Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Ylli i PSG “injoron” ekipin: E meritoj të fitoj “Topin e Artë”

Ndërsa shumë presin një përballje finale midis Ousmane Dembele dhe Lamine Yamal për “Topin e Artë 2025”, Achraf Hakimi gjithashtu ëndërron të fitojë këtë çmim prestigjioz dhe thotë se e meriton plotësisht atë. Të paktën kjo është ajo që deklaroi mbrojtësi maroken në një intervistë të fundit për “Canal+”.

I gjendur në listën me 30 të nominuarit për “Topin e Artë” të këtij viti, bashkë me 8 lojtarë të tjerë të PSG-së, Achraf Hakimi është i bindur se e meriton këtë trofe individual.

“Kur njerëzit më përmendin në debatin për “Topin e Artë”, është një ëndërr që nuk kam guxuar kurrë ta imagjinoj. Nëse kam mundësinë ta fitoj, mendoj se e meritoj edhe unë. Pas sezonit historik që kam pasur, nuk ka shumë lojtarë që kanë shënuar në çerekfinale, gjysmëfinale dhe finale, veçanërisht si mbrojtës.

Njerëzit shpesh mendojnë se jam sulmues ose mesfushor, por jo, unë luaj në një mbrojtje me katër lojtarë dhe puna ime është të mbrohem. Statistikat që kam paraqitur këtë vit nuk janë ato të një mbrojtësi tipik. Besoj se kur një mbrojtës e arrin këtë, ai e meriton edhe më shumë se një sulmues të fitojë këtë trofe”, u shpreh Hakimi. m.p.

Vance: “Po përgatisim një takim Putin-Zelensky, por…”

Zëvendëspresidenti i SHBA-së JD Vance tha se Shtetet e Bashkuara po punonin për bisedime midis Presidentit rus Vladimir Putin dhe Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.

Në një intervistë për Fox News, ai tha se nuk mendonte se do të ishte produktive që Putin të ulej me Zelensky-n para se të takohej me Presidentin e SHBA-së Donald Trump.

Vance shtoi gjithashtu se administrata e tij shpresonte të arrinte një zgjidhje të negociuar midis Rusisë dhe Ukrainës, por paralajmëroi se të dyja palët ndoshta do të ishin të pakënaqura me rezultatin.

Duke iu drejtuar mundësisë së sanksionimit të Kinës për blerjen e naftës ruse, Vance vuri në dukje se Trump ende po shqyrtonte opsionet e tij dhe ende nuk kishte marrë një vendim. m.p.

Lezhë, sherr për vendin e parkimit, një person transportohet te ‘Trauma

Një konflikt mes disa personave mbrëmjen e sotme në Shëngjin ka përfunduar me plagosjen e njërit prej tyre.

Sipas burimeve, ngjarja ka ndodhur në zonën e Kunes, ku një person është goditur me sende të forta në kokë dhe është dërguar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.

Ndërkohë, policia, e cila mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes, ka shoqëruar njërin prej autorëve të dyshuar, i cili po merret në pyetje.

Nga të dhënat paraprake, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur pas sherrit për vendparkimin. m.p.

Festivali “Nona”, gjyshet shqiptare festë tradite në Përmet

Ato sjellin në Përmet traditën më të mirë të gatimit dhe produkte artizanale të zonës në atë që njihet si Festivali i Gjysheve.

Gjyshe përmetare, por edhe gjyshe nga Vlora e nga Kosova kanë qenë këtë vit pjesë e festivalit, i vetmi kushtuar gjysheve në Evropë.

“Jam Aida. Jam gjyshe nga Kosova, përkatësisht nga qyteti i Mitrovicës. Këtu jam për herë të parë në këtë panair. Marr pjesë me punimet e mia artizanale.”

Janë disa produkte tipike, që ia ofrojmë si vizitorëve vendas dhe të huaj. Janë të tëra artizanale, jo për treg të gjerë, si uthulla e mjaltit, likeri i thanës, liker me arrë, propolis, produktet e bletës. Nuk është hera e parë që marr pjesë në këtë panair.”

“Ne jemi këtu, përpunojmë qumështin tonë. Prodhimet tona janë kaçkavall, djathë deleje, salcë, gjalp dhe gjizë.”

“Ecim sipas traditës. Byrek me lakra, byrek me mish, që i themi mesnik, byrek me spinaq, byrek me hithra, byrek me fasule, byrek me lëpjeta të egra të malit, qumështor që e kemi traditë.”

“Kemi gatuar reshedi dhe byrek me lakra.”

Organizatorët e Festës së Gjysheve, shprehen se qëllimi i këtyre tre ditëve, veç të tjerave, është rigjallërimi i zonave të tjera të Shqipërisë, përveç Tiranës, që është metropoli i vendit. Aktiviteti ka mbledhur mijëra turistë vendas dhe të huaj, ndërkohë që “Nona” synon të shndërrohet në festivalin e gjysheve evropiane, gjë për të cilën nevojiten fonde. m.p.

Gaza, kilometra të tëra në këmbë për të mbajtur ”frymën gjallë”

Kamionë të ngarkuar me ndihma hynë nga perëndimi i Beit Lahiya të Gazës të dielën ku njerëzit e zhvendosur u mblodhën për mbledhjen e ndihmave.

Palestinezët e zhvendosur mbanin çanta me miell dhe mallra të tjera ndërsa ecnin me kilometra për t’u çuar ushqim familjeve të tyre.

“Do të dal të marr ushqim për fëmijët e mi dhe betohem se nuk kam as një kafshatë për te ngrënë”, thotë njeri prej tyre.

Afërsisht 200 palestinezë kanë vdekur nga uria në Gaza që nga fillimi i luftës, pothuajse gjysma e tyre kanë qenë fëmijë, sipas ministrisë së shëndetësisë të Gazës. Rreth 1,200 njerëz u vranë dhe 251 u morën peng në Gaza në sulmin e Hamasit më 7 tetor 2023 ndaj komuniteteve jugore izraelite.

Më shumë se 61,000 palestinezë janë vrarë nga sulmi i Izraelit në Gaza, sipas ministrisë së shëndetësisë të Gazës. m.p.

Kancelari gjerman: Nuk pranojmë që çështjet territoriale të vendosen…

Kancelari gjerman tha se solidariteti i Gjermanisë me Izraelin mbetet i pandryshuar pavarësisht vendimit të javës së kaluar për të ndaluar eksportet ushtarake.

Ne një interviste për transmetuesin publik ARD Merz tha se vendimi i qeverisë së tij për të ndaluar dërgesat ishte në përgjigje të njoftimit “surprizë” nga Izraeli “për të përshkallëzuar përsëri konfliktin ushtarak në Rripin e Gazës”.

Ndërkohë, Gjermania nuk mund të pranojë që çështjet territoriale midis Rusisë dhe Amerikës “të diskutohen ose madje të vendosen mbi kokat e europianëve dhe ukrainasve”, tha Merz i cili supozon se Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy do të jetë i përfshirë në takim”. m.p.

Zjarret pushtojnë kontinentin europian, një i vdekur në Greqi

Një person ka humbur jetën në Greqi pasi zjarret kanë përpirë rreth 16 mijë hektarë tokë, në mes të situate të rëndë në të gjithë Europën. Në rajonin e Kerateas, pranë Athinës, një i moshuar u gjet i pajetë në shtratin e tij brenda një kasolleje, pas shpërthimit të zjarrit të premten.

Observatori Kombëtar i Athinës paralajmëroi se erërat e forta që po favorizojnë flakët do të vazhdojnë të paktën deri të hënën.

Në Itali, zjarrfikësit po luftojnë prej së premtes një zjarr në shpatet e malit Vezuv pranë Napolit. Të gjitha rrugët turistike drejt kraterit janë mbyllur. Për shuarjen e zjarrit po përdoren gjashtë avionë tip “Canadair” dhe dronë për monitorim.

Në Francë, rreth 1.400 zjarrfikës po punojnë për të parandaluar riaktivizimin e zjarrit më të madh në dekada në rajonin Aude, i cili ka djegur mbi 160 kilometra katrorë tokë me pyje e vreshta. Zjarri la një të vdekur, 25 të plagosur, mes tyre 19 zjarrfikës. Temperaturat deri në 39°C dhe erërat e forta pritet të vështirësojnë shuarjen, e cila mund të zgjasë për javë të tëra.

Në Spanjë, zjarrfikësit po përballen me një vatër në provincën Avila, 100 kilometra në perëndim të Madridit. Edhe aty temperaturat ekstreme pritet të vazhdojnë deri javën tjetër, duke rritur rrezikun e përhapjes. m.p.

Banesat, pagesa e mirëmbajtjes me detyrim: Gjobë për ata që refuzojnë

Ligji i ri për administrimin e ambienteve të përbashkëta në pallatet shumëkatëshe parashikon që çdo banor të kontribuojë financiarisht për mirëmbajtjen e godinës, përmes pagesave mujore të detyrueshme.

Megjithatë erkspertët thonë se për personat e moshës së tretë, që shpesh kanë të ardhura të kufizuara, kërkohet një qasje më e kujdesshme.

Ekspertët theksojnë nevojën për tolerancë dhe mirëkuptim nga ana e administratorëve, duke propozuar modele fleksibël pagesash apo mbështetje shtesë për këtë kategori.

Tashmë, çdo shkallë, ashensor, tarracë, oborr apo garazh do të jetë pjesë e dokumentacionit zyrtar si pasuri e përbashkët.

Çdo pallat do të ketë një administrator të certifikuar, i cili do të mbledhë pagesat mujore do të kujdeset për mirëmbajtjen dhe do të raportojë një herë në vit për të gjitha shpenzimet.

Në një intervistë për Ora News agjenti imobiliar Orgest Beti thekson se ky rregullim ligjor është një hap i rëndësishëm për menaxhimin e hapësirave të përbashkëta.

‘’Ligji i bashkëpronësisë ka qenë funksional, tashmë me ndryshimet e reja unë mendoj se ka ardhur më i plotësuar.

Ligji i bashkëpronësisë do ti bëjë të mundur shumë nga personat që jetojnë në një ambient të përbashkët komunitar që të kenë të drejta por sigurisht që të kenë edhe detyrimë. Dhe kjo tashmë do të jetë e sanksionuar me ligj’’.

Mosbashkëpunimi ose mospagesa nuk do të jetë më thjesht një tekë personale, por do të shoqërohet me gjoba.

Megjithatë, Beti shton se për pensionistët dhe personat e moshës së tretë, që janë pronarë banesash, duhet gjetur një zgjidhje që të ketë më shumë tolerancë dhe mirëkuptim nga ana e administratorit.

‘’Deri tani ligji nuk parashikon që pensionistët të jenë të përjashtuar por mendoj se do të ketë disa sugjerime që nëpërmjet një konsensusi të përbashkët mes banorëve dhe administratorëve mbase atyre do ti shyhet pak pagesa në muaj në kohështrirje ose mund të kenë një tarifë pak më të reduktuar se banorët e tjerë’’. m.p.

Modric debuton me humbje, Chelsea fiton pastër miqësoren

Chelsea ka mposhtur 4-1 Milanin në miqësoren e luajtur në “Stmaford Bridge”. Chelsea e nisi takimin me këtë formacion titullar: Sanchez; James, Chalobah, Tosin, Cucurella; Caicedo, Enzo, Palmer; Gittens, Joao Pedro, Neto.

Milan e nisi me këtë formacion titullar: Maignan; Terracciano, Coubis, Tomori, Bartesaghi; Musah, Ricci, Fofana; Saelemaekers, Loftus-Cheek; Leao.

“Blutë” e drejtuar nga Enzo Maresca e gjetën në avantazhin e dy golave, shumë shpejt. Në minutën e 5-të, një top i krosuar në zonë nga Reece James përfundon në rrjetë pas përplasjes me mbrojtësin e Milanit, Andrei Coubis.

Pas 3 minutash, Joao Pedro shënon golin e dytë për të zotët e shtëpisë, pas krosimit perfekt nga Pedro Neto dhe finalizimit me kokë nga sulmuesi brazilian. Në minutën e 19-të, Milan mbetet me 10 lojtarë, pasi Andrei Coubis, pengon Joao Pedro-n, i cili ishte lojtari i fundit në aksion.

Një ndeshje për t’u harruar e gjitha për mbrojtësin rumun të ardhur nga ekipi i të rinjve. Pjesa e parë mbyllet 2-0 për londinezët.

Në fillim të pjesës së dytë, u fut në fushë Luka Modric, duke debutuar kështu për kuqezinjtë. Në minutën e 67-të, Liam Delap shënon golin e tretë, duke u treguar i saktë nga pika e bardhë e penalltisë. Tre minuta më pas, kuqezinjtë ngushtuan shifrat, duke gjetur golin pas një aksioni të bukur, të finalizuar nga Youssouf Fofana.

Në fund të kohës së rregullt, ishte sërish Liam Delap që shënoi golin e dytë personal dhe vulosi fitoren 4-1 të Chelsea-s. m.p.

Berati, qytet me shpirt

“Ka qytete që kanë shpirt: janë pikërisht ata që kanë një të kaluar. Nga kjo pikëpamje, qytetet u ngjasojnë njerëzve.” – “Qytete dhe fantazma”, Jovan Duçiq

Ka qytete që i sheh dhe të duken thjesht si grumbull gurësh, rrugësh dhe ndërtesash. Pastaj ka të tjera që, sapo i shkel, ndien se diçka e padukshme të përfshin: një frymë, një kujtesë, një prani që nuk shpjegohet me arkitekturë apo me histori të shkruar në libra. Këto janë qytetet me shpirt. Duçiq thotë se ato janë pikërisht qytetet që kanë një të kaluar, dhe, si njerëzit, bartin plagët, gëzimet, kujtimet dhe legjendat e tyre.

Berati është një nga këto qytete. Ai nuk është vetëm një vendbanim i lashtë i ngritur mbi kodra, por një organizëm i gjallë, ku çdo gur, çdo shkallë guri, çdo dritare e drunjtë, çdo kryq apo çdo minare ka diçka për të treguar. Teksa ngrihesh në mëngjes, e sheh qytetin teksa zgjohet ngadalë nga një ëndërr shekullore. Shtëpitë e bardha, të ngjeshura si të mbështetura tek njëra-tjetra për ngrohtësi, i ngjajnë njerëzve që pëshpërisin me njëri-tjetrin.

Shpirti i Beratit është i ndërtuar mbi shtresa kohe. Aty gjenden gjurmët ilire, gjurmët romake, muret bizantine, minaret osmane dhe shenjat e pakta të hebrenjve që gjetën strehë këtu gjatë Luftës së Dytë Botërore. Secila periudhë ka lënë shenjat e veta, çka e bëjnë qyretin jo vetëm një shtresëzim kulturash, por edhe ëndrrash dhe kujtimesh.

Në rrugicat e kalldrëmta, këmbët të çojnë pa e kuptuar drejt lagjeve muzeale. Nga aty, shikimi shtrihet mbi çatitë me tjegulla të kuqe dhe mbi lumin që ndan qytetin mëdysh. Është një pamje që të kujton se shpirti i një qyteti nuk është vetëm tek ajo që duket, por edhe tek ajo që nuk shihet – tek fjalët e munguara, tek heshtjet e brezave, tek legjendat e rrëfyera.

Ashtu si njerëzit, Berati ka plagët e tij. Ka kaluar pushtime, shkatërrime, ndryshime të mëdha politike e shoqërore. Por, si çdo njeri me shpirt të fortë, ai i ka përballuar dhe i ka shndërruar në histori. Kjo e bën të ndryshëm nga qytetet pa kujtesë, që rriten shpejt, por nuk mbajnë dot rrënjë.

Në fund, kur e lë pas, Berati nuk mbetet thjesht një vend i bukur që ke vizituar. Ai të ndjek, të shfaqet në kujtesë si një fytyrë e njohur, me të cilën ndan një sekret. Dhe ky është testamenti më i fortë i shpirtit të tij, se, njësoj si njeriu, ka diçka brenda që nuk vdes kurrë. (NAMIR LAPARDHAJA) m.p.

Crystal Palace mposht Liverpool-in dhe fiton Community Shield

Crystal Palace ka fituar Community Shield, duke mposhtur në finale Liverpool-in, nga pika e bardhë e penalltive 3-2, pasi koha e rregullt u mbyll në barazim 2-2.

Crystal Palace fitoi FA Cup sezonin e kaluar ku mundi në finale Man. City, ndërsa Liverpool është kampioni në fuqi i Premier League. Ekipi i drejtuar nga Arne Slot e nisi finalen në mënyrë të shkëlqyer duke kaluar në avantazh vetëm pas 5 minutash lojë. Dy blerjet e bujshme të kësaj vere, Florian Wirtz dhe Hugo Ekitike, kombinuan në mënyrë perfekte mes tyre dhe sulmuesi i ardhur nga Eintracht Frankfurt për 95 milionë euro në total, dërgoi topin në rrjetë.

Në minutën e 15-të, kapiteni Van Dijk pengon brenda zonës Ismaila Sarr, arbitri jep penallti. I zakonshmi Jean-Philippe Mateta tregohet i saktë nga 11-metrat dhe barazon shifrat përkohësisht.

Në minutën e 20-të, blerja tjetër e kësaj vere, Jeremie Frimpong shënon një gol aspak të zakonshëm, pasi topi i nisur për krosim, përfundon në rrjetë. Pjesa e parë mbyllet 1-2 për të kuqtë.

Në minutën e 77-të, Ismaila Sarr do të përfitonte nga një mungesë vëmendjeje e mbrojtjes së Liverpool dhe sidomos kapitenit Van Dijk dhe barazoi shifrat 2-2. Koha e rregullt u mbyll në barazim. Ekipet iu drejtuan “ruletës ruse”, aty ku ekipi i drejtuar nga Oliver Gasner u tregua më i saktë, duke fituar me shifrat 3-2.

Për të kuqtë gabuan, Salah, Mac Allister dhe Harvey Elliott. Salah goditi jashtë, ndërsa goditjet e Mac Allister dhe Elliott u pritën nga Dean Henderson. m.p.

Kush është Mefail Shkodra, u mori jetën 3 personave në Gjilan

Mefail Shkodra, i akuzuar si autori i vrasjes së trefishtë në Gjilan, është person me precedent të mëparshëm kriminal. Në qershor të vitit të kaluar, ai u vu në pranga bashkë me të birin.

“Personat e arrestuar dyshohet se në këtë rast kanë ushtruar presion dhe kërcënime ndaj viktimës me qëllim të marrjes së interesit nga veprimtaria e fajdes dhe si rezultat i veprimeve të kundërligjshme personat e dyshuar i kanë shkaktuar dëme materiale viktimës në vlerën mbi 600.000 euro“, thuhej në njoftimin e 21 qershorit 2024 të Policisë së Kosovës.

Shkodra dyshohet se sot rreth 12:32 në rrugën “Ibrahim Rugova”, qëlloi për vdekje një burrë së bashku me të birin dhe dhëndrin dhe la të plagosur një tjetër. Paraprakisht dyshohet se ‘fajdet’ ishin shkaku, megjithatë pritet zbardhja e ngjarjes nga grupi hetimor.

Premtimi i bujshëm që Perez i ka bërë Modric, pas transferimit te Milan

Pas një dekade suksesi të jashtëzakonshëme me Real Madridin, mesfushori kroat Luka Modric u largua këtë verë si lojtar i lirë dhe u transferua te Milan. Pavarësisht largimit të tij, lidhjet e Modric me klubin madrilen mbeten të forta.

Sipas disa mediave spanjolle, presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, është i hapur për të mirëpritur rikthimin e Modric, por këtë herë në një rol të ri, jo më si lojtar. Sipas “Defensa Central”, Modric i ka treguar Perez-it dëshirën e tij për të filluar karrierën si trajner në të ardhmen e afërt.

Presidenti i “Los Blancos” u përgjigj pozitivisht, duke i premtuar Modric-it se dyert e Real Madridit do të jenë gjithmonë të hapura për të që të fillojë udhëtimin e tij në akademinë e të rinjve, duke ndjekur gjurmët e legjendave të klubit si Raul Gonzalez, Guti, Zinedine Zidane dhe trajneri aktual Xabi Alonso.

Gjatë karrierës së tij të shkëlqyer me madrilenët, Modric luajti 842 ndeshje në të gjitha garat, shënoi 89 gola dhe dha 140 asiste, duke kontribuar drejtpërdrejt në 229 gola. Ai mbetet një nga lojtarët më ikonikë dhe më të dekoruar në historinë e Real Madridit, me 28 trofe të fituar dhe gëzon respektin maksimal nga të gjithë tifozët. m.p.

Breshëri plumbash mes dy automjeteve në Tetovë, një i vdekur

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e sotme në Tetovë.

Sipas asaj që mediat vendase raportojnë mësohet se një person ka humbur jetën dhe katër të tjerë kanë mbetur të plagosur pas një shkëmbimi me armë zjarri mes dy automjeteve në kryqëzimin e rrugës “Ilinden” me rrugën “Bllagoja Toska”. m.p.

Kurseu 800,000 euro, por u pendua: Është tragjike…

Një burrë japonez kaloi mbi dy dekada duke jetuar në kushte ekstreme për të arritur lirinë financiare, por një zhvlerësim i fortë i jenit ia shkatërroi ëndrrën. Historia e tij është bërë virale në Azi, duke ndezur debate mbi koston e jetës së kursyer në mënyrë ekstreme.

Në moshën 25-vjeçare, ai nisi punën në një kompani me stabilitet, por me orare rraskapitëse. Me rreth 29 mijë euro në vit, vendosi të kursente çdo qindarkë, duke jetuar në një dhomë kompanie për vetëm 175 euro në muaj, pa ngrohje e ajër të kondicionuar, dhe duke ngrënë darka minimale – shpesh vetëm turshi, oriz dhe perime të kripura.

Për 20 vite e 10 muaj, ai jetoi me idenë: “Do të tërhiqem patjetër nga puna”, duke iu përkushtuar vetëm kursimeve. Në janar 2025, arriti objektivin: 135 milionë jenë, afro 785 mijë euro. Por gëzimi zgjati pak. Në mesin e vitit, jeni pësoi një rënie të ndjeshme, duke i ulur ndjeshëm vlerën e kursimeve. “Pse kam punuar gjithë këto vite? Është e kotë, është tragjike”, shkroi ai.

Sot, në moshën 45-vjeçare, jeton më rehat se më parë, por me pasiguri për të ardhmen. Nuk dëshiron të kthehet në punë, por as nuk mund të rikthehet në stilin e jetesës së dikurshme. Ekspertët e shohin historinë e tij si një paralajmërim për rreziqet e kursimit ekstrem pa diversifikim investimesh. Ai vetë e pranon: “Nuk pendohem për objektivin, por për faktin që nuk shijova rrugën drejt tij.” m.p.

Vrau 3 persona në Gjilan, autori ka foto me Osmanin dhe Kurtin

Mefail Shkodra, i dyshuar për vrasjen e dy personave sot në Gjilan, është shapllur në kërkim nga Policia e Kosovës.

Policia e Gjilanit po kërkon ndihmën e qytetarëve për ta kapur atë, duke publikuar fotografinë e tij me autorizim të Prokurorisë.

Mirëpo, në mediat e Kosovës përveç fotos të publikuar nga autoritetet po qarkullon edhe një fotografi e tij me krerët më të lartë të shtetit, si kryeministrin në detyrë, Albin Kurti e presidenten Vjosa Osmani. m.p.

“Te Bayern po kaloja në depresion, shpëtova nga Liverpool”

“Nëse ne nuk do të ishim duke jetuar me të në Mynih, do të binte në depresion”. Kështu janë shprehur prindërit e mesfushorit Gravernberch, duke iu referuar periudhës kur djali i tyre luajti te Bayern.

Vetë holandezi ka shprehur keqardhjen e tij për muajt më të vështirë të jetës së tij.

“Kam vuajtur shumë mendërisht. Nagelsmann më linte tri ndeshje radhazi pa luajtur asnjë sekondë. Thjesht shihja ndeshjet dhe ndihesha keq. Fituam titullin, por nuk ndihesha kampion, sepse nuk kisha bërë asgjë. Ka qenë periudha më e vështirë në jetën time, por pata fatin që kisha pranë prindërit. Transferimi te Liverpool më shpëtoi nga depresioni”. m.p.

Havzi Nela, poeti përkujtohet ekzekutimi nga regjimi! “Jeton si simbol i lirisë”

Ishte mëngjesi i 10 gushtit 1988, kur poeti Havzi Nela u var publikisht në sheshin “Agjencia” në Kukës, një ngjarje që tronditi vendin dhe mbetet një nga momentet më të rënda të diktaturës.

Sot, 37 vjet ekzekutimit të tij, ai përkujtohet pranë bustit të ngritur në nder të figurës së tij në Kukës, ku përfaqësues të Partisë Demokratike të Kukësit, familjarë dhe ish-të përndjekur politikë vendosën kurora me lule.

Në fjalën e saj, bashkëshortja Lavdie Nela kujtoi qëndrueshmërinë e poetit, ndërsa vërejti se ai ka dhënë shpirtin me kokën lart.

“Diktatura komuniste e pashpirt nuk mendoi për jetën e poetit, se ai e donte lirinë. Sot pas 37 vitesh drejtësia nuk ka thënë fjalën e saj as për poetin, as për vuajtjet e mia. Havziu nuk u përkul kurrë, as para litarit, as para diktaturës. Ai vdiq si poet, por jeton si simbol i lirisë”,- tha ajo.

Deputeti Klevis Balliu theksoi rëndësinë e kujtesës historike dhe dënimit të komunizmit, ndërsa kryetari i PD-së lokale, Rraman Demaj, e quajti Nelën “një nga simbolet më të forta të rezistencës antikomuniste”.

“PD është sot në mbështetje më shumë se kurrë të çdo luftëtari të lirisë, i cili nuk ka prej kujt të frymëzohet më shumë se nga Havzi Nela. Ai nuk e step asnjë sekondë nga ajo që ndiente si gjëja më hyjnore në botë, që ishte liria”,- tha Balliu.

Ceremonia përkujtimore përfundoi me një minutë heshtje dhe vendosjen e luleve në nder të poetit të lirisë. m.p.

Turizmi, sa kushtojnë dhomat e hoteleve nga jugu në veri

Hyrjet e të huajve në vend janë raportuar në rritje, ndonëse të dobët, gjatë pjesës së parë të këtij viti, por strukturat hoteliere dhe operatorët turistikë shprehen se kjo nuk po reflektohet në bregdet. Sipas tyre, profili i turistit që po viziton Shqipërinë nuk është ai që kërkon plazhet dhe detin me ditë të tëra, por ai që kërkon të marrë maksimumin me kosto sa më të ulët dhe të eksplorojë sa më shumë.

Në javën e parë të korrikut, panorama u bë më e qartë dhe mungesa në plazhe, të cilat mbusheshin plot vetëm në fundjava, solli një ulje zinxhir të çmimeve të hoteleve, si dhe fushata agresive sponsorizimi në rrjete sociale. Nga Saranda në Ksamil, Vlorë dhe Himarë çmimet u rishikuan me rënie 10-25%. Borshi dhe Qeparoi ishin të vetmit në rritje për shkak të kërkesës, teksa Durrësi dhe Golemi mbeten rajoni me raportin më të mirë çmim/shërbim. Velipoja dhe Shëngjini, që po mbajnë turizmin patriotik, mbeten ende ekonomike me lëvizje të lehta në segmentin e hoteleve të shtrenjta.

Ema dhe bashkëshorti i saj kanë zgjedhur çdo vit Ksamilin për të pushuar. Plazhi aty është më i përshtatshëm për familjet me fëmijë. Çmimet e kripura i kishin detyruar që qëndrimet tre vitet e fundit t’i kishin të shkurtra, por këtë vit, mes dilemave, nisën sërish kërkimin për një apartament në fund të qershorit.

Çuditërisht, opsionet ishin të shumta dhe me çmime ekonomike, madje me çmimin e një apartamenti tani mund të gjente një hotel cilësor.

Kërkimet për pushimet e gushtit vijuan deri në fund të korrikut dhe çmimet ishin sërish të leverdishme, por edhe disponueshmëria e lartë, diçka aspak e zakonshme për këtë periudhë.

Në fund, një javë pushime në fillim të gushtit, një hotel me standardin tre yje mund ta gjesh edhe për 550 euro, kurse vila dhe apartamente mund të gjesh shumë më lirë edhe nëse rezervimin e bën sot për nesër.

Operatorët turistikë thonë se janë dy arsyet që po diktojnë çmimet e hoteleve në bregdet gjatë këtij viti.

Së pari, hyrja në treg e strukturave të reja hoteliere dhe apartamenteve me qira afatshkurtër; së dyti, profili i turistit që po viziton Shqipërinë.

Shenjat e para të një sezoni veror ndryshe nga tre të fundit u dhanë në maj dhe qershor, kur rezervimet individuale për Vlorën dhe Sarandën ishin më të ulëta se një vit më parë.

Qartësisht, situata u pa në javën e parë të korrikut, kur pavarësisht se në atë që njihet si pik, të vetmet që kishin një fluks turistik ishin fundjavat.

Kjo duket se bëri që hotelet të reflektonin dhe të aplikonin ulje të lehta çmimesh dhe njëkohësisht të bëheshin më agresive me reklamat në rrjete sociale nëpërmjet fushatave të sponsorizuara.

“Monitor” edhe këtë vit bisedoi me operatorë turistikë, struktura hoteliere si dhe krahasoi të dhënat në platformat e Booking dhe Airbnb për të parë çmimet këtë sezon, duke marrë çmimet mesatare më të ulëta dhe më të larta për një strukturë akomoduese të regjistruar formalisht dhe të kategorizuar.

Referencë merret dhoma dyshe për një natë në periudhën 15 korrik – 20 gusht.

Çmimet nuk janë tregues i nivelit më të ulët të mundshëm, por i një mesatareje të kombinuar të çmimeve më të lira që jepen nga tregu dhe platformat online dhe kjo vlen edhe për referencën mesatare të lartë.

Kush i uli çmimet e hoteleve, si po ndikon Kosova, diaspora dhe të huajt

Në përgjithësi, Jugu i vendit ka pasur një sezon veror më të vakët këtë vit. Strukturat hoteliere dhe operatorët turistikë thonë se kjo lidhet me disa faktorë.

Së pari po mungon shtesa e mesme e Kosovës, e cila ishte e gatshme të paguante pak më shumë dhe zgjidhte Jugun.

Këta të fundit, falë liberalizimit të vizave, por edhe zhvlerësimit që Euro ka pësuar përballë Lekut, kanë zgjedhur të eksplorojnë destinacione të reja.

Së dyti, shtresa e mesme në vend, e cila edhe ajo parapëlqente Jugun, ka pasur tendencën për të zgjedhur destinacione ekonomike në vende të tjera, të cilat kanë qenë mjaft agresive në konkurrencë.

Së treti, turisti i huaj që po viziton Shqipërinë nuk është ai që pëlqen pushimet pasive pranë detit dhe rërës.

Janë turistë europianë, kureshtarë, që e kanë parë Shqipërinë të reklamuar si një vend të lirë, që ofron shumë dhe për këtë arsye duan të marrin maksimumin me një kosto sa më të ulët.

Ndaj turistët e huaj nuk janë ata që masivisht i gjen te shezlonet, por në rrugët e qyteteve, në vendet me natyrë, në gjire me pak njerëz, në plazhe publikë, në parqe, kala e muze.

Pikërisht nga këto tre zhvillime, hotelet këtë vit nuk patën fluksin tipik të tre viteve të fundit dhe pikërisht kjo nxiti reflektim të strukturave që sipas operatorëve turistikë aplikuan një rishikim mesatar mes 5-25% të çmimeve.

Bëhet fjalë për strukturat me çmime mesatare dhe të larta dhe kryesisht të vendosura në pjesën e Jugut të vendit nga Vlora e në vazhdim.

Ndërkohë Durrësi ka vijuar të mbetet vendi më i frekuentuar nga turizmi i rërës dhe detit. Arsyet janë disa.

Së pari, si efekt i tipologjisë së bregdetit dhe strukturave akomoduese; së dyti, nga një raport më i mirë çmim/shërbim; dhe së treti, nga segmenti i turistëve të organizuar që kanë qenë me kontrata të parablera që vitin e shkuar.

Pjesa më veriore e vendit vijon të mbetet me çmime ekonomike, edhe pse fillimi i aktivitetit të disa strukturave të reja akomoduese që ofrojnë standard më të lartë shërbimi ka shtrenjtuar mesataren e sipërme të hoteleve.

Bregdeti i Shëngjinit dhe Velipojës kanë pasur këtë verë pjesën kryesore të atij që njihet si turizëm patriotik, që ka të bëjë më shumë me Kosovën.

Golemi dhe Durrësi i rezistojnë lëkundjes së verës, çmimet më ekonomike në vend

Durrësi dhe Golemi mbeten dy rajonet me raportin më të mirë çmim/shërbim.

Pavarësisht se për strukturat me kapacitet akomodues të konsiderueshëm, fokus kanë qenë nënshkrimi i kontratave me garanci për turizmin e organizuar kryesisht polakë, çekë, spanjollë në Gjirin e Lalëzit, turizmi individual është, edhe në këtë rast, ai që mban peshën kryesore.

Investimi në apartamente të dyta, vila me shumë dhoma për t’i kthyer në hotele apo edhe struktura hoteliere me kapacitet më të kufizuar, ka rritur ndjeshëm mundësinë për akomodim.

Operatorët turistikë thonë se ajo që po vihet re këtë verë është një ulje e çmimeve të mesatares së poshtme brenda sezonit, që ka të bëjë më shumë me tërheqjen e turistit nga Kosova, i cili po zgjedh gjithmonë e më shumë Veriun e vendit.

Ky rishikim korrigjon disi edhe humbjen nga zhvlerësimi që ka pësuar Euro përballë Lekut, ku bizneset kanë marrë përsipër që të heqin dorë nga marzhi i tyre i fitimit vetëm për t’u bërë tërheqës.

Kryesisht bëhet fjalë për hostele dhe vila me shumë apartamente që e kanë bërë që mesatarja e çmimeve minimale të nisë nga 35 euro nata për një dhomë dyshe.

Krahasuar me një vit më parë, mesatarja e çmimit të ulët ka pësuar ulje me 12.5%.

Ndërkohë strukturat e mëdha kanë shtuar opsionin “të gjitha të përfshira” duke qëndruar në mesataren e sipërme të çmimeve për 200 euro nata ndërsa ata që ofrojnë vetëm mëngjes, në një mesatare 180 euro, çka i përgjigjet një uljeje me 5% të çmimit.

Ksamili dhe Saranda reflektojnë njëkohësisht, ulin çmimet në korrik me 10-25%

Ksamili dhe Saranda që në vite të ndryshme u bënë kartolina turistike e Shqipërisë për verën zgjodhën që dy vitet e fundit t’i fokusonin shitjet te platformat online.

Tërheqja e turistëve individualë nga tregjet europiane u pa si një mundësi më e mirë sesa angazhimi me një turizëm të organizuar që ka qenë gjithmonë i modës për këtë rajon.

Precedenti i një viti më parë kur çmimet u rritën para sezonit dhe ulja e rezervimeve bëri që ky vit të niste me çmime të njëjta si sezonin e kaluar, por mungesa e fluksit ka bërë që në 10-ditëshin e parë të korrikut, çmimet të rishikoheshin sidomos në platformat online.

Operatorët turistikë të këtij rajoni pohojnë se për Sarandën, çmimi mesatar i poshtëm për një dhomë dyshe në një hotel është ulur në 50 euro, me një ulje me 17% në raport me një vit më parë, ndërsa mesatarja e sipërme është ulur me 25%.

Ksamili, nga ana tjetër, ka rishikuar me një ulje që luhatet në nivelet 12% për mesataren e sipërme të një dhome dyshe hoteli për rezervimet e gushtit, ndërkohë që mesatarja poshtme është ulur në 12%.

Edhe në këtë rast, për të dy rajonet, përveç një sezoni më të zbehtë në det nga ana e turistëve që po vizitojnë Shqipërinë, ndikim ka pasur edhe hyrja apo formalizimi i më shumë apartamenteve me qira ditore në treg, si dhe disa hotele të reja.

Kërkesa shtrenjton Borshin e Qeparoin, tregu rregullon Vlorën, Himara çmime më të mira

Një vit më parë, në Jug, Borshi ishte zona më ekonomike e bregdetit, të paktën në listën e fshatrave që nisin nga Palasa, Dhërmiu, Jali, apo Qeparoi.

Vija bregdetare e shtrirë dhe tipologjia që kanë bizneset së bashku me çmimet e bënë këtë rajon të preferuarin e familjarëve, por jo vetëm në vitin 2024.

Kjo ishte dhe arsyeja pse në fillim të sezonit, Borshi u piketua si një destinacion me rezervime të reja nga familjarët që donin të shmangnin Sarandën, Ksamilin.

Rritja e kërkesës, ende pa nisur rezervimet, duket se rriti automatikisht edhe çmimet, të cilat këtë shënuar rritje.

Kështu mesatarja e poshtme e çmimeve u rrit me 8%, ku një dhomë dyshe për një natë kushtonte 70 euro në një strukturë hoteliere nga 65 euro që ishte një vit më parë.

Ndërkohë që mesatarja e sipërme mbeti e pandryshuar. Qeparoi është një tjetër fshat që ka pasur rritje kërkese, por ndërkohë numri i subjekteve akomoduese mbetet i kufizuar.

Kjo ka bërë që edhe ky rajon të ketë rritje me 25% të atyre që konsiderohen si struktura me çmime të lira dhe 16% për ato që janë struktura me çmime mesatare të shtrenjta.

Dhërmiu, nga ana tjetër, ka mbetur thuajse njëlloj si vitin e shkuar me një ulje të lehtë në mesataren e poshtme të çmimeve, prej vetëm 5 eurosh.

Kjo qëndrueshmëri në të njëjtat nivele, lidhet me tipologjinë që ka fshati dhe mënyrën sesi është zhvilluar, ku hotelet vijojnë të mbeten në numër të kufizuar dhe kapaciteti është aktualisht i vendosur më shumë në banesa të përshtatura si hotele.

Krejt e kundërta ka ndodhur me Himarën. Kjo e fundit, edhe pse ka pasur një preferencë më të lartë të të huajve që e duan për jetën e natës, ambientin familjar dhe plazhet publike, sërish ka reflektuar me ulje çmimesh.

Operatorët turistikë vlerësojnë se në këtë rast kemi të bëjmë me një rregullim të tregut, ku formalizimi në njërën anë dhe konsolidimi i strukturave ekzistuese kanë bërë që tregu të reflektojë në bazë të këtyre zhvillimeve.

Në Himarë ka një ulje me 25% të mesatares së poshtme të çmimeve dhe një ulje me 10% të mesatares së sipërme.

E njëjta gjë duket se ka ndodhur me Vlorën, ku strukturat e reja që kanë hyrë në treg vitet e fundit e kanë bërë konkurrencën më agresive, si dhe kanë vendosur një qasje më realiste të çmimeve.

Në Vlorë, çmimet e mesatares së poshtme u ulën me 20%, ndërsa mesatarja e sipërme ka pësuar përgjysmim.

Kjo më së shumti lidhet me faktin që në mesataren e sipërme, në platforma shiteshin vetëm variantet luksoze dhe suitat, ndërkohë që tashmë mundësia për dhoma standarde dyshe është rritur.

Shëngjini dhe Velipoja rrisin çmimet “për luksin”, por jo për pushuesit ekonomikë

Të huajt në Veri parapëlqejnë të vizitojnë destinacionet malore me natyrë dhe aventurë. Plazhi mbetet pak i frekuentuar duke e bërë atë më së shumti një epiqendër të vendasve dhe shqiptarëve të Kosovës që duan çmime më të mira ofrojnë rajonet, qoftë në akomodim edhe në konsum bar-restorant.

Por duket se investimet në struktura të reja akomoduese, që kanë rritur segmentin cilësor, janë shoqëruar me rishikimin e çmimeve mesatare të larta.

Kështu sipas të dhënave, çmimet në mesataren e poshtme kanë pësuar rënie me 10% në Velipojë, ku një dhomë standarde dyshe mund të gjendet për 40 euro, teksa kanë rritur me afërsisht 5% çmimet mesatare të sipërme.

Në Shëngjin, nga ana tjetër, çmimi minimal i poshtëm ka mbetur njësoj me 45 euro nata për një dhomë dyshe në një strukturë akomoduese, teksa çmimi mesatar i sipërm është rritur me mbi 15% por duke shtuar këtu opsionin e darkës.

Pa këtë opsion, çmimet mbeten të njëjta si një vit më parë, 120 euro/nata. (MONITOR) m.p.

“Po çlodh kockat e mia para se të shkoj 30”, Dua Lipa pushon në Shqipëri

Vera e ka gjetur sërish në Shqipëri këngëtaren me famë ndërkombëtare Dua Lipa.

Pas festivalit Sunny Hill në Kosovë, Dua Lipa sëbashku me partnerin e saj Calum Turner dhe familjen e Këngëtares, u nisën drejt jugut të Shqiëprisë.

Për të disatin vit radhazi Dua zgjedhe jugun e Shqipërisë, në një nga vilat dhe zonat më luksoze në vend, të kalojë disa ditë pushime. m.p.

❌