Trump sulmon George dhe Alex Sorosin, i akuzon për mbështetje të protestave të dhunshme: Të hetohen penalisht
Presidenti amerikan Donald Trump ka shpërthyer sërish në akuza ndaj filantropit miliarder George Soros dhe djalit të tij Alex Soros, duke i akuzuar për përfshirje në protesta të dhunshme.
Trump ka kërkuar që të hetohen nën ligjin federal RICO, që parashikon ndjekje penale për pjesëmarrje në organizata kriminale.
Në një postim në platformën e tij Truth Social, Trump ka shkruar: “George Soros dhe djali i tij i mrekullueshëm nga e majta radikale duhet të ndiqen penalisht sipas ligjit RICO për mbështetjen e protestave të dhunshme, dhe shumë më tepër”.
Megjithëse nuk dha ndonjë arsye të qartë për këtë reagim të papritur, deklaratat vijnë në një kohë kur administrata e tij është duke ndjekur penalisht disa nga kundërshtarët e tij politikë.
Trump e shfrytëzoi situatën për të justifikuar vendimin e tij për të dërguar Trupat e Gardës Kombëtare dhe Marinsat në Los Anxhelos, qytet i drejtuar nga demokratët, që prej disa javësh po përballet me protesta.
Më herët, Trump kishte akuzuar Sorosin se qëndronte pas dënimit të tij në vitin 2024 lidhur me pagesat për të fshehur marrëdhënien me një aktore filmash për të rritur, duke pretenduar se Soros kishte ndikim të drejtpërdrejtë mbi prokurorin publik që ngriti akuzat.
95-vjeçari George Soros ka qenë për vite me radhë një nga figurat më të sulmuara nga e djathta, si në SHBA, ashtu edhe në Evropë, për shkak të mbështetjes së tij financiare ndaj kauzave progresiste dhe Partisë Demokratike (e majta në SHBA).
Në vitin 2023, George Soros njoftoi se do t’i dorëzonte drejtimin e fondacionit të tij “Open Society Foundations” djalit të tij, Alex Soros. Ky i fundit ishte një mbështetës i zëshëm i Kamala Harris, kundërshtares së Trump, në zgjedhjet presidenciale të 2024-ës.
Pak para se të largohej nga detyra në janar, ish-Presidenti amerikan Joe Biden i dha George Sorosit Medaljen Presidenciale të Lirisë, për kontributin e tij në “projekte që forcojnë demokracinë, të drejtat e njeriut, arsimin dhe drejtësinë sociale në mbarë botën.”