Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 21 August 2025Main stream

Zegjineja i nxjerr bojën Gaz Bardhit: Le nam, nuk njeh as komisionerët e PD

By: Fax Web
20 August 2025 at 22:04

Deputetja e zgjedhur e Partisë Socialiste, Zegjine Çaushi i është përgjigjur sërish kreut të grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, duke e akuzuar se nuk njeh anetarët e PD. Këtë here në postimin e saj, deputetja e re i referohet një prej publikimeve të bëra nga Bardhi në rrjetet sociale, ku ky i fundit pretendon për deformim të procesit zgjedhor nga ana e socialistëve në një prej qendrave të votimit në qarkun e Fierit.

Çaushi e nis reagimin e saj drejtuar Bardhit, duke i thënë se po vijon të ‘gabojë e të turpërohet’, ndërsa i vjen në ndihmë duke ‘identifikuar’, ata që shfaqen në videon e publikuar nga kreu i grupit parlamentar demokrat.

“O gazo, po s’ka nevojë ta marrë vesh çdo ditë e gjithë dynjaja që ti nuk njohe kurrë komisionerët e PD-së në qarkun e Fierit, e jo më votuesit. Po s’ka nevojë o xhan ta marrë vesh i madh e i vogël që ti dhe qarku i Fierit nuk keni asnjë lidhje”, shpreh Çaushi në rrjetet sociale.

Më tej, deputetja e zgjedhur e PS thotë se personat në video janë sekretari dhe një anëtar i komisionit, të dy përfaqësues të Partisë Demokratike. “Dole tani me një video që ty të paskan vjedhur votën në Tërbuf. Po mirë, pyet një herë, para se të nxjerrësh nga këto perlat që nxjerr, pyet një herë si turist kalimtar që ishe, kush janë këta që po tundin kutinë. Ja ta them unë, e ta marrin vesh të gjithë Gazo që ti vetëm drejtues politik nuk je. I pari është Behar Gjoshi, sekrtari i komisionit për Partinë Demokratike dhe i dyti, Denis Murrizi, anëtar komisioni për PD-në”, vijon Çaushi.

Deputetja e qarkut Fier e mbyll reagimin e saj me një sugjerim, jo pa ironi, drejtuar Gazment Bardhit. “Po le nam o Gazo, le nam. Del denoncon komisionerët që as nuk i njeh. Thuaj Bababufit të të çojë në Kavajë, më dëgjo mua. Ndoshta atje i njeh. Mirëupafshim deri në gafën e radhës”, përfundon Çaushi.

Yesterday — 20 August 2025Main stream

Durrës, familjarët e gjetën pa jetë në banesë, dyshohet se 45-vjeçari është vetëvarur

By: Fax Web
20 August 2025 at 21:53

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në qytetin e Durrësit ku një person rreth 45 vjeç dyshohet se është vetëvarur në banesën e tij.

Kanë qenë vetë familjarët ata që kanë lajmëruar policinë, e cila ka konstatuar aktin e vetëvrasjes. Ende nuk dihen shkaqet që e sollën 45 vjeçarin drejt këtij vendimi.

Njoftimi i policisë:

Rreth orës 19:00, në lagjen nr.17 në Durrës, në banesë është gjetur nga familjarët, dyshohet i vetëvarur, shtetasi A. P, rreth 45 vjeç.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

‘Po më arrestojnë’, zhduket ish-zv/drejtori i AKSHI-t Daniel Shima! Familjarët bëjnë kallëzim në polici

By: Fax Web
20 August 2025 at 19:05

Ish-zv drejtori i Përgjithshëm i AKSHI-t, Daniel Shima, rezulton i zhdukur prej mesditës së sotme në Tiranë.

Familjarët janë paraqitur në Komisariatin nr. 1 mbi dyshimet se mund të jetë arrestuar, pasi në një komunikim me një njeri të afërt, jo familjar, është shprehur se po e arrestonin. Por nga verifikimet ka rezultuar se nuk ka asnjë arrest të tij.

Në këtu kushte kanë bërë kallëzim për zhdukje. Nuk përjashtohet mundësia që ngjarja të jetë e inskenuar, por edhe një pengmarrje e mundshme.

 

Denoncimi është vlerësuar në maksimum nga policia, janë kryer disa kontrolle deri tani, por nuk është gjetur. Po punohet me kontaktet dhe lëvizjet e tij të ditëve të fundit.

 

‘Çliroi’ pallatin pa leje në mes të Tiranës, Rama: As 10 minuta s’iu deshën gjyqtarit Balliu për vendimin, kur materialet duan më tepër se 9 minuta që të lexohen!

By: Fax Web
20 August 2025 at 18:48

Kryeministri Edi Rama ka reaguar përsëri për çështjen e lirimit nga konfiskimi të një pallati pa leje, që do shërbente për zyrat e reja të Kadastrës në Tiranë.

Ai shprehet se gjyqtari Hazbi Balliu, për të cilin ka rëndësi vetëm fakti që te zyrat e vjetra të ASHK-it nuk ka pasur viktima deri tani, i janë dashur më pak se 10 minuta për ta marrë vendimin në favor të palës paditëse që i ishte konfiskuar.

Madje duke bërë analizë logjike, kryeministri shpjegon se ndërkohë materialet që iu vunë në dispozicion për shqyrtim magjistratit, kërkonin më shumë se 9 minuta kohë nga ajo që ka zgjatur seanca sipas regjistrimit zyrtar në sistemin e Gjykatës.

“As 10 minuta nuk i janë dashur gjykatësit Balliu që t’i dalë kundër shtetit dhe të marrë anën e paditësve që kanë bërë një pallat të tërë pa leje, i cili u konfiskua si i tillë e iu dha Agjencisë Shtetërore të Kadastrës. Materialet që institucionet i vunë në dispozicion Balliut duan shumë më tepër se 9 minuta të lexohen, por natyrisht që gjykatësi as nuk i ka lexuar sepse i ka mjaftuar fakti që në godinën e vjetër të ASHK, e cila është bërë e pasigurtë nga tërmeti, nuk ka pasur asnjë viktimë dhe kësisoj puna sipas tij mund të vazhdonte nën tavanët që binin, ndërsa pallatin pa leje shohim e bëjmë…”, shkruan kreu i qeverisë në një reagim të dit në rrjetin social facevook, ditën e sotme.

Ai e shoqëron postimin edhe me një foto të regjistrimit të të dhënave të seancës, ku bie në sy nisja e saj më 31 korrik 2025, në orën 14:30 dhe mbyllet në 14:39 e sigluar në kompjuterin e institucionit të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës nuk do të vendoset në godinën e një pallati pa leje të konfiskuar nga qeveria, pasi gjyqtari e quajti këtë zhvendosje jo të domosdoshme, sipas Ramës. Arsyetimi i vendimit të gjyqtarit Hazbi Balliu është publikuar nga kryeministri ditën e djeshme, teksa bëri thirrje që qeveria e gjyqësorit të zgjohet.

Edhe më herët Rama e kishte kritikuar vendimin e tij, duke e cilësuar edhe si “gjyqtar të pacipë”, teksa vë në dukje se muret dhe tavanet e Kadastrës së vjetër po rrëzohen dhe punonjësit mbahen peng të këtij vendimi, pasi nuk mund të transferohen dot.

Më 18 qershor Komisioni i Objekteve të Konfiskuara kishte vendosur kalimin në këtë objekt të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, godina e cilës është dëmtuar rëndë nga tërmeti i vitit 2019, por gjyqtari Balliu e ka anuluar këtë vendim duke vendosur sigurim padie me kërkesë të pronarit, objekt për të cilin ndërtuesi dhe shteti janë akoma në beteja gjyqësore.

Ky pallat u vë në qendër të vëmendjes së debatit politik në vend edhe në momentin kur u sekuestrua në vitin 2022, pasi aty kishte biznesin deputeti i atëhershëm i PD, sot kryetar i “Mundësia”, Agron Shehaj. Ai akuzoi për sulm politik, ndërsa institucionet thanë se pallati ishte një godinë me plot 560 m2 pa leje. Pronarë të pallatit janë dy vëllezërit biznesmenë Thanas dhe Robert Biqiku, të cilët administrojnë edhe kompaninë RT Max.

Vijojnë sulmet ruse në Ukrainë, 3 viktima dhe 4 të plagosur në rajonin e Donbasit

By: Fax Web
20 August 2025 at 18:28

Të paktën tre persona u vranë në një sulm artilerie ruse në qytetin lindor ukrainas të Kostyantynivka, thanë zyrtarët vendas, ndërsa trupat e Moskës përparojnë për të rrethuar qendrën strategjike në rajonin industrial të Donbasit të Ukrainës.

Katër persona të tjerë u plagosën në sulm, për të cilin guvernatori rajonal, Vadim Filashkin tha se përfshinte tetë predha nga një sistem lëshimi raketash me shumë raketa që synonin tregun lokal.

Filashkin u bëri thirrje banorëve të evakuohen nga qyteti, i cili po sulmohet gjithnjë e më shumë ndërsa forcat ruse i afrohen nga tre anë.

Të martën, Filashkin shtoi se forcat ruse hodhën 10 bomba të drejtuara në Kostyantynivka, e cila ka shërbyer prej kohësh si një qendër e madhe logjistike për trupat ukrainase që mbrojnë një pjesë të rëndësishme të vijës së frontit.

“Rusët po godasin qëllimisht për të vrarë dhe gjymtuar sa më shumë civilë të jetë e mundur”, tha ai në një deklaratë.

Rusia mohon se ka synuar civilët, por mijëra janë vrarë që nga pushtimi i saj në shkurt 2022. Forcat ruse po zhvillojnë një ofensivë të ashpër në pjesën më të madhe të Donbasit.

Kremlini thuhet se ka propozuar tërheqjen e trupave ukrainase nga rajoni si pjesë e një marrëveshjeje paqeje, të cilën Kievi e ka refuzuar kategorikisht.

 

Të shtënat me armë zjarri në Hamallaj të Durrësit, zbardhet emri i 28-vjeçarit të plagosur

By: Fax Web
20 August 2025 at 18:24

U konfliktuan për motive të dobëta, plagosi me armë zjarri 28-vjeçarin, Policia identifikon dhe shpall në kërkim 44-vjeçarin

Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të tij.

Rreth orës 16:40, në Hamallaj, dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, shtetasi A. L., 44 vjeç, ka plagosur me armë zjarri pistoletë shtetasin Liridon Rata, 28 vjeç, i cili ndodhet në spital, në gjendje kritike për jetën.

Shërbimet e Policisë, sapo kanë marrë njoftimin, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe, falë veprimeve të shpejta, kanë identifikuar autorin dhe janë vënë në ndjekje të tij.

Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet në zonë dhe në ambiente të ndryshme, ku dyshohet se mund të jetë fshehur 44-vjeçari.

Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

 

Mister në Francë, gjenden në lumin Senë trupat e katër burrave, një i dyshuar po merret në pyetje

By: Fax Web
20 August 2025 at 18:07

Policia franceze arrestoi të mërkurën dhe po merr në pyetje një burrë për vrasje, pasi katër trupa u gjetën në lumin Sena javën e kaluar.

I dyshuari po mbahet në Paris, raporton BBC. Policia nuk ka dhënë detaje rreth tij apo numrit të vrasjeve për të cilat po merret në pyetje. Trupi i parë u gjet më 13 gusht nga një kalimtar pranë një ure në Soisy-le-Roi, një periferi juglindore e Parisit. Më vonë atë ditë, policia, duke kontrolluar zonën, zbuloi tre trupa të tjerë të zhytur në ujë në një distancë të shkurtër.

Trupi i parë me sa duket kishte qenë në ujë për një kohë të shkurtër. Ishte një burrë 40-vjeçar nga zona. Tre trupat e tjerë u gjetën në një fazë shumë të avancuar të dekompozimit dhe ka të ngjarë të kenë qenë në lumë për ditë të tëra.

Prokurorët thonë se një nga viktimat ishte mbytur dhe një tjetër kishte lëndime serioze.

Deri më tani, nuk ka prova që i lidhin viktimat me njëra-tjetrën. Është e mundur që ato të jenë hedhur në lumë në pika të ndryshme dhe të jenë sjellë poshtë rrjedhës së ujit deri te ura.

Durrës/ Plagoset me armë zjarri 1 person në Hamallaj, ka marrë dy plumba në trup, autori largohet nga vendngjarja

By: Fax Web
20 August 2025 at 18:06

Një plagosje me armë zjarri është shënuar pasditen e sotme në Hamallaj në Durrës.

Një person ka mbetur i qëlluar me dy plumba në trup. Autori i dyshuar u largua nga vendi i ngjarjes me një automjet tip “Toyota Yaris”.

Sipas burimeve konfidenciale, dyshohet se autori është shtetasi me inicialet A.L por kjo ende nuk është konfirmuar zyrtarisht. Forcat e policisë ndodhen në terren dhe po vijojnë kërkimet për kapjen e tij.

Suedia e gatshme të ofrojë garanci sigurie për Ukrainën, kryeministri Kristersson propozon mbështetje ajrore dhe detare

By: Fax Web
20 August 2025 at 17:29

Kryeministri suedez Ulf Kristersson tha sot se vendi i tij dëshiron të kontribuojë në ofrimin e garancive të sigurisë për Ukrainën, si pjesë e një aleance vendesh që do të mbështesin përfundimin e luftës në Ukrainë.

Suedia mund të ofrojë mbikëqyrje ajrore dhe burime detare, pavarësisht nga nevojat e përgjithshme dhe me kusht që të jetë e sigurt për ta bërë këtë, tha Kristersson për radion publike suedeze SR.

Biseda telefonike mes Putin dhe Erdogan, presidenca turke: Turqia mbështet përpjekjet për paqe në Ukrainë

By: Fax Web
20 August 2025 at 17:16

Presidenti i Turqisë Recep Tayip Erdogan ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Rusisë Vladimir Putin.

Turqia mbështet përpjekjet për të vendosur një paqe të përhershme në Ukrainë me pjesëmarrjen e të gjitha palëve, i tha Tayyip Erdogan Vladimir Putinit në një telefonatë sot, sipas presidencës turke.

Po ashtu presidenti turk Erdogan i tha Putinit se po ndiqte nga afër zhvillimet në lidhje me procesin dhe se Turqia ishte përpjekur për një paqe të drejtë që nga fillimi i luftës, tha presidenca turke.

Sipas mediave të huaja, në njoftimin e Moskës për bisedën telefonike thuhet se Putin shprehu vlerësimin e Rusisë për përpjekjet e Turqisë për të lehtësuar bisedimet midis përfaqësuesve rusë dhe ukrainas në Stamboll.

Moska u ndalon hyrjen 21 personave që punojnë me mediat britanike

By: Fax Web
20 August 2025 at 17:14

Rusia njoftoi se i ka ndaluar hyrjen 21 personave të akuzuar si bashkëpunëtorë me “media të dëmshme britanike” për të promovuar narrativa anti-ruse.

Lista përfshin gazetarë, ekspertë dhe anëtarë të OJQ-ve. Emrat e tyre iu shtuan atyre të disa qindra shtetasve të tjerë perëndimorë që Rusia i ka vendosur në një “listë ndalimi” që nga fillimi i luftës në Ukrainë .

Britania njoftoi sot vendosjen e sanksioneve të reja ndaj rrjeteve të kriptomonedhave që operojnë nga Rusia.

Itali/ Kërcënonte dhe zhvaste ish-pronarin prej dy vitesh, arrestohet 30-vjeçari shqiptar! Ish-punëdhënësi e kallëzoi, i jepte deri në 4 mijë euro çdo muaj

By: Fax Web
20 August 2025 at 17:13

Policia italiane në Ragusa arrestoi një 30-vjeçar shqiptar të akuzuar për shantazh dhe zhvatje të ish-pronarit të tij.

Ngjarja u zbulua pas denoncimit të një fermeri vendas, ish-punëdhënës i të dyshuarit, i cili raportoi se i ishte nënshtruar kërkesave të përsëritura për zhvatje nga 30-vjeçari për më shumë se dy vjet.

Shumat e kërkuara varionin nga 2500 deri në 4000 euro, në intervale prej 30-40 ditësh dhe në formë gjobe, dhe shoqëroheshin me kërcënime të qarta për dëmtim fizik, ose dëmtim të automjeteve bujqësore të kompanisë.

Pas sinjalizimit, autoritetet nisën hetimet dhe aksionin me një dorëzim të kontrolluar. Kërkesa e fundit e shqiptarit ka qenë vlera 1400 euro.

Operacioni u zhvillua në një parking ngjitur me një bar të njohur në provincë, në prani të personelit nga  policia, që bënë edhe dokumentimin me prova. I riu u ndalua menjëherë pasi mori paratë dhe u arrestua në flagrancë, informon media italiane.

Pas përfundimit të formaliteteve, i dyshuari u dërgua në Burgun e Raguzës dhe u vu në dispozicion të Prokurorisë Publike në Gjykatën e Raguzës për masë sigurie dhe hetime të mëtejshme.

Izraeli miraton projektin për vendbanimin që mund të ndajë në dysh Bregun Perëndimor

By: Fax Web
20 August 2025 at 14:06

Izraeli ka dhënë miratimin final për projektin kundërthënës për ndërtimin e një vendbanimi në Bregun e pushtuar Perëndimor, që në praktikë do të ndante territorin palestinez në dysh. Ky projekt, sipas palestinezëve dhe grupeve për të drejtat e njeriut mund të shuajë shpresat për një shtet palestinez në të ardhmen.

Zhvillimi i vendbanimit për kolonët në E1, që është një hapësirë e hapur toke në lindje të Jerusalemit, ka qenë në shqyrtim për më shumë se dy dekada, por projekti u ngri për shkak të presionit të Shteteve të Bashkuara gjatë administratave paraprake. Komuniteti ndërkombëtar gjerësisht konsideron se ndërtimi i vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor është i paligjshëm dhe paraqet pengesë për paqe.

Ministri izraelit i Financave i ekstremit të djathtë, Bezalel Smotrich – ish-udhëheqës i kolonëve – tha se miratimi i planit është kundërpërgjigje ndaj shteteve perëndimore që kanë njoftuar javëve të fundit se planifikojnë të njohin një shtet palestinez. “Shteti palestinez po fshihet nga tryeza jo me slogane, por me veprime”, tha ai. “Çdo vendbanim, çdo lagje, çdo njësi banimi është një gozhdë në arkivol të kësaj ideje të rrezikshme”.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, e ka kundërshtuar idenë e krijimit të një shteti palestinez dhe është zotuar se do të mbajë nën kontroll pa një afat të caktuar Bregun e pushtuar Perëndimor, Jerusalemin e aneksuar Lindor dhe Rripin e Gazës – ku po zhvillon luftë – territore që Izraeli mori nën kontroll gjatë luftës së vitit 1967, vende ku palestinezët duan që në to të krijojnë shtetin e tyre në të ardhmen.

Më shumë se 700.000 kolonë izraelitë jetojnë në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor. Vendndodhja e E1-shit është e rëndësishme sepse është një prej lidhjeve të fundit gjeografike mes qyteteve të mëdha të Bregut Perëndimor, Ramallahut në veri dhe Betlehemit në jug.

Distanca mes këtyre dy qyteteve është 22 kilometra, por palestinezët që udhëtojnë mes tyre, duhet të bëjnë shumë devijime të rrugës dhe të kalojnë përmes disa pikave izraelite të kontrollit, duke bërë që udhëtimi të zgjasë disa orë.  “Vendbanimi në E1 nuk ka asnjë qëllim tjetër përpos që të sabotojë një zgjidhje politike”, tha Peace Now, organizatë që dokumenton zgjerimin e vendbanimeve të kolonëve.

“Përderisa ka konsensus mes miqve tanë në botë që duan paqe dhe një zgjidhje me dy shtete, qeveria izraelite po minon interesin kombëtar dhe ne të gjithë jemi duke e paguar çmimin për këtë”.

Nëse procesi ecën shpejt, ndërtimi infrastrukturor i vendbanimit në E1 mund të nisë brenda muajsh dhe ndërtimi i shtëpive mund të nisë brenda një viti. Plani përfshin rreth 3.500 banesa që do të kufizohen me koloninë ekzistuese në Male Adumim./Rel

Momente paniku dhe kaosi në aeroportin e Milanos, një person i vë zjarrin koshit të mbeturinave! Pasagjerët largohen me vrap

By: Fax Web
20 August 2025 at 13:58

Momente paniku janë regjistruar këtë të mërkurën në mëngjes në aeroportin Malpensa në Milano, kur një person i vuri flakën një koshi plehrash pranë zonës së check-in në Terminalin 1, afër portës 13.

Mediat italiane raportojnë se flakët u përhapën menjëherë, duke mbushur zonën me tym, ndërsa pasagjerët u larguan me nxitim. Pamjet e shpërndara në rrjete sociale tregojnë skenat e kaosit.

Autori i ngjarjes u neutralizua menjëherë nga policia kufitare dhe forcat e sigurisë së aeroportit. Bëhet fjalë për një shtetas nga Mali, me dokumente të rregullta dhe pa precedentë penalë, i cili sipas mediave italiane pritet të akuzohet për dëmtim prone.

Zjarrfikësit evakuuan menjëherë zonën, ndërsa pas ndërhyrjes situata u vu nën kontroll dhe aktiviteti i aeroportit rifilloi normalisht.

Mashtron 44-vjeçarin me ofertë për marrëdhënie intime, i vjedh para dhe telefon arrestohet 49-vjeçarja, ishte në arrest shtëpie

By: Fax Web
20 August 2025 at 13:46

Kapet dhe vihet në pranga 49-vjeçarja e shpallur në kërkim 2 ditë më parë, në kuadër të operacionit të koduar “Last Threat”.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës kapën dhe ndaluan shtetasen në kërkim A. H., 49 vjeçe, banuese në Durrës, për veprat penale “Vjedhja me dhunë”, kryer në bashkëpunim, “Prostitucioni” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

Shtetasja A. H., ndërkohë që ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, i ka ofruar marrëdhënie seksuale, kundrejt pagesës, një 44-vjeçari, dhe ka bashkëpunuar me një 40-vjeçar, i cili i mori me dhunë 44-vjeçarit, në banesë, celularin dhe një shumë parash.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.

Gadishulli iberik vijon “luftën” me zjarret, shënohet viktima e tretë në Portugali

By: Fax Web
20 August 2025 at 13:39

Që nga fillimi i gushtit, Spanja dhe Portugalia përballen me zjarret pyjore të cilët nuk janë mundur të shuhen.

Zjarret, kanë prekur qytetet Ourense, Leon dhe Zamora në rajonet veriore të Galicias, Castile dhe Leon, dhe Caceres në rajonin jugor të Extremadura, ndërsa thuhet se po vazhdojnë 30 vende. Zyrtarët e Mbrojtjes Civile dhe të qeverisjes vendore deklaruan se më shumë se 2.300 njerëz në Leon ende po kalojnë natën jashtë shtëpive të tyre. Njerëzit në Leon dhe Zamora kanë protestuar kundër autoriteteve lokale për dy ditë, duke i akuzuar ato për dështim në luftimin e zjarreve.

Njoftohet se 68.000 hektarë, ekuivalente me 10 për qind të sipërfaqes së Ourense, janë dëmtuar nga zjarret që kanë shpërthyer për tre javë dhe se Galicia po lufton me zjarrin më të madh pyjor në historinë e saj. Për më tepër, në qytezën Jarilla të Caceres ku vazhdon zjarri më i madh në jug, deri më tani janë djegur 15.000 hektarë, ndërsa në përpjekjet për shuarjen e zjarreve marrin pjesë afërsisht 30 avionë dhe helikopterë dhe 500 ushtarë.

Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, i cili vizitoi rajonet më të prekura nga zjarret, njoftoi se në mbledhjen e Këshillit të Ministrave javën e ardhshme, do t’i shpallë zonat e djegura zonë fatkeqësie.

Më shumë se 340.000 hektarë janë djegur në të gjithë Spanjën që nga fillimi i vitit, afërsisht 310.000 hektarë prej të cilëve janë dëmtuar nga zjarret në gusht. Që nga gushti, më shumë se 33.000 njerëz janë evakuuar, katër persona kanë humbur jetën dhe më shumë se 20 persona janë plagosur nga zjarret.

Ashtu si Spanja, edhe Portugalia e vendosur në Gadishullin Iberik, vazhdon betejën e saj kundër zjarreve në pyje.

Zjarret po vazhdojnë në zonat pyjore dhe rurale në gjashtë lokacione në të gjithë vendin. Njoftohet se një person ka vdekur pasi një makineri ndërtimi u përmbys gjatë përpjekjeve për shuarjen e zjarreve në vendbanimin Mirandela. Numri i viktimave nga zjarret në vend është rritur në tre.

Izraeli do të thërrasë 60 mijë ushtarë rezervistë për planin e pushtimit të Gazës

By: Fax Web
20 August 2025 at 13:23

Ushtria izraelite do të thërrasë 60.000 ushtarë rezervistë për të luftuar në qytetin e Gazës sipas një plani për pushtim, raportuan mediat lokale.

Vendimi i ushtrisë erdhi pasi ministri i Mbrojtjes, Izrael Katz, miratoi një plan për pushtimin e qytetit të Gazës, tha të mërkurën transmetuesi publik izraelit KAN.

Transmetuesi tha se trupat e rregullta që veprojnë në Rripin e Gazës do të zgjerohen gjithashtu.

Sipas radios së ushtrisë izraelite, numri i rezervistëve brenda ushtrisë do të rritet në 130.000 në total në përgatitje për “një operacion të zgjatur që do të zgjasë disa muaj” deri në mesin e vitit 2026.

Kanali televiziv “Channel 12” raportoi më herët se urdhrat për rekrutim emergjent, të njohur si “Urdhri 8”, janë lëshuar tashmë nga ushtria.

Mobilizimi i ushtarëve do të fillojë më 2 shtator, me planin e pushtimit që do të diskutohet në kabinet në ditët në vijim, tha e përditshmja “Yedioth Ahronoth”.

Më 8 gusht, Kabineti i Izraelit miratoi një plan të kryeministrit Benjamin Netanyahu për të ripushtuar gradualisht Rripin e Gazës, duke filluar me qytetin e Gazës.

Plani është pritur me kritika dhe dënime ndërkombëtare.

Ministri iranian i Mbrojtjes: Prodhuam raketa të reja pas luftës me Izraelin

By: Fax Web
20 August 2025 at 13:16

Ministri iranian i Mbrojtjes, Aziz Nasirzadeh deklaroi se ata kanë prodhuar raketa të reja me “karakteristika superiore” pas sulmeve izraelite që vazhduan për 12 ditë. Sipas Agjencisë së Lajmeve Tasnim, gjatë një fjalimi me rastin e “Ditës së Industrisë së Mbrojtjes”, Nasirzadeh dha informacion në lidhje me teknologjitë e reja të armëve në vendin e tij.

“Raketat e përdorura në luftën 12-ditore ishin raketa të prodhuara nga Ministria e Mbrojtjes disa vite më parë. Ndërsa sot, ne kemi prodhuar raketa me karakteristika shumë më të larta se ato të raketave të mëparshme”, tha Nasirzadeh.

Ministri iranian vuri në dukje se ata do të përdorin raketat e reja nëse Izraeli sulmon përsëri.

Konflikti filloi me sulmet e dhunshme të Izraelit ndaj Iranit

Në 13 qershor 2025, Izraeli nisi sulme në shkallë të gjerë duke synuar objektet bërthamore në qytete të ndryshme iraniane, përfshirë komandën e lartë të ushtrisë. Në sulme u vranë shefi i Shtabit të Përgjithshëm, komandanti i përgjithshëm i Gardës Revolucionare, disa komandantë të nivelit të lartë dhe 9 shkencëtarë bërthamorë.

SHBA-ja, që mbështet hapur Izraelin, sulmoi tre objekte bërthamore iraniane në Natanz, Fordo dhe Isfahan më 22 qershor. Në hakmarrje për sulmin amerikan, Irani sulmoi bazën ajrore amerikane Al-Udeid në Katar më 23 qershor. Presidenti amerikan, Donald Trump njoftoi një armëpushim midis Iranit dhe Izraelit më 24 qershor.

Tentuan të grabisnin një firmë ndërtimi gjatë natës, arrestohen dy vëllezër në Lushnje

By: Fax Web
20 August 2025 at 13:13

Dy vëllezërit Gramoz Canka dhe Julian Canka janë arrestuar mbrëmjen e djehsme nga policia e Lushnjes. Blutë bëjnë me dije se vëllezërit po tentonin të vidhnin karburant dhe pajisje, në ambientet e një firme ndërtimi.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

Njoftimi:

Ndërhyrja e shërbimeve të Policisë parandalon vjedhjen në një firmë ndërtimi, gjatë natës.

Vihen në pranga 2 vëllezër që u kapën në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në ambientet e firmës, gjatë tentativës për vjedhje.

Shërbimet e Patrullës së Përgjithshme, mbrëmjen e djeshme, gjatë patrullimit në territor, në lagjen “18 Tetori”, kanë konstatuar 2 shtetas që po tentonin të vidhnin karburant dhe pajisje, në ambientet e një firme ndërtimi.

Shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë dhe kanë arrestuar autorët e dyshuar, shtetasit G. C., 54 vjeç dhe J. C., 40 vjeç, banues në Lushnjë (vëllezër).

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

Kapet parcelë me 351 bimë kanabisi në fshat, arrestohen dy persona

By: Fax Web
20 August 2025 at 12:57

Dy persona kanë rënë në prangat e policisë në Vaun e Dejës, pasi akuozhen se kanë kultivur 351 bimë narkotike në dy parcela në fshatin Fshati i Ri.

Nga hetimet e kryera me metoda proaktive dyshohet se këta shtetas kanë kultivuar 351 bimë narkotike, në 2 parcela, në fshatin Fshat i Ri. Bimët narkotike u asgjësuan me anë të djegies.

Njoftimi i policisë

Vau i Dejës/Vijojnë veprimet hetimore dhe operacionale në kuadër të operacionit policor antikanabis, të koduar “Koordinata”. Kishin kultivuar 351 bimë narkotike, në fshatin Fshati i Ri, kapen në flagrancë në parcelë dhe vihen në pranga 2 shtetas.

Në vijim të veprimeve hetimore dhe operacionale të kryera në kuadër të operacionit policor antikanabis, të koduar “Koordinata”, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vau i Dejës kapën në flagrancë dhe arrestuan shtetasit S. U., 45 vjeç, banues në Durrës, dhe Gj. Gj., 30 vjeç, banues në fshatin Mali Kolaj.

Nga hetimet e kryera me metoda proaktive dyshohet se këta shtetas kanë kultivuar 351 bimë narkotike, në 2 parcela, në fshatin Fshat i Ri. Bimët narkotike u asgjësuan me anë të djegies. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

❌
❌