Reading view

Zjarr në mbetjet e korrjeve në Lipjan, ndërhyjnë zjarrëfikësit



Flakët kanë përfshirë disa hapësira me mbetje pas korrje-shirjeve në rajonin e Lipjanit.

Kjo ka ngritur shqetësim te banorët e fshatit Gushtolicë, pasi flakët janë afruar pranë disa shtëpive.

Ekipet e zjarrfikësve kanë dalë menjëherë në terren për të intervenuar dhe për të vënë situatën nën kontroll.

Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë se zjarri ishte afruar në afërsi të zonave të banuara.

Zëvendëskomandanti i Brigadës Profesionale të Zjarrfikësve në Prishtinë, Abdusamed Shkodra, ka bërë të ditur për Klanin se ekipet e zjarrfikësve nga Prishtina janë duke asistuar njësitë e rajonit të Lipjanit në përballimin e zjarrit.

Sipas tij, aktualisht nuk ka rrezik për përhapje të mëtejshme të zjarrit.

“Janë djegur mbetjet e grunajave. Kemi një ekip të zjarrfikësve që po asiston rajonin e Lipjanit. Ekipet janë në vendin e ngjarjes, por nuk ka diçka që paraqet rrezik”, ka deklaruar Shkodra.

Zjarrfikësit vazhdojnë të jenë në terren për të monitoruar situatën dhe për të parandaluar riaktivizimin e vatrave të zjarrit./Telegrafi.





  •  

Bajrami i reagon Vuçiqit: Dialogu nuk mund të funksionojë derisa Serbia ka pretendime territoriale



Kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Agron Bajrami, ka reaguar pas deklaratës së presidentit serb Aleksandar Vuçiq ndaj Kosovës.

Bajrami ka shpërndarë reagimin e Demokratëve Evropianë, të cilët kanë vlerësuar se deklaratat e vazhdueshme të Vuçiqit, përmes të cilave ai pretendon se Kosova është pjesë e Serbisë, dëmtojnë procesin e normalizimit të marrëdhënieve dhe cenojnë stabilitetin në rajon.

Sipas demokratëve, presidenti serb “edhe një herë ka pohuar se Kosova është pjesë e Serbisë”, duke theksuar se një qasje e tillë bie ndesh me përpjekjet për pajtim dhe dialog të qëndrueshëm.

Në reagimin e tyre, ata kanë përmendur edhe deklaratën e ministres serbe Snezhana Paunoviq, e cila kishte thënë se do ta kishte “spastruar etnikisht” Kosovën në vitin 1998, duke kritikuar faktin se deklarata të tilla, pavarësisht reagimeve negative në Evropë, nuk kanë sjellë pasoja politike në Serbi.

Kryenegociatori kosovar Agron Bajrami e ka shpërndarë këtë qëndrim, duke e cilësuar si një mesazh të rëndësishëm ndaj, siç e ka përshkruar ai, qasjes së Beogradit dhe retorikës që pengon procesin e normalizimit.

Në një reagim në platformën “X”, Bajrami ka theksuar se Kosova nuk do ta vendosë në diskutim ekzistencën e saj dhe se një dialog i besueshëm nuk mund të zhvillohet përderisa, sipas tij, Serbia vazhdon të mbajë pretendime territoriale ndaj Kosovës.

“Beogradi vazhdon të mohojë realitetin, të mohojë të vërtetën dhe të riciklojë gjuhën e viteve 1990. Nuk mund të ketë dialog të besueshëm ndërsa njëra palë ende pretendon territorin e palës tjetër dhe ëndërron për përsëritjen e spastrimit etnik. Kosova nuk do të negociojë ekzistencën e saj”, ka shkruar Bajrami.

Deklarata e tij vjen në një kohë kur procesi i dialogut Kosovë–Serbi, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, vazhdon të përballet me tensione politike dhe mospajtime të thella lidhur me zbatimin e marrëveshjeve të arritura ndër vite.

Prishtina zyrtare ka kërkuar vazhdimisht që dialogu të bazohet në njohjen e realitetit të krijuar pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ndërsa Beogradi vazhdon të mos e njohë pavarësinë e saj dhe e konsideron Kosovën pjesë të territorit të Serbisë./Telegrafi.

Belgrade continues to deny reality, negate truth and recycle the language of the 1990s.
There can be no credible dialogue while one side still claims the other’s territory and daydreams of repeating ethnic cleansing.#Kosova will not negotiate its existence. https://t.co/TffoxQkg36
— Agron Bajrami (@AgronBajrami) July 26, 2026

  •  

Spahiu: Kosova të ketë kujdes në raportet me SHBA-në, janë bërë gabime që kanë lëkundur besimin



Ish-ambasadori i Kosovës në Shtetet e Bashkuara, Avni Spahiu, ka thënë se Kosova duhet të tregojë kujdes të vazhdueshëm në marrëdhëniet me SHBA-në, duke vlerësuar se ndër vite janë bërë gabime që kanë krijuar tensione të panevojshme në raportet mes dy vendeve.

Në podcastin PIKË, raporton Koha, Spahiu ka thënë se mbështetja amerikane për Kosovën nuk duhet të merret si e mirëqenë, pavarësisht interesave të përbashkëta.

“Shumë thonë se Amerika e ka ndihmuar Kosovën për shkak të interesave të saj. Në rregull, por edhe interesi ynë ka qenë të jemi me Amerikën, prandaj kjo nuk mund të merret si argument”, u shpreh ai.

Spahiu theksoi se në një kohë kur vendet e Ballkanit Perëndimor synojnë të sigurojnë mbështetjen e Washingtonit, Kosova duhet të shmangë veprimet që mund të krijojnë dyshime apo krizë besueshmërie në raport me aleatin e saj kryesor.

Sipas tij, jo vetëm qeveria aktuale, por edhe qeveritë e mëparshme kanë bërë lëshime në menaxhimin e marrëdhënieve me SHBA-në, kryesisht për shkak të mungesës së konsultimeve ose njoftimit paraprak për vendime të caktuara.

“Janë bërë disa gabime, jo vetëm nga kjo qeveri. Ka pasur lajthitje edhe nga qeveritë e mëparshme sa i përket raporteve me Amerikën, kryesisht për shkak të mungesës së konsultimit apo njoftimit për disa veprime konkrete”, ka thënë Spahiu.

Ai shtoi se, megjithatë, këto veprime nuk kanë shkaktuar çarje të mëdha në marrëdhëniet me SHBA-në, por duhet të shërbejnë si mësim që Kosova të jetë më e kujdesshme në ruajtjen e partneritetit strategjik me Washingtonin.

  •  

Publikohen pamjet e operacionit të RENEA-s, momentet e fundit të negociatave me Nertil Buzin



A2CNN ka siguruar pamjet e momentit kur forcat RENEA, nën drejtimin e prokurorit, rrethuan automjetin ku ndodhej Nertil Buzi, pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Roskovec.

Në pamje shfaqet ndërhyrja e forcave speciale dhe momentet e negociatave me autorin, i cili qëndronte i izoluar brenda makinës prej disa orësh.

Pas përpjekjeve të vazhdueshme të efektivëve, Buzi pranoi të lironte Rozalinda Plakën, të cilën e mbante pranë tij.

Një prej efektivëve e mori 24-vjeçaren dhe e largoi menjëherë nga zona e rrezikut, duke e çuar disa metra më tej në një vend të sigurt. Më pas, ai u rikthye pranë automjetit për të vijuar negociatat me autorin dhe për ta bindur që të dorëzohej.

Por Buzi refuzoi të dorëzohej dhe, pas disa orësh përballjeje me forcat e policisë, i dha fund jetës duke u vetëvrarë brenda makinës.

Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e 24 korrikut në fshatin Vidhisht të Roskovecit, ku Refit Buzi shkoi i armatosur në banesën e familjes Plaku dhe qëlloi me armë gjahu.

Nga të shtënat humbi jetën në vendngjarje Kosta Plaku, babai i Rozalindës, ndërsa bashkëshortja e tij, Belere Plaku, ndërroi jetë më vonë në spital për shkak të plagëve të marra.

Buzi dhe Rozalinda Plaku kishin qenë të fejuar disa vite më parë, por marrëdhënia mes tyre ishte ndërprerë. Familjarët e vajzës kanë deklaruar se ai nuk e kishte pranuar ndarjen dhe se e kishte kërcënuar vazhdimisht.

  •  

Puka, makina e djegur dhe një sekret i madh: Misteri i italianit që u kthye nga “varri”



Më 6 janar 2021, një telefonatë urgjente në sallën operative të Policisë së Pukës do të hapte një nga dosjet më të pazakonta hetimore në Shqipëri.

Një automjet i përfshirë nga flakët ishte gjetur buzë një gremine, ndërsa brenda tij autoritetet zbuluan mbetje kockore.

Në orët e para të hetimit askush nuk e dinte nëse bëhej fjalë për një aksident tragjik apo për një vrasje të organizuar. Dyshimet u shtuan kur ekspertët konstatuan se në automjet nuk kishte një trup të identifikueshëm, por vetëm mbetje kockore të vendosura në mënyrë të pazakontë.

Hetimet shqiptare dhe italiane u përqendruan shpejt te një emër: Davide Pecorelli, biznesmeni italian nga Perugia, i lindur më 23 nëntor 1975, i cili rezultonte i zhdukur.

Oficeri i dosjes, Fatbardh Kuliçi, ka treguar se analiza e provave ngriti dyshime të forta se skena ishte inskenuar.

“Ekspertët na thanë se në rast djegieje të një kufome, skeleti mund të mbetet në sedilje, por nuk mund të shpërndahej në atë mënyrë”, ka deklaruar ai.

Nga arbitër futbolli në biznesmen të falimentuar

Pecorelli nuk ishte një figurë e panjohur në Itali. Para se të hynte në botën e biznesit, ai kishte qenë arbitër futbolli në nivele profesionale të Serisë A dhe Serisë B. Më pas u orientua drejt industrisë së kozmetikës, ku ndërtoi një biznes me dhjetëra punonjës.

Por pandemia e COVID-19 do të ndryshonte gjithçka.

Sipas rrëfimit të tij, kriza ekonomike e vitit 2020 e çoi biznesin drejt falimentimit me humbje prej miliona eurosh. Ai kishte hapur aktivitet edhe në Shqipëri, ku synonte të zgjeronte tregun e produkteve kozmetike.

“Pandemia më shkaktoi faliment prej disa milionë eurosh. Nga aty nisi gjithçka për mua dhe rashë në depresion”, ka rrëfyer Pecorelli.

Në janar të vitit 2021 ai udhëtoi drejt Shqipërisë për të kërkuar mundësi të reja biznesi, por sipas tij gjendja financiare ishte përkeqësuar.

Gjurmët që çuan hetuesit te inskenimi

Hetuesit rindërtuan lëvizjet e tij përmes GPS-it të makinës me qira dhe kamerave të sigurisë. Automjeti kishte lëvizur në disa zona të Shqipërisë së Veriut, përfshirë Shkodrën, Vaun e Dejës, Mjedën, Bushatin dhe Pukën.

Kamerat e sigurisë e shfaqnin Pecorellin duke udhëtuar i vetëm, me përjashtim të një takimi me një person tjetër në zonën e Shirokës.

Në Pukë ai qëndroi disa net në një hotel në qendër të qytetit. Sipas hetimit, pikërisht aty ai kishte planifikuar zhdukjen e tij.

Pecorelli ka rrëfyer se në atë periudhë kishte menduar t’i jepte fund jetës për shkak të presionit financiar, por më pas ndryshoi plan.

Rrëfimi për planin me kockat

Sipas versionit të tij, ai kishte takuar një prift në Shkodër, të cilit i kishte treguar gjendjen e rëndë psikologjike dhe financiare.

Ai pretendon se prifti i kishte ofruar një tjetër zgjidhje: inskenimin e vdekjes së tij.

Sipas rrëfimit të Pecorellit, plani ishte që në makinën e tij të vendoseshin mbetje kockore dhe më pas automjeti të digjej, në mënyrë që gjithçka të dukej si një aksident fatal.

“Duhej të dukej si një aksident me makinë. Lashë kockat brenda dhe më pas i vura flakën makinës”, ka treguar ai.

Megjithatë, automjeti nuk ra në greminë siç ishte planifikuar. Pecorelli tha se u largua me një makinë tjetër dhe e la pas skenën e djegies.

Nëntë muaj më pas, “i vdekuri” gjendet i gjallë

Ndërsa në Shqipëri dhe Itali hetuesit kërkonin autorët e një vrasjeje të dyshuar, Pecorelli u shfaq i gjallë rreth nëntë muaj më vonë.

Ai u gjet pranë ishullit Montecristo në Itali, një ngjarje që mediat italiane e cilësuan si historia e “të mbijetuarit të Montecristos”.

Pas zbulimit të së vërtetës, hetuesit konfirmuan se bëhej fjalë për një zhdukje të inskenuar.

Autoritetet shqiptare dhe italiane kishin kryer qindra verifikime, analiza ADN-je dhe kontrolle të gjurmëve për të zbardhur misterin.

Hetimi dhe pasojat për policinë

Në fillim të hetimit, disa efektivë të Policisë së Kosovës? (Shqipërisë) u përballën me masa administrative pasi automjeti ishte lëvizur nga vendi i ngjarjes për shkak të kushteve të vështira atmosferike.

Sipas policisë, veprimi ishte bërë për arsye sigurie, por në fazat e para të hetimit u konsiderua si cenim i mundshëm i skenës së krimit.

Megjithatë, me zbardhjen e plotë të rastit, rezultoi se nuk kishte pasur një vrasje, por një skenar të ndërtuar për zhdukjen e një personi që përballej me vështirësi të mëdha financiare.

Historia e Davide Pecorellit mbetet një nga rastet më të pazakonta kriminale në rajon, ku një automjet i djegur në një rrugë malore të Pukës nisi një hetim ndërkombëtar për vrasje, por përfundoi me zbulimin e një zhdukjeje të inskenuar./TCH/

  •  

Retorika propaganduese e Petkoviqit: Kontrollin e Policisë në Prizren e cilëson "represion"



Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka vazhduar sulmet e tij verbale ndaj institucioneve të Kosovës, duke ngritur akuza ndaj Policisë së Kosovës lidhur me masat e sigurisë gjatë përkujtimit të festës së Manastirit të Kryeengjëjve të Shenjtë në Prizren.

Përmes një reagimi në rrjetin social “X”, Petkoviq pretendoi se pjesëtarët e Policisë së Kosovës kishin kryer kontrolle “të panevojshme dhe tendencioze” ndaj besimtarëve serbë që morën pjesë në ceremoninë fetare.

Sipas tij, këto masa të sigurisë përbënin një “akt represioni”, ndërsa akuzoi institucionet e Kosovës se kinse kanë penguar edhe punën e disa mediave në gjuhën serbe.

“Qëllimi ishte të krijohej një Gazimestan i ri”, pretendoi Petkoviq, duke përdorur një narrativë të njohur politike të Beogradit që synon të paraqesë institucionet e Kosovës si kërcënim ndaj komunitetit serb.

Megjithatë, masat e ndërmarra nga Policia e Kosovës gjatë aktiviteteve publike, përfshirë edhe ato fetare, janë pjesë e procedurave të zakonshme të sigurisë që zbatohen për garantimin e rendit publik dhe mbrojtjen e të gjithë pjesëmarrësve.

Kontrollet policore në tubime me numër të madh pjesëmarrësish kryhen për të parandaluar incidente të mundshme dhe nuk lidhen me përkatësinë etnike apo fetare të qytetarëve.

Institucionet e sigurisë në Kosovë kanë theksuar vazhdimisht se detyra e tyre është garantimi i sigurisë për të gjithë qytetarët dhe komunitetet, duke respektuar të drejtat dhe liritë themelore.

Deklaratat e Petkoviqit vijnë në një periudhë kur zyrtarë të Beogradit kanë intensifikuar retorikën politike ndaj institucioneve të Kosovës, duke përdorur shpesh akuza për “diskriminim” dhe “presion” ndaj serbëve, ndërsa autoritetet në Prishtinë i kanë cilësuar këto pretendime si pjesë të një fushate propaganduese dhe dezinformuese.

Qeveria e Serbisë dhe zyrtarët e saj vazhdojnë ta përdorin çështjen e Kosovës si një nga temat kryesore politike, ndërsa përmes deklaratave publike shpesh akuzojnë Prishtinën për veprime ndaj komunitetit serb, pa ofruar prova konkrete për pretendimet e bëra.

Në anën tjetër, institucionet e Kosovës kanë përsëritur se çdo veprim i autoriteteve të sigurisë bazohet në ligjet në fuqi dhe se zbatimi i rendit dhe ligjit nuk mund të interpretohet si veprim kundër një komuniteti të caktuar./Telegrafi.

Members of Kurti’s police wanted to provoke new Gazimestan today at the celebration of the Monastery of Holy Archangels’ St. Patrons day in Prizren. They were even searching mothers with babies in the trolleys, women, young men and the media that were reporting were forbidden to… pic.twitter.com/kneeqwvgBB
— Петар Петковић (@PetkovicPetar) July 26, 2026

  •  

Grevë në doganat greke, pezullohet përkohësisht lëvizja e automjeteve në katër pika kufitare me Shqipërinë



Departamenti i Policisë Kufitare dhe Migracionit ka njoftuar se të dielën do të ketë pezullim të përkohshëm të lëvizjes së automjeteve në disa pika kufitare mes Shqipërisë dhe Greqisë, për shkak të një greve të paralajmëruar nga punonjësit e doganës greke.

Sipas njoftimit, informacioni është përcjellë nga Qendra e Bashkëpunimit Policor në Kakavijë, e cila ka bërë të ditur se greva do të zhvillohet në intervale të ndryshme kohore, në varësi të pikës kufitare.

Në Pikën e Kalimit Kufitar Kakavijë dhe Tre Urat në Përmet, qarkullimi i automjeteve do të pezullohet nga ora 07:00 deri në 11:00, sipas orës shqiptare.

Ndërkaq, në pikat kufitare Kapshticë në Korçë dhe Qafë Botë në Sarandë, pezullimi do të zgjasë nga ora 05:00 deri në 09:00.

Autoritetet bëjnë të ditur se gjatë këtyre intervaleve nuk do të lejohet kalimi i automjeteve në pikat kufitare të përmendura.

Megjithatë, sipas informacionit të përcjellë nga Policia Kufitare e Janinës, gjatë kohës së grevës do të lejohen të kalojnë vetëm këmbësorët pa bagazhe dhe rastet emergjente shëndetësore, përfshirë ambulancat.

Policia Kufitare u bën thirrje qytetarëve që planifikojnë të udhëtojnë drejt Greqisë të marrin parasysh këto kufizime dhe të organizojnë lëvizjet e tyre në përputhje me oraret e njoftuara, për të shmangur pritjet dhe vonesat në pikat kufitare./A2CNN.

  •  

Arifi: Pa “PO”-në e ShBA-së, Kosova nuk mund të bëhet anëtare e NATO-s



Analisti i çështjeve politike, Dritëro Arifi, ka vlerësuar se mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është faktori kyç për anëtarësimin e Kosovës në NATO, duke theksuar se pa miratimin e Uashingtonit një gjë e tillë nuk mund të realizohet.

Duke folur në emisionin “Info Magazine” në Klan Kosova, Arifi tha se edhe nëse Kosova do të kishte një ushtri me kapacitete dhe nivel përgatitjeje të krahasueshme me ato të Francës apo Gjermanisë, kjo nuk do të mjaftonte për t'u bërë pjesë e Aleancës Veriatlantike pa mbështetjen amerikane.

“Pa thënë ShBA-ja ‘po’, edhe nëse ne e kishim pasur ushtrinë, po themi, të Francës apo të Gjermanisë me përgatitje, ne nuk mund të bëhemi anëtar i NATO-s”, deklaroi ai.

Sipas Arifit, përveç aspektit ushtarak, procesi i anëtarësimit në NATO varet edhe nga vendimet politike të vendeve anëtare, ku roli i Shteteve të Bashkuara mbetet vendimtar.

“Pa thënë ShBA-ja ‘po’ asnjëherë s’bëhesh anëtar i NATO-s. Edhe nëse ka pengesa politike, ato mund të zgjidhen. Por, kur nuk e kemi një ‘PO’ të madhe të Amerikës, imagjino çka thonë shtetet që nuk e njohin Kosovën brenda NATO-s”, u shpreh Arifi.

  •  

Fluks i shtuar në disa pika kufitare, pritjet më të gjata në Muçibabë dhe Dheu i Bardhë



Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka përditësuar të dhënat për gjendjen në pikat kufitare, ku në disa prej tyre janë regjistruar pritje dhe kolona të automjeteve, veçanërisht në hyrje të Kosovës.

Sipas të dhënave të publikuara në orën 18:00, pritjet më të gjata janë regjistruar në pikën kufitare Muçibabë, ku qytetarët presin deri në 60 minuta për hyrje, ndërsa kolona arrin në rreth 300 metra.

Pritje të konsiderueshme ka edhe në Dheun e Bardhë, ku hyrja zgjat rreth 50 minuta, me kolonë prej 200 metrash, ndërsa në dalje pritjet janë rreth 25 minuta dhe kolona arrin në 100 metra.

Në pikën kufitare Bërnjak, pritjet për hyrje janë rreth 45 minuta, me kolonë prej 500 metrash, ndërsa dalja realizohet brenda 3 deri në 5 minutave.

Edhe në Hanin e Elezit janë regjistruar pritje, ku hyrja zgjat rreth 20 minuta, ndërsa dalja deri në 40 minuta. Kolonat arrijnë në 60 metra në hyrje dhe 300 metra në dalje.

Në Vërmicë, pritjet për hyrje janë nga 25 deri në 30 minuta, me kolona prej 250 deri në 300 metrash, ndërsa dalja kryhet për 5 deri në 10 minuta.

Ndërkaq, në pikat kufitare Merdarë, Jarinjë, Kullë, Mutivodë, Qafë e Morinës, Qafë e Prushit, Globoqicë dhe Stançiq, pritjet janë të shkurtra ose nuk ka kolona të evidentuara.

Sipas përditësimit të fundit të Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, në të gjitha pikat kufitare pritjet për kamionë janë 3 deri në 5 minuta, pa kolona të raportuara./Telegrafi.

  •  

Zjarri në Pyllin e Sodës në Vlorë merr përmasa të rrezikshme - thirrje qytetarëve të shmangin zonën



Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë pasditen e së dielës në Pyllin e Sodës në Vlorë, duke krijuar një re të dendur tymi që ka mbuluar një pjesë të mirë të qytetit.

Vatra e zjarrit ka rënë brenda pyllit me pisha, pranë vijës hekurudhore në zonën e Zvërnecit, ndërsa tymi është i dukshëm nga disa lagje të Vlorës.

Banorët dhe pushuesit në qytetin e Vlorës në ndihmë të zjarrfikësve për të izoluar flakët dhe për t’i shuar ato. Flakët janë përhapur me shpejtësi, të favorizuara nga temperaturat e larta dhe era, duke detyruar forcat zjarrfikëse të vendosin në dispozicion të gjithë personelin për izolimin e vatrës.

Zjarri ka marrë përmasa të konsiderueshme dhe rrezikon të përfshijë një sipërfaqe të madhe me pyje dhe bimësi, ndërsa ekziston rreziku që flakët t’u afrohen edhe bizneseve dhe ambienteve të tjera pranë zonës.

Në terren ndodhen shërbimet zjarrfikëse, të mbështetura nga strukturat e tjera të emergjencës, të cilat po punojnë për të vënë nën kontroll situatën dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të zjarrit.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet pranë zonës së prekur dhe të respektojnë udhëzimet e forcave në terren, ndërsa operacioni për shuarjen e flakëve vijon.

Siç edhe më herët korrespondneti i Top Channel Mikel Marsi raportoi, menjëherë pas sinjalizimit, drejt zonës janë nisur forcat e Policisë dhe shërbimet zjarrfikëse, të cilat po punojnë për izolimin dhe shuarjen e flakëve. Sipas të dhënave paraprake, situata paraqitet e vështirë për shkak të përhapjes së zjarrit në një zonë me bimësi të dendur dhe erës që favorizon avancimin e flakëve.

Burime nga shërbimi zjarrfikës bëjnë me dije se aktualisht ne Vlorë janë aktive pesë vatra zjarri njëkohësisht, çka ka vështirësuar ndarjen e forcave në terren. Përveç zjarrit në Pyllin e Sodës, ndërhyrje po kryhen edhe në Dukat, pranë tunelit të Llogarasë, në zonën e Parkut të Mallrave dhe në Triport.

- YouTube www.youtube.com

  •  

Pse tregu i BE-së mbetet i mbyllur për qumështin e Kosovës?



Kosova prodhon qumësht, djathë, kos e produkte të tjera të bulmetit.

Fabrikat kanë investuar në teknologji, fermerët kanë rritur prodhimin, ndërsa shteti ndan miliona euro subvencione çdo vit për ta zhvilluar sektorin.

Megjithatë, produktet e qumështit nga Kosova nuk mund të shiten në tregun më të madh në Evropë.

Jo sepse nuk plotësojnë domosdoshmërisht standardet e cilësisë apo sepse mungojnë kapacitetet prodhuese, por sepse Kosovës i mungon një dokument kyç që i hap dyert e Bashkimit Evropian: certifikata veterinare e njohur nga BE-ja.

Për pasojë, industria e qumështit mbetet e kufizuar në tregun vendor prej rreth 1.6 milion banorësh dhe në disa vende të rajonit.

Përfaqësuesit e sektorit paralajmërojnë se kjo po krijon një efekt zinxhiror: fermerët përballen me teprica të qumështit, fabrikat nuk i shfrytëzojnë kapacitetet e tyre dhe mundësitë për rritje mbeten të bllokuara.

“Problemet brenda Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë kanë bllokuar eksportin e produkteve ushqimore. Neve na duhet vetëm certifikata, sepse kapacitete kemi”, thotë për Radion Evropa e Lirë Gani Durmishi, nga Shoqata e Industrisë së Qumështit të Kosovës.

Sipas tij, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ende nuk i ka përmbushur kriteret e Bashkimit Evropian për t’u autorizuar të lëshojë certifikata veterinare të vlefshme për eksport.

Çfarë është certifikata veterinare dhe pse është e rëndësishme?

Certifikata veterinare është dokumenti zyrtar që dëshmon se kafshët e gjalla dhe produktet me origjinë shtazore, si qumështi, djathi, mishi dhe vezët, i plotësojnë standardet e shëndetit publik dhe të sigurisë ushqimore të Bashkimit Evropian.

Por, një shtet nuk mund ta lëshojë këtë certifikatë vetëm me vendim të institucioneve të veta. Ai duhet të ketë një sistem veterinar të njohur dhe të vlerësuar nga Bashkimi Evropian.

Radio Evropa e Lirë pyeti AUV-në se cilat janë arsyet konkrete që Kosova ende nuk është autorizuar të eksportojë produkte me origjinë shtazore në Bashkimin Evropian, por nuk mori përgjigje.

Përgjigje nuk dha as Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë lidhur me kriteret që Kosova ende nuk i ka përmbushur dhe afatin e mundshëm për autorizimin e eksporteve.

Ish-kryeshefi ekzekutiv i AUV-it, Valdet Gjinovci, shpjegon se kjo nënkupton një zinxhir të tërë kontrolli: identifikimin dhe regjistrimin e kafshëve, mbikëqyrjen e sëmundjeve, kontrollin e ushqimit për kafshë, inspektimin e fermave dhe fabrikave, analizat laboratorike, si dhe kontrollin gjatë përpunimit, paketimit dhe shpërndarjes së produkteve.

Sipas tij, Kosova ka bërë përparim, por ende nuk i ka përmbushur të gjitha kërkesat.

“Gjendja në terren nuk është e vështirë për t’u përmirësuar, sepse janë bërë investime. Megjithatë, ka pengesa të tjera. Kosova nuk është anëtare e Organizatës Botërore për Shëndetin e Kafshëve, prandaj nuk përfiton nga ekspertiza dhe programet e saj. Përveç kësaj, duhet të harmonizohen ligjet dhe sistemi veterinar me rregulloret e BE-së”, thotë Gjinovci.

A janë gati kompanitë kosovare për të eksportuar?

Përfaqësuesit e industrisë së qumështit thonë se problemi nuk është te prodhuesit, por te mungesa e qasjes në tregun evropian.

Sipas Durmishit, shumica e fabrikave kanë kapacitetet, teknologjinë dhe standardet e nevojshme për të konkurruar në tregjet e Bashkimit Evropian, por nuk mund t’i shfrytëzojnë ato plotësisht.

“Disa qumështore në Kosovë nuk punojnë në tri ndërrime vetëm sepse nuk kanë treg. Ka fabrika që mund të përpunojnë rreth 100 mijë litra qumësht në ditë. Nëse llogariten vetëm dhjetë të tilla, kapaciteti arrin në një milion litra në ditë. Por, sot pothuajse asnjëra nuk punon 24 orë. Shumica punojnë vetëm tetë, e disa edhe katër orë në ditë”, thotë Durmishi.

Sipas tij, interesimi nga tregjet evropiane tashmë ekziston.

“Disa kompani nga Gjermania dhe Zvicra na kanë thënë: vetëm rregulloni dokumentacionin dhe ne do t’i marrim produktet. Edhe përpunuesit janë të gatshëm ta rrisin prodhimin”, shton Durmishi.

Të dhënat e Ministrisë së Bujqësisë tregojnë se vetëm gjatë vitit 2024, industria e qumështit në Kosovë prodhoi produkte me vlerë prej 135.2 milionë eurosh.

Megjithatë, kjo mjafton për të mbuluar vetëm rreth 66 për qind të nevojave të tregut vendor, ndërsa pjesa tjetër plotësohet përmes importit.

Sipas Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, në Kosovë janë të regjistruara 48 objekte të miratuara për përpunimin dhe paketimin e qumështit.

Vlera e prodhimit të qumështit

Vitet e fundit, prodhimi i qumështit në Kosovë ka shënuar rritje. Edhe vlera e tij është rritur, nga 107 milionë euro në vitin 2020 në 135 milionë euro në vitin 2024.

Edhe ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Ismet Mulaj, vlerëson se një pjesë e prodhuesve kosovarë tashmë i kanë arritur standardet që kërkohen për eksport.

Sipas tij, hallka që mungon nuk janë bizneset, por institucionet.

“Ka kompani që kanë bërë investime të mëdha, kanë marrë asistencë profesionale nga ekspertë evropianë dhe kanë ndërtuar kapacitetet e nevojshme. Por, nuk mund të eksportojnë, sepse institucioni përgjegjës ende nuk i ka përmbushur standardet e kërkuara. Kjo është pasojë e mungesës së vullnetit politik ndër vite. Ky proces do të mund të përfundonte brenda dy vjetësh”, thotë Mulaj për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, kjo situatë ka krijuar një pabarazi të vazhdueshme tregtare.

Ndërsa Kosova importon sasi të konsiderueshme të produkteve të qumështit, eksporti mbetet i kufizuar tërësisht në tregjet e rajonit.

“Për sa kohë që tregu evropian mbetet i mbyllur, industria vendore nuk mund të zhvillohet me ritmin që ka potencial. Hapja e këtij tregu do të nënkuptonte më pak import, më shumë prodhim vendor dhe një ekonomi më konkurruese”, thotë ai.

Çfarë tregojnë shifrat?

Të dhënat e Doganës së Kosovës tregojnë se eksporti i produkteve të qumështit është i kufizuar në vendet e rajonit.

Gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti, Kosova eksportoi produkte të qumështit kryesisht në Shqipëri, Maqedoni të Veriut dhe Mal të Zi, në vlerë prej rreth 478 mijë eurosh.

Nga kjo shumë, eksporti i kosit - një prej produkteve më të shitura pas qumështit - arriti në rreth 90 mijë euro.

Në të njëjtën periudhë, importi ishte shumëfish më i lartë.

Në tregun e Kosovës hynë produkte të qumështit nga vendet e rajonit dhe Bashkimi Evropian në vlerë prej mbi 12 milionë eurosh, ndërsa vetëm importi i kosit kaloi 2 milionë euro.

Edhe shifrat e vitit 2024 tregojnë të njëjtën prirje.

Kosova importoi produkte të qumështit në vlerë prej rreth 31 milionë eurosh, ndërsa eksporti ishte vetëm rreth 331 mijë euro.

Ky raport, sipas njohësve të ekonomisë, nuk pasqyron domosdoshmërisht mungesë të prodhimit apo të interesimit për produktet kosovare, por kufizimet që industria ka në qasjen në tregje më të mëdha.

Mulaj thotë se mungesa e mundësisë për të eksportuar në Bashkimin Evropian e detyron industrinë vendore të mbështetet pothuajse vetëm në tregun e Kosovës dhe në një pjesë të vogël të tregut rajonal.

“Për sa kohë që nuk hapen tregje të reja, importi do të vazhdojë të dominojë. Kjo krijon një debalancë tregtare që e dëmton prodhimin vendor dhe kufizon zhvillimin e industrisë”, thotë ai.

Sipas tij, hapja e tregut evropian nuk do të ndikonte vetëm në rritjen e eksporteve, por edhe në uljen e varësisë së Kosovës nga importi i produkteve të qumështit.

Çfarë humbet ekonomia?

Për Mulajn, pasojat nuk ndihen vetëm nga kompanitë përpunuese.

Ato prekin të gjithë zinxhirin e prodhimit - nga fermerët deri te buxheti i shtetit.

“Qeveria e Kosovës çdo vit ndan miliona euro përmes granteve dhe subvencioneve për industrinë e qumështit me synim rritjen e prodhimit vendor. Por, nëse nuk siguron tregje ku ai prodhim shitet, investimet nuk japin efektin e plotë”, thotë ai.

Sipas tij, tregu i Kosovës është shumë i vogël për të përthithur një rritje të vazhdueshme të prodhimit. Pa mundësi eksporti, kompanitë nuk kanë arsye të zgjerojnë kapacitetet, ndërsa fermerët përballen me kufizime në shitjen e qumështit.

Edhe Durmishi beson se hapja e tregut evropian do ta ndryshonte rrënjësisht industrinë.

“Do të rritej numri i fermerëve, i punëtorëve dhe i fabrikave që punojnë me kapacitet të plotë. Do të rritej qarkullimi dhe fitimi i kompanive. Ne mund të konkurrojmë me cilësi dhe standarde. Ajo që na mungon, është mbështetja institucionale”, thotë ai.

Premtimet për eksport dhe pritja për veprime

Hapja e tregut të Bashkimit Evropian për produktet e qumështit është një nga synimet që Qeveria e Kosovës e ka përfshirë në programin e saj.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është zotuar se mandati i ardhshëm do të jetë mandat i prodhimit, zhvillimit ekonomik dhe vetëqëndrueshmërisë.

Në programin qeverisës të prezantuar për zgjedhjet e 7 qershorit, ai ka premtuar mes tjerash: rritjen e eksporteve, zhvillimin e kapaciteteve për përpunimin e mishit dhe qumështit, si dhe standardizimin e produkteve bujqësore.

Po ashtu, është zotuar të mbështesë investimet për certifikimin e prodhimeve sipas standardeve evropiane, me qëllim që fermerët dhe kompanitë kosovare të fitojnë qasje në tregjet rajonale dhe ato të BE-së.

Megjithatë, Zyra e Kryeministrit në detyrë nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se kur do të nisë zbatimi i ndonjë mase konkrete për përmbushjen e këtyre zotimeve dhe për avancimin e procesit që do t’i mundësonte Kosovës eksportin e produkteve me origjinë shtazore në BE./REL/

  •  

“A na jep këto çika për një natë?” – Dëshmitaret rrëfejnë si nisi konflikti që përfundoi me plagosjen e tre personave



Në Gjykatën e Prizrenit ka vazhduar të enjten, më 23.07.2026, gjykimi ndaj Elijon Hoxhajt, Erion Susurit, Arbër Hoxhajt dhe Orhan Ademajt, lidhur me rastin e tentim-vrasjes së rëndë.

Sipas aktakuzës, Elijon Hoxhaj akuzohet për veprën penale – vrasje e rëndë në tentativë, ndërsa Erion Susuri, Arbër Hoxhaj dhe Orhan Ademaj akuzohen për – ndihmë në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë në tentativë.

Në seancën e sotme para trupit gjykues dëshmuan tre dëshmitarë, të cilët dhanë versionet e tyre lidhur me rastin.

Dëshmitarja Y.Z. e pyetur nga prokurorja Ervehe Gashi tha se derisa po kthehej në shtëpi me F.P. u takuan me të akuzuarin Elijon Hoxhaj, i cili u afrua t’i përcillte për në shtëpi pasi ato njiheshin me të dhe ishin miq.

Sipas saj, pranë “ABI Çarshisë” një veturë e zezë me pesë persona iu afrua dhe njëri prej tyre u tha: “A na jep këto çika për një natë?”. Pas reagimit të Hoxhajt, të njëjtët u kthyen, dolën nga vetura dhe njëri e goditi atë me grusht në fytyrë, ndërkohë që të dyja u munduam ta qetësonim situatën.

“Elijoni i ka thanë: ‘A jeni normal çka jeni tu thanë?’”- tha Y.Z.

Dëshmitarja Y.Z. tha se më pas pesë personat i ndoqën me veturë deri në afërsi të Komunës së Prizrenit, duke i sharë, ofenduar dhe duke u bërë shenja që të ndalonin automjetin.

Gjatë pyetjeve të përfaqësuesit të të dëmtuarve, avokatit Blerim Mazreku, dëshmitarja konfirmoi se gjatë ndjekjes me veturë, Elijon Hoxhaj kishte telefonuar dikë duke kërkuar ndihmë dhe duke thënë: “A mundeni me ardhë se janë duke na ndjekur disa djem?”.

“Po e ka thirrë dikë, por nuk ka përmendur emra”- tha dëshmitarja Y.Z.

Ndërsa, në pyetjet e mbrojtësit të të akuzuarit Orhan Ademaj, avokatit Valdrin Gashi, dëshmitarja deklaroi se edhe nëse do të ballafaqohej sot me personat që i kishte parë atë natë nuk do të mund t’i identifikonte, sepse kishte qenë e emocionuar duke u munduar ta ndalonte të akuzuarin Hoxhaj.

Ndërsa dëshmitarja F.P. dha një version të ngjashëm të ngjarjes. Ajo deklaroi se sulmuesit tentuan ta godisnin Hoxhajn, ndërsa grushti kaloi pranë fytyrës së saj dhe e goditi atë. Sipas dëshmitares, personat e njëjtë më pas i ndoqën me veturë duke i kërcënuar me fjalë fyese dhe duke u kërkuar të ndalonin.

“Zhdrypni ju tregojna se kush jena na, nale kerrin, ku të njëjtit na kanë sharë e na kanë ofenduar”- tha dëshmitarja F.P.

Tutje, dëshmitari Y.Z. tha se kishte ndërhyrë rastësisht pasi pa disa persona duke tentuar ta sulmonin një djalë që ishte me dy vajza. Ai deklaroi se u kishte bërë thirrje të largoheshin dhe i kishte paralajmëruar se do të vinte Policia, me qëllim që të qetësonte situatën. Sipas tij, pas ndërhyrjes së tij, Hoxhaj dhe dy vajzat u larguan me veturën e tyre.

“Largohuni se po vjen Policia, dhe kam reagu tu u mundu që fizikisht t’i ndali këta pesë persona, të cilët ishin në drejtim të personit i cili ishte me dy femra, e i janë drejtu me fjalë fyese”- tha dëshmitari Y.Z.

Prokurorja Ervehe Gashi, avokatja e palës së dëmtuar, Raima Elezi, si dhe të akuzuarit së bashku me avokatët nuk kanë paraqitur vërejtje mbi dëshminë e dhënë.

Seanca e radhës vazhdon më 24 korrik 2026.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Prizrenit, më 29 dhjetor 2024, rreth orës 01:45, pas një mosmarrëveshjeje të ndodhur më herët në parkingun e Qendrës Tregtare “ABI Çarshia”, i akuzuari Elijon Hoxhaj dyshohet se ka thirrur Erion Susurin, Arbër Hoxhajn dhe Orhan Ademajn, me të cilët është takuar në afërsi të pompës së derivateve “Shell” në Prizren.

Sipas aktakuzës, katër të akuzuarit me dy automjete kanë ndjekur Muharrem Elshanin, Lutfi Bislimajn dhe Albin Elshanin.

Prokuroria pretendon se pranë objektit të IPKO-s u kanë bllokuar rrugën të dëmtuarve, ndërsa Eljon Hoxhaj ka dalë nga vetura i armatosur me thikë dhe ka goditur Muharrem Elshanin në shpatullën e djathtë, Lutfi Bislimajn në pjesën lumbale të majtë dhe Albin Elshanin në këmbë dhe në parakrah, duke u shkaktuar lëndime trupore.

Për këto veprime, Eljon Hoxhaj akuzohet për veprat penale – vrasje e rëndë në tentativë dhe – mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Ndërkaq, Erion Susuri, Arbër Hoxhaj dhe Orhan Ademaj akuzohen se kanë ndihmuar në kryerjen e veprës penale, duke marrë pjesë në ndjekjen e të dëmtuarve, bllokimin e automjetit të tyre dhe sulmin fizik, duke krijuar, sipas Prokurorisë, kushtet që Hoxhaj të kryente sulmin me thikë ndaj tre të dëmtuarve. Ata ngarkohen me veprën penale – ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë në tentativë./Kallxo.

  •  

IKSHPK: Gjatë këtij viti dy të vdekur e 21 raste të reja me HIV/AIDS



Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka bërë të ditur se 21 raste të reja me HIV/AIDS janë regjistruar në Republikën e Kosovës nga 1 janari deri më 17 korrik 2026.

Sipas të dhënave të këtij institucioni, gjatë së njëjtës periudhë kanë humbur jetën dy persona të prekur me HIV/AIDS.

IKSHPK ka bërë thirrje për qytetarët që të kryejnë testime të hershme, duke theksuar se diagnostikimi në kohë mund të jetë vendimtar për trajtimin dhe menaxhimin e sëmundjes.

“Testimi është i thjeshtë dhe konfidencial. Testimi i hershëm shpëton jetë”, ka theksuar IKSHPK.

Instituti ka rikujtuar se personat e diagnostikuar me HIV mund të mbajnë nën kontroll virusin përmes terapisë antiretrovirale, e cila ndihmon në forcimin e sistemit imunitar dhe përmirësimin e cilësisë së jetës.

HIV është një virus që sulmon sistemin imunitar të organizmit, ndërsa AIDS paraqet fazën e avancuar të infeksionit HIV, kur sistemi imunitar është dobësuar ndjeshëm.

Sipas ekspertëve shëndetësorë, HIV transmetohet përmes marrëdhënieve seksuale të pambrojtura, kontaktit me gjak të infektuar, si dhe nga nëna te fëmija gjatë shtatzënisë, lindjes ose ushqyerjes me gji.

IKSHPK ka sqaruar se HIV/AIDS nuk transmetohet përmes kontakteve të zakonshme sociale, si shtrëngimi i duarve, përqafimet, përdorimi i përbashkët i enëve ushqimore apo pickimi i mushkonjave.

  •  

Aktakuza për 172 mijë eurot e padeklaruara, çka tha në Gjykatë Shpend Ahmeti?



Shpend Ahmeti, ish-kryetar i Prishtinës, ka dalë sot më 23.07.2026 para Gjykatës Themelore në Prishtinë për t’u ballafaquar me akuzën për mos-raportim të pasurisë.

Shpend Ahmeti po akuzohet se nuk ka deklaruar mjetet financiare në shumë prej 54 mijë e 400 euro të pranuara nga llogaritë personale të nënës së tij dhe 118 mijë euro të tij. Sipas Prokurorisë shuma e përgjithshme e mjeteve të padeklaruara arrin vlerën prej 172 mijë e 600.00 euro.

Ahmeti gjatë dhënies së mbrojtjes së tij tha se nuk ka qenë qëllimi i tij, fshehja e mjeteve financiare për të cilat po akuzohet se nuk i deklaroi.

“Në asnjë mënyrë nuk ka qenë qëllim fshehja e këtyre mjeteve se po ta kisha qëllim, deponimi bankar nuk do te ishte mënyra.” – tha Ahmeti në Gjykatë.

Sipas tij, mjetet e padeklaruar kanë qenë ndihmë familjare.

“Çdo vlerë që është pranuar ka qenë ndihmë familjare dhe kjo ka qenë arsyeja e mos deklarimit.” – tha i akuzuari Shpend Ahmeti.

Ahmeti tha se nuk e ka deklaruar këtë shumë, për arsye se kishte menduar se nuk e ka obligim.

Ahmeti tha se familjarët e tij i kanë ofruar ndihmë edhe para marrjes së postit të kryetarit të Prishtinës por edhe pas.

Paraprakisht, i akuzuari pas leximit të aktakuzës nga prokurori Dren Paca edhe në shqyrtim gjyqësor nuk e ka pranuar fajësinë.

Në fjalën hyrëse, prokurori Dren Paca, tha se nga provat e renditura në aktakuzë do të vërtetohet fajësia e të pandehurit.

Sipas prokurorit, nga provat e administruara pa mëdyshje do të vërtetohen elementet e veprës penale për të cilën i pandehuri po akuzohet si dhe nga këto prova dhe do të vërtetohet se i akuzuari i ka deponuar në bankë mjetet në shumë prej 172 mijë euro të cilat i njëjti nuk i kishte deklaruar.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Arbër Istrefi, tha se e kundërshton në tërësi aktakuzën e Prokurorisë Speciale me arsyetimin se nuk janë përmbushur elementet e veprës penale për të cilën i mbrojturi i tij po akuzohet.

Sipas Istrefit, mjetet që po pretendohen nga Prokuroria se nuk janë deklaruar gjatë periudhës 2018-2022 janë deponime në llogari bankare nga vetë i mbrojturi i tij.

Sipas Istrefit, mjetet e pa deklaruara nuk kanë origjinë kriminale dhe se i mbrojturi i tij nuk ka pasur për qëllim fshehjen e tyre.

Ndërsa vet Ahmeti, në fjalën hyrëse tha se gjatë periudhës 2018-2022 i është nënshtruar kontrollit të plotë nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit dhe asnjëherë nuk ka pasur ndonjë problem apo vërejtje nga APK.

Sipas Ahmetit në qoftë se AKP-ja vëren ndonjë parregullsi e njëjta i jep zyrtarit afat prej 15 ditësh që të përmirësojë deklarimin e pasurisë.

Mirëpo Ahmeti tha se pas këtyre kontrolleve që i ka pasur, nuk kam marrë asnjë shkresë nga APK.

Tutje, procesi gjyqësor ka kaluar në administrimin e provave materiale.

Ndërkaq, trupi gjykues ka refuzuar ka refuzuar propozimin e mbrojtjes që në cilësi të dëshmitarit të dëgjohet një zyrtar nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit me arsyetimin së është dhënë përgjigje lidhur me faktet të cilat mbrojtja pretendon t’i vërtetojë përmes dëgjimit të këtij dëshmitari.

Tutje, në fjalën përfundimtare prokurori i rastit Dren Paca tha se Prokuroria Speciale qëndron pranë aktakuzës së saj, dhe se nga provat e propozuara në aktakuzë, është vërtetuar se i pandehuri ka kryer veprën penale për të cilën po akuzohet.

Prokurori si rrethana lehtësuese ka cekur sjelljen korrekte dhe të pandehurit në shqyrtim gjyqësor ndërsa si rrethanë rënduese përmendi shkallën e lartë të dashjes.

Tutje, prokurori Paca i propozoi Gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të njëjtit t’i shqiptohet dënim me burgim në kohëzgjatje prej 1 vit e 6 muaj, si dhe dënim me gjobë në shumën prej 5 mijë euro. Po ashtu prokurori i propozoi Gjykatës që të pandehurit t’i konfiskohet pasuria në shumën e padeklaruar apo ndonjë pasuri e barasvlefshme.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit avokati Arber Istrefi tha se provat e Prokurorisë Speciale në asnjë formë dhe mënyrë nuk vërtetojnë përtej dyshimit të bazuar mirë se i mbrojturi i tij ka kryer veprën penale për të cilën po akuzohet.

“E kundërshtojmë aktakuzën për formën si është përpiluar dhe mënyrën. Nuk janë vërtetuar elementet subjektive dhe as dashja për kryerjen e veprës penale.”- tha avokati.

Tutje, lidhur me propozimin e Prokurorisë për konfiskimin e pasurisë, Istrefaj tha se kjo është një rrethanë e re dhe të njëjtën e kundërshtojnë si të pabazë.

Ndërsa vet i akuzuari Ahmeti tha se e mbështet deklarimin e avokatit të tij.

Në fund, kryetari i trupit gjykues Leon Përlaska, shpalli të përfunduar këtë çështje penale dhe caktoi shpalljen e aktgjykimit për datë tjetër.

Kjo çështje penale po trajtohet në Departamentin Special në Gjykatën e Prishtinës, në përbërje të trupit gjykues nga Leon Përlaska (kryetar) Violeta Namani- Hajra dhe Medije Bytyqi (anëtare).

Ndërsa aktakuza po përfaqësohet nga prokurori special Dren Paca.

Ndryshe, Gjykata e Apelit e ka lënë në fuqi aktakuzën ndaj Shpend Ahmetit, për mos deklarim apo deklarim të rremë të pasurisë.

Shpend Ahmeti, në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur më 21.01.2026 nuk e kishte pranuar fajësinë për veprën e cila i vihet në barrë.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 23.12.2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Shpend Ahmetit.

Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të siguruar nga KALLXO.com thuhet se i pandehuri Shpend Ahmeti në periudhën kohore nga viti 2018 e në vazhdimësi deri në vitin 2022, në Prishtinë, në cilësinë e Kryetarit të Komunës së Prishtinës edhe pse i obliguar të bëjë deklarimin e pasurisë vjetore në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, me dashje ka paraqitur deklarata të pasakta të pasurisë duke mos deklaruar te ardhurat reale.

“Si person zyrtar, ka qenë i obliguar të bëjë deklarimin e saktë, të plotë dhe në kohë të pasurisë, të ardhurave, dhuratave, dobive pasurore dhe detyrimeve financiare, me rastin e paraqitjes se deklaratave vjetore pranë Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, me dashje ka paraqitur deklarata të pasakta të pasurisë, duke mos deklaruar të ardhurat reale, respektivisht duke mos deklaruar deponimet në para të gatshme (cash) të realizuara personalisht gjatë viteve përkatëse, si drejtpërdrejtë ashtu edhe përmes bankomatëve (ATM), në llogaritë e tij personale në vlerë të përgjithshme prej 118,200.00 euro.”- thuhet në aktakuzë.

Sipas PSRK-së i pandehuri Ahmeti në vazhdimësi ka kryer veprën penale “Mosraportimi ose raspotimi i rremë i pasurisë, të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare.

Ahmeti ishte për dy mandate kryetar i Prishtinës, i njëjti kishte fituar si pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje mandatin e parë në vitin 2013-të dhe përfundoi mandatin e dytë në vitin 2021./Kallxo.

  •  

Rrënimet buzë Ujmanit: Çfarë thotë ligji?



Rrënimi nga autoritetet kosovare i disa shtëpive, të ndërtuara pranë Liqenit të Ujmanit, në veriun e banuar me shumicë serbe në Kosovë, u kundërshtua nga pronarët e tyre, ndërsa nxiti edhe reagime nga bashkësia ndërkombëtare.

Pluhur në këtë rast nuk çoi aq çështja e pronës, sa ajo nëse u përfill ligji në rrënimin e shtëpive, që u tha se ishin bërë pa leje. Sipas ekspertëve me të cilët foli Radio Evropa e Lirë (REL), rrënimi duhet të ndodhë vetëm pasi të jenë shterur të gjitha procedurat e nevojshme ligjore.

Shtëpitë ishin ndërtuar në tokë publike, e cila administrohet nga Ndërmarrja Publike Hidroekonomike “Ibër-Lepenci”.

Të drejtat pronësore

Korab Dibra, ekspert ligjor për çështje pronësore, shpjegon për REL-in se neni 23 i Ligjit për Pronën Publike shprehimisht përcakton se në pronat në pronësi publike nuk mund të fitohet pronësia përmes parashkrimit fitues, si dhe me ndërtimin e objektit në kundërshtim me legjislacionin përkatës që rregullon të drejtën e ndërtimit dhe ndërtimin.

“Kjo dispozitë e përjashton mundësinë e fitimit të pronësisë në pronën publike, nëse është ndërtuar pa leje, qoftë edhe me aplikim për legalizimin e ndërtimeve pa leje”, thotë Dibra.

Sipas drejtorit të ndërmarrjes “Ibër-Lepenci”, Faruk Mujka, të dhënat e mbledhura treguan se shumica e këtyre shtëpive ishin ndërtuar gjatë viteve 2019-2020.

Kjo e përjashton mundësinë e legalizimit të tyre në bazë të Ligjit për Trajtimin e Ndërtimeve Pa Leje, i cili ka hyrë në fuqi në shtatorin e 2018-tës, sipas Dibrës.

Dibra thekson se, në kuptim të ligjit, edhe ndërmarrja “ka të drejtë dhe detyrim ligjor ta mbrojë pronën që administron ndaj çdo cenimi të paautorizuar nga palët e treta”.

Këtë e kishte cekur edhe vetë Mujka këtë muaj, gjatë një diskutimi publik, kur kishte thënë se “Ibër-Lepenci” e ka detyrim ligjor të mbrojë pronën që administron.

A u shpërfill ligji në rrënimin e shtëpive?

Ndër ankesat kryesore në këtë çështje, si nga pronarët, ashtu dhe nga bashkësia ndërkombëtare, ishte se autoritetet kosovare nuk respektuan procedurat ligjore.

Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë tha të mërkurën se veprimi i institucioneve të Kosovës u ndërmor në kohën kur banorët kishin nisur procedura gjyqësore brenda afatit 15-ditor, të përcaktuar në njoftimet e “Ibër-Lepencit”.

Qëndrimin e bllokut e ndanë edhe Ambasada britanike dhe ajo e Gjermanisë në Prishtinë.

Avokati i pronarëve të shtëpive të rrënuara, Predrag Millkoviq, thotë për REL-in se çështjen e kishte çuar në Gjykatën Themelore në Mitrovicën e Veriut javën e kaluar, por se nuk kishte pranuar vendim deri të enjten, pra tri ditë pasi autoritetet kishin nisur rrënimin.

Kërkesa e pronarëve për masë të përkohshme mbrojtëse u hodh poshtë nga gjykatatë enjten.

“Në vendim thuhet se nuk kemi dëshmuar ekzistimin e së drejtës subjektive për domosdoshmërinë dhe urgjencën e masës. Por, gjithçka tashmë është rrënuar, ndonëse kjo është dashur të bëhej përmes procedurës gjyqësore: të parashtrohej padia, dhe pastaj, eventualisht, rrënimi të vendosej pasi të merrej aktgjykimi”, thekson Millkoviq.

Ai shpjegon se “Ibër-Lepenci” i kishte njoftuar klientët e tij, përmes një paralajmërimi, se duhej t’i lëshonin shtëpitë për shkak të rrënimit, pa ndonjë urdhër gjyqësor apo shpjegim se në bazë të cilit ligj kërkohej një gjë e tillë.

“Kur filluan rrënimin të hënën, njerëzit kërkuan urdhër. Ata u thanë: ‘Do ta merrni, vetëm largohuni’. Por, nuk mund të funksionojë kështu”, nënvizon Millkoviq.

Eksperti ligjor Dibra shpjegon se ligji përcakton se organi kompetent nuk mund ta kryejë rrënimin, nëse kërkesa për legalizim është ende në shqyrtim, nëse ankesa është ende në shqyrtim, dhe nëse objekti është në listën e pritjes.

“Kjo do të thotë se procedura administrative duhet të përfundojë përpara ekzekutimit të vendimit, përveç rasteve kur ligji tjetër parashikon ndryshe”, thekson Dibra.

Ligji nuk autorizon “Ibër-Lepencin”, ose ndonjë ndërmarrje publike, ta rrënojë vetë objektin. Rrënimin e kryen organi kompetent, i cili, sipas ligjit, është komuna, për ndërtimet e kategorisë I dhe II, si dhe ministria përgjegjëse, për ndërtimet e kategorisë III.

Shtëpitë dhe vilat hyjnë në kategorinë I të ndërtimeve, dhe për lëshimin e lejeve të ndërtimit dhe rrënimit të tyre është kompetente vetëm komuna, shpjegon Dibra.

As Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, as Inspektorati i saj - i cili me ndihmën policisë nisi rrënimin e shtëpive - nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it lidhur me procedurat ligjore dhe vendimin për rrënimet.

Institucionet nuk lëshuan as ndonjë njoftim publik lidhur me rrënimet.

Nuk është e qartë nëse autoritetet kanë marrë vendim të gjykatës në këtë rast, por ato kanë refuzuar të tregojnë nëse posedonin një të tillë kur filluan rrënimet të hënën.

Rrënimi i ndërtimeve pa leje në Kosovë

Rrënimet e kësaj jave buzë Ujmanit – liqenit jetik të Kosovës për furnizimin me ujë, prodhimin e energjisë elektrike dhe ujitjen – nuk janë diçka e re në Kosovë.

Në të kaluarën ka pasur rrënime edhe në pjesë tjera të vendit, si për shembull në fshatin Orllan të Podujevës, më 2023.

Asokohe, zyrtarët kishin thënë se rrënimi përfshinte tetë objekte pa leje, të ndërtuara në zonën e dytë mbrojtëse në Orllan, dhe se ai u krye pasi lëndët për to kishin kaluar nëpër të gjitha instancat shtetërore, përfshirë edhe gjykatat.

Ndërkohë, këtë javë, Komuna e Prishtinës e rrënoi një shtëpi në “Rrugën A” në kryeqytet, për të cilën kryetari Përparim Rama tha se ishte ndërtuar pa leje në pronën e saj.

Pronari kishte kundërshtuar rrënimin, dhe të enjten u ankua se ajo po rrënohej pa ndonjë vendim gjykate.

  •  

Arrestohet shtetasi serb në Kosovë, dyshohet për importim dhe modifikim të kundërligjshëm të armëve



Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka arrestuar një shtetas të Republikës së Serbisë, i dyshuar për përfshirje në veprën penale që lidhet me importimin, eksportimin, furnizimin, transportimin dhe prodhimin e kundërligjshëm të armëve të zjarrit.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, i dyshuari me inicialet Z.M. është arrestuar në flagrancë më 22 korrik 2026, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, pas hetimeve intensive dhe mbledhjes së provave materiale.

I dyshuari dyshohet se ka kryer veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse”, e paraparë me nenin 364 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Prokuroria ka bërë të ditur se, sipas dyshimeve fillestare, armët e zjarrit janë importuar nga Serbia dhe më pas janë modifikuar në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi.

“Pas hetimeve intensive dhe grumbullimit të provave materiale, i dyshuari është arrestuar në flagrancë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa procedurat hetimore do të vazhdojnë për ndriçimin e plotë të rastit./Telegrafi.

  •  

BE-ja u bën thirrje partive politike të mos ushtrojnë presion ndaj Këshillit Gjyqësor të Kosovës



Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë u ka bërë thirrje të gjitha subjekteve politike që të përmbahen nga ushtrimi i presionit ndaj Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) dhe anëtarëve të tij gjatë procesit të vendimmarrjes.

Përmes një reagimi të publikuar në platformën X, Zyra e BE-së theksoi se pavarësia e gjyqësorit është një nga shtyllat themelore të sundimit të ligjit dhe duhet të respektohet nga të gjithë akterët politikë.

“Bashkimi Evropian në Kosovë u bën thirrje të gjitha subjekteve politike që të përmbahen nga ushtrimi i presionit ndaj Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe anëtarëve të tij në procesin e vendimmarrjes”, thuhet në reagim.

BE-ja nënvizoi se një sistem gjyqësor i pavarur, i paanshëm dhe apolitik është thelbësor për funksionimin e shtetit ligjor, si në Bashkimin Evropian, ashtu edhe në Kosovë.

“Një gjyqësor i pavarur, i paanshëm dhe apolitik është themelor për sundimin e ligjit në Bashkimin Evropian dhe në Kosovë”, theksohet në deklaratë.

@EUKosovo calls on all political entities to refrain from exerting pressure on the #KosovoJudicialCouncil and its members in their decision-making.

An independent, impartial and apolitical judiciary is fundamental to the rule of law in the 🇪🇺 EU and in 🇽🇰 Kosovo.#EUbyYourSide
— European Union in Kosovo (@EUKosovo) July 23, 2026

  •  

Bashkia e Himarës ngre alarmin: Reshje të dendura dhe stuhi gjatë së premtes



Pas Bashkisë së Vlorës, edhe Bashkia e Himarës ka lëshuar një paralajmërim për përkeqësimin e pritshëm të kushteve atmosferike gjatë ditës së premte, duke u bërë thirrje qytetarëve dhe pushuesve që të tregojnë kujdes të shtuar.

Në njoftimin e publikuar nga Bashkia Himarë thuhet se, bazuar në parashikimet më të fundit meteorologjike, territori i bashkisë pritet të përfshihet nga mot i paqëndrueshëm, i shoqëruar me reshje shiu, shtrëngata dhe stuhi lokale.

Sipas autoriteteve lokale, në intervale të shkurtra kohore, fenomenet atmosferike mund të marrin intensitet të lartë, duke rritur rrezikun për probleme në zona të caktuara.

Për këtë arsye, Bashkia e Himarës u ka bërë apel qytetarëve, bizneseve dhe turistëve që të shmangin lëvizjet e panevojshme gjatë përkeqësimit të motit dhe të respektojnë rekomandimet e autoriteteve.

Po ashtu, qytetarëve u është kërkuar të mos qëndrojnë pranë përrenjve, zonave me rrezik përmbytjeje apo pranë pemëve të larta, për shkak të mundësisë së erërave të forta dhe reshjeve intensive.

Bashkia ka bërë të ditur se strukturat e Mbrojtjes Civile do të jenë në gatishmëri të plotë për monitorimin e situatës në terren dhe do të informojnë publikun për çdo zhvillim të mëtejshëm, në varësi të ecurisë së kushteve atmosferike.

Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve dhe pushuesve që të ndjekin njoftimet zyrtare dhe të zbatojnë udhëzimet e institucioneve përgjegjëse, me qëllim shmangien e rreziqeve që mund të shkaktohen nga moti i paqëndrueshëm.

  •  

Ambasadorët e BE-së vizitojnë veriun: Sundimi i ligjit të zbatohet njësoj në gjithë Kosovën



Ambasadorët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, së bashku me shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë, zhvilluan të mërkurën një vizitë në Zveçan, ku u takuan me kryetarët e katër komunave veriore për të diskutuar mbi sfidat me të cilat po përballen në ushtrimin e mandateve të tyre pas zgjedhjeve lokale të tetorit 2025.

Sipas një njoftimi të Zyrës së Bashkimit Evropian, gjatë takimit kryetarët e komunave paraqitën një sërë vështirësish që, sipas tyre, po ndikojnë në funksionimin e administratave lokale dhe në ofrimin e shërbimeve për qytetarët.

Mes sfidave të përmendura ishin mungesa e arkivave administrative, mungesa e stafit të kualifikuar, kufizimet buxhetore, çështjet që lidhen me pronat, si dhe ajo që ata e cilësuan si kontroll nga niveli qendror mbi aktivitetet komunale.

Gjatë vizitës, diplomatët evropianë zhvilluan edhe takime të ndara me përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe me anëtarë të kuvendeve komunale nga partitë opozitare, për të dëgjuar edhe perspektivat e tyre lidhur me situatën në veri të Kosovës.

Në reagimin e BE-së thuhet se Bashkimi Evropian dhe shtetet e tij anëtare mbeten të përkushtuara ndaj forcimit të vetëqeverisjes lokale dhe procesit të decentralizimit në Kosovë, në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale.

“Bashkimi Evropian dhe shtetet e tij anëtare mbeten fuqimisht të përkushtuara ndaj një vetëqeverisjeje lokale të fortë në Kosovë dhe decentralizimit të mbështetur në Kushtetutë dhe Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale. Ata bëjnë thirrje për përmirësimin e koordinimit ndërmjet nivelit lokal dhe atij qendror, mbështetje efektive për komunat nga ministritë përkatëse dhe zbatim të barabartë të parimeve të sundimit të ligjit në mbarë Kosovën”, thuhet në komunikatë.

BE-ja thekson se administratat komunale funksionale dhe llogaridhënëse janë kyçe për ofrimin e shërbimeve cilësore për qytetarët dhe për forcimin e besimit në institucione.

“Administratat komunale efektive, llogaridhënëse dhe plotësisht funksionale, që ofrojnë shërbime cilësore për të gjithë banorët e Kosovës, përfshirë në veri, janë në interes të publikut dhe thelbësore për ndërtimin e besimit, stabilitetit dhe prosperitetit”, thuhet më tej në reagim.

Në përfundim, Bashkimi Evropian rithekson se do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në procesin e reformave dhe forcimin e vetëqeverisjes lokale.

“Si partneri më i fortë dhe më i besueshëm i Kosovës, si dhe donatori më i madh i asistencës financiare, Bashkimi Evropian do të vazhdojë të mbështesë komunat dhe reformat që forcojnë vetëqeverisjen lokale në mbarë Kosovën”, përfundon njoftimi i Zyrës së BE-së.

  •  

Blakaj me letër të hapur ndaj BE-së: Mos përdorni standarde të dyfishta ndaj Kosovës



Njohësi i çështjeve politike, Korab Blakaj, i është drejtuar me një letër të hapur Bashkimit Evropian, duke e akuzuar atë për zbatimin e standardeve të dyfishta ndaj Kosovës në çështje që lidhen me sundimin e ligjit, mbrojtjen e burimeve strategjike, funksionimin e institucioneve dhe sovranitetin e vendit.

Në letrën e tij, Blakaj thotë se BE-ja e paraqet veten si garantuese të sundimit të ligjit, mbrojtjes së mjedisit, të drejtave të pronësisë dhe institucioneve demokratike, por sipas tij, këto parime nuk zbatohen në mënyrë të njëjtë në rastin e Kosovës.

Ai argumenton se krijohet përshtypja e një qasjeje me "dy standarde", ku një grup rregullash aplikohet për institucionet e Kosovës, ndërsa një tjetër për, siç i quan ai, "strukturat kriminale dhe terroriste të mbështetura nga Beogradi".

Një pjesë të letrës, Blakaj ia kushton çështjes së rezervuarit të Ujmanit, duke sjellë shembuj nga shtete të Bashkimit Evropian, si Gjermania, Portugalia, Greqia dhe Sllovakia, ku rezervuarët strategjikë të ujit mbrohen me rregulla të rrepta për shkak të interesit publik.

Sipas tij, nëse rezervuarë të tillë mbrohen nga ndërtimet pa leje në vendet e BE-së, i njëjti standard duhet të zbatohet edhe në Kosovë.

"Një objekt pa leje është objekt pa leje; një zonë e mbrojtur ujore është zonë e mbrojtur ujore. Nuk ka objekt pa leje serb apo shqiptar dhe as zonë ujore të mbrojtur serbe apo shqiptare", shkruan ai.

Blakaj kritikon gjithashtu atë që e quan qasje kontradiktore të Brukselit ndaj Kosovës, duke pretenduar se BE-ja kërkon respektim të rreptë të ligjit nga Prishtina, ndërsa, sipas tij, tregon fleksibilitet politik kur bëhet fjalë për çështje që lidhen me strukturat paralele të mbështetura nga Serbia.

Sipas tij, një qasje e tillë dëmton besimin e qytetarëve të Kosovës ndaj Bashkimit Evropian dhe krijon përshtypjen se Beogradi trajtohet me standarde më të favorshme.

Në letër trajtohet edhe çështja e strukturave paralele në veri të Kosovës, për të cilat Blakaj thotë se në çdo shtet evropian administratat paralele, financimi nga një shtet tjetër dhe refuzimi i institucioneve ligjore do të konsideroheshin sfidë serioze ndaj rendit kushtetues.

Ai ngre pyetjen nëse BE-ja po ndërton një shoqëri multietnike të bazuar në barazi para ligjit apo po krijon përjashtime mbi baza etnike.

Blakaj ndalet edhe te trashëgimia fetare serbe në Kosovë, duke përmendur manastiret dhe kishat ortodokse, përfshirë rastin e Manastirit të Banjskës, ku sipas autoriteteve të Kosovës u strehua grupi i armatosur që kreu sulmin e 24 shtatorit 2023. Ai pyet pse Kosovës i kërkohet të mbrojë këto objekte, ndërsa, sipas tij, në raste të tjera në rajon janë zbatuar standarde të ndryshme.

Në pjesën për sigurinë, Blakaj argumenton se institucionet e Kosovës duhet të kenë të drejtën të ushtrojnë autoritetin në të gjithë territorin e vendit dhe se zbatimi i ligjit nga Policia e Kosovës nuk duhet të konsiderohet problem vetëm për shkak të kundërshtimeve politike.

Në përfundim të letrës, ai i bën thirrje Bashkimit Evropian të zgjedhë mes, siç shprehet, "parimeve dhe pragmatizmit", duke theksuar se Kosova nuk kërkon standarde të veçanta, por zbatimin e të njëjtave parime që, sipas tij, BE-ja aplikon brenda shteteve anëtare.

Blakaj përmbyll letrën duke theksuar se standardet evropiane për mbrojtjen e burimeve strategjike, sundimin e ligjit, funksionimin e institucioneve dhe trajtimin e barabartë të qytetarëve duhet të zbatohen edhe në Kosovë, pa dallime dhe pa përjashtime.

  •  
❌