Kulinaria konsiderohet si një pjesë e pandashme e turizmit dhe me shumë potencial në zhvillimin e këtij sektori që jep një kontribut të madh në ekonominë e vendit.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në bashkëpunim me Agjencinë Gjermane për Bashkëpunimin Ekonomik, po punojnë për hartimin e një liste me produkte tradicionale shqiptare, të cilat kanë potencialin për t’u regjistruar si skema cilësie, që do të shtojnë vlerë në zhvillimin e turizmit.
Sipas ekspertëve të fushës, turizmi dhe zhvillimi i tij, falë dhe politikave për diversifikimin e ofertave turistike, ka rritur interesin e turistëve të huaj, të zgjedhin vendin tonë për të pushuar.
Konkretisht ekspertët po punojnë në regjistrimin si skema cilësie të recetave të vjetra, ku bëjnë pjesë shumë produkte vendase.
Sipas tyre, në gjysmën e territorit janë screenuar dhe ka mbi 50 produkte që sot kanë potencialin për tu regjistruar si skema cilësie siç i ka Italia.
Ata vlerësojnë se vendi ynë ka qindra produkte që meritojnë të regjistrohen.
MBZHR vitet e fundit po mbështet ngritjen e agroturizmeve si shembujt që po kthehen në trend tashmë nga shumë fermerë dhe banorë të zonave rurale, që investimet në prodhime tipike të zonës dhe i kanë kthyer fermat apo shtëpitë e tyre, në oaze të mikpritjes turistike. /atsh/ KultPlus.com
“Mirësia e vazhdueshme mund të arrijë shumë. Ashtu si dielli e shkrin akullin, mirësia bën që keqkuptimi, mosbesimi dhe armiqësia të avullojnë”.
Albert Shvajcer
2. “Ka prova të pakundërshtueshme se sa më i lartë niveli i vetëvlerësimit, aq më shumë gjasa ka që njeriu të trajtojë të tjerët me respekt, mirësi dhe bujari”.
Nethënill Brendën
3. “Transparenca, ndershmëria, kujdestaria e mirë, madje edhe humori, funksionojnë në biznes, në të gjithë kohët”.
Xhon Gerzema
4. “Mbani mend, nuk ka një gjë të tillë, si një akt i vogël mirësie. Secili akt mirësie shkakton një dallgë, e cila nuk ka një fund logjik”.
Skot Adams
6. “Ai që të ka bërë një akt mirësie, do të jetë më i gatshëm të të bëjë një tjetër, se sa ai që e keni detyruar”.
Benjamin Frenklin
7. “Dashuria dhe mirësia nuk shkojnë kurrë dëm. Ato gjithmonë bëjnë diferencën. Bekojnë atë që i merr dhe bekojnë edhe ty, që i jep”.
Barbara de Anxhelis
8. “Mirësia është gjuha që të shurdhërit mund ta dëgjojnë dhe të verbërit mund ta shohin”.
Mark Tuein
9. “Mirësia është më e rëndësishme se sa mençuria, dhe pranimi i kësaj është fillimi i mençurisë”.
Teodor Isak Rubin
10. “Mirësia njerëzore nuk ka dobësuar asnjëherë forcën apo zbutur strukturën e një populli të lirë. Një komb nuk ka pse të jetë mizor, për të qenë i fortë”.
Frenklin Delano Ruzëvelt
11. “Tre gjëra në jetën e njeriut janë të rëndësishme. E para është të jesh i mirë. E dyta të jesh i mirë. Dhe e treta është të jesh i mirë”.
Henri Xhejms
12. “Një buzëqeshje e ngrohtë është gjuha universale e mirësisë”.
Uilliam Artur Uard
13. “Gjithmonë jini pak më të mirë se sa është e nevojshme”.
Xhejms Berri
14. “Ai që di si të tregojë dhe pranojë mirësinë, do të jetë një mik më i mirë se çdo zotërim”.
Sofokliu
15. “Ruaje mirë brenda vetes atë thesar, mirësinë. Mëso si ta japësh pa hezitim, si të humbasësh pa pendesë, si të fitosh pa qenë i keq”.
Nata e dytë e Etno Fest-it nisi me instalacionin e Malda Susurit “Të kam në mendje” përcjellur me fjalë që duhet mbajtur në mendeje: të kam, dashni, sy, bardhësi, ajër, harmoni, bimë, hije, botë, za, zog, hare, motiv, inspirim, univers… Mbi platformën e instalacionit plotë ndjesi u zhvillua debat në temën “Ndikimi i traditës në shendetin mendor” në debat morën pjesë Fadil Hysaj i cilli konstatoi se “Bërthama identitare e ruanë qenien “Vjosa Sadriu Hamiti foli për rëndësinë e gjuhës dhe Kanunit në ruajtjen e bërthamës identitare, ndërsa Klara Shehu Profesoreshë e antikës në Unversitetin e Sorbonës në Francë trajtoi aspekte psikologjike të ndikimit të riteve dhe dhe zakoneve në shëndetin tonë mendor duke e vë në spikamë dallimin midis traditës dhe zakoneve.
Aktorja Sheqerie Buqaj me një monolog ilustroi shpërthimin e dhimbjes së ndrydhur. Sali Zogiani tregoi disa anekdota^ në temen e ngushëllimeve në rastet e mortit.
Tema e identitetit në shfaqjen “Të turpëruarit” e Altin Bashës
Artistë nga Kosova dhe Shqipëria ishin bërë bashkë në shfaqjen teatrore “Të turpëruarit”. Një avokati amerikan me origjinë pakistaneze, dhe gruan e tij, Emily, piktore e talentuar në një darke me miqë prekin temën e identitetit ndërthurur me religjionin dhe politikën që rrënojnë raportet dhe rrjedhimisht edhe identitetet.
Në njëfarë mënyre të ata turpërohen në vete dhe kjo ndjesi shkakton dramë që eksploron identitetin, kulturën dhe konfliktet në një shoqëri të diversifikuar. Mesazhi kryesor i shfaqjes është reflektimi mbi identitetin, kulturën dhe konfliktet ndërkulturore në shoqërinë e sotme amerikane referenncialisht edhe në shoqëritë tjera. Personazhet i interoretuan Adrian Morina, Blerta Syla Surroi, Aurita Agushi, Kushtrim Sheremeti dhe Endrit Ahmetaj. Kostumet dhe skenografia e Iliriana Bashës.
Tema e shfaqjes prek raporte ndërnjerëzore
Përmes historisë së personazheve si Amir Kapoor dhe gruas së tij Emily, shpalosen sfidat dhe dilemat e një shoqërie ku ndihen ndikimet e trashëgimisë kulturore ptanimi – mospranimi në procesin ndryshimeve të shoqërisë moderne ku interferimet në identitet janë të paevitueshme. Shfaqja rrezaton me një fuqi inkurajuese mbi marrëdhëniet ndërkulturore dhe thellon përvojën tonë në kontekstin e diversitetit kulturor dhe identitetit në botën moderne. Veprën e Ayad Akhtar e kishte lexuar skenikisht përmbajtshëm regjisori Altin Basha me një regjisur spontane.
Nukleusini qenies identitar
Dilema e përshfaqjes të të kundërtës nga që përfaqësinin personazhet ishte e bukura e shfaqjes, ku pastaj zbardhen edhe marrëdhënet dashurore që tejkalojnë raportet identitare dhe bëhen trekëndësh… për pasoj prishet identiteti i dashurisë dhe vjen dhuna ndaj gruas… Partirura skenike ku përshfaqet dilima e përkatësisë identitare e Amarit në interpretim të aktorit Adrian Morina ishte nga momentet më dramatike të shfaqjes. Edhe aktori Endrit Ahmetaj pati poashtu një shpërthim ekspresiv që prekte majat e shqetësimit për pasigurinë identitare që lexohet si dilemë pse jo edhe dyshim se të tjerët janë kundër vetëm se ne jemi musliman. Poashtu në nivel të kërkesave të personazheve ishin edhe Blerta Syla, Aurita Agushi dhe Kushtrim Sheremeti me thyerjet emocionale, ritmin dhe intonimin shprehës komunikun fuqishëm me publikun e Etno Festit.
Përveç temës identitare drama prekte edhe disa mikrotema që plotësonin mozaikun e shtjellimit teatror: dashuria, arti dhe tradhëtia.
Shfaqja nxorri mesazhe shqetësuese që përmblidheshin tek fakti se mungesa e identitetit ka rrezik të prishë edhe familjen ku pastaj siç i ndodhë Amir Kaporit as drejtësia dhe arti nuk e gjejnë paqtimin dhe se dallimet që dalinë si bindje të ngurta identitare nuk i pajton as dashuria. Spektatorët e duartrokitën gjatë shfaqjen që provokoj, shqyrtoj dhe dilematizoj raporte të shumfishta njerëzore në kërkim të identitetit.
Etno nejën e përmbajtësoi me këngë të bukura këngëtarja Vala Mulliqi./ KultPlus.com
Amfiteatri i Durrësit u shndërrua mbrëmjen e djeshme në një ambient ku qindra artdashës dhe turistë të huaj, u bashkuan në atmosferën artistike të festivalit “Nga errësira në dritë”.
Performanca nga lëvizja artistike “Tamom”, të gërshetuara me dansin bashkëkohor, krijuan një atmosferë magjike në Amfiteatrin e Durrësit për të gjithë qytetarët dhe artdashësit që morën pjesë.
Kryebashkiakja e Durrësit, Emirana Sako tha se kjo “shfaqje, përgatitur nga lëvizja më e re artistike, “Tamom”, në bashkëpunim artistik me Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, shënon edicionin e parë të asaj, që synohet të bëhet një festival tradicional multidisiplinar i artit performativ në Durrës”.
Lëvizjet Tamom dhe dansi bashkëkohor, erdhën si një performancë e kuruar dhe prodhuar nga Klod Dedja.
Kjo nismë shënon edicionin e parë të asaj që synohet të bëhet një festival vjetor multidisiplinar i artit performativ në Durrës një hapësirë ku lëvizja, prezenca dhe bashkëpunimi artistik bashkohen pa kufij.
Shfaqja solli një udhëtim në lëvizje me tri vepra koreografike nga emra të njohur ndërkombëtarë si Russell Maliphant (Britani e Madhe), Mauro Bigonzetti (Itali) dhe Erion Kruja (Shqipëri)./atsh/ KultPlus.com
Ohrit dhe Maqedonisë së Veriut iu dha një vit tjetër për të përmbushur një sërë detyrimesh dhe për të vepruar sipas rekomandimeve të vërejtura në raportet e mëparshme të Misioneve të Monitorimit Reaktiv, për të cilat do të duhet të paraqitet raport në UNESCO deri më 1 shkurt të vitit të ardhshëm.
Nga ana tjetër, dyzet organizata nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe vende të tjera evropiane kanë të shprehur publikisht shqetësimin nga në lidhje me vendimin e Komitetit të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Organizatat akuzojnë Komitetin se ka injoruar përsëri rekomandimet e ekspertëve.
“Komiteti i Trashëgimisë Botërore u informua për transformimin shqetësues të pronës më shumë se dy dekada më parë. Njëzet e dy vjet më vonë dhe pasi tre misione ngritën alarmin se Rajoni i Ohrit është de-facto Trashëgimi Botërore në Rrezik, Komiteti ka vendosur përsëri të injorojë ekspertët dhe të shpërblejë shpërfilljen e Konventës me një shans tjetër. Nuk kemi arsye të besojmë se këtë herë do të jetë ndryshe. Ne besojmë se me këtë vendim Komiteti ka tradhtuar parimet mbi të cilat është themeluar dhe ka minuar në mënyrë aktive vetë thelbin e Konventës së Trashëgimisë Botërore”, thonë nga Organizatat.
Kryetari Komunës së Ohrit Kirill Pecakov thotë se po përpiqet në përmbushjen e kërkesave të UNESCO-s, megjithatë kritikon Shqipërinë për mosbashkëpunim sa i takon statusit dhe përmbushjes së kërkesave.
“Kemi edhe shumë për të punuar, megjithatë ajo që më shqetëson më shumë si kryetar i qytetit të Ohrit, edhe pse Ohri është në sulm ose më aktual kur flitet për statusin e UNESCO-s megjithatë duhet ta kuptojmë se bëhet fjalë për rajonin e Ohrit ku varet nga dy shtete dhe nga më shumë komuna në përparimin e komunave dhe të gjithë atë që e bëjmë si Komuna. Më shqetëson se një nga problemet më të mëdha në teren është mosbashkëpunimi mes Maqedonisë dhe Shqipërisë dhe vërejtjet e shumta në pjesën e Shqipërisë”, tha Kirill Pecakov, kryetar i Komunës së Ohrit.
Komiteti për Trashëgimi Botërore të UNESCO-s në draft–dokumentin e miratuar në kuadër të sesionit të 47-të të këtij viti kërkoi që rajoni i Ohrit të vendoset në listën e pasurive botërore dhe kulturore në rrezik. Po aty, u theksua se vazhdon degradimi i atributeve të cilët e transferuan rajonin e Ohrit si trashëgimi e mbrojtur e UNESCO-s dhe u kërkua përmbushje e vërejtjeve të misionit reaktiv monitorues nga viti i kaluar./rtv21/ KultPlus.com
Nata e dytë e MIK Festival, në Korçë, solli një mbrëmje të paharrueshme kushtuar Gaqo Çakos, një prej zërave më të mëdhenj që ka njohur muzika shqiptare.
Kreybashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo tha se “në 90-vjetorin e lindjes së Gaqo Çakos, Korça nderoi me dinjitet dhe krenari trashëgiminë e një emri të pavdekshëm të artit lirik”.
Filo u shpreh se nën drejtimin e mjeshtrit Eno Koço, Orkestra Simfonike e Forcave të Armatosura dhe emra të njohur të skenës shqiptare si Tatjana Kora Elmazi, Kastriot Tusha, Gjergji Mani, Xhoiden Dervishi dhe i ftuari special Tchako, sollën emocione të forta për publikun e Teatrit “Andon Zako Çajupi”.
Mbrëmja u moderua me finesë nga sopranoja Inva Mula, duke i dhënë edhe më shumë madhështi këtij homazhi artistik.
Filo u shpreh se “Korça vazhdon të dëshmojë se është dhe do të mbetet një nga qendrat më të rëndësishme të kulturës shqiptare”.
MIK Festival u rikthyer këtë vit në edicionin e tij të 8-të në Korçë.
Bashkimi Evropian mbështeti mbrëmjen e veçantë të MIK Festival, kushtuar artistit të ndjerë./atsh/ KultPlus.com
Sa e dua giithë jetën! Se atje gienj të vërtetën, Yjtë, hënën, hapësirën, Te mugëtit, natën, ditën, Mëngjeze, diellin, dritën, Mbrëmjen dh’ atë errësirën; Natën, kur ësht’ e qetuar Edhe gjësendi s’dëgionet; Qiellin kur ësht’ i edruar E hapësira ndritonet, A kur hapen herë-herë Ret’ e zeza sten nd’ere; Vapën, vjeshtën, dimrin, verën, Retë, shinë dhe lumenjtë, Gjëmim, mjergull, Përrenjtë, Deoren, bresherin’ e erën’ Malet, fushat edhe brigjet, Grykat e gukat e shtigjet. Oshetimën, Pyjet, drurët’ Shkëmbenjtë, gërxhet’ e gurët, Lulet, barërat qe mbijnë, E shpestë që fluturojnë Edhe këngëra këndojnë E nëpër dega levrijnë. Dhe njërin’ e bagëtinë Dhe giithë E’është në jetë I dua si Perëndinë, Se ngado që kthenj sytë, Shoh atje Zotn’ e vërtetë, Q’është një e s’ka të dytë./ KultPlus.com
Shtëpia e modës Chanel shënoi 110-vjetorin e modës së lartë (haute couture) me një shfaqje madhështore në Javën e Modës në Paris, duke e kthyer atelienë e saj legjendare në një set gjigant brenda Grand Palais së restauruar rishtazi. Ky transformim nga intimiteti në spektakël, me një temë të theksuar natyre, solli së bashku yje të listës A si Kirsten Dunst, Keira Knightley, Penélope Cruz dhe Naomi Campbell.
Vetëm Chanel mund të quante sallonin e saj legjendar Rue Cambon “shumë të vogël” dhe ta rindërtonte atë, në përmasa monumentale, brenda një pallati. Kjo shfaqje tregoi fleksibilitetin dhe forcën e një prej gjigantëve të luksit, duke demonstruar se trashëgimia e Coco Chanel, e cila revolucionarizoi mënyrën si visheshin gratë duke flakur korset dhe duke riimagjinuar luksin si çlirim, shtrihet nga sallonet e vogla të vitit 1915 deri te kolosi i saj modern.
Yjet dhe përshtypjet
Artistë të njohur dhe rrethi i ngushtë VIP i shtëpisë ngjitën shkallët e praruara për të hyrë në atelienë e rindërtuar. Seti, i krijuar nga Willo Perron, ruante stilin klasik të Chanel – intim por monumental, i Botës së Vjetër por futurist. Naomi Campbell shprehu entuziazmin e saj, duke thënë: “Thjesht ndjehesha e veçantë, sikur të hyje në një kujtim dhe diçka krejtësisht të re. Ka ngrohtësi, intimitet, nostalgji. Chanel mund të rikrijojë çdo gjë, dhe kjo funksionon.”
Koleksioni vjeshtë-dimër 2025/26
Sfilata u zhvillua në stilin e fantazisë së natyrës, filtruar përmes prizmit Chanel. Rrobaqepësia e veshjeve për meshkuj i shtonte elegancë xhaketave dhe fustaneve të skalitura, ndërsa kostumet mohair në jeshile të errëta dhe kumbulla kanalizonin heshtjen e vjeshtës. Pëlhura me stofë bouclé imitonte lëkurën e deleve; pendët dhe stofi krijonin lesh artificial iluzionar.
Kallinj gruri të lyer me ar – simboli i bollëkut në shtëpi – ishin kudo: të qepur në pallto, të qëndisur në dekolte, të vendosur në vendin e çdo mysafiri. Megjithëse tema mund të ketë qenë fshatare, puna e fiksuar me dorë ishte mahnitëse: kopsa me gurë të çmuar, lule të qëndisura dhe një finale me lame aq të ndritshme sa imitonte rrezet e diellit në fushat e korrjes. Ekipi i studios, duke mbajtur fortesën pas largimit të papritur të Virginie Viard vitin e kaluar, e ankoroi shfaqjen në kode klasike, por luajti me zgjuarsi dhe lehtësi.
Rëndësia e Haute Couture për biznesin Chanel
Kjo punë e detajuar dhe tradicionale ka rëndësi të madhe jo vetëm për traditën, por edhe për biznesin. Chanel, një gjigant i modës në pronësi private, raportoi 18.7 miliardë dollarë të ardhura për vitin 2024, duke çimentuar statusin e saj si një nga shtëpitë luksoze më të fuqishme në botë. Moda e lartë, ndonëse një kurorë e shtëpisë, nxit shitjet globale të parfumeve, çantave dhe bizhuterive, duke e bërë atë zili të rivalëve.
Epoka e re dhe debutimi i Matthieu Blazy
Ndryshimi është gjithmonë pranë Chanel. Pas më shumë se 30 vitesh udhëheqje nga Karl Lagerfeld dhe një epoke më të butë nën Virginie Viard, industria tani pret me padurim debutimin e stilistit të ri të Chanel, Matthieu Blazy. Ky talent belg, me përvojë te Margiela, Celine dhe Bottega Veneta, ka fituar fansa për përzierjen e tij të inovacionit dhe nderimit për zanatin. Naomi Campbell tha për Blazy-n, të cilin e njeh personalisht: “Ai është i përqendruar, mendjehapur — do të sjellë diçka të veçantë.”
Shfaqja u zhvillua brenda Salon d’Honneur të restauruar rishtazi në Grand Palais, me arin dhe gurët e tij të zbuluar pas një restaurimi shumëvjeçar prej 600 milionë eurosh, të bashkëfinancuar nga Chanel. Kjo jo vetëm që shërben si një vend, por edhe si një reklamë e fuqisë dhe përkushtimit të shtëpisë së modës ndaj trashëgimisë pariziene./rtsh/ KultPlus.com
Lumi Buna tashmë rrjedh i lirë në shtratin e tij, pas 50 vitesh me përfundimin e fazës së dytë të ndërhyrjes për pastrimin e shtratit pranë zonës së Dajlanit.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga lumi Buna ku ka përfunduar pastrimi në zonën e Dajlanit në Shkodër.
“Lumi Buna pas shumë vitesh rrjedh i lirë në shtratin e vet, pas mbylljes me sukses të fazës së dytë të ndërhyrjes për pastrimin e çlirimin e shumëpritur të zonës së Dajlanit në Shkodër”, shprehet Rama.
Edhe kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci, më herët e cilësoi këtë si një operacion të rëndësishëm ku pas 50 vitesh, lumi Buna rrjedh i lirë në shtratin e vet dhe i hap rrugë një epoke të re për këtë pasuri natyrore.
Ai ka falënderuar të gjitha strukturat që kontribuan që nga momenti i parë në këtë ndërhyrje, dhe veçanërisht ndaj Forcave të Armatosura nën kujdesin e Ministrit të Mbrojtjes, Pirro Vengu.
Sipas kryebashkiakut të Shkodrës, ekipet e punës në terren punuan me profesionalizëm dhe përkushtim të jashtëzakonshëm, të udhëhequr nga nënkolonel Shkumbin Gjana, nënkolonel Egert Kuka dhe të mbështetur nga kolonel Shkëlzen Mhillaj, drejtues i operacionit, të cilët bënë të mundur çmontimin e plotë të strukturës metalike (dajlanit) në lumin Buna.
Beci ka nënvizuar se “ky operacion nuk është vetëm një arritje teknike, por një hap i madh drejt mbrojtjes së mjedisit dhe rikthimit të lirisë natyrore të lumit Buna një aset i çmuar për qytetin dhe gjithë rajonin”.
Sipas bashkisë së Shkodrës, në fazën e parë të ndërhyrjes për pastrimin e shtratit të lumit Buna janë hequr rrjetat dhe pinarët, ndërsa në fazën e dytë pjesët metalike që kanë pasur nevojë për ndërhyrje më të specializuar./atsh/ KultPlus.com
Ka nisur puna për rikonstruksionin e plotë të sheshit pranë Kinema “Republikës” në Shkodër. Lajmi u bë i ditur nga kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci.
Punonjësit e Ndërmarrjes së Objekteve Shtetërore po punojnë për sistemimin e këtij sheshi, me qëllim që t’i japin një pamje të re godinës së kinemasë, e cila tashmë është rikthyer në funksion për qytetarët e Shkodrës.
Ky projekt synon të përmirësojë infrastrukturën rrethore dhe estetikën e një prej pikave kyçe të qytetit, duke e bërë më tërheqës dhe funksional hapësirën publike pranë këtij objekti kulturor./rtsh/ KultPlus.com
Në skajin juglindor të Shqipërisë, vetëm pak minuta larg qytetit të Pogradecit, ndodhet një nga perlat më të çmuara të turizmit natyror: Parku i Drilonit.
Ky vend i rrallë është kthyer prej vitesh në një nga destinacionet më të preferuara për vizitorët vendas dhe të huaj, falë gjelbërimit të dendur, burimeve të kristalta dhe faunës së pasur ujore.
Sapo hyn në park, ndjen menjëherë qetësinë që mbizotëron. Rrugicat e shtruara me gurë kalojnë nën hijen e plepave shumëvjeçarë, ndërsa zhurma e lehtë e gjetheve që përplasen nga era krijon një atmosferë të veçantë çlodhjeje.
Burimet natyrore të Drilonit, të cilat furnizojnë direkt liqenin e Pogradecit, përshkojnë parkun përmes kanaleve të qeta ku notojnë shpendët dhe mjellmat e bardha.
Turistët ndalen shpesh për të fotografuar këtë bukuri natyrore, ndërsa fëmijët ndjekin me sy zogjtë që lëvizin lirshëm mbi ujë.
Prania e kafeneve tradicionale buzë kanaleve të liqenit e bën përvojën edhe më të këndshme për vizitorët që duan të shijojnë një pije nën freskinë e pemëve dhe zërat e natyrës.
Driloni është një destinacion që çdo vit tërheq mijëra vizitorë që kërkojnë pak qetësi, bukuri dhe frymëzim. Për ata që duan të largohen për pak nga zhurma e qyteteve, Driloni mbetet një zgjedhje ideale për relaks dhe kontakt të drejtpërdrejtë me natyrën e paprekur të Shqipërisë juglindore.
Pranë Drilonit është edhe fshati Tushemisht me “Zonjën nga qyteti”, i cili së bashku me Parkun natyror të Drilonit janë shndërruar në një pol të ri ekoturistik jo vetëm për Pogradecin, por edhe për Korçën.
Driloni apo Voloreka siç e quajnë pogradecarët, vetëm 6 km larg Pogradecit, është një nga mrekullitë natyrore dhe një nga atraksionet më të bukura në vendin tonë, ku investimet e realizuara me ndërtimin e rreth 4 mijë metra rrugica për këmbësorët që kanë zgjeruar sipërfaqen e parkut, kanë nxjerr më në pah potencialin turistik të kësaj zone.
Driloni është një burim karstik që përbëhet nga tri vija uji që rrjedhin për t’u derdhur disa dhjetëra metra më tej, në bregun juglindor të liqenit. Njëri prej tyre, ai më kryesori, krijon një basen të madh ujor, ku mund të shëtitësh, vozitësh me varkë, të shijosh bukuritë e florës dhe faunës së pasur.
Rrugicat e ndërtuara lidhin të gjithë sipërfaqen nga burimet e Drilonit në fshatin Gurras, deri në shëtitoren përgjatë liqenit të Ohrit.
Sipërfaqja ku shtrihet shëtitorja e Tushemishtit dhe Parku i Drilonit është shumëfishuar në 150 hektarë, e gjitha në funksion të turizmit, me 13 ura të reja, shëtitore, korsi biçikletash, 8 mijë pemë të mbjella, 5 km gjatësi e lundrueshme me varkë./atsh/ KultPlus.com
Më 12 korrik të vitit 100 p.e.s ka lindur një nga figurat më të rëndësishme të antikitetit, Jul Cezari, shkruan KultPlus.
Ai ishte gjeneral romak, i cili ka luajtur një rol të rëndësishëm në transformimin e Republikës Romake, në Perandorinë Romake.
Rrjidhte nga një familje aristokrate që pretendonte se e kishte prejardhjen nga Iulus, bir i princit legjendar trojan, Enea.
Në ditën e tj të lindjes KultPlus ju sjell disa prej thënieve të tij:
1- Erdha, pashë, fitova
(E përkthyer nga gjuha latine “Veni, vidi, vici” është shprehja që i atribuohet perandorit romak Jul Cezari, që e përdori këtë term për t’u mburrur në një farë mënyre me sukseset e tij ushtarake. Sipas legjendave historike, Cezari i tha këto tre fjalë si një mesazh drejtuar Romës për ta njoftuar për suksesin e tij në betejën e Zelas.)
2- Frikacakët vdesin shumë herë, përpara se t’u vijë vdekja e vërtetë
3- Eksperienca është mësuesja e të gjithë gjërave
4- Është më mirë të krijosh, se sa të mësosh. Krijimi është esenca e jetës
5- Nëse duhet të shkelësh ligjin, bëje për të marrë pushtetin; në të gjitha rastet e tjera, zbatoje ligjin
6- Më mirë të jesh i pari në një fshat, se sa i dyti në Romë
7- Si rregull, njerëzit shqetësohen më shumë për atë që nuk munden ta shohin, se sa për atë që munden ta shohin
8- Burrat janë pothuaj gjithmonë të gatshëm të besojnë atë që dëshirojnë
9- E dashuroj emrin me nder, më shumë nga sa kam frikë vdekjen
10- Në luftë, ngjarjet me rëndësi, janë pasojë e shkaqeve të papërfillshëm./KultPlus.com
Me punën e tij të përkthyer në shumë gjuhë të huaja, Pablo Neruda konsiderohet një ndër poetët më të mëdhenj të shekullit të XX. Në vitin 1971 Neruda fitoi çmimin Nobel për letërsi, një çmim ky i kundërshtuar për shkak të aktivitetit të tij politik. Novelisti kolumbian Gabriel Garsia Markez e quajti “Poeti më i madh i shek. XX”.
Kënga Gjithëpërfshirëse e tij (Canto general, 1950), u bë simbol i rreshtimit për letërsinë e popullit kilean.
Ja një nga poezitë më frymëzuese të tij…
Dalëngadalë vdes ai që bëhet skllav i zakonit, që përsërit të njëjtat gjëra çdo ditë, që nuk ndryshon rrugë, që nuk rrezikon, që nuk ndryshon ngjyrën e veshjeve, që nuk i flet atij që nuk e njeh.
Dalëngadalë vdes ai që nuk përmbys tryezën, që është i pakënaqur nga puna, që nuk rrezikon sigurinë nga pasiguria për të ndjekur një ëndërr, që nuk i lejon vetes asnjëherë në jetë të thyejë rregullat e vendosura.
Dalëngadalë vdes ai që nuk udhëton, që nuk lexon, që nuk dëgjon muzikë, që nuk zbulon hijeshi te vetja e tij.
Dalëngadalë vdes ai që shpërfill krenarinë e tij, që nuk i lë të tjerët ta ndihmojnë, që i kalon ditët duke u qarë për fatin e tij të keq, që ankohet për shiun që nuk pushon.
Dalëngadalë vdes ai që i shmanget projektit para se të fillojë, që nuk pyet për gjërat që nuk i di dhe që nuk përgjigjet për gjërat që di.
E shmangim vdekjen me doza të vogla, duke kujtuar gjithmonë se të jesh gjallë kërkon një përpjekje shumë më të madhe se thjeshtë fakti që marrim frymë.
Vetëm durimi i paepur do të na bëjë të arrijmë lumturinë më të madhe. / KultPlus.com
Para dy vitesh, në moshën 94 vjeçare ka vdekur shkrimtari çek, Milan Kundera, një nga romancierët më me ndikim të shekullit të kaluar, shkruan KultPlus.
Kundera ishte i njohur për tregimet e tij të mprehta, tragjikomike, të cilat shpesh ndërthureshin me debate të thella filozofike dhe portretizime satirike të jetës nën shtypjen komuniste.
Ai ka lindur në prill 1929 në Brno, Çekosllovaki,dhe ishte ishte pjesë e një brezi me ndikim të shkrimtarëve, kineastëve dhe intelektualëve çekë, të cilët u rritën gjatë viteve të trazuara të pas Luftës së Dytë Botërore.
KultPlus ju sjell disa pre shprehjeve dhe fragmenteve të tij:
“Dy njerëz të dashuruar, vetëm, të izoluar nga bota, kjo është e bukur.”
“Nuk mund ta matni dashurinë e ndërsjellë të dy qenieve njerëzore me numrin e fjalëve që shkëmbejnë.”
“Kushdo qëllimi i të cilit është ‘diçka më e lartë’ duhet të presë që një ditë të vuajë vertigo. Çfarë është vertigo? Frika nga rrëzimi? Jo, Vertigo është diçka tjetër përveç frikës nga rrëzimi. Është zëri i zbrazëtisë poshtë nesh që na tundon dhe na josh, është dëshira për të rënë, kundër së cilës, të tmerruar, mbrohemi.”
“Kur zemra flet, mendja e sheh të pahijshme të kundërshtojë.”
“Qentë janë lidhja jonë me parajsën. Ata nuk e njohin të keqen, xhelozinë apo pakënaqësinë. Të ulesh me një qen në një kodër në një pasdite të lavdishme do të thotë të kthehesh në Eden, ku të mos bësh asgjë nuk ishte e mërzitshme – ishte paqe.
“Sepse nuk ka asgjë më të rëndë se dhembshuria. As dhimbja e dikujt nuk peshon aq e rëndë sa dhimbja që ndjen me dikë, për dikë, një dhimbje e intensifikuar nga imagjinata dhe e zgjatur me njëqind jehona.”
“Të bësh dashuri me një grua dhe të flesh me një grua janë dy pasione të veçanta, jo thjesht të ndryshme, por të kundërta. Dashuria nuk ndihet në dëshirën për bashkim (një dëshirë që shtrihet në një numër të pafund grash), por në dëshirën për gjumë të përbashkët (një dëshirë e kufizuar në një grua).
“Dashuria është malli për gjysmën e vetes që kemi humbur.”
“Kur të fortët ishin shumë të dobët për të lënduar të dobëtit, të dobëtit duhej të ishin aq të fortë sa të largoheshin.”
“Fjala greke për “kthim” është nostos. Algos do të thotë “vuajtje”. Pra, nostalgjia është vuajtja e shkaktuar nga një dëshirë e pashuar për t’u kthyer.”
“Na dërrmon barra më e rëndë, zhytemi poshtë saj, na ngul përdhe. Por në poezinë e dashurisë të çdo moshe, gruaja dëshiron të rëndohet nga trupi i burrit. Prandaj, barra më e rëndë është njëkohësisht një imazh i përmbushjes më intensive të jetës. Sa më e rëndë të jetë barra, sa më shumë t’i afrohen jetët tona tokës, aq më të vërteta dhe të vërteta bëhen ato. Anasjelltas, mungesa absolute e barrës bën që njeriu të jetë më i lehtë se ajri, të fluturojë lart në lartësi, të largohet nga toka dhe qenia e tij tokësore dhe të bëhet vetëm gjysmë reale, lëvizjet e tij sa të lira aq edhe të parëndësishme. Çfarë do të zgjedhim atëherë? Peshë apo lehtësi?”
“Në perëndimin e diellit të shpërbërjes, gjithçka ndriçohet nga atmosfera e nostalgjisë, madje edhe gijotina.”
“Një person që dëshiron të largohet nga vendi ku jeton është një person i pakënaqur.”
“Ai papritur kujtoi nga Simpoziumi i Platonit: Njerëzit ishin hermafroditë derisa Zoti u nda në dysh, dhe tani të gjitha gjysmat enden nëpër botë duke kërkuar njëri-tjetrin. Dashuria është malli për gjysmën e vetes që kemi humbur.”
“Ajo kishte një dëshirë të madhe për t’i thënë atij, si femrat më banale. Mos më lër të shkoj, më mbaj fort, më bëj lodrën tënde, robin tënd, bëhu i fortë! Por ato ishin fjalë që ajo nuk mund t’i thoshte.
E vetmja gjë që ajo tha kur ai e liroi nga përqafimi i tij ishte: “Ti nuk e di sa e lumtur jam që jam me ty”. Kjo ishte ajo që natyra e saj e rezervuar e lejoi të shprehte.”
“Ne nuk mund të dimë kurrë se çfarë të dëshirojmë, sepse, duke jetuar vetëm një jetë, nuk mund ta krahasojmë atë me jetën tonë të mëparshme dhe as ta përsosim atë në jetën tonë që do të vijë.”
“Njerëzit gjithmonë bërtasin se duan të krijojnë një të ardhme më të mirë. Kjo nuk është e vërtetë. E ardhmja është një zbrazëti apatike që nuk i intereson askujt. E kaluara është plot jetë, e etur për të na acaruar, provokuar dhe fyer, për të na tunduar për ta shkatërruar ose rilyer atë. Arsyeja e vetme që njerëzit duan të jenë zotër të së ardhmes është të ndryshojnë të shkuarën.”
“Truri duket se zotëron një zonë të veçantë të cilën mund ta quajmë memorie poetike dhe e cila regjistron gjithçka që na magjeps ose na prek, që e bën jetën tonë të bukur… Dashuria fillon me një metaforë. Që do të thotë, dashuria fillon në momentin kur një grua fut fjalën e saj të parë në kujtesën tonë poetike.”
“Ajo i pëlqente të ecte në rrugë me një libër nën krah. Kishte të njëjtën domethënie për të si një bastun elegant për zonjën e një shekulli më parë. Kjo e dallonte atë nga të tjerët.”/KultPlus.com
Sot shënohet dita e lindjes së një personaliteti të madh botëror, i cili pavarësisht viteve kur ka jetuar, mbetet i paharruar në historinë e njerëzimit, shkruan KultPlus.
Gaius Iulius Caesar, i njohur shqip si Jul Çezari lindi më 12 korrik 100 p.e.s. në Romë dhe ka vdekur me 15 mars te 44 p.e.s.. Ai ishte ushtarak dhe burrë shteti i Perandorisë Romake, i cili u vra nga kundërshtarët e tij politik.
Gai Jul Çezari ka luajtur një rol të rëndësishëm në transformimin e Republikës Romake, në Perandorinë Romake. Marshimi romak ne Britaninë e Madhe, prej ushtrisë së Jul Çezarit, e shtriu botën romake deri në oqeanin Atlantik. Ai konsiderohet si një prej gjenive ushtarak, më të mëdhenj të kohës dhe një prej liderëve me te fortë.
1. Rëndësia e slloganeve
Udhëheqësit më të mirë jo vetëm bëjnë veprime sensacionale – ata dinë gjithashtu të ofrojnë një histori bindëse.
Pas një lufte të shpejtë kundër një farë Farnace, Mbret i Pontos, Çezari dërgoi në Romë një raport me detajet e pushtimit të tij. Biografi grek Plutarku dhe historiani romak Svetoni pajtohen se komandanti nuk hyri shumë në detaje, por thjesht shkroi: “Veni, vidi, vici” (“Erdha, Pashë, Fitova”).
Frazat ishte aq efikase, sa e kujtojmë edhe sot, pas shumë shekujsh.
Çezari mund të ishte zgjatur në aftësitë e tij ushtarake (ishte autor i shumë shënimeve të gjata ushtarake), por ai e kuptoi se një resht i vetëm do ta dërgonte mesazhin me shumë më tepër forcë.
2. Marrja e risqeve
Në Romën e lashtë, kalimi i Rubikonit me një ushtri përbënte një sfidë të vërtetë. Ishte e barazvlefshme me shpallje lufte, gjë që ishte e ndëshkueshme me vdekje.
Kur Jul Çezari kaloi lumin me legjionin e tij, luajti gjithçka për gjithçka. Tek “Jetët e Çezarëve”, Svetoni shkruan se Çezari, kur kaloi lumin, citoi një dramaturg të Athinës, duke shpallur “vdekja është tërhequr”.
Riskoi gjithçka dhe i shkoi mirë.
3. Nuk ka asgjë të keqe të fillosh me pak
Shpesh, për t’u bërë udhëheqës, duhet të fillosh si peshk i madh në një pellg të vogël.
Çezari e kishte kuptuar dhe ia doli të marrë një pozitë pushteti, edhe pasi kishte humbur trashëgiminë e tij në rini, në një grusht shteti.
Sipas Plutarkut në veprën e tij “Jetë Paralele”, gjenerali bëri një koment kurioz kur po kalonte një fshat të vogël alpin: “Unë ju siguroj se preferoj të jem më mirë i parë këtu, se sa i dytë në Romë”.
4. Asgjë nuk është definitive
Si gjeneral, Çezari e dinte se gjërat mund të ndryshonin në një moment. Sipas “Jul Çezari: Mësime lidershipi nga pushtuesi i madh” i Bill Yonne, Çezari shkroi se “në luftë, ngjarjet me rëndësi të madhe kanë origjinë të parëndësishme”.
Të flesh mbi dafina nuk është një ide e mirë – sepse gjërat gjithmonë mund të kthehen në më të keqen.
5. Kurrë mos gënje veten
Edhe nëse je një udhëheqës i suksesshëm, kurrë mos arri në pikën që të besosh marrëzitë e tua. Tek “Gali i bukur”, që përshkruan një gabim taktik nga galët, kundërshtarë të tij, Çezari përfundon: “Në shumicën e rasteve, burrat janë të gatshëm të besojnë atë që duan”.
Udhëheqësit më të mirë sillen në mënyrë racionale dhe nuk lejojnë që ndjenjat e tyre ose nocionet e paracaktuara, të dominojnë vendimet e tyre. Instinkti është shumë i rëndësishëm, por udhëheqësit më të mirë e përdorin atë së bashku me arsyen, jo si alternativë të saj.
6. Kurrë mos u relakso, që të ulësh vigjilencën
Nuk ka rëndësi se sa gjithçka duket në rregull, udhëheqësit më të mirë gjithmonë arrijnë të parashikojnë pasojat më të këqija. Gjithmonë tek “Gali i bukur”, Çezari shkruan: “Herë pas here, perënditë e pavdekshme kanë zakonin t’u japin begati më të madhe dhe pandëshkueshmëri më të gjatë, atyre që duan të ndëshkojnë për fajet e tyre, në mënyrë që ata të mund të vuajnë më keq, në rrethana negative”.
Në praktikë, nëse kaloni një fazë pozitive, jini të kujdesshëm. Çezari vetë do të kish bërë mirë që ta ndiqte këtë këshillë. Por, nën diktaturën e tij, ai lejoi që një konspiracion të çonte në vrasjen e tij të famshme.
7. Kurrë mos u nënvlerëso
Për të marrë komandën, duhet të keni besim në aftësitë tuaja. Një gjë që Çezarit nuk i mungonte, siç e tregon edhe një incident ku, mes shumë rreziqeve të tjerë, ishin përfshirë edhe piratët! Duke rrëfyer jetën e Çezarit, Plutarku shkruan që në moshë të re, Jul Çezari u rrëmbye nga piratë, që kontrollonin Detin Mesdhe.
“Piratët kërkuan 20 talente për lirimin e tij, dhe Çezari duke qeshur u tha se nuk dinin kë kishin kapur, dhe u ofrua të pagojë pesëdhjetë”. Më pas Çezari u premtoi që, pasi ta lironin, do i vriste personalisht. Me t’u kthyer në liri, organizoi një flotë për t’i ndjekur, dhe bëri atë që kishte premtuar./KultPlus.com
Poezi nga Pablo Neruda, kushtuar muzës së tij Matildes.
Po kërkoj qetësi Tani më lini vetëm. Mësoni të bëni pa mua.
Unë po mbyll sytë.
Dhe dua vetëm pesë gjëra, Pesë rrënjët favorite.
E para është dashuria pafund.
E dyta është të shoh vjeshtën. Unë s’mund të jem nëse gjethet Nuk fluturojnë dhe bien në tokë.
I treti është dimri solemn, Shiu që e doja, përkëdheljet E zjarrit në dimrin e egër.
Në vend të katërt, vera Rrumbullake sa një shalqin.
Gjëja e pestë janë sytë e tu. Matilda ime, e shtrenjtë, Unë nuk dua të fle pa sytë e tu, Unë nuk dua të jem nëse ti nuk shikon në mua: E jap pranverën Që ti të vazhdosh të më shikosh mua.
Kjo, miq është gjithë ç’dua. Gati asgjë dhe pothuaj gjithçka.
Tani ju mund të shkoni nëse dëshironi.
Unë jetova aq shumë sa një ditë Ju do të më harroni Do të më fshihni nga dërrasa e zezë: Zemra ime shkoi përgjithmonë.
Por sepse po kërkoj qetësi Mos mendoni se po shkoj të vdes. Përkundrazi: Ndodh që po shkoj të jetoj.
Kështu do të jetë vetëm brenda meje Që gruri do të rritet, Së pari filizat çajnë përmes Tokën të shohin dritën, Se nënë toka është e errët: Unë jam si një pus në ujrat e të cilit Nata lë yjet e saj Që të shkojë e vetmuar përmes fushave.
Sepse jetova kaq shumë Unë dua të jetoj dhe aq më shumë.
Kurrë nuk jam ndjerë kaq kumbues, Kurrë nuk kam pasur kaq shumë puthje.
Tani, si gjithmonë, është shpejt. Drita fluturon me bletët e saj.
Më lini vetëm me ditën. Kërkoj lejë të lind./KultPlus.com
S’kam qenë asnjëherë në Shqipëri, në tokën e ashpër, plot dashuri, peisazheve bjeshkatare me barinj trima. S’kam qenë, po ja që sot kam shpresë të vij ashtu si festat apo dasmat popullore, për të pare i etur diellin e madh që praron fuqishëm muskujt viganë të vargmaleve të saj epikë! Si zambaku i ri dhe i freskët që shpërthen mes shkrepave shpërthen nga gjiri i saj kultura, arti, librat, ndërsa përpara bujkut e punëtorit ngrihet nderimi i epokës, përmendorja e dashurisë e virtuti lulëzon viset e lashta! O Shqipëri e vogël, por sa e fortë! E vendosur e patundur e fjalëmbël. Tingulli i kitarës tënde është i gjallë e i çeliktë e vjen e i shtohet me dinjitet melodive të historisë, këngës së epokës që s’ka të heshtur! Është një zë malesh, ndërtimesh të pafundme e të bardha, kjo është kënga e njerëzve dhe bjeshkëve e zogjve të pranverës dhe drurëve të mollëve plot lule të porsaçelura e erërave e valëve të detit. Qëndresa, pamposhtmëria dhe lulet e tua Shqipëri janë dhurata që po i sjell vetë ndërtimit të jetës së re mbi botë.