Aktori britanik Steel, i njohur për rolin e tij në filmin “Gladiator”, ka treguar me dhimbje se një procedurë “e rrezikshme” mjekësore mund të ketë kontribuar në vdekjen e parakohshme të djalit të tij të porsalindur.
Djali, Leo, lindi para kohe në javën e 23-të të shtatzënisë më 26 mars, por ndërroi jetë më 7 prill, pas një beteje të vështirë në njësinë e kujdesit intensiv për të porsalindurit.
Në intervistën e tij të parë pas humbjes tragjike, Steel – emri i vërtetë i të cilit është Zack George, 34 vjeç, rrëfeu se ai dhe bashkëshortja e tij, Samantha, u përballën me vendime jashtëzakonisht të vështira, shkruan DailyMail.

Mjekët i kishin paralajmëruar se shanset për mbijetesën e Leos nuk ishin të larta, por ai ishte i fortë dhe me një rrahje të mirë zemre, gjë që u dha atyre shpresë. Për disa orë pas lindjes, gjendja e tij u duk e qëndrueshme dhe mjekët vendosën ta hiqnin nga ventilatori, por pas komplikimeve e rikthyen përsëri.
Fatkeqësisht, mjekët zbuluan xhepa ajri që po formoheshin rreth mushkërive të tij, të shkaktuar nga një tub që kishte dëmtuar trakenë, një rrezik i njohur, por i pashmangshëm në raste të tilla. “Nëse nuk do të kishte ndodhur kjo, ai ndoshta do të ishte ende këtu”, tha Zack me lot në sy.

Familja e përcolli Leos-in në maj, në një ceremoni prekëse funerale, duke ndarë foto të arkivolit të vogël të bardhë dhe luleve të bardha.
Gjatë shërbimit, Zack lexoi një fjalim emocional, ku e quante të birin “luani ynë” dhe përshkruante 13 ditët e tij të jetës si një dëshmi të dashurisë dhe forcës së jashtëzakonshme.
Në kujtim të Leos, Zack ka nisur një sfidë bamirësie të quajtur “13 ditë luftimesh”, për të mbledhur fonde dhe për të rritur ndërgjegjësimin mbi sfidat e foshnjave të lindura para kohe dhe kujdesin intensiv neonatal. /Telegrafi/

The post Ylli i “Gladiator” zbulon se një procedurë e rrezikshme kontribuoi në vdekjen e parakohshme të djalit të tij appeared first on Telegrafi.