Mendoj se fraza “leximi i detyrueshëm” është një marrëzi; leximi nuk duhet të jetë i detyrueshëm. Është njësoj si të thuash kënaqësi e detyrueshme. Por a ka kënaqësi të detyrueshme? Kënaqësia është diçka që kërkohet. Apo lumturi e detyrueshme! Ne lumturinë gjithashtu e kërkojmë.
Unë kam qenë profesor i letërsisë angleze për njëzet vjet në Fakultetin Filozofik dhe të Letrave të Universitetit të Buenos Aires dhe gjithmonë i kam këshilluar studentët e mi: nëse një libër ju mërzit, lëreni; një libër mos e lexoni nga që është i famshëm, nga që është modern, apo nga që është i vjetër. Nëse një libër është i mërzitshëm për ju, lëreni së lexuari; qoftë ai libër Parajsa e Humbur – për mua nuk është i mërzitshëm – ose Don Kishoti – për mua gjithashtu nuk është i mërzitshëm.
Por nëse ka një libër të mërzitshëm për ju, mos e lexoni; ai libër nuk është shkruar për ju. Leximi duhet të jetë një nga format e lumturisë, prandaj dua t’ua lë lexuesve si një amanet të mundshëm – amanet që nuk kam ndërmend ta shkruaj: lexoni shumë, pa u trembur nga reputacioni i autorëve, vazhdoni të kërkoni një lumturi personale, një kënaqësi personale. Është e vetmja mënyrë për të lexuar. / KultPlus.com
E kam bâ nji prej mëkateve ma t’mëdha që nji njeri mundet me bâ: s’kam qenë i lumtun. Akullnajat e harresës m’gjejnë, m’zvarrisin e pamëshirshëm m’lânë me ra.
Prindët m’lindën që ta lu’j nji lojë t’rrezikshme e t’bukur në kët’ botë, për tokë, ajër, zjarm e ujë. I mashtrova. S’qeshë i lumtun. Qe e kotë
dëshira e tyne e rinisë. Trunin tim ia fala me vullnet e kâmbëngulje simetrive t’artit gjithë lajlelule.
Ata m’lanë trashëgim vlerat. Unë s’kam qenë trim. Nuk më braktis kurrë, gjithmonë më rri pran’ hija e të qenit nji mjeran. / KultPlus.com
“Valë dhe fjalë”, panairi i parë veror i librit që e shndërroi Shëngjinin në kryeqendrën e letërsisë shqiptare, u mbyll dje pas dy netëve të mbushura me letërsi, kulturë dhe frymëzim.
Juria e kryesuar nga Liridon Mulaj, me anëtarë Alda Bardhyli dhe Monika Stafa, shpalli fituesit.
Çmimin për poezinë më të mirë e mori shkrimtari Preç Zogaj. Shkrimtari Rudolf Marku u vlerësua me çmimin e karrierës “Ndoc Gjetja”.
Vepra më e mirë studimore iu dha prof. dr. Sherif Bundo, proza më e mirë Odise Kotes dhe çmimi special Pashko Camajt.
Kreu i bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu shprehu mirënjohjen për “Klubin e Letrave “Ndoc Gjetja” dhe Shtëpisë Botuese “Fishta””.
“Një panair që e ktheu librin në kryefjalë dhe që do të vazhdojë si traditë në vitet që vijnë”, shkroi Ndreu.
Shtëpitë botuese më të njohura në vend prezantuan në këtë panair botimet e tyre më të fundit. Po ashtu, 6 panele me emra të njohur të letrave shqipe diskutuan mbi tema që prekin historinë, të tashmen dhe të ardhmen e letërsisë./atsh/KultPlus.com
KultPlus ju sjell sot 15 citate të Paulo Coelho mbi dashurinë, jetën dhe miqësinë:
“Ka vetëm një gjë që e bën të pamundur arritjen e një ëndrre: frika nga dështimi.”
“Mos e humbni kohën tuaj me shpjegime: njerëzit dëgjojnë vetëm atë që duan të dëgjojnë.”
“Dhe, kur ju dëshironi diçka, i gjithë universi punon për t’ju ndihmuar ta arrini atë.”
“Sekreti i jetës, megjithatë, është të biesh shtatë herë dhe të ngrihesh tetë herë.”
“Cila është gënjeshtra më e madhe në botë?… Është kjo: që në një moment të caktuar të jetës sonë, ne humbasim kontrollin e asaj që po na ndodh dhe jetët tona kontrollohen nga fati.”
“Dy provat më të vështira në rrugën shpirtërore janë durimi për të pritur momentin e duhur dhe guximi për të mos u zhgënjyer me atë që hasim.”
“Çdo gjë që ndodh një herë nuk mund të ndodhë më kurrë. Por gjithçka që ndodh dy herë do të ndodhë me siguri për herë të tretë.”
“Nëse e doni dikë, duhet të jeni të përgatitur për ta lënë te lirë.”
“Një fëmijë mund t’i mësojë një të rrituri tre gjëra: të jetë i lumtur pa arsye, të jetë gjithmonë i zënë me diçka dhe të dijë të kërkojë me gjithë fuqinë e tij atë që dëshiron.”
“Gjërat e thjeshta janë gjithashtu gjërat më të jashtëzakonshme, dhe vetëm të mençurit mund t’i shohin ato.”
“Nëse filloni duke premtuar atë që nuk e keni ende, do të humbisni dëshirën tuaj për të punuar për ta arritur atë.”
“Disa gjëra në jetë thjesht duhen përjetuar – dhe nuk shpjegohen kurrë. Dashuria është një gjë e tillë.”
“Kur dashurojmë, ne gjithmonë përpiqemi të bëhemi më të mirë se sa jemi. Kur ne përpiqemi të bëhemi më të mirë se sa jemi, gjithçka rreth nesh bëhet gjithashtu më e mirë.”
“Është mundësia për të realizuar një ëndërr që e bën jetën interesante.”
“Një është i dashur sepse dikush është i dashur. Nuk nevojitet asnjë arsye për të dashuruar./ KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë pjesë në Forumin Evropian të Alpbach-ut në Austri, ku është takuar me të rinj e të reja nga mbarë Evropa, të cilët konsiderohen si udhëheqësit e ardhshëm të kontinentit.
Në këtë bashkëbisedim frymëzues, Presidentja Osmani foli për rolin aktiv të Kosovës në promovimin e paqes dhe sigurisë, si dhe për rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit transatlantik.
“Diskutuam për rolin e Kosovës si kontribuese aktive për paqe e siguri, për rëndësinë e bashkëpunimit transatlantik, si dhe për rikthimin e Evropës tek forca jonë më e madhe: mbrojtja e vlerave demokratike. Jo vetëm në fjalë, por në veprim. Me guximin për të qëndruar krah atyre që i mbrojnë këto vlera dhe për t’i hapur dyert Kosovës dhe shteteve të tjera që punojnë me përkushtim për to”, u shpreh Osmani.e
Presidentja u bëri thirrje vendeve evropiane që të qëndrojnë krah atyre që mbrojnë këto vlera dhe të hapin dyert për Kosovën dhe shtetet e tjera që punojnë me përkushtim për të njëjtat parime./KultPlus.com
Poezi e shkruar nga Millosh Gjergj Nikolla – Migjeni
Më plak mërzitja që vetmia më sjell; përbuzja, urrejtja të gjith sendet m’i mbështjell që kam shumë anmiq të liq në këto sende pa shpirt, Nuk flasin.
As sy s’kanë. Po mue më bahet se aty janë vetëm që të më plasin zemrën.
Së paku, të më shajnë: I mallkuem! Së paku, të anë tallin: I uruem! Së paku, të më këndojnë: I yni zot! Ose të më thonë: Jeton kot! Të flasin, të flasin se fjalë due në kët vetmi me ndigjue.
Ose të më tregojnë historinë e tyne, autobiografinë: ndoshta ty do gjej gjasim me jeten time pa tingllim që në vetmi po e kaloj dhe s’po dij a rroj e s’rroj.
Sendet heshtin. sa të pamëshirë! Më bajnë dhe mue të hesht me pahirë, pse gojë s’kanë dhe nuk flasin, aty janë vetëm të më plasin zemrën teme që po vuen dhe në mërzi vetveten truen. / KultPlus.com
Jorge Luis Borges Acevedo (Buenos Aires, 24 gusht 1899. – Gjenevë, 14 qershor, 1986) ka qenë një shkrimtar tregimesh të shkurtëra, eseist, poet, përkthyes dhe figurë kyçe e letërsisë së gjuhës spanjolle. Librat e tij më të njohur me tregime, Ficciones dhe El Aleph, të botuara në vitet 1940, janë përmbledhje me tregime të shkurtëra të ndërlidhura nga temat e përbashkëta, duke përfshirë ëndrrat, labirintet, bibIiotekat, pasqyrat, shkrimtarët e sajuar, filozofitë dhe fetë, shkruan KultPlus.
Ngjarjet më të rëndësishme mbi biografinë e tij janë te lidhura ngushtë me disa nga paraardhësit e tij. Duke qenë se rrjedh nga një familje studiuesish dhe ushtarakësh Borges zgjodhi letërsinë megjithëse e pati një peng të madh për shumë kohë faktin që nuk zgjodhi ushtrinë. Nga 1914 deri 1921 jetoi bashkë me familjen nëpër Evropë. Kreu studimet fillimisht në Gjenevë e më pas në Spanjë, ku njohu më mirë letërsinë dhe shkroi disa nga poezitë e tij të para.
Në 1923 publikoi librin e tij të parë me poezi, “Fervor de Buenos Aires”, dhe pas dy vjetësh librin e dytë “Luna de Enfrente”. Në 1925 Borges njohu Viktoria Okampo, muza e tij për shumë vite me të cilën u martua 40 vjet më pas. Me të Borges pati një mirëkuptim intelektual i destinuar për të hyrë në mitologjinë e letërsisë argjentinase. Aktiviteti publicistik i Borges ishte shumë i gjerë. Vargjet e “Kauderno San Martìn” u publikuan vetëm në 1929, ndërsa një vit më pas doli “Evaristo Karriego”, një vepër që entuziazmoi kritikën argjentinase.
Një fatkeqësi tjetër në jetën e shkrimtarit: verbohet. Borges, i cili kishte pasur gjithnjë probleme me sytë, e humbi përfundimisht shikimin në fund të viteve 50’ pasi kishte kryer 9 operacione. Por këtë sëmundje ai e përdori për të krijuar akoma më shumë. Kulmin e këtij procesi “sublimimi” ai e pati në vitet 1933 e 1934.
Të gjitha tregimet e publikuara prej tij në revistën “Krìtika”: dolën në një përmbledhje të vetme me titullin “Historia universal de la infamia” (Historia universale e poshtërsisë), që u pasu disa vite më vonë nga “Historia de la eternidad” (Historia e përjetësisë), një vepër ndërthuret Historia dhe Dituria.
Kjo situatë dramatike provokoi te Borges frikën se mund të humbte përgjithnjë aftësitë e tij krijuese. Frike e pabazuar: gjatë viteve kur ishte i sëmura ai krijoi disa nga kryeveprat e tij të cilat u publikuan në 1944 nën titullin “Shtirjet”.
Pas 5 vjetësh dolën disa nga tregimet e tij ne librin e titulluar “Alef”. Gjatë kësaj periudhe Borges cilësohej si një nga shkrimtarët më të mirë argjentinas të të gjitha kohërave.
Si për të pohuar dhe një herë aftësitë e tij, Borges publikoi një tjetër kryevepër që mban titullin “Inkuizicionet e tjera” (1952).
Në 1955 Borges u emërua drejtor në Bibliotekën Kombëtare, një nga ëndrrat e tij të hershme. Në fjalimin e rastit ai u shpreh se: “Është një ironi sublime dhe hyjnore që më jepen 800 mijë libra kur unë jam në terr të plotë prej vitesh”. Pas 31 vjetësh drejtor ai u nda nga jeta më 14 qershor 1986. Pranë varrit të tij prehen eshtrat e gruas së dytë të Borges-it, Marìa Kodama. /KultPlus.com
Më 24 gusht të vitit 1913 doli numri i parë i gazetës “Përlindja e Shqipërisë”, gazetë, e cila mbështeti Qeverinë e Vlorës të udhëhequr nga Ismail Qemali.
Ajo bënte thirrje për bashkimin e tokave shqiptare në një shtet të vetëm.
“Përlindja e Shqipëniës” ishte gazeta e parë e shtetit të pavarur shqiptar, botohej dy herë në javë dhe vijoi të botohej për 21 numra deri në vitin 1914.
Në artikujt e saj ndër të tjerash, kjo gazetë bënte thirrje për bashkimin e popullit shqiptar. /KultPlus.com
Qyteti i Pogradecit vijon të mbetet ndër më të preferuarit për mijëra vizitorë vendas e të huaj. Pamja mbresëlënëse dhe ujërat e kristaltë që të ofron liqeni e bëjnë Pogradecin një atraksion turistik për t’u vizituar.
Kryeministri Edi Rama ndau mëngjesin e sotëm një video nga lindja e diellit në Pogradec, teksa e cilëson këtë moment si “pamje magjike”.
Përveç bukurive natyrore që ofron, investimet në infrastrukturë dhe hapësira publike kanë bërë që Pogradeci të jetë një zgjedhje kryesore për turizëm në të gjitha stinët e vitit.
I zgjedhur masivisht për qetësinë dhe freskinë që ofron në ditët e nxehta të verës, Pogradeci është i bukur jo vetëm prej natyre, por është edhe një qytet i lashtë e me tradita të hershme kulturore e artistike./atsh/KultPlus.com
Jorge Luis Borges, një nga shkrimtarët më të mëdhenj të shekullit XX, ka lënë pas jo vetëm vepra të pavdekshme, por edhe mendime të thella për artin e shkrimit dhe fuqinë e librave. Në një rrëfim të veçantë, ai ndalet tek këshillat që do t’ua jepte të rinjve që duan të shkruajnë.
“Një i ri që dëshiron të shkruajë, duhet ta bëjë vetëm kur ndien një nevojë të brendshme e të domosdoshme për të shkruar, jo nga nxitimi për t’u botuar”, thoshte Borges, duke theksuar se leximi duhet të jetë i lirë, i sinqertë dhe i udhëhequr nga pasioni i vërtetë, jo nga fama apo mosha e një autori.
Për Borgesin, letërsia është një art i përjetshëm: “Shkencat ndryshojnë dhe përditësohen, ndërsa Odiseja mbetet e njëjtë përgjithmonë. Kur diçka shkruhet në mënyrë të mrekullueshme, ajo nuk humb kurrë vlerën.”
Në lidhje me krijimtarinë e tij, ai pohonte se çdo gjë që ka shkruar është thellësisht biografike: “Nuk kam shpikur as personazhe, as situata. Gjithçka që gjendet në librat e mi, më ka ndodhur mua, ndonëse ndoshta jo aq dramatikisht.”
Ndërsa për poezinë, Borges e konsideronte si një nevojë universale dhe të përhershme: “Gjithçka tjetër mund të ndryshojë – shtetet, planetët, përbërja e botës – por poezia do të mbetet gjithmonë një nevojë e njeriut.”
Ai besonte se edhe nëse të gjithë librat e botës do të digjeshin, njerëzimi do t’i shkruante sërish veprat më të mëdha, sepse thelbi i tyre është i pandashëm nga vetë natyra njerëzore./KultPlus.com
Këngëtarja britanike Emily Portman mbeti e tronditur kur fansat e uruan për një album të ri, ndonëse ajo nuk kishte publikuar asgjë. Albumi “Orca”, i shpërndarë në Spotify dhe iTunes, doli të ishte gjeneruar nga inteligjenca artificiale, duke imituar zërin dhe stilin e saj. Portman e përshkroi përvojën si “të frikshme” dhe “shenjë të diçkaje distopike”, pasi muzikës i mungonte çdo ndjenjë njerëzore.
Ky fenomen nuk ka prekur vetëm Portmanin. Edhe muzikantë të tjerë si Josh Kaufman, Jeff Tweedy, Iron & Wine, si dhe artistë të ndjerë si Blaze Foley, kanë parë këngë të rreme të ngarkohen në profilet e tyre. Kjo ngre shqetësime serioze për industrinë e muzikës, ku AI po përdoret për të gjeneruar përmbajtje mashtruese dhe për të përfituar nga emrat e artistëve pa leje.
Platformat si Spotify kanë hequr disa prej këtyre albumeve, por shpesh me vonesë, ndërsa artistët kërkojnë masa ligjore dhe teknologjike më të forta për mbrojtjen e identitetit të tyre muzikor. Analistët paralajmërojnë se përhapja e këtyre praktikave mund të dëmtojë besimin e publikut dhe të ulë vlerën e krijimtarisë origjinale.
Ndërkohë, Portman po punon për albumin e saj të parë solo pas dhjetë vitesh, duke theksuar: “Vetëm muzika e vërtetë, e krijuar nga njerëz, mund të prekë shpirtin e publikut.”/BBC/KultPlus.com
Pas më shumë se pesë vitesh punimesh dhe vonesash të shkaktuara nga tërmeti i vitit 2019, Muzeu Kombëtar Arkeologjik i Durrësit është drejt përfundimit të rikonstruksionit. Të premten u njoftua se mbi 2400 objekte arkeologjike do t’i rikthehen qytetit bregdetar, duke e shndërruar muzeun në një qendër moderne dhe tërheqëse për vizitorët.
Kryeministri Edi Rama ndau pamje nga punishtja e restaurimit, duke e quajtur projektin një hapësirë të re për turizmin kulturor në vend. Investimi prej 3.5 milionë eurosh është financuar nga programi i Bashkimit Evropian “EU4Culture”, transmeton KultPlus.com
Muzeu, i hapur për herë të parë më 1951, kishte pësuar dëmtime të mëdha nga tërmeti, ndaj u deshën ndërhyrje të thella në strukturë dhe rikonstruksion të plotë të fasadës e hapësirave të brendshme. Përveç ekspozitave, vizitorët do të gjejnë së shpejti edhe një ashensor panoramik, një kënd edukativ për fëmijët dhe një kafene me pamje, për ta bërë përvojën më të këndshme.
Në koleksionin e tij ruhen mbi 3200 artefakte që tregojnë historinë e Durrësit, nga lashtësia deri në Mesjetë. Ndër thesaret më të çmuara janë stelat e varrimit romak, sarkofagët prej guri dhe bustet e Venusit, që dëshmojnë rolin e qytetit si një qendër e hershme e adhurimit të perëndeshës.
Ky projekt synon jo vetëm të ruajë trashëgiminë kulturore, por edhe të kthejë Durrësin në një pikë referimi për turizmin kulturor në Mesdhe./KultPlus.com
Harta arkeologjike e rajonit të Shkodrës do të plotësohet shumë shpejt edhe me një sit arkeologjik, zonifikim të qartë dhe rregullore administrimi të zonës A.
Bëhet fjalë për qytetin antik në Bushat, ku gërmimet arkeologjike që kanë nisur që në vitin 2018, nga misioni kërkimor shqiptaro-polak drejtuar nga Piotr Dyczek dhe Saimir Shpuza po nxjerrin në dritë të tjera gjurmë dhe të dhëna për qytetin ilir në Bushat.
Gjatë këtyre fushatave kërkimore u zbuluan dy porta hyrëse të qytetit dhe u kuptua shtrirja e tij. Ndërsa gërmimet e fundit janë përqendruar në qytetin e sipërm dhe kanë për qëllim zbulimin e organizimit të brendshëm dhe urbanistikës së këtij qyteti.
Misioni kërkimor po nxjerr në dritë se kjo pjesë e qytetit të sipërm ka qenë e ndërtuar masivisht që në gjysmën e shek. IV para Krishtit, sipas datimeve paraprake, shkruan atsh.
Tashmë falë bashkëpunimit me IKTK, DRTK Shkodër dhe ndihmën e pakursyer të misionit arkeologjik me të dhënat shkencore dhe rezultatet e arritura u krye në terren rilevimi dhe përcaktimi qartë i zonifikimit të nevojshëm për ruajtjen dhe administrimin e këtij territori me potencial të lartë arkeologjik referuar dhe kuadrit ligjor për këtë qëllim.
Në historinë e shkencës dhe teknologjisë, pak figura janë aq mahnitëse dhe vizionare sa Ada Lovelace, një grua që, në shekullin XIX, arriti të imagjinonte atë që sot është zemra e botës moderne: kompjuterin.
Ada Lovelace, me emër të plotë Augusta Ada King, Kontesha e Lovelace, lindi më 10 dhjetor 1815 në Londër, Angli. Ajo ishte e bija e poetit të njohur Lord Byron dhe Annabella Milbanke, një grua me prirje për matematikë që u sigurua që vajza e saj të merrte një arsimim të fortë në shkenca ekzakte, diçka e pazakontë për vajzat në atë kohë, transmeton KultPlus.
Ada nuk e njohu kurrë të atin e saj, i cili u largua nga familja pak pas lindjes së saj dhe vdiq kur ajo ishte vetëm 8 vjeç. Megjithatë, trashëgimia artistike e Byron-it dhe logjika matematike e nënës së saj u bashkuan tek ajo për të krijuar një mendje të jashtëzakonshme.
Në moshë të re, Ada tregoi interes për mekanikën dhe matematikën. Ajo u edukua nga disa prej mësuesve më të mirë të kohës dhe, në moshën 17-vjeçare, u prezantua me Charles Babbage, një matematikan dhe shpikës i njohur për krijimin e një makinerie të quajtur Makina Analitike, një pajisje mekanike që mund të kryente llogaritje të ndryshme.
Ada u magjeps nga koncepti i Babbage dhe filloi të punonte me të. Në vitin 1843, ajo përktheu një artikull nga italishtja që përshkruante makinën e tij dhe i shtoi shënime të veta. Këto shënime ishin shumë më të gjata se vetë artikulli dhe përmbanin përshkrime të hollësishme se si makina mund të përdorej për qëllime përtej thjesht llogaritjes numerike, si për shembull për të krijuar muzikë apo për të përpunuar simbole.
Në këto shënime, Ada shkroi edhe një algoritëm të plotë për makinën, që konsiderohet programi i parë kompjuterik në histori. Kjo është arsyeja pse ajo njihet sot si programuesja e parë në botë.
Ajo që e bën Adën të jashtëzakonshme nuk është vetëm aftësia e saj teknike, por aftësia për të parashikuar të ardhmen. Ndërkohë që shumë bashkëkohës e shikonin makinerinë e Babbage si një pajisje vetëm për llogaritje matematikore, Ada e kuptoi se ajo kishte potencialin për të manipuluar çdo lloj informacioni, një ide që sot përfaqëson thelbin e teknologjisë kompjuterike.
Ajo e quajti veten një “analiste poetik”, një term që përmbledh në mënyrë të përkryer kombinimin e imagjinatës dhe logjikës që e karakterizonte.
Ada Lovelace vdiq shumë e re, në moshën 36-vjeçare, nga kanceri i mitrës në vitin 1852. Puna e saj, për shumë dekada, u la në harresë, por sot ajo është rikthyer në qendër të vëmendjes si një figurë frymëzuese për gratë në shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë (STEM).
“Dita e Ada Lovelace”, e cila shënohet çdo tetor, është një festë ndërkombëtare që synon të promovojë kontributin e grave në teknologji dhe inovacion.
Në një botë ku teknologjia po e drejton ritmin e jetës sonë, figurat si Ada Lovelace janë dëshmi se vizioni dhe imagjinata mund të jenë po aq të rëndësishme sa edhe shkenca dhe logjika. Ajo nuk ishte vetëm një programues, ishte një mendimtare që kuptoi fuqinë e informacionit për të ndryshuar botën.
Në fund të fundit, Ada Lovelace jo vetëm që shkroi kodin e parë kompjuterik, por kodoi të ardhmen./KultPlus.com
Reperi i njohur Mozzik ka zgjedhur të investojë në edukimin dhe mirëqenien e fëmijëve me hapjen e çerdhes moderne “HanaKids” në Ferizaj. Çerdhja fillon punën këtë të hënë, 25 gusht, dhe ofron një ambient të sigurt dhe kreativ për më të vegjëlit.
Sipas Mozzik, HanaKids nuk është thjesht një vend për kujdes, por një ambient ku fëmijët mund të mësojnë duke luajtur, të zhvillohen dhe të rriten të lumtur. Me një hapësirë prej 1300 m² brenda lagjes Panorama Residence, çerdhja synon të krijojë një atmosferë ku çdo fëmijë ndihet si në shtëpi, përcjellë KultPlus.
“Fëmijët janë e ardhmja jonë – ata nuk kanë nevojë vetëm për kujdes, por për dashuri, siguri dhe një ambient që i rrit me buzëqeshje e dituri. HanaKids është vendi ku ata mësojnë dhe luajnë, lulëzojnë duke mësuar dhe rriten të lumtur. Sepse çdo familje meriton më të mirën,” shkruan Mozzik në njoftimin e tij.
Ky hap i reperit përfaqëson një investim të rëndësishëm në edukimin e hershëm dhe përkushtimin ndaj komunitetit në Ferizaj./KultPlus.com
Gustav Klimt dhe Egon Schiele ishin dy figura të mëdha të artit vjenez që ndanë një miqësi të fortë dhe një liri të patundur artistike që tronditi shumë njerëz.
Në pamje të parë, duket se ka pak gjëra që i lidhin Klimt-in dhe Schiele-n. Klimt-i ishte sensualisti klasik, që portretizonte elitën vjeneze në shkëlqim të artë, ndërsa Schiele, afro tri dekada më i ri, ishte një egoist i munduar, pikturat e të cilit, me trupa njerëzorë të përdredhur, skandalizuan shikuesit e kohës. Megjithatë, të dy ndanë një miqësi të ndërsjellë dhe një vendosmëri për të ndjekur vizionet e tyre artistike me çdo kosto, derisa epidemia e gripit të vitit 1918 ua mori jetën të dyve.
Klimt u largua nga konvencionet e pikturës akademike. I zhgënjyer me kufizimet e shoqatës artistike Künstlerhaus, ai dhe disa artistë të tjerë krijuan Vienna Secession, një lëvizje që promovonte lirinë krijuese. Kjo qasje e re u përfaqësua qartë në pikturën e vitit 1899 “Nuda Veritas”, ku një grua nudo mban një pasqyrë të së vërtetës dhe në këmbët e saj shtrihet gjarpri i gënjeshtrës. Mbi kokë ka një thënie nga Schiller: “Nëse nuk mund t’i kënaqësh të gjithë me veprat e tua, kënaqi disa. Të kënaqësh shumë është e keqe.”
Kur Klimt pranoi të pikturonte tavanin e Sallës së Madhe të Universitetit të Vjenës, ai u përball me polemika të mëdha. Piktura e tij “Filozofia”, me figura nudo të rrëzuara dhe një kokë hënore të përgjumur, shkaktoi protestën publike të 87 anëtarëve të universitetit. Reagime edhe më të ashpra erdhën me “Mjekësinë”, ku një trup i zhveshur femëror me pjesë intime të dukshme nga poshtë u akuzua për pornografi.
Piktura “Goldfish” (1902), ku një grua shfaqet duke treguar prapanicën e saj, besohet se ishte përgjigjja e Klimt-it ndaj kritikëve të tij. Ai e mbrojti artin e tij me pasion, madje thuhet se një herë kërcënoi punëtorët me armë për të mos ia konfiskuar veprat. Fatkeqësisht, këto piktura u shkatërruan nga forcat naziste në vitin 1945 dhe ekzistojnë vetëm në foto bardh e zi.
Pas kësaj, Klimt nuk pranoi më komisione publike dhe iu përkushtua portreteve dhe peizazheve, shpesh duke e shfaqur realitetin e errët që fshihej pas shkëlqimit të jetës së lartë vjeneze – përfshirë tradhtinë, prostitucionin dhe hipokrizinë mashkullore. Edhe piktura e famshme “Puthja”, sipas kuratorit Diethard Leopold, përmban elementë erotikë të fshehur nën një pamje të butë dhe romantike.
Qasja e guximshme e Klimt-it e tërhoqi Egon Schiele-n, i cili e kërkoi atë në vitin 1907, kur ishte ende student dhe i zhgënjyer nga akademia. Me një talent të jashtëzakonshëm që në adoleshencë, duke skicuar motrën e tij lakuriq, Schiele tronditi prindërit dhe më vonë publikun me obsesionin e tij për trupat e rinj dhe pozat erotike.
Klimt e mbështeti, duke i ofruar modele dhe mundësi ekspozimi, por stili tronditës i Schiele-s nuk u pranua lehtë. Në qytetin Krumau, ku ai u largua me partneren e tij Wally (një ish-modele e Klimt-it), Schiele shkaktoi thashetheme dhe reagime të forta për shkak të vizatimeve të të rinjve nudo. Më vonë, në Neulengbach, ai u arrestua nën akuzën për rrëmbim të një të miture dhe për “shthurje”. Edhe pse akuza për rrëmbim u rrëzua, ai u dënua me tre ditë burg për faktin që pikturat ishin të dukshme për të rinjtë që e vizitonin.
Ky përvojë ishte një pikë kthese për Schiele-n, i cili pas kësaj ndaloi së pikturuari adoleshentë nudo. Falë ndërhyrjes së Klimt-it, ai mori porosi si portretist dhe me kalimin e kohës, gjatë luftës dhe martesës me Edith Harms, tregoi një pjekuri të re artistike dhe personale.
Pas Luftës së Parë Botërore, Schiele ëndërronte një shoqëri të re ku artistët do ndihmonin në rindërtimin e botës. Në pikturën e tij të papërfunduar “Miqtë” (1918), ai paraqiste veten dhe Klimt-in të ulur së bashku me artistë të tjerë, si një simbol i vëllazërisë artistike. Por vdekja e Klimt-it në shkurt 1918 shkatërroi këto shpresa. Schiele e skicoi Klimt-in në shtratin e vdekjes dhe e përfshiu këtë imazh në posterin për ekspozitën pranverore të lëvizjes Secession, duke lënë vendin e tij bosh.
Vetëm tetë muaj më vonë, edhe Schiele vdiq nga gripi spanjoll, në kulmin e suksesit të tij dhe me një të ardhme premtuese para. Humbja e të dyve në një kohë kaq të afërt mbetet një nga tragjeditë më të mëdha të artit evropian./BBC/KultPlus.com
Hedy Lamarr është një nga figurat më intriguese të shekullit XX, një emër që mishëron njëkohësisht shkëlqimin e kinemasë klasike dhe frymën novatore të shkencës moderne.
E lindur në Vjenë më 1914 si Hedwig Eva Maria Kiesler, ajo u rrit në një mjedis intelektual ku që herët shfaqi prirje për artin dhe teknologjinë. Fama e saj ndërkombëtare shpërtheu në vitet ’30 dhe ’40, kur u bë një nga aktoret më të njohura të Hollywood-it. Filma si Algiers, Boom Town, Ziegfeld Girl dhe veçanërisht Samson and Delilah e shndërruan në ikonë të bukurisë dhe elegancës, duke e pozicionuar përkrah yjeve më të mëdhenj të epokës së artë të kinemasë amerikane, shkruan KultPlus.
Por historia e Lamarr-it nuk kufizohet tek glamuri i tapetit të kuq. Përtej fasadës së ekranit, ajo ushqente një kureshtje të thellë për shkencën dhe shpikjet teknologjike. Pikërisht gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, në bashkëpunim me kompozitorin George Antheil, Lamarr konceptoi një sistem të komunikimit të koduar të bazuar në ndërrimin e shpeshtësive të radios. Qëllimi ishte të shmangej bllokimi i torpedove të telekomanduara, por në thelb shpikja përfaqësonte një ide revolucionare. Ajo u patentua në vitin 1942, por për një kohë të gjatë nuk u vlerësua. Vetëm dekada më vonë, kjo teknologji do të shërbente si bazë për zhvillimin e sistemeve të komunikimit që sot i marrim si të mirëqena: Wi-Fi, Bluetooth dhe GPS.
Ky dimension i dytë i jetës së Hedy Lamarr-it ka ndryshuar mënyrën se si ajo perceptohet sot. Në kohën e saj, mediat e reduktonin kryesisht në simbol bukurie, ndërsa inteligjenca dhe talenti i saj shkencor mbetën në hije. Por rivlerësimi i figurës së saj në dekadat e fundit e ka shndërruar në një ikonë të dyfishtë: yll i kinemasë dhe vizionare teknologjie. Në vitin 2014 ajo u nderua me futjen në National Inventors Hall of Fame, një njohje që e rikthen në vendin që i takon, si një nga mendjet krijuese më të veçanta të kohës së saj.
Hedy Lamarr mbetet një shembull i rrallë i ndërthurjes mes artit dhe shkencës, një figurë që sfidoi stereotipet e kohës duke provuar se bukuria dhe inteligjenca nuk përjashtojnë njëra-tjetrën. Trashëgimia e saj vazhdon të jetojë jo vetëm në kinemanë klasike, por edhe në çdo pajisje që mbështetet në teknologjitë moderne të komunikimit, duke e bërë një figurë të pavdekshme të kulturës dhe inovacionit./KultPlus.com
Nicole Scherzinger ka bërë që fansat të flasin sërish për një ribashkim të grupit legjendar The Pussycat Dolls, pasi u shfaq në një set fotografik me një varëse ari ku shkruhej emri i grupit.
Këngëtarja 47-vjeçare u duk në super formë me një veshje provokuese bardhë e zi, të kombinuar me pantallona dhe çizme të gjata lëkure, duke rikthyer kujtimet e stilit burlesk që e bëri grupin të famshëm në fillim të viteve 2000.
The Pussycat Dolls u shpërbënë në vitin 2010 pas një karriere të shkëlqyer me dy albume, ndërsa planet për një ribashkim në vitin 2020 u ndalën për shkak të pandemisë. Edhe pse mes Nicole dhe themelueses Robin Antin ka pasur mosmarrëveshje ligjore, këngëtarja ka lënë të hapur mundësinë për një rikthim.
Ndërkohë, Nicole po shkëlqen edhe në aktrim. Ajo fitoi çmimin prestigjioz Olivier për rolin e Norma Desmond në Sunset Boulevard dhe këtë vit po debuton me të njëjtin rol në Broadway, një arritje që e quan “ëndërr të bërë realitet”.
Përveç angazhimeve në teatër, Scherzinger ka konfirmuar se po punon për projekte të reja muzikore, duke lënë hapur derën që së shpejti fansat të dëgjojnë këngë të reja solo – ose ndoshta rikthimin e një prej grupeve më të njohura të vajzave në botë./KultPlus.com
Kisha e Shpërfytyrimit në Herbet të Dibrës e cila daton në shek. XI-XII po restaurohet.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja u shpreh sot Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore po vijon punimet intensive për restaurimin e Kishës së Shpërfytyrimit.
Ai shprehet se kjo është një nga kishat më të vjetra monument kulture në Shqipëri që daton në shek. XI-XII.
“Ringritja e kambanores dhe hajatit të jashtëm, restaurimi i çatisë, konsolidimi i muraturës, pastrimi i fasadës, si dhe punimet e brendshme do ta kthejnë këtë vend kulti në një nga perlat e trashëgimisë sonë”, theksoi Gonxhja në një postim në rrjetet sociale.
Gonxhja nënvizoi se kjo vepër e vyer e arkitekturës bizantine po i rikthehet komunitetit dhe historisë sonë kombëtare./atsh/KultPlus.com