Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 25 August 2025Main stream

Stomatologjia dhe farmacia, dy degët më të kërkuara në Shqipëri

By: el da
25 August 2025 at 20:52

Këtë të hënë janë publikuar rezultatet për studentet fitues të cilët janë ata ekselentët që do jenë dhe mjekët e ardhshëm.

Kriteri kryesor për të aplikuar si çdo vit është mesatarja 8.5, nërsa përveç mesatares për mjekësi te përgjithshme maturantet kalojnë një tjetër filtër siç është testimi i informatizuar ku janë përzgjedhur 436 me te mirët .

Këtë vit kanë aplikuar 2029 maturantë, kaluan për testim 1202 dhe u përzgjodhën 436.

Prof. dr. Xheladin Dracini ka treguar se pas mjekësisë së përgjithshme, ajo që kërkojnë më shumë studentët është stomatologjia dhe farmacia.

Në degën stomatologji aplikuan 2739 dhe u pranuan 384. Në degën e farmacisë aplikuan 2327 dhe u pranuan 110.

Maturantët kanë të drejtë të ankimojnë rezultatin deri ne datën 27 gusht dhe në datën 29 gusht fillon regjistrimi i tyre pranë universiteteve. m.p.

Macron: Sulmet izraelite në spitalin e Gazës, të patolerueshme

By: el da
25 August 2025 at 20:34

Presidenti francez Emmanuel Macron ka thënë se sulmet izraelite ndaj një spitali në Gaza që shkaktuan vdekjen e civilëve dhe gazetarëve ishin “të patolerueshme”.

Sipas mediave të huaja, Macron tha në rrjetin social ‘X’ se Izraeli duhet të “respektojë ligjin ndërkombëtar” dhe se Franca po punonte ngushtë me Katarin në lidhje me situatën në Gaza.

“Kjo është e patolerueshme: civilët dhe gazetarët duhet të mbrohen në të gjitha rrethanat”, tha Macron.

“Media duhet të jetë në gjendje të kryejë misionin e saj lirisht dhe në mënyrë të pavarur për të raportuar mbi realitetin e konfliktit. Ndihma humanitare duhet të lejohet”, shtoi ai më tej.

“Ne i bëjmë thirrje Izraelit të respektojë ligjin ndërkombëtar”, vijoi Presidenti francez, shkruan A2 CNN.

Macron përsëriti thirrjet për një “armëpushim të përhershëm”, lirimin e të gjithë pengjeve, “shpërndarjen masive të ndihmës humanitare” dhe një “zgjidhje politike të qëndrueshme”, përfshirë çarmatimin e Hamasit. m.p.

Netanyahu: Izraeli shpreh keqardhje për aksidentin tragjik në spitalin Nasser

By: el da
25 August 2025 at 20:26

Kryeministri Benjamin Netanyahu ka thënë se Izraeli “ndjen keqardhje të thellë” për “fatkeqësinë tragjike” që ndodhi sot në spitalin Nasser.

Sipas mediave të huaja, udhëheqësi izraelit tha gjithashtu se autoritetet ushtarake po kryenin një hetim të plotë për atë që ndodhi.

“Izraeli shpreh keqardhje të thellë për aksidentin tragjik që ndodhi sot në Spitalin Nasser në Gaza”, tha Netanyahu.

“Izraeli vlerëson punën e gazetarëve, stafit mjekësor dhe të gjithë civilëve. Autoritetet ushtarake po kryejnë një hetim të plotë”, shtoi kryeministri izraelit.

“Lufta jonë është kundër terroristëve të Hamasit. Synimet tona të drejta janë mposhtja e Hamasit dhe kthimi i pengjeve tona në shtëpi”, përfundoi ai. m.p.

“Iku dhe më la jetim”, letra e Artur Zhejit për vdekjen e të atit

By: el da
25 August 2025 at 20:19

Pas ndarjes nga jeta të gazetarit Artur Zheji, shumë prej shkrimeve dhe kujtimeve të tij kanë rifituar vlerë të veçantë.

Një prej tyre është letra prekëse që ai i ka kushtuar babait të tij, Petro Zheji, pas ndarjes nga jeta të këtij të fundit.

Në rrëfimin e tij, Artur Zheji sjell kujtime të thella për figurën e një njeriu të jashtëzakonshëm, për pasionin e tij ndaj dijes dhe kulturës, për filozofinë e jetës dhe dashurinë për kombin.

Një shkrim që të prek shpirtin dhe të bën të reflektosh mbi trashëgiminë e vërtetë që lëmë pas.

Nga Artur Zheji

BABAI

Deri sa ndodhi ajo që ndodh, në luftën e gjithë-humbur të jetës me vdekjen, kisha përshtypjen mistike apo fëminore se babai im, ndoshta ishte i “pavdekshëm”. Më pëlqente ta besoja këtë, ndonëse tronditjen e parë, thyese të këtij miti, e mora, kur pak muaj përpara Petros, humba Besën, Nanën time të paepur.

Në moshën që jam unë sot, Petro, bënte të paktën çdo fundjavë 40-50 kilometra ecje, pa pushim. Nuk refuzonte me hundën mbledhur asnjë ushqim, por mund të agjëronte si besimtar, edhe disa ditë pa ngrënë. Dhe nuk ankohej kurrë. As edhe njëherë! As edhe në Fund!

Të gjitha këto cilësi, të marrëdhënies së tij të mrekullueshme që Petrushka (edhe kështu i thërrisnim në familje përkëdhelësisht) kishte me trupin e tij, e bënin atë të pangjashëm me të tjerë.

Do kisha shumë për të shkruar për Babanë që më iku dhe më la “jetim”, pavarësisht se në moshën time “jetimët” janë kaq të shumtë, saqë nuk thirren më të tillë…

Por, duart ngecin dhe sillen si të ngrira. Ndoshta sepse janë tejet të përbaltura nga balta që të detyron të përpunosh, e përditshmja dhe gazetaria që përshkruan epopenë, skuthllëqet dhe bëmat e palavdishme por zhurmëmëdha, të horrave tanë udhëheqës.

Më del parasysh galeria e personazheve që janë ushqyer shpirtërisht dhe intelektualisht në divanin e tij, shumë pak prej të cilëve mirënjohës, ndonëse gatuajnë edhe sot në magjen e të përditshmes, miell nga mielli i tij.
Sepse kush e njihte auto-ironinë para viteve ’90 në Shqipëri?

Askush!

Kush i njihte parabolat, metaforat, kalamburet, nënshtresat e fjalëve, tre a më shumë kuptimësinë e fjalëve, të lëshuara me një goditje të vetme?

Askush ose 2 apo 3 veta gjithsej!

Ishte dhe është një lloj arti i madh, të dish të flasësh dhe jo të gërmëzosh, përmes fjalës.

Të dish të shprehësh çdo ngjyrë, çdo nerv, çdo dridhje apo puhizë ajri, që krijon edhe krahë-përplasja e një krahu dallëndysheje dhe që mund të shpërthejë uragane, në oqeanin e thellë të shpirtrave të ndjeshëm… të qenieve që kanë shpirt sigurisht…

Dhe në ato uragane, me shkas krahë-përplasjen, që për miliona të tjerë është e padukshme, e pandjeshme dhe e kurrëndodhur, por që për të Zgjedhurin, janë në të vërtetë rizgjime të brendshme, nga të cilat fillojnë Udhëtime dhe Fillesa Veprash, që e tejkalojnë jetën njerëzore… kalitet një cilësi e re, e rrallë dhe e pranishme vetëm në kombet e mëdha…

Ky dhe ishte një nga pasionet e mëdha të Babait tim, të krijuarit e Kombit tonë, të pangjizur ende.

Përmes kalitjes mendore dhe nxënies së diturive të thella, nga ca pak djem e vajza me dhunti të rralla dhe me dashuri të patradhëtuar, në kohë dhe hapësirë për Dheun tonë…

I gatuar me Biblën, njohës i Kuranit, qëmtues i Budizmit, recitues në gjermanisht i Gëtes që përkthente, rusisht folës me Dostojevskin që shqipëronte apo i vëllazëruar me Servantesin, me Don Kishotin dhe Sançon e të cilit bashkudhëtonte pa reshtur bisedave, por edhe udhëtimeve të vërteta që ndërthureshin me ato imagjinaret … I rritur me Petrarkën dhe Virgjilin, adhurimin më të madh e kishte për Lao Tze, lindur 600 vjet para Krishtit në Henan…

Petro pra, apo “Bushi”, e kultivonte dhe e shpërndante bujarisht Dijen e tij, të vetmen pasuri që kishte, për këdo që i trokiste në derë.

Dhe sot mund të them, se shumica shkonte aty për të vjedhur!

Dhe ja thoja Petros, “vijnë e të vjedhin o Bush! Të vjedhin dhe nuk e kthejnë më kokën pas!”

“Le të vjedhin! Libri dhe Dija vidhen, nuk mësohen! Edhe unë e kam vjedhur nga librat dhe nga njerëzit e mençur që kam takuar në jetë… Dituria është farë, biri im, nuk hahet dhe nuk pihet, herët a vonë ajo mbillet! Dhe kështu e realizon misionin e saj!”

Shumë nga personazhet që qarkullojnë me njëfarë emri sot në Shqipëri, kanë kaluar mjaft seanca nga “divani psikanalitik dhe diturifalës i Petros”.

“Unë besoj se do të vijë shpejt dita që shqiptarët, do të punojnë më së shumti si mësonjës të Gjuhës Shqipe, që herët a vonë, do të jetë shumë e kërkuar nëpër Botë” më thoshte ai.

Dhe uroj që kjo Profeci të bëhet jetë e vërtetë…

Mirëupafshim “Bush”, librat e tu kërkohen dhe lexohen.

Janë të thellë dhe të humnershëm dhe kërkojnë notarë të mirë dhe këta të mirët janë pak.

Por aní, le të jenë pak, pishtarmbajtësit, pak kanë qenë gjithmonë!… m.p.

Zjarri pranë Lagunës së Nartës në Vlorë, 4 helikopterë në terren

By: el da
25 August 2025 at 20:07

Pasditen e sotme një zjarr ka përfshirë pyllin me pisha në zonën e hidrovorit, pranë lagunës së Nartës. Nga pamjet, tymi i dendur ka mbuluar të gjithë zonën, ndërsa në vendngjarje kanë shkuar forcat zjarrfikëse të Vlorës me 7 punonjës, të cilët po punojnë për izolimin dhe shuarjen e flakëve.

Aktualisht në operacionin për vendosjen në kontroll të kësaj vatre, përveç ekipeve në terren po angazhohen dhe 4 helikopterë, të cilët po operojnë nga Baza Ajrore e Kuçovës.

Forca Ajrore do të vazhdojë monitorimin e zonës nëpërmjet dronëve TB-2 për identifikimin e vatrave të reja potenciale ose për të evidentuar raste të zjarrëvënies së qëllimshme.

Fatmirësisht, pasditja nuk shoqërohet me erë të fortë, gjë që ka ndihmuar në frenimin e përhapjes së zjarrit. Aktualisht, vatrat janë të izoluara, dhe nuk ka rrezik per perhapje. m.p.

Joz Marku konfirmon lidhjen me Xhoana Toshin

By: el da
25 August 2025 at 19:57

Pas disa javësh me spekulime dhe thashetheme në rrjet, këngëtari i njohur dhe ish-banori i Big Brother VIP Albania, Jozi ka vendosur t’i japë fund misterit duke konfirmuar lidhjen e tij me Xhoana Toshin.

Lajmi është bërë i ditur pas postimit të fundit të Xhoanës në “Instagram Story”, ku ajo ndau për herë të parë një foto përkrah këngëtarit, më pas një foto të tij duke performuar në skenë.

Burime pranë çiftit bëjnë me dije se njohja mes tyre ka nisur menjëherë pas daljes së Jozit nga BBVA/

Xhoana është parë në disa nga koncertet e tij, duke e mbështetur nga afër, dhe ata janë fotografuar bashkë në ambiente të ndryshme publike.

Interesante është se Jozi, më herët gjatë qëndrimit në shtëpinë e Big Brother, kishte deklaruar se nuk dëshironte një lidhje me një vajzë që është pjesë e showbizit. Por duket se zemra e tij ka ndryshuar “mendje”. m.p.

“Nuk e kishte fëmijën me mua”, flet shqiptari që i mori jetën gruas në Greqi

By: el da
25 August 2025 at 19:45

Zbardhet dëshmia e Pandeli Nakoleci, shqiptarit që masakroi me thikë bashkëshorten e tij në Volos të Greqisë. 40-vjeçari i qëndron versionit se bashkëshortja e tij Mariola Nakoleci e tradhtonte me një tjetër person dhe se ishte shtatzënë me të.

Në deklaratën e tij, Pandeli Nakoleci është shprehur se nuk kishte ndërmend që ta vriste, por vetëm donte që ta trembte pasi ajo e tradhtonte vazhdimisht, madje dhe se ishte shtatzënë me partnerin e saj të ri.

“Ajo fliste me të tjerët në Facebook dhe ishte xheloz. E doja shumë gruan time, në mënyrë patologjike. Nuk kisha planifikuar ta vrisja ose ta lëndoja, doja vetëm ta trembja me atë. U çmenda, humba mendjen, mendja ime u shua kur ajo më tha se fëmija që kishte humbur nuk ishte i imi dhe se do të më dërgonte foto dhe video me partnerin e saj të ri. Dyshimet e mia u konfirmuan. Që nga Pashkët e tutje, filloi e keqja. Një palë e tretë na shkatërroi jetën”, tha ai.

Tronditëse dhe e trishtë është dhe deklarata që ka dhënë njëra prej vajze dëshmitare e ngjarjes së rëndë. Ajo rrëfen se babai i saj ishte tepër xheloz dhe se gjithmonë grindej me të ëmën. Vajza tregon se mamaja bërtiste “ndihmë” ndërsa ajo ishte dëshmitare dhe kur i ati e tërhoqi për flokësh duke e rrëzuar në tokë edhe kur e goditi me thikë.

“Ata u grindën sepse babai im ishte shumë xheloz, prandaj e bëri. Ata ishin grindur më parë, por nuk ishte kështu. Ne ishim mirë. Kohët e fundit ai filloi të ndërtonte. Ai punonte normalisht. Ai ishte normal. Ai nuk bërtiste, nuk pinte, asgjë nga këto. Nëna ime bërtiste ‘ndihmë, ndihmë’. Ai po shikonte telefonin e saj.

Isha përpara. Nëna ime bërtiste ‘ndihmë, ndihmë’ dhe ai e bëri shpejt dhe iku. Pashë gjithçka, dhe kur e goditi me thikë dhe kur ajo po bërtiste dhe kur e tërhoqi nga flokët dhe e hodhi përtokë dhe gjithçka.

Ata ishin në dhomë, po bërtisnin. Nuk i kushtova shumë vëmendje, edhe unë po flija. Pastaj mami filloi të thoshte ‘do të më vrasësh’ dhe ajo tha ‘fute të voglin brenda’ dhe pastaj mami filloi të vraponte dhe pastaj u lodh. Ishim unë dhe vëllai im, ai është 13 vjeç”, tha ajo. m.p.

Bosnje: Bllokohet propozimi për ta nominuar Trumpin për Çmimin Nobel

By: el da
25 August 2025 at 19:33

Anëtarët e Presidencës trepalëshe të Bosnje-Hercegovinës, Zhelko Komshiq dhe Denis Beqiroviq, kanë refuzuar të përfshijnë në agjendën e Presidencës një iniciativë të anëtares, Zhelka Cvijanoviq për ta nominuar presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump për Çmimin Nobel për Paqe, raporton Televizioni publik i Republikës Sërpska.

Cvijanoviq ka bërë të ditur më parë se ajo do ta nominojë Trumpin për Çmimin Nobel në Komitetin e Nobelit.

“Presidenti amerikan e meriton këtë nominim sepse, përmes angazhimit të tij diplomatik dhe autoritetit personal, ai ka arritur rezultate që kanë lënë gjurmë të rëndësishme në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe kanë kontribuuar në stabilizimin e shumë krizave në botë”, ka thënë ajo në letrën e përgatitur për propozim.

Sipas saj, “mirënjohja për përpjekjet e tij dhe arritjet në fushën e paqes” arsyetojnë vendimin e Presidencës së Bosnje-Hercegovinës për ta nominuar presidentin Trump për Çmimin Nobel për Paqe.

Më 31 korrik 2023, SHBA-ja e ka futur Cvijanoviqin në listën e personave të sanksionuar, për shkak të kërcënimit të Marrëveshjes së Dejtonit për Paqe, si dhe të integritetit dhe sovranitetit të Bosnje-Hercegovinës.

Asambleja Kombëtare e Republikës Sërpska i ka miratuar dy ligje anti-Dejton, që kanë të bëjnë me mosrespektim të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnje-Hercegovinës dhe të Përfaqësuesit të Lartë, Christian Schmidt.

Të dyja ligjet janë pezulluar nga Schimdt, mirëpo autoritetet e Republikës Sërpska i kanë çuar përpara procedurat dhe kanë insistuar se nuk do t’i respektojnë vendimet e Përfaqësuesit të Lartë, çka ka thelluar edhe më shumë krizën institucionale në Bosnje-Hercegovinë.

Edhe presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, i cili ka qenë propozuesi i ligjeve për mosrespektim të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, është nën sanksione amerikane.

SHBA-ja ka vendosur sanksione të reja kundër Dodikut më 5 janar 2022, përveç atyre të vitit 2017, për rrezikim të Marrëveshjes së Dejtonit.

Çmimi Nobel për Paqe është njëri prej pesë çmimeve Nobel.

Ai u ndahet individëve apo organizatave që kanë bërë kontribute të mëdha për paqen në botë, kryesisht përmes promovimit të vëllazërisë mes kombeve, çarmatosjes dhe paqes.

Çmimi e ka nismëtar Alfred Nobelin dhe është ndarë prej Komitetit Norvegjez të Nobelit prej vitit 1901. Ceremonia mbahet çdo vit, më 10 dhjetor, në Osllo.

Fituesit shpërblehen me medalje, diplomë dhe para të gatshme. m.p.

I nxehti po i plak njerëzit më shpejt

By: el da
25 August 2025 at 19:25

Ekspozimi i përsëritur ndaj të nxehtit dhe temperaturave ekstrem po përshpejton plakjen tek njerëzit, sipas një studimi të fundit.

Shkencëtarët theksojnë se ndikimi i këtyre valëve të nxehta është në një shkallë të ngjashme me dëmet që shkakton duhani, alkooli, dieta e varfër apo mungesa e aktivitetit fizik për shëndetin.

Temperaturat ekstreme janë bërë gjithnjë e më të zakonshme për shkak të krizës klimatike, duke kërcënuar me dëme afatgjata dhe të gjerë për shëndetin e miliarda njerëzve, paralajmëruan studiuesit.

Për këtë studim, janë ndjekur 25,000 persona në Tajvan për 15 vjet dhe janë krahasuar periudhat e ekspozimit ndaj valëve të nxehta me moshën biologjike të individëve, e cila është një masë e shëndetit të përgjithshëm.

Për shembull, u gjet se mosha biologjike e personave që përjetuan katër ditë më shumë valë nxehtësie në një periudhë 2-vjeçare, u rrit me rreth nëntë ditë. Punëtorët, të cilët kalojnë më shumë kohë jashtë, ishin më të prekura me moshën e tyre biologjike që u rrit me 33 ditë.

Ndërkohë që kjo rritje e moshës biologjike mund të duket e vogël, shkencëtarët theksuan se kjo ka ndodhur vetëm gjatë një periudhe 2-vjeçare. Ata janë duke hetuar ndikimin e valëve të nxehta gjatë tërë jetës së individëve.

Dr. Cui Guo, që udhëhoqi kërkimin në Universitetin e Hong Kongut, tha: “Nëse ekspozimi ndaj valëve të nxehta grumbullohet për disa dekada, ndikimi në shëndet do të jetë shumë më i madh se sa kemi raportuar deri tani.”

Studimi, i botuar në revistën “Nature Climate Change”, përdori rezultate nga një seri testesh mjekësore, përfshirë matjen e tensionit të gjakut, inflamacionin, kolesterolin, dhe funksionin e mushkërive, mëlçisë dhe veshkave, për të përcaktuar moshën biologjike të individëve.

Shkencëtarët krahasuan moshën biologjike të çdo individi me moshën e tij të vërtetë për të parë nëse ekspozimi ndaj valëve të nxehta kishte lidhje me plakjen më të shpejtë.

Pavarësisht se nuk është e qartë pse temperaturat e larta shkaktojnë plakje më të shpejtë, dëmtimi i ADN-së duket të jetë një nga arsyet kryesore.

Studimi mori parasysh faktorë si pesha e individëve, zakonet e tyre të të ushqyerit dhe ushtrimeve, si dhe ndonjë sëmundje ekzistente si diabeti dhe kanceri. M.P.

Spanja në alarm nga xhihadistët, 95 të arrestuar në 8 muaj

By: el da
25 August 2025 at 19:15

Në Spanjë po vihet re një përshkallëzim i vërtetë në luftën kundër terrorizmit xhihadist. Shifrat janë alarmante. Vetëm gjatë tetë muajve të parë të vitit, janë arrestuar 95 persona për lidhje të dyshuara me terrorizmin. Ajo që shqetëson më tepër është rritja e rasteve të të rinjve, shpesh adoleshentë, që radikalizohen, kryesisht përmes internetit.

Pjesa më e madhe e të ndaluarve, në rreth 50 operacione të kryera që nga fillimi i vitit, janë arrestuar brenda territorit spanjoll. një e treta vetëm në Katalonjë, ndërsa pjesa tjetër është ndaluar jashtë vendit në bashkëpunim me policitë e shteteve të tjera, sipas të dhënave të bëra publike nga Ministria e Brendshme.

Ky fenomen po ndiqet me vëmendje të shtuar nga shërbimet e inteligjencës dhe antiterrorizmit, sidomos për shkak të rritjes së numrit të të rinjve të përfshirë. Ekspertët e lidhin këtë prirje me radikalizimin në internet, i cili është shtuar pas pandemisë, me përhapjen e përmbajtjeve ekstremiste në rrjetet sociale të përdorura nga të rinjtë.

Operacionet janë zhvilluar në 12 nga 17 komunitetet autonome të Spanjës dhe në qytetin autonom Melilla, në Marok. Në to janë përfshirë edhe katër gra, përfshirë dy motra të arrestuara në Madrid, të cilat drejtonin një lloj “akademie xhihadiste” online për indoktrinimin e grave myslimane. M.P.

Trump: Televizioneve ABC dhe NBC t’i hiqen licenvat, janë të njëanshme

By: el da
25 August 2025 at 18:54

Presidenti amerikan Donald Trump ka sulmuar televizionet ABC dhe NBC, duke i quajtur ato të njëanshme dhe një kërcënim për demokracinë. Presidenti deklaroi se këtyre televizioneve duhet që t’i hiqen licencat.

“Ato duhet t’i humbasin licencat për mbulimin jo të saktë që kanë bërë. Gazetaria e shtrembër nuk duhet të shpërblehet, duhet të ndërpritet’, tha ai.

Kjo nuk është hera e parë që Trump sulmon mediat televizive ose kërcënon t’u heqë licencat.

Vitin e kaluar, Trump zgjidhi një padi për shpifje kundër ABC për 15 milionë dollarë, dhe ai ishte i famshëm për prezantimin e emisionit “The Apprentice” në NBC përpara se të hynte në botën e politikës. m.p.

Ikin shqiptarët, puna po bëhet nga indianë, turq e afrikanë

By: el da
25 August 2025 at 18:44

Gati 12 mijë të huaj janë të punësuar në bizneset shqiptare, kryesisht në turizëm, ndërtim dhe tregtinë me shumicë. Shifrat zyrtare tregojnë se interesi më i lartë për të punuar në Shqipëri është i shtetasve nga Italia, Turqia dhe India.

Për punë në shtëpi, dado për fëmijët, për shërbim në hotele, bare e restorante dhe deri për punësim në fabrika të përpunimit dhe prodhimit, në Shqipëri janë gati 12 mijë të huaj të punësuar që vijnë nga kontinente të ndryshme.

Instituti i Statistikave në raportin e fundit për të huajt në vend, evidenton se më shumë se gjysma e shtetasve të ardhur nga jashtë që kanë një leje qëndrimi në Shqipëri, kanë si qëllim kryesor punësimin.

Në fund të vitit të shkuar sipas raportit ishin 21.940 të huaj me leje qëndrimi në Shqipëri, ose 2,2% më shumë se në vitin 2023.

“Punësimi është arsyeja kryesore: 54,3 % e lejeve të qëndrimit ndjekur nga: bashkimi familjar: 24,5%; arsye të tjera: 16,3%; studimi: 4,0%; qëllime humanitare: 0,9%”, thuhet në raport.

Boshllëkun e krijuar nga mungesa e punonjësve vendas, bizneset po mundohen ta mbushin me të huaj pasi brenda 5 vitesh numri i punëtorëve të huaj në tregun vendas është rritur me 54%.

Në vitin 2020, në Shqipëri ishin vetëm 6465 të huaj që punonin, ndërsa në fund të vitit vjet ishin 11,908 shtetas të huaj.

Edhe pse numri i të huajve që punojnë në Shqipëri është rritur, përsëri nuk mjafton për të mbushur nevojat e sipërmarrjes, ku vetëm sektori i turizmit në nisje të këtij sezoni kishte nevojë për 20 mijë punëtor.

Interesi më i madh për të fituar leje pune në vend është nga Turqia, Bangladeshi, India dhe Nepali. Gjatë vitit të shkuar qeveria nisi negociatat me autoritetet filipinase për të marrë me mijëra punonjës të kualifikuar, me objektiv kryesor punësimin e tyre në sektorin e turizmit.

Vetëm gjatë vitit të kaluar janë regjistruar 13,176 aplikime të reja për leje qëndrimi, kryesisht nga Italia, India dhe Turqia.

Brenda këtij 5-vjeçari numri i aplikimeve për leje qëndrimi në Shqipëri nga India është rritur me 38 herë sipas shifrave, nga 43 aplikime në 2020-ën në 1,634 aplikime vjet.

Nga zanatet e vjetra e deri tek profesionet e reja, kryesisht në teknologji, aktualisht janë 5415 vende të lira pune, për punëtor krahu, magazinier, ekonomist, bojaxhi, mjekë, punonjës në hotele e deri tek profesionistët të teknologjisë së informacionit. m.p.

FSHF, hidhet shorti! Zbardhen kalendarët për kampionatet U-19, U-17, U-16 & U-15

By: el da
25 August 2025 at 18:36

Departamenti i Garave në FSHF ka hedhur shortin për edicionin e ri të kampionatit “Abissnet Superiore” për grupmoshat U-19, U-17, U-16 dhe U-15.

Shorti u drejtua nga specialisti i Departamentit të Garave, Neritan Koçi, ndërsa të pranishëm ishin edhe përfaqësues të disa klubeve, të cilët u njohën me datat dhe kundërshtarët respektivë për çdo javë të sezonit të ri.

Në kampionatin “Abissnet Superiore” U-19 marrin pjesë: Dinamo City, Vllaznia, FK Vora, Laçi, Teuta, Skënderbeu, Bylis, Partizani, Apolonia dhe AF Elbasani.

10 skuadrat e “Abissnet Superiore” U-17 janë: Dinamo City, Vllaznia, FK Vora, Laçi, Teuta, Skënderbeu, Tirana, Partizani, Apolonia dhe Shkëndija Tiranë.

Kampionati “Abissnet Superiore” U-16: Teuta, AF Elbasani, Apollo 2016, Partizani, Internacional Tirana, Apolonia, FK Shënkolli, Vllaznia, Tirana dhe Dinamo City.

Në kampionatin “Abissnet Superiore” U-15 marrin pjesë: Teuta, Pepa, Apollo 2016, Partizani, Skënderbeu, Apolonia, FK Shënkolli, Vllaznia, Tirana dhe KF Shkodra.

Kampionatet “Abissnet Superiore” U-19 dhe U-17 do të nisin më 14 shtator, ndërsa U-16 dhe U-15 më 21 shtator.

Gara do të zhvillohet me 2 faza. Pas përfundimit të dy fazave, pikët përgjysmohen dhe pesë ekipet e para vijojnë garën për titullin kampion me sistem vajtje-ardhje, ndërsa ekipet e renditura nga vendi i gjashtë deri në të dhjetin do të luftojnë për mbijetesë. Ekipi i vendit të fundit bie direkt në Kategorinë e Parë, ndërsa skuadra e vendit të nëntë luan ndeshje shtesë (play-out) me ekipin e renditur në vendin e dytë të Kategorisë së Parë. m.p.

Ngjarja e Volosit: Djali 13-vjeçar tërhiqte babain nga qafa, nëna vdiq në krahët e vajzës

By: el da
25 August 2025 at 18:22

Janë zbardhur të tjera detaje nga ngjarja e rëndë e vrasjes së Marjola Nakolecit nga bashkëshorti i saj në Volos të Greqisë.

Sipas mediave greke, djali 13-vjeçar i familjes u përpoq të ndalonte babain që të mos i vriste nënën. Krimi ndodhi në shkallët e pallatit, teksa 36-vjeçarja po përpiqej të shpëtonte duke u larguar me vrap nga banesa.

Gjatë sherrit mes çiftit, 13-vjeçari iu hodh në qafë babait dhe e tërhiqte për të mos e lejuar ta godiste me thikë. Mirëpo 40-vjeçari arriti t’i merrte jetën bashkëshortes së tij dhe nënës së fëmijëve duke e goditur me thikë në kraharor.

Mësohet se edhe vajza 16-vjeçare, e cila ishte dëshmitare në krim, u përpoq të ndihmonte nënën 36-vjeçare. Kjo e fundit vdiq në krahët e vajzës së saj.

Ndërsa vajza tjetër e çiftit, vetëm 5 vjeçe, mbeti e tronditur brenda apartamentit teksa ndodhte sherri.

Pasi goditi për vdekje me thikë Marjolën, Pandeli Nakoleci u arratis, por u kap nga policia greke rreth 1 ditë më vonë.

Trump: Duhet t’i japim fund këtij makthi

By: el da
25 August 2025 at 18:17

Presidenti amerikan Donald Trump ka thënë se nuk ishte i kënaqur me sulmin izraelit gjatë natës ndaj një spitali në Gaza.

Sipas mediave të huaja, Trump mes të tjerash tha se nuk ishte më herët në dijeni të këtij sulmi.

“Nuk jam i kënaqur me këtë. Nuk dua ta shoh”, u ka thënë Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.

“Në të njëjtën kohë, duhet t’i japim fund atij…makthi”, shtoi më tej Trump.

Siç kemi raportuar sot, të paktën 20 persona janë vrarë në një sulm ndaj Spitalit Nasser – përfshirë pesë gazetarë. m.p.

Ndahet nga jeta legjenda e portës së Tiranës

By: el da
25 August 2025 at 18:09

Futbolli shqiptar është në zi pas ndarjes nga jeta të një prej figurave të tij më emblematike. Bujar Tafaj, ish-portieri i Tiranës dhe një nga emrat më të respektuar të viteve ’60–’70, është ndarë nga jeta në moshën 81-vjeçare.

Tafaj ka qenë pjesë e një brezi të artë të bardhebluve, me të cilët ka fituar tri herë titullin kampion të Shqipërisë. Me paraqitjet e tij të sigurta dhe vendimtare, ai ka kontribuar në mënyrë të pazëvendësueshme në sukseset e klubit të kryeqytetit, duke fituar respektin e bashkëlojtarëve dhe tifozëve.

Përveç Tiranës, Bujar Tafaj ka mbrojtur edhe portën e Pogradecit, duke lënë gjurmë edhe jashtë Tiranës dhe dëshmuar cilësitë e tij në nivele të ndryshme të futbollit shqiptar.

Me ndarjen e tij nga jeta, futbolli ynë humb jo vetëm një ish-lojtar të shquar, por edhe një simbol të përkushtimit dhe pasionit për sportin. Kujtimi i Bujar Tafajt do të mbetet i gjallë në historinë e futbollit shqiptar dhe në zemrat e sportdashësve. m.p.

Nuk ka asgjë më të rëndësishme se sa vetë jeta

By: el da
25 August 2025 at 17:55

ALBAN DACI – Po jetojmë një periudhë ku koha kalon shpejt dhe krejt pa u kuptuar. Në këtë kohë me intensitet të lartë duket sikur gjënë më të rëndësishme, jetën e kemi lënë pas dore. Kemi iluzionin se jemi të përjetshëm e harrojmë se vdekja dhe lindja ecin pranë e paralel. Pa lindur askush nuk mund të vdes, por askush nuk ka shpëtuar nga vdekja.

Materializmi duket sikur është bërë gjëja më e rëndësishme e jetës, por shpesh ndodh që të gjithë vdesin dhe asgjë nga të mirat materiale nuk mund ti marrin me vete në botën tjetër për ata që janë besimtar, ose në asgjë tjetër për ata që nuk besojnë në dimensionin tjetër të jetës që besimet fetare e konsiderojnë jetën e vërtetë me dimension shumë më të gjatë në kohë.

Secili nga ne mbahet mend në këtë jetë për atë që ka bërë, për atë që ka thënë, shkruar, ka lënë si dhe për veprat e tij qofshin të liga apo edhe të këqija. Egoizmi jonë, karakteristikë e qenies tonë, na bën të besojmë se vdekja nuk do të trokas asnjëherë dhe historia njerëzore ka dëshmuar që ajo troket dhe shpesh atëherë as kur nuk e ke menduar.

Veprat janë prova më të cilën dikush respektohet e kujtohet në këtë jetë. Shpesh mendojnë për të kënaqur veset tona personale shpesh të mbushur me xhelozi, shpirtligësi, urrejtje apo edhe luftë të pa kuptimtë.

Rasti i vdekjes së Artur Zheji si një lajm me dimensione publike për shkak se edhe figura e tij ishte e një dimensioni publik. Urimet e shumta, qëndrimet e shumta nga të gjitha nivelet e shoqërisë, dëshmon faktin, se Arturi ka lënë shumë gjëra mbrapa e për pasojë vdekja e tij fizike nuk do e zbeh figurën e tij, por jam i bindur që secili prej nesh, i pastruar nga xhelozia apo edhe veset e tjera të qenies njerëzore do e lartësojnë akoma më shumë emrin e Arturit nga sot e mbrapa.

Jeta është shumë e shkurtër dhe tashmë kemi prova nga historia njerëzore.

Jeta është dhurata më e madhe që na ka dhënë Zoti për ne besimtarët, ose gjëja më e bukur dhe mistere e dhuruar nga e mbinatyrshmja për ata që nuk besojnë në asgjë.

Jeta meriton respektin maksimal e bashkë me të njerëzit tanë që na rrethojnë duke i dhënë asaj kuptimin e një qenie sociale.

Shpesh gjatë ditës duhet ta ndalojmë vrullin e konsumit të kohës dhe të mendojnë për gjërat e bukura, për njerëzit që na rrethojnë dhe po ashtu edhe për vetë jetën duke i dhënë rëndësinë që ajo meriton si dhurata me e rëndësishme dhe e bukur.

Duhet të gëzojmë ato që po përjetojmë dhe të mos lodhemi, stresohemi për atë që na pret e cila është e panjohur dhe për pasojë nuk ka kuptim që të stresohemi për të panjohurën.

Duhet ta jetojmë ditën si njësi matëse të jetës tonë, të respektojmë e të duam njerëzit që na qëndrojnë pranë, që pranojnë të ndajnë dhe të konsumojnë kohën me ne.

Nuk duhet ta harxhojmë kot asnjë sekondë të kohës së jetës tonë, sepse koha e jetës është vetëm në krahun progresiv, ajo ec para, nuk kthehet kurrë mbrapa.

Mirësia duhet të jetë orientimi kryesor i mënyrës të jetuarit.

Nuk duhet të hidhërohemi me askënd e as me vetë kohën.

Hidhërimi nuk zgjidhë asgjë, përkundrazi na bën të harxhojmë kohën e jetës tonë në mënyrë të pa dobishme.

Të gjithë jemi të vdekshëm, por ne e kemi në dorë të zgjedhim vdekje dinjitoze apo vdekje boshe duke mos lënë asgjë mbrapa që të kujton emrin dhe veprat.

Arturi, ka lënë një emër që brezat që do të vijnë do të kenë mundësi ta kujtojnë si dhe pse jo të mësojnë nga ato çfarë ka thënë dhe ka lënë të shkruar. m.p.

Barcelona “gjen” sulmuesin, 21-vjeçari luan te Villarreal

By: el da
25 August 2025 at 17:43

Barcelona po shfaq interes për sulmuesin e talentuar të Villarreal, Karl Etta Eyong, i cili është duke tërhequr vëmendjen pas paraqitjeve të mira këtë sezon.

21-vjeçari kamerunas shkëlqeu sezonin e kaluar me Villarreal B dhe drejt fundit të kampionatit u bë pjesë e ekipit të parë, ku shënoi një gol të rëndësishëm ndaj Gironës që siguroi pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve për skuadrën e tij.

Këtë sezon, Eyong ka qenë titullar në të dy ndeshjet e para nën drejtimin e trajnerit Marcelino, duke shënuar edhe në debutim ndaj Real Oviedo.

Sipas të përditshmes Sport, Barcelona është duke shqyrtuar mundësinë për ta blerë sulmuesin përmes klauzolës së lirimit prej vetëm 10 milionë eurosh, me planin që ta huazojë menjëherë për sezonin aktual. m.p.

Si u vodh një gur 25 milionë dollarësh në Dubai

By: el da
25 August 2025 at 17:32

Një ngjarje që të kujton skenarin e një filmi aksion është zhvilluar ditët e fundit në Dubai, ku një diamant rozë me vlerë 25 milionë dollarë u vodh përmes një mashtrimi të sofistikuar. Megjithatë, gurit të çmuar iu rikthye pronarit vetëm tetë orë më vonë, falë reagimit të shpejtë të policisë.

Tre shtetas aziatikë, identiteti i të cilëve nuk është bërë ende publik, u paraqitën si blerës të interesuar për diamant, duke fituar besimin e një tregtari evropian. Përmes takimeve në hotele luksoze dhe përfshirjes së një eksperti për të verifikuar origjinalitetin e gurit, ata ndërtuan një skemë të besueshme.

Momentin vendimtar e zgjodhën kur diamanti u dërgua në një vilë për “finalizimin e marrëveshjes”. Atëherë, hajdutët e rrëmbyen dhe u larguan me shpejtësi. Por autoritetet e Dubait, të mbështetura nga rrjeti i gjerë i kamerave të sigurisë që monitorojnë çdo hapësirë publike, organizuan një operacion të menjëhershëm. Brenda pak orësh, autorët u identifikuan dhe u ndaluan, ndërsa diamanti iu kthye pronarit.

Dubai njihet si një nga qytetet më të mbikëqyrura në botë, me teknologji të avancuar sigurie që ka zbuluar edhe ngjarje të tjera të profilit të lartë ndër vite, si grabitjet e “Panterave Rozë” në vitin 2007 apo operacione të fshehta të shërbimeve sekrete.

Në rastin e fundit, autoritetet nuk kanë dhënë detaje të plota mbi mënyrën se si u kapën autorët, por pranuan se ata ishin shpërndarë në zona të ndryshme dhe se hetimi i gjurmoi me ndihmën e një “syri të padukshëm” që mund të ketë qenë inteligjencë teknologjike ose njerëzore. m.p.

Grabisnin hotele e shtëpi në Greqi, arrestohen 4 shqiptarë

By: el da
25 August 2025 at 17:14

Katër shqiptarë kanë rënë në pranga të policisë greke të dyshuar si autorë të një sërë vjedhjesh në zona të ndryshme turistike. Autorët kishin si synim grabitjen e hoteleve luksoze e shtëpive të marra me qira nga turistë kryesisht në zonat Elias, Halarës, Agrari, Linos, Paraga dhe Skalados.

Gjatë periudhës 6 gusht e deri më datë 20 ata dyshohet të kenë kryer 10 vjedhje me thyerjve si dhe 3 tentativa të tjera të dështuara. Sipas policisë, vlera totale e sendeve të grabitura arrinte në rreth 138,000 euro.

Hajdutët përdornin furgonë të marrë me qira dhe hynin në ambientet që synonin duke thyer dritare ose dyer ballkoni. Aty grabisnin para, bizhuteri, veshje dhe këpucë firmato, orë, dhe sende të tjera me vlerë. Një pjesë e mallrave të vjedhura ishin fshehur në çarje shkëmbinjsh për t’u ruajtur përkohësisht. Policia ka sekuestruar:

3,395 euro, si dhe shuma në dollarë amerikanë dhe franga zvicerane

Ora dhe vathë të markave të njohura

Rrobat dhe dorezat që kishin përdorur gjatë grabitjeve

Katër telefona celularë

Veshje e aksesorë firmato

Katër shqiptarët do të dalin nesër përpara gjykatës për tu njohur me masën e sigurisë, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e peronave të tjerë të përfshirë në këtë grup kriminal. m.p.

❌
❌