Priscilla Presley akuzohet se ka fikur aparaturat që mbanin në jetë vajzën e saj për përfitime financiare
Dy ish-bashkëpunëtorë të Priscilla Presley, Brigitte Kruse dhe Kevin Fialko, kanë ngritur një padi këtë javë në Gjykatën e Qarkut të Los Anxhelosit kundër të vesë së Elvis Presley-t, duke e akuzuar atë për mashtrim, shkelje kontrate dhe shkelje të tjera civile, raporton NBC News.
Sipas padisë, Presley synonte të forconte pozitën e saj në krye të perandorisë financiare të Elvisit dhe, sipas pretendimeve të paditësve, madje ka përshpejtuar vdekjen e vajzës së saj, Lisa Marie Presley.
Kruse, një ankandore e specializuar për shitjen e objekteve të Elvisit, dhe Fialko, një koleksionist kujtimesh, pretendojnë se kanë bashkëpunuar për vite me Priscillën për të maksimizuar fitimet nga emri i saj. Ata thonë se në nëntor 2023 e ndihmuan ta stabilizonte financërisht, por se ajo ndërpreu bashkëpunimin pak kohë më vonë dhe u mohoi pagesat e lidhura me filmin Priscilla.

Përveç kësaj, padia përmban akuza serioze lidhur me vdekjen e Lisa Marie Presley. Sipas paditësve, Lisa Marie kishte ndërmend ta shkarkonte nënën nga roli i administratores kryesore të fondacionit familjar të sigurimit të jetës. Ata pretendojnë se kur Lisa Marie pësoi arrest kardiak në janar 2023 dhe u dërgua me urgjencë në spital, Priscilla shfrytëzoi situatën.
Vetëm disa orë pas shtrimit, sipas padisë, ajo dha lejen për shkëputjen nga aparaturat që e mbanin në jetë, duke vepruar kundër dëshirës së shkruar të vajzës që jeta t’i zgjatej sa më shumë, sipas standardeve mjekësore.

Padia gjithashtu përmend një deklaratë të supozuar të Priscillës, dhënë një javë pas vdekjes së Lisa Marie: “Unë jam mbretëresha. Unë e drejtoj Graceland-in.” Sipas paditësve, kjo tregon se motivimi kryesor i saj ishte marrja e kontrollit mbi pasurinë familjare, jo mirëqenia e vajzës.
Avokati Marty Singer, përfaqësuesi ligjor i Priscilla Presley, i ka cilësuar akuzat si “të turpshme, të pabazuara dhe plotësisht të trilluar”. Ai shtoi se çështja do të hidhet poshtë dhe se Riley Keough, mbesa e Priscillës dhe aktore e njohur, e mbështet plotësisht gjyshen e saj, duke e konsideruar padinë si një përpjekje dashakeqe për të dëmtuar reputacionin e saj.

Elvis dhe Priscilla Presley ishin të martuar nga viti 1967 deri në 1973. Këngëtari legjendar ndërroi jetë në vitin 1977, në moshën 42-vjeçare. Priscilla Presley sot është 80 vjeçe. /Telegrafi/
The post Priscilla Presley akuzohet se ka fikur aparaturat që mbanin në jetë vajzën e saj për përfitime financiare appeared first on Telegrafi.