Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Penallti e humbur dhe gol në shtesë, Partizani eliminohet nga Europa

Partizani është eliminuar nga Conference League pasi u mposht mbrëmjen e sotme nga Kalju me rezultatin 1-0. Një gol i Ivanov në kohën shtesë të këtij takimi “shuajti” ëndrrën e kryeqytetasve për në Europë.

Shansi më i mirë i takimit ishte penalltia e akorduar për Partizanin në minutën e 80-të të takimit. Por Xhuliano Skuka i cili e fitoi 11-metërshin, gaboi duke ia pritur goditjen portieri i estonezëve.

Ndërsa tre ekipet e tjera shqiptare, Egnatia, Vllaznia dhe Dinamo do të vazhdojnë të luajnë në turin e dytë të Conference League. m.p.

Bushati për sherrin Lapaj-Shabani: Më të gëzuarit, Rama e Berisha

Analisti Andi Bushati, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ka folur për përplasjen në koalicionin Nisma Shqipëria Bëhet, ku Lapaj dhe Shabani po “kacafyten” për mandatin e Tiranës.

Bushati tha se ky është një koalicion pa bosht, që ka luftuar vetëm për mandate deputetësh, ndërkohë që tha se sot më të gëzuar për gjendjen ku përfunduan Lapaj dhe Shabani, janë Rama e Berisha, por edhe Arlind Qori që nuk u bashkua me ta, për shkak se i dukeshin politikanë pa ideale.

“Në fillim ideja për të kapërcyer listat e mbyllura, që pati Shqipëria Bëhet, nuk qe e keqe. Në parim duhej gjetur një metodë që hidhte poshtë fabulën e mollëve që thoshte Shabani. Zgjidhja që gjetën, ishte më e gabuara, e kemi diskutuar edhe këtu. Konstatimi i problemit të listave të mbyllura, që e mirë por mënyra si donin ta anashkalonin ishte e keqe. Lëvizja Bashkë dhe Arlind Qori kishin tjetër ide. Thoshin edhe nëse e bën këtë, nuk bëhet me daja dhe teze, por bëhet me anëtarë të partisë tënde, njerëz që ndajnë të njëjtin botëkuptim dhe filozofi politike. Fakti që merr hallën dhe xhajën, tregon që ti i kërkon elektoratit besim, por nuk ke besim te njerëzit e tu, përveç njerëzve tribal të farefisit, kjo duhet ti humbiste pikë.

Çfarë na tregon ne kjo fabul?

E para, njerëzit më të lumtur, duhet të jenë Rama dhe Berisha, sepse është folur gjatë e gjatë që këta janë të vjetrit, të rinjtë i tregojnë si politikanë të së shkuarës, por nëse nxjerrim që kjo është filozofia e partive të reja, them se Rama dhe Berisha duhet të jenë të gëzuar. Duhet të jenë të gëzuar edhe Lëvizja Bashkë, që i kemi sfilitur duke u thënë, pse nuk bashkoheni, por Qori thoshte nuk bashkohem dot me njerëz që nuk ndaj të njejtat ideale dhe vizion dhe që shumë shpejt do të shihni se si do të përlahen me njëri tjetrin. Kjo fabul e kalon thjesht fabulën e dajës së Endrit dhe zemërimit të Adriatikut. Duhet të na bëjë të reflektojë, se çfarë ardhmërie duhet të ketë politka jonë kur zhvillohet me këto kulisa.

Ne e shohim si një dajë që del papritmas, por pavarësisht se ishte partia më e votuar nga të rejat, ishte partia më pa bosht. Ti e di çfarë përfaqëson Lëvizja Bashkë, në qëndrime dhe program. Po kështu edhe Mundësia, se çfarë përfaqëson për tregun, taksimin, TVSH. Por Shqipëria Bëhet, ishte një amalgamë për të kapur vende deputetësh, jo një parti me program të qartë, me vizion për shoqërinë. Këto parti që nuk përmblidhen rreth një boshti, e kanë shumë më të kollajtë të shkërmoqen që në krizën e parë.

Kjo që ndodhi nuk është thjesht një dajë që del aksidentalisht, por mungesa e thelbit të një lëvizje politike dhe prandaj pati këtë përfundim”, tha Bushati. m.p.

Trump me probleme! Çfarë fshihet pas këmbëve të fryera?

Donald Trump është diagnostikuar me pamjaftueshmëri kronike venoze, një çrregullim i zakonshëm që ndikon në qarkullimin e gjakut në këmbë, bëri të ditur Shtëpia e Bardhë të enjten.

Sipas zëdhënëses së shtypit, Karoline Leavitt, 79-vjeçari iu nënshtrua një kontrolli të detajuar nga Njësia Mjekësore e Shtëpisë së Bardhë, pasi kishte vërejtur ënjtje të lehtë në gjymtyrët e poshtme.

Mjeku i tij personal, Sean Barbabella, njoftoi se ekografia Doppler e kryer në këmbët e Trump zbuloi praninë e pamjaftueshmërisë kronike venoze.

Kjo gjendje, e zakonshme tek të moshuarit, ndodh kur valvulat në venat e këmbëve nuk funksionojnë siç duhet, duke shkaktuar grumbullim të gjakut.

Rezultatet e analizave laboratorike dhe ekokardiogramës ishin brenda kufijve normalë, pa sinjale për dëmtim të zemrës, veshkave apo ndonjë gjendje tjetër.

Pamjaftueshmëria venoze prek çdo vit mbi 150 mijë persona në Shtetet e Bashkuara dhe zakonisht manifestohet me ënjtje, dhimbje, ndryshime në lëkurë dhe vena me variçe. Gjendja menaxhohet përmes trajtimeve mjekësore ose procedurave të specializuara, në varësi të shkallës së saj.

Sipas mjekëve, diagnoza e Trump nuk përbën arsye për alarm, duke pasur parasysh moshën dhe gjendjen e tij fizike. “Ky është një zhvillim i zakonshëm për moshën dhe peshën e tij,” u shpreh Dr. Jeremy Faust nga Harvard Medical School.

Po ashtu, në dorën e djathtë të ish-presidentit janë vërejtur mavijosje, të cilat sipas Leavitt, lidhen me shtrëngimet e shpeshta të duarve dhe përdorimin e aspirinës në kuadër të një protokolli parandalues për sëmundjet kardiovaskulare.

Këlliçi: “Rama ka kthyer Shqipërinë në pazar të gjësë së gjallë”

Belind Këlliçi, drejtuesi politik i Partisë Demokratike në Tiranë, ka ngritur akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar atë si një kërcënim për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në një intervistë në emisionin Debat në A2 CNN, Këlliçi i referohet zhvillimeve të fundit mes SHBA-së dhe drejtësisë shqiptare, për të përforcuar akuzat e tij.

“Javën e kaluar, e ngarkuara me punë e SHBA-së dorëzoi një letër në SPAK ku kërkohej intensifikimi i luftës kundër karteleve të drogës, të njëjtave që presidenti Trump i ka shpallur organizata terroriste,” tha Këlliçi.

Ai theksoi se vetë kjo kërkesë është një tregues se autoritetet shqiptare po dështojnë në përballjen me këtë fenomen. Sipas tij, Shqipëria është kthyer në një qendër të trafikut ndërkombëtar të drogës, dhe porti i Durrësit është bërë një pikë strategjike për qarkullimin e kokainës në Europë.

“Në katër vitet e fundit nuk është kapur asnjë kilogram kokainë në portin e Durrësit. Rama ka kthyer Shqipërinë në një Pazar të gjësë së gjallë dhe në një narkoshtet, siç e kanë cilësuar edhe media të mëdha ndërkombëtare,” deklaroi ai.

Këlliçi përmendi gjithashtu edhe skandalin me ish-agjentin e FBI-së në Nju-Jork, të cilin Rama sipas tij e ka korruptuar, duke shtuar: “Një kryeministër që ka marrëdhënie me kartelet dhe që korrupton agjentë të lartë të zbulimit amerikan, përbën rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë kombëtare të SHBA-së.” m.p.

“Lulzim Basha ishte ministër i Ramës për opozitën”

Belind Këlliçi ka lëshuar akuza të ashpra ndaj ish-kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, duke e cilësuar atë një ministër shtetit për opozitën të kabinetit Rama.

I ftuar në Debat në A2 CNN, deputeti i sapozgjedhur rishtazi demokrat, insiston se faktet kanë treguar se Rama ka vjedhur dhe zgjedhjet e 2021, por se Basha nuk reaguar.

Në lidhje me zgjedhjet e 11 majit, demokrati Këlliçi shton se Rama ende nuk ka marrë një përshëndetje zyrtare nga Shtetet e Bashkuara.

“Të njëjtin mendim kam dhe për zgjedhjet e vitit 2021, të cilat mendoj se janë vjedhur nga kryeministri në detyrë. Atë tren që nuk e morëm në 2021 për denoncimin e zgjedhjeve, këtë herë nuk e lemë të na shkojë. Ne kemi për detyrë që para qytetarëve, institucioneve ndërkombëtare dhe para raportit të OSBE, duhet të bëjmë punën për të treguar që këtu ka pasur farsë. DASH refuzon të japë një përshëndetje për zgjedhje në Shqipëri.

Në 2021 kishim një tjetër performancë, ku përpara se vetë kryeministri të shpallte fitoren ka dalë ish ambasadorja Kim dhe e ka uruar dhe ka komplimentuar ministrin e shtetit për opozitën, zotin Basha për performancën e tij në zgjedhje dhe për heshtjen që pasoi më pas. Pasi foli guvernatorja, ministri për opozitën nuk pati asnjë reagim”, tha Këlliçi. m.p.

Gjermania dhe Britania nënshkruajnë traktatin e ri të mbrojtjes

Kryeministri britanik Sir Keir Starmer ka folur pas nënshkrimit të një traktati të ri mbrojtës me kancelarin gjerman Friedrich Merz.

Sipas mediave të huaja, Starmer tha se lufta në Ukrainë ishte ndër temat e diskutuara nga të dy udhëheqësit sot.

“Ne po udhëheqim punën për të sjellë pajisjet më të mira në Ukrainë sa më shpejt të jetë e mundur, do të vazhdojmë ta shtyjmë përpara këtë me SHBA-në dhe aleatët e tjerë sepse në fund të fundit siguria jonë fillon në Ukrainë”, tha ai.

Starmer shtoi se marrëveshja e re përfaqëson “një partneritet me një qëllim”. Merz u tha gazetarëve se traktati lidhet me “sfidat kryesore të kohës sonë”.

Sipas Starmer, Rusia po “trondiste arkitekturën evropiane të sigurisë” që nga dalja e Britanisë nga Evropa.

“Në këto kushte ne synojmë të sigurojmë lirinë dhe prosperitetin e popujve të të dy vendeve tona”, shtoi ai.

Merz vlerësoi “iniciativën shumë të rëndësishme” që Donald Trump ndërmori të hënën, kur njoftoi se SHBA-të janë gati t’i japin armë Ukrainës, një veprim që do të blihet dhe paguhet nga partnerët evropianë.

“Gjermania dëshiron të japë një kontribut të rëndësishëm këtu… duhet të kemi qartësi se si SHBA-të do t’i zëvendësojnë sistemet e armëve që evropianët do t’i transferojnë Ukrainës”, tha ai. m.p.

Aksident në Gramsh, makina del nga rruga, plagosen 3 persona

Një aksident me pasojë plagosjen e tre personave ka ndodhur në Sotirë të Gramshit. Fuoristrada në të cilën udhëtonin tre personat ka dalë nga rruga.

Të plagosurit janë dërguar fillimisht në Spitalin e Gramshit për të marrë ndihmë mjekësore.

Burime bëjnë me dije se pas marrjes së ndihmës së parë, të plagosurit janë nisur drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për ndihmë të specializuar mjekësore.

Policia dhe grupi hetimor kanë nisur punën për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e aksidentit. m.p.

Konflikti i pronësisë, gruaja nga Lezha i hedh kundërshtares vaj makine në fytyrë

Një konflikt pronësie i pa zgjidhur nga organet shtetërore ka futur në sherr familjet në Dajç të Lezhës.

Madje, një qytetare i ka hedhur kundërshtares në fytyrë vaj makine. Në redaksinë e emisionit Fiks Fare u ankua Gjon Jaku, nga Dajçi i Lezhës dhe banues në Ishull Shëngjin.

“Këtu jemi në Dajç dhe kam një pasuri të babës dhe babë gjyshit. Unë kam një konflikt me komshitë këtu dhe s’është zgjidhur as nga komshitë dhe as nga bashkia. Personi që kemi ne konfliktin quhet Gjovalin Noci. Ky person ka ardhur 10 vite më parë këtu në fshat dhe ka blerë një shtëpi. Pas 10 vitesh ka hedhur mbeturinat në kopshtin tim” shton Gjoni.

Më tej pohon se me këtë familje ata janë në konflikt të hapur. “Vjen bashkia dhe s’e zgjidh problemin. Mua më cënon bashkia. Shkon nusja e vëllait dhe ajo e ofendon. Madje i ka hedhur vaj të djegur në flokë dhe në kokë. Kanë shkuar në polici dhe vetëm ngatërrohet. Unë s’e di ku të ankohem, ndaj ju drejtuam juve. Që mos të shkojë më gjatë t’a zgjidhë pushteti lokal. Sipërfaqja është rreth 1300 metër katrorë. Kjo tokë është e vjetër e jona dhe kemi bërë kërkesa për t’a certifikuar. Kjo tokë s’është ndarë më 7501 se këtë tokë e dinin se ishte e jona” shton Gjoni.

Ai thotë se familja me të cilën konfliktohen nuk pranojnë që t’a zgjidhin me njëri tjetrin. “Ndaj unë iu drejtova shtetit. Unë kam ullinj të vjetër dhe tani kam mbjellë ullinj të rinj te toka. Ai ka 300 metër se vetëm shtëpinë e ka. Pjesën tjetër e ka shtet dhe ai vetëm e ka rrethuar. Kemi shkuar te Njësia Administrative Dajç, dhe ajo i ka ngatërruar punët para 2 vitesh. Ka qenë një administratore tjetër dhe më ka thënë se s’ta zgjidh dhe s’i heq mbeturinat e komshisë. Pastaj ia hoqi me fadromë. Dhe konflikti s’është sheshuar asnjëherë” thotë ai.

Qytetari tregon edhe ngjarjen që kundërshtarja i ka hedhur kunatës së tij në kokë, fytyrë dhe trup vaj makina. “Tani para dy ditësh kunata ime ka kaluar atje dhe ajo i ka hedhur vaj të djegur. Unë nuk e di ça solucioni ka pasur brenda por ka qenë pak i nxehtë. Është me shenja akoma. Unë nuk e di si përfundon po s’e zgjidhim. Ai pretendon se është tokë shtet, po ullinjtë janë të mëdhenj dhe janë të familjes sonë. Kunata ime ka bërë ankesë dhe të gjitha dhe tani është e acaruar. Mund të shkojë prapë dhe s’e di se çfarë mund të ndodhë. Ata i çojnë në polici dhe vetëm këtë punë ka. Dikush e përkrah atë” përfundon ai.

Pas ankesës, “viktima” që i është hedhur vaj në kokë fytyrë dhe trup telefonon Administratorin e Njësisë Dajç. Ai i thotë se çështja është në prokurori dhe polici. “Shko te bashkia, tani është me polici dhe s’kam çfarë të bëj” i thotë. Më tej, Administratori i bën me dije se “komshia thotë kjo është tokë shtet si ata si për mu dhe i thotë se s’ka si të ndërhyjë pasi s’ka letra për tokën”.

Qytetarja i thotë se ata janë ullinj të vjetër, ndërkohë administratori i përgjigjet se tani figuron si tokë shtet. “Unë s’mund të nxjerr letër tjetër dhe t’i bije bashkisë. Tani del shtet dhe s’kemi çfarë t’i bëjmë” thotë ai. Qytetarja i thotë se edhe ai s’ka letra, ndërsa administratori i përgjigjet se edhe ai tjetri e ka bërë kërkesë te policia dhe prokuroria.

“As nuk kam bërë letra dhe as i jap. Unë kam qenë aty se më ka thirrur shefi i komisariatit. Aty ka ardhur policia. Te zyra ime hajde po unë s’jap letra që i takon tokës” vijon ai ndërkohë që kërcënimet dhe disa gjëra të tjera i ka Policia e Shtetit. Qytetarja i bën me dije se i kanë hedhur vaj në fytyrë, ndërsa ai i përgjigjet se ke bërë denoncimin dhe tani përgjigjet policia dhe prokuroria. “Unë kam hyrë në 2023 këtu dhe s’kam çfarë t’ju bëj tani” i thotë ai.

Ai i sugjeron që të shkojë në polici dhe të kapin avokat. “Përderisa ke bërë denoncim në polici, do merresh me ata dhe jo me kryeplakun e Dajçit” i thotë ai. Në fund i thotë se aty kanë shkuar 20 policë dhe se kur ka marrë detyrën e ka gjetur si konflikt. m.p.

Jennifer Lopez heq dorë nga martesa: E kam provuar disa herë dhe…

Të martën, më 15 korrik, këngëtarja e njohur Jennifer Lopez ka qënë duke performuar në koncertin e saj në Spanjë pjesë e turneut të saj “Up All Night”, i pari në këto gjashtë vite. Teksa ajo këndonte një pankartë është shfaqur përballë saj me shkrimin “J.Lo martohu me mua?” dhe në lidhje me këtë artistja ka dhënë një përgjigje shumë epike që disa nuk e prisnin aspak.

“Mendoj se kam mbaruar me këtë! E kam provuar disa herë.”

Këngëtarja e hitit “On The Floor” është martuar për herë të parë me aktorin Ojani Noa nga viti 1997 deri në vitin 1998.

Më pas ajo u martua me Cris Judd në vitin 2001 përpara se të ndaheshin në vitin 2003.

Lopez gjithashtu u martua me këngëtarin Marc Anthony në vitin 2004 që u divorcuan në vitin 2014. Nga martesa së bashku ata janë prindër të binjakëve Emme dhe Max, 17 vjeç.

Artistja me famë botërore në vitin 2017 u takua me Alex Rodriguez, me të cilin u fejua në vitin 2019 dhe më pas vendosën që të mbyllnin gjithçka në vitin 2021.

Por gjithçka ndryshoi në këtë vit pasi ajo dhe Ben Affleck vendosën të riktheheshin në krahët e njëri-tjetrit sërish pas 20 vitesh. Ata u fejuan në nëntor të vitit 2002 dhe gjithçka zgjati deri në janar të vitit 2004. Lidhja e tyre u bë akoma dhe më e fortë në vitin 2022 kur ata vendosën që ta kurorëzonin dashurinë e tyre me martesë.

Por gjithçka ndryshoi dy vite më vonë kur Lopez kërkoi divorc, një çështje që u finalizua në muajin janar. Mesa duket artistja ka vendosur që gjatë kësaj kohe t’i japë pak kohë vetes së saj dhe të përqëndrohet tek pasioni i saj, muzika. Ajo ka nisur turneun i cili deri më tani ka arritur të jetë i suksesshëm dhe artistja të shkëlqejë dhe të marrë shumë vëmendje me performancat dhe veshjet e saj në skenë. m.p.

Sarandë, policia gjen një pistoletë në çantën e dy të rinjve që u plagosën

Policia e Sarandës ka gjetur një armë zjarri në vendin ku u plagosën Ernest Lapaj dhe Gëzim Hoxhaj. Burime bëjnë me dije se arma i përket dy të të plagosurve ndërsa shkaqet e ngjarjes jane ende të paqarta.

Të rinjtë janë në gjendje të rëndë dhe u transportuan me helikopter drejt Tiranës ndërsa policia ka shpallur në kërkim Ramadan Canajn dhe vëllain e tij, Erjon Canaj si autorë të dyshuar. Në vendin e ngjarjes janë gjetur katër gëzhoja.

Ramadan Zoto nuk është një emër i panjohur për autoritetet. Në vitin 2005 ai ekzekutoi me armë zjarri në Athinë 51-vjeçarin Pushkin Kuspa për hakmarrje.

Më 31 janar 2008 në tentativë për t’u kapur, shkëmbeu zjarr me policinë greke, por u arrestua në fund të shkurtit 2008. Rezulton edhe me precedentë edhe për grabitje me armë në Greqi. m.p.

E pazakontë! Lindin 8 foshnje të shëndetshme me ADN-në e 3 personave

Tetë foshnje të shëndetshme kanë lindur në Britani me ndihmën e një teknike eksperimentale që përdor ADN-në e tre personave, për t’i ndihmuar nënat të shmangin transmetimin e sëmundjeve të rralla dhe të rënda te fëmijët e tyre.

Shumica e ADN-së gjendet në bërthamën e qelizës dhe përbëhet nga materiali gjenetik i trashëguar nga nëna dhe babai. Por, një pjesë e vogël e ADN-së ndodhet jashtë bërthamës, në struktura të quajtura mitokondri. Mutacionet e rrezikshme në këtë pjesë mund të shkaktojnë sëmundje serioze te fëmijët, si dobësi muskulore, kriza epileptike, vonesa në zhvillim, dështim të organeve dhe vdekje.

Testimet gjatë procesit të fekondimit artificial (in vitro) zakonisht mund të identifikojnë nëse janë të pranishme këto mutacione. Por, në raste të rralla, kjo nuk është e qartë. Studiuesit kanë zhvilluar një teknikë që përpiqet ta shmangë këtë rrezik duke përdorur mitokondri të shëndetshme nga një vezë dhuruese. Ata raportuan për herë të parë në vitin 2023 se kanë lindur foshnjat e para me këtë metodë, në të cilën materiali gjenetik i vezës apo embrionit të nënës transferohet në një vezë apo embrion dhurues me mitokondri të shëndetshme, por pa pjesën tjetër të ADN-së origjinale.

“Kjo është një arritje e rëndësishme”, tha Dr. Zev Williams, drejtor i Qendrës së Fertilitetit në Universitetin Kolumbia, i cili nuk ishte i përfshirë në studim.

“Zgjerimi i mundësive riprodhuese do t’iu japë më shumë çifteve mundësinë të ndjekin shtatzëni të sigurta dhe të shëndetshme”.

Me këtë metodë, embrioni përmban ADN nga tre persona – nga veza e nënës, sperma e babait dhe mitokondria e dhurueses – dhe për ta lejuar atë, në Mbretërinë e Bashkuar është ndryshuar ligji në vitin 2016. Kjo teknikë lejohet edhe në Australi, por jo në shumë vende të tjera, përfshirë Shtetet e Bashkuara. m.p.

Nxehet situata, Erdogani akuzon Izraelin

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan e ka akuzuar të enjten Izraelin se është duke e përdorur pakicën e druzëve në Siri, si pretekst për t’u zgjeruar në këtë shtet të shkatërruar nga lufta.

“Izraeli, duke i përmendur druzët si arsyetim, është duke zgjeruar banditizmin e vet nëpër lagje të Sirisë në dy ditët e fundit”, ka thënë Erdogan në një fjalim televiziv.

“Dua ta theksoj edhe një herë, qartë dhe direkt, Izraeli është shtet i paligjshëm dhe pa parime”.

“Në këtë drejtim, problem ynë më i madh në rajon është agresioni i Izraelit, dhe nëse nuk ndalet menjëherë, ai nuk do të hezitojë që t’ia vë flakën rajonit tonë dhe më pas botës”.

Provinca Sveida e druzëve, në jug të Sirisë, ka qenë në qendër të konfliktit të përgjakshëm sektarian prej të dielës. Qindra persona është raportuar të jenë vrarë në përleshje mes luftëtarëve druzë kundër fiseve sunite beduine dhe ushtrisë me aleatë.

Izraeli i ka goditur trupat ushtarake qeveritare me sulme ajrore kur ato janë pozicionuar në provincat jugore, ashtu sikurse edhe selinë ushtarake në Damask, duke paralajmëruar që sulmet do të intensifikohen derisa Qeveria të tërhiqet.

Shtetet e Bashkuara – aleate të ngushta të Izraelit, që janë duke tentuar t’i rikrijojnë lidhjet me Sirinë – kanë thënë është arritur një marrëveshje për ta qetësuar situatën në atë zonë.

Erdogani ka thënë se ka biseduar me presidentin e përkohshëm të Sirisë, Ahmed al-Sharaa përmes telefonit, pas largimit të trupave siriane nga Sveida. m.p.

Emergjencat Civile: Deri në orën 16:00 janë raportuar 18 vatra zjarri

Sipas të dhënave të raportuara në Qendrën Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile në AKMC, deri në orën 16:00 janë raportuar 18 vatra zjarri, nga të cilat janë shuar 10 dhe janë aktive 8.

Pas një pune të pandërprerë të forcave operacionale në terren u bë i mundur izolimi i plotë dhe shuarja e vatrave në:

1.Në fshatin Poshnje, njësia administrative Poshnje, bashkia Dimal, vatër e cila është vendosur plotësisht nën kontroll në segmentin, ku ishin në rrezik banesat dhe reparti ushtarak. Aktualisht, po kryhet komtrolli i zonës për të shmangur riaktivizimin e flakëve. Situata është nën monitorim të vazhdueshëm dhe do të vijojnë ndërhyrjet sipas nevojës.
2.Në fshatin Kotë, njësia administrative Kotë, bashkia Selenicë
3.Në fshatin Vrion, njësia administrative Finiq, bashkia Finiq
4.Në vendin e quajtur“Qafa e Lacit”, bashkia Vau-Dejës
5. Në fshatin Mengël, njësia administrative Labinot-Fushë, bashkia Elbasan
6.Në zonën e Liqenit të Thatë, njësia administrative Farkë, bashkia Tiranë
7.Në rrugën “Haki Stërmilli”, njësia administrative Nr.6, bashkia Tiranë
8.Në lagjen Nr.5, njësia administrative Kavajë, bashkia Kavajë
9.Në fshatin Zagorë, njësia administrative Shkrel, bashkia Shkodër
10.Në fshatin Radanj, njësia administrative Qender Leskovik, bashkia Kolonjë

Aktualisht, janë aktive vatrat në:

Qarku Dibër
1.Vendin e quajtur “Liqeni i Luleve”, pjesë e Parkut Kombëtar Lurë, njësia administrative Lurë, bashkia Dibër, ku ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit të rënë në datë 07.07.2025 në një sipërfaqe pyjore me pisha dhe livadh. Në operacionin e shuarjes së zjarrit u angazhuan 30 forca operacionale dhe 30 forca nga FA. Si pasojë, deri tani është përshkuar një sipërfaqe rreth 200 ha me pyje pishe dhe ahu.

2.Vendin e quajtur “Mali i Peladhisë”, njësia administrative Zerqan, bashkia Bulqizë, ku ka vazhduar puna për shuarjen e zjarriti cili ishte riaktivizuar në datë 13.07.2025. Zjarri është aktiv në 2 vatra me zhvillim të ngadaltë, ku njëra zhvillohet në drejtim të fshatit Vlashaj dhe tjetra në drejtim të fshatit Krajkë. Në operacionin sot marrin pjesë rreth 35 forca operacionale.

Qarku Fier
3.Fshatin Drenovë, njësia administrative Qendër Dukas, bashkia Mallakastër, ku ka vazhduar puna për shuarjen e zjarrit të rënë në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra, i cili ishte riaktivizuar në datë 14.07.2025. Në vendngjarje punuan shërbimi vendor i MZSH të bashkisë Mallakastër 36 forca, 40 forca ushtarake nga FA, 2 helikopterë dhe 4 automjete zjarrfikëse nga FA. Terreni malor dhe era e fortë e kanë vështirësuar situatën. Vatra e zjarrit kaloi në fshatin Gorishovë, nj.adm. Cakran, bashkia Fier.

Qarku Vlorë
4.Në fshatin Borsh, njësia administrative Lukovë, bashkia Himarë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe pyjore. Në vendngjarje shkuan Shërbimi vendor i MZSH të bashkisë Himarë me 2 automjete zjarrfikëse me 6 efektivë, të cilët po punojnë për shuarjen e tij.

Qarku Gjirokastër
5.Në fshatin Kosinë, njësia administrative Qendër Piskovë, bashkia Përmet ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Në vendngjarje shkuan shërbimi vendor i MZSH të bashkive Përmet me 2 automjete zjarrfikëse me 6 efektivë, të cilët po punojnë për shuarjen e tij.

Qarku Elbasan
6.Në fshatin Gjevur, njësia administrative Përparim, bashkia Peqin, ka rënëzjarr në një sipërfaqe pyjore. Në vendngjarje ka shkuar Shërbimi vendor i MZSH të bashkisë Peqin me 2 automjete zjarrfikëse dhe 7 efektivë, të cilët po punojnë për shuarjen e tij.
7.Në fshatin Dufshan, njësia administrative Sult, bashkia Gramsh, ka rënë zjarr në një sipërfaqe pyjore. Në vendngjarje ka shkuar Shërbimi vendor i MZSH të bashkisë Gramsh me 2 automjete zjarrfikëse dhe 8 efektivë, të cilët po punojnë për shuarjen e tij.
8.Në njësinë administrative Hotolisht, bashkia Librazhd, ka rënë zjarr në një sipërfaqe pyjore. Në vendngjarje ka shkuar Shërbimi vendor i MZSH të bashkisë Librazhd me 1automjet zjarrfikës dhe 4 efektivë, të cilët po punojnë për shuarjen e tij.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 29 automjete zjarrfikëse dhe 291 forca operacionale. Gjithashtu në operacionet e ditës së sotme marrin pjesë edhe FA me 2 helikopterë, 120 trupa dhe 4 automjete zjarrfikëse. m.p.

Zelensky i propozon Trump një marrëveshje të re

Vladimir Zelensky ka propozuar një marrëveshje të re strategjike me Shtetet e Bashkuara, ku Ukraina do të ndante teknologjinë e saj të avancuar të dronëve me SHBA-në, në këmbim të furnizimit me armë amerikane.

Detajet e propozimit u bënë publike në një intervistë të dhënë për The New York Post, ku Zelensky e përshkroi marrëveshjen si një “fitore për të dyja palët”.

“Populli i Amerikës ka nevojë për këtë teknologji dhe ju duhet ta keni atë në arsenalin tuaj,” deklaroi Zelensky, duke theksuar se Ukraina është e gatshme të ndajë përvojën e saj të luftës moderne me SHBA-në dhe aleatët europianë.

Sipas presidentit ukrainas, marrëveshja parashikon bashkëpunim të ndërsjellë në fushën e teknologjisë ajrore, ku përvojat e fituara nga Ukraina në luftën trevjeçare kundër Rusisë do të ndahen me partnerët perëndimorë. Në këmbim, Kievi do të angazhohej për të blerë një sasi të caktuar armësh amerikane.

Zelensky njoftoi gjithashtu se bisedime të ngjashme janë duke u zhvilluar me vende si Danimarka, Norvegjia dhe Gjermania, për një qasje të përbashkët ndaj mbrojtjes dhe zhvillimit teknologjik ushtarak.

Ky zhvillim vjen vetëm disa ditë pas deklaratës së ish-presidentit amerikan Donald Trump më 14 korrik, i cili tha se SHBA do të vazhdojë të transferojë armë dhe pajisje ushtarake në Ukrainë, nëse vendet evropiane do të marrin përsipër të paguajnë për furnizimet – një proces që do të koordinohet nga NATO. Më pas, Trump zhvilloi një bisedë telefonike me Zelenskyn, duke shtuar peshë politike mbi propozimin e bërë nga Kievi.

Ekspertë të sigurisë dhe zyrtarë të përmendur nga The New York Post pohuan se SHBA-së i mungojnë disa prej përparësive teknologjike në fushën e dronëve dhe taktikave moderne të luftës, për të cilat Ukraina është bërë një pikë referimi pas përballjes me agresionin rus. m.p.

Monedha euro po zbret nën 97 lekë! Valutat tkurren, jo çmimet

Ditë të vështira po regjistrohen për shqiptarët që mbahen me remitancat, për ata që i mbajnë kursimet e tyre në valutë ose i kanë të ardhurat në monedhë të huaj si dhe për eksportuesit. Vera po i bën më të lira euron e dollarin përballë lekut shqiptar.

Këtë të enjte euro preku një minimum të ri historik. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë një euro këtë të enjte është këmbyer me mesatarisht 97.6 lekë, duke u zhvlerësuar me gati 1% krahasuar me fillimin e muajit. Kurse realiteti i ri i dollarit amerikan është fiksuar në 84 lekë.

Nëse bëjmë një krahasim të kursit të këmbimit euro-lekë me të njëjtën periudhë të një viti më parë rezulton se monedha evropiane është dobësuar me më shumë se 3%, pasi vjet në korrik një euro kushtonte 100 lekë.

Ky zhvlerësim i pandalur i euros duhet të ishte reflektuar në ulje edhe të çmimeve për produktet e importuara nga lëndët djegëse e deri tek ushqimet, por për shkak të abuzimeve kjo nuk reflektohet në vend. Në qershor inflacioni preku nivelin më të lartë në 16 muaj, çka dëshmon se çmimet po futen në një fazë tjetër rritjeje.

Ndërsa brenda një dekade monedha evropiane është zhvlerësuar me gati 43% përballë lekut, nga 140 lekë një euro në vitin 2014 në 97 lekë aktualisht.

Humbësit më të mëdhenj të tkurrjes së euros janë eksportuesit që i kanë shpenzimet në lekë dhe të ardhurat në euro, dhe kur bëjnë këmbimin reduktohet ndjeshëm vlera.

Po ashtu humbasin edhe familjet që marrin remitanca, pasi për të njëjtën dërgesë që i kanë dërguar emigrantët vjet marrin më pak lekë këtë vit. Nëse vjet për një dërgesë 1000 euro merrnin 100 mijë lekë, në këtë korrik ky këmbim ka zbritur në 97 mijë lekë. E njëjtë është humbja edhe për të ata individë që të ardhurat i kanë në valutë.

Po kështu humbet buxheti i shtetit, fiton më pak para nga të importet, pasi për shkak të zhvlerësimit të euros mblidhen më pak para nga TVSH-ja në doganë dhe nga akciza.

Ndërsa efektet pozitive të këtij zhvlerësimi janë ndjerë kryesisht në uljen e borxhit të marrë në valutë, pasi këstet e kthimit të tij janë bërë më të lira. Po ashtu përfitojnë importuesit, pasi ata blejnë në euro dhe shesin në lekë.

Institucionet shtetërore thonë se valutat po dobësohen nga turizmi dhe investimet e huaja që kanë sjellë fluks të madh të euros apo dollarit në treg. Kurse për ekspertët, në këtë zhvlerësim të monedhave të huaja po ndikon ndjeshëm edhe paraja informale. m.p.

Vjosa Osmani zbulon planin serb: Ja cilat ishin lëvizjet në kufi

Presidentja Vjosa Osmani mbajti pasditen e së enjtes një konferencë për media ku zbuloi planin serb për përshkallzimin e situatës në Kosovë.

Sqarimi erdhi pas debatit që u ngrit në lidhje me deklaratat e saj që kishte konfirmuar se administrata e Donald Trump kishte parandaluar një luftë.

Osmani, e përmbajtur për të mos dhënë ndonjë informacion të klasifikuar, deklaroi se në fund të muajit maj kishin pasur informata specifike për lëvizjet në kufi me Kosovën.

“Kanë qenë lëvizje më specifike të cilat i kanë përngjarë lëvizjeve që ne i kemi parë më 2023 pak a shumë 2 muaj para [ngjarjes së Banjskës], lëvizje të ngjashme me atë që kemi parë në vitin 2023 mirëpo nuk është që kanë arritur të bëjnë ndonjë gjë sepse institucionet tona kanë kryer detyrën e tyre me vigjilencë”, tha presidentja.

Duke iu referuar një interviste të ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhënë Ditarit Kosova në A2 CNN më 27 maj dhe gjithë debatit që prodhuan deklaratat, Osmani than ë ato ditë publiku u informua mbi atë çfarë po ndodhte.

“Ai u sulmua ashpër pikërisht pse informoi publikun për këto rreziqe e tash janë pikërisht ata që e sulmuan që thonë pse nuk na keni informuar”, shton Osmani. Osmani tha qytetarët nuk kanë nevoje të shqetësohen pasi të gjitha institucionet janë në krye të detyrës ndërsa edhe KFOR ka rritur prezencën në kufi me Serbinë.

“Tendencat e Serbisë janë të vazhdueshme nganjëherë kemi ngritje të nivelit të gatishmërisë së tyre në kufi me Kosovën nganjëherë kemi rritje të prezencës, nganjëherë marrim informata të tjera të cilat nuk mund t’i specifikoj por të gjitha këto janë parandaluar me sukses. Mobilizimi i institucioneve tona në çdo moment është maksimal”, shton presidentja.

Presidentja ndau edhe një moment kritik të vitit 2023 menjëherë pas sulmit terrorist të Banjskës kur tha se kishin vënë re një grumbullim të paprecedentë të ushtrisë serbe dhe armatimit serb në kufi me Kosovën që nxiti reagimin e Shtëpisë së Bardhë.

“Rreziku akoma vazhdon sepse ata kishin mbledhur ushtrinë dhe mjetet e tyre ushtarake përreth Kosovës në një nivel që nuk e kemi parë nga viti 1999”, deklaroi Osmani.

Osmani nuk u mor me reagimet e Richard Grenell, por tha se nuk ka keqinterpretuar asnjë fjalë të presidentit Donald Trump duke përsëritur edhe deklarimet e kreut të Shtëpisë së Bardhë dhe çfarë ajo ka thënë.

Ajo shtoi se ka shprehur vlerësim pozitiv që presidenti Trump dhe administrata e tij kanë bërë e po bëjnë për Kosovën si një aleat strategjik. m.p.

Era favorizon zjarrin, flakët nuk po ndalen në pyjet e Drenovës

Flakët të favorizuara nga era e fortë pasditen e sotme kanë avancuar nga masivi pyjor i Drenovës drejt kodrave të Gorishovës duke u përhapur në një sipërfaqe shumë të gjerë.

Më herët një situatë kritike është tejkaluar pranë grupeve të puseve të naftës 25 dhe 38 ku flakët janë afruar shumë pranë duke krijuar një situatë alarmante.

Kanë qenë mjetet zjarrfikëse të Fierit, Mallakastrës, Roskovecit, Beratit, Patosit dhe Albpetrolit që kanë vijuar pa ndërprerje përballjen me flakët deri në neutralizimin e tyre, ndërsa situata është ndjekur në terren edhe nga kreu i Albpetrol Eltar Deda.

Tashmë kanë mbërritur edhe 4 mjete zjarrfikëse të ushtrisë të cilat po ndihmojnë për të vëne nën kontroll flakët të cilat të favorizuara nga era po përhapen në disa drejtime. m.p.

“Partitë e reja duhet të bashkohen, ose përndryshe…”

Për gazetaren Juela Meçani, përplasja Lapaj-Shabani ndodhi pasi kanë pasur pritshmëri të larta se do të merrnin vota për të marr të dy mandatin e deputetit.

“Mua më është dukur një martesë e sforcuar që në fillim kjo. Dukej që me të dyve nuk do të ecte por mendoj se kanë pasur shumë pritshmëri nga të dy se do të merrnin vota dhe do të dilnin të dy deputet. Kemi dy politikan në emër të frymës së dhe mua më vjen ketë keq që Kuvendi s’do të ketë një Shabani dhe një Lapaj dhe ka një Zeqine”.

Gazetarja tha se deputetët e forcave të reja duhet që të bashkohen.

“Forcat e reja duhet që të bashkohen që të bëjnë një grup parlamentar. Nëse Lapaj nuk do të marr mandatin mund të bëhej një bashkimin në një grup parlamentar. Sepse Arlind Qori ka thënë që është shprehur për një bashkëpunim me forcat e tjera opozitare”, tha ajo. m.p.

Bardha pyet Ramën: Ku ta gjej faturën se Muçi s’më dha zgjidhje?

“O Muçi, ku ta gjej faturën, e kam mbledhur në mal!”

Mjafton të lexosh apo dëgjosh këtë fjali për të kuptuar që bëhet fjalë për Bardhën, zonjën e cila është bërë virale përmes një videoje në rrjete sociale, pasi inspektor Muçi i kërkoi të marrë faturë për rigonin që tregtonte në biznesin e saj në Sarandë. Bardha prej 35 vitesh është tregtare. E nisën prindërit e saj dhe Bardha e vazhdoi. Ka refuzuar të punojë për bizneset private. Ajo thekson se i pëlqen kjo punë që bën ndërsa i falenderon të gjithë ata që e mbështesin.

Por le të kthehemi tek viralja. Revolta e saj krej natyrale pak ditë më parë i ka ndërgjegjësuar të gjithë. Inspektorit i cili doli rrugëve me urdhër të Edi Ramës, Bardha ia bëri të qartë që s’kishte ku të gjente faturë për rigonin, pasi e kishte mbledhur në malet e Sarandës.

Tregtarja që shet produkte çdo ditë u përball me inspektor Muçin për disa minuta, por çdo gjë mbeti e paqartë. Ai, nuk i dha asnjë shembull se si ta merrte me faturë rigonin e malit.

“Jam tregtare që në 1990 dhe më 30 Qershor të këtij viti kam bërë 35 vite që jam tregtare. E kanë filluar prindërit e mi, me ta fillova të punoj, e nisëm me një karrocë, me një makinë më pas dhe kështu u ngrit puna jonë. E kam punën vetëm sepse prindërit më kanë ndërruar jetë.

Dy vëllezërit pësuan infarkt, të dy me bypass. Jam e fortë, pa asnjë shqetësim. Kjo punë më pëlqen, kam patur oferta për të punuar në biznese private, por më pëlqen kjo. Sa i përket videos virale, është gjë e mirë të shkosh në malet e Sarandës dhe të mbledhësh vetë.

Të vish e të më kërkosh mua kupon, është barrë e rëndë. Unë nuk kam çfarë të marr aty ku e këpus gjënë. S’kam kujt t’i marr certifikim që unë e kam këtë gjë të rregullt dhe të sigurt. Mali e sjell çdo gjë të sigurt e të mirë. Nuk kam çfarë të them unë për këtë gjë.”-tha Bardha.

Nëse ka një pyetje për Kryeministrin Edi Rama i cili ka bërë këtë kërkesë, Bardha foli shkurt dhe thjeshtë. “Më trego një model, një formulë, të më thotë, Bardha, kjo është ajo që duhet të bësh. As inspektor Muçi nuk më dha asnjë model.”-u shpreh Bardha. m.p.

Përmbysje në Letoni, Vllaznia kalon në raundin e dytë të Conference League

Përmbysje spektakolare në Letoni, Vllaznia përmbys humbjen dhe siguron kualifikimin në turin e dytë të Ligës së Konferencës

Vllaznia ka arritur një përmbysje spektakolare në Letoni, duke siguruar kalimin në turin e dytë të Ligës së Konferencës pas një fitoreje 4-2 ndaj Daugavpils, që rikuperoi humbjen 0-1 të ndeshjes së parë në Elbasan.

Shkodranët hynë në fushë me vendosmëri dhe gjetën golin e parë me Mensah, duke barazuar rezultatin e përgjithshëm. Por festa nuk zgjati shumë, pasi vendasit reaguan fuqishëm dhe përmbysën ndeshjen me dy gola të shpejtë. Kur dukej se gjithçka po komplikonte sërish për skuadrën kuqeblu, erdhi goli i rëndësishëm i Jagos në fundin e pjesës së parë, i cili e riktheu baraspeshën dhe shpresën për përmbysje.

Në pjesën e dytë, loja u bë më e kujdesshme, me Vllazninë që kishte vështirësi për të qenë e rrezikshme përpara portës. Por gjithçka ndryshoi në minutat e fundit, kur në skenë doli talenti Dodaj. Fillimisht, ai shënoi golin që i dha avantazhin skuadrës shqiptare në rezultat të përgjithshëm, për të qenë më pas protagonist edhe me një asist perfekt për Malën, i cili vulosi fitoren dhe përmbysjen 4-2.

Një sukses i madh për Vllazninë, që tregon forcën e karakterit dhe besimin deri në fund, duke siguruar një kualifikim të merituar në turin e dytë të Ligës së Konferencës, ku do të luajë me Vikingur Reykjavik. m.p.

❌