Ditën e hënë nga Moska erdhi një lajm tronditës. Roman Starovoit, ministri i saposhkarkuar i transportit të Putinit, kishte vrarë veten. Gjithkush që di diçka për Rusinë, se si politikanët rusë dhe vdekja kanë jo rrallë një fat të lidhur, nuk do të habitej për ngjarjen. Prandaj pikëpyetjet vluan menjëherë. BBC shkroi për ngjarjen, duke u përpjekur të hedhë dritë mbi simbolikën që ka kjo vetëvrasje e njeriut të kabinetit të Putin.
“Ishte një fillim dramatik jave në Rusi. Të hënën në mëngjes, presidenti Vladimir Putin shkarkoi ministrin e tij të transportit, Roman Starovoit. Pasdite Starovoit vdiq. Trupi i tij u zbulua në një park në periferi të Moskës me një plagë arme zjarri në kokë. Një pistoletë, thuhet, pranë trupit.
Hetuesit thanë se supozonin që ish-ministri kishte marrë jetën e vet.
Në tabloidin Moskovsky Komsomolets kishte një ndjesi tronditjeje.
“Vetëvrasja e Roman Starovoit vetëm orë pas urdhrit të presidentit për ta shkarkuar është një rast pothuajse unik në historinë ruse,” deklaroi gazeta.
Kjo sepse duhet të kthehesh më shumë se tridhjetë vjet pas, përpara rënies së Bashkimit Sovjetik, për një shembull të një ministri qeveritar këtu që vetëvritet” – analizon televizioni publik britanik.
BBC kujton vetëm një rast të ngjashëm në historinë moderne të Rusisë.
“Në gusht të vitit 1991, pas dështimit të grushtit të shtetit nga linjat e ashpra komuniste, një nga organizatorët kryesorë të grushtit, ministri i brendshëm sovjetik Boris Pugo, qëlloi veten.”
BBC thekson se Kremlini nuk ka komentuar gjatë për vdekjen e ministrit Stavoroit, duke sjellë një përgjigje që zëdhënësi Dimitri Peskov i ktheu transmetuesit publik britanik.
“Njerëzit normalë nuk mund të mos tronditen nga kjo. Sigurisht, edhe ne u tronditëm.
Hetimi është ai që duhet të japë përgjigje për të gjitha pyetjet. Derisa ai të vazhdojë, mund të bëhen vetëm spekulime. Por kjo është më tepër për median dhe analistët politikë. Jo për ne.” – citon BBC-Peskovin.
Shkrimi vazhdon me një vështrim mbi reagimin e mediave ruse për ngjarjen. Sigurisht, Ukraina është elefanti në dhomë.
“Shtypi rus ka qenë, vërtet, plot me spekulime. Sot disa gazeta ruse e lidhën atë që ndodhi me Roman Starovoit me ngjarjet në rajonin e Kurskut që kufizohet me Ukrainën. Para se të emërohej ministër transporti në maj të vitit 2024, Starovoit kishte qenë guvernatori rajonal i Kurskut për më shumë se pesë vjet.
Nën drejtimin e tij, dhe me shuma të mëdha parash nga qeveria, guvernatori Starovoit kishte nisur ndërtimin e fortifikimeve mbrojtëse përgjatë kufirit.
Këto nuk ishin aq të forta sa për të ndaluar trupat ukrainase të depërtonin dhe të kapnin territor në rajonin e Kurskut vitin e kaluar.
Që prej asaj kohe, pasardhësi i Starovoit si guvernator, Alexei Smirnov, dhe zëvendësi i tij i mëparshëm Alexei Dedov janë arrestuar dhe akuzuar për mashtrim në shkallë të gjerë në lidhje me ndërtimin e fortifikimeve” – shkruan BBC.
Spekulimi vazhdon: Stavoroit mund të ketë qenë i dyshuari numër një.
“Zoti Starovoit mund të ishte bërë një nga të pandehurit kryesorë në këtë rast,” sugjeroi sot botimi i përditshëm i biznesit Kommersant.
Autoritetet ruse nuk e kanë konfirmuar këtë” – vëren BBC.
Pasi vëren sjelljen e shtypit rus për vdekjen e ministrit, gjiganti britanik hedh një hap përtej raportimit dhe merr përsipër të interpretojë ngjarjen.
Lexo më tej: Profil/ Historia e panjohur e Alexei Navalny, armikut të vdekur të Putin
BBC ngre pyetjen: Por nëse ishte frika nga ndjekja penale ajo që e shtyu një ish-ministër të merrte jetën e vet, çfarë na tregon kjo për Rusinë e sotme?
Nina Krusheva, profesore e Marrëdhënieve Ndërkombëtare në New York e ka një shpjegim.
“Pjesa më dramatike e kësaj, me gjithë ri-Stalinizimin që ka ndodhur në Rusi vitet e fundit, është që një zyrtar i lartë qeveritar [vret veten] sepse nuk ka asnjë mënyrë tjetër për të dalë nga sistemi” – citon BBC-Krushevën.
“Ai duhet të ketë pasur frikë se do të merrte dhjetëra vite burg nëse do të ishte nën hetim, dhe se familja e tij do të vuante jashtëzakonisht. Prandaj, nuk kishte rrugëdalje.
Mendova menjëherë për Sergo Ordzhonikidze, një nga ministrat e Stalinit, i cili [vrau veten] në vitin 1937 sepse ndjeu se nuk kishte zgjidhje tjetër. Kur fillon të mendosh për vitin 1937 në ambientin e sotëm, kjo të trondit” – përmbyll profesoresha.
Sipas transmetuesit britanik, ngjarja në televizionin publik rus ka kaluar pothuajse në heshtje. Dhe ka një arsye pse gazetat gëzojnë tjetër liri spekulimi.
“Vdekja e Roman Starovoit mund të ketë bërë tituj në gazetat këtu. Por ky “rast pothuajse unik në historinë ruse” ka marrë mbulim minimal në televizionin shtetëror.
Ndoshta kjo sepse Kremlini e njeh fuqinë e televizionit për të formësuar opinionin publik.
Në Rusi, televizioni është më me ndikim se gazetat. Kështu që, kur bëhet fjalë për televizionin, autoritetet priren të jenë më të kujdesshme dhe të kontrolluara me mesazhet” – analizon transmetuesi britanik.
BBC sjell shembuj të kësaj heshtje, por që bërtasin shumë.
“Buletini kryesor i lajmeve të mbrëmjes të së hënës në kanalin Russia-1 përfshiu një raport katër minutësh për emërimin nga Putini të një ministri të ri të përkohshëm të transportit, Andrei Nikitin.
Nuk u përmend fare që ministri i mëparshëm i transportit ishte shkarkuar. Apo që ai ishte gjetur i vdekur.
Vetëm dyzet minuta më vonë, drejt fundit të buletinit të lajmeve, folësi përmendi shkurtimisht vdekjen e Roman Starovoit.
Lajmësi i kushtoi gjithë 18 sekonda kësaj ngjarjeje, që do të thotë se shumica e rusëve ndoshta nuk do ta shohin këtë ngjarje dramatike të së hënës si një zhvillim të rëndësishëm.”
E dinë apo jo masat ruse, kjo ka pa rëndësi. Sipas BBC-së, këtë lajm e dinë mirë elitat ruse dhe në mënyrë të padiskutueshme, mesazhi është për to.
“Për elitën politike, është një histori tjetër. Për ministra, guvernatorë dhe zyrtarë të tjerë rusë që kanë kërkuar të bëhen pjesë e sistemit politik, ajo që ndodhi me Starovoit do të shërbejë si paralajmërim.
“Në dallim nga më parë, kur mund të merrje këto punë, të pasuroheshe, të ngriheshe nga niveli rajonal në atë federal, sot, kjo qartazi nuk është një rrugë karriere nëse do të mbetesh gjallë,” thotë Nina Krusheva teksa shton se jo vetëm që nuk ka më ngjitje në karrierë, “por edhe zbritja përfundon me vdekje.”
Është një kujtesë për rreziqet që burojnë nga të rënit ndesh me sistemin.” – përmbyll BBC.
Përgatiti ©LAPSI.AL
The post Vdekja e ministrit, një paralajmërim i kobshëm për elitën e Rusisë appeared first on Lapsi.al.