Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Skandal në Premier League! Yjet e futbollit kanë trukuar ndeshje

Premier League është përfshirë në një skandal të ri, pasi një ish-shef i policisë suedeze ka deklaruar se disa futbollistë të kampionatit anglez kanë qenë të përfshirë në trukime ndeshjesh dhe baste të paligjshme.

Fredrik Gardare, i cili ka udhëhequr hetime të nivelit të lartë mbi krimin e organizuar dhe manipulimin në sport, ka thënë se gjatë një bastisjeje në një kazino të paligjshme në vitin 2021, policia konfiskoi telefona që përmbanin prova të qarta se lojtarë të Premier League kishin marrë pjesë në manipulime rezultatesh, përfshirë baste mbi kartonë të verdhë, goditje këndi dhe elementë të tjerë të lojës.

Gardare ka qenë gjithashtu në qendër të një hetimi të gjatë 18-mujor që ekspozoi ish-mesfushorin e Manchester City, Dickson Etuhu, i cili u dënua për përpjekje për të trukuar ndeshje në Suedi dhe u përjashtua për pesë vite nga futbolli.

Megjithatë, ndonëse provat e reja që dolën nga hetimi i fundit konsiderohen “të qarta dhe të pakontestueshme” sipas Gardare, policia suedeze vendosi të mos e çonte më tej çështjen. Telefona me të dhëna të rëndësishme mbeten ende të sekuestruar nga autoritetet në Stokholm.

“Kam punuar me qindra raste të trukimit të ndeshjeve, por ky ishte më i qarti nga të gjithë. Është e pamundur të injorohet kur e sheh të dokumentuar në një celular të konfiskuar,” tha Gardare për Daily Mail.

Federata Suedeze e Futbollit ka konfirmuar se mori informacion “të përgjithshëm” nga policia lidhur me manipulimin e ndeshjeve në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, por pa detaje specifike për shkak të sekretit hetimor.

Nga ana tjetër, Premier League deklaroi për mediat britanike se “nuk është në dijeni të kësaj çështjeje” dhe se kompetencat për hetime të tilla i takojnë Federatës Angleze të Futbollit (FA).

Kujtojmë se vetëm një vit më parë, sipas një raportimi të The Telegraph, të paktën pesë lojtarë të Premier League ishin kontaktuar nga rrjete ndërkombëtare të basteve të paligjshme për të ndikuar në ndeshje. m.p.

‘Heroi im Bardhi’, këshilltari i PD nxjerr postimin e Flutura Açkës më 2021

Këshilltari i PD, Marash Logu ka reaguar pasi deputetja Flutura Açka me një postim të sotëm sulmoi Gazment Bardhin, një ditë pasi Berisha dha konfirmimin që ta rikandidojë për kreun e grupit. Açka e akuzon Bardhin për përçarje brenda Partisë Demokratike dhe sipas saj kreu i grupit nuk i takon atij, por Luçiano Boçit.

Në postimin e tij, Marash Logu ka zgjedhur të mos flasë me fjalë, por ka ndarë një postim të Flutura Açkës në vitin 2021, kur fliste me superlativa për Bardhin. Ndërsa sot e quan një humbës ekzemplar, 4 vite më parë Açka e quante Bardhin, hero dhe më të thonte se kishin gatuar fitoren në zgjedhje.

“Heroi im: Gazmend Bardhi. Sa ditë plot emocione e prani njerëzore e mbrëmje miqësore nën shtjellë duhani kemi ndarë në këto javë! Me djem të tillë pastër, të qeshur, të mençur, shpirtbukur e profesionistë dhe të pakompromis, e kemi gatuar fitoren dhe do të garantojmë një qeverisje të shëndetshme nesër”, shkruante Açka. m.p.

Berisha nxjerr “sekretin shtetëror”: Ja ku u rrëmbye Daniel Shima

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, përmes një statusi në rrjete sociale ka folur gjatë për zhdukjen e ish-zv. drejtorit të AKSHI-t, Daniel Shima pak ditë më parë. Berisha shprehet se Shima nuk u arrestua nga policia zyrtare e narko-shtetit dhe as nga prokuroria e Altin “Troplinit”.

Sali Berisha pretendon se Daniel Shima u rrëmbye ndësa thekson se ai është kërcënuar personalisht nga Kryeministri Edi Rama.

Berisha duke iu referuar qytetarit digjital, pretendon se Danielin një muaj më parë e kishin dërguar për një “kafe” tek Poja, ndërsa thekson se kjo ‘kafe’ është lule krahasuar me torturat prej katër orësh në bodrumin e Çelës së fundmi.

Kujtojmë se ishin familjarët e Daniel Shimës të cilët denoncuan në Policinë e Tiranës se kishin humbur kontaktet me të afërmin e tyre ndërsa një sinjal SOS nga Shima ngriti në këmbë uniformat blu.

Pas lajmit se Daniel Shima u zhduk në mes të Tiranës, u tha se më vonë ishte parë nga kamerat në tunelin e Elbasanit ndërsa zëra të tjerë pretendonin se ai ka qenë në Shijak dhe më pas në bregdetin e Borshit, por nuk dihej se nën shoqërinë e kujt ishte.

Policia e Tiranës reagoi sërish për ngjarjen zyrtarisht disa orë pas denoncimit të nënës së Shimës, duke thënë se 34-vjeçari është paraqitur në komisariat rreth orës 02:00 të mëngjesit dhe ka deklaruar se ishte larguar me dëshirën e tij.

Sipas Policisë së Tiranës, Daniel Shima nuk hodhi asnjë akuzë ndaj askujt ndërsa mbetet ende mister ‘zhdukja’ e tij prej disa orësh. m.p.

Pse Vuçiqi dhe Dodiku po vrapojnë pas Trumpit?

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq prej muajsh është përpjekur me ngulm të kontaktojë Presidentin e SHBA-së Donald Trump. Pas dështimit total në muajin maj në Florida, nga ku ai u kthye papritur në Serbi në rrethana ende misterioze për shkak të “dhimbjeve në gjoks”, fushata diplomatike që mund të quhet edhe “dua të takoj Trumpin” ka vazhduar.

Udhëheqësit e qeverisë serbe kanë folur vazhdimisht për një lloj dialogu strategjik me Amerikën dhe kthimin e marrëdhënieve midis dy vendeve në “nivelin e tyre të mëparshëm”. Kështu, në fillim të gushtit, u zhvillua një takim midis Ministrit të Jashtëm serb Marko Gjuriq dhe Sekretarit të Shtetit të SHBA-së Marco Rubio, të cilin pala amerikane praktikisht nuk e komentoi, por megjithatë Gjuriq e vlerësoi takimin si “historik”.

Dëshirave të Presidentit serb iu bashkua edhe ish-Presidenti i Republika Srpska Milorad Dodik, i cili gjithashtu dëshiron të takohet me Trumpin dhe i cili e përshkroi shkarkimin e tij si “një përpjekje për ta penguar atë të flasë me Trumpin”.

Kjo kulmoi në kohën kur Asambleja e RS po thërriste një “referendum për Dodikun”, anëtarja serbe e Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Zheljka Cvijanoviq, nisi një propozim për t’i dhënë Trumpit Çmimin Nobel për Paqen.

Dodik beson se “po minohet” nga të ashtuquajturit “Bidenistë” dhe se gjithçka do të ishte ndryshe nëse do ta kishte informuar Trumpin për të gjitha detajet e ngjarjeve në rajon.

Bazuar në disa veprime të mëparshme, është e mundur të supozohet se Vuçiq dhe Dodik do të përpiqeshin të paraqiteshin në Amerikë si “evropianë konservatorë të MAGA-s” të cilët, ashtu si Trumpi, po ngacmohen nga forcat globaliste të krahut të majtë.

Komentatori i politikës së jashtme, Boshko Jakshiq, i thotë DW-së se Aleksandar Vuçiq është kaq i etur për të takuar Trumpin “sepse e sheh atë mbi të gjitha si mbrojtësin e autokracisë”. Ndërsa Bashkimi Evropian, “pavarësisht nga qasja ndonjëherë llogaritëse e Gjermanisë dhe Francës”, ende këmbëngul në disa vlera të demokracisë liberale.

“Pas presidentëve rusë dhe kinezë, edhe Vuçiq e sheh Trumpin si një aleat ideologjik dhe kjo është arsyeja pse Vuçiq po distancohet nga Evropa. Por këtu ka një pengesë, sepse Trump është pragmatik dhe i orientuar drejt biznesit dhe nuk është i interesuar për afërsinë ideologjike. Ndërsa në këtë fushë biznesi, Serbia praktikisht nuk ka asgjë për të ofruar”, thekson Jakshiq. m.p.

Kremlinit nuk i pëlqejnë propozimet evropiane për Ukrainën

Rusia ka qëndrim negativ për propozimet evropiane për garanci të sigurisë për Ukrainën dhe nuk do të pranojë asnjë prezencë të trupave të NATO-s në territorin e shtetit fqinj, tha Kremlini më 27 gusht.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, lavdëroi përpjekjet e presidentit amerikan, Donald Trump, për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, duke i cilësuar si “shumë të rëndësishme”, megjithatë ai tha se Moska shpreson që do të vazhdojnë këto përpjekje.

Si pjesë e një zgjidhjeje të mundshme të paqes, aleatët evropianë të Ukrainës po punojnë për të hartuar një paketë garancish për Ukrainën, që do ta mbronin vendin nga një sulm i mundshëm i Rusisë.

Por, Peskov tha se dislokimi i trupave evropiane në Ukrainë do të nënkuptonte prani të NATO-s atje, gjë që sipas tij Rusia ka synuar që ta parandalojë që nga fillimi.

“Në fakt, që në fillim, ishte avancimi i infrastrukturës ushtarake të NATO-s dhe depërtimi i kësaj infrastrukture ushtarake në Ukrainë që mund të përmendet ndoshta si një nga shkaqet themelore të situatës së konfliktit që lindi”, tha ai.

“Prandaj, ne kemi një qëndrim negativ për këto diskutime”.

Të gjitha palët u pajtuan se garancitë e sigurisë për Ukrainën duhet të jenë pjesë e një marrëveshje të paqes, por kanë dallime thelbësore se çfarë forme duhet të marrin këto garanci.

Rusia thotë se duhet të jetë një nga garantuesit e sigurisë së Ukrainës dhe dëshiron të ringjallë një propozim që palët e kanë diskutuar më 2022, në javët e para të luftës. Kievi e refuzon një gjë të tillë, duke thënë se do t’i jepte Moskës veto ndaj çdo mbështetje të jashtme ushtarake për Ukrainën. m.p.

Zbulohet klauzola speciale, Bayern humb blerjen më të mirë të vitit në 2026?

Michael Olise është blerja më e mirë e 5 viteve të fundit te Bayern. I transferuar për 51 mln euro nga Crystal Palace vitin e kaluar, francezi sot vlen dyfish më shumë (sipas Transfermarkt).

Bayern nuk mund t’i lejojë vetes thjesht të gëzohet për performancat e shkëlqyera të një prej 30 kandidatëve për “Topin e Artë”, por edhe të shqetësohet për të ardhmen.

Olise thuhet se ka një klauzolë, që e lejon të largohet nga Bayern në merkaton e verës së ardhshme. Synimi i tij është rikthimi në Premier League ose aktivizimi te skuadra big si Real Madrid apo Barcelona.

Bayern është trembur, kështu që duhet t’i rrisë pagën francezit. Aktualisht ai paguhet 7 mln euro neto në vit. Ndoshta duhet të paguhet po aq sa Davies, Musiala dhe Kimmich. m.p.

Deputeti demokrat: PD ka nevojë për reformë të thellë

Deputeti demokrat, Kreshnik Çollaku, ka kritikuar opozitën në studion e “News 24” duke thënë se në këtë gjendje që ndodhet nuk mund të fitojnë kurrë përballë Edi Ramës.

Çollaku foli edhe për aksionin e shumëpërfolur opozitar të shtatorit kur pritet të nisë legjislatura e re e Kuvendit e dalë nga zgjedhjet e 11 Majit.

Deputeti u shpreh se PD ka nevojë për reformim të thellë ndërsa qeveria teknike është e vetmja zgjidhje për ta.

“Ka një konsensus të gjerë, jo vetëm mes drejtuesve dhe deputetëve, por edhe mes militantëve e simpatizantëve, se në këtë gjendje PD nuk mund të fitojë më. Ne kemi nevojë për një reformim të thellë të opozitës në tërësi.

Sa herë që PD ka përjashtuar ata me mendim ndryshe, ka humbur thellë. ADN-ja e PD-së është hapja, përfshirja dhe liria për të kritikuar, madje edhe liderin. Sëmundja që po e gërryen sot është kthimi në një model të Partisë së Punës, gjë që është mohim i vetvetes.

Djegia e mandateve nuk ka më asnjë efekt. Seanca mbyllet dhe Edi Rama miraton ligje për 3 minuta. Bllokimi i mandateve, deri në krijimin e një qeverie teknike, mund të jetë një rrugë që ia vlen të shqyrtohet. PD duhet të konsolidojë kontaktin me qytetarët dhe të dalë nga “flluska e realiteteve virtuale.”-deklaroi Çollaku. m.p.

Virozat sjellin fluks të lartë në urgjenca

Së fundmi, urgjencat dhe mjekët e familjes po përballen me një fluks të lartë qytetarësh të prekur nga gastroenteritet ose inflamacionet me karakter viral.

Shumë pacientë i drejtohen menjëherë urgjencës, ndërsa të tjerë zgjedhin të marrin mjekim në farmaci pa u konsultuar me mjekun, duke përkeqësuar kështu gjendjen e tyre shëndetësore.

Mjekët paralajmërojnë se, nëse një person brenda familjes është i prekur nga gastroenteriti, duhet treguar kujdes i veçantë, pasi sëmundja mund të përhapet edhe te pjesëtarët e tjerë.

Kërkohet kujdes të shtuar për higjienën personale dhe atë të ambienteve, si edhe trajtim me lëngje, supa dhe ushqim të shëndetshëm. m.p.

Në kërkim nga policia shqiptare, Rezart Taçi dënohet me burg në Zvicër

Biznesmeni shqiptar Rezart Taçi është dënuar me 30 muaj burgim nga një gjykatë në Zvicër për mashtrime financiare në lidhje me tregtinë e naftës. Nga këto, 24 muaj janë me kusht dhe do të zbriten edhe 195 ditë të kaluara më parë në paraburgim në Zyrih.

Dënimi është dhënë nga Gjykata Penale e Gjenevës për një sërë mashtrimesh që lidhen me aktivitetin e tij në industrinë e naftës në vendin tonë, me lidhje të shumta edhe në Zvicër. Sipas aktakuzës, Taçi ka kryer mashtrime të sofistikuara dhe falsifikime dokumentesh duke dëmtuar rëndë kompaninë ndërkombëtare të certifikimit SGS, e cila deri së fundmi kishte selinë në Gjenevë.

54-vjeçari, i cili është i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare, është gjykuar në mungesë. Edhe pse ndodhet në arrati, njëri prej avokatëve të tij konfirmoi se e kishte kontaktuar së fundmi, dhe se biznesmeni ka pranuar akuzat ndaj tij. Gjyqi ndaj Taçit ishte zhvilluar në mungesë. Taçi ka rënë dakord të dëmshpërblejë kompaninë SGS me 8.8 milionë dollarë, pa përfshirë interesat vjetore prej 5%, dhe do të mbulojë edhe një pjesë të kostove gjyqësore.

Rezart Taçi është i dyshuar prej të paktën katër vitesh në Shqipëri për pastrim parash dhe lidhje me krimin e organizuar, përfshirë kontakte të dyshuara me mafien siçiliane.

Në kulmin e karrierës së tij, sipas mediave shqiptare, Taçi kishte gjeneruar deri në 1.5 miliardë dollarë nga aktivitetet e tij në tregtinë e naftës, të cilat i nisi në fund të viteve 1990 me themelimin e kompanisë “Taçi Oil”. m.p.

Barcelona vendos çmimin për yllin e ekipit: kushton 70 mln euro

Barcelona thuhet se ka vendosur një çmim prej 70 milionë eurosh për Fermin Lopez.

Spanjolli është një nga objektivat e Chelsea-t dhe është përfolur për një transferim në Stamford Bridge këtë javë.

Sipas një raporti nga Ferran Martinez i Mundo Deportivo, Barcelona është e hapur për të shitur Lopez në ditët e fundit të merkatos.

Megjithatë, katalanasit nuk duan të bëjnë ndonjë zbritje për klubet e interesuara dhe do të kërkojnë 70 milionë euro.

22-vjeçari nënshkroi një marrëveshje të re me klubin spanjoll vitin e kaluar dhe i kanë mbetur mbi 4 vjet në kontratën e tij.

Ai ka një klauzolë lirimi prej 500 milionë eurosh. m.p.

“Irani po planifikon një raketë që mund të godasë Evropën”

Irani po zhvillon aktualisht një raketë balistike të aftë për të arritur zemrën e Evropës.” Kështu deklaroi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu në një intervistë me podkasterin Patrick Bet-David.

Sipas Netanyahut, Teherani po prodhon “një raketë balistike ndërkontinentale, e cila mund të mbajë koka bërthamore, që mund të godasë si Evropën ashtu edhe Shtetet e Bashkuara”.

Sipas tij, Hamasi mund të mos e kishte nisur sulmin e 7 tetorit 2023 nëse Donald Trump do të ishte në Shtëpinë e Bardhë. Në të njëjtën kohë, Netanyahu shtoi se ai gjithashtu beson se Irani, me Trump si president, “do të kishte qenë më i kujdesshëm”. m.p.

Skandal në Universitetin e Mjekësisë: Shefja e departamentit pa doktoraturë

Një tjetër çudi në sistemin akademik shqiptar është zbuluar së fundmi nga ish-ministri i Arsimit, Taulant Muka. Në një status të publikuar në rrjetet sociale, ai pretendon se Fakulteti i Mjekësisë Dentare është përfshirë nga një skandal. Bëhet fjalë për Profesoreshë Etleva Droboniku, përgjegjëse e Departamentit në këtë institucion arsimor.

Muka tregon se Droboniku pretendon se ka marrë gradën “Doktor Shkencash” në vitin 2010. Por, fakt është se libri i doktoraturës së saj nuk gjendet askund, as në bibliotekën kombëtare të Shqipërisë, ku është e detyrueshme me ligj depozitimi i çdo punimi doktorature.

Rektorati i Universitetit të Mjekësisë e ka konfirmuar me shkresë zyrtare këtë mungesë. Për më tepër, vetë ajo ka refuzuar të dorëzojë punimin edhe pas disa kërkesave zyrtare nga institucionet përkatëse.

Në postimin e bërë në facebook-un e vet, Etleva Droboniku shkruante:

“Pa doktorature por Prof. Asoc dhe shefe departamenti- çudira shqiptare!

Prof. Asoc. Etleva Droboniku (Qeli), pergjegjese departamenti në Fakultetin e Mjekësisë Dentare, në Universitetin e Mjekësisë, pretendohet se ka marrë gradën shkencore “Doktor Shkencash” në vitin 2010. Por, sipas verifikimeve, libri i doktoraturës së saj nuk gjendet askund, as në Bibliotekën Kombëtare, ku ligji detyron depozitimin e tij.

Rektorati i UMT e ka konfirmuar me shkresë zyrtare mungesën e librit të doktoraturës. Megjithëse Prof. Asoc. Qeli i është kërkuar disa herë edhe zyrtarisht të dorëzojë punimin e doktoraturës, ajo refuzon dhe nuk e ka bërë këtë veprim deri sot. Në bazë të ligjit, mosdorëzimi sjell humbjen e gradës “Doktor Shkencash” dhe rrjedhimisht edhe të titullit Profesor i Asociuar. Megjithatë, deri më sot, asnjë institucion nuk ka ndërmarrë masa.

Skandali bëhet edhe më i madh, pasi titulli “Profesor i Asociuar” i është dhënë asaj pa plotësuar kriteret: konkretisht pa pasur publikime me faktor impakti, siç e kërkon ligji. Edhe pse strukturat përkatëse, deri në MAS janë vënë në dijeni, asnjë veprim nuk është ndërmarrë.

Ky është realiteti i shtetit shqiptar: në vend që të mbrojë meritokracinë dhe shkencëtarët e ndershëm, ai mbron abuzuesit dhe e mban peng sistemin akademik”. m.p.

Trump: George dhe Alex Soros të akuzohen si organizatë kriminale!

Donald Trump nisi një sulm ndaj George Soros dhe djalit të tij, Alexander Soros në një postim në platformën “Truth Social”, duke i bërë thirrje sistemit të drejtësisë amerikane të ngrejë akuza kundër tyre për mbështetjen e tyre për protesta të dhunshme dhe aktivitete të tjera.

“George Soros dhe djali i tij i mrekullueshëm i ekstremit të majtë duhet të akuzohen sipas Aktit RICO për mbështetjen e tyre për protesta të dhunshme dhe shumë më tepër në të gjithë vendin”, shkroi Trump, duke iu referuar ligjit që lejon ndjekjen penale të organizatave kriminale.

Presidenti amerikan akuzoi gjithashtu Sorosin dhe ekipin e tij për dëmtimin e vendit, duke i quajtur ata “psikopatë”. Teksa i referohej miqve të Sorosit në Bregun Perëndimor të SHBA-së, Trump tha: “Kujdes, ne po ju vëzhgojmë!”. m.p.

Berisha: Rama tallet! Zjarrfikësit duan mjete dhe jo lëvdata boshe

Sali Berisha përmes një postimi në rrjete sociale ka reaguar në lidhje me dekoratat që Kryeministri Edi Rama i shpërndau punonjësve që u përfshinë në luftën me zjarret në vend.

Berisha e quan tallje ndërsa thekson se zjarrfikësit nuk kanë nevojë për lëvdata boshe dhe medalje por kanë nevojë për infrastrukturë për të luftuar me zjarret.

Kryedemokrati Sali Berisha ironizon duke thënë se Edi Rama ka shpërndarë medalje sikur mbrojtja nga zjarret të ishte një sport.

Sali Berisha nuk ndalet dhe me akuzat duke thënë se me 24 milionë euro të përdorura për çarterin privat nga Edi Rama, me 130 milionë eurot e vjedhura nga Rama dhe Veliaj në inceneratorin e Tiranës, dhe miliona euro të tjera të vjedhura, Shqipëria sot do të kishte avionë për shuarjen e flakëve, helikopterë dhe zjarrfikëse për shuarjen e flakëve.

Në këtë mënyrë thotë kryedemokrati Sali Berisha, nuk do të kishim këtë bilanc katastrofik nga djegiet në pyje e banesa. m.p.

Pse Milani e refuzoi? Boniface më në fund tregon “sekretin”

Viktor Boniface ka thyer heshtjen dhe për herë të parë ka zgjedhur të flasë hapur për transferimin e tij të dështuar te Milani. Sulmuesi i Bayer Leverkusen në një intervistë për gazetën nigeriane Punch tregoi arsyet në lidhje me këtë kalim që nuk u finalizua me sukses.

“Në një moment të caktuar, hoqa dorë. Ndërsa të tjerët luanin futboll, unë thjesht po përpiqesha të rikthehesha në të. Pas dëmtimit të dytë të ligamentit të kryqëzuar anterior, as nuk doja të luaja më për shkak të dhimbjes nga i pari dhe asaj që kalova me të dytin. Gjatë asaj kohe, humba edhe nënën time. Milani? Transferimi nuk funksionoi për shkak të dëmtimeve të mia të kaluara. Kam pasur dy dëmtime në gjurin e djathtë dhe është diçka me të cilën kam pasur të bëj për një kohë të gjatë.”

Milani prej kohësh kishte shfaqur interes për nigerianin dhe e konsideronte si një zëvendësues ideal të Gimenez në qendër të sulmit.

Kuqezinjtë pasi arritën marrëveshjen me Leverkusen dhe vetë lojtarin, situata ndryshoi pasi futbollisti nuk kaloi me sukses testet mjekësore. m.p.

Erion Braçe ngre alarmin: Shqiptarët po mashtrohen

Ndryshe nga 3 dekada më parë, në vitin e mbrapsht 1997… sot shqiptarët po mashtrohen nga “firmat piramidale në internet”. Ato që joshin për të investuar në kriptomonedha duke premtuar fitime të majme. Shqetësimin kësaj here e ka ngritur deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe.

Piramidat e reja: tani janë online, në çdo telefon! Po ju grabisin! Kjo – TEXE më e madhja! Kam dy muaj që merrem me këtë. Sot, kur skema mund të ketë përfshirë mbi 1000 persona vetëm në Divjakë brenda dhe po hyn në Lushnjë, dua ta përsëris apelin publikisht – jo më individualisht. Dilni sa më shpejt nga kjo piramidë dhe denonconi në policinë e shtetit – dorëzoni atje telefonin tuaj që hetuesit të kenë mundësi të ndjekin përgjegjësit përmes rrjedhës së parave.

“Mashtrimi”, me gjithë format apo mënyrat i ka rrënjët aq të thella aq sa vetë njerëzimi. Ndër vite, duke iu përshtatur ndryshimeve sociale, ekonomike e politike, ai ka pësuar “mutacione”, por efekti për të infektuar individë në veçanti e shoqëri në përgjithësi ka mbetur i njëjtë. Po çfarë janë skemat e sotme të mashtrimit në internet duke investuar në monedhat digjitale?

“Skemat piramidale që po shohim sot në internet nuk kanë asnjë lidhje me investimet reale apo kriptomonedhat legjitime. Ato funksionojnë duke tërhequr individë të panjohur me premtimin e fitimeve të shpejta dhe të larta, por në realitet, paratë që investohen nuk gjenerohen nga ndonjë biznes apo aktivitet ekonomik. Fitimet e hershme zakonisht paguhen nga paratë e pjesëmarrësve të rinj, dhe kjo e bën skemën të qëndrueshme vetëm për një kohë të shkurtër”, thotë për A2 CNN Shahin Dokuzi, njohës i tregut të monedhave virtuale.

Joshja për të fituar sa më shumë e më shpejt është “mikrob” që me sa duket, gjendet në mendjen e çdo njeriu dhe mekanizmave të funksionimit të çdo shoqërie. Dhe “mashtruesit” modernë kanë gjetur edhe “oazën” perfektë për pazare… platformën “Telegram”.

“Në Telegram nuk ka kontroll të rreptë, dhe kjo e bën platformën një mjedis të përshtatshëm për mashtruesit modernë. Skemat funksionojnë duke tërhequr individë të panjohur me premtimin e fitimeve të shpejta dhe të larta, por në realitet, paratë nuk gjenerohen nga ndonjë aktivitet ekonomik real. Fitimet e hershme zakonisht paguhen nga paratë e pjesëmarrësve të rinj, dhe kjo e bën skemën të qëndrueshme vetëm për një kohë të shkurtër”, thotë Dokuzi. m.p.

Zelensky nuk sheh “tryezë” me Putin

Çdo takim midis presidentëve rusë dhe ukrainas duhet të jetë “i përgatitur mire”. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, e theksoi këtë, duke nënkuptuar se një samit midis Vladimir Putin dhe Volodymyr Zelensky nuk do të zhvillohet së shpejti, shkruan A2 CNN. “Çdo kontakt i nivelit të lartë duhet të jetë i përgatitur mirë që të jetë efektiv”, u tha Peskov gazetarëve. Delegacionet negociuese ruse dhe ukrainase janë “në kontakt”, por ende nuk është caktuar asnjë datë për bisedimet e ardhshme.

Megjithatë Kievi nuk është në të njëjtën fazë. “Fatkeqësisht, rusët aktualisht po dërgojnë sinjale negative në lidhje me takimet dhe zhvillimet e mëtejshme. Sulmet ndaj qyteteve dhe fshatrave tona vazhdojnë. Çdo ditë ka viktima të reja. Rusët do të reagojnë vetëm ndaj presionit të vërtetë në përgjigje të gjithë kësaj. Presioni është i nevojshëm. Ne mbështetemi në të. Nevojiten hapa konkretë nga Rusia, hapa drejt diplomacisë së vërtetë”, tha presidenti Zelensky, pas një telefonate me homologun e Finlandës.

Kremlini përsëriti kundërshtimin ndaj vendosjes së trupave europiane në Ukrainë si pjesë e garancive të sigurisë. Zëdhënësi Peskov, thekson se për Moskën, vendosja e infrastrukturës ushtarake të NATO-s në Ukrainë ishte një nga shkaqet kryesore të konfliktit. Uashingtoni e konsideron të mundshëm një takim dypalësh midis Presidentit rus dhe atij Ukrainas, deklaroi i dërguari special i SHBA-së Steve Ëitkoff në një intervistë për Fox Neës. “Mendoj se mund të përfundojmë duke pasur një takim dypalësh”, shtoi ai, duke nënvizuar faktin se presidenti amerikan, Donald Trump, duhet të jetë i pranishëm në tryezë për të finalizuar një marrëveshje. m.p.

Tensione diplomatike, Kopenhageni akuzon Trumpin për “operacione sekrete”

Ministria e Jashtme daneze ka thirrur të ngarkuarin me punë të SHBA-së, diplomatin më të lartë në ambasadën amerikane në Kopenhagen, pasi një raportim televiziv publik raportoi “përpjekje për të ndërhyrë” në Groenlandë, një territor autonom i mbretërisë skandinave.

Sipas transmetuesit publik DR, të paktën tre amerikanë të lidhur me Donald Trump po kryejnë operacione ndikimi në Groenlandë.

“Çdo përpjekje për të ndërhyrë në punët e brendshme të Mbretërisë sigurisht që nuk do të jetë e pranueshme”, tha ministri i Jashtëm danez Lars Lokke Rasmussen në një deklaratë dërguar AFP-së.

“I kam kërkuar Ministrisë së Jashtme të ftojë të ngarkuarin me punë amerikan në një takim në ministri”, shtoi ai.

Sakaq, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump , ka thënë se dëshiron që SHBA-të bëjnë pjesë të tyren ishullin strategjik në Arktik, që është i pasur me minerale për arsye të sigurisë kombëtare dhe ndërkombëtare, dhe nuk e ka përjashtuar përdorimin e forcës për ta bërë këtë.

Pas zgjedhjes së tij, Presidenti Trump shpjegoi se ai “ka nevojë” për Grenlandën, kryesisht për sigurinë e SHBA-së, dhe e ka përsëritur dëshirën e tij shumë herë.

Groenlanda ishte përgjigjur se nuk ishte në shitje dhe se po vendoste vetë për të ardhmen e saj.

Në fund të marsit, zëvendëspresidenti i SHBA-së J.D. Vance shkaktoi trazira duke planifikuar të vizitonte ishullin e madh Arktik pa u ftuar atje. Përballë kritikave në Groenlandë, Danimarkë dhe Evropë, zëvendëspresidenti i SHBA-së e kufizoi udhëtimin e tij në bazën ajrore amerikane në Pitufik.

“Ne e dimë që aktorët e huaj vazhdojnë të tregojnë interes për Groenlandën dhe pozicionin e saj brenda Mbretërisë së Danimarkës”, vuri në dukje sot edhe Ministri i Jashtëm danez.

“Prandaj nuk është për t’u habitur të shohim përpjekje të jashtme për të ndikuar në të ardhmen e Mbretërisë në të ardhmen e afërt”, theksoi Rasmussen.

Që në pranverë, shërbimet daneze të inteligjencës kishin shprehur shqetësime në lidhje me “ndikimin” e mundshëm” të jashtëm, kryesisht rus, veçanërisht gjatë zgjedhjeve parlamentare në Groenlandë, por përfundimisht nuk u zbulua asnjë përfshirje./kb

Situata në Gaza, prifti: 450 refugjatët e kishës Sacra Famiglia, në gjendje dramatike

Mesazhi i fundit nga prifti Gabriel Romanelli titullohet qartë: “Të qajmë dhe të lutemi”. Në qytetin e Gazës, situata është dramatike, dhe Parrochia e Sacra Famiglia, ku strehohen 450 refugjatë, nuk bën përjashtim.

Dy ditë më parë, zona ku ndodhet kompleksi mori urdhër evakuimi, një gjë që nuk kishte ndodhur më parë për këtë lagje. As priftërinjtë, as Patriarkati Latin i Jerusalemit nuk kanë marrë udhëzime të qarta, duke krijuar pasiguri dhe kaos.

“Shumë prej refugjatëve janë të dobësuar dhe kequshqyer. Largimi nga qyteti i Gazës do të ishte e barabartë me një dënim me vdekje. Priftërinjtë dhe motrat kanë vendosur të qëndrojnë dhe të kujdesen për të gjithë”, thuhet në komunikatën e përbashkët të patriarkëve latin dhe ortodoks.

Në kompleks nuk mund të largohen të moshuarit, të sëmurët kronikë apo 60 fëmijët me sëmundjen e rrallë “fëmijë flutur”.

Që prej javësh, Vatikani kërkon krijimin e “zonave të sigurta” për të sëmurët dhe të dobëtit, por kërkesa ende nuk ka marrë përgjigje. Patriarkët dhe komuniteti kërkojnë ndërhyrjen ndërkombëtare për të ndalur luftën dhe për të shpëtuar civilët.

“Të ndalohet lufta! Kjo është çmenduri! Nuk mund të vazhdojë kështu”, tha George Anton, drejtori i komitetit emergjent të kishës Sacra Famiglia/kb

Shpella e Spilesë, Tare i përgjigjet Blendi Gonxhes: Mos u tallni me taksapaguest

Reagimi i MEKI-t për një shkrim modest timin mbi gjendjen faktike të Shpellës së Spilës më bëri të mendoj se ky institucion e kishte seriozisht ndërhyrjen dhe shpëtimin e këtij monumenti të kategorisë së parë nga braktisja dhe lavazhot përqark. Për këtë arsye e pashë me vëmendje si tekstin, ashtu edhe 3 imazhet që shoqëronin tekstin. Duke e ditur se në Shqipëri nuk ekzistojnë specialistët e mirfilltë të interpretimit të mitologjisë antike në imazhe moderne te inteligjences Artificiale , isha shumë i surprizuar të shikoj fotot nga “projekti” i supozuar i MEKI-t.

Kam pasur fatin që, 10 vite më parë, në Singapor, si pjesë e një delegacioni të UNESCO-s, te shikoja ndoshta projektin e parë me IA të ri – interpretimin e mitologjisë antike kineze, të zbuluara në një shpelle unike diku në shkretëtirat e Kinës. Ishte një projekt shumë ambicioz, ku Universiteti i Sydney-t, Pekinit dhe Opera Shtetërore e Pekinit kishin rikrijuar të gjitha imazhet e shpellen në Inteligjencë Artificiale dhe i përdornin për turizëm edukativ dhe kulturor. Prandaj, lajmi se MEKI kishte një projekt për Shpellën më intrigoi.

Por kurioziteti u kthye në zhgënjim dhe pastaj në qeshje pa fund.
Imazhi i parë i MEKI-t duket se nje person me shume gjasa një kinez i cili me një projektor në dorë krijon dritehije në shpellën e ndriçuar pas tij.

Në botën e teknologjisë së sotme nje femije i duhen vetëm 5 minuta dhe informacion bazik për të kuptuar se ku dhe si janë gjeneruar këto imazhe.

Në fakt, mua më deshen pak me shume se10 minuta për të kuptuar se imazhet e projektit të MEKI-t vijnë nga një Shpelle Kineze, ne provincen e Huashan.

Pyetja ime për shokët e MEKI-t që talleni me qytetarët është:
A ka lidhje një projekt kinez me Shpellën e Spilës në Himarë? A ka lidhje interpretimi i legjendës së Polifemit në Spilë me Budën e Huashanit?

Besoj se të paktën qytetarët në Himarë do të qeshin sot në mbrëmje kur të ulen për të pirë kafenë buzë detit dhe të lexojnë se Ministria jonë që mbulon kulturën përdor imazhet e shpellave në Kinë për Shpellën e Spilës – një shpelle që mitet lokale e lidhin me hapësirën Homerike.
Suggjerim për drejtuesin e MEKI-t:

Mblidh një grup të vogël specialistësh të arkeologjisë dhe historisë. Krijo një ide të qartë se çfarë konteksti historik mund të përdoret në Shpellën e Spilës, bazuar në zbulimet arkeologjike. Ky projekt kërkon specialistë të mirfilltë që kanë zbatuar projekte të interpretimit historik në shpella, jo elektrikistë që punojnë me tendera. Shiko modelet franceze, të cilat janë për t’u admiruar, për shembull.

Nëse nuk ke kapacitet për të gjitha këto, kërko ndihmën e UNESCO-s, e cila ka në listat e saj një numër ekspertësh të kalibrit botëror që do ta kishin ëndërr të merreshin me një projekt homerik.
Faleminderit./kb

❌