Privatësia mbi gjithçka – Selena Gomez shqyrton ndalimin e telefonave në dasmën e saj
Pas zbulimit të detajeve të para rreth dasmës së tyre, këngëtarja e njohur Selena Gomez dhe producenti muzikor Benny Blanco kanë vendosur të marrin masa të rrepta sigurie për të garantuar një ngjarje sa më private dhe të mbrojtur nga syri i publikut.
Sipas burimeve të afërta me çiftin, shqetësimi kryesor aktual është siguria dhe privatësia e mysafirëve të shumtë të famshëm që do të marrin pjesë në këtë event.
Një dasmë e nivelit të lartë në shtator
Dasma pritet të mbahet në muajin shtator në Montecito, Kaliforni – një zonë luksoze dhe e qetë, e njohur për tërheqjen e yjeve të mëdhenj. Sipas informacioneve të publikuara më 14 korrik, ceremonia do të zgjasë dy ditë dhe do të përfshijë vetëm miq të ngushtë dhe familjarë, megjithatë lista e të ftuarve është mbushur me emra të njohur të industrisë së argëtimit.
Midis tyre, thuhet se janë Taylor Swift dhe partneri i saj Travis Kelce, bashkë-yjet e Selenës në serialin “Only Murders in the Building”, si dhe disa prej artistëve të mëdhenj me të cilët Blanco ka bashkëpunuar gjatë karrierës së tij.
Të ftuarve u është kërkuar të sjellin çanta për fjetje për të kaluar fundjavën në vendin e ceremonisë. Kjo zgjedhje nënvizon natyrën intime dhe gjithëpërfshirëse të eventit, që megjithëse nuk do të jetë një festë publike, premton të jetë një nga dasmat më të përfolura të vitit.
Siguri dhe privatësi maksimale
Për shkak të rrjedhjeve të papritura të informacionit në media, çifti ka vendosur të dyfishojë masat e sigurisë. “Siguria në dasmën e Selenës është me rëndësi jetike. Nuk bëhet fjalë vetëm për të si një figurë publike, por edhe për të gjithë të ftuarit e tjerë të njohur”, tha një burim për Daily Mail.
Një nga masat më të diskutuara që pritet të zbatohet është ndalimi i përdorimit të telefonave celularë gjatë ceremonisë.
Sipas burimeve, Selena po shqyrton vendosjen e një politike të rreptë kundër celularëve për të garantuar privatësinë maksimale dhe për të shmangur shpërndarjen e fotove apo videove në rrjete sociale.
“Ajo dëshiron që të gjithë të jenë të pranishëm në moment dhe jo të zënë me telefonat e tyre”, thuhet në deklaratë.
Nuk ka shtyrje, vetëm përforcim sigurie
Megjithëse disa detaje janë bërë publike, Gomez dhe Blanco nuk e kanë në plan të shtyjnë dasmën, përkundër dëshirës së tyre për më shumë privatësi. Për shkak të angazhimeve të shumta profesionale dhe axhendave të ngjeshura, ricaktimi i dasmës është përjashtuar si mundësi.
“Nëse ceremonia nuk do të ishte pas vetëm dy muajsh, ata ndoshta do ta kishin shtyrë. Por kjo është e pamundur, prandaj janë përqendruar tek shtimi i masave të sigurisë”.
Selena dhe Taylor – thashetheme dhe e vërteta
Në mesin e zërave që qarkullojnë në rrjete sociale dhe media, një prej tyre lidhet me ndikimin e Taylor Swift në planifikimin e dasmës. U aludua se data e ceremonisë ishte zgjedhur për t’iu përshtatur agjendës së saj, por një burim tjetër mohon këtë: “Selena nuk po e planifikon dasmën për Taylor, por dëshiron që ajo të jetë e pranishme dhe shpreson që të vijë me Travisin”.
Fillimi i përjetësisë
Selena dhe Benny shpallën fejesën e tyre në dhjetor 2024, pas më shumë se një viti lidhjeje.
“Përgjithmonë fillon tani”, shkroi këngëtarja në rrjetet sociale, duke ndarë edhe fotot ku tregonte unazën e veçantë të fejesës. /Telegrafi/
The post Privatësia mbi gjithçka – Selena Gomez shqyrton ndalimin e telefonave në dasmën e saj appeared first on Telegrafi.