Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Pas ushqimeve, Gaza në krizë për ujë

Shumë banorë të Gazas, të dobësuar nga uria, kalojnë çdo ditë nëpër një peizazh të shkatërruar për të mbledhur ujin për pije dhe pastrim, një barrë të dhimbshme që është ende shumë nën nivelet e nevojshme për të mbajtur njerëzit të shëndetshëm.

Ndërsa vëmendja globale është përqendruar në urinë në Gaza, ku pas 22 muajsh një fushate shkatërruese ushtarake izraelite, një raport ka thënë se një skenar i urisë po zhvillohet, kriza e ujit është po aq e rëndë sipas grupeve të ndihmës.

Uji vjen nga njësitë e vogla të drejtuara nga agjencitë e ndihmës, por pjesa më e madhe merret nga puset në një akuifer të kripur që është ndotur edhe më tej nga kanalizimet dhe kimikatet që kalojnë nëpër grumbujt e gërmadhave, duke përhapur diarre dhe hepatit.

COGAT, agjencia ushtarake izraelite që është përgjegjëse për koordinimin e ndihmës në territoret palestineze të pushtuara, thotë se operon dy tubacione uji në Rripin e Gazës që sigurojnë miliona litra ujë çdo ditë.

Por, zyrtarët palestinezë të ujit thonë se këto tubacione nuk kanë funksionuar së fundmi. Izraeli ndaloi të gjitha furnizimet me ujë dhe energji elektrike për Gazën në fillim të luftës, por ka rifilluar furnizimin më vonë, megjithëse rrjeti i tubacioneve në territor është dëmtuar rëndë.

Pjesa më e madhe e infrastrukturës së ujit dhe pastrimit është shkatërruar dhe pompuesit që mbështeten në akuifer shpesh varen nga energjia elektrike e prodhuar nga gjeneratorë të vegjël – për të cilët karburanti është shpesh i paarritshëm.

Zjarr pranë uzinës së Poliçanit, situatë e rrezikshme te magazinat me lëndë plasëse

Një zjarr masiv ka përfshirë pyllin pranë uzinës së Poliçanit, duke avancuar me shpejtësi në drejtim të zonës C, ku ndodhen magazinat me lëndë plasëse.

Situata paraqitet mjaft e rrezikshme. Në vendngjarje ndodhen forcat zjarrfikëse, ushtria si dhe një helikopter i ardhur në ndihmë nga Baza e Kuçovës.

Po ashtu, në terren ndodhet edhe kryetari i Bashkisë, Adriatik Zotka, i cili ka bërë thirrje për ndërhyrje urgjente, duke theksuar se një shpërthim i mundshëm do të përbënte rrezik të madh për lagjen Kalluç, e cila ndodhet vetëm 200 metra larg.

Lufta në Ukrainë, Trump planifikon të takohet me Putin dhe Zelenskin

Donald Trump synon të takohet personalisht me Vladimir Putinin që javën e ardhshme, raporton New York Times, duke cituar dy persona të njohur me planin e presidentit amerikan.

Trump planifikon të pasojë takimin e tij me udhëheqësin rus me një takim tjetër midis tij, Putinit dhe Volodymyr Zelensky të Ukrainës.

Presidenti i zbuloi planet në një telefonatë me udhëheqësit evropianë sonte në mbrëmje, sipas burimeve.

Takimet do të përfshijnë vetëm Trump, Putin dhe Zelensky.

Zelensky reagon pas takimit të të dërguarit të SHBAme Putin: Rusia duket më e…

Në një mesazh drejtuar popullit ukrainas, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se Rusia duket “më e gatshme” të vazhdojë me një armëpushim, pas takimit të drejtpërdrejtë që i dërguari amerikan Steve Witkoff pati me presidentin rus, Vladimir Putinin sot në Moskë.

“Presioni që po ushtrohet mbi ta po jep fryte”, theksoi presidenti ukrainas.

Megjithatë, ai nuk e fshehu skepticizmin e tij në lidhje me qëllimet ruse, duke vënë në dukje në mënyrë karakteristike: “Gjëja e rëndësishme është të mos mashtrohemi në detaje, as ne, as Shtetet e Bashkuara”.

Tema e takimit Putin-Witkoff u diskutua edhe në bisedën e mëparshme telefonike midis Trump dhe Zelenskyt dhe udhëheqësve evropianë, përfshirë kryeministrin britanik Sir Keir Starmer.

Patos, digjen 4 hektarë me pisha

Rreth 4 hektarë pyll me pisha janë djegur brenda pak orëve në Gjinoqarë të Patosit.

Sipas kryeplakut Nuri Gllava, masivi pyjor ka dekada pa pastruar ndaj është dhe shumë e vështirë ndërhyrja e mjeteve zjarrfikëse.

Nëse nuk do të ketë ndërhyrje përveç mjeteve rrethanore, situata do të dalë jashtë kontrollit e madje rrezikohen edhe zonat e banuara të fshatrave përreth.

Ndërkohë, zjarrfikësit, strukturat e bashkisë dhe banorët e zonës po luftojnë me flakët me mjete rrethanore, ndërkohë që era favorizon përhapjen e flakëve në disa drejtime, duke e bërë situatën edhe më kritike.

Gaza, 138 viktima në 24 orët e fundit

138 persona janë vrarë gjatë 24 orëve të fundit në Rripin e Gazës nga forcat izraelite, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi në këtë territor. Kjo e çon në 61.158 numrin total të të vrarëve që nga fillimi i luftës.

Sipas të njëjtës ministri, 771 persona të plagosur janë dërguar në spitalet e Gazës gjatë ditës së fundit, ndërsa një numër viktimash ndodhen ende nën rrënoja. Ambulancat dhe ekipet e mbrojtjes civile nuk kanë mundur të arrijnë deri te ta për shkak të situatës së rënduar në terren.

Në përditësimin më të fundit, Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur edhe shifrat për viktimat mes atyre që kërkojnë ndihma humanitare. Sipas saj, 87 persona janë vrarë dhe 570 të tjerë janë plagosur ndërsa përpiqeshin të merrnin ndihma ushqimore ose mjekësore.

Kundër luftës në Gaza/ Ish-kryeministri izraelit u bashkohet thirrjeve për paqe

Kritikat ndaj qeverisë së Izraelit janë shtuar paralelisht me zërat se kabineti i Benjamin Netanyahu po përgatitet për një pushtim të plotë të Gazës.

Më i fundit ka qenë ish-kryeministri i Izraelit, Ehud Olmert, i cili u bëri thirrje izraelitëve të dalin në rrugë për të kundërshtuar vendimet e qeverisë.

“Mos e ndëshkoni shtetin e Izraelit dhe mos e ndëshkoni popullin e Izraelit. Nëse doni të ndëshkoni qeverinë e Izraelit, kjo është në rregull. Mendoj se ka ardhur koha që izraelitët të tregojnë kundërshtimin e tyre, që do të thotë të dalin në rrugë. Unë bashkohem plotësisht me atë që tha ish-kryeministri Barak, me mosbindje civile. mendoj se kjo është koha që ne, izraelitët, do të marrim përgjegjësinë për të marrë masa që janë të pazakonta.”

Olmert i bëri deklaratat në një intervistë për Sky Neës, teksa Netanyahu ka lënë të kuptohet se mund të ketë zgjerim të operacioneve ushtarake në Gaza, edhe pse ish shefat e ushtrisë dhe inteligjencës izraelite kanë bërë thirrje për fundin e luftës. Mes tyre ishte edhe ish kryeministri tjetër izraelit Ehud Barak.

Ndërkohë situata në Gaza vijon të mbetet e rëndë. Të paktën 20 persona humbën jetën dhe dhjetëra të tjerë u plagosën, pasi katër kamionë të ndihmave në Gazën qendrore u përmbysën mbi turmën, sipas agjencisë së mbrojtjes civile të drejtuar nga Hamasi.

Ndërkohë edhe pse hyrja e ndihmave në enklave vazhdon, grupet e ndihmës dhe palestinezët kanë thënë se ato nuk janë mjaftueshëm. Numri i kamionëve që hyjnë në Gaza shumë rrallë i kalon 100 në ditë, ndërkohë që sipas OKB, të paktën 500-600 kamionë në ditë duhet të hyjnë në enklavë për të mbuluar nevojat bazike të popullsisë që prej muajsh përballet me mungesë ushqimi.

Ardon Jashari, futbollisti i parë shqiptar te Milani

Më në fund është zyrtare. Futbollisti me origjinë shqiptare që përfaqëson kombëtaren e Zvirës, Ardon Jashari, është lojtar më i ri i Milanit.

AC Milan njofton blerjen e përhershme të Ardon Jasharit nga Club Brugge“, thuhet në një deklaratë nga kuqezinjtë, teksa janë publikuar edhe imazhet e Jasharit që hedh firmën mbi kontratë.

“Mesfushori zviceran ka nënshkruar një kontratë deri më 30 qershor 2030. I lindur në Cham (Zvicër) më 30 korrik 2002, Ardon erdhi nga akademia e të rinjve në FC Luzern, ku bëri debutimin e tij me ekipin e parë në korrik 2020, duke bërë 102 paraqitje dhe duke shënuar nëntë gola. Në verën e vitit 2024, ai u transferua në Club Brugge, ku bëri 52 paraqitje dhe katër gola, duke fituar Kupën e Belgjikës. Jashari ka katër ndeshje për ekipin kombëtar të Zvicrës, ku bëri debutimin e tij në shtator 2022. Ardon Jashari do të veshë fanellën me numrin 30 për Rossonerët“, thuhet më tej në njoftim.

Pasi mbërriti në Linate të martën në mbrëmje, Jashari shkoi në klinikën “La Madonnina” herët në mëngjes për t’iu nënshtruar vizitave të zakonshme mjekësore. Më pas ai iu nënshtrua një testi fizik në Centro Ambrosiano dhe nënshkroi kontratën e tij në Casa Milan.

Megjithatë, për shkak të kufizimeve kohore, Jashari nuk do t’i bashkohet shokëve të tij të rinj të ekipit në Milanello deri të enjten, ku do të marrë pjesë në seancën e tij të parë stërvitore të kuqezinjve nën drejtimin e trajnerit Allegri.

Marrëveshja më në fund u realizua të martën, kur Milani dhe Club Brugge arritën akordin duke mbyllur me sukses “telenovelën” e merkatos së verës. Klubi belg do të marrë  34 milionë euro menjëherë, plus 4.5 milionë euro bonuse.

Jashari do të marrë 2.5 milionë euro plus bonuse në sezon. Marrëveshja për mesfushorin është një transferim rekord, pasi asnjë klub belg nuk ka fituar ndonjëherë kaq shumë në merakto nga shitja e një futbollisti.

Ambasada e SHBA pret deputetët e rinj: Presim të punojmë me të gjithë

Rreth një muaj nga nisja e sesionit të ri parlamentar, përfaqësues të ambasadës së SHBA në Shqipëri, janë takuar me deputetët e rinj të zgjedhur nga zgjedhjet e 11 majit.

Në një postim në faqen zyrtare të ambasadës në “Facebook”, theksohet se këto takime kishin për qëllim të kuptonin më mirë shqetësimet dhe prioritetet e komuniteteve që secili deputet përfaqëson.

“Ne presim me kënaqësi të punojmë me përfaqësues të zgjedhur nga i gjithë spektri politik për të vijuar partneritetin tonë të ngushtë me Shqipërinë,” shkruhet në postim.

Postimi i plotë i Ambasadës:

“Së fundmi, personeli i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara u takua me anëtarë të sapozgjedhur të Kuvendit për të kuptuar shqetësimet e komuniteteve të tyre dhe përparësitë në prag të fillimit të mandatit. Ne presim me kënaqësi të punojmë me përfaqësues të zgjedhur nga i gjithë spektri politik për të vijuar partneritetin tonë të ngushtë me Shqipërinë”.

Trajneri serb merr drejtimin e Partizanit

“Demat e kuq” bëhen me trajner të ri pas largimit të papritur të Skënder Gegës,

Mladen Milinkoviç është trajneri i ri i Partizanit. Të kuqtë kanë bërë prezantimin e teknikut në ambientet e klubit ditën e sotme (6 gusht).

Milinkoviç do të pasojë në stol Skënder Gegën, i cili u largua pas eliminimit në Conference League.

Trajneri serb kthehet në Superiore pasi drejtoi Luftëtarin, që u rendit në vendin e katërt në sezonin 2016-2017 dhe më pas për disa muaj Kukësin.

Ekipi i fundit i Milinkoviç ishte Buduçnost i Podgoricës në Malin e Zi, ndërsa në karrierën e tij ka drejtuar në Europë dhe Azi.

Zjarr në Finiq, evakuohen banorët në zonat e Çerkovicës dhe Dhivrit

Një vatër zjarri është regjistruar në zonat e Çerkovicës dhe Dhivrit, në bashkinë Finiq.

Prej disa orësh, trupat e Forcave të Armatosura, Policia e Shtetit, mbështetur dhe më ndërhyrjen nga ajri, po punojnë për të vënë zjarrin nën kontroll.

Ndërkohë autoritetet kanë bërë edhe evakuimin e përkohshëm të banorëve të zonës, për arsye sigurie.

“Një milion thirrje në orë”,The Guardian:Izraeli përgjon telefonatat e palestinezëve

Izraeli po mbështetet në ‘cloud computing-un’ e Microsoft-it për mbikëqyrjen masive të palestinezëve, zbulon gazeta “The Guardian” në një hetim të përbashkët me revistën +972 dhe Israeli Local Call.

Raporti fillon në fund të vitit 2021, kur një pasdite, CEO i Microsoft-it, Satya Nadella, u takua me kreun e “Njësisë 8200” të ushtrisë izraelite, e cila ka aftësi të mëdha në sigurinë kibernetike dhe luftën kibernetike.

Zyrtari izraelit kishte një axhendë të qartë, pasi donte të transferonte një sasi të madhe materiali sekret të inteligjencës në cloud-in e kompanisë amerikane.

Takimi u zhvillua në selinë e Microsoft -it pranë Seattle-it. Komandanti i Njësisë 8200, Yossi Sariel, siguroi mbështetjen e Nadellës për një plan që do t’i jepte shërbimit të tij akses në një hapësirë të personalizuar dhe të izoluar brenda platformës Azure të Microsoft-it .

Sistemi palestinez i regjistrimit dhe ruajtjes së thirrjeve

Me kapacitetin praktikisht të pakufizuar të ‘Azure’, Njësia 8200 filloi të ndërtonte një mjet të ri, shumë ndërhyrës, për mbikëqyrjen masive. Është një sistem që regjistron dhe ruan miliona telefonata palestineze çdo ditë nga Gaza dhe Bregu Perëndimor.

Sipas raportit hetimor, sistemi i ruajtjes në cloud, i cili u vu në punë në vitin 2022, i lejon Izraelit të regjistrojë dhe të ruajë një vëllim të madh bisedash telefonike çdo ditë për periudha të gjata kohore.

Microsoft pretendon se Nadella nuk ishte në dijeni të llojit të të dhënave që agjencia izraelite planifikonte të ruante në ‘Azure’. Megjithatë, dokumentet dhe intervistat me 11 burime nga Microsoft dhe agjencitë ushtarake izraelite zbulojnë se ‘Azure’ është përdorur për të ruajtur arkivin e gjerë të komunikimeve palestineze. /TheGuardian/

Rekord historik i nxehtësisë në Japoni

Japonia ka regjistruar dy rekorde të reja të temperaturave më të larta ndonjëherë brenda një dite, teksa vala përvëluese e të nxehtit po përfshin vendin. Sipas Agjencisë Meteorologjike Japoneze, temperaturat arritën fillimisht në 41.6°C, për t’u rritur më pas në 41.8°C, duke vendosur një rekord të ri historik për vendin.

Temperaturat ekstreme u shënuan të martën në qytetin Isesaki, që ndodhet në prefekturën Gunma në pjesën veriore të rajonit Kanto. Këto vlera e tejkalojnë ndjeshëm rekordin e mëparshëm prej 41.2°C, i cili ishte regjistruar vetëm javën e kaluar në prefekturën Hyogo, në perëndim të Japonisë.

Përpara kësaj vale të fundit të të nxehtit, rekordi më i lartë ishte 41.1°C, i shënuar më parë në vitet 2020 dhe 2018. Agjencia Meteorologjike ka bërë të ditur gjithashtu se muaji i kaluar ka qenë më i nxehti që prej fillimit të matjeve në vitin 1898.

Temperatura mesatare mujore ishte 2.89°C mbi mesataren e periudhës 1991-2020. Edhe qyteti turistik i Kyotos është prekur nga vala përvëluese. Javën e kaluar, temperaturat atje arritën në 40°C, për herë të parë që ndonjë prej pikave të matjes, nga më e vjetra që daton në vitin 1880, deri tek më e reja e hapur në 2002 ka regjistruar një vlerë të tillë.

Klima ka ndryshuar dhe vitet e fundit, verat janë më të gjata dhe të nxehta, dimrat më të butë, ndërsa pranvera dhe vjeshta janë çrregulluar plotësisht. Studimi i fundit i publikuar në “Progress in Environmental Geography”, thekson se nuk po përballemi thjesht me ndryshime, por me lindjen e stinëve të reja të krijuara si pasojë e aktiviteteve të njeriut.

Autorët propozojnë terma të rinj për të përshkruar këtë epokë të çuditshme klimatike. Sipas tyre e para janë stinët sinkopike; verat po bëhen më të nxehta, dimrat po bëhen më të butë dhe ngjarjet ekstreme po bëhen më të shpeshta.

“Turizmi dhe ndërtimi ndihmuan ekonominë”, Sejko: Rritje pozitive ekonomike

Një performancë e mirë ekonomike e mbështetur turizmi dhe ndërtimit, punësimi dhe pagat në rritje dhe një inflacion i qëndrueshëm, është kjo ecuria e Shqipërisë në gjysmën e parë të vitit.

Në konferencën e përmuajshme të politikës monetare guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko deklaroi se ky trend do të vazhdojë.

“Analiza e informacionit të disponuar sugjeron se ekonomia shqiptare, punësimi dhe pagat kanë vijuar të rriten, ndërsa parametrat kryesorë të stabilitetit makroekonomik, monetar e financiar të vendit janë përmirësuar më tej. Në veçanti, inflacioni ka vijuar të qëndrojë në nivele të ulëta, duke shënuar një rritje të lehtë drejt objektivit në tremujorin e dytë. Po ashtu, tregjet financiare kanë qenë përgjithësisht të qeta dhe kreditimi ka ardhur në rritje.

Kjo ecuri pasqyron, ndër të tjera, edhe kontributin pozitiv të politikës së kujdesshme monetare të ndjekur nga Banka e Shqipërisë. Përqasja jonë konsistente ndaj objektivit ligjor të stabilitetit të çmimeve ka gjeneruar kushte monetare të përshtatshme për kontrollin e inflacionit dhe për rritjen e qëndrueshme të ekonomisë”, tha Sejko.

Sipas guvernatorit politika monetare ka rezultuar positive dhe për këtë arsye norma bazë e interesit do të mbetet e pandryshuar në nivelin e 2.5%.

“Politika e kujdesshme dhe konsistente monetare e Bankës së Shqipërisë ka pasur një rol parësor në përmirësimin e kushteve të financimit. Lehtësimi i qëndrimit të politikës monetare gjatë katër tremujorëve të fundit ka ulur kostot e financimit të sektorit bankar dhe yield-in e bonove 12-mujore të thesarit, i cili shërben si referencë për normat e interesit të kredive. Paralelisht me të, normalizimi i pritjeve për inflacionin ka ndihmuar në kontrollin e segmentit afatgjatë të kurbës së normave të interesit dhe ka nxitur funksionimin normal të tregjeve financiare. Së fundi, rritja e prezencës së Bankës së Shqipërisë në tregun e brendshëm valutor ka ndihmuar në absorbimin e presioneve forcuese të kursit të këmbimit, duke mundësuar një nivel më të qëndrueshëm të tij”, tha Sejko.

Guvernatori shprehet optimist për vijueshmërinë e ekonomisë teksa sipas tij rritja ekonomike do të nxitet nga zgjerimi i mëtejshëm i konsumit, investimeve dhe eksportit të turizmit, dhe do të mundësojë një rritje të mëtejshme të punësimit e të pagave.

Patos/ Zjarri përfshin pyllin me pisha, era favorizon flakët

Një zjarr i përmasave të mëdha ka rënë pasditen e sotme në pyllin me pisha dhjetravjeçare në fshatin Gjinoqarë, bashkia Patos.

Sipas burimeve të informacionit nga banorë të fshatit dhe zjarrfikës, era po ndihmon flakët, ndërkohë që terreni është shumë i thyer dhe e bën të pamundur ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse.

Alket Halimi, shef i zjarrfikëseve në Bashkinë Patos thotë se në vëndngjarje janë 4 automjete zjarrfikëse të Patosit dhe Mallakastrës, dhe ndërhyrja është e pamundur. Po luftohet me mjete rrethanore, teksa ndihmojnë zjarrfikëset edhe banorë të zonave apo struktura të bashkisë.

Për momentin flakët po avancojnë të favorizuara nga era. Ky pyll u dogj afro 3 vjet më parë, ndërsa për momentin nuk rrezikohen banesa të fshatit, pasi pylli ndodhet midis fshatrave Gjinoqarë dhe Drenie.

India kritikon sanksionet e SHBA: Të padrejta

Qeveria e Indisë ka kritikuar ashpër sanksionet e vendosura nga Shtetet e Bashkuara për importet e naftës ruse, duke i cilësuar ato “të padrejta, të pajustifikuara dhe të paarsyeshme.”

Reagimi vjen pas vendosjes nga Presidenti Donald Trump të një urdhri ekzekutiv që imponon një taksë shtesë prej 25% për produktet indiane, për shkak të vazhdimit të tregtisë me naftë ruse.

Trump deklaroi se kjo masë kishte për qëllim të ndikonte në çmimet globale të energjisë dhe të ushtronte presion mbi presidentin rus Vladimir Putin për të përfunduar luftën në Ukrainë.

Megjithatë, India ka reaguar duke e cilësuar këtë vendim si “fatkeqësi” dhe ka theksuar se do të ndërmarrë “të gjitha veprimet e nevojshme” për të mbrojtur interesat e saj kombëtare.

Qeveria indiane theksoi se importet e saj të naftës janë të bazuara në faktorët e tregut dhe se janë bërë me qëllimin e sigurimit të energjisë për 1.4 miliardë njerëzit e saj.

Ajo përsëriti se politika energjetike e vendit është e orientuar drejt sigurimit të furnizimeve të qëndrueshme dhe të përballueshme me energji, pa marrë parasysh ndikimet gjeopolitike.

Në këtë mënyrë, India mbetet e vendosur në mbrojtjen e nevojave të saj energjetike dhe ekonomike, pavarësisht presionit nga SHBA.

Video/ Sherr në një plazh në Ukrainë, gratë përleshen mes tyre

Një përleshje shpërtheu mes grave me bikini në Odessa kur, sipas raportimeve, një këngë ruse u luajt nga altoparlantët e një dyqani.

Dëgjimi në publik i këngëve ruse është ndaluar në Ukrainë që nga fillimi i pushtimit rus. Në videon e regjistruar nga dëshmitarët okularë, fillimisht shihen dy gra duke i tërhequr flokët njëra-tjetrës, me sherrin që përshkallëzohet me pjesëmarrjen e grave të tjera.

Pjesëmarrëset në përleshje u përpoqën të ndaheshin nga dy burra me rroba banje, të cilët u përpoqën të ndanin grupet kundërshtare.

“Turiste femra u grindën në një plazh në Odessa pasi u luajt një këngë ruse”, raportoi faqja e internetit ukrainase Strana.

Odessa ka qenë shënjestër e më shumë se 700 sulmeve ruse që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës në shkurt 2022, me të paktën 131 civilë të vrarë dhe 312 të plagosur.

Incident në një aeroport të Anglisë, mbyllet pista pasi një avioni iu bllokua helika

Aeroporti i Birminghamit në Anglinë qendrore njoftoi se kishte mbyllur përkohësisht pistën e tij sot pas një incidenti ajror, tha menaxhmenti i aeroportit.

“Pas një aksidenti ajror, pista është mbyllur përkohësisht”, shkruhej në deklaratën e aeroportit.

Imazhet e postuara në X tregojnë një aeroplan të vogël me helikë, me helikën e bllokuar, në pistën e aeroportit të shtatë më të ngarkuar të Britanisë.

The Telegraph raportoi se të gjitha nisjet dhe mbërritjet do të vonohen deri në orën 6 pasdite sipas orës lokale.

“Kërkojmë ndjesë për shqetësimin që kjo do të shkaktojë. Ne do t’i përditësojmë pasagjerët që janë tashmë në aeroport dhe u rekomandojmë atyre që udhëtojnë më vonë sot të kontrollojnë statusin e fluturimit të tyre para se të vijnë në aeroport. Ne do të vazhdojmë të lëshojmë përditësime sa herë që të jetë e mundur”, thanë autoritetet e aeroportit.

Aeroporti i Birminghamit është aeroporti i shtatë më i madh në Mbretërinë e Bashkuar dhe i treti më i madh jashtë Londrës, me rreth 11.5 milionë pasagjerë në vitin 2023.

Ai pret afërsisht 30 linja ajrore dhe ofron mbi 130 rrugë direkte dhe më shumë se 450 destinacione me një ndalesë.

Rikonstruksioni i spitalit të Kavajës, Koçiu: Investim për mbi 100 mijë banorë

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu e shoqëruar nga Drejtoresha e Qendrës Spitalore Rajonale Tiranë “Shefqet Ndroqi”, Njësia Kavajë, Silvana Bala inspektoi nga afër detajet e fundit të punimeve për rikonstruksionin e spitalit në Kavajë, një investim që ka mundësuar rehabilitimin tërësor të ambienteve duke sjell standarde të reja shërbimi për mbi 100 mijë banorë të Kavajës, Rrogozhinës dhe zonave përreth.

Gjatë vizitës në ambientet e rinovuara, ministrja Koçiu theksoi që punimet në ambientet e brendshme dhe të jashtme të spitalit janë drejt përfundimit ku qytetarët do marrin shërbime shëndetësore në kushte dhe ambiente modern.

 “Jemi në përfundim të punimeve të spitalit të Kavajës, që ka për afro një vit që është binjakëzuar me spitalin “Shefqet Ndroqi” dhe shërben jo vetëm për banorët e Bashkisë së Kavajës dhe Bashkisë së Rrogozhinës, Ndërkohë është edhe një strukturë shumë e rëndësishme shëndetësore për të gjithë pushuesit që vijnë e pushojnë në vijën bregdetare nga Golemi në Spille”, nënvizoi Koçiu.

Ministrja Koçiu u ndal tek përmirësimi i hapësirave që ka përfshirë ky investim ku është bërë i mundur edhe rinovimi tërësor i dy pavioneve, të Maternitetit dhe Pediatrisë.

“Është një strukturë shumë e rëndësishme shëndetësore që i kushtuam një rikonstruksion dhe rehabilitim të plotë të katër kateve, duke krijuar hidroizolimin e tarracës, rifreskimin dhe rishikimin edhe mënyrën se si organizoheshin pavioni i Maternitetit dhe i Pediatrisë, por ndërkohë edhe nyjet hidrosanitare dhe të gjithë problematikat që kjo infrastrukturë kishte, me qëllim kryesor për ta kthyer në shërbim funksional sa më të plotë për të gjithë qytetarët”, u shpreh mininstrja e Shëndetësisë.

Ajo vlerësoi punën e mjekëve për të ofruar shërbime shëndetësore për qytetarët afër vendbanimit, një prej prioriteteve kryesore të MSHMS-së.

Gjithashtu, Koçiu vuri theksin te Urgjenca, një ndër shërbimet e rëndësishme në Spitalin e Kavajës, veçanërisht gjatë sezonit veror.

 “Urgjenca është pikë nevralgjike ne Spitalin e Kavajës për aq kohë sa pret jo vetëm qytetarët e Kavajës dhe Rrogozhinës, afro 100 000 banorë të të dy bashkive, por i shërben edhe të gjithë pushuesve që vijnë e pushojnë në bregdetin e Golemit deri në Spille. Kjo është arsyeja që duam të forcojmë edhe spitalin, jo vetëm infrastrukturën që tashmë e kemi në përfundim, por edhe shërbimin shëndetësor me mjekë që të jenë sa më afër banorëve”, nënvizoi Koçiu.

Ministrja Koçiu tha se një ndër shërbimet e rëndësishme në spitalin e Kavajës është edhe Kabineti i Fizioterapisë, një shërbim për të cilin po punohet për ta shtrirë edhe në të gjitha spitalet rajonale dhe forcuar si shërbim edhe në qendrat shëndetësore.

“Besoj se tani me rikonstruksionin e godinës si dhe me dy pavione që janë kthyer me kushte bashkëkohore, Materniteti dhe Pediatria, por patjetër edhe shërbimi i urgjencës që në fakt i ka të gjitha kushtet për të bërë triazhin ashtu siç duhet, e kthejnë dhe e shndërrojnë këtë strukturë spitalore të domosdoshme, nevralgjike, sigurisht duke konsideruar edhe mbështetjen që japin mjekët e Spitalit Universitar “Shefqet Ndroqi””, përfundoi ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu.

Trump vendos tarifa shtesë prej 25% ndaj Indisë, shkak importi i naftës ruse

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka firmosur një urdhër ekzekutiv ditën e sotme, duke vendosur një tarifë shtesë prej 25% ndaj Indisë për mallrat që importohen nga ky shtet.

Vendimi vjen si pasojë e pretendimeve që India, drejtpërdrejt ose tërthorazi, po importon naftë nga Rusia.

Kjo tarifë e re është shtesë prej tarifës ekzistuese prej 25% që ishin shpallur më herët nga Presidenti amerikan.

Ky zhvillim pritet të përkeqësojë më tepër marrëdhëniet SHBA-Indi, në një kohë kur Kryeministri Narendra Modi pritet të vizitojë Kinën gjatë këtij muaji, për herë të parë pas më shumë se 7 vitesh.

Marrëdhëniet SHBA-Indi po kalojnë një nga momentet më të vështira të viteve të fundit, pasi bisedimet për një marrëveshje tregtare mes dy vendeve kanë dështuar.

Vendimi i fundit i Shtëpisë së Bardhë u paralajmërua nga Presidenti Trump që të hënën dhe vjen pas vizitës së të dërguarit të tij të lartë diplomatik, Steve Witkoff, në Moskë, ku u përpoq të bindte Rusinë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Presidenti Trump ka paralajmëruar vendosjen e tarifave më të larta ndaj Rusisë si dhe sanksione të tjera ndaj vendeve aleate të saj, nëse Presidenti rus Vladimir Putin nuk ndërmerr hapa konkretë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

❌