Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 22 August 2025Main stream

Cilat janë shenjat e zodiakut më me fat për muajin shtator?

By: el da
22 August 2025 at 21:52

Sipas astrologëve, katër shenja të zodiakut pritet të jenë veçanërisht me fat gjatë muajit shtator, në dashuri, karrierë dhe vendime të rëndësishme personale.

Luani

Ky është momenti juaj për të dalë në dritë. Natyra juaj vezulluese dhe kreativiteti janë në kulmin e tyre, duke ju ndihmuar të arrini sukses në çdo fushë ku përfshiheni. Mund të përfitoni edhe në aspektin financiar, ndërsa jeta juaj sentimentale mund të ndriçojë me takime emocionuese dhe ndjenja të reja. Surpriza në dashuri dhe mundësi të reja/ Horoskopi 22 gusht 2025: Mos i injoro mesazhet e intuitës…

Peshorja

Shtatori sjell ekuilibër dhe qartësi. Do të ndiheni më të vendosur për të marrë vendime të rëndësishme, qoftë në marrëdhënie apo në investime. Harmonia që ju karakterizon këtë muaj është çelësi i suksesit tuaj. Instinkti do të jetë udhërrëfyesi më i mirë.

Shigjetari

Me optimizmin që ju karakterizon, shtatori do të jetë një muaj plot mundësi të reja. Udhëtime, njohje të reja dhe projekte që kërkojnë guxim janë në horizont. Mos hezitoni të dilni nga zona e rehatisë, fati është në anën tuaj.

Peshqit

Intuita juaj do të jetë më e fortë se kurrë. Kjo është koha për t’i besuar ndjenjave dhe vizioneve tuaja. Qoftë në krijimtari apo në jetën personale, shtatori do t’ju ndihmojë të gjeni përgjigje që ndoshta i keni kërkuar prej kohësh. m.p.

“PD do pranojë të hyjë në Kuvend dhe të marrë 3300 euro rrogë nga Rama”

By: el da
22 August 2025 at 21:45

Sesioni parlamentar i Kuvendit të zgjedhur më 11 maj nis punimet në muajin shtator, por opozita përveçse është në krizë, ka shfaqur edhe një bipolaritet politik të theksuar në diskursin e saj dhe planet se çfarë do të bëjë me mandatet.

Juristi Kreshnik Spahiu, teksa analizonte për Report Tv sjelljen e PD-së tre muajt e fundit dhe pritshmëritë prej saj për Kuvendin dhe sezonin e vjeshtës, ironizoi se deputetët demokratë me Berishën në krye, do pranojnë të hyjnë në Parlament dhe të marrin rrogën 3300 euro nga Edi Rama. Për sjelljen politike të PD-së dhe dhënien ‘borxh’ të deputetëve te LSI për të bërë grup parlamentar, ai nënvizoi:

“E para nuk është ligjore, e dyta as morale dhe e treta as logjike. E katërta, është antagoniste me diskursin e PD-së aktualisht. Në një anë thotë s’i njohim zgjedhjet, në anën tjetër bën grupet parlamentare për të marrë lekët. Nga një anë thotë do bëjmë protesta popullore në rrugë jashtë Parlamentit, nga ana tjetër i jep borxh deputetë partive të tjera. Një grup parlamentar merr 100 mijë euro më shumë, 6 grupe marrin 600 mijë euro, duke përfshirë të gjitha strukturat”.

Dhe pozitat parodike të opozitës kulmojnë nga pretendimet për farsë elektorale, tek moszhvillimi i asnjë proteste në rrugë për tre muajtë e verës, një antagonizëm që tani shoqërohet me deklaratat për protesta masive në vjeshtë, por edhe me hyrjen në Parlament për të marrë rrogën.

“Ka tre muaj nga zgjedhjet nuk ka bërë asnjë protestë, edhe pse flet për farsë elektorale. Kam një pyetje? A do shkojnë këta deputetë në Parlament të marrin rrogën 3,3 mln euro që u ka vendosur qeveria e Edi Ramës?! Këta deputetë duan që demokratët të rrinë rrugëve, të protestojnë te shtëpia e Berishës dhe të mos e humbasin rrogën e tyre. Morali i tyre duhet të ndahet nga këto interesa dhe të mbushin sheshet. Dy gjëra janë të sigurta në jetë, vdekja dhe xhaketat që deputetët e PD varin prej 35 vitesh te PD. Më aktiv ka qenë Pëllumb Pilinci, sesa PD-ja”, ironizoi Spahiu.

Dhe për t’i vënë ‘kapakun’, ai argumentoi se sipas gjasave, protestat e vjeshtës së PD-së do shtyheshin deri në Vitin e Ri, më pas për Bajram e më pas do ketë përsëritje thirrjesh për qeveri teknike apo zgjedhje të parakohëshme.

“Nëse ecim me këto kauza të PD-së, do kalojmë nga protestat e vjeshtës tek ato të Krishtlindjeve, tek të Bajramit dhe më tej asnjëherë, ku do dëgjojmë pretendime për qeveri teknike apo zgjedhje të parakohshme, pra do jetë një farsë”, përfundoi juristi analizën për situatën politike që po kalon opozita në Shqipëri. m.p.

6.6 milionë turistë kanë hyrë në Shqipëri deri në korrik

By: el da
22 August 2025 at 21:33

Venla, Henli dhe Antti janë një grup të rinjsh nga Finlanda që kanë ardhur për pushime në Shqipëri.

“Është hera e parë që vij në Shqipëri dhe jam shumë e befasuar. Plazhet janë shumë të bukura, ushqimi i shkëlqyer dhe njerëzit tepër miqësorë”, thotë për A2 CNN, Venla, turiste nga Finalanda.

“Kam udhëtuar në disa vende të Ballkanit, por këtu ndjehem më lirshëm. Çmimet janë të mira dhe natyra është shumë e pastër”, thotë për A2 CNN, Henli, turiste nga Finlanda.

“Unë jam i apasionuar pas historisë dhe vizitova disa vende arkeologjike. Shqipëria ka shumë kulturë dhe potencial për turizëm, do t’ia rekomandoja miqve të mi”, thotë për A2 CNN, Antti, turist nga Finalanda.

Janë gati 6.6 milionë turistë që kanë hyrë në Shqipëri deri në korrik. Numri i të huajve që kanë ardhur kryesisht për pushime është zgjeruar me 4 për qind, krahasuar me janar-korrikun e vitit të shkuar.

Pjesa më e madhe e tyre, mbi 6.2 milionë janë turistë nga vendet Europiane, ndjekur nga ata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Azia Lindore dhe Afrika.

“Këtë verë kemi pasur një rritje të ndjeshme të turistëve nga vende të ndryshme të Evropës dhe madje edhe nga Kanadaja. Krahasuar me një vit më parë, numri i prenotimeve është rritur ndjeshëm dhe sezoni po zgjatet më shumë. Turistët vlerësojnë mikpritjen shqiptare, çmimet e arsyeshme dhe bukurinë natyrore që ofron vendi ynë”, thotë për A2 CNN, Albulen Ndrepepaj, menaxher resorti.

Megjithatë ritmet e zgjerimit të turizmit nuk po janë më ato të njëjta me vitet e shkuara. Muajin e shkuar në vend erdhën rreth 1.8 milionë të huaj, 0.4 për qind më tepër se korrikun e një viti më parë. m.p.

Kandidati i Lapajt: Në akademinë time, fëmijët jetimë e kanë kursin falas

By: el da
22 August 2025 at 21:25

Azmer Duleviç, inxhinier elektrik dhe kandidat për deputet në zgjedhjet e fundit në listat e “Shqipëria Bëhet”, ka njoftuar se të gjithë fëmijët që kanë humbur prindërit, do të kenë kurse falas në akademinë e tij profesionale.

“Sot mora një lajm që më preku, një nga studentët e mi, pa të dy prindërit (jetim), u punësua si elektricist. Nuk ka fjalë që përshkruajnë gëzimin tim në këto momente”, shkruan ai. Nisur nga ky rast, Azmeri thekson se në akademinë e tij “iTech Academy”, kurset për fëmijët jetimë do të jetë falas.

“Për sa kohë unë do ta drejtoj qendrën e trajnimeve iTech Academy, kurset për jetimët do t’i ofroj falas pikërisht për t’ja ndryshuar sadopak jetën edhe atyre që nuk kanë mundësi ekonomike. Mbase është pak por unë kaq kam mundësi të bëj”, shkruan inxhinieri.

Pas javë pas zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit, Azmer Duleviç njoftoi publikisht tërheqjen nga angazhimi politik me Lëvizjen Shqipëria Bëhet, një parti e re e drejtuar nga Adriatik Lapaj, e cila garoi për herë të parë dhe siguroi një vend në Parlament.

Vetë Azmeri e humbi mandatin në qarkun e Fierit për shumë pak vota dhe pavarësisht se garoi në një bastion historik të socialistëve, ai sërish ishte më këmbë në tokë kur pranoi rezultatin me shumë qytetari, nuk kërkoi të fajësojë askënd dhe nuk ngriti akuza për vjedhje votash.

Edhe vitin e kaluar kur nuk ishte ende personazh publik dhe nuk ishte angazhuar me ndonjë parti, në prag të nisjes së vitit të ri shkollor, inxhinieri Azmer Duleviç u bëri thirrje të gjithë të rinjve që kishin humbur prindërit që ta kontaktonin sepse do ju garantonte një kurs falas.

Jo vetëm si elektriçsit, por dhe si programues kamerash, sistemesh alarmi, programim PLC dhe programim KNX Smart Home.

Një nismë e veçantë dhe për t’u duartrokitur, nga një qytetar, një profesionist dhe një sipërmarrës i thjeshtë që me aq mundësi sa ka, vendos të bëjë mirë dhe t’u japë zanatin të gjithë të rinjve që duan të kenë një të ardhme me të mirë. Sigurisht, me punë të ndershme.

m.p.

Kush janë 3 ministrat që Rama nuk do i largojë kurrë?

By: el da
22 August 2025 at 21:15

Kreshnik Spahiu tha sot për Report Tv se kryeministri Edi Rama pritet të ndryshojë të paktën 90% të kabinetit të tij qeveritar dhe vetëm 2-3 ministra mund të shpëtojnë dhe të ruajnë portofolet e tyre, ndërsa do të zgjedhë ministra teknokratë për të arritur synimin e integrimit në BE.

Juristi shpjegoi se ndryshe nga PD-ja që është antagoniste, Partia Socialiste prodhon opozitë brenda vetes dhe çështje në situata krizash të ndryshme dhe sidomos kur ka problematika me drejtësinë, duke mos kursyer as figura drejtuese.

Dhe kjo është strategji e kryeministrit Edi Rama, që tani ka vetëm dy halle kryesore politike, atë me ndërkombëtarët për integrimin dhe drejtësinë që i ka shenjëstruar kabinetin qeveritar.

“Ajo që ndodh me PS është problem më vete. Sa herë PS ka kriza, ka protesta nga opozita, ka fatkeqësi natyrore apo probleme me SPAK, ajo nuk rrudhet por forcohet. Krijon probleme brenda vetes, shemb lokale, hotele, restorante, ndryshon drejtues, pra krijon një opozitë brenda vetes sa herë ka kriza. Nëse Berisha ka një variant me protesta e protesta apo qeveri teknike e revolucion, Rama është më i lexueshëm. Ndryshe nga Berisha që nuk i ndryshon njerëzit, Rama s’e ka për gjë të marrë 16 njerëz anonimë në kaq ministri, që nuk kanë profil mediatik, sepse kjo i funksionon më së miri në një parti që ka pasur probleme me SPAK-un dhe drejtësinë”, tha ai.

Spahiu mendon se Rama në shtator do të ketë një qeveri me më shumë ministra teknokratë, për të mos thënë se do ndryshojë të gjithë kabinetin.

“Unë mendoj se do bëjë një qeveri teknokratësh, edhe në kuadër të integrimit në BE, të jenë njerëz të asociueshëm dhe ekselentë me kontaktin ndërkombëtar në BE, me qëllim integrimin. Ai nuk ka më problem votash. Ai ka vetëm dy probleme: Ndërkombëtarët dhe Drejtësinë. Ndaj mendoj se do synojë njerëz të shkolluar jashtë dhe që janë larg aferave dhe dosjeve që heton SPAK dhe drejtësia”, vijoi ai.

I pyetur se cilët do të ishin ministrat apo figurat e PS që do ruanin portofolët e tyre në qeverinë e ardhshme, ai tha se:

“Nuk mendoj se do ketë më shumë se 2 persona nga qeveria aktuale në kabinet, sepse i ka në Parlament. Ai ecën me parimin e ‘ndërrimit të kuajve’, rifreskim i kabinetit. Mendoj se Balluku dhe Gonxhe mund të vazhdojnë, si dhe Spiropali, ata besoj se janë më të sigurtit aty, për të tjerët mendoj se do lëvizin”. m.p.

Zelensky: Moska po na tregon se do të vazhdojë luftën

By: el da
22 August 2025 at 21:05

“Rusia vazhdon të lëshojë ultimatume thjesht sepse dëshiron të vazhdojë luftën”. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e përsëriti këtë në një konferencë të përbashkët për shtyp me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte, i cili po viziton Kievin.

“Çështja e përfundimit të luftës duhet të zgjidhet në nivel udhëheqësish. Por ne shohim se rusët po bëjnë gjithçka që munden për të parandaluar takimin. Ne jemi të gatshëm të punojmë në mënyrë produktive, në masën më të plotë. Shpresojmë që partnerët tanë do të ndihmojnë në sigurimin e të paktën një pozicioni minimalisht produktiv nga pala ruse. Nëse ata nuk pranojnë një zgjidhje diplomatike për këtë luftë, nëse nuk duan ta përfundojnë atë, nevojiten sanksione shumë të ashpra. Ne mbështetemi shumë në paketa të forta sanksionesh nga partnerët tanë”, përfundoi ai. m.p.

Bastisja e shtëpisë së John Bolton, reagon Trump

By: el da
22 August 2025 at 20:55

Donald Trump ka thyer heshtjen duke reaguar për herë të parë për bastisjen e FBI-së në shtëpinë e ish-Këshilltarit të tij të Sigurisë Kombëtare, John Bolton.

Presidenti amerikan gjatë një vizite surprizë në Muzeun e Shoqatës Historike të Shtëpisë së Bardhë mohoi të kishte dijeni për aksionin, duke thënë se do të informohet për bastisjen më vonë gjatë ditës, por pranoi se nuk e dinte se po ndodhte derisa u publikua në lajme.

Duke e kritikuar ish-ndihmësin e tij si një ‘njeri të varfër’ dhe ‘një djalë jo i zgjuar’, Trump tha: “Ai është kaq i keq në atë që bën”.

“Ai nuk flet, është si një person shumë i qetë përveçse në televizion dhe pastaj mund të thotë diçka të keqe për Trump. Ai gjithmonë do ta bëjë këtë. Por ai nuk flet, është shumë i qetë”, u tha Trump gazetarëve.

Sakaq, bëhet me dije se Trump do të bëjë një njoftim me rëndësi nga Zyra Ovale më vonë gjatë ditës. Tema e fjalimit nuk është zbuluar, por mendohet se mund të ketë lidhje me aksionin e agjentëve të FBI-së dhe kontrollin e tyre në shtëpinë e Boltonit në zonën e Uashingtonit, e cila thuhet se lidhet me një hetim mbi përdorimin e tij të dyshuar të dokumenteve të klasifikuara në vitin 2020.

Bolton, i cili shërbeu si Këshilltari i Sigurisë për Presidentin Donald Trump nga prilli 2018 deri në shtator 2019, ka qenë në kundërshtim me Presidentin që kur u nda nga administrata e parë. m.p.

Real Madrid gjen zëvendësuesin ideal të Kroos

By: el da
22 August 2025 at 20:44

Real Madrid është në kërkim të një organizatori të mirëfilltë në mesfushë, një profil që i mungon pas largimeve të Toni Kroos verën e kaluar dhe Luka Modric këtë verë.

Pavarësisht interesit të vazhdueshëm për Martin Zubimendin, mesfushori spanjoll zgjodhi të transferohej tek Arsenal. Edhe pse janë përmendur disa emra “big” për mesfushën e Real Madrid këtë sezon, duke filluar nga Vitinha, Enzo Fernandez, Alexis Mac Allister e ndonjë tjetër, e vërteta duket se është ndryshe.

“AS” raporton se drejtuesit e klubit madrilen e kanë identifikuar lojtarin që iu nevojitet për mesfushën e tyre. Real Madrid po synon talentin e ri 21-vjeçar Adam Wharton, mesfushori i ri anglez, i cili po shkëlqen për Crystal Palace dhe njihet si “Pirlo i Blackburn”, gjë që tregon qartë cilësitë e tij.

Sipas raportimit në fjalë, Real Madrid është i gatshëm të ofrojë 80 milionë euro për mesfushorin e ri anglez, duke ditur interesin e madh për të nga shumë klube të mëdha në Angli dhe jo vetëm. Plani i klubit madrilen është që me largimin e Rodrygo te Man. City këtë merkato, te tentohet transferimi i Adam Wharton.

Në rast se nuk ndodhë këtë verë, është e sigurt se verën e ardhshme Real Madrid do bëjë gjithçka për transferimin e mesfushorit anglez. m.p.

Trump: Zelensky dhe Putin janë si vaji me uthullën…

By: el da
22 August 2025 at 20:34

Donald Trump, ka komentuar përpjekjet për të organizuar një takim mes presidentit rus Vladimir Putin dhe atij ukrainas Volodymyr Zelensky, duke përdorur një krahasim metaforik për raportin mes tyre.

“Do të shohim nëse Putin dhe Zelensky do të punojnë së bashku. E dini, është si puna me vajin dhe uthullën. Ata nuk shkojnë shumë mirë me njëri-tjetrin, për arsye të qarta,” u shpreh Trump gjatë një bisede të shkurtër me gazetarët.

Deklarata u dha pasi u përfol për një takim të mundshëm mes dy liderëve, si pjesë e një nisme për paqe në Ukrainë, pas bisedimeve të fundit që Trump ka zhvilluar me Putinin në Alaska.

I pyetur nëse do të marrë pjesë personalisht në një takim të mundshëm Putin–Zelensky, Trump la të kuptohet se nuk është i sigurt për rolin e tij në këtë iniciativë diplomatike.

“Nuk jam i sigurt nëse duhet të marr pjesë. Sinqerisht, do të preferoja të mos isha pjesë,” tha presidenti amerikan.

Krahasimi i përdorur nga Trump “si vaji dhe uthulla” ka ngjallur reagime në rrjet dhe mediat ndërkombëtare, duke nënvizuar nivelin e lartë të tensioneve dhe mungesën e harmonisë mes dy liderëve, në një kohë kur lufta në Ukrainë ka hyrë në vitin e katërt dhe përpjekjet për një zgjidhje paqësore vazhdojnë të jenë të vështira. m.p.

Zjarret, Ministria e Mbrojtjes: 13 vatra aktive gjatë orëve të fundit, 2 ende aktive

By: el da
22 August 2025 at 20:25

13 vatra zjarri janë evidentuar gjatë orëve të fundit nga të cilat 9 vatra janë shuar, 2 janë aktive ndërsa 2 të tjera në monitorim.

Forcat e Armatosura ndodhen në terren ndërsa zjarrfikësit gjithashtu vijojnë punët për shuarjen e zjarreve. Dy helikopterë të FA në Finiq po kryejnë operacione intensive nga ajri.

Aktualisht aktive mbeten vatrat në Pezë Helmës, njësia Pezë, Tiranë: Vatra e zjarrit po mbahet në mbikëqyrje deri në fikjen përfundimtare. Sot janë shfaqur disa vatra të vogla brenda perimetrit të djegur.

Ibë, njësia Bërzhitë, Tiranë: Është aktivizuar një vatër zjarri në sipërfaqe me shkurre dhe mare, pranë zonës ku një vatër u shua një ditë më parë. Terreni është i paarritshëm për mjetet zjarrfikëse. Në ndërhyrje kanë marrë pjesë 12 forca zjarrfikëse me pajisje individuale dhe 4 forca të APR.

Parku Natyror Gërmenj, njësia Leskovik: Vijon puna për shuarjen e zjarrit, me angazhimin e 3 mjeteve dhe 14 efektivëve zjarrfikës të MZSH Kolonjë, si dhe 6 forcave policore.

Në fshatin Dërmish, njësia Finiq, Vlorë, vijon puna për shuarjen e zjarrit në një sipërfaqe me shkurre. Në terren po veprojnë 5 automjete zjarrfikëse me 20 efektivë të MZSH Finiq, 20 forca vullnetare dhe dy helikopterë të Forcave të Armatosura, të cilët po kryejnë operacione nga ajri për shuarjen e flakëve. Momentalisht nuk ka rrezik për banesa. m.p.

“Bloomberg”: Ja vendet pro dhe kundër dërgimit të trupave në Ukrainë

By: el da
22 August 2025 at 19:56

Vendet evropiane po nxitojnë për finalizimin e garancive për sigurinë e Ukrainës, përpara një takimi të mundshëm mes presidentëve Volodymyr Zelensky dhe Vladimir Putin, që mund të mbahet në javët e ardhshme.

Rreth 30 vende kanë qenë në bisedime që prej muajit shkurt, në kuadër të atij që njihet si Koalicioni i Vullnetarëve, duke prekur edhe mundësinë e dërgimit të trupave për të parandaluar që sulmet e Rusisë të përsëriten.

“Shumë shtete janë gati ta bëjnë këtë. Prania jonë nuk do të jetë në zonat e nxehta, as në ato të kontestuara, por pranë trupave ukrainase”, deklaroi të dielën presidenti francez Emmanuel Macron.

Donald Trump e bëri të qartë të martën se Shtetet e Bashkuara nuk do të dërgojnë trupa në terren, por 10 shtete janë gati të kontribuojnë në këtë drejtim.

Por cilat janë ato? Agjencia e lajmeve “Bloomberg” ka renditur përveç Francës ede Mbretërinë e Bashkuar që ka shprehur vullnetin për ta bërë këtë gjë.

“Ne jemi gati të dërgojmë trupa britanike në Ukrainë për në kuadër të garancive të sigurisë”, deklaroi sekretari i Mbrojtjes, John Healey.

Vende të tjera pro idesë janë Belgjika, si dhe dy nga tre shtetet baltike, Lituania dhe Estonia. Vendet në dilemë janë shteti i tretë baltik, Letonia, si dhe ai nordik i Suedisë.

Ndërsa ato që qëndrojnë të palëkundura në kampin “jo” janë dhe vendet elitë të BE-së, si: Gjermania, Italia, Holanda, Spanja, të ndjekura nga Polonia dhe Hungaria. m.p.

Po shkonte të merrte nusen, qëllohet për vdekje dhëndri

By: el da
22 August 2025 at 19:44

Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Tunizi gjatë një ceremonie martese. Mediat e huaja bëjnë të ditur se mbrëmjen e 21 gushtit në Ben Guerdane, një qytet kufitar me Libinë disa persona të armatosur me pushkë qëlluan me gaz lotsjellës.

Nga të shtënat u godit dhëndri 33-vjeçar, në disa pjesë të trupit, si dhe u plagosën fotografi dhe një fëmijë 9-vjeçar. Dhëndri mbërriti në spitalin Ben Guerdane në gjendje kritike dhe vdiq pak më pas.

Tragjedia ndodhi teksa dhëndri po shkonte drejt shtëpisë së nuses. Forcat e sigurisë kanë nisur një hetim për të identifikuar personat përgjegjës për vdekjen e të riut, të cilët u larguan pas incidentit. m.p.

Tre shqiptarë u dogjën të gjallë brenda makinës! Arrestohet bullgari

By: el da
22 August 2025 at 19:32

56-vjeçari bullgar, drejtues i kamionit që shkaktoi aksidentin e rëndë ku humbën jetën 3 shqiptarë në Greqi, është arrestuar nga policia.

Mësohet se pas daljes nga spitali ditët e fundit, i dyshuari u paraqit sot para autoriteteve gjyqësore greke. Sipas mediave vendase, deklarimet e tij për pafajësi nuk bindën hetuesin dhe prokurorin, të cilët vendosën masën e sigurisë me burg pa afat.

Kujtojmë se drejtuesi i kamionit akuzohet për vrasje nga pakujdesia, lëndime trupore dhe drejtim të rrezikshëm të mjetit.

Aksidenti ndodhi rreth 600 metra para pikës së pagesës, kur kamioni u përplas me dy automjete që ndodheshin të ndaluara në radhë. Përplasja ishte aq e fortë sa automjeti i parë shpërtheu në flakë, duke lënë të vdekur në vend tre persona, një çift 59 dhe 57 vjeç dhe një tjetër viktimë 61-vjeçare, të gjithë nga Shqipëria.

Rezultatet e analizave toksikologjike pritet të publikohen në ditët në vijim për të zbuluar nëse drejtuesi i kamionit kishte konsumuar alkool. Ndërkohë, është caktuar edhe një ekspert teknik për të përcaktuar saktësisht shpejtësinë me të cilën lëvizte mjeti në momentin e përplasjes. m.p.

Balluku: Përballuam kërkesën e lartë për energji, kemi furnizim normal

By: el da
22 August 2025 at 19:26

Në një deklaratë për mediat të mbajtur nga salla SCADA e Operatorit të Transmetimit të Energjisë, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, bëri një përmbledhje të situatës energjetike në vend gjatë sezonit turistik veror 2025.

Ajo vuri në dukje rritjen historike të konsumit të energjisë elektrike, sfidat me të cilat është përballur rrjeti për shkak të temperaturave të larta dhe zjarreve, si dhe masat e marra për të garantuar furnizim të qëndrueshëm në të gjithë territorin.

Më tej, Balluku theksoi gjithashtu rezultatet pozitive në reduktimin e humbjeve në rrjet dhe nismat e qeverisë për forcimin e sektorit energjetik, përballimin e kërkesës në rritje dhe uljen e çmimit të energjisë për familjarët.

Deklarata e plotë e Belinda Ballukut:

“Përshëndetje,

Këtu nga salla SCADA e Operatorit të Transmetimit të energjisë po bëj një pasqyrim të përmbledhur mbi situatën energjetike në vend, nivelin e konsumit të energjisë gjatë sezonit turistik veror dhe angazhimin e të gjithë strukturave publike të sektorit për të garantuar furnizim të pandërprerë me energji gjatë këtij sezoni turistik kaq të rëndësishëm për ekonominë e vendit.

Të dhënat e rrjetit tregojnë një rritje të vazhdueshme të konsumit nga viti në vit, në të gjithë elementët e tij, referuar të dhënave të Operatorit të Shpërndarjes të Energjisë, konsumi i energjisë elektrike, krahasuar me një vit më parë, me vitin 2024, u rrit me 2.2% ose me 41,885 megavatorë. Krahasuar me vitin 2023 u rrit me 10.3% ose me 18,4151 megavatorë.

Nëse do ta krahasonim me vitin 2019, si viti para pandemisë dhe krizës energjetike, në muajin qershor dhe korrik të vitit 2025 kemi një rritje respektive të konsumit mujor me 21.5% dhe 30.7%. E përkthyer në sasi energjie elektrike, rritja vetëm për këto dy muaj është sa konsumi i total i konsumatorëve familjarë për muajin Prill 2025 apo rreth 217,000 MWh.

Sa i përket konsumit ditor, tashmë mund të klasifikojmë hapur se dita me konsumin më të lartë në vend nuk i përket muajve të dimrit, por muajve të verës. Data 13 Gusht 2025 me një konsum prej 27,995 MWh, ka kaluar ditën që zakonisht është ajo me konsumin më të lartë në vend, 31 dhjetorin, e cila në fundin e vitit 2024 ka qenë 27,438 MWh. Konsumi mesatar ditor në vitin 2025 në rang vendi është 20,856 MWh, ndërkohë që në vitin 2024 ishte 20,610 MWh dhe në vitin 2023 ishte 18,593 MWh, rritje që tregon dukshëm zhvillmini e qëndrushëm ekonomik të vendit sidomos në dy viteve të fundit.

E megjithëse sistemi elektroenergjetik dhe rrjeti janë ekspozuar në kërkesën më të lartë historike të konsumit, furnizimi me energji elektrike në vend edhe në zonat me interes në ekonominë e turizmit, ka vijuar të jetë në standardet më të mira të tij.

Ka qenë një sezon i vështirë dhe për shkak të situatës së zjarreve që kanë kërcënuar në jo pak raste nënstacionet dhe linjat e transmetimit. Skuadrat e OST dhe OSHEE kanë qenë gjatë gjithë kohës në gatishmëri dhe janë angazhuar në mënyrë aktive në fikjen e zjarreve dhe mbrojtjen e aseteve tona energjetike.

Ndaj dua të përgëzoj dhe të falënderoj të gjithë ata punonjës të cilët jo vetëm qëndruan në gatishmëri për të rivënë në punë rrjetin e ndikuar nga zjarret, por dhanë dhe ndihmën e tyre të drejtpërdrejtë në shuarjen e zjarreve, anembanë Shqipërisë.

Ndërkohë, të dhënat e rrjetit të shpërndarjes, vijojnë të tregojnë trendin rënës të humbjeve në rrjet, çka ndihmon edhe më shumë në rritjen e performancës financiare, por dhe teknike të operatorëve të sistemit energjetik.

1.45% është shënuar rënia e humbjeve teknike në rrjet ose e thënë ndryshe janë kursyer 21,699 MWh. Ashtu siç e kemi bërë me dije 1% humbje të rikuperuara në 1 vit, ekuivalojnë në një kursim financiar rreth 7 milionë euro, duke forcuar kështu financat e sektorit e duke na dhënë mundësi të punojmë për ulje të mëtejshme të çmimit të energjisë për abonentët familjarë, pas uljes 10.5% që aplikuam në fillim të vitit 2025.

Megjithatë, rritja e konsumit ekspozon nevojën për të forcuar kapacitetet tona në të gjitha hallkat e zinxhirit energjetik nga prodhimi, te transmetimi dhe shpërndarja, e deri te efiçenca në konsum.

Për këtë arsye, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë po vijon të ndërmarrë një sërë nismash të rëndësishme. Të gjitha këto nisma synojnë jo vetëm përballimin e kërkesës në rritje, por edhe mundësimin e aksesit të produktit energjetik në tregun rajonal të energjisë, madje mbrojtje të plot të konsumatorit, mjedisit dhe ekonomisë tonë nga luhatjet e mundshme të tregjeve ndërkombëtare të energjisë.

Sezoni turistik tashmë shkon përtej muajit gusht që është piku i tij dhe ne do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim për të ofruar një shërbim energjetik cilësor e të qëndrueshëm.

Fundjavë të mbarë për të gjithë”, thuhet në deklaratë. m.p.

I prenë veshin dhe e goditën me shishe në kokë, detajet e 21-vjeçarit në Tiranë

By: el da
22 August 2025 at 19:15

Zbulohen të tjera detaje nga sherri mes disa të rinjve në Tiranë ku mbeti i plagosur një 21-vjeçar. Tre autorët e ngjarjes raportohet se i kanë shkuar në shtëpi të riut dhe e kanë goditur me shishe në kokë ndërsa më tej i kanë prerë njërin vesh.

Policia e Tiranës bën me dije se kanë arrestuar tre autorët, Florjan Faslia, Mentor Daja dhe Samuel Tahiraj. Po ashtu bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti për motive të dobta, ndërkohë që 21-vjeçari ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.

Materialet u referuan Prokurorisë për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje” e kryer në bashkëpunim.

Njoftimi i Policisë:

Tiranë-Plagosën rëndë për motive të dobëta një 21-vjeçar, identifikohen dhe vihen në pranga 3 shtetas.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 2, pas marrjes së njoftimit se në rrugën “Mihal Popi”, kishte ndodhur një konflikt gjatë të cilit ishte dëmtuar me sende të forta një shtetas, kanë organizuar menjëherë punën për kapjen e autorve dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.

Si rezultat i veprimeve të shpejta u identifikuan dhe u vunë në pranga shtetasit: F. F., 18 vjeç, M. D., 21 vjeç dhe S. T., 19 vjeç, të tre banues në Tiranë.

Këta shtetas, në rrugën “Mihal Popi” pas një konflikti për motive të dobëta, kanë goditur me sende të forta shtetasin M. B., 21 vjeç, duke i shkaktuar dëmtime të rënda. Aktualisht, 21-vjeçari ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.

Materialet u referuan Prokurorisë për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje” e kryer në bashkëpunim. m.p.

Kosovarët bojkotojnë Shqipërinë, rikthehen serbët

By: el da
22 August 2025 at 19:07

Turizmi po shfaq tendenca të reja përgjatë këtij viti. Në total, ritmet e hyrjes së shtetasve të huaj në vend janë ngadalësuar ndjeshëm, në krahasim me vitin e mëparshëm. Për janar-korrik në vend kanë hyrë 6.58 milionë shtetas të huaj, me rritje 3.5% me bazë vjetore, nga 23% të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Edhe në korrik shifrat ishin të vakëta, me 1.82 milionë hyrje, ose vetëm 0.4% më shumë se korriku 2024, shkruan Monitor.al.

Nëse e shohim gjeografinë sipas shteteve, faktori kryesor që po e ndikon ngadalësimin e turizmit është Kosova. Në 7 mujorin 2025 hynë gjithsej 2.3 milionë shtetas nga Kosova, me rënie 5%, ose 121 mijë shtetas më pak. Për shkak të peshës së lartë që zë turizmi nga shteti fqinjë, me 35% të totalit për 7 mujorin, efekti është i dukshëm. Edhe në korrik hyrjet nga Kosova ranë me 6%.

Zbehja e turizmit patriotik lidhet me tre arsye. Së pari, që nga janari 2024 Kosova lëviz pa viza në shtete e BE-së, duke bërë që një pjesë e pushuesve me aftësi të lartë paguese të shkojnë në vende të tjera. Së dyti, shtrenjtimi i çmimeve në Shqipëri i ka larguar shumë të tjerë. Së treti, rënia e euros e bën të paleverdishëm monedhën e përbashkët që përdor Kosova, në krahasim me shtetet që e përdorin të njëjtën valutë, si psh Greqia.

Edhe italianët, grupi i dytë më i madh i turistëve në vend, me 10% të totalit po largohen gradualisht për shkak të rritjes së çmimeve. Për 7 mujorin, hyjnë 664 mijë shtetas italianë, me rritje 4.5%. Në të njëjtën periudhë të një viti më parë zgjerimi kishte qenë 47%.

Maqedonia e Veriut vijon të mbetet besnike ndaj plazheve shqiptare, me rritje përkatësisht 11.3% për 7 mujorin, por me ngadalësim prej 1.3% në korrik. Në rënie të fortë në korrik ishte dhe Mali i Zi (-25%), ndërsa për 7 mujorin tkurrja është gati 2%.

Greqia vijon me rritje, 12% për 7 mujorin dhe 7.4% për korrikun. Në rënie janë vizitat nga Turqia, që në korrik ranë me 33% dhe për 7 mujorin me 8.3%.

Në rënie janë dhe polakët, që u tkurrën 12% në korrik dhe po aq për 7 mujorin, e spanjollët me tkurrje 5.3% për 7 mujorin. Operatorët turistikë pohojnë se tkurrja ka ardhur kryesisht nga largimi i turistëve individualë.

Janë rikthyer serbët, me 16% më shumë hyrje për 7 mujorin, ose 77 mijë. Në korrik rritja është më e fortë, me 28%, teksa ata po preferojnë kryesisht jugun. Në rritje të fortë ishin hyrjet nga Franca e Gjermania, përkatësisht me 47% dhe 27% për 7 mujorin. m.p.

U kap me kokainë në makinë, Marina Fara: E mbaja për përdorim personal!

By: el da
22 August 2025 at 18:53

Marina Fara, vajza e këngëtares së mirënjohur Eli Fara është arrestuar ditën e sotme nga Policia e Tiranës, pasi u kap me doza kokaine me vete.

Sipas raportimeve, Marina Fara i ka thënë policisë së lëndën narkotike e mbante për përdorim personal.

Kujtojmë se pesë vite më parë, Marina Fara doli në përgjime në kuadër të operacionit “Mezhgorani” ku u arrestuan më shumë se 30 persona.

Asokohe, Marina Fara dyshohej se kishte ndihmuar dy të dyshuar për trafik droge që të arratiseshin. m.p.

Bajrami prezantohet te “djajtë e kuq” në Angli

By: el da
22 August 2025 at 18:44

Nis një aventurë e re për Geraldo Bajramin. Ish-mbrojtësi i Kombëtares U21, ka gjetur një skuadër të re për t’u aktivizuar në futbollin anglez, ku ka kaluar gjithë karrierën e tij.

Pasi ka lënë pas një sezon ku ka parë rrallëherë fushën e lojës më Bërton Albion, Bajrami ka kaluar në huazim deri në fund të sezonit te skuadra e Krouli në kategorinë e katërt angleze. Futbollisti kësisoj do të ketë mundësinë të nisë thuajse gjithçka nga e para te “djajtë e kuq”, në një kategori që njeh mirë, për të lënë pas vitet e mosaktivizimit edhe si pasojë e dëmtimeve të njëpasnjëshme që e lanë pushim për një periudhë të gjatë.

Bajrami ka qenë një nga elementët e spikatur të përfaqësueses U21 të Shqipërisë, teksa ka qenë edhe kandidat për të veshur fanellën e Kombëtares A kur ajo drejtohej nga Edi Reja. m.p.

“Fëmija im nuk e di se çfarë shije kanë frutat”, banorët e Gazës në zi buke

By: el da
22 August 2025 at 18:35

Banorët e Rripit të Gazës kanë përshkruar efektet e urisë së rëndë në trupat e tyre, pasi raportit të mbështetur nga OKB-ja që konfirmoi për herë të parë urinë në territor.

Reem Tawfiq Khader, 41 vjeç, nënë e pesë fëmijëve nga qyteti i Gazës, tha për BBC-në: “Shpallja e urisë erdhi shumë vonë, por është ende e rëndësishme. Nuk kemi ngrënë asnjë proteinë për pesë muaj. Fëmija im më i vogël është katër vjeç. Ai nuk e di se si duken ose çfarë shije kanë frutat dhe perimet.”

OKB-ja thotë se Izraeli ka kufizuar ndjeshëm sasinë e ndihmës që hyn në Gaza, gjë që Izraeli e mohon.

Një tjetër grua 47-vjeçare, Rajaa Talbeh, nënë e gjashtë fëmijëve, tha se kishte humbur 25 kg në peshë. Ajo iku nga shtëpia e saj në lagjen Zeitoun të qytetit të Gazës një muaj më parë dhe tani jeton në një tendë të improvizuar pranë plazhit.

Ajo vuan nga intoleranca ndaj glutenit dhe tha se nuk mund të gjente më ushqim për të ngrënë.

“Para luftës, një organizatë bamirëse më ndihmonte të merrja produkte pa gluten, të cilat nuk mund t’i përballoja kurrë vetë. Që kur filloi lufta, nuk mund ta gjej atë që më nevojitet në treg, dhe edhe kur e gjej, nuk kam mundësi ta përballoj. A nuk mjafton të përballosh bombardimet e përditshme, zhvendosjen dhe të jetosh në një tendë që nuk na mbron as nga vapa e verës dhe as nga i ftohti i dimrit dhe tani edhe nga uria?”

Rida Hijeh, 29 vjeç, tha se pesha e vajzës së saj pesëvjeçare, Lamia, kishte rënë nga 19 kg në 10.5 kg.

Ajo tha se Lamia ishte e shëndetshme para se të fillonte lufta dhe nuk kishte pasur sëmundje të mëparshme.

“E gjithë kjo ndodhi vetëm për shkak të urisë. Thjesht nuk ka asgjë për të ngrënë fëmija. Nuk ka perime, as fruta. Tani, Lamia vuan nga ënjtje në këmbë, rënie të flokëve dhe probleme nervore. Ajo nuk mund të ecë. Shkova në shumë klinika, mjekë dhe spitale. Të gjithë më thanë se vajza ime vuan nga kequshqyerja. Por asnjëri prej tyre nuk më dha asgjë, as trajtim, as mbështetje”, tha ajo. m.p.

GJKKO zbardh vendimin, pse mbeti në qeli Ilir Meta

By: el da
22 August 2025 at 18:28

Gjykata e Posaçme ka zbardhur vendimmarrjen e 13 gushtit, përmes të cilit i rrëzoi kërkesën për lirim nga burgu ish-Presidentit të Republikës, Ilir Meta. Në vendim arsyetohet se nuk ka ndryshuar asnjë kusht ligjor që mund të çonte në zbutje të masës së sigurisë “arrest në burg” për të pandehurin Meta, i cili qëndron në paraburgim prej tetorit 2024.

Sipas gjykatës, prej 26 majit pozita penale e Metës është rënduar, pasi ai ka marrë cilësinë e të pandehurit dhe është njohur zyrtarisht me akuzat e ngritur ndaj tij. Në vijim, gjykata arsyeton se ekziston mundësia që Ilir Meta në gjendje të lirë mund të ndikojë tek dëshmitarët, referuar faktit se disa prej tyre bëjnë pjesë në subjektin politik ku ai është president dhe se mund t’i influencojë për dëshmi në favor të tij.

“Gjykata vlerëson se ekziston përsëri rreziku që shtetasi Ilir Metaj për shkak të funksionit që ka aktualisht apo funksioneve që ka pasur në të kaluarën, mund të ushtrojë influencën e tij për të ndikuar në procesin e marrjes dhe vërtetësisë së provave të tjera, të ndryshme nga ato dokumentare, sikurse janë pyetja e personave që kanë dijeni për faktet objekt hetimi, duke qenë se ai po hetohet për disa vepra penale. Në këtë mënyrë, pushteti dhe lidhjet që i pandehuri ka krijuar për shkak të funksioneve që ai ka aktualisht apo ka pasur apo pozitës së tij në shoqëri krijon mundësi praktike të paligjshme për të ndikuar tek dëshmitarët dhe gjithashtu edhe tek subjekte të tjerë me qëllim ‘helmimin e provës’, për të lehtësuar pozitën e tij në raport me procedimin.”

Nga arsyetimi i GJKKO Prej fundit të majit Ilir Meta është marrë i pandehur nga SPAK për “korrupsion” në tre raste, “pastrimit të parave” dhe “fshehjes së pasurisë”, në të njëjtën dosje ku është e pandehur edhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi. m.p.

❌
❌