Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 21 July 2025Main stream

Rama: Listë e zezë për ndërtuesit që shkelin ligjin. Do të konfiskohen ndërtimet e braktisura!

21 July 2025 at 19:13

Nga Gazeta ‘SI’- Në takim me deputetët ekzistues dhe ata kandidatë në zgjedhjet e 11 Majit dhe me drejtorët e Bashkisë së Tiranës, Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar një sërë aktesh normative për reformën e territorit.

Rama bëri të ditur se do të ketë rishikim edhe të ligjit të ndërtimit.

 “Paketa e re e reformës së territorit do të ketë 2 faza. Qeveria do ndërhyjë në kushtet e emergjencës me një numër aktesh dhe akte normative që do jetë paralelisht dhe me një akt tjetër për ujin e pijshëm dhe mbetjet. Do të jetë pastaj një fazë të dytë më mbrapa ku do rishikohen të gjitha ligjet që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me territorin, duke filluar nga ligji për ndërtimin që është shumë i vjetër, është prekur në 2-3 raste, por mbetet jashtë kohe. Jemi duke diskutuar një sërë ndërhyrjesh shumë të domosdoshme”.

Kryeministri tha se do të krijohet me ligj një listë e zezë ku do të përfshihet e gjithë kjo kategori investitorësh.

“Kemi diskutuar dhe do të miratohet me ligj krijimi i një liste të zezë të ndërtuesve dhe investitorëve që abuzojnë me territorin dhe shkelin lejet e ndërtimit. Kush hyn në listën e zezë do humbasë të drejtë të marrë leje ndërtimi dhe do penalizohet nëse përfshihet në industrinë e ndërtimit. Do marrim masa për një kategori ndërtuesish shumë problematikë, si ata mashtruesit te zona ku ishim së bashku me ministrin e Drejtësisë, që nuk linin banorët të futeshin në pallat, apo edhe të tjerë si ata, që i lënë blerësit e apartamenteve të tyre në rrugë, pa dokumente hipotekore, ose duke bërë edhe shitje të dyfishta. Masat për këtë kategori do jenë drastike dhe ju bëj thirrje të vrapojnë ta zgjidhin këtë problematikë sa pa dalë së shpejti ky akt normativ, se pastaj do gjejnë një bela që do ta kenë shumë të vështirë”, deklaroi Kryeministri Edi Rama.

Në takim Rama paralajmëroi së do të konfiskohen për interes publik të gjitha objektet e braktisura në Shqipëri, të cilat janë të tilla që prej viteve 90’. Gjithashtu ai theksoi se do të konfiskohen edhe objektet në të cilat është shkelur leja e ndërtimit përtej masës 2% të kufirit të parashikuar në leje.

“Nga ana tjetër, do të marrim një tjetër masë për të konfiskuar në interes të publikut të gjitha ndërtimet e braktisura dhe të gjitha ngrehinat e braktisura nëpër Shqipëri që nga vitet ’90, që qëndrojnë si karakatinë dhe që kanë edhe problematika të natyrës mjedisore dhe të shëndetit të njerëzve. Do të sqarojmë përfundimisht edhe aspektin me të cilin kanë luajtur shumë njerëz të sistemit të drejtësisë, që kanë mbajtur anë e kanë shkelur edhe të ligjshme edhe të ndërlikuara, kur vjen puna te shkelja e lejes së ndërtimit me 2% të kufijve të lejes. 2% është krejtësisht e arsyeshme që është edhe në vende të tjera të botës, por kur ky 2% kapërcehet, kjo do të provokojë sekuestrimin e menjëhershëm të të gjithë ndërtimit, jo të një pjese. Paligjshmëria është e plotë sepse shkelje në ndërtim dhe ndërtimi i volumeve shtesë për qëllim fitimi bëhen në vetëdije dhe janë një shkelje në vazhdim e ligjit. Kjo do të sjellë kalimin menjëherë të asaj prone në dyert e shtetit”,- tha Rama.

Kreu i ekzekutivit njoftoi edhe krijimin e Agjencisë Kombëtare të Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit.

“Do të procedojmë më pas në vijim paralelisht me krijimin e Agjencisë Kombëtare të Planifikimit dhe Zhvillimit si një agjenci me shtrirje në territor dhe me përfaqësi në çdo rajon. Të gjitha bashkitë do ta kenë më të lehtë për sa i përket planifikimit dhe zhvillimit të territorit, gjë që do t’i ndihmojë shumë bashkitë e vogla sidomos”.- tha Rama.

Ndër të tjera, kryeministri tha se inspektorët e mbrojtjes së territorit, duhet që të mbajnë përgjegjësi në rastet kur kanë lejuar ndërtime pa leje. 

The post Rama: Listë e zezë për ndërtuesit që shkelin ligjin. Do të konfiskohen ndërtimet e braktisura! appeared first on Gazeta Si.

Bankat në vend presin rënie të kredisë për banesa. Shtrëngohen kriteret

21 July 2025 at 15:19

Nga Gazeta ‘SI’ – Bankat tregtare në vend parashikojnë një rënie të kërkesës për kredi nga qytetarët.

Sipas anketës së kryer nga Banka e Shqipërisë, bankat presin më pak kërkesa për hua sidomos për banesat. Po ashtu, parashikohet shtrëngim i kritereve për kredi, kryesisht në kreditë për blerjen e banesave.

Për tremujorin e dytë të vitit 2025, bankat raportojnë rritje të kërkesës, si për banesa ashtu edhe për konsum. Përgjatë të njëjtës periudhë, bankat raportojnë se mirtuan më shumë kredi lidhur me treguesit pozitivë të punësimit dhe marrëdhënieve me bankat.

Për bizneset, bankat presin rritje të kërkesës për kredi, njësoj si edhe në tremujorin e dytë 2025. Në gjykimin e bankave, rritja e kërkesës për kredi u mbështet nga nevojat më të larta për financimin e investimeve, nga niveli i përgjithshëm i normave të interesit dhe nga treguesi i besimit të biznesit.

Në tremujorin e tretë të vitit 2025, standardet e kreditimit priten të mbeten të pandryshuara, si në kreditë sipas madhësisë së biznesit, ashtu edhe në ato sipas qëllimit të përdorimit.

The post Bankat në vend presin rënie të kredisë për banesa. Shtrëngohen kriteret appeared first on Gazeta Si.

Raporti për universitetet përplas akademikët, Rama: Jemi ibret me të dhënat! Shqipëria, atdheu i plagjiaturës!

21 July 2025 at 12:44

Nga Gazeta ‘SI’ – Një raport i prezantuar sot mbi problematikat e arsimit të lartë në vend ka shkaktuar debat midis akademikëve dhe qeverisë.

Raporti i Bordit Akademik, prezantuar nga kryetarja Shqiponja Telhaj konkludon se në universitetet shqiptare ka profesorë me mungesë arsimi ose arsim në fusha që nuk përputhen me mësimdhënien. Raporti thekson dhe problematika të tjera si mungesa e literaturës.

Gjetjet u kundërshtuan nga rektori i universitetit të Tiranës, Artan Hoxha, ku tha se gjetjet janë të gabuara dhe se raporti është i njëjtë me atë të një viti më parë.

“Unë zoti kryeministër, nëse e mbani mend, ju kam kërkuar në fund në mbledhjen e tetorit 24, më jepni dy minuta. Edhe ju kam thënë se sido të përmirësohet ky raport i bazuar në metodologji të gabuar, konkluzonet do t’i nxjerrë të gabuara dhe ne sot e pamë që nga rekomandimet, s’ka ndryshuar asnjë gjë. E pamë që asgjë nuk ka ndryshuar në mënyrë të qenësishme. Thjesht ka një kozmetikë por konkluzionet janë po të njëjta, të cilat një pjesë e tyre i pranojmë se e dimë ku është arsimi, por që unë nuk e kam, thënë atëherë nuk besoj se Shqipëria mund të pranojë që pas 5 vitesh intensive pune, arsimi i lartë të jetë aty aty apo diku edhe më pak në performancë se ai i viteve 15 apo 16 të këtij shekulli”, u shpreh Hoxha.

Telhaj, iu kundërpërgjigj Hoxhës duke e quajtur fyerje mendimin e tij mbi raportin.

“Është fyerje për bordin sepse kjo punë është voluminoze dhe kemi parë mbi 200 raporte apo vendime. Kur u mblodhëm para 1 viti na u kërkua që të shtojmë dhe vitin 2023 dhe gjetjet e bordit janë pjesë e strategjisë së qeverisë.  Kemi plotësuar sugjerimet që na u dhanë atëhere. Ne duhet të flasim me fakte dhe jo me mendimin tonë, nuk mund të thuash që nuk beson të dhënat që kemi nxjerrë ne. Kritikuat metodologjinë por nuk sollët një shembull se ku është e gabuar”, tha drejtuesja e Bordit Akademik.

Kryeministri Edi Rama ndërhyri me batuta në debat, duke i etiketuar si “zogj” Hoxhën dhe Telhajn, por ra dakord se të dhënat janë jo eficiente. Ai tha se universitetet duhet të luftojnë me plagjiaturën.

“Sherri me shifrat dhe faktet nuk është asnjëherë i arsyeshëm. Thelbi është se rekomandimet qëndrojnë.  41 uninversitete në 1 vend kaq të vogël që në 1 masë të madhe kanë programe gjeneraliste, prodhojnë gjithcfarëlloj doktorësh. Duhet të fokusohemi për të bërë një transformim domethënëse për këtë periudhë. Me të dhënat jeni ibret. Jemi në fazën belbëzuese për kërkimin shkencor. Nuk besoj se është faji i pasqyrës kur pasqyra na thotë disa të vërteta. Janë të gjitha të vërteta dhe piketa se si duhet t’i shikojmë gjërat. Dalim tek programet që kemi një problem të madh. Mbahen për të pasur student e jo për të prodhuar ekonomi apo dije. Jemi larg ndërkombarizimit dhe nëse nuk e pranojmë, nuk ecim dot përpara. Ambicia jonë duhet të jetë më e madhe. Duhet të rishpikemi përditë. Që ky është atdheu i plagjiaturës kjo dihet. I vetmi element që nuk është adresuar është plagjiatura”, tha Rama.

Rama përmendi dhe problemin me stafet duke sugjeruar tërheqjen e pedagogëve nga diaspora.

The post Raporti për universitetet përplas akademikët, Rama: Jemi ibret me të dhënat! Shqipëria, atdheu i plagjiaturës! appeared first on Gazeta Si.

Parashikimi i ‘SI’ për bursat gjatë javës: Ringrihet dollari, bie Bitcoin

21 July 2025 at 11:23

Nga Gazeta ‘SI’ – Për sa kohë EUR/USD do të tregtohet nën vlerën 1.165 trenda do të jetë negative me target 1.152. Tregtimi mbi vlerën 1.165 hap rrugën për avancim të mëtejshëm drejt rezistencës 1.17.

Për sa kohë GBP/USD do të tregtohet nën vlerën 1.342 trenda do të jetë rënëse me target 1.33. Tregtimi mbi vlerën 1.342 do të ndiqej nga tentativa e testimit të rezistencës 1.346.

Për sa kohë USD/JPY do të tregtohet mbi vlerën 148.6 trenda do të jetë rritëse me target 151. Tregtimi nën vlerën 148.6 do të pasohet me testimin e suportit 147.

Për sa kohë DOW JONES do të tregtohet mbi vlerën 44200 trenda do të jetë pozitive me objektiv 45100. Tregtimi nën vlerën 44200 rikthen tendencën rënëse drejt suportit 44000.

Për sa kohë CRUDE OIL do të tregtohet nën vlerën 66.5 trenda do të jetë bearish me target 63.5. Tregtimi mbi vlerën 66.5 hap rrugën për testimin e rezistencës 67.

Për sa kohë BTC/USD do të tregtohet nën vlerën 119000 trenda do të jetë rënëse me objektiv 115700. Tregtim mbi vlerën 119000 rikthen tendencën rritëse me target 123700.

The post Parashikimi i ‘SI’ për bursat gjatë javës: Ringrihet dollari, bie Bitcoin appeared first on Gazeta Si.

‘Shqipëria- parajsa e turistëve europianë, e ndotur nga puset e naftës’

21 July 2025 at 11:09

Pajisjet e shpimit të naftës kanë pushtuar peizazhin përreth Kuçovës, rreth 20 kilometra nga Berati, një nga qytetet më të vizituara turistike në Shqipëri — një vend që promovon veten si parajsë natyrore me male dhe plazhe të virgjëra. Era e rëndë e naftës është aq e fortë, edhe me dritaret e makinës të mbyllura, sa për ata që nuk janë mësuar, është e padurueshme. Në mes të një are me misër gjendet një pellg i madh me naftë bruto që lëshon një erë edhe më të rëndë. Madje, puse dhe pompa nafte ndodhen edhe në oborret e shtëpive private.

Kuçova është fusha e dytë më e madhe e naftës në Shqipëri dhe është ende pjesërisht funksionale, ndonëse ka zona të tëra me puse të braktisura, depozita magazinimi dhe tuba të ndryshkur që rrjedhin dhe ndotin tokën. Kjo është zona më e vjetër e prodhimit të naftës në vend. Në vitin 1928, një kompani italiane shppoi pusin e parë në Shqipëri pikërisht këtu, dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, fusha u bë burim i rëndësishëm karburanti për Italinë e Musolinit që kishte pushtuar vendin.

Objektet e braktisura të naftës në Kuçovë, Shqipëri.

Pak më vonë, filloi shfrytëzimi i zonave të tjera të pasura me hidrokarbure, si zona e Patos-Marinzës (rreth 30 kilometra larg), që është më e madhja në vend dhe njëkohësisht fusha më e madhe tokësore e naftës në kontinentin europian. Vlerësohet se përmban mbi 5 miliardë fuçi naftë, por projektet e reja të nxjerrjes nuk janë ndërmarrë prej afro gjysmë shekulli. Në vitet 1970, kur Shqipëria drejtohej nga diktatura komuniste e Enver Hoxhës, prodhimi i naftës arriti kulmin dhe u kthye në sektorin më të rëndësishëm ekonomik të vendit. Pas rënies së Bashkimit Sovjetik, industria pësoi rënie, ndërsa mungesa e investimeve çoi në përkeqësimin e infrastrukturës.

Sot, kompania kryesore që merret me nxjerrjen është Bankers Petroleum, në pronësi kineze, ndërsa puset janë në pronësi të kompanisë shtetërore Albpetrol. Në total, Shqipëria ka rreth 6.000 puse të hapura, por vetëm 800 janë funksionale. “Pjesa tjetër, rreth 5.200 puse, nuk janë mbyllur siç duhet,” thekson Adriatik Golemaj, gazetar i lidhur me Shoqatën “Zharrëza”, një OJQ që lufton ndotjen në rajonin Patos-Marinzë. “Një pus është në thelb një vrimë 1.500 metra e thellë, dhe nëse nuk mbyllet sipas standardeve, vazhdon të ‘komunikojë’ me sipërfaqen. Nxjerr ujë të ndotur, gazra, naftë…”, shpjegon ai. “Por askush nuk kujdeset për t’i mbyllur siç duhet, sepse kushton shumë. Mbyllja e një pusi kap shifrën e 50.000 dollarëve.”

Pandëshkueshmëri institucionale

Autoritetet kanë kryer vetëm një inspektim në Kuçovë gjatë dy viteve të fundit, në verën e vitit 2023, pas një alarmi për derdhje nafte në një përrua lokal. Agjencia e mjedisit gjobiti Albpetrolin me 1 milion lekë (rreth 10.000 euro) dhe nisi procedura penale ndaj drejtuesve të kompanisë.

Sipas Balkan Insight, dy raporte të porositura në vitin 2019 nga vetë Albpetrol zbuluan ndotje të lartë në Kuçovë — përfshirë naftë, fenole dhe metale të rënda në tokat bujqësore dhe në ujërat sipërfaqësore. “Analiza e kampionit të ujit tregon se niveli i hidrokarbureve është më i lartë se standardet e direktivës europiane,” thuhej në raport. Edhe Agjencia Rajonale e Mjedisit konfirmoi se inspektimet kanë zbuluar ndotje në disa puse, duke shtuar se pajisjet si tubat, kolektorët dhe tanket janë shumë të vjetra – thuajse 100-vjeçare.

Organizatat për të drejtat e njeriut kanë denoncuar situatën, veçanërisht për ndikimin që ndotja ka në shëndetin e banorëve, ndonëse mungojnë studime të thelluara për ta vërtetuar shkencërisht. “Kemi ndotje historike që nuk është menaxhuar kurrë, dhe ndotje të re që ka ardhur pas viteve ‘90,” deklaron Qani Rredhi, aktivist i Shoqatës “Zharrëza”, për gazetën ARA. Ai kritikon mungesën e monitorimit, analizave dhe transparencës, si nga kompanitë, ashtu edhe nga institucionet shtetërore.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit publikoi në vitin 2023 një raport për ndotjen nga hidrokarburet në Zharrëz, në zonën e Patos-Marinzës, ku vuri në dukje mungesën e masave mbrojtëse dhe të rehabilitimit në puset e vjetra, disa prej të cilëve ndodhen fare pranë banesave, serrave ose sipërfaqeve të kultivuara. Po ashtu, u kritikua mungesa e informacionit për publikun dhe “klima e mungesës së përgjegjësisë” nga operatorët.

Problemet shëndetësore

OJQ-të kanë biseduar me banorë që kanë konfirmuar se marrin medikamente të rregullta për çrregullime të gjakut, ndërsa disa kanë raportuar rritje të rasteve me kancer. Rredhi pohon se në zonat pranë puseve të naftës incidenca e kancerit është më e lartë se në pjesë të tjera të vendit. Ai tregon se njerëzit përdorin ujin e ndotur për të pirë dhe për gatim, dhe simptomat më të shpeshta janë marramendja, dhimbjet e kokës dhe alergjitë. “Është si të jesh i droguar gjatë gjithë ditës,” thotë ai.

“Banorët janë mësuar të jetojnë kështu sepse ndotja ka vijuar për breza me radhë, por situata është kritike,” thotë Golemaj. “Industria e naftës ishte dikur sektori më i rëndësishëm në vend, prandaj gërmonin kudo që kishte naftë — edhe në mes të lagjeve apo në oborret e shtëpive.”

Rredhi shton se “askush nuk është munduar të masë apo analizojë përmasat reale të ndotjes dhe ndikimin e saj në shëndetin e njerëzve.” Ai thotë se qeveria shqiptare i ka porositur një konsulence holandeze, Royal Haskoning, një studim mbi ndikimin në shëndet, por rezultatet nuk janë bërë publike. Kur u kontaktua nga ARA, kompania holandeze tha se të gjitha raportet janë konfidenciale. As Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe as Albpetroli nuk iu përgjigjën pyetjeve të gazetës.

Ndotja në lumenj dhe det

Sipas Rredhit, rreth 500.000 njerëz jetojnë në zona të prekura nga ndotja me hidrokarbure. Por aktivistët paralajmërojnë se ndotja prek edhe dy lumenj të mëdhenj – Semanin dhe Vjosën. Ky i fundit, lumi i dytë më i madh në vend, është ndër atraksionet kryesore turistike dhe konsiderohet si një nga lumenjtë e fundit të egër në Europë. Në vitin 2023, u shpall Park Kombëtar nga qeveria shqiptare.

Adriatik Golemaj shpjegon se Shqipëria prodhon rreth 600.000 tonë naftë në vit, por vetëm 10% e lëngut të nxjerrë është naftë, ndërsa 90% është ujë i ndotur — pra mbi 6 milionë tonë ujë të ndotur në vit. Një pjesë e këtij uji përfundon në lumenj ose përdoret për vaditje në bujqësi. “Ky ujë përmban kimikate që përdoren për të nxjerrë naftën,” thotë ai. “Kështu ndotja përfundon në pjatat tona.” Për më tepër, lumenjtë derdhen në detin Adriatik: “Shumë turistë vijnë nga e gjithë bota për të pushuar këtu dhe nuk e dinë se po notojnë në ujëra të ndotura.”/ARA.catalania

The post ‘Shqipëria- parajsa e turistëve europianë, e ndotur nga puset e naftës’ appeared first on Gazeta Si.

Rama flet për skandalin e Bankers: Prokuroria t’i nxjerrë ujin e zi!

21 July 2025 at 10:03

Nga Gazeta ‘SI’ – Në rikthimin e tij përballë publikut në rubrikën “Sy m’sy”, kryeministri Edi Rama përgëzoi punën e Prokurorisë së Fierit për aksionin ndaj Bankers Petroleum.

Rama i kërkoi Prokurorisë “t’i nxjerrë ujin e zi” kësaj çështje.

 “Ne kemi fituar me Bankers një arbitrazh dhe Bankers na detyrohet 240 mln euro. Shyqyr që ka ardhur dita që prokuroria investigon në mënyrë të pavarur dhe në këtë rast i heq kapelën përkatëse që ka bërë këtë investigim dhe uroj ti nxjerrë ujin e zi asaj ndërmarrjeje, ku realisht ka pasur shumë problematika dhe që është akoma sot e gjithë ditën, kostoja e një koncesioni të dhënë para se unë të merrja detyrën.”, tha Rama.

Rama përmendi tërthorazi edhe arrestimin e Erion Veliajt, teksa tha se “Tiranës i mungon drejtimi…por kjo është një histori tjetër”, duke nënkuptuar se do të flasë në një moment të dytë.

Sa i përket dorëheqjeve të drejtorëve të bashkisë, Rama tha se ishte i nevojshëm. 

“Unë u detyrova të ndërhyj duke parë disa gjëra që kishin nevojë për shtytje të fortë nga lart. A duhet të ishin bërë pa nevojën e kësaj ndërhyrjeje, një shoqëri demokratike e konsoliduar ku secili  e di se ku e ka kufirin. Nuk fillon gjëra nga inspektori apo kontrollori por nga secili që di se ku ka kufirin. Më Pas inspektori dhe kontrollori janë aty për të kontrolluar dhe siguruar që ai kufi të ruhet në funksion të asaj shumice që atë kufi e respekton.”, tha Rama.

The post Rama flet për skandalin e Bankers: Prokuroria t’i nxjerrë ujin e zi! appeared first on Gazeta Si.

Before yesterdayMain stream

Në kërkim nga SPAK, dorëzohet në Policinë e Himarës ish-shefi i krimeve

11 July 2025 at 21:55

Ish-shefi i krimeve në komisariatin nr.3 në Tiranë Erjon Dani është vetëdorëzuar në policinë e Himarës, pasi është informuar nga mediat se ndaj tij kishte një urdhër arresti të firmosur nga SPAK.

Raportohet se Erjon Dani dyshohet për veprat penale ushtrim i ndikimit të paligjshëm dhe shpërdorimit të detyrës gjatë kohës që ndodhej në radhët e policisë së shtetit. SPAK goditi ditën e sotme një grup kriminal që operonte në trafikun e drogës nga Amerika Latine drejt vendeve të BE-së.

Në pranga përfunduan 8 persona, përfshi dhe Erjon Danin që u vetëdorëzua ndërsa 5 të tjerë mbeten në kërkim. Grupi kriminal u godit nga zbërthimi i komunikimeve në SKYEC

The post Në kërkim nga SPAK, dorëzohet në Policinë e Himarës ish-shefi i krimeve appeared first on Gazeta Si.

Drejtuesi i Policisë së Shtetit: Parkimi i dyfishtë mund të dënohet deri me 3 vite burg!

10 July 2025 at 12:33

Nga Gazeta ‘SI’ – Në një komunikim për mediat, drejtuesi i Policisë së Shtetit Ilir Proda paralajmëroi se parkimi i dyfishtë në rrugë nuk do të jetë më shkelje administrative, por shkelje penale.

Proda tha se parkimi i dyfishtë do të bazohet në nenin 293 të Kodit Penal, që parashikon dënim me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet

“Parkimi i dyfishtë në rrugë nuk do të konsiderohet më si një “shkelje e lehtë” thjesht administrative, por si një bllokim i kalimit të mjeteve që cenon sigurinë e qytetarëve dhe kufizon dhunshëm të drejtën e tyre për të lëvizur lirisht. Strukturat policore do të kryejnë veprimet hetimore duke e trajtuar parkimin e dyfishtë si vepër penale bazuar në nenin 293 të Kodit Penal. Ky fenomen i shëmtuar dhe i rrezikshëm do të zhbëhet, me çdo kusht. Me të gjithë respektin për drejtuesit e automjeteve, qyteti është në radhë të parë i këmbësorëve dhe megjithë mirëkuptimin për vështirësitë e parkimit, rruga është për të qarkulluar, jo për të parkuar në mes të saj”, tha Proda për mediat.

The post Drejtuesi i Policisë së Shtetit: Parkimi i dyfishtë mund të dënohet deri me 3 vite burg! appeared first on Gazeta Si.

Dhoma Amerikane e Tregtisë i kërkon qeverisë të zgjidhë problemet e turizmit: Po dëmtohet aktiviteti!

10 July 2025 at 12:16

Nga Gazeta ‘SI’ – Dhoma Amerikane e Tregtisë i ka bërë thirrje qeverisë për ndërhyrje në sektorin turistik, për të krijuar një eksperiencë sa më pozitive për vendasit, bizneset dhe të huajt.

Në një deklaratë për mediat, AmCham përmend problematikat për të cilat kërkon zgjidhje nga qeveria si mungesa e ujit të pijshëm, menaxhimi i ujërave të zeza, djegiet e mbetjeve dhe ndërtimet gjatë sezonit.

“Informacionet e përcjella nga anëtarët tanë, pjesë e këtij sektori, flasin për zona bregdetare ku vazhdojnë të mbeten shqetësuese mungesa e ujit të pijshëm, keqmenaxhimi i ujërave të zeza, djegia e mbetjeve në landfille apo vazhdimi i aktiviteteve të ndërtimit edhe gjatë sezonit turistik, duke ndikuar në këtë mënyrë funksionimin e strukturave akomoduese, por edhe cilësinë e jetesës së qytetarëve dhe turistëve në këto komunitete”, thuhet në deklaratë.

Më tej, Dhoma Amerikane thekson mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar si një pengesë madhore për rritjen e mëtejshme të sektorit. “Nevojitet një strategji afatgjatë për të zhvilluar, trajnuar dhe motivuar stafin që i shërben industrisë turistike,” thuhet në deklaratë, duke shtuar se mungesa e punonjësve të trajnuar po vë në vështirësi shumë biznese, duke cenuar konkurrueshmërinë e Shqipërisë në rajon.

Në përfundim, Dhoma i bën thirrje qeverisë qendrore, pushtetit lokal dhe institucioneve përgjegjëse të reagojnë me seriozitet për të zgjidhur këto problematika, në mënyrë që të ruhet dhe forcohet ritmi i zhvillimit të një prej sektorëve më të rëndësishëm për ekonominë shqiptare.

The post Dhoma Amerikane e Tregtisë i kërkon qeverisë të zgjidhë problemet e turizmit: Po dëmtohet aktiviteti! appeared first on Gazeta Si.

Rritet çmimi i kafes pasi Trump njoftoi tarifa 50% për Brazilin

10 July 2025 at 11:43

Çmimi i kafes u rrit këtë të enjte pasi Donald Trump njoftoi se do t’i vendoste Brazilit një tarifë 50%, prodhuesit më të madh të kafe në botë.

Me anë të rrjeteve sociale, Trump tha se edhe Brazili do të tarifohej nga 1 gushti, duke e akuzuar shtetin latin se ka kufizuar fjalën e lirën dhe i ka bërë “gjueti shtrigash” ish-presidentit të djathtë, Jair Bolsonaro.

Kjo ka tronditur tregun e kafesë, pasi SHBA-ja është blerësi kryesor i Brazilit dhe ndikimi do të jetë i fortë.

Giuseppe Lavazza, pronar i kafes Lavazza tha se një lëvizje e tillë do t’i peshonte konsumatorëve amerikanë.

“Problemi nuk është të kemi tarifa midis Amerikës dhe Europës. Problemi është të kemi tarifa midis SHBA-së dhe Brazilit, SHBA-së dhe Vietnamit, SHBA-së dhe të gjitha vendeve ku prodhohet kafeja”, tha Lavazza. “Rezultati përfundimtar do të jetë një rritje në koston e kafesë në SHBA. Kështu që tregu amerikan bëhet më i shtrenjtë për konsumatorët.”

Çmimet e kafesë arabica dhe robusta kanë qenë të larta gjatë viteve të fundit pasi të korrat e dobëta në vendet kryesore të rritjes në botë, Brazili dhe Vietnami, kanë reduktuar furnizimet dhe spekulatorët janë futur në treg.

Kontratat e së ardhmes robusta në Londër, pikë referimi globale, arritën një rekord prej afro 5.700 dollarë për ton në fillim të këtij viti, nga një mesatare historike prej 1.700 dollarësh, ndërsa çmimi i kokrrave të kafesë arabica të nivelit më të lartë u rrit 70% vitin e kaluar në 4.20 dollarë për paund.

Por çmimet e arabica dhe robusta kanë rënë nga nivelet më të larta në muajt e fundit me shpresën për përmirësimin e të korrave./FinancialTimes

The post Rritet çmimi i kafes pasi Trump njoftoi tarifa 50% për Brazilin appeared first on Gazeta Si.

Kokainë me vlerë 82 mln paund, goditet grupi i shqiptarëve në Britani (emrat)

10 July 2025 at 11:15

Një grup i organizuar kriminal që merrej me shpërndarjen e kokainës në Londër dhe në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar është dënuar me mbi 65 vite burg pas një hetimi të gjatë dhe të detajuar nga Policia Metropolitane e Londrës në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Krimit.

Në qendër të këtij grupi ishte Redon Bushi, 32 vjeç, nga Cherry Crescent, Brentford, i cili për vite me radhë udhëhoqi rrjetin e trafikut të drogës, duke bashkëpunuar me importues dhe korrierë të shumtë.

Sipas policisë Metropolitane të Londrës, ai pranoi fajësinë në Gjykatën e Lartë në Kingston-upon-Thames më 10 korrik 2024 për: dy akuza për komplot për furnizim me lëndë narkotike të klasit A, komplot për transferim të pasurisë kriminale, posedim të pasurisë kriminale.

Më 9 korrik 2025, ai u dënua me gjithsej 24 vite e 10 muaj burg.

Redon Bushi

Trafiku i zbuluar përmes EncroChat dhe Signal

Përdorimi i aplikacioneve të koduara si EncroChat dhe Signal zbuloi se Bushi kishte komplotuar për të shpërndarë të paktën 832 kg kokainë me vlerë deri në 81.6 milionë paund.

Pas identifikimit të tij në EncroChat me pseudonimin “Sealvermouth”, hetuesit e Met-it dhe NCA-së nisën një operacion të targetuar për të çmontuar rrjetin.

Hetimi dhe arrestimet

Policia përdori teknika të avancuara hetimore, duke shqyrtuar pajisje elektronike, biseda të koduara, orë të tëra pamje nga kamerat e sigurisë, dhe përdori metoda të fshehta për të ndjekur aktivitetin kriminal.

Në qershor 2020, një nga korrierët e Bushit, Ahmad Jabarkhill, u ndalua dhe iu gjetën gati 700.000 paund cash.

Më tej, hetuesit identifikuan tre korrierë të tjerë: Arline Sida, Luke Ferguson, Kelvin Hoxha.

Në gusht 2023, Sida dhe Hoxha u arrestuan në Brentford, duke pasur në posedim 6 kilogramë kokainë. Më pas, Ferguson u arrestua në një “shtëpi të sigurt” në Brentford, ku iu gjetën 72 kg kokainë, me vlerë të përllogaritur në 6.24 milionë paund.

Pas arrestimeve të pjesëtarëve të rrjetit, u nis një kërkim intensiv për Bushin, i cili qëndroi në disa hotele për t’iu shmangur policisë, duke përdorur telefona të rinj dhe mbi 3.000 paund në para.

Ai u arrestua disa ditë më vonë në Reading.

Ahmad Jabarkhill, 32 vjeç, u dënua më 22 korrik 2020 me 2 vite e 3 muaj burg për posedim pasurie kriminale.

Arline Sida, 23 vjeç, nga Amersham, u dënua më 9 korrik 2025 me 12 vite e 9 muaj burg.

Kelvin Hoxha, 23 vjeç, nga Brentford, u dënua më 9 korrik 2025 me 11 vite e 8 muaj burg.

Luke Ferguson, 32 vjeç, nga Shepherd’s Bush, u dënua më 9 korrik 2025 me 14 vite e 5 muaj burg.

Arlind Sida
Kelvin Hoxha

Hetuesi David Leitner deklaroi: “Ky rast dëshmon vendosmërinë tonë për të luftuar krimin e organizuar, duke shfrytëzuar mundësitë unike që ofroi zbulimi i EncroChat.

Bushi besonte se këto platforma e mbronin nga ligji, por në fakt ato na ofruan provat kyçe për ta dënuar atë dhe bashkëpunëtorët e tij. Policia Metropolitane mbetet e përkushtuar për të luftuar shpërndarësit e drogës që ndikojnë negativisht në komunitetet tona.”

The post Kokainë me vlerë 82 mln paund, goditet grupi i shqiptarëve në Britani (emrat) appeared first on Gazeta Si.

Rriten lehtë kreditë me probleme

10 July 2025 at 10:58

Nga Gazeta ‘SI’ – Kreditë me probleme u rritën lehtë gjatë muajit maj, raporton Banka e Shqipërisë.

Përqindja e këtij treguesi ndaj totalit të kredive arriti në 4.12%, pas disa muajsh “stanjacion” në 4%. Për ekspertët e fushës, një rritje e tillë nuk është domethënëse dhe mund të jetë edhe vetëm sezonale.

Ekspertët e Bankës së Shqipërisë, por edhe anketat tregojnë një aftësi paguese të përmirësuar të familjarëve, por dhe një ndikim të zhvlerësimit të euros në statistika.

Vendimi i fundit nga BSH për të ulur normën e interesit në 2.5% pritet të lehtësojë më tej barrën e qytetarëve kredimarrës.

Nga ana tjetër, pas shumë thirrjesh për një moderim të kreditimit për sektorin imobiliar, si rrezik i shtimit të kredive të këqija, Banka e Shqipërisë mori disa masa kufizimi. BSH vendosi heqjen e financimit të plotë për banesat dhe kreditimin deri në 85% të vlerës në lekë e 70% në valutë.

The post Rriten lehtë kreditë me probleme appeared first on Gazeta Si.

Pas blegtorisë, në 2024-n ra edhe prodhimi i qumështit

9 July 2025 at 14:42

Nga Gazeta ‘SI’ – Në 2024-n, sasia e qumështit të grumbulluar në Shqipëri arriti rreth 95 mijë tonë, duke shënuar një rënie prej 6.6%, krahasuar me vitin 2023.

Qumështi i lopës përbën pjesën më të madhe me 75 mijë tonë, me një rënie prej 6.5%. Qumështi i deles arriti në 12 mijë tonë, me një rënie prej 9.7%.

Qumështi i dhisë ishte rreth 8 mijë tonë, me një rënie prej 3.1%. Nga sasia totale e qumështit të grumbulluar, rreth 12 mijë tonë u përdorën për prodhimin e qumështit për konsum njerëzor.

Pjesa më e madhe shkon për përpunim të mëtejshëm.

Struktura e qumështit për konsum ishtem 88.2% qumësht i plotë i përpunuar 7.3% qumësht gjysmë i skremuar 4% qumësht i papërpunuar 0.5% qumësht i skremuar.

Për të njëjtën periudhë, prodhimi i djathit ra me 9.9%, duke arritur në 10.487 tonë. Djathi i prodhuar nga qumështi i lopës ra me 9.9%, ai nga qumështi i deles me 5.9%, dhe ai nga dhia me 16.8%.

Prodhimi i gjalpit arriti në 657 tonë, ku 96.4% është gjalpë tradicional dhe 3.6% gjalpë i shkrirë.

The post Pas blegtorisë, në 2024-n ra edhe prodhimi i qumështit appeared first on Gazeta Si.

28 të arrestuar në Itali, goditet Ndrangheta. Të përfshirë edhe shqiptarë

9 July 2025 at 13:48

Pas hetimeve të kryera nga Prokuroria e Romës, është goditur një organizatë kriminale në Itali, duke çuar në arrestimin e 28 anëtarëve të Ndranghetës.

Të arrestuarit, siç shkruajnë mediat italiane, akuzohen në nivele të ndryshme për organizatë kriminale të destinuar për trafik ndërkombëtar të drogës si dhe për krime të torturës dhe armëmbajtjes.

Në krye të grupit dyshohet të jetë një 57-vjeçar kalabrez, i dënuar më parë si anëtar i Ndranghetës. Ky person u transferua në Romë në fillim të viteve 2000, ku mori kontrollin e zonës San Basilio, duke formuar një organizatë ku përfshihen edhe tre fëmijët e tij, me lidhje të qëndrueshme me një strukturë kriminale shqiptare e cila mbante në dorë logjistikën (nxjerrjen e ngarkesave nga portet e Spanjës dhe Holandës dhe transportin e mëtejshëm), si dhe shpërndarjen e drogës në zona të ndryshme të kryeqytetit.

Sipas hetimeve, kokaina blihej në Amerikën e Jugut dhe vinte përmes kontenierëve në portet e Spanjës, Roterdamit në Holandë dhe Gioia Tauros në Itali, për t’u shitur më pas në tregun e Romës.

Në total, ndaj të hetuarve rëndojnë 80 akuza për trafik droge, ndërsa është sekuestruar mbi 1 ton kokainë e 1,497 kg hashash. Plus këtyre, është dokumentuar edhe një rast torture me metodë mafioze, ndaj katër personave që dyshohet se privuan nga liria një trafikant droge. Torturat janë filmuar me telefon dhe videot janë shpërndarë për të krijuar frikë dhe nënshtrim ndaj kësaj organizate.

Gjithashtu, u zbulua se të arrestuarit përdornin sisteme të avancuara kriptofonike për komunikim operativ, duke shmangur kontrollin policor. Këto pajisje furnizoheshin nga një qendër në Romë, e drejtuar nga një 46-vjeçar shqiptar.

Ky operacion, thonë mediat italiane, konfirmon aleancën e qëndrueshme midis Ndranghetës dhe organizatave kriminale shqiptare, të cilat, përmes rrjetit të tyre në shumë vende europiane dhe më gjerë, sigurojnë kanale alternative furnizimi dhe kontrollojnë portet.

The post 28 të arrestuar në Itali, goditet Ndrangheta. Të përfshirë edhe shqiptarë appeared first on Gazeta Si.

‘Tokë e xanun’, tregtarët protestojnë në Laç: S’na kanë ofruar asnjë zgjidhje

9 July 2025 at 12:09

Nga Gazeta ‘SI’ – Nisma e kryeministrit Edi Rama ka shkaktuar zemërim edhe në qytetin e Laçit, ku shumë tregtarë dolën në protestë para bashkisë.

Atyre iu është kërkuar largimi nga hapësirat ku ushtronin aktivitetin në kuadër të fushatës së “spastrimit” të hapësirave publike.

Qytetarët kërkojnë një zgjidhje nga autoritetet të cilët i kanë lënë pa asnjë opsion për të vazhduar biznesin e tyre.

Për mediat, ata shprehen të revoltuar dhe të prekur, duke e quajtur të padrejtë vendimin.

“Kemi dalë më protestë sepse dje policia bashkiake na tha që duhet të largohemi sepse kemi zënë hapësirat publike. Kam shtatë vite që punoj aty, shes thuajse në trotuar afër urës dhe paguaj 180 mijë lekë qira. Jam pa përkrahje sociale, pa asnjë lloj ndihme ekonomike. Ne mbahemi me shitjet që bëjmë”, shtoi një shitës.

“Kam 16 anëtarë në familje, gruan e kam sëmurë. Bashkia nuk na ka ofruar asnjë zgjidhje. Ku do të shkojmë ne, asnjë lloj të ardhure nuk kemi”, tha një shitës ambulant.

Nga ana tjetër, Bashkia Kurbin, sqaroi se këta tregtarë nuk janë të formalizuar dhe kanë zaptuar hapësira publike, zone ku pritet të nisë investimi për rehabilitimin e përroit të qytetit. Si zgjidhje bashkia ka në plan ndërtimin e një tregu të ri, por pa dhënë një afat kur mund të nisë investimi.

The post ‘Tokë e xanun’, tregtarët protestojnë në Laç: S’na kanë ofruar asnjë zgjidhje appeared first on Gazeta Si.

Zaptimi i hapësirave publike, Rama: Reformë për territorin, ujin, mbetjet, naftën dhe spitalet!

9 July 2025 at 11:50

Nga Gazeta ‘SI’ – Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish ndaj fenomenit të zaptimit të hapësirave publike dhe dhënies së lejeve me shkelje, duke njoftuar reformë të re ligjore për kontrollin e territorit.

Në një postim në “X”, Rama thotë se “toleranca ndaj tokave të zëna në kurriz të komunitetit apo lejeve me shkelje në kurriz të qytetit, që janë pranuar nga qeverisja vendore si bashkëudhëtare të jetës urbane do të marrë fund”.

Paralelisht kryeministri paralajmëron dhe reforma të tjera si për ujin, mbetjet, naftën dhe shërbimit spitalor.

“Toleranca ndaj tokave të xanuna në kurriz të komunitetit apo lejeve me shkelje në kurriz të qytetit, që janë pranuar nga qeverisja vendore si bashkëudhëtare të jetës urbane, ndërkohë që inspektoriatet e mbrojtjes së territorit dhe policitë bashkiake janë bërë në të shumtën e rasteve pjesë e problemit, do të adresohet rrënjësisht me një reformë të re ligjore të kontrollit e të zhvillimit të territorit, për të cilën kemi nisur nga puna paralelisht me disa reforma të reja të shërbimit me ujë të pishëm, të sistemit të pastrimit e të përpunimit të mbetjeve, të furnizimit të popullit me naftë e me barna, si edhe të shërbimit spitalor, që do të jenë piketat e hyrjes në rrugën e mandatit tonë të katërt për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian”, shkruan Rama.

The post Zaptimi i hapësirave publike, Rama: Reformë për territorin, ujin, mbetjet, naftën dhe spitalet! appeared first on Gazeta Si.

Çmimet e bakrit prekin nivele rekord pas tarifave të Donald Trump

9 July 2025 at 10:38

Çmimet e bakrit kanë prekur një rekord të pasi Donald Trump tha se do ta taksonte atë me 50%.

“Sot e ka radhën bakri”, tha Trump para një takimi me kabinetin e tij.

Vendimi hapi një front të ri në luftën tregtare të presidentit amerikan, i cili njoftoi më shumë se 12 shtete se nga 1 gushti do të përballen me tarifa të reja. Ai tha se do të njoftojë edhe 7 vende të tjera. Spektri i tarifave më të larta të bakrit shkaktoi një nxitim për të bllokuar furnizimet dhe çmimet për metalin, i cili përdoret gjerësisht në elektronikë, ndërtim dhe pajisje industriale.

Hoëard Lutnick, sekretari i tregtisë, tha në një intervistë se ai priste që tarifat e bakrit të viheshin në fuqi në fund të këtij muaji ose në fillim të gushtit.

Sipas të dhënave të FactSet, kontratat e së ardhmes së bakrit të tregtuara në Nju Jork u rritën me 13% në 5.69 dollarë për paund, duke shënuar një mbyllje të lartë të të gjitha kohërave dhe kërcimin më të madh në rekordet që shtrihen deri në vitin 1969.

Aksionet e minierës amerikane të bakrit Freeport-McMoRan u rritën pothuajse 3%.

“Pritja jonë është konfirmimi zyrtar i një norme prej 50% brenda javësh dhe zbatimi brenda 30 ditëve,” thanë analistët e Citi.

“Ne mendojmë se ky është një moment vendimtar për tregun e bakrit në vitin 2025 pasi zbatimi i menjëhershëm i tarifave të flamurit duhet të mbyllë papritur dritaren për dërgesat e mëtejshme të rëndësishme të bakrit në SHBA – ndoshta për pjesën tjetër të vitit 2025”, shtuan ata.

Çmimet në Nju Jork panë nëj rritje “të paprecedentë” prej 25% mbi kontratat e së ardhmes në Bursën e Metaleve të Londrës, tha Daniel Hynes, një strateg i lartë i mallrave në ANZ.

Kili është deri tani furnizuesi më i madh i bakrit të rafinuar në SHBA, duke llogaritur rreth 70% të importeve e ndjekur nga Kanadaja dhe Peruja./FinancialTimes

The post Çmimet e bakrit prekin nivele rekord pas tarifave të Donald Trump appeared first on Gazeta Si.

KE e shqetësuar për lirinë e medias në Shqipëri: AMA, e ndikuar politikisht. 42 incidente me gazetarë në një vit

9 July 2025 at 10:23

Nga Gazeta ‘SI’ –Komisioni Europian ka publikuar raportin “Sundimi i Ligjit” për Shqipërinë, ku prek dhe problemin e tregut mediatik.

KE shpreh shqetësim për pavarësinë e AMA-s, Autoriteti Rregullator të Medias Audio-Vizual, për shkak të formulës dypartiake për zgjedhjen e anëtarëve të bordit dhe përkatësisë së tyre politike. Kjo ka hapësirë për të pasur ndikim politik në institucion dhe ka lejuar të mso zbatohet kodi i Transmetimit në mediat që shfaqin kryesisht përmbajtje politike e regjistruar paraprakisht nga qeveria ose partitë politike.

Shqetësimet në lidhje me pavarësinë e transmetuesit publik janë rritur, ku përmenden dhe parregullsitë procedurale në procesin e zgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm të ri në janar 2025. Sipas raportit këto parregullsi dëmtuan më tej parimet e përzgjedhjes bazuar në meritë dhe pavarësisë së RTSH. 

Në raport thuhet se përqendrimi i lartë i pronësisë së medias vazhdon të ndikojë negativisht në pavarësinë e medias, ku thuhet më tej se depërtimi në tregun mediatik nga grupe biznesi të profilit të lartë me lidhje politike mbetet gjithashtu një shqetësim serioz.

“Mangësitë në aspektin e ndarjes së drejtë të reklamave shtetërore dhe burimeve të tjera shtetërore, si dhe të drejtës për akses në informacion mbeten. Sulmet verbale dhe fizike, fushatat e shpifjes dhe paditë strategjike kundër pjesëmarrjes publike që synojnë gazetarët janë një shkak i vazhdueshëm shqetësimi dhe vetërregullimi mbetet i dobët”, thuhet ndër të tjera.

Platforma e Këshillit të Europës për të promovuar mbrojtjen e gazetarisë dhe sigurinë e gazetarëve ka publikuar pesë alarme që nga korriku 2024, në lidhje me kërcënime, një fushatë shpifjesh dhe sulme fizike që synojnë gazetarët dhe ndjekjen penale të gazetarëve. Projekti i Reagimit të Shpejtë për Lirinë e Medias raporton 42 alarme që nga korriku 2024, të përbërë nga 8 ‘sulme fizike’, 32 ‘sulme verbale’, 1 ‘sulm ndaj pronës’, 3 ‘incidente ligjore’ dhe 12 ‘ndërhyrje. Siguria e kufizuar në punë dhe kushtet e këqija të punës për gazetarët, të kombinuara me vetëcensurë, presionin nga aktorët politikë dhe pronarët e mediave, vazhdojnë të paraqesin sfida serioze për median. Për këto arsye, MPM 2025 e rriti më tej treguesin e rrezikut në zonë në rrezik të mesëm deri të lartë.

KE përmend edhe kufizimin e aksesit në informacion. Autoritetet publike vazhdojnë praktikën e mbajtjes së informacionit bazuar në referenca të përgjithshme për “interesin publik”, i cili ende nuk është përcaktuar qartë, duke u dhënë kështu institucioneve publike diskrecion të konsiderueshëm për të kufizuar ose mohuar ligjërisht aksesin në informacion, bazuar në vëllimin e madh të kërkesave për informacion, çështjet e të drejtave të autorit dhe klauzolat e konfidencialitetit në kontratat publike. Kjo i prek gazetarët në një mënyrë disproporcionale, pasi ata paraqesin shumicën e kërkesave për informacion.

The post KE e shqetësuar për lirinë e medias në Shqipëri: AMA, e ndikuar politikisht. 42 incidente me gazetarë në një vit appeared first on Gazeta Si.

Balluku: Shqipëria, e para për energjinë e rinovueshme. Fokus në uljen e çmimeve

8 July 2025 at 14:31

Nga Gazeta ‘SI’ – Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku në prezantimin e raportit të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik Mpër sektorin energjetik është shprehur se janë rritur kapacitetet nga burimet e rinovueshme, referuar parqeve fotovoltaike.

Po ashtu, Shqipëria është renditur e para për qëndrueshmërinë energjetike nga Forumi Ekonomik Botëror, duke lënë pas vende të zhvilluara si Suedia, Zvicra dhe Franca.

Balluku ndër të tjera theksoi se raporti konfirmon se Shqipëria ka qenë ndër vendet që ka ofruar mbështejen më të lartë direkte fiskale për sektorin energjetik.

“Do ndalem në çështjen thelbësore që ka të bëjë me mbështetjen që qeveria shqiptare i ka dhënë sektorit energjetik. Raporti konfirmon se Shqipëria ka qenë ndër vendet që ka ofruar mbështejen më të lartë direkte fiskale për sektorin energjetik. Kjo mbështetje nuk ka qenë thjesht një numër në tabelë, por një mburojë për cdo familje shqiptare. Do të vazhdojë në këtë rrugë që ka nisur për të bërë më të mirën për të krijuar qëndrueshmëri energjetike, jo vetëm për vendin tonë, por edhe për rajonin. Por pa lënë për asnjë moment pas dore fokusin që kemi ndaj qytetarëve shqiptarë dhe ekonomisë shqiptare për të dhënë çmime sa më të ulta dhe për të incentivuar programe dhe edukim sa i përket eficiencës së energjisë“, theksoi Balluku.

Ndër të tjera, në fjalën e saj Balluku u ndal edhe tek kriza e çmimeve pas luftës në Ukrainë, ku përmendi ndërhyrjen e qeverisë për mosrritjen e çmimit të energjisë elektrike.

“Gjatë krizës energjetike botërore në filim të viti 2022 tregjet e energjisë u përballën me çmime të pahasura më parë dhe të gjitha qeveritë kanë qenë të papërgatitura dhe për këtë arsye në vitin 2022 unë dua t’ju jam vetëm disa shifra për të kuptuar se si ka qenë situata në të vërtetë. KESH përfitoi nga qeveria shqiptare një injektim kapital prej 168 milionë euro për të garantuar që tarifa për energjinë elektrike të mos ndryshonte.

Pavarësisht një rritje në treg unë kam një datë që e përsëris gjithmonë 31 gushti kur çmimi kaloi 1000 euro. Sipas vlerësimit në raport për të mbyllur hendekun tarifat e rregulluara për familjarin do duhej të rriteshin me 29% në rast të një skenari konservator ose me 114% në rastin e një skenari maksimal. Në rast se qeveria shqiptare nuk do të ndërhynte për të ndryshuar këtë abonenti duhet të paguante minimalisht 29% më shumë nmë afturën e tij ose maksimalisht 114%, diçka e papranueshme për politikën e qeverisë shqiptare”, tha Balluku.

Gjithashtu Balluku theksoi gjithashtu se përmes investimeve në energjinë e rinovueshme, sidomos në parqe fotovoltaike, Shqipëria po rrit kapacitetet e prodhimit dhe po synon një model të qëndrueshëm energjetik.

The post Balluku: Shqipëria, e para për energjinë e rinovueshme. Fokus në uljen e çmimeve appeared first on Gazeta Si.

Sejko pret ambasadorin Ventura: Zgjerim i bashkëpunimit financiar me Spanjën

7 July 2025 at 20:41

Nga Gazeta ‘SI’ – Në një takim me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, ambasadori i ri i Spanjës, Gabriel Cremades Ventura shprehu mbështetjen ndaj vendit tonë, në procesin e integrimit në BE.

Guvernatori Gent Sejko i prezantoi Ambasadorit panoramën ekonomike të vendit, duke u shprehur se ekonomia shqiptare dhe treguesit kryesorë të stabilitetit ekonomik, monetar e financiar të saj janë në një trend pozitiv zhvillimi.

“Zhvillimet ekonomike dhe financiare në vend kanë qenë pozitive gjatë vitit 2025. Aktiviteti ekonomik është rritur, inflacioni është stabilizuar në nivele të ulëta, tregjet financiare kanë qenë të qeta me kushte financimi akomoduese. Gjithashtu parashikimet për zhvillimet ekonomike në të ardhmen mbeten pozitive,”- u shpreh Guvernatori.

Ambasadori theksoi rëndësinë e zbatimit të reformave ekonomike e strukturore, të cilat do të kontribuojnë në rritjen e bashkëpunimit ekonomik me Spanjën si partner strategjik, në fushën e marrëdhënieve tregtare dhe në rritjen e investimeve të huaja në Shqipëri. Ai theksoi se nëpërmjet politikës së saj monetare, Banka e Shqipërisë ka krijuar kushte të përshtatshme për kthimin e qëndrueshëm dhe në kohë të inflacionit në objektiv, duke siguruar njëkohësisht një ambient financiar të shëndetshëm e kreditim të bollshëm.

Në përfundim, Guvernatori dhe Ambasadori ndanë të njëjtin mendim mbi vullnetin e tyre për të zhvilluar më tej bashkëpunimin midis Bankës së Shqipërisë dhe Bankës së Spanjës, kryesisht në fushën e sistemit financiar.

The post Sejko pret ambasadorin Ventura: Zgjerim i bashkëpunimit financiar me Spanjën appeared first on Gazeta Si.

❌
❌