Nga Gazeta “SI”– Në 105-vjetorin e themelimit të saj, (10 korrik 1920) Biblioteka Kombëtare vazhdon të mbetet një “bunker” për lexuesin shqiptar.
E djegur në vitin 2017 dhe e përmbytur një vit më pas, Biblioteka Kombëtare sot nuk e ka më funksionin tradicional për të cilin është krijuar: shërbimin e librit te lexuesi. Shtoji kësaj edhe problemet e funksionimit dhe hapësirës, e cila prej kohësh është kthyer në një çështje për vetë Bibliotekën, por edhe për institucionet dhe dashamirësit e librit. Imazhet e librave të ruajtura në kuti bananesh mbeten ende një dëshmi sesi Biblioteka Kombëtare, ende edhe sot pas 105 vitesh, mbetet në një gjendje thuajse të mjerueshme.
Problematika që pritet të marrë fund me miratimin dhe ndërtimin e godinës së re, e cila ndoshta më në fund do t’ua rikthejë qytetarëve dhe lexuesve hapësirat dhe shërbimet kaq të nevojshme për një shoqëri, kontaktin me librin dhe kulturën e një kombi, dhe jo vetëm.
Historiku i Bibliotekës Kombëtare
Edhe pse institucionet bibliotekare në shtetin shqiptar janë relativisht të reja, tradita bibliotekare ndër shqiptarë është shumë më e hershme. Dokumente dhe burime të ndryshme historike dëshmojnë për ekzistencën e bibliotekave pranë kancelarive të princërve shqiptarë gjatë Mesjetës, ku funksiononin zyrtarë në tri gjuhët kulturore të kohës: latinisht, greqisht dhe sllavonisht. Falë pozicionit gjeohistorik, shqiptarët ndodheshin në një nyje komunikimi mes Lindjes dhe Perëndimit, duke pasur qasje si ndaj librarive të Kostandinopojës, ashtu edhe ndaj kulturës europiane.
Pushtimi osman solli një ndërprerje të ashpër të këtyre zhvillimeve, por jo shuarje të plotë. Tradita vijoi, sidomos në bibliotekat e familjeve të mëdha, pashallarëve dhe bejlerëve, por edhe në ato të institucioneve fetare: kuvende françeskane e jezuitë, manastire ortodokse, medrese, teqe etj.
10 korriku 1920 shënon themelimin zyrtar të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë si institucioni i parë shtetëror, publik dhe laik i këtij lloji. Bërthama e saj u formua nga fondi i “Komisisë Letrare Shqipe”, një bashkëpunim shqiptaro-austriak me qendër në Shkodër, themeluar në vitin 1917 në kushtet e Luftës së Parë Botërore. Ky fond u transferua në Ministrinë e Arsimit në Tiranë më 1920 dhe më pas u pasurua me mbështetje institucionale.
Në përurimin zyrtar të vitit 1922, Biblioteka Kombëtare numëronte rreth 6.000 vëllime. Gjatë viteve të Mbretërisë Shqiptare (1928–1937), nën drejtimin e atdhetarit dhe albanologut Sotir Kolea, institucioni njohu zhvillime të rëndësishme.
Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, fondi i saj ishte rritur në 15.000 vëllime. Në vitin 1947, pas konfiskimit të disa bibliotekave private të personaliteteve të njohura kulturore, koleksioni u zgjerua në rreth 100.000 vëllime. Ngjarje me rëndësi ishte nxjerrja e dekretit të 31 majit 1948, që detyronte çdo botues në Shqipëri t’i dërgonte Bibliotekës Kombëtare disa kopje të çdo botimi të shtypur në vend. Ky ligj e konsolidoi BKSh-në si qendër arkivore dhe bibliografike e botimeve shqiptare.
Nga viti 1959, Biblioteka Kombëtare kaloi nën vartësinë e Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës. Në vitin 1966 u zhvendos në një pjesë të ndërtesës së Pallatit të Kulturës në Tiranë, ku ndodhet edhe sot.
Me ndryshimet demokratike të viteve ’90, BKSh ndryshoi modelin institucional dhe qasjen ndaj informacionit. Nga një institucion me kufizime tipike të vendeve të ish-Bllokut Lindor, ajo u hap ndaj modelit perëndimor të lirisë së aksesit dhe shërbimit të barabartë për të gjithë përdoruesit.
Sot, në 105-vjetorin e saj, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, edhe pse me shërbime dhe funksion të cunguar, mbetet një urë mes të shkuarës kulturore dhe dijes së së ardhmes.
The post 105 vjet Bibliotekë Kombëtare appeared first on Gazeta Si.