Dëshira e fundit e Ozzy Osbourne: Një lamtumirë e qetë pranë familjes
Ikona e muzikës rok, Ozzy Osbourne, ka ndërruar jetë i rrethuar nga familja, ashtu siç kishte shprehur dëshirën në muajt e fundit të jetës së tij.
Në një intervistë prekëse për The Guardian në maj, vokalisti legjendar i Black Sabbath kishte rrëfyer se tashmë kishte hequr dorë nga skena dhe kishte vendosur ta kalonte kohën e mbetur me nipërit dhe mbesat.
“Dua ta kaloj pjesën tjetër të jetës me familjen time. Nuk dua të vdes në një dhomë hoteli diku”, kishte thënë ai, duke lënë pas imazhin e yllit të egër të rokut për t’u bërë një njeri familjar, shkruan DailyMail.
Këto fjalë prekëse morën kuptim të plotë kur u konfirmua se Ozzy ndërroi jetë i rrethuar nga fëmijët e tij Jack, Kelly, Aimee, Louis dhe bashkëshortja e tij Sharon.
Në vitet e fundit, 75-vjeçari kishte ndalur së udhëtuari dhe kishte hequr dorë nga stili i shfrenuar i jetesës që e kishte shoqëruar për më shumë se pesë dekada.
Ai kishte lënë pas koncertet, drogat dhe jetën e natës, duke zgjedhur qetësinë e shtëpisë dhe shoqërinë e familjes.
Familjarët ndanë momente të ngrohta me të ndjerin, ku ai shfaqej duke buzëqeshur, duke mbajtur në krahë mbesat dhe duke u argëtuar me ta.
Lisa, ish-nusja e tij dhe nëna e tre prej mbesave të tij, i bëri një homazh prekës në Instagram, duke e quajtur “Baba” dhe një “figurë më të madhe se jeta”.
Ozzy, i cili lë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme në historinë e muzikës heavy metal, u largua nga kjo botë jo si një yll i skenës, por si një gjysh i dashur, një burrë familjar dhe një njeri i qetë që e mbylli ciklin e tij me dinjitet dhe dashuri. /Telegrafi/
The post Dëshira e fundit e Ozzy Osbourne: Një lamtumirë e qetë pranë familjes appeared first on Telegrafi.