Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

6 të vdekur nga uria në Gaza në 24 orët e fundit

Gjashtë persona të tjerë kanë vdekur në Rripin e Gazës nga uria dhe kequshqyerja në 24 orët e fundit, njoftoi të dielën ministria e shëndetësisë e enklavës palestineze.

Vdekjet e reja sipas ministrisë e çuan numrin e të vdekurve në 175, përfshirë 93 fëmijë. Televizioni egjiptian Al Kahira News raportoi më parë se dy kamionë që transportonin 107 ton karburant do të hynin në Gaza. Ministria e Shëndetësisë e Gazës paralajmëron se mungesa e karburantit ka kompromentuar ndjeshëm funksionimin e spitaleve, që do të thotë se mjekët mund të trajtojnë vetëm të sëmurët rëndë dhe të plagosurit.

Furnizimet me karburant në enklavë kanë qenë të rralla që nga marsi, kur Izraeli kufizoi aksesin në mallra dhe ndihmë humanitare, duke pretenduar se po ushtronte presion mbi militantët e Hamasit për të liruar pengjet e mbetura izraelite që i rrëmbyen më 7 tetor 2023.

Izraeli fajëson Hamasin për vuajtjet në Gaza, por pas presionit në rritje nga bashkësia ndërkombëtare, njoftoi hapa javën e kaluar për të dërguar ndihma për popullsinë e enklavës, duke përfshirë ndërprerjen e luftimeve në disa pjesë të Rripit të Gazës, autorizimin e dërgimit të ndihmës nga ajri dhe mbrojtjen e disa rrugëve për konvojet humanitare.

Kombet e Bashkuara paralajmërojnë se dërgimi i ndihmës nga ajri nuk është i mjaftueshëm dhe se Izraeli duhet të lejojë akses shumë më të madh nga toka.

Zyra e medias e qeverisë në Gaza njoftoi të dielën se që nga lehtësimi i kufizimeve në korrik, gati 1,600 kamionë me ndihma kanë hyrë në enklavë.

Dëshmitarët dhe burimet e Hamasit pohojnë se shumë prej tyre u plaçkitën nga bandat e armatosura dhe banorët e uritur. m.p.

Papa Leoni: Ne jemi me të rinjtë e Gazës dhe Ukrainës

Në përfundim të Meshës përmbyllëse të Jubileut të Rinisë, Papa Leoni kujtoi të rinjtë e Gazës, Ukrainës dhe të vendeve të tjera në luftë, të cilët nuk mundën t’u bashkohen festimeve.

“Jemi më afër se kurrë të rinjve që vuajnë nga të këqijat më të rënda, të cilat shkaktohen nga qenie të tjera njerëzore”, tha Leo. “Ne jemi me të rinjtë e Gazës. Ne jemi me të rinjtë e Ukrainës, me ata të çdo vendi të përgjakur nga lufta.”

“Vëllezërit dhe motrat e mia të reja, ju jeni shenja se një botë tjetër është e mundur. Një botë vëllazërie dhe miqësie, ku konfliktet nuk zgjidhen me armë, por me dialog.”

Të rinjtë ngritën kampe në fusha të gjera në juglindje të Romës gjatë natës, pas pjesëmarrjes në një shërbim vigjiljeje të shtunën, të kryesuar po ashtu nga Papa Leo, i cili u transportua nga Qyteti i Vatikanit me helikopter.

Festimi i veçantë për Jubileun është pjesë e Vitit të Shenjtë, që pritet të tërheqë 32 milionë pelegrinë në Vatikan për pelegrinazhin shekullor në selinë e katolicizmit.

Vatikani njoftoi se më shumë se 1 milion të rinj ishin të pranishëm, së bashku me 7,000 priftërinj dhe 450 peshkopë.

Gjatë predikimit të së dielës, Papa Leo i nxiti pjesëmarrësit që “të përhapin entuziazmin dhe dëshminë e besimit tuaj” kur të kthehen në shtëpi në më shumë se 150 vende të botës. m.p.

Kush është Flodian Plaku? U kap me dy armë me vete

Policia e Shtetit, në bashkëpunim me RENEA-n dhe Forcat e Posaçme Operacionale kanë arrestuar sot në Orikum një nga personat më të kërkuar të botës së krimit në vend, Florian Plakun nga Vlora.

Flodian Plakun, 42 vjeç nga Vlora, i njohur ndryshe si “vrasësi me tre emra” për shkak të identiteteve të shumta që kishte përdorur ndër vite: Plaku, Serjani dhe Mamo u shpall në kërkim ndërkombëtar një vit më parë si një nga vrasësi e ish-policit Gentjan Bejtja.

Në momentin e ndalimit, Plakut iu gjetën dy armë zjarri që i mbante pa leje.

Flodian Plaku konsiderohet me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe ka qenë në kërkim ndërkombëtar për vrasjen me paramendim të Gentjan Bejtjas, ngjarje e ndodhur më 15 mars 2024 në fshatin Larushkë të Fushë-Krujës.

Sipas të dhënave zyrtare, ekzekutimi i Bejtjas, ish-punonjës i Policisë, dyshohet të jetë kryer në kuadër të një hakmarrjeje brenda grupeve kriminale. Autoritetet shqiptare dhe Interpol Tirana e kishin shpallur Plakun në kërkim ndërkombëtar që prej muajit korrik, ndërsa dyshohej se fshihej në Spanjë apo Dubai.

Identifikimi i Plakut si autor i vrasjes u bë përmes një hetimi të thelluar kriminal dhe shkencor. ADN-ja e tij u gjet në një automjet tip Golf 7, që dyshohet të jetë përdorur për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.

Ai kishte qenë më herët i arrestuar për trafik droge, çka bëri që të kishte profile ADN-je në sistemin e Policisë Kriminale. Hetuesit siguruan gjithashtu të dhëna të rëndësishme nga agjencitë e udhëtimit dhe lëvizjet e tij në kufi.

Bashkë me të, autoritetet kanë hetuar edhe dy persona të tjerë të dyshuar si bashkëpunëtorë: Ilir Beqaraj (alias Ilir Brahimi dhe Ilir Mançellari), i arrestuar për pjesëmarrje në vrasje, mbajtje dokumentesh false dhe armëmbajtje pa leje, si dhe Edison Haxhiu, i akuzuar për sigurimin e mjeteve për të kryer krimin. m.p.

Sherri me thika në Vlorë, publikohen pamjet nga përleshja mes dy të rinjve

Pamjet e siguruara nga kamerat e sigurisë kanë hedhur dritë mbi sherrin e dhunshëm në zonën e “Ujit të ftohtë” në Vlorë, ku mbetën të plagosur tre persona.

Nga pamjet e regjistruara mbrëmjen e djeshme në qytetin e Vlorës, shihet se si dy të rinjtë Kristi Konstandini dhe Indrit Halili, konfliktohen fizikisht me grushte, ndërsa Halili nxjerr thikën dhe e qëllon disa herë në trup Kristi Konstandinin.

Në këto pamje tronditëse shihet një vajzë që përpiqet të ndalojë sherrin, por përplasja vijon me agresivitet, duke vënë në rrezik edhe jetën e saj.

Ngjarja e rëndë u regjistrua rreth orës 21:30, ku të plagosur mbetën shtetasi M. F., 39 vjeç dhe Kristi Konstandini 32 vjeç, të cilët ndodhen në spitalin e qytetit, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën, si dhe Indrit Halili i cili ishte personi që goditi me thikë.

Pas ndihmës së parë në spital, Halili u arrestua nga Policia dhe akuzohet ër veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”.

Më herët të afërm të Kristi kanë deklaruar se i riu doli jashtë dyqanit ku po qëndronte për të mbështetur shitësen e cila nuk po largonte dot Halilin nga ambienti i dyqanit ku shiteshin biçikleta dhe monopatina. m.p.

Bllokohen 20 mjete lundruese, përbënin rrezik për pushuesit

Njësia Policore Detare dhe Policia Kufitare, gjatë monitorimeve për rritjen e sigurisë detare gjatë kësaj jave, kanë bllokuar 20 mjete lundruese për shkelje të ndryshme.

8 prej mjeteve lundruese janë konstatuar duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë, duke rrezikuar jetën e pushuesve.

Drejtuesit e tyre janë ndëshkuar me masë administrative prej 100.000 lekësh secili.

Ndërkohë, nga Ksamil në Velipojë, Policia Kufitare ka ndërhyrë në 8 raste emergjente, për t’u ardhur në ndihmë 11 shtetasve, që kishin mbetur në rrezik për shkak të dallgëve të forta apo defekteve në mjetet e tyre lundruese. m.p.

Banaku ku punonte 12-vjeçari falimentoi pas reklamës së Fevziut

Pas promovimit nga gazetari Blendi Fevziu, i cili vlerësoi sipërmarrjen e një 12-vjeçari që shiste limonadë në rezidencën luksoze Green Coast, realiteti në terren rezultoi ndryshe.

Sot banaku ishte bosh gjatë gjithë ditës. Askush nuk u paraqit për të shitur dhe banorët nuk kishin informacion nëse do hapej sërish, shkruan Gazeta Tema.

Sipas tyre, 12-vjeçari banon në një vilë luksoze në Green Coast dhe nuk është fëmijë në nevojë, siç mund të linte të nënkuptohej nga reklama.

Mbyllja mund të lidhet me faktin se ishte ditë pushimi ose me shqetësimin për ndonjë ndërhyrje nga inspektorati i punës për punësim të të miturve. Në çdo rast, reklama ndonjëherë mund të bëjë më shumë dëm se mirë. m.p.

Ish-futbollisti “Çekiçi”: Rama më sulmoi lagjen, nuk pendohem!

“Çekiçi 14”, Konstadin Dramolli është i riu që para dy ditësh në shenjë proteste kundër vendimit të kryeministrit Rama për lirimin e hapësirave publike vendosi të thyejë xhamat e bashkisë së Korçës.

Duket se nervozizmi i të riut ka ardhur për shkak sepse krahas lokaleve, punonjësit e bashkisë kanë shkulur edhe disa lule dekorative në lagjen e tij ditë më parë, duke i shkulur ato.

“E ka marrë vesh gjithë Shqipëria incidentin, e bëra dhe viral se populli nuk duhet të jetë shumë i fjetur, duhet të çohet e të tregojë se kush është karakteri i vërtet që ka njeriu. Kjo është arsyeja përse e kam bërë. Këtu në vendin ku ndodhem unë është e rrënuar, janë lokalet, të shkatërruara. E dha urdhrin Edi Rama, mori Sotiraqin në telefon dhe e shkatërruan lagjen time. Çfarë lidhje ka kjo, të heqim karriget, heqim barishtet. Edhe tavolinat, është gabim. Nga ato 4 tavolina njerëzit ushqehen. Ka shumë familjarë që nga katër tavolina nxjerrin bukën e gojës. Ka sulmuar disa lokale në Korçë, nuk janë sjellje prej kryeministri. Duhet të shohë popullin, që ka nevojë. Duhet të ngrejë rrogat. Unë merrem me rep por e mbaj e postin e kryeministrit një ditë”, thotë i riu për mediat.

I pyetur nëse është penduar për veprimet e tij, Dramolli tha: “Nuk pendohem unë, ishte vendim i drejtë. Nuk duhet të flesh gjumë. Ndihem mirë. Edhe burg e bëj. Kam qenë i dënuar. Jam rritur në geto. Shoqëria ime është gango”. m.p.

Stuhia e dëborës godet Australinë!

Disa qytete në Australinë lindore janë mbuluar nga reshjet e dendura të dëborës, ndërsa moti i keq goditi kontinentin gjatë fundjavës.

Autoritetet njoftuan se reshjet intensive shkaktuan përmbytje, bllokim të automjeteve dhe ndërprerje të furnizimit me energji elektrike për mijëra shtëpi.

Sipas Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave, moti pritet të përmirësohet gjatë ditës së sotme, me parashikime që flasin për deri në 50 cm borë në disa zona.

Zonat në pjesët veriperëndimore të shtetit të Anglisë së Re regjistruan reshjet më të dendura të borës në 20 vitet e fundit, sipas raportimeve të transmetuesit shtetëror ABC. Ndërkohë, Queensland përjetoi reshjet e para të borës pas një dekade, sipas gazetës Sydney Morning Herald. m.p.

Fyerjet ndaj shqiptarëve në Kumanovë, Spiropali: Shkupi të reagojë!

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka reaguar ashpër ndaj thirrjeve të egra antishqiptar që u hodhën në Kumanovë, gjatë ndjeshjes së Basketbollit ndërmjet RMV-së dhe Rumanisë.

Reagimi i Elisa Spiropalit

Ngjarja e djeshme në Kumanovë, ku një ndeshje basketbolli u njollos nga thirrje ekstremisht fyese dhe përjashtuese ndaj shqiptarëve, është e papranueshme dhe një kujtesë se rruga drejt një shoqërie të drejtë, gjithëpërfshirëse dhe të respektit të ndërsjellë kërkon angazhim të pandërprerë.

Gjuha e urrejtjes që nxit dhunën, konfliktin etnik dhe racizmin, nuk ka vend në asnjë hapësirë publike, e aq më pak në sport, që në thelb të tij mbart frymën e bashkimit, të bashkëpunimit, të lojës së ndershme dhe të respektit ndaj tjetrit.

Vlerësoj reagimin e institucioneve të RMV, duke kërkuar njëkohësisht reagim edhe më fortë publik të zyrtarëve më të lartë të vendit mik.

Bashkëjetesa ndëretnike në Maqedoninë e Veriut është një vlerë e përbashkët në rrugën europiane, që duhet ruajtur dhe kultivuar me përgjegjësi nga të gjithë faktorët në rajon, përmes veprimit, qëndrimeve dhe shembullit.

Sjellja korrekte në fusha, në tribuna dhe në institucione flet shumë për vizionin tonë për të ardhmen.

Shqipëria dhe shqiptarët mbeten të palëkundur në promovimin e një bashkëjetese model dhe larg ndasive të dala mode e boje. m.p.

Sot, dita e fundit për të përzgjedhur 10 programet e studimit

Të gjithë maturantët, të cilët duan të vijojnë studimet e larta në universitete, sot, 3 gushti është afati i fundit që të aplikojnë për programet që dëshirojnë të ndjekin përmes portalit “U-Albania”.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu u ka kujtuar të gjithë maturantëve në një postim në rrjetet sociale se “sot është dita e fundit për të përzgjedhur 10 programet e studimit në raundin e parë të aplikimit në universitetet tona”.

Më herët, ministrja Manastirliu bëri me dije se procesi i aplikimit dhe regjistrimit realizohet online në portalin universitar “U-Albania”.

Kandidatët, përpara aplikimit për zgjedhjen e preferencave në portalin e aplikimit universitar, kryejnë pagesën e tarifës së aplikimit në vlerën 2000 lekë, në zyrat e Postës Shqiptare apo në bankat e nivelit të dytë, nëpërmjet faturës për arkëtim, të cilën e shkarkojnë në portalin “U-Albania”.

Pagesa kryhet deri në datën 28 korrik 2025. Pas dorëzimit të mandatit të pagesës, sekretaritë e shkollave konfirmojnë pagesën e kryer brenda datës 28 korrik, në portalin “U-Albania”.

Më tej, realizohet aplikimi online dhe për këtë periudha e përcaktuar është 29 korrik deri në 3 gusht. Në këtë periudhë, maturantët zgjedhin 10 programe studimi. m.p.

Politikani dënohet me burgim të përjetshëm pasi përdhunoi punëtoren e tij

Një gjykatë në shtetin Karnataka të Indisë ka dënuar me burgim të përjetshëm politikanin 34-vjeçar Prajwal Revanna, i cili u shpall fajtor për përdhunimin e punëtores së tij shtëpiake.

Revanna, një figurë e njohur në politikën indiane dhe nip i ish-kryeministrit H. D. Gowda, e ka mohuar fajësinë dhe ka të drejtën të apelojë vendimin. Ai është gjithashtu nën hetim për dy raste të tjera përdhunimi dhe një rast ngacmimi seksual, për të cilat gjithashtu pretendon pafajësi.

Sipas BBC News, rasti i Revanna u bë publik në vitin 2023, kur në rrjetet sociale u shpërndanë video tronditëse që tregonin akte dhune seksuale, me protagonist vetë politikanin. Pamjet shkaktuan zemërim në mbarë vendin. Megjithëse vetë ai nuk bëri komente të drejtpërdrejta, përfaqësues të zyrës së tij i cilësuan videot si “të manipuluara”.

Revanna është anëtar i partisë Janata Dal, që aktualisht është në aleancë me partinë qeverisëse BJP të kryeministrit Narendra Modi. BBC vë në dukje se është e rrallë që një figurë me një profil kaq të lartë politik të dënohet për krime të tilla në Indi, gjë që ka sjellë edhe më shumë vëmendje mbi rastin. m.p.

U kapën me kanabis në makinë, pranga tre të rinjve në Kukës

Tre persona janë arrestuar dhe një tjetër është proceduar në gjendje të lirë në Kukës, pasi gjatë kontrollit të policisë u është gjetur lëndë narkotike.

Blutë e Kukësit bëjnë me dije se tre të rinjtë janë arrestuar në kushtet e flagrancës, teksa qarkullonin me një automjet, në të cilin u gjet kanabis.

“Nga kontrollet e vazhdueshme që ushtrohen për evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë, shërbimet e DVP Kukës, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, kanë goditur dy raste në fushën e narkotikëve. Në qytet, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin me drejtues shtetasin D. D., dhe pasagjerë shtetasit G. Sh. dhe V. E. Gjatë kontrollit fizik të tyre, iu gjetën sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa, e ndarë në 14 doza, me qëllim shitjen. Në përfundim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Narkotikëve arrestuan në flagrancë shtetasit D. D., 20 vjeç, G. Sh., 18 vjeç, dhe V. E., 27 vjeç, banues në Shëmri dhe Kukës. Po nga këta specialistë, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. R., 28 vjeç, banues në Kukës, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjet një sasi e vogël lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa”, njofton policia. m.p.

Kimmich mahnitet nga blerja e re e Bayern: Ju tregoj pse Luis Diaz është special

Vera e Bayern Munich vazhdoi me një fitore, duke mposhtur Lyon 2-1 në një ndeshje miqësore ditën e djeshme.

Ishte një sfidë e rëndësishme për bavarezët, pasi shënoi debutimin e blerjes së madhe në merkato, Luis Diaz (i blerë për 75 milionë euro nga Liverpool).

Mesfushori Joshua Kimmich foli për kanalet zyrtare të klubit në lidhje me ndeshjen kundër Lyon dhe kolumbianit:

“Sidomos në pjesën e dytë, patëm një ose dy raste të mira. Mund të kishim shënuar një ose dy gola të tjerë.

“Mund të vihej re se nuk po fillonim nga e para, por që tashmë kishim një ritëm të caktuar.

“Luis Diaz është një lojtar që e do futbollin dhe gjithmonë ka një buzëqeshje në fytyrë”. m.p.

E huazoi para një muaji, Monaco pendohet për lojtarin e Barcelonës

Pas një sezoni komplet në hije te Barcelona, Ansu Fati u largua sërish nga katalanasit këtë verë dhe u dërgua në huazim te Monaco, me shpresën për të “shpëtuar” karrierën.

Edhe pse ka gati një muaj te Monaco dhe në këtë periudhë klubi i Principatës ka luajtur 6 ndeshje miqësore, Ansu Fati nuk është aktivizuar në asnjërën prej tyre. Kjo gjë ka ngjallur dyshime te tifozët dhe jo vetëm, madje disa media franceze raportuan se Monaco mund të ishte bërë pishman kaq shpejt për marrëveshjen me Barcelonën për Ansu Fati.

Për të hedhur poshtë këto dyshime, ka reaguar trajneri i Monaco-s, Adi Hütter, i cili ka konfirmuar se spanjolli po ndjek një program të personalizuar. Sipas trajnerit është rënë dakord që lojtari të mos përfshihej në ndeshjet miqësore mënyrë që të përgatitej më mirë për sezonin e ardhshëm dhe të sigurohet që të mos të përsëritet më “makthi” i lëndimeve. Kujtojmë se Ansu Fati është huazuar te Monaco me të drejtë blerjeje. m.p.

A do ta ndryshojë presioni i Trump rrjedhën e luftës në Ukrainë?

Pak kohë pasi i dha Rusisë një afat prej dhjetë ditësh për ta ndalur luftën në Ukrainë, presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi qartë më 31 korrik se Shtetet e Bashkuara do të “vendosin sanksione” ndaj Moskës për shkak të mungesës së përparimit drejt një armëpushimi apo marrëveshjeje paqeje me Kievin.

Në të njëjtën kohë, ai tha se nuk është e qartë nëse ndëshkimet financiare do ta shtyjnë presidentin rus, Vladimir Putin, drejt një armëpushimi dhe u tha gazetarëve se i dërguari i tij i posaçëm, Steve Witkoff, do të udhëtojë drejt Moskës pas një vizite në Izrael, ku kishte arritur më 1 gusht.

Nëse Trumpi vendos sanksione ndaj Rusisë para ose pas afatit dhjetëditor, që pritet të skadojë më 8 gusht, do të ishte hera e parë që ai do të penalizonte Kremlinin pas më shumë se gjashtë muajsh që kur nisi mandatin e dytë presidencial. Gjatë fushatës për zgjedhjet presidenciale, Trump kishte premtuar se shpejt do të ndërmjetësonte përfundimin e luftës më të madhe në Evropë që nga viti 1945.

Kërcënimi për sanksione të reja vjen teksa Rusia po përparon në fushëbetejë dhe po godet qytetet ukrainase me sulme ajrore, përfshirë një sulm me raketa dhe dronë që vrau të paktën 31 persona – pesë prej tyre fëmijë – në Kiev gjatë kësaj jave. Këto sulme të vazhdueshme Trump i quajti “të neveritshme” gjatë një deklarimi më 31 korrik.

A mund të çojë kjo në një pikë kthese në luftë? Ja çfarë duhet përcjellë me vëmendje.

A do të bëjë Witkoff ndryshimin?

Teksa Trump la të kuptohet se vendosja e sanksioneve tani është e pashmangshme, dërgimi i Witkoffit në Rusi – i cili që nga janari është takuar disa herë me Putinin – mund të jetë përpjekja e fundit për ta shtyrë Kremlinin të lëvizë nga qëndrimet para skadimit të afatit.

Por, gjasat për këtë duken të vogla, dhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se bisedimet e paparalajmëruara gjatë kësaj jave “me disa njerëz të afërt të Putinit” nuk sollën asnjë përparim “në arritjen e një mirëkuptimi për një rrugë përpara që do të çonte drejt paqes”.

Tri runde bisedimesh të drejtpërdrejta në Stamboll gjatë majit dhe qershorit po ashtu nuk i afruan Rusinë dhe Ukrainën në çështjet kryesore që pengojnë arritjen e një armëpushimi apo të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të paqes.

“Rusia nuk do të bëjë më asnjë lëshim”, tha për Current Time më 1 gusht komentatori politik me seli në Pragë, Ivan Preobrazhensky.

“Kremlini e kuptoi se Trumpi e ka marrë vesh që po e mashtrojnë. Si rezultat, Moska po përgatitet për një prishje të marrëdhënieve – duke u kthyer në formatin që ishte rreth gjashtë muaj më parë, gjatë presidencës së Joe Bidenit”.

Ana tjetër e medaljes: Putin mund ta shohë vizitën e Witkoffit si një mundësi për të bindur Shtëpinë e Bardhë që të tërhiqet nga kërcënimi për sanksione ose të ndryshojë rrjedhën aktuale, duke vendosur një pjesë të madhe të fajit te Kievi për mungesën e përparimit drejt paqes, siç kishte bërë Trumpi deri në javët e fundit, kur nisi të shprehte gjithnjë e më shumë zemërim ndaj Rusisë.

Edhe pse kohët e fundit Trump ka drejtuar kritikat e tij ndaj Moskës, ai ka theksuar gjithashtu se për të arritur një marrëveshje duhen dy palë, dhe se Ukraina duhet të bëjë “atë që duhet bërë” për t’i dhënë fund luftës.

“Të dyja palët, si Rusia ashtu edhe Ukraina, duhet të negociojnë një armëpushim dhe një paqe të qëndrueshme. Ka ardhur koha për marrëveshje”, tha më 31 korrik John Kelley, ushtrues i detyrës së përfaqësuesit të SHBA-së në Kombet e Bashkuara.

Edhe pse Ukraina është pajtuar me një armëpushim të propozuar nga Trumpi, Rusia nuk është pajtuar. Por, Moska mund ta shohë si mundësi këtë që ta shtyjë Uashingtonin për t’i bërë presion Kievit për koncesione.

Çfarë sanksionesh, dhe a do të funksionojnë?

Trump nuk ka treguar saktësisht se çfarë sanksionesh planifikon të vendosë, por ka bërë të qartë se ato mund të përfshijnë “tarifa shumë të ashpra” ndaj vetë Rusisë dhe, siç tha më 28 korrik, “ndoshta… tarifa dytësore” ndaj vendeve që tregtojnë me Moskën.

Të parat, pra tarifat ndaj Rusisë, do të kishin pak ndikim, sipas analistëve, pasi ata argumentojnë se vëllimi i tregtisë SHBA-Rusi është i vogël. Por, tarifat dytësore mund të jenë shumë më domethënëse, sidomos kur bëhet fjalë për naftën dhe gazin, eksportet më fitimprurëse të Rusisë. Në një intervistë për Fox News Radio, sekretari i Shtetit, Marco Rubio, tha se eksportet e naftës i sjellin Rusisë “një pjesë të madhe” të të ardhurave.

Megjithatë, ka rreziqe: Kina, India dhe Turqia janë blerësit më të mëdhenj të naftës së papërpunuar ruse dhe gjithashtu ndër klientët kryesorë për produktet e saj të rafinuara. Prandaj, tarifat dytësore mund të ndërlikojnë marrëdhëniet me këto vende.

Ndërkaq, përfitimet nga këto veprime mbeten të pasigurta, pasi Kremlini nuk po jep asnjë shenjë se është i gatshëm të bëjë lëshime, ndërsa Kina duket e painteresuar të heqë dorë nga mbështetja për luftën e Rusisë në Ukrainë.

Rubio tha se presidenti Trump ka “shumë opsione,” përfshirë sanksionet dytësore ndaj shitjeve të naftës ruse dhe “sanksione sektoriale ndaj sistemit bankar, që do të ishin gjithashtu shumë të fuqishme”.

Por, gjatë deklarimit më 31 korrik, vetë Trump e minimizoi mundësinë që masat ndëshkuese ta bindin Putinin.

“Nuk e di nëse sanksionet e shqetësojnë atë”, tha ai.

A do të tregojë interes Trumpi apo do të tërhiqet?

Përveç sanksioneve, një pyetje thelbësore është nëse Trump do të vazhdojë të tregojë interes për t’i dhënë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës në muajt në vijim, apo do të tërhiqet, siç ai vetë dhe zyrtarë të tjerë të administratës amerikane kanë sugjeruar vazhdimisht se mund të ndodhë.

Në një moment të caktuar, Trump do të duhet të vendosë “nëse ia vlen të vazhdohen përpjekjet për të arritur armëpushim, nëse njëra nga dy palët nuk është e interesuar për të”, tha Rubio, duke shtuar se “është e qartë se presidenti nuk do të presë në pafundësi”.

Që para zgjedhjes së tij në postin e presidentit, Trump kishte lënë të kuptohej se mund të përdorte një kombinim të sanksioneve ndaj Rusisë dhe mbështetjes për Kievin, kryesisht përmes furnizimit me armë, për të shtyrë të dyja vendet drejt një marrëveshjeje të paqes.

Sa i përket çështjes së armëve për Kievin, mbetet e paqartë se sa larg është i gatshëm të shkojë presidenti Trump. Më 14 korrik, kur ai vendosi një afat prej 50 ditësh për paqe – afat që këtë javë e shkurtoi në 10 ditë – ai po ashtu njoftoi për plane për të forcuar arsenalin e Ukrainës, por jo përmes dërgesave të drejtpërdrejta të armëve.

Në vend të kësaj, ai përmendi një marrëveshje, sipas së cilës vendet anëtare të NATO-s do të dërgonin armët ekzistuese, si sistemet raketore Patriot, në Ukrainë dhe më pas do t’i zëvendësonin ato duke blerë armë të reja nga SHBA-ja, ose thjesht do të blinin armë amerikane dhe do t’ia dërgonin ato Kievit.

Por, ka pikëpyetje se sa armë do të arrijnë në Ukrainë në këtë mënyrë në të ardhmen e afërt, dhe sa shpejt do të dorëzohen ato.

Ndërkohë, Trump nuk ka autorizuar ende dërgesa të reja armësh për Ukrainën përmes një programi që ishte përdorur shpesh nga paraardhësi i tij, Joe Biden, e që i jep presidentit të drejtën të dërgojë armë nga stoqet ekzistuese. Kur Trump mori detyrën, ishin rreth 4 miliardë dollarë në Autoritetin Presidencial (PDA)./REL

Zjarr i përmasave të mëdha raportohet në Orikum

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë pasditen e sotme një sipërfaqe me bimësi të thatë në hyrje të Orikumit.

Flakët janë përhapur me shpejtësi për shkak të erës, por falë ndërhyrjes së zjarrfikësve të Vlorës, zjarri është vendosur në kontroll pa rrezikuar banesat.

Forcat zjarrfikëse vijojnë punën për shuarjen e plotë të vatrës. m.p.

Gjermani, mbështetja për AfD-në rritet sërish, vetëm 2% pas CDU/CSU

Mbështetja për partinë e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) është rritur në 25 përqind, sipas një sondazhi nga firma e hulumtimit të opinionit publik INSA.

Kjo rritje ndodh për herë të parë që nga mesi i majit, raportoi të dielën agjencia gjermane e lajmeve dpa. Sondazhi, i kryer çdo javë për numrin e së dielës të gazetës Bild, regjistroi një rritje të popullaritetit të partisë me një pikë përqindjeje.

Një tjetër kompani sondazhesh e opinionit publik, Forsa, raportoi gjithashtu së fundmi se partia anti-emigrante AfD, gëzon 25 përqind mbështetje.

AfD vazhdon të luftojë për vendin e parë në sondazhe, muaj pasi blloku konservator i kancelarit Friedrich Merz fitoi zgjedhjet parlamentare në shkurt.

Në sondazhin e INSA-s, partitë e tjera ruajtën mbështetjen e regjistruar javën e kaluar.

Bashkimi Kristian Demokrat (CDU) dhe partia e saj simotër në Bavari, Bashkimi Kristian Social (CSU), mbajtën vendin e parë me 27 përqind mbështetje, ndërsa partneri i tyre i koalicionit, Partia Social Demokratike (SPD), ka 15 përqind.

Të Gjelbrit kanë 11 përqind mbështetje dhe partia e ekstremit të majtë Die Linke ka 10 përqind.

Aleanca populiste Sahra Wagenknecht (BSW) ka katër përqind mbështetje, sipas sondazhit, dhe Partia Liberale Demokratike (FDP) ka tre përqind. m.p.

Një ruse provon pushime në Korenë e Veriut, e para në histori!

Koreja e Veriut ka hapur dyert për turistët rusë dhe ndër të parët që e shfrytëzoi këtë mundësi ishte 33-vjeçarja Anastasiya Samsonova. Ajo kaloi një javë në vendpushimin e sapohapur Wonsan-Kalma, i cili u përurua personalisht nga Kim Jong Un.

“Na pëlqeu shumë. Pamë vetëm gjëra të bukura, u ndiem plotësisht të lirë”, i thotë Anastasiya, BBC-së. Edhe pse vendpushimi ofron plazhe me rërë të bardhë, det të shkëlqyer dhe hotele moderne, fotot e saj tregojnë shezlongje të shkreta dhe dhoma ngrënieje bosh.

Arsyeja është se vetëm rusët janë aktualisht të mirëpritur midis të huajve.

“Hoteli ishte krejt i ri, gjithçka ishte dekoruar bukur, infrastruktura ishte shumë e zhvilluar”, thotë ajo.

Kur e pyetën pse nuk zgjodhi Turqinë apo Tajlandën, ajo përgjigjet se ajo dhe shoqet e saj donin të shihnin se si ishte jeta në atë vend misterioz.

Popullariteti në rritje i Koresë së Veriut midis rusëve vjen në kontekstin e marrëdhënieve gjithnjë e më miqësore midis Moskës dhe Phenianit pas fillimit të pushtimit të Ukrainës nga Rusia. Ushtarët e Koresë së Veriut ndihmuan në rajonin Kursk të Rusisë, ndërsa mollët dhe birra e Koresë së Veriut tani mund të gjenden në raftet e dyqaneve në Lindjen e Largët Ruse. Kohët e fundit, ka edhe fluturime direkte midis Moskës dhe Phenianit.

Agjencia turistike Vostok Intur me seli në Moskë tani ofron dy ture në javë dhe drejtoresha e saj Irina Kobeleva e vlerëson destinacionin.

“Koreja e Veriut është një vend i jashtëzakonshëm, krejtësisht i ndryshëm nga pjesa tjetër e botës. Nuk ka reklama në rrugë dhe madje asfalti është i larë”, thotë ajo. m.p.

Zelensky: Po punojmë për një takim të ri me Moskën

Ndërsa konflikti mes Ukrainës dhe Rusisë vazhdon të përshkallëzohet, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky njoftoi në një postim në Telegram se janë duke punuar për një takim të ri me Moskën në Stamboll.

“Ne diskutuam rrugën e negociatave me Sekretarin e Këshillit të Sigurisë dhe Mbrojtjes Kombëtare të Ukrainës, Rustem Umerov, dhe Shefin e Kabinetit, Andriy Yermak, në veçanti zbatimin e marrëveshjeve të arritura gjatë takimeve me palën ruse në Stamboll dhe përgatitjen e një takimi të ri”, shkroi ai.

Zelensky theksoi se një nga çështjet kryesore është shkëmbimi i të burgosurve të luftës.

“Ndër çështjet kryesore është vazhdimi i shkëmbimeve të të burgosurve të luftës. Është rënë dakord për një shkëmbim prej 1,200 personash dhe po punohet për listat. Sekretari i Këshillit raportoi për komunikimin me përfaqësuesin rus. Po punojmë gjithashtu për të zhbllokuar kthimin e civilëve tanë, duke verifikuar të dhënat për secilin mbiemër”, nënvizoi Zelensky.

Me pas, Yermak “raportoi mbi ndërveprimet me partnerët kryesorë që mbështesin diplomacinë tonë, veçanërisht kontaktet me palën amerikane, dhe mbi përpjekjet për të kthyer fëmijët që u rrëmbyen dhe u çuan në Rusi”, shtoi ai. m.p.

❌