Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 28 August 2025Main stream

Trajektorja e avionëve nuk provon “tokën e sheshtë”

28 August 2025 at 16:54

Pretendimi: Nëse Toka do të ishte vërtet një top që rrotullohet, aeroplanët nuk do të ishin në gjendje të fluturonin horizontalisht. Pilotët duhet ta anojnë vazhdimisht hundën e aeroplanit për të qëndruar në përputhje me lakimin e Tokës, por nuk e bëjnë këtë.

Verdikti: E pavërtetë

———————————————————-

Në hapësirat konspiracioniste po qarkullon sërish një nga ‘argumentet’ që përdoret nga konspiracionistët e Tokës së Sheshtë që pretendon se nëse Toka është një sferë, një avion duhet të ulë hundën poshtë herë pas here, ose do të fluturojë në hapësirë.

Në realitet, një avion do të ndjekë lakimin e Tokës dhe nuk do të mundë të fluturojë në hapësirë ​​edhe nëse piloti përpiqet ta bëjë këtë qëllmisht.

Një avion mbështetet në ngritjen nga krahët e tij, gjë që varet nga shpejtësia e aeroplanit dhe dendësia e ajrit. Si pasojë, një aeroplan do të fluturojë në një lartësi konstante, duke ndjekur lakimin e Tokës.

Sa më e madhe të jetë lartësia, aq më e vogël është dendësia e ajrit, dhe për rrjedhojë, aq më e vogël bëhet ngritja e një avioni. Në një moment, ai nuk do të jetë në gjendje të gjenerojë mjaftueshëm ngritje për të kundërvepruar ndaj peshës së tij dhe avioni nuk do mund të ngjitet më lart. Sa më e madhe lartësia, aq më e vogël sasia e oksigjenit. Si pasojë, shtytja e gjeneruar nga motorët do të jetë gjithashtu më e ulët.

Nëse avioni është drejtuar drejt hapësirës, ​​orientimi i tij do të formojë një kënd me drejtimin e peshës së tij. Si rezultat, komponenti i ngritjes që kundërshton gravitetin bëhet gjithashtu më i vogël. Me përjashtim të disa avionëve luftarakë, shtytja e gjeneruar nga motorrët është më e ulët se pesha e avionit. Forca nga shtytja në vetvete nuk do të jetë e mjaftueshme për të çuar avionin në hapësirë. 

Avionët komercialë janë projektuar që të kenë stabilitet statik gjatësor. Kur nuk ka udhëzime nga piloti mjeti fluturues do të rivendosë orientimin e tij në lidhje me qendrën e tij të gravitetit.

Për këto arsye, një avion do të ndjekë lakimin e sipërfaqes së Tokës dhe nuk do të fluturojë kurrë në hapësirë. 

Fluturimi në hapësirë ​​nuk është aq i lehtë. Nuk do të mund të fluturosh në hapësirë ​​‘rastësisht’. Ky lloj udhëtimi do të kërkonte një sasi të konsiderueshme energjie dhe është shumë më i shtrenjtë se çdo fluturim komercial.

The post Trajektorja e avionëve nuk provon “tokën e sheshtë” appeared first on Faktoje.al.

I rremë zbulimi i ngarkesës me adrenokrom në bazën detare siriane

28 August 2025 at 14:54

Pretendimi: Forcat ruse kanë kapur dërgesën më të madhe të adrenokromit në histori në bazën detare Tartus të Sirisë, rafinuar nga gjaku i 10,000 fëmijëve, porositur për elitën

Verdikti: E paprovuar

————————————————————

Në rrjetet konspiracioniste po qarkullon pretendimi i pazakontë se Rusia ka kapur dërgesën më të madhe të adrenokromit në histori në bazën detare Tartus në Siri. Pretendohet se kjo ngarkesë “ishte rafinuar nga gjaku i 10,000 fëmijëve” dhe ishte “për elitën e Hollivudit.”

Si zakonisht, postimi i mësipërm nuk përmban ndonjë referencë apo ndonjë burim për të mbështetur pretendimin e jashtëzakonshëm.

Postimi duket se i referohet një artikulli të botuar më 22 nëntor 2024 në portalin amerikan The People’s Voice, i njohur më parë si News Punch

Ky i fundit është etiketuar si një portal burim lajmesh të rreme. Sipas një raporti të vitit 2017 nga Buzzfeed, NewsPunch ishte burimi i dytë më i madh i lajmeve të rreme që ishin shpërndarë në Facebook atë vit.

Në brendinë e tij, artikulli nuk përmban asnjë referencë apo burim që mbështet pretendimet e tij të çuditshme. Autori mjaftohet duke thënë: “Sipas raportimeve, një avion privat i regjistruar në Izrael u sekuestrua brenda Krimesë ruse më 17 nëntor, me dhjetëra fëmijë të traumatizuar që mbaheshin robër në kushte të tmerrshme.” Cilat rapotime, nga cilat burime? Artikulli nuk na tregon.

Në të njejtën mënyrë, duke mos ofruar asnjë provë apo burim veçse “njerëzve të brendshëm” anonimë, The People’s Voice ka botuar një numër artikujsh me pretendimepazakonta.

Narrativa e trafikimit të fëmijëve për t’u nxjerrë adrenokromin që përdoret nga elitat për të zgjatur jetën dhe rininë e tyre u shfaq për herë të parë në 2017 në ShBA, si pjesë e teorisë konspirative QAnon. Kjo teori përshkruan presidentin amerikan Donald Trump si një hero i vetëm që po luftonte një kabal elitash që ishin pedofilë dhe vrasës fëmijësh. QAnon premtonte se këta komplotistë do të ekspozoheshin dhe ndëshkoheshin së shpejti në një “stuhi” që po vinte.

Një variant i hershëm i kësaj teorie konspiracioni, Pizzagate, pretendon se pjesëtarët e Partisë Demokrate të ShBA dhe disa restorante amerikanë ishin të përfshirë në një ring trafikimi fëmijësh dhe pedofilie. Ndikuar nga kjo teori, në 4 dhjetor 2016, një burrë nga North Carolina shkoi në picerinë Comet Ping Pong dhe shtiu me armë.

Sa i përket adrenokromit, kjo substancë prodhohet nga oksidimi i adrenalinës. Ajo është studiuar në vitet 1950-70, por sot nuk ka asnjë përdorim mjekësor. Administrata amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) nuk e ka aprovuar përdorimin e adrenokromit. Mbi të gjitha, nëse një kabal elitash do ta donte gjithsesi këtë substancë të deklaruar të padobishme nga shkenca, nuk do t’i duhej të rrëmbenin fëmijë nëpër tunele nëntokësore për ta përftuar atë. Adrenokromi mund të krijohet në laborator, madje mund të blihet në internet lehtësisht.

Joseph A. Schwarcz, drejtori i Zyrës për Shkencën dhe Shoqërinë në Universitetin McGill, shkruan se teoria konspirative e adrenokromit ka ngjyrime anti-Semite, duke cituar një histori të gjatë të akuzave se hebrenjtë përdorin gjakun e fëmijëve të krishterë në ritualet e tyre fetare. Këto akuza kanë shërbyer historikisht për të justifikuar dhe nxitur persekutimin e hebrenjve në Europë.

Sipas Kongresit Botëror Hebraik, “ky mit konspiracioni është në thelb antisemitik, pasi akuzon figura të shquara hebraike si Rothschildët dhe George Soros – përveç të tjerëve që përkrahësit e mitit gabimisht besojnë se janë hebrenj, si Bill Gates – se janë orkestruesit e lëvizjes për të torturuar fëmijët. Mohimi, shtrembërimi dhe banalizimi i Holokaustit janë të pranishme edhe në gjuhë.”

Ironikisht, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi ​​një urdhër arresti për Presidentin rus Vladimir Putin më 17 mars 2023, për rrëmbimin e fëmijëve nga Ukraina.

The post I rremë zbulimi i ngarkesës me adrenokrom në bazën detare siriane appeared first on Faktoje.al.

E pamundur humbja e 1.7 milionë ushtarëve ukrainas në front

28 August 2025 at 10:29

Pretendimi: Hakerat rusë kanë hyrë në serverin e forcave të armatosura ukrainase dhe kanë zbuluar aty se Ukraina ka humbur 1.7 milionë ushtarë

Verdikti: E paprovuar

————————————————

Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon lajmi se hakerë rusë hynë në bazën e të dhënave të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura ukrainase dhe morën informacion në lidhje me 1.7 milionë ushtarë ukrainas të vdekur dhe të zhdukur nga viti 2022 deri në 2025.

Versioni më i hershëm i pretendimit erdhi nga Mash, një kanal i njohur rus në Telegram që u identifikua nga raporti i BE për kërcënimin e dezinformimit të vitit 2025 si “i lidhur me shtetin”, që do të thotë se vepron “nën mbikëqyrjen e shtetit pa zbuluar publikisht lidhjen mes tyre.”

Mesazhi përdori formulimin zyrtar të Kremlinit për konfliktin, duke iu referuar si një “operacion ushtarak special” në vend të “luftës” ose “pushtimit.”

Llogaritë pro-ruse që më parë ishin raportuar si përhapëse të informacionit të rremë gjithashtu e qarkulluan këtë pretendim. Rrjeti i faqeve të internetit pro-Kremlinit Pravda, i njohur për përhapjen e keqinformimit, gjithashtu e përforcoi thashethemin. Së fundmi, mediat shtetërore ruse, disa prej të cilave janë të bllokuara në Bashkimin Evropian, të tilla si RT (më parë Russia Today), Gazeta.ru dhe RIA Novosti, gjithashtu e përhapën thashethemin, me këtë të fundit që pretendonte se kishte marrë konfirmim direkt nga grupi i hakerëve.

Killnet, i përmendur në postim, është një grup hakerash pro-rus që u shfaq rreth marsit 2022 dhe është më i njohur për nisjen e fushatave të sulmeve që shënjestronin infrastrukturën kritike në vendet që perceptohen se mbështesin Ukrainën. Agjencitë e sigurisë kibernetike, përfshirë Agjencinë e Sigurisë Kibernetike dhe Infrastrukturës së SHBA, kanë lëshuar vazhdimisht paralajmërime për Killnet.

Ne nuk gjetëm asnjë informacion të besueshëm në lidhje me grupin Palach Pro të përmendur në postim. Një kërkim në Google nuk nxori asnjë raport të aktivitetit të tyre para 20 gushtit 2025, kur filloi të qarkullonte pretendimi për viktimat ukrainase.

Qendra për Luftën ndaj Dezinformimit, pjesë e Këshillit Kombëtar të Sigurisë dhe Mbrojtjes së Ukrainës, e kundërshtoi lajmin në Telegram dhe Facebook, duke shkruar: “Në fakt, është një mashtrim absolutisht absurd, sepse Ukraina nuk ka pasur kurrë një ushtri të rregullt prej 1.7 milion njerëzish gjatë viteve të pavarësisë.”

Ajo argumentoi se forcat e armatosura të Ukrainës numërojnë më pak se 900 mijë dhe se 1.7 milion ushtarë të vdekur ose të zhdukur do të tejkalonin tërë madhësinë e forcës. “Qëllimi i këtij mashtrimi është të demoralizojë ukrainasit, të bindë botën për ‘shterimin dhe joefikasitetin e Forcave të Armatosura të Ukrainës’ dhe të dobësojë mbështetjen e saj ndërkombëtare,” përfundoi postimi i Qendrës.

Qendra Ukrainase për Komunikime Strategjike dhe Siguri Informacioni gjithashtu e kundërshtoi pretendimin, duke shkruar “është një trillim që synon demoralizimin e ukrainasve,” duke theksuar “propaganda ruse përhap këtë lajm të rremë” edhe pse “nuk ofrohen prova.”

“Lajmi i rremë bazohet në modelin e zakonshëm: një figurë e sajuar mbështetet me dokumente të rastësishme për të krijuar ‘iluzionin e së vërtetës,” shkruhej në postim.

Petro Andryushchenko, kreu i Qendrës për Studimin e Pushtimit, komentoi në Telegram se Ukraina është “në epiqendrën e një sulmi të ri të madh informativ nga rusët.” Ai vuri më tej në dukje se ndërsa pretendimi është “thjesht i rremë, sepse thjesht nuk kishim aq shumë njerëz në ushtri,” ka “ndoshta disa dokumente të tjera të vërteta” që grupi i hakerëve i ka marrë dhe “këto dokumente do të përdoren për të legjitimuar gënjeshtrën.”

Në raportimet e luftës, termi “viktima” nuk nënkupton vetëm vdekjet, pasi përfshin ushtarët që janë vrarë, plagosur, zhdukur ose kapur rob. Ukraina nuk publikon shifra zyrtare të viktimave dhe vlerësimet e besueshme të pavarura janë të kufizuara. Megjithatë, vlerësimet e disponueshme i vendosin humbjet ukrainase shumë më poshtë se 1.7 milion të pretenduara në sulmin e dyshuar kibernetik.

“Që kur Federata Ruse nisi pushtimin e saj të plotë të Ukrainës, HRMMU ka dokumentuar vdekjen e të paktën 13,883 civilëve, përfshirë 726 fëmijë, dhe 35,548 të plagosurve, përfshirë 2,234 fëmijë,” deklaroi një njoftim për shtyp i Zyrës së Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut më 13 gusht 2025.

Në shkurt 2025, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha në një intervistë për NBC News se 46 mijë ushtarë ukrainas ishin vrarë dhe më shumë se 390 mijë ishin plagosur që nga fillimi i luftës. Një raport i qershorit 2025 nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare vlerësoi midis 60 mijë dhe 100 mijë ushtarë ukrainas të vrarë, me një total prej 400 mijë viktimash, dhe deri në 250 mijë ushtarë rusë të vrarë si pjesë e 950 mijë viktimave totale ruse.

The post E pamundur humbja e 1.7 milionë ushtarëve ukrainas në front appeared first on Faktoje.al.

E manipuluar gjetja nga emigranti shqiptar i bunkerit anglez

28 August 2025 at 10:26

Pretendimi: Një shqiptar në Angli zbuloi një bunker në oborrin e shtëpisë

Verdikti: E pavërtetë

———————————————————-

“Shqiptari ne Angli gjen dicka ne oborrin e tij, Shikoni pamjet se cfare i ndodh me pas nga shteti” është një titull tipik shkruar me qëllim mbledhjen e sa më shumë klikimeve nga lexuesit kureshtarë.

Postimi në Facebook, në mënyrë tipike, drejton lexuesit kureshtarë drejt një lidhjeje në komente për të zbuluar çfarë ndodh pas këtij zbulimi.

Po në mënyrë tipike, në brendinë e tij, artikulli i shkruar me një shqipe të çalë e ridrejton lexuesin tek një video 10-minutëshe në Youtube. 

Video pretendon se një burrë i quajtur Simon Marku kishte gjetur një bunker të Luftës së Dytë Botërore në oborrin e shtëpisë.

Megjithatë, me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se kjo ngjarje nuk i ka ndodhur një shqiptari të quajtur Simon Marku, por një anglezi të quajtur Simon Marks.

Sipas mediave vendase, në 2016, Simon Marks nga Luton zbuloi atë që mendohet të jetë një strehë kundërajrore nën oborrin e tij, pasi rrota e makinës së tij ngeci në një gropë.

The post E manipuluar gjetja nga emigranti shqiptar i bunkerit anglez appeared first on Faktoje.al.

Yesterday — 27 August 2025Main stream

Boksierja algjeriane nuk u tërheq nga sporti pas akuzave mashkullore

27 August 2025 at 15:06

Pretendimi: Imane Khelif është tërhequr nga karriera e boksit

Verdikti: E pavërtetë

——————————————————

Një numër mediash shqipfolëse kanë raportuar se boksierja algjeriane Imane Khelif i ka dhënë fund karrierës duke u tërhequr nga boksi pas akuzave se “është burrë”.

Lajmi për tërheqjen e Imane Khelif nga boksi qarkulloi më 20 gusht, kur ish-menaxheri i saj, Nasser Yesfah, deklaroi në një intervistë me gazetën franceze Nice Matin se “Imane jo vetëm që është larguar nga Nice , por edhe nga bota e boksit.”

Po atë ditë, pak pasi u botua artikulli, Imane Khelif publikoi një postim në faqen e saj në Facebook, duke deklaruar: “Lajmi për tërheqjen time nga boksi nuk është i vërtetë, por bazohet vetëm në deklaratat e bëra nga ata që nuk më përfaqësojnë më në asnjë mënyrë.” 

Statusi i Khelif

Boksierja algjeriane shkroi se nuk e kishte njoftuar kurrë tërheqjen e saj nga boksi dhe se po stërvitet rregullisht midis Algjerisë dhe Katarit në përgatitje për ngjarjet e ardhshme sportive. 

“Thashetheme të tilla përhapen vetëm për të prishur dhe fyer karrierën time atletike dhe profesionale. Do të mbetem gjithmonë besnike ndaj sportit të boksit dhe atdheut tim,” përfundoi Khelif.

Prej Lojërave Olimpike të Parisit në 2024, Imane Khelif është bërë shënjestër e lajmeverreme. Këto pretendime të nxjerra nga konteksti qarkullojnë edhe në mediat shqipfolëse dhe janë verifikuar më parë nga Faktoje si të pabaza.

The post Boksierja algjeriane nuk u tërheq nga sporti pas akuzave mashkullore appeared first on Faktoje.al.

Before yesterdayMain stream

Artur Zheji nuk mohoi ndërhyrjen në Gjermani para vdekjes

26 August 2025 at 16:51

Pretendimi: Gazetari shqiptar Artur Zheji mohoi sëmundjen pak para se të ndërronte jetë

Verdikti: Mungon konteksti

——————————————–

Në vazhdën e lajmeve për vdekjen e papritur të gazetarit shqiptar Artur Zheji më 23 gusht 2025, një artikull i Gazeta Dita pretendon se ky i fundit kishte “bërë një ndërhyrje kirurgjikale në Gjermani disa muaj më parë. Por ai i mohoi lajmet se ishte sëmurë.”

Në brendinë e tij , artikulli citon një intervistë ku Zheji “ka pohuar se ndodhet në Sarandë me familjen dhe se lajmet që qarkullojnë për semundjen e tij të janë si “puçrrat që u dalin fëmijëve nga djersa e vapës”. Ai pranoi se ka kryer një ndërhyrje të lehtë kirurgjikale në Gjermani, por sipas tij këto tre muaj ka preferuar të kujdeset për vetën, duke hequr “prizat’ nga zhvillimet e përditshme.”

Megjithatë, një kërkim i tekstit të intervistës së cituar shpejt zbulon se “operacioni në Gjermani dhe mohimi i sëmundjes” nuk ka ndodhur së fundmi, por mbi 6 vite më parë.

Kështu, në gusht 2019, Zheji tha për Ora News: 

“Këto dy tre muajt e fundit, u kujdesa për shëndetin, më me vëmëndje se më parë, pasi bëra një ndërhyrje kirurgjikale të lehtë dhe të shpejtë, në Gjermaninë e bekuar nga Zoti.

Porse fill pas kësaj, kam parapëlqyer të heq “prizat”, nga e përditshmja mediatike dhe politike shqiptare, për të ulur stresin dhe kotësinë e rënies në kurthin e lajmeve të verës, që shpesh janë të ngjashme me puçrrat që u dalin fëmijëve nga djersa e vapës.”

The post Artur Zheji nuk mohoi ndërhyrjen në Gjermani para vdekjes appeared first on Faktoje.al.

I pabazë dyshimi për vdekjen nga vaksinimi i Artur Zhejit

26 August 2025 at 16:11

Pretendimi: Gazetari shqiptar Artur Zheji nuk vdiq nga zemra, por nga vaksinat

Verdikti: E paprovuar

———————————————

Gjatë viteve të fundit grupet anti-vaksinë shfrytëzojnë vdekjen e kujtdo për të pretenduar se shkaku është e ashtuquajtura ‘vraksina’ anti-Covid. Viktima më e fundit e kësaj teorie është publicisti shqiptar Artur Zheji, i cili ndërroi jetë më 23 gusht 2025.

Kështu, një artikull i portalit Patriotik Media Albania parashtron pretendimin e jashtëzakonshëm se Zheji, në të vërtetë, nuk ka vdekur nga një arrest kardiak, siç u raportua, por nga “vaksinat dhe nga sistemi që fsheh të vërtetën.”

Ajo që sillet si ‘provë’ për këtë pretendim është fakti se Zheji “e ka pranuar se kishte bërë një numër të madh vaksinash,” duke e shoqëruar këtë pretendim me një citim të shkëputur nga një pyetje apo koment të Zhejit, ku kërkohet më shumë transparencë, gjatë një emisioni televiziv. Artikulli nuk sqaron se cilat vaksina, dhe nuk provon asnjë lidhje mes vaksinave, të pakta apo të shumta, dhe vdekjes.

Artikulli pretendon se “Zheji ishte i ekspozuar ndaj pasojave të vaksinave që, sipas studimeve ndërkombëtare, mund të shkaktojnë dëmtime kardiovaskulare edhe tek personat që më parë nuk kishin sëmundje të zemrës.” Megjithatë, “studimet ndërkombëtare” në fjalë nuk citohen.

Artikulli ngre dyshime mbi versionin zyrtar të atakut kardiak, duke pretenduar se Artur Zhehi nuk kishte histori sëmundjesh të zemrës. Përkundër këtij pretendimi, publicisti i ndjerë kishte deklaruar edhe publikisht kryerjen e një ndërhyrjeje në Gjermani në vitin 2019, pra përpara shpërthimit të Covid-19 dhe fushatave të vaksinimit, dhe që prej këtij momenti ishte këshilluar nga mjekët që të kryente sa më shumë aktivitet sportiv. 

Sipas Qendrës amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve, rreziku (i panjohur) nga miokarditi dhe perikarditi pas marrjes së vaksinës anti-Covid ekziston kryesisht tek meshkujt adoleshentë dhe të rinj. Kur vdiq, Zheji ishte 63 vjeç.

The post I pabazë dyshimi për vdekjen nga vaksinimi i Artur Zhejit appeared first on Faktoje.al.

E pamundur lidhja e gjakut rus e zonjës së parë të ShBA

26 August 2025 at 09:30

Pretendimi: Zonja e parë e ShBA Melania Trump është mbesa e Anastasia Romanov, një nga vajzat e carit të fundit rus Nikolla II Romanov 

Verdikti: E paprovuar

———————————————

Në hapësirat konspiracioniste online po qarkullon pretendimi i pazakontë se Anastasia Romanov, vajza më e vogël e carit të fundit rus është gjyshja e zonjës së parë së ShBA Melania Trump.

Si zakonisht, postimi i mësipërm nuk përmban ndonjë referencë apo ndonjë burim për të mbështetur pretendimin e jashtëzakonshëm.

Pas Revolucionit Rus të vitit 1917, Nikolla II u rrëzua nga froni dhe më 17 korrik 1918, u vra së bashku me gruan, katër vajzat dhe djalin e tij nga mbështetësit e bolshevikëve. Kjo i dha fund dinastisë Romanov dhe Rusia nuk ka patur më një familje mbretërore që atëherë.

Menjëherë pas ekzekutimit, qarkulluan thashetheme se Anastasia kishte mbijetuar mrekullisht. Në 1920, një grua u shfaq në Berlin, më vonë e quajtur Anna Anderson. Disa besonin se gruaja mund të kishte qenë Anastasia. Megjithatë, testet e ADN që atëherë kanë përjashtuar mundësinë që kjo grua të ishte Anastasia.

Anastasia ishte 17 vjeç në kohën e ekzekutimit të saj. Ajo nuk ishte ende e martuar dhe nuk ka të dhëna për ndonjë fëmijë që mund të ketë pasur. 

Sa i përket gjasave që vajza e re t’i ketë mbijetuar ekzekutimit të familjes së saj, pas rënies së Bashkimit Sovjetik, trupat e Romanovëve u zhvarrosën në vitin 1991. 

Fillimisht, në varr u gjetën vetëm eshtrat e carit, gruas së tij dhe tre fëmijëve (Olga, Tatiana dhe Maria ose Anastasia). Kjo ringjalli thashethemet se Anastasia me të vërtetë i kishte mbijetuar ekzekutimit. 

Megjithatë, në 2007, dy trupa të tjerë u gjetën në një varr aty pranë, që më vonë u zbulua se ishin Alexei dhe vajza e katërt. Testet e ADN më vonë konfirmuan se këta ishin vërtet Romanovët.

Prindërit e Melania Trump kanë lindur në vitet 1944 dhe 1945. Postimi nuk specifikon nëse Anastasia Romanov pretendohet të jetë gjyshja e Melania Trump nga nëna apo nga babai. Megjithatë, duke qenë se ajo vdiq në 1918, vështirë se mund të ketë qenë nëna e ndonjërit prej prindërve të Melania. Gjyshja e Melania Trump nga nëna është Amalia Ulčnik (mbiemri i vajzërisë Gliha), sipas shtypit slloven. Gjyshja e saj nga babai është Antonija Ribi.

The post E pamundur lidhja e gjakut rus e zonjës së parë të ShBA appeared first on Faktoje.al.

Skemë mashtrimi nën emrin e këngëtares Leonora Jakupi

25 August 2025 at 16:03

Pretendimi: Leonora Jakupi dhuron 10 mije euro për këdo që arrin të plotësojë në mënyrë perfekte foton

Verdikti: E pavërtetë, Skemë mashtrimi

———————————————————

Një postim nga faqja 𝐋𝐞𝐨𝐧𝒐𝐫𝒂 𝐉𝐚𝐤𝒖𝐩𝐢𝒊 𝐅𝐚𝐧𝐬• që është parë mbi 45 mijë herë në Facebook duket se tregon një foto të këngëtares kosovare me mbishkrimin “Unë do të dhuroj 10,000 € Kush arriti të bëjë në mënyrë perfekte foton më poshtë.”

Ideja e lojës është që përdoruesit që ‘arrijnë’ të ndalojnë videon e sipërme në momentin kur rrethi me flamurin shqiptar të jetë plotësisht mbi rrethin e zi do të marrin 10 mijë euro nga Leonora Jakupi.

Megjithatë, nëse komentojmë çfarëdolloj fjale në këtë postim, faqja na dërgon një mesazh personal duke na falenderuar dhe pyetur në cilin qytet jetojmë.

Më pas, na dërgon një mesazh automatik që kushtëzon marrjen e çmimit me shpërndarjen e postimit në 5-10 grupe brenda 15 minutash. Kjo paçka se, fillimisht, i vetmi kusht për të marrë çmimin ishte “të bëjë në mënyrë perfekte foton.”

Këto përshkallëzime të kushteve për marrjen e çmimit duhet të bëjnë lexuesin skeptik të heqë dorë nga çmimi, duke dyshuar tashmë edhe në ekzistencën e tij.

Me gjasa kemi të bëjmë me një skemë mashtrimi.

Faqja zyrtare e këngëtares Leonora Jakupi ka mbi 200 mijë ndjekës dhe nuk ka bërë asnjë postim, ku ofron shpërblime për ndjekësit.

Faktoje ka verifikuar dhe më parë skema të tilla mashtrimi që përdornin imazhin e këngëtares Leonora Jakupi dhe personalitetesh të tjera të politikës dhe artit që njihen gjerësisht në hapësirat shqiptare.

The post Skemë mashtrimi nën emrin e këngëtares Leonora Jakupi appeared first on Faktoje.al.

E rreme intervista e gruas së ish-drejtorit të zhdukur të AKSHI

25 August 2025 at 15:11

Pretendimi: Në këtë video, gruaja e Daniel Shimës tregon se çfarë zbuluan kamerat për drejtorin e zhdukur

Verdikti: E pavërtetë

————————————————————————-

Një video e botuar më 21 gusht 2025 nga kanali Vjosa TV pretendon të përmbajë fjalët e gruas së “drejtorit të zhdukur” Daniel Shima mbi çfarë zbuluan kamerat e sigurisë.

Video duket se i referohet lajmit të bujshëm për ish-zv.drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) Daniel Shima, i cili u deklarua i zhdukur nga familjarët më 20 gusht 2025, për t’u rishfaqur disa orë më vonë.

Megjithatë, shikuesi kurioz do të zhgënjehet kur të shohë videon.

Në të, nuk përmendet, e aq më pak të flasë, gruaja e Shimës. Kjo sepse ajo në fakt nuk ekziston. Shima nuk rezulton të jetë i martuar dhe raportimet në media flasin për një partnere ose të dashur. Daniel Shima kur u kthye tha se ishte larguar me dëshirë, pas një konflikti me partneren e tij.

Më tej, video premton të tregojë çfarë “zbuluan kamerat për Daniel Shimën”, por zhgënjen duke thënë se “kamerat e asaj zone i kishin fshirë pamjet duke ngritur akoma më shumë dyshime se një dorë e fuqishme qëndron pas kësaj ngjarjeje.” 

Për këtë pretendim, si zakonisht, nuk sillet ndonjë provë apo burim. Asnjë njoftim i policisë apo raportime të mediave të tjera nuk përmendin fshirjen e kamerave. Përkundrazi, gazetarja Klodiana Lala raporton se kamerat e sigurisë e kanë filmuar Shimën në makinën e tij në Qytetin Studenti dhe deri në dalje të tunelit të rrugës Tiranë-Elbasan.

The post E rreme intervista e gruas së ish-drejtorit të zhdukur të AKSHI appeared first on Faktoje.al.

Loja kompjuterike ndahet në rrjet si video e avionit sekret B-2

21 August 2025 at 11:00

Pretendimi: Kjo video tregon një bombardues të vërtetë amerikan B-2 Spirit

Verdikti: E pavërtetë

Një video që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendohet se tregon një avion bombardues amerikan B-2 Spirit. Të njëjtët avionë u përdorën nga ushtria amerikane për të bombarduar në fundin e qershorit bunkerët nëntokësorë ku ruhej teknologjia e prodhimit nuklear në Iran. 

Megjithatë, shikuesi skeptik do të vërrejë me sy të lirë se kjo video nuk duket natyrale apo autentike. 

Ndriçimi shumë perfekt, prania e pakuptimtë e makinave të policisë aty pranë, dhe pamja jo natyrale e godinave në sfond na bën të dyshojmë.

Kështu, me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti videon origjinale të postuar në Facebook nga faqja e dedikuar videolojërave IronGaming

Postimi i IronGaming shoqërohet me përshkrimin “duke luajtur Microsoft Flight Simulator 2024,” një videolojë që simulon fluturimin.

Video e mësipërme nuk është e vërtetë, ajo është pjesë e një videoloje që simulon fluturimin e avionëve të modeleve të ndryshme.

Avioni B-2 Spirit në videolojën Microsoft Flight Simulator 2024

The post Loja kompjuterike ndahet në rrjet si video e avionit sekret B-2 appeared first on Faktoje.al.

E pabazë teoria e Antarktidës që kufizon “tokën e sheshtë”

20 August 2025 at 16:31

Pretendimi: Toka është e sheshtë dhe kjo na është fshehur që ne të mos shkojmë në kontinentet e tjera përtej Antarktidës

Verdikti: E pavërtetë

—————————————————–

Publicisti Alfred Cako ka ndarë në rrjetet e tij sociale pretendimin se “s’na tregojnë që toka është e sheshtë […] sepse nuk duan që ne të shkojmë në kontinentet e tjera përtej Antarktidës.” Ky pretendim shoqërohet me një hartë të Tokës së Sheshtë në fjalë, ku duket një mur akulli i etiketuar “Antarktida” që ndan kontinentet e njohur nga një sërë masash tokësore që mbajnë emra kontinentesh legjendare, mitike dhe fantastike.

Pretendime të tilla të jashtëzakonshme duhet, detyrimisht, të shoqërohen me prova të jashtëzakonshme. Megjithatë, si zakonisht, konspiracionistët nuk ofrojnë asnjë provë, aq më pak të jashtëzakonshme.

Harta që shoqëron postimin është marrë nga një libër i autorit Claudio Nocelli.

“Muri i akullit”, ose ideja se Antarktida nuk është një kontinent në fund të globit, por në të vërtetë një mur që rrethon Tokën, është një koncept i konspiracionistëve të Tokës së Sheshtë, që besojnë se Toka nuk është një planet i rrumbullakët, por një rrafsh i sheshtë.

Pretendimet rreth çka shtrihet jashtë murit të akullit variojnë. Disa thonë se vazhdon pafundësisht, ndërsa një teori tjetër është se ka kontinente të fshehura përtej murit.

Në vitin 2019, Konferenca Ndërkombëtare e Tokës së Sheshtë thuhet se u përpoq të organizonte një lundrim në Antarktidë për të provuar teorinë e tyre. Lundrimi, megjithatë, nuk ndodhi.

Antarktida ndodhet në jug të planetit tonë, dhe rrethohet nga Oqeani Jugor

Platformat e akullit ekzistojnë në Antarktidë, dhe kërkimet tregojnë se ato luajnë një rol kyç në ruajtjen e temperaturave të oqeanit, gjë që stabilizon klimën.

Megjithatë, këto nuk janë mure që rrethojnë skajin e një Toke të sheshtë.

Sipas Qendrës Kombëtare të të Dhënave të Dëborës dhe Akullit në SHBA, platformat e akullit janë “pllaka të përhershme lundruese akulli që lidhen me tokën” me platformat më të mëdha të akullit “të mëdha sa Teksasi apo Franca” të vendosura në Antarktidë.

Platforma e Akullit Ross në Antarktidë ngrihet deri në 60 metra, ndërsa të tjerat kanë një fund të përparmë deri në 100 metra të lartë.

Gjeologia akullnajore Bethan Davies tha për USAToday se nuk do të ishte e mundur që muri i pretenduar i akullit të ekzistonte pa një masë tokësore të lidhur me të.

Antarktida “është e rrethuar nga platformat lundruese të akullit, të cilat më parë janë ngatërruar nga teoricienët e Tokës së Sheshtë me mure akulli”, tha ajo. “Platformat e akullit duhet të ngjiten në kontinent… Një mur rrethor akulli do të ishte i paqëndrueshëm dhe për shkak të mungesës së rrjedhës së akullnajës, akulli i akullnajave do të hollohej me shpejtësi dhe do të shpërbëhej.”

Sipas Shkollës Klimatike të Columbia University, “nëse Toka do të ishte e sheshtë, do ta dinit, sepse shumë gjëra do të funksiononin ndryshe.”

Studiuesit vunë në dukje se, nëse Toka do të ishte e sheshtë, gjëra si graviteti, dielli dhe fushat magnetike nuk do të silleshin siç sillen aktualisht.

James Davis, një gjeofizikant në Columbia, thotë se shërbime të tilla si GPS nuk do të ishin të mundshme në një tokë të sheshtë, sepse satelitët nuk do të ishin në gjendje të rrotulloheshin rreth planetit.

Në fakt, në vitin 2019, fizikantët u sfiduan në American Journal of Physics për të zhvilluar një “përgjigje të thjeshtë, të drejtpërdrejtë” për të hedhur poshtë ‘provat’ e një Toke të sheshtë.

Fizikanti në pension Bruce Sherwood përdori një simulim 3D të një Toke të sheshtë për të treguar se si gjërat do të dukeshin me sy të lirë nëse do të jetonim atje në vend të një Toke sferike.

Ai zbuloi se një nga mospërputhjet kryesore midis një Toke të sheshtë dhe një ‘Tokë të rrumbullakët’ do të ishte ndryshimi i madhësisë së diellit dhe yjeve të tjerë, si dhe rritja e dukshmërisë së yjësive që tani shfaqen vetëm në hemisferat jugore ose veriore.

Këto efekte nuk vërrehen sepse Toka nuk është e sheshtë: ajo është një sferoid.

The post E pabazë teoria e Antarktidës që kufizon “tokën e sheshtë” appeared first on Faktoje.al.

Ushtarët amerikanë nuk iu gjunjëzuan Putin gjatë pritjes në Alaska

20 August 2025 at 15:25

Pretendimi: Kjo foto tregon ushtarë amerikanë duke iu ulur në gjunjë presidentit rus Vladimir Putin gjatë pritjes së tij në Alaska

Verdikti: Mungon konteksti

——————————————-

Një imazh nga samiti mes presidentit amerikan Donald Trump dhe homologut të tij rus Vladimir Putin po shpërndahet nga media me tituj që pretendojnë se ai tregon “ushtarët amerikanë [që] iu ulën në gjunjë Putin gjatë pritjes.”

Megjithatë, siç vërrehet në foto, dhe siç shpjegohet edhe në brendinë e artikullit të mësipërm, ushtarët amerikanë janë ulur në gjunjë për të shtruar tapetin e kuq pranë shkallëve të avionit të Putin, dhe nuk po i gjunjëzohen presidentit rus, i cili nuk është i pranishëm në foto.

Një video e plotë e ngjarjes i tregon ushtarët duke shtruar tapetin e kuq duke e rrotulluar, përpara se të gjunjëzohen për ta fiksuar përfundimisht. Presidenti Putin shfaqet disa minuta më pas dhe zbret shkallët e avionit për të shtrënguar duart me presidentin Trump. 

Ceremonitë e vijës së fluturimit janë pjesë e çdo vizite shtetërore në ShBA, përveç nëse është një vizitë private. Një kryetar shteti ose qeverie që viziton zakonisht do të mbërrijë me anë të një avioni. Kur avioni i vizitorit të ketë përfunduar lëvizjen, një ekip tokësor zhvendos shkallët ajrore në pozicionin e tyre te dera e avionit dhe shtron një qilim të kuq. Në takimin e fundit Trump-Putin, përdorimi i ushtarëve për shtrimin e qilimit të kuq ishte i justifikuar nga fakti që bisedimet u zhvilluan në brendësi të Bazës së Përbashkët të Forcave Ajrore dhe Ushtrisë së SHBA-së “Elmendorf-Richardson”, e vendosur në juglindje të Alaskës, pak në veri të qytetit Anchorage.


Ekipi i Donald Trump është kritikuar për urdhërimin e ushtarëve amerikanë që të shtronin tapetin e kuq për presidentin rus Vladimir Putin.

The post Ushtarët amerikanë nuk iu gjunjëzuan Putin gjatë pritjes në Alaska appeared first on Faktoje.al.

E rreme video e vajzës së deputetit Niko Peleshi

20 August 2025 at 10:31

Pretendimi: Kjo video tregon vajzën e deputetit Niko Peleshi

Verdikti: E pavërtetë

——————————————————–

Një video që po qarkullon në rrjetet sociale shqipfolëse pretendohet se tregon vajzën e deputetit socialist shqiptar Niko Peleshi. 

Video shoqërohet edhe me një intervistë të Peleshit ku ai flet për situatën e zjarreve dhe argumenton mungesën e avionëve apo helikopterëve zjarrfikës në dispozicion të vendit tonë, një debat i nxehtë i javëve të fundit.

Megjithatë, me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti videon origjinale, të botuar më 4 gusht 2025 në Instagram nga modelja e përmbatjeve për të rritur Skylar Mae.

Aleksia Peleshi, vajza e Niko Peleshit, gjithashtu, e ka mohuar se video tregon atë. 

The post E rreme video e vajzës së deputetit Niko Peleshi appeared first on Faktoje.al.

Treni japonez nuk rimbursoi pasagjerët për vonesën 35-sekondëshe

19 August 2025 at 16:28

Pretendimi: Një kompani treni japoneze ka kërkuar falje dhe ka rimbursuar pasagjerët për një vonesë 35-sekondëshe të trenit

Verdikti: Gjysmë e vërtetë

—————————————————————

Një numër mediash shqipfolëse raportuan në gusht 2025 se në Japoni, një kompani trenash kishte kërkuar falje dhe kishte rimbursuar biletat e pasagjerëve pasi treni ishte vonuar 35 sekonda.

Sipas artikujve, “një drejtues treni Shinkansen kërkoi falje publike nga pasagjerët pasi treni i tij mbërriti 35 sekonda me vonesë në stacionin e destinacionit. Si pjesë e kulturës japoneze të përgjegjësisë dhe respektit ndaj udhëtarëve, kompania vendosi të rimbursojë plotësisht të gjithë pasagjerët, pavarësisht se vonesa ishte më pak se një minutë.”

Megjithatë, ato nuk citojnë ndonjë burim apo referencë për këtë lajm.

Në Japoni, ka raste të dokumentuara të kompanive të trenave që kërkojnë falje edhe për nisje të parakohshme 20-30 sekonda. Një shembull është Tsukuba Express, e cila në 2017 kërkoi falje zyrtare sepse një tren u nis 20 sekonda më herët.

Megjithatë, rimbursimet nuk përmenden kurrë. Për më tepër, sipas rregullave zyrtare të JR (Hekurudhat e Japonisë) në lidhje me Shinkansen, një rimbursim i plotë është i disponueshëm vetëm në rast të një vonese prej të paktën dy orësh. Ky rimbursim varet gjithashtu nga lloji i biletës. Vetëm biletat e blera me tarifën ekspres, jo me tarifën standarde, janë të rimbursueshme.

Shënim: Data 20 gusht 2025 Gazeta Sinjali e ka korrigjuar lajmin, pas verfikimit të të Faktoje. Lajmit të raportuar i është ndryshuar vlerësimi fillestar në Facebook.

The post Treni japonez nuk rimbursoi pasagjerët për vonesën 35-sekondëshe appeared first on Faktoje.al.

Pasqyrimi i diellit mbi det nuk provon tokën e sheshtë

19 August 2025 at 16:26

Pretendimi: Pasqyrimi i gjatë i diellit mbi sipërfaqen e detit provon se Toka nuk është sferë, por e sheshtë

Verdikti: E pavërtetë

——————————————————-

Një imazh që po qarkullon në hapësirat konspiracioniste pretendon se pasqyrimi i diellit mbi sipërfaqen e detit provon se Toka është e sheshtë. 

Shkëlqimi i diellit është një dritë e ndritshme dhe vezulluese që formohet kur rrezet e diellit reflektohen nga valët e ujit. Një valëzim nga një sipërfaqe e lëmuar lokalisht, siç është uji me valë, do ta reflektojë diellin në kënde të ndryshme në çdo pikë të sipërfaqes së valëve. Si rezultat, një shikues në pozicionin e duhur do të shohë shumë imazhe të vogla të diellit, të formuara nga pjesë të valëve të orientuara saktë për të reflektuar dritën e diellit tek shikuesi.

Si formohet shkëlqimi i diellit

Imazhi përdor formën e gjatë të reflektimit të diellit në një sipërfaqe uji për të ‘vërtetuar’ se Toka është e sheshtë. Në realitet, forma e reflektimit është rezultat i sipërfaqes së valëzuar të ujit. Kjo mund të ndodhë lehtësisht në një sipërfaqe të lakuar dhe nuk vërteton një formë specifike të Tokës.

Konspiracionistët e Tokës së Sheshtë krijojnë një ‘simulim’ për të treguar se një sipërfaqe e lakuar nuk formon formën e reflektimit të ngjashme me atë që vëzhgojmë gjatë perëndimit të diellit dhe dalin në përfundimin e gabuar se Toka nuk është një sferë.

Gabimi i tyre është vendosja e vëzhguesit shumë larg sipërfaqes, duke e bërë lakimin shumë të madh për të përfaqësuar Tokën sferike dhe duke përdorur një sipërfaqe të niveluar dhe të lëmuar. Simulimi i tyre do të ishte më i përshtatshëm për të përshkruar se si drita e diellit, reflektimi i Diellit në sipërfaqen e lëmuar të oqeanit, duket nga hapësira. Për shembull, fotografitë e Tokës të marra nga sateliti Himawari-8 duken të ngjashme me karakteristikën e reflektimit në simulimin e tyre.

Reflektimi i ujit të valëzuar mund të simulohet lehtësisht duke përdorur një fletë alumini të rrudhosur. Duke e vendosur atë mbi një sipërfaqe të lakuar, mund ta shohim atë duke prodhuar të njëjtin rezultat.

The post Pasqyrimi i diellit mbi det nuk provon tokën e sheshtë appeared first on Faktoje.al.

Shqipërisë nuk pritet t’i ndodhë një e keqe që lumturon Vuçiç

19 August 2025 at 13:01

Pretendimi: Shqipërisë pritet t’i ndodhë një e keqe për të cilën Serbia dhe presidenti i saj Vuçiç janë shumë të lumtur

Verdikti: Mungon konteksti

———————————————-

Në rrjetet shqipfolëse po qarkullon një titull alarmues, por i paqartë në detaje: “Vuçiç fërkon duart! Ish Ministri jep lajmin e keq! Ja e keqja që pritet ti ndodhë Shqipërisë! Pse Serbia është kaq e lumtur”

Në brendinë e artikullit që mban këtë titull, megjithatë, nuk gjejmë ndonjë lajm që meriton këtë alarm.

Teksti i referohet një interviste të ish-ministrit të Jashtëm shqiptar, Edmond Panariti, të botuar që në qershor të këtij viti.

Panariti citohet të ketë thënë se shqiptarët duhet të bëjë shumë kujdes teksa ndodhin konflikte madhore, pasi historitë e së shkuarës rrezikojnë të përsëriten. “Duhet të bëjmë shumë kujdes, sepse në rast se çështjet shqiptare kalojnë në nivelet e mëdha, në tavat e mëdha të bisedimeve, nuk kemi dalë ndonjëherë fitimtarë”, tha Panariti.

Si rrjedhojë e këtij fenomeni, tha ai, Serbia dhe presidenti serb Vuçiç kanë refuzuar dialogun me Kosovën, me qëllim zgjidhjen në nivele më të larta, ku çështjet kombëtare shqiptare, sipas Panaritit, janë në disavantazh.

Askund në artikull nuk raportohet ndonjë “e keqe e madhe” që pritet t’i ndodhë Shqipërisë.

Trajtimi i temës së luftës në Kosovë preferohet nga mediat shqiptare për shkak të interesit të gjerë dhe patriotizmit që ngjall tek lexuesit. Fatkeqësisht gjatë viteve të fundit, kryesisht mediat online kanë përdorur këtë interes për “mbledhje klikimesh”, duke u kthyer në burim keqinformimi dhe shqetësimi emocional tek lexuesit.

Opinione të ndryshme mbi skenaret duhen pasqyruar si të tilla nga mediat dhe jo si fakte të kryera me tituj bombastik që në kërkim të klikimeve rrezikojnë përhapjen e informacioneve të pavërteta dhe krijimin e panikut.

The post Shqipërisë nuk pritet t’i ndodhë një e keqe që lumturon Vuçiç appeared first on Faktoje.al.

Kryeministri britanik nuk u nxorr jashtë nga lokali

18 August 2025 at 15:52

Pretendimi: Kjo video tregon kryeministrin britanik duke u nxjerrë jashtë nga pronari i një lokali së fundmi.

Verdikti: Mungon konteksti

——————————————————————

Një artikull i portalit lajmetroc.al pretendon se kryeministri britanik është nxjerrë jashtë nga pronari i një lokali, i cili “ka deklaruar shkurt se veproi ‘për arsye personale’”. Artikulli i botuar në 13 gusht 2025 shoqërohet me një video të ngjarjes.

Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video e mësipërme nuk është regjistruar së fundmi, por është në rrjet nga prilli 2021, përpara se Starmer të zgjidhej kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar, pozicion që e ka mbajtur nga korriku i vitit 2024.

Sipas BBC, Starmer, në atë kohë udhëheqësi i opozitës, u dëbua nga lokali The Raven në Bath nga bashkëpronari i tij, i cili “ishte i pakënaqur me reagimin e laburistëve ndaj karantinës së vendosur nga qeveria” gjatë pandemisë. Ai tha se ekonomia ishte sakrifikuar “sepse të moshuarit po vdesin.”

Starmer po vizitonte qytetin e Bath si pjesë e fushatës për zgjedhjet e majit 2021. Vizita e tij në barin The Raven ishte planifikuar me një nga bashkëpronarët, i cili i kërkoi falje laburistëve. Llogaria e lokalit në Twitter postoi se nuk kishte “qëllim të devijonte vizitën e Keir Starmer në Bath” dhe se pikëpamjet e personit në video janë “të tijat.”

Prandaj, pretendimi se kryeministri aktual britanik u nxor jashtë një pub është i pasaktë. Video është e vjetër dhe tregon një incident të vitit 2021 që përfshin Keir Starmer, i cili nuk ishte kryeministër në atë kohë.

The post Kryeministri britanik nuk u nxorr jashtë nga lokali appeared first on Faktoje.al.

Refuzimi i astronautit për betim nuk provon udhëtimet e rreme në Hënë

18 August 2025 at 13:29

Pretendimi: Refuzimi i astronautit Neil Armstrong të betohet mbi Bibël se ka ecur në Hënë është provë se udhëtimi ishte i rreme.

Verdikti: Mungon konteksti

———————————————————–

Një video që ka marrë mbi 1700 pëlqime në Instagram duket se tregon astronautin Neil Armstrong, një nga astronautët që zbarkoi për herë të parë në Hënë në vitin 1969, duke refuzuar të betohet mbi Bibël se ka ecur në Hënë. “Përse Neil Armstrong e shmangu këtë pyetje?” shkruhet në mbishkrimin e videos, duke pretenduar kështu se ky refuzim provon se ulja e Armstrong në Hënë ishte e pavërtetë.

Video, e xhiruar në 2010, tregon astronautin Neil Armstrong që përballet me një burrë të quajtur Bart Sibrel, i cili pretendon se është nga “ABC Digital.” Sibrel i afrohet Armstrong dhe i kërkon të vërë dorën mbi Bibël dhe të betohet se ka ecur në Hënë. Armstrong thotë në video: “Zoti Sibrel, duke ju njohur, kjo ndoshta është një Bibël e rreme.” Në klip, Sibrel vazhdon të këmbëngulë dhe madje i ofron 5 mijë dollarë. Armstrong më pas thotë: “Zoti Sibrel e ka bërë veten budalla para botës… Z. Sibrel, ju nuk meritoni përgjigje.”

Sibrel, një konspiracionist dhe producent filmash, është i njohur për pretendimin se ulja në Hënë ishte e rreme dhe për ndjekjen e astronautëve të misioneve Apollo me një Bibël për t’u betuar se ata ecën në Hënë.

Sibrel u godit me grusht në fytyrë nga astronauti Buzz Aldrin, njeriu i dytë në Hënë, pasi u përball me astronautin në vitin 2002. Autoritetet nuk e akuzuan Aldrin, duke thënë se ai u provokua nga Sibrel, raportoi LA Times në atë kohë.

Nuk ka prova që ulja në Hënë ishte e falsifikuar ose që astronautët nuk ecën në Hënë. 

Megjithatë, ekzistojnë prova të panumërta shkencore që tregojnë se uljet Apollo në Hënë nuk ishin të inskenuara, të ofruara nga NASA dhe palë të tjera. NASA ofron fotografi, orë të tëra pamjesh video, transkripte dhe regjistrime audio të misioneve të ndryshme Apollo, që përfshinin mijëra personel. Astronautët sollën mostra të shkëmbinjve dhe dheut hënor gjatë misioneve të tyre, të cilat janë ende duke u studiuar. Orbita e Zbulimit Hënor të NASA kapi vendet e uljes së Apollo 11 dhe misioneve të tjera në vitin 2009.

Bazalt (majtas) dhe breccia (djathtas) të marrë nga sipërfaqja e Hënës gjatë misionit Apollo 11

Anije kozmike hënore orbitale të vendeve të tjera kapën vendet e uljes, përfshirë Selene japoneze, e cila fotografoi një aureolë të lënë në sipërfaqen e hënës nga misioni Apollo 15 në vitin 1971. Përveç kësaj, astronautët Buzz Aldrin dhe Armstrong lanë një reflektor lazer hënor në sipërfaqe, për të ndihmuar në matjen e saktë të distancës hënore nga toka, e cila është ende në përdorim sot.

The post Refuzimi i astronautit për betim nuk provon udhëtimet e rreme në Hënë appeared first on Faktoje.al.

Këto pamje jo nga dalja e Gardës Kombëtare në Washington

15 August 2025 at 16:44

Pretendimi: Kjo video tregon Gardën Kombëtare amerikane në Washington DC në Gusht 2025

Verdikti: Mungon konteksti

————————————————————-

Një video që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendohet se tregon Gardën Kombëtare amerikane të mobilizuar në Washington DC në gusht 2025.

Trupat e Gardës Kombëtare të ShBA kanë nisur të shfaqen në rrugët e Washington DC së fundmi, një ditë pasi presidenti Donald Trump vendosi trupat në qytet dhe mori kontrollin e forcës policore, duke argumentuar se krimi i dhunshëm ishte jashtë kontrollit.

Megjithatë, të dhënat nga policia e Washington tregojnë rënie të ndjeshme të krimeve të dhunshme midis viteve 2023 dhe 2024, megjithëse kjo vinte pas një rritjeje pas pandemisë.

Zyrtarët thonë se pritet të vendosen 800 trupa të Gardës Kombëtare, si dhe 500 agjentë federalë të zbatimit të ligjit.

Megjithatë, video që po qarkullon në rrjete sociale nuk tregon këtë mobilizim.

Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video është postuar në TikTok që më 14 qershor 2025.

Sipas përshkrimit që shoqëron videon, ajo tregon pamje nga Washington DC gjatë provave të një parade ushtarake që u mbajt më 14 qershor 2025 me rastin e 250 vjetorit të pavarësisë së ShBA.

The post Këto pamje jo nga dalja e Gardës Kombëtare në Washington appeared first on Faktoje.al.

❌
❌