Sukses i rrallë/ 75 vjeçari i shpëtohet jeta në Spitalin Memorial të Fierit
Pësoi goditje në tru, Pandeli Gjika është pacienti i parë në vend, që kreu ndërhyrjen e veçantë në kokë.
75 vjeçari, 6 muaj më herët pësoi ishemi cerebrale, për të cilën iu nënshtrua edhe ndërhyrjes kirurgjikale në tru. Si fillim mjekët ndërhynë në qetësimin e trurit, në mënyrë që të ulej edema e enjtur, dhe më pas në rivendosjen e kafkës së munguar gjatë kohës së rikuperimit. Kohë që zgjati plotë 6 muaj.
“Kranoplastika është një ndër procedurat më të rëndësishme tek këta pacientë që pësojn goditje në tru. Sepse pacienti kur bie në gjendjet e para të strokut, ndonjëherë kemi edhe rëndime të pacientit siç mund të ndodh edhe edema malinje të trurit. Për këto rëndime na duhet të bëjm edhe dekompresimin, të relaksojm trurin, në mënyrë që të ulim edemën. Pacienti jonë, është pacienti më me fat, sepse ndërhyrja është kryer shpejt, brenda dy ditëve. Pas 6 muajve, kemi bërë rivendosjen e kafkës, kranoplastikë”, Hasan Bayindir.
Mjekja neurologe, Arlinda Abazaj tregon shenjat me të cilat u paraqit pacienti, nga humbja e vetëdijes, tek paraliza e anës së majtë.
“Pandeli Gjika, i cili ka ardhur urgjencë me shenjat e para të sëmundjes të filluara prej 48 orësh në shtëpi. Vështirësi në të folur, përgjumje”.
Kjo është ndërhyrja e parë e realizuar me sukses në vendin tonë, dhe kjo falë bashkëpunimit të stafit mjekësor turko shqiptarë në spitalin Memorial të Fierit.
Sipas mjekëve që realizuan ndërhyrjen, pacienti 75 vjeçarë tashmë gëzon shëndet të plotë.
Mjekët theksojn se tek keto nderhyrje neurologjike kraniektomia dekompresive është shumë e rëndësishme që të realizohet në kohën e duhur, pasi çdo vonesë mund të rrezikoj jetën e pacientit.
Kranioplastika është një procedurë e specializuar neurokirurgjikale që aplikohet në raste dëmtimesh traumatike, defekte kongjenitale apo ndërhyrjesh të mëparshme kirurgjikale në tru.
Kjo teknikë ndihmon jo vetëm në rikuperimin estetik dhe funksional të kafkës, por edhe në mbrojtjen e trurit nga dëmtime të mëtejshme./kb