âNxehenâ kursimet nĂ« lekĂ« dhe nĂ« valutĂ« nĂ« korrik, rreth 240 mln euro mĂ« shumĂ« nĂ« banka
Muaji i nxehtë i korrikut ka qenë pozitiv për kursimtarët si në lekë ashtu dhe në valutë. Në korrik, kursimet në total, duke konvertuar monedhën vendase në euro, janë rritur me rreth 240 milionë euro (10.5 miliardë lekë dhe 141 milionë euro).
Statistikat e Bankës së Shqipërisë bënë të ditur, se stoku i kursimeve në lekë në fund të muajit korrik ishte 665.7 miliardë lekë, me një rritje prej 1.6%, ose rreth 10.5 miliardë lekë më shumë në krahasim me muajin e mëparshëm, duke shënuar rritjen më të fortë që nga janari.
Ky është muaji i dytë radhazi me shtim të fortë të kursimeve në lekë.
Në ecurinë e korrikut ka ndikuar rritja e depozitave të korporatave financiare, që janë zgjeruar me 3.5 miliardë lekë, ose 3.6% më shumë. Edhe kursimet e rezidentëve kanë vijuar tendencën rritëse, duke u shtuar me 4.4 miliardë lekë, ose 1.8%.
Me bazë vjetore (korrik 2025/korrik 2024), depozitat në monedhën vendase janë rritur me 11.8%, ose gati 70.5 miliardë lekë më shumë.
Në korrik, një periudhë sezonale, kur ka si prurje nga emigrantët ashtu dhe të ardhura nga turizmi është rikthyer rritja e depozitave në valutë, pas ngadalësimit të qershorit.
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, stoku i depozitave në monedhën e përbashkët ishte 8.26 miliardë euro në fund të muajt korrik, me një rritje prej 141 milionë eurosh, ose 1.7% më shumë. Kjo është shtesa më e madhe mujore që nga gushti 2023.
Rritja është ndikuar si nga korporatat private e publike, ashtu dhe individët.
Me bazë vjetore (korrik 2025/korrik 2024), depozitat në monedhën e përbashkët janë rritur me 8.3%, ose 635 milionë euro më shumë.
Banka e Shqipërisë e raporton totalin e kursimeve (lekë plus valutë) të konvertuara në lekë. Në fund të korrikut, stoku total i depozitave ishte 1.4 trilionë lekë, me një rritje me bazë vjetore prej 93 miliardë lekësh, ose 7% më shumë.
Stabilizimi i euros ka ulur ndikimin që rënia e kësaj të fundit dha në tkurrjen e kursimeve në valutë në momentin që ato raportohen në euro.
Të matura sipas monedhave përkatëse, në një vit depozitat në lekë janë rritur me 70 miliardë lekë (rreth 700 mln euro) dhe ato në euro me 635 milionë euro, me një total prej 1.35 miliardë euro që janë shtuar në sistem për një vit.
The post âNxehenâ kursimet nĂ« lekĂ« dhe nĂ« valutĂ« nĂ« korrik, rreth 240 mln euro mĂ« shumĂ« nĂ« banka appeared first on Revista Monitor.