Adriatik Doci
Gazetari Lutfi Dervishi, me të drejtë, ka ngritur disa pyetje për ‘rrethimin policor’ të News24 mëngjesin e djeshëm, duke e vënë theksin tek mungesa e informacionit. 24 orë pas ngjarjes, për të gjitha pyetjet shtruara nga gazetari Dervishi ka nga një përgjigje.
-Kush ka dhënë urdhrin për rrethimin e godinës së News24?
Ka një vendim gjykate të formës së prerë, i cili parashikon që kompania “Focus Media News” e Irfan Hysenbelliut duhet të lirojë njërën nga godinat publike në Shkozë, e përdorur prej 23 vitesh për zyra të News 24. Ky vendim e bën të panevojshëm një urdhër zyrtar për rrethim të beftë policor. Por, mund të ketë një nxitje, ndoshta një urdhër verbal ose shenjë me ‘gishtin e madh poshtë’, me shumë gjasa nga Edi Rama ose Belinda Balluku me miratimin e Ramës, pasi Irfan Hysenbelliu, pronari i News24, sulmon prej dy vitesh Ballukun dhe drejtorët e saj. Arsyet se pse Hysenbelliu sulmon Ballukun me mediat e tij besohet se mund të jenë disa, si ndonjë kërkesë tenderi e paplotësuar, dyshime për përgjim etj., por nuk ka dyshim që Rama zgjodhi anën e Ballukut, duke e ‘dënuar’ Hysenbelliun me heqje të privilegjeve.
-Cili ishte motivi zyrtar për ndërprerjen e sinjalit të transmetimit?
Tek kjo pyetje ka një gënjeshtër. Nuk ka ndërprerje të sinjalit të transmetimit. Që të ndërpritet sinjali, duhet më parë të hiqet licenca nga AMA. Nuk kemi të bëjmë me heqje licence. Kjo do të ishte agresion ndaj lirisë së medias. ‘Automati’ është ulur nga vetë Hysenbelliu për të maksimalizuar zhurmën dhe për t’u viktimizuar si martir i medias së lirë. Policia nuk merret me sinjale dhe linja, por zbaton vendime gjykate.
-Pse nuk u dha asnjë paralajmërim para ndërhyrjes?
Qeveria nuk del t’i bie daulles dhe të thërrasë ‘o milet’ kur zbaton një vendim gjykate. Kompanisë së Irfan Hysenbelliut i kishte mbaruar kontrata e qirasë prej tre vitesh (2022). Mosmarrëveshja ishte zhvendosur në gjykatë. Dhe gjykata ka vendosur që Hysenbelliu duhet të ‘mblidhte plaçkat’, pra ‘median e lirë’ t’a ushtronte në shtëpinë e tij si të gjithë të tjerët.
-A janë ndjekur procedurat ligjore për një veprim të tillë ndaj një medie?
Është ndjekur rruga gjyqësore. Pas prishjes së ujdisë (të bëj fresk me media-peshqir, më jep plaçkë publike), Edi Rama ka dashur t’a largojë Hysenbelliun nga godina publike që në vitin 2022 kur i mbaroi kontrata e qirasë, por biznesmeni iu drejtua gjykatës duke fituar një sigurim padie, që do të thotë se do t’a mbante godinën deri në një vendim përfundimtar. Në fund, gjykata vendosi që Hysenbelliu duhet të lëshojë ndërtesën publike pas 23 vitesh.
-A ka vendim gjykate?
Gjykata Apelit Administrativ, në 14 korrik të vitit 2025, ka vendosur që kompania “Focus Media News” e Irfan Hysenbelliut duhet të lirojë godinën publike. Vendimi është i formës së prerë. Bëhet fjalë për njërën pronë publike, pasi për tjetrën, e cila ndodhet po në Shkozë, ia ka zgjatur kontratën deri në vitin 2033 Arben Ahmetaj në vitin 2016. Hysenbelliu përdor edhe konviktin e Gjuhëve të Huaja, të cilin e kthyer në univesitet privat, Universiteti Luarasi.
-Cilat janë provat ose arsyet që justifikojnë këtë veprim ekstrem?
Veprim ekstrem është tentativa për të penguar zbatimin e një vendimi gjykate të formës së prerë. Nga ana tjetër, të lëshosh një nga pronat publike që përdor për biznes, pas një procedure ligjore, nuk duket ndonjë dramë aq e kobshme.
-Nëse është çështje kontrate (qiraje) a i është dhënë koha e nevojshme medias për të gjetur ambiente të tjera?
Kompania “Focus Media News” me pronar Irfan Hysenbelliun ka pasur kohë tre vite për të gjetur ambiente të tjera. Fatmirësisht, Hysenbelliu është edhe ndërtues pallatesh, kështu që ka pasur dhe ka mundësi që televizionin t’a zhvendosë në pronën e tij.
-A ka pasur komunikim paraprak?
Irfan Hysenbelliut i është kërkuar zyrtarisht që në vitin 2022 kur i mbaroi kontrata që të lirojë godinën publike. Tre vjet betejë ligjore për të liruar një godinë që nuk është jotja. Komunikimi paraprak është ezauruar.
-Kush mban përgjegjësi për pengimin e gazetarëve në vendin e punës?
Mban Irfan Hysenbelliu, i cili ashtu siç ka përdorur mediat për të shtuar pasurinë, po përdor gazetarët në duelin me Ramën. Vend pune për një biznes privat nuk mund të jetë një ambient publik për të cilin ka vendim të formës së prerë që të lirohet. Gazetarët, katër muaj pa rroga dhe dy vite pa siguracione, detyrohen edhe të vajtojnë humbjen e përdorimit të një pasurie publike nga pronari i medias.
-A është marrë parasysh dëmi i menjëhershëm që i shkaktohet publikut, duke e privuar nga informacioni?
Publiku nuk qëndron në errësirë sepse ka edhe dritare të tjera. Nuk është televizioni News24 i vetmi fanar ndriçues në Shqipëri. Dhe plaga nuk është aq e madhe për disa arsye; ishte fundjavë kur publiku ishte orientuar drejt plazhit, nuk ndodhi ndonjë ngjarje e madhe që mbeti pa u mbuluar dhe ndërprerja e sinjalit e provokuar nga vetë pronari është e përkoshme.
-Si garantohen të drejtat kushtetuese për informim dhe liri shtypi kur policia ndalon gazetarët të ushtrojnë detyrën?
Liria e shtypit jo domosdoshmërisht ushtrohet duke zaptuar prona publike. Nëse do të ishte kështu, po marrim secili nga ne nga një godinë publike dhe e kthjejmë në biznes privat. Edhe kur pushteti tregohet zemërgjërë duke t’a dhënë pasurinë publike, media nuk mund të jetë plotësisht e lirë, pasi në momentin kur tenton të bëhesh media e lirë dhe e pavarur, pushteti nuk t’a rinovon më kontratën. Kështu që zbatimi i një vendimi gjykate që News24 të lirojë godinën publike është një mundësi që televizioni të jetë edhe më ‘i pavarur’ dhe i ‘lirë’.