Deputetë të opozitës në Kuvendin e Serbisë, në prag të zgjedhjeve lokale në Kosovë, po punojnë aktivisht për formimin e subjekteve politike në Kosovë – veprim ky që është kritikuar nga pushteti në Beograd, por edhe nga Lista Serbe, që vepron në Kosovë me mbështetjen e autoriteteve serbe.
Bashkimi më i fundit i partisë opozitare serbe Fytyra e re e Serbisë, me nismën qytetare Drejtësia Popullore nga Leposaviqi, është cilësuar nga Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, si “zgjatje e dorës së Albin Kurtit”.
Fytyra e re e Serbisë dhe Drejtësia Popullore kanë paralajmëruar se do të marrin pjesë në zgjedhjet lokale të 12 tetorit në Kosovë nën emrin “Fytyra e Re – Drejtësia Popullore”.
Lideri i Fytyrës së Re të Serbisë, njëherësh deputet në Kuvendin e Serbisë, Millosh Parandilloviq, tha se bashkimi me partinë nga Leposaviqi është “luftë kundër regjimit të [presidentit të Serbisë] Aleksandar Vuçiqit dhe [kryeministrit në detyrë të Kosovës] Albin Kurtit”.
Ai i është përgjigjur akuzave të Listës Serbe duke thënë se ajo, së bashku me Partinë Progresive Serbe dhe presidentin Vuçiq, janë “aleatët më të mëdhenj” të regjimit në Prishtinë dhe se “kanë frikë nga çdokush që u rrezikon pozitën”.
Fytyra e Re e Serbisë mori pjesë në zgjedhjet e fundit parlamentare në Serbi, në fillim të vitit të kaluar, si pjesë e listës “Serbia kundër dhunës”, e cila fitoi 65 nga gjithsej 250 ulëse në Kuvendin e Serbisë.
Më herët, Lëvizja Popullore Serbe dhe Demokracia Serbe të Aleksandar Arsenijeviqit kishin bërë thirrje për bashkim dhe krijimin e një platforme politike me të cilën serbët e Kosovës do t’i kundërviheshin politikave aktuale të qeverive në Prishtinë dhe Beograd.
Ndërkohë, me mbështetjen e deputetit në Parlamentin serb Zharko Ristiq, është themeluar edhe një subjekt i ri politik i serbëve në Kosovë, i quajtur Aleanca e Kosovës. Në Kosovë, këtë iniciativë e udhëheq Goran Marinkoviq nga Dobrotini i Graçanicës.
Megjithatë, Lista Serbe – që gëzon mbështetjen e Qeverisë aktuale të Serbisë – ka deklaruar se Albin Kurti po përpiqet të eliminojë “përfaqësuesit autentikë të serbëve dhe të uzurpojë institucionet e këtij komuniteti”.
Miodrag Marinkoviq, nga Qendra për Veprime Shoqërore Afirmative (CASA), në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, vlerësoi se sulmet nga Beogradi ndaj aktorëve të rinj politikë në komunitetin serb në Kosovë tregojnë vetëm një gjë: që këta aktorë nuk janë nën kontrollin e Beogradit. m.p.