionit reaktiv monitorues nga viti i kaluar./rtv21/ KultPlus.com

MIK Festival, mbrëmje kushtuar 90-vjetorit të lindjes së tenorit Gaqo Çako

By: Kult Plus
12 July 2025 at 20:39

Nata e dytë e MIK Festival, në Korçë, solli një mbrëmje të paharrueshme kushtuar Gaqo Çakos, një prej zërave më të mëdhenj që ka njohur muzika shqiptare.

Kreybashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo tha se “në 90-vjetorin e lindjes së Gaqo Çakos, Korça nderoi me dinjitet dhe krenari trashëgiminë e një emri të pavdekshëm të artit lirik”.

Filo u shpreh se nën drejtimin e mjeshtrit Eno Koço, Orkestra Simfonike e Forcave të Armatosura dhe emra të njohur të skenës shqiptare si Tatjana Kora Elmazi, Kastriot Tusha, Gjergji Mani, Xhoiden Dervishi dhe i ftuari special Tchako, sollën emocione të forta për publikun e Teatrit “Andon Zako Çajupi”.

Mbrëmja u moderua me finesë nga sopranoja Inva Mula, duke i dhënë edhe më shumë madhështi këtij homazhi artistik.

Filo u shpreh se “Korça vazhdon të dëshmojë se është dhe do të mbetet një nga qendrat më të rëndësishme të kulturës shqiptare”.

MIK Festival u rikthyer këtë vit në edicionin e tij të 8-të në Korçë.

Bashkimi Evropian mbështeti mbrëmjen e veçantë të MIK Festival, kushtuar artistit të ndjerë./atsh/ KultPlus.com

‘Sa e dua gjithë jetën, se atje gjej të vërtetën’

By: Kult Plus
12 July 2025 at 19:39

Poezi nga Naim Frashëri

JETA

Sa e dua giithë jetën!
Se atje gienj të vërtetën,
Yjtë, hënën, hapësirën,
Te mugëtit, natën, ditën,
Mëngjeze, diellin, dritën,
Mbrëmjen dh’ atë errësirën;
Natën, kur ësht’ e qetuar
Edhe gjësendi s’dëgionet;
Qiellin kur ësht’ i edruar
E hapësira ndritonet,
A kur hapen herë-herë
Ret’ e zeza sten nd’ere;
Vapën, vjeshtën, dimrin, verën,
Retë, shinë dhe lumenjtë,
Gjëmim, mjergull, Përrenjtë,
Deoren,
bresherin’ e erën’
Malet, fushat edhe brigjet,
Grykat e gukat e shtigjet.
Oshetimën, Pyjet,
drurët’
Shkëmbenjtë, gërxhet’ e gurët,
Lulet, barërat qe mbijnë,
E shpestë që fluturojnë
Edhe këngëra këndojnë
E nëpër dega levrijnë.
Dhe njërin’ e bagëtinë
Dhe giithë E’është

jetë
I dua si Perëndinë,
Se ngado që kthenj sytë,
Shoh atje Zotn’ e vërtetë,
Q’është një e s’ka të dytë./ KultPlus.com

Nis ndarja e medaljeve presidenciale për mërgimtarët në ShBA që kontribuuan për liri dhe pavarësi

By: Kult Plus
12 July 2025 at 19:04

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, po e vazhdon qëndrimin e saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

E para e shtetit, ka takuar sot mërgatën shqiptaro-amerikane, të cilëve u ka ndarë medalje presidenciale.

Ndarja e medaljeve u bë për mërgimtarët të cilët kontribuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Gjatë kësaj ceremonie, e cila po vazhdon akoma, u ndanë dekorata si “Urdhri i Pavarësisë” dhe ai “Hasan Prishtina”.

Chanel Feston 110 vjet, spektakël në Grand Palais, yjet përshëndesin shfaqjen ikonike

By: Kult Plus
12 July 2025 at 18:31

Shtëpia e modës Chanel shënoi 110-vjetorin e modës së lartë (haute couture) me një shfaqje madhështore në Javën e Modës në Paris, duke e kthyer atelienë e saj legjendare në një set gjigant brenda Grand Palais së restauruar rishtazi. Ky transformim nga intimiteti në spektakël, me një temë të theksuar natyre, solli së bashku yje të listës A si Kirsten Dunst, Keira Knightley, Penélope Cruz dhe Naomi Campbell.

Vetëm Chanel mund të quante sallonin e saj legjendar Rue Cambon “shumë të vogël” dhe ta rindërtonte atë, në përmasa monumentale, brenda një pallati. Kjo shfaqje tregoi fleksibilitetin dhe forcën e një prej gjigantëve të luksit, duke demonstruar se trashëgimia e Coco Chanel, e cila revolucionarizoi mënyrën si visheshin gratë duke flakur korset dhe duke riimagjinuar luksin si çlirim, shtrihet nga sallonet e vogla të vitit 1915 deri te kolosi i saj modern.

Yjet dhe përshtypjet

Artistë të njohur dhe rrethi i ngushtë VIP i shtëpisë ngjitën shkallët e praruara për të hyrë në atelienë e rindërtuar. Seti, i krijuar nga Willo Perron, ruante stilin klasik të Chanel – intim por monumental, i Botës së Vjetër por futurist. Naomi Campbell shprehu entuziazmin e saj, duke thënë: “Thjesht ndjehesha e veçantë, sikur të hyje në një kujtim dhe diçka krejtësisht të re. Ka ngrohtësi, intimitet, nostalgji. Chanel mund të rikrijojë çdo gjë, dhe kjo funksionon.”

Koleksioni vjeshtë-dimër 2025/26

Sfilata u zhvillua në stilin e fantazisë së natyrës, filtruar përmes prizmit Chanel. Rrobaqepësia e veshjeve për meshkuj i shtonte elegancë xhaketave dhe fustaneve të skalitura, ndërsa kostumet mohair në jeshile të errëta dhe kumbulla kanalizonin heshtjen e vjeshtës. Pëlhura me stofë bouclé imitonte lëkurën e deleve; pendët dhe stofi krijonin lesh artificial iluzionar.

Kallinj gruri të lyer me ar – simboli i bollëkut në shtëpi – ishin kudo: të qepur në pallto, të qëndisur në dekolte, të vendosur në vendin e çdo mysafiri. Megjithëse tema mund të ketë qenë fshatare, puna e fiksuar me dorë ishte mahnitëse: kopsa me gurë të çmuar, lule të qëndisura dhe një finale me lame aq të ndritshme sa imitonte rrezet e diellit në fushat e korrjes. Ekipi i studios, duke mbajtur fortesën pas largimit të papritur të Virginie Viard vitin e kaluar, e ankoroi shfaqjen në kode klasike, por luajti me zgjuarsi dhe lehtësi.

Rëndësia e Haute Couture për biznesin Chanel

Kjo punë e detajuar dhe tradicionale ka rëndësi të madhe jo vetëm për traditën, por edhe për biznesin. Chanel, një gjigant i modës në pronësi private, raportoi 18.7 miliardë dollarë të ardhura për vitin 2024, duke çimentuar statusin e saj si një nga shtëpitë luksoze më të fuqishme në botë. Moda e lartë, ndonëse një kurorë e shtëpisë, nxit shitjet globale të parfumeve, çantave dhe bizhuterive, duke e bërë atë zili të rivalëve.

Epoka e re dhe debutimi i Matthieu Blazy

Ndryshimi është gjithmonë pranë Chanel. Pas më shumë se 30 vitesh udhëheqje nga Karl Lagerfeld dhe një epoke më të butë nën Virginie Viard, industria tani pret me padurim debutimin e stilistit të ri të Chanel, Matthieu Blazy. Ky talent belg, me përvojë te Margiela, Celine dhe Bottega Veneta, ka fituar fansa për përzierjen e tij të inovacionit dhe nderimit për zanatin. Naomi Campbell tha për Blazy-n, të cilin e njeh personalisht: “Ai është i përqendruar, mendjehapur — do të sjellë diçka të veçantë.”

Shfaqja u zhvillua brenda Salon d’Honneur të restauruar rishtazi në Grand Palais, me arin dhe gurët e tij të zbuluar pas një restaurimi shumëvjeçar prej 600 milionë eurosh, të bashkëfinancuar nga Chanel. Kjo jo vetëm që shërben si një vend, por edhe si një reklamë e fuqisë dhe përkushtimit të shtëpisë së modës ndaj trashëgimisë pariziene./rtsh/ KultPlus.com

Lumi Buna rrjedh i lirë pas 50 vitesh, Rama: Përfundon faza e dytë e pastrimit

By: Kult Plus
12 July 2025 at 18:07

Lumi Buna tashmë rrjedh i lirë në shtratin e tij, pas 50 vitesh me përfundimin e fazës së dytë të ndërhyrjes për pastrimin e shtratit pranë zonës së Dajlanit.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga lumi Buna ku ka përfunduar pastrimi në zonën e Dajlanit në Shkodër.

“Lumi Buna pas shumë vitesh rrjedh i lirë në shtratin e vet, pas mbylljes me sukses të fazës së dytë të ndërhyrjes për pastrimin e çlirimin e shumëpritur të zonës së Dajlanit në Shkodër”, shprehet Rama.

Edhe kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci, më herët e cilësoi këtë si një operacion të rëndësishëm ku pas 50 vitesh, lumi Buna rrjedh i lirë në shtratin e vet dhe i hap rrugë një epoke të re për këtë pasuri natyrore.

Ai ka falënderuar të gjitha strukturat që kontribuan që nga momenti i parë në këtë ndërhyrje, dhe veçanërisht ndaj Forcave të Armatosura nën kujdesin e Ministrit të Mbrojtjes, Pirro Vengu.

Sipas kryebashkiakut të Shkodrës, ekipet e punës në terren punuan me profesionalizëm dhe përkushtim të jashtëzakonshëm, të udhëhequr nga nënkolonel Shkumbin Gjana, nënkolonel Egert Kuka dhe të mbështetur nga kolonel Shkëlzen Mhillaj, drejtues i operacionit, të cilët bënë të mundur çmontimin e plotë të strukturës metalike (dajlanit) në lumin Buna.

Beci ka nënvizuar se “ky operacion nuk është vetëm një arritje teknike, por një hap i madh drejt mbrojtjes së mjedisit dhe rikthimit të lirisë natyrore të lumit Buna një aset i çmuar për qytetin dhe gjithë rajonin”.

Sipas bashkisë së Shkodrës, në fazën e parë të ndërhyrjes për pastrimin e shtratit të lumit Buna janë hequr rrjetat dhe pinarët, ndërsa në fazën e dytë pjesët metalike që kanë pasur nevojë për ndërhyrje më të specializuar./atsh/ KultPlus.com

Nis rikonstruksioni i sheshit pranë Kinema ‘Republikës’ në Shkodër

By: Kult Plus
12 July 2025 at 17:30

Ka nisur puna për rikonstruksionin e plotë të sheshit pranë Kinema “Republikës” në Shkodër. Lajmi u bë i ditur nga kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci.

Punonjësit e Ndërmarrjes së Objekteve Shtetërore po punojnë për sistemimin e këtij sheshi, me qëllim që t’i japin një pamje të re godinës së kinemasë, e cila tashmë është rikthyer në funksion për qytetarët e Shkodrës.

Ky projekt synon të përmirësojë infrastrukturën rrethore dhe estetikën e një prej pikave kyçe të qytetit, duke e bërë më tërheqës dhe funksional hapësirën publike pranë këtij objekti kulturor./rtsh/ KultPlus.com

Parku i Drilonit, oaz qetësie dhe bukurie natyrore që të magjeps

By: Kult Plus
12 July 2025 at 16:47

Në skajin juglindor të Shqipërisë, vetëm pak minuta larg qytetit të Pogradecit, ndodhet një nga perlat më të çmuara të turizmit natyror: Parku i Drilonit.

Ky vend i rrallë është kthyer prej vitesh në një nga destinacionet më të preferuara për vizitorët vendas dhe të huaj, falë gjelbërimit të dendur, burimeve të kristalta dhe faunës së pasur ujore.

Sapo hyn në park, ndjen menjëherë qetësinë që mbizotëron. Rrugicat e shtruara me gurë kalojnë nën hijen e plepave shumëvjeçarë, ndërsa zhurma e lehtë e gjetheve që përplasen nga era krijon një atmosferë të veçantë çlodhjeje.

Burimet natyrore të Drilonit, të cilat furnizojnë direkt liqenin e Pogradecit, përshkojnë parkun përmes kanaleve të qeta ku notojnë shpendët dhe mjellmat e bardha.

Turistët ndalen shpesh për të fotografuar këtë bukuri natyrore, ndërsa fëmijët ndjekin me sy zogjtë që lëvizin lirshëm mbi ujë.

Prania e kafeneve tradicionale buzë kanaleve të liqenit e bën përvojën edhe më të këndshme për vizitorët që duan të shijojnë një pije nën freskinë e pemëve dhe zërat e natyrës.

Driloni është një destinacion që çdo vit tërheq mijëra vizitorë që kërkojnë pak qetësi, bukuri dhe frymëzim. Për ata që duan të largohen për pak nga zhurma e qyteteve, Driloni mbetet një zgjedhje ideale për relaks dhe kontakt të drejtpërdrejtë me natyrën e paprekur të Shqipërisë juglindore.

Pranë Drilonit është edhe fshati Tushemisht me “Zonjën nga qyteti”, i cili së bashku me Parkun natyror të Drilonit janë shndërruar në një pol të ri ekoturistik jo vetëm për Pogradecin, por edhe për Korçën.

Driloni apo Voloreka siç e quajnë pogradecarët, vetëm 6 km larg Pogradecit, është një nga mrekullitë natyrore dhe një nga atraksionet më të bukura në vendin tonë, ku investimet e realizuara me ndërtimin e rreth 4 mijë metra rrugica për këmbësorët që kanë zgjeruar sipërfaqen e parkut, kanë nxjerr më në pah potencialin turistik të kësaj zone.

Driloni është një burim karstik që përbëhet nga tri vija uji që rrjedhin për t’u derdhur disa dhjetëra metra më tej, në bregun juglindor të liqenit. Njëri prej tyre, ai më kryesori, krijon një basen të madh ujor, ku mund të shëtitësh, vozitësh me varkë, të shijosh bukuritë e florës dhe faunës së pasur.

Rrugicat e ndërtuara lidhin të gjithë sipërfaqen nga burimet e Drilonit në fshatin Gurras, deri në shëtitoren përgjatë liqenit të Ohrit.

Sipërfaqja ku shtrihet shëtitorja e Tushemishtit dhe Parku i Drilonit është shumëfishuar në 150 hektarë, e gjitha në funksion të turizmit, me 13 ura të reja, shëtitore, korsi biçikletash, 8 mijë pemë të mbjella, 5 km gjatësi e lundrueshme me varkë./atsh/ KultPlus.com

Ai donte vdekjen, ajo veç jetën desh

By: Kult Plus
12 July 2025 at 16:15

William Shakespeare

Ai desh vdekjen dhe premtimet e saj të zbehta,

Në jetën pa shpresë të një djaloshi në përgjërim,

Ai desh të vdiste, të ndahej veç prej hidhërimit,

Të harronte ditët e netët plot dhimbje e trishtim.

Ajo jetën desh ta gëzonte plot zjarr e harrim,

Donte njerëzit dhe vitet që shkonin plot gëzim,

Qe dhurate prej qiellit e qeshur plot gajret,

Lule e pavyshkur në daç në shi a erë me tërbim.

Por një ditë prej ditësh gjithçka ndryshoi rrjedhë,

Dashuria keq i përfshiu dhe nuk ditën a benë mirë,

Se ajo shumë donte jetën e ai vdekjen fort e desh,

Cili nga të dy nga kjo betejë më i fortë do dil ?

Duheshin aq shumë sa çdo gjë do sakrifikonin,

Çdo gjë përreth familje e miq gati të mohonin,

Gjithçka për tu dashur se ajo qe pasuri e tyre,

Por ajo desh jetën te gëzonte e ai vdekjen desh …

Sa të ndryshëm po aq edhe të afërt në gjithçka,

Për dashurinë e çmendur mes tyre merreshin vesh,

Por njeri veç për vdekjen ëndërronte të ikte fluturim,

E tjetra të jetonte me të desh, pa brenga e hidhërim.

Por historia ka një fund : të ndaheshin me shtrëngim,

Ata që kishin premtuar besnikëri gjer në amshim,

E sot në dhimbje e torturë djaloshi jetën po e shkon,

Nga që vajza për të në qiell lart ka shkuar fluturim …

Ai donte vdekjen, ajo jetën veç desh,

Ai për të jetoi, ajo për të dha shpirt …/KultPlus.com

‘Eksperienca është mësuesja e të gjithë gjërave’

By: Kult Plus
12 July 2025 at 15:42

Më 12 korrik të vitit 100 p.e.s ka lindur një nga figurat më të rëndësishme të antikitetit, Jul Cezari, shkruan KultPlus.

Ai ishte gjeneral romak,  i cili ka luajtur një rol të rëndësishëm në transformimin e Republikës Romake, në Perandorinë Romake.

Rrjidhte nga një familje aristokrate që pretendonte se e kishte prejardhjen nga Iulus, bir i princit legjendar trojan, Enea.

Në ditën e tj të lindjes KultPlus ju sjell disa prej thënieve të tij:

1- Erdha, pashë, fitova

(E përkthyer nga gjuha latine “Veni, vidi, vici” është shprehja që i atribuohet perandorit romak Jul Cezari, që e përdori këtë term për t’u mburrur në një farë mënyre me sukseset e tij ushtarake. Sipas legjendave historike, Cezari i tha këto tre fjalë si një mesazh drejtuar Romës për ta njoftuar për suksesin e tij në betejën e Zelas.)

2- Frikacakët vdesin shumë herë, përpara se t’u vijë vdekja e vërtetë

3- Eksperienca është mësuesja e të gjithë gjërave

4- Është më mirë të krijosh, se sa të mësosh. Krijimi është esenca e jetës

5- Nëse duhet të shkelësh ligjin, bëje për të marrë pushtetin; në të gjitha rastet e tjera, zbatoje ligjin

6- Më mirë të jesh i pari në një fshat, se sa i dyti në Romë

7- Si rregull, njerëzit shqetësohen më shumë për atë që nuk munden ta shohin, se sa për atë që munden ta shohin

8- Burrat janë pothuaj gjithmonë të gatshëm të besojnë atë që dëshirojnë

9- E dashuroj emrin me nder, më shumë nga sa kam frikë vdekjen

10- Në luftë, ngjarjet me rëndësi, janë pasojë e shkaqeve të papërfillshëm./KultPlus.com

Poezia e poetit Pablo Neruda që frymëzon prej dekadash gjithë botën

By: Kult Plus
12 July 2025 at 15:00

Me punën e tij të përkthyer në shumë gjuhë të huaja, Pablo Neruda konsiderohet një ndër poetët më të mëdhenj të shekullit të XX. Në vitin 1971 Neruda fitoi çmimin Nobel për letërsi, një çmim ky i kundërshtuar për shkak të aktivitetit të tij politik. Novelisti kolumbian Gabriel Garsia Markez e quajti “Poeti më i madh i shek. XX”.

Kënga Gjithëpërfshirëse e tij (Canto general, 1950), u bë simbol i rreshtimit për letërsinë e popullit kilean.

Ja një nga poezitë më frymëzuese të tij…

Dalëngadalë vdes ai që bëhet skllav i zakonit,
që përsërit të njëjtat gjëra çdo ditë,
që nuk ndryshon rrugë,
që nuk rrezikon,
që nuk ndryshon ngjyrën e veshjeve,
që nuk i flet atij që nuk e njeh.

Dalëngadalë vdes ai që nuk përmbys tryezën,
që është i pakënaqur nga puna,
që nuk rrezikon sigurinë nga pasiguria për të ndjekur një ëndërr,
që nuk i lejon vetes asnjëherë në jetë të thyejë rregullat e vendosura.

Dalëngadalë vdes ai që nuk udhëton,
që nuk lexon,
që nuk dëgjon muzikë,
që nuk zbulon hijeshi te vetja e tij.

Dalëngadalë vdes ai që shpërfill krenarinë e tij,
që nuk i lë të tjerët ta ndihmojnë,
që i kalon ditët duke u qarë për fatin e tij të keq,
që ankohet për shiun që nuk pushon.

Dalëngadalë vdes ai që i shmanget projektit para se të fillojë,
që nuk pyet për gjërat që nuk i di dhe
që nuk përgjigjet për gjërat që di.

E shmangim vdekjen me doza të vogla,
duke kujtuar gjithmonë se të jesh gjallë
kërkon një përpjekje shumë më të madhe
se thjeshtë fakti që marrim frymë.

Vetëm durimi i paepur
do të na bëjë të arrijmë
lumturinë më të madhe. / KultPlus.com

❌
❌