Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 18 June 2026Telegrafi

KQZ vendos rinumërimin e 185 vendvotimeve të rregullta

18 June 2026 at 11:16


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e mbajtur në mënyrë elektronike ka vendosur për të rinumëruar fletëvotimet e 185 vendvotimeve të rregullta, të cilat paraprakisht janë numëruar në Qendrat Komunale të Numërimit.

KQZ njofton se ky numër përbën 7.41% të vendvotimeve nga gjithsej 2,498 vendvotime të rregullta në të cilat është zhvilluar votimi më 7 qershor 2026.

Numri i vendvotimeve që do të rinumërohen sipas komunave është si në vazhdim: Deçan (4 vendvotime, 8.33%); Gjakovë (10, 6.94%); Gllogoc/Drenas (5, 6.85%); Gjilan (9, 7.09%); Dragash (4, 7.02%); Istog (4, 6.67%); Kaçanik (3, 6.82%), Klinë (5, 8.06%); Fushë Kosovë (5, 8.06%); Kamenicë (3, 6.52%); Mitrovicë e Jugut (7, 7%); Leposaviq (2, 8%); Obiliq (3, 8.82%); Rahovec (5, 6.67%); Pejë (9, 6.67%); Poduejevë (7, 6.80%) Prishtinë (18, 6.87%); Prizreni (16, 6.90%); Skëndera (5, 7.04%), Shtime (3, 9.09%) Shtërpcë (2, 11.76%); Suharekë (6, 6.98%); Ferizaj (10, 6.85%); Viti (5, 8.06%); Vushtrri (6, 6.74%); Zubin Potok (2, 13.33%); Zveçan (2, 18.18%); Malishevë (5, 6.94%); Junik (1, 16.67%); Mamushë (1, 20%); Hani i Elezit (1, 9.09%); Graçanicë (3, 9.09%); Ranillug (1, 10%); Partesh (1, 14.29%); Kllokot (2, 25%) dhe Mitrovicë e Veriut (2, 9.52%).

“Vendimi i KQZ-së mbështetet në Rregulloren Zgjedhore për funksionimin e Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve. Në këtë akt nënligjor është paraparë që pas pranimit të materialeve zgjedhore nga vendvotimet e rregullta në QNR, KQZ të vlerësojë situatën dhe sipas nevojës mund të vendosë për rinumërim”, thuhet në njoftim.

Kjo masë kontrolli është paraparë nga KQZ për të adresuar problemet e evidentuara në disa nga Qendrat Komunale të Numërimit gjatë numërimit të votave të kandidatëve për deputetë nga zgjedhjet e dhjetorit të vitit të kaluar dhe ka për qëllim të sigurohet që numërimi është zhvilluar me saktësi. /Telegrafi/

Tensione në Kuvend, Balla: Sali Berisha të sfidoj, dil sot në protestë

18 June 2026 at 11:01


Kreu i Grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla reagoi ndaj fjalës së kryedemokratit Sali Berisha në Kuvend i cili kërkoi ndryshimin e rendit të ditës dhe dorëheqjen e kryeministrit duke iu referuar kërkesave të protestuesve.

Balla i kërkoi Berishës të dilte në protestë nëse mundej, raporton euronews.al

“Më qesharaku këtu që flet për protestën është ky pelikani në foltore. Sali Berisha të sfidoj, dil sot në protestë po ta mbajti”, tha Balla.

Shembjet e ndërtimeve në Theth, Marjana Koçeku: Kërkoj falje, tash do ju përfaqësoj si duhet

18 June 2026 at 10:45


Deputetja Marjana Koçeku ka shprehur pendesë që nuk ka reaguar lidhur me aksionin e qeverisë për prishjen e ndërtimeve pa leje në Theth.

Koçeku e cila disa ditë më parë njoftoi largimin nga grupi parlamentar i PS përmes një postimi në rrjetet sociale tregon se ky aksion ishte një nga krisjet me Partinë Socialiste.

Ajo u kërkon falje banorëve të Thethit, ndërsa u premton se nga sot do t’i përfaqësojë si duhet, raporton euronews.al.

“I kërkoj falje prej zemre Thethit. Ajo ngjarje ka kenë ndër goditjet ma të mëdha emocionale që kam marrë n’jetën teme. Unë nuk kjaj, por njato ditë kam kja ma shumë se kur m’ka vdekë baba. Betohem në 7 shenjtorët që besoj ma shumë se tash kam me ju përfaqësue si duhet. S’ka me i fye kush ma ato male siç i kanë fye”, shkruan Koçeku.


Raportohet e zhdukur një vajzë në Lipjan

18 June 2026 at 10:14


Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një vajzë është raportuar e zhdukur në Lipjan.

Rasti është raportuar të mërkurën, në ora 14:00.

“Lipjan 17.06.2026 - 14:00. Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se vajza e tij femër kosovare para dy ditësh ka dalë nga shtëpia dhe deri tani nuk dihet vendndodhja e saj”, thuhet në raport. /Telegrafi/

Gazi amerikan, çfarë thonë nga Oda Ekonomike Amerikane dhe Oda Ekonomike e Kosovës?

18 June 2026 at 08:06


Gazi amerikan është bërë një nga temat më të diskutuara në Kosovë gjatë periudhës së fundit, derisa debati ka të bëjë me mundësinë e përfshirjes së Kosovës në projektin e gazit të lëngshëm natyror (LNG) të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Përkrahësit e këtij projekti, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe Oda Ekonomike e Kosovës një ditë më parë kanë lëshuar komunikata lidhur me këtë çështje, duke thënë se furnizimi me gaz amerikan do të rriste sigurinë energjetike, do të zvogëlonte varësinë nga importi i energjisë elektrike dhe do të krijonte mundësi të reja për zhvillim ekonomik.

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë të mërkurën përmes një komunikate për media ka shprehur shqetësimin e saj serioz lidhur me siç theksojnë mungesën e vazhdueshme të konsideratës nga ana e Qeverisë në detyrë të Republikës së Kosovës për thirrjet e përsëritura të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të mbështetur përfshirjen e Kosovës në infrastrukturën dhe rrjetin e furnizimit me gaz të lëngshëm natyror (LNG).

OEAK thekson se në një kohë kur Kosova vazhdon të mbetet tejmase e varur nga kapacitetet e vjetruara gjeneruese, importet e mëdha të energjisë elektrike dhe një treg rajonal energjetik gjithnjë e më i paqëndrueshëm, qasja në gazin e lëngshëm amerikan përfaqëson jo vetëm një mundësi energjetike, por edhe një zgjedhje strategjike.


“Diversifikimi i burimeve të energjisë, rritja e sigurisë së furnizimit dhe forcimi i konkurrueshmërisë ekonomike duhet të mbeten ndër prioritetet kombëtare të Kosovës.

Veçanërisht shqetësues është fakti se të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor kanë shprehur zotimin e tyre për t’u bërë pjesë e infrastrukturës rajonale të LNG-së, e cila po zhvillohet me mbështetje të fuqishme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kosova rrezikon të mbetet jashtë një kornize strategjike rajonale që po përcakton gjithnjë e më shumë të ardhmen e sigurisë energjetike dhe zhvillimit ekonomik në Evropën Juglindore”, thuhet në reagim.

Oda Amerikane vlerëson se partneriteti strategjik i Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbetet një nga asetet më të rëndësishme kombëtare të vendit.

“Shpërfillja e vazhdueshme e qëndrimeve dhe prioriteteve strategjike të aleatit më të afërt të Kosovës bart rrezikun e ndikimit në cilësinë dhe thellësinë e këtij partneriteti me kalimin e kohës.

Prandaj, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë i bënë thirrje institucioneve të Kosovës që të rivlerësojnë me kujdes implikimet afatgjata strategjike, ekonomike dhe gjeopolitike të qëndrimit jashtë nismave rajonale për LNG-në dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për këtë çështje me rëndësi të veçantë”, thuhet ndër të tjera në reagim.

Lidhur me projektin e gazit amerikan, po të mërkurën kanë reaguar edhe Oda Ekonomike të Kosovës.

OEK ka bërë thirrje për veprime urgjente nga institucionet e Kosovës për përfshirjen e vendit në projektet rajonale të gazit natyror, duke e cilësuar këtë si të domosdoshme për sigurinë energjetike dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Oda paralajmëron se refuzimi ose mosangazhimi në projektet e gazit amerikan mund të ndikojë negativisht në partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe në pozicionimin e Kosovës në zhvillimet energjetike rajonale.

“Vendet e Ballkanit Perëndimor po avancojnë shpejt në zhvillimin e infrastrukturës së gazit dhe lidhjeve me burime alternative furnizimi, përfshirë projektet LNG me mbështetje ndërkombëtare. Mungesa e Kosovës në këto iniciativa e vendos vendin në disavantazh ekonomik dhe kufizon mundësitë për investime të reja strategjike”, thuhet në reagimin e OEK.

Në këtë drejtim, Oda Ekonomike e Kosovës i bën thirrje institucioneve që të intensifikojnë dialogun me partnerët rajonalë dhe ndërkombëtarë, për të siguruar përfshirjen aktive të Kosovës në projektet energjetike të së ardhmes.

OEK rikujton se ka kërkuar edhe më herët veprime urgjente në këtë drejtim, duke theksuar se diversifikimi i burimeve të energjisë dhe zhvillimi i infrastrukturës së gazit janë thelbësore për sigurinë e furnizimit dhe rritjen ekonomike të vendit. /Telegrafi/

Moti në Shqipëri

18 June 2026 at 07:23


Shqipëria të enjten do të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme.

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën të ditur se moti parashikohet i kthjellët në të gjithë territorin përjashtuar vranësirat e pakta kalimtare kryesisht në orët e mesditës dhe ato të pasdites në relievet malore në lindje.

Era do të fryjë me drejtim verilindje - veriperëndim me shpejtësi mesatare 8 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe zonat luginore era me shpejtësi deri në 17 m/s.

Deti - Valëzimi në detet Adriatik dhe Jon i forcës 2-3 ballë. /Telegrafi/




Mot me diell, temperaturat deri në 29 gradë

18 June 2026 at 07:15


Instituti Hidrometeorologjik bën të ditur se sot në Kosovë do të mbajë mot me diell dhe pjesërisht i vranët.

IHK njofton se kushtet atmosferike do të jenë më të qëndrueshme, me probabilitet të ulët për reshje.

Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 11–14 gradë Celsius, ndërkaq ato maksimale nga 26 deri në 29 gradë.

Era do të fryjë nga verilindja, 1–4 m/s. /Telegrafi/

Yesterday — 17 June 2026Telegrafi

Miliona euro cash në fuçi 50 litërshe, dalin detaje nga rrjeti i trafikut të kokainës

17 June 2026 at 13:18


Komunikimet në SKY ECC të anëtarëve të rrjetit kriminal të trafikut të kokainës, të goditur të martën nga SPAK, kanë nxjerrë në dritë për hetuesit mënyra të pazakonta të fshehjes së parave cash.

Burime pranë SPAK, konfirmuan për A2 CNN se në një bisedë të gushtit 2020 mes vëllezërve I.A e Sh.A Aliu, i pari i thotë se ka në gjendje 6 milionë euro cash.

Disa ditë më vonë Sh.A i thotë se do të ketë në vijim edhe 20 milionë të tjera, ndërsa e orienton për mënyra të fshehjes së parave cash, përfshi groposjen e tyre, të futura në fuçi 50 litroshe.

SPAK ka ngritur dyshime se I.A ka marrë të paktën 30 milionë euro nga vëllai i tij Sh.A, i njohur dhe si Salvadore, të cilat i ka investuar në fushën e ndërtimit.

Ndalohen tre persona për keqpërdorim detyre – në mesin e tyre një noter

17 June 2026 at 11:47


Prokuroria Themelore në Ferizaj ka bërë të ditur se ka ndaluar tre persona, të cilët dyshohen për keqpërdorim të detyrës, ndërkaq në mesin e të arrestuar është edhe një noter nga Vitia.

Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Ferizaj dhe në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj për kontroll dhe sekuestrim te përkohshëm të shtëpive dhe lokaleve përcjellëse, sot, ka realizuar një urdhër kontroll, ku me ç’rast me vendim të Prokurorit të Shtetit të Departamentit të Krimeve të Rënda, janë ndaluar tre persona të dyshuar në kohëzgjatje prej 48-orësh.

Të dyshuarit janë A.S noter - komuna e Vitisë, I.M Prishtinë dhe F.N, komuna e Dragashit, nën dyshimin e veprave penale “Legalizimi i përmbajtjes së pa vërtetë në bashkëkryerje”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“Ndalimi i tre të pandehurve në këtë rast është bërë si rezultat i vazhdimit të hetimeve që ndërlidhet me rastin paraprak, ku më herët nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, u ndaluan edhe pesë persona të tjerë, për shkak të dyshimit të keqpërdorimit të detyrës zyrtare”, thuhet në njoftim.

Prokuroria Themelore në Ferizaj njofton se ndaj të pandehurve në këtë çështje penale, do të vazhdoj tutje me procedurat dhe veprimet e nevojshme ligjore. /Telegrafi/

U largua nga PS-ja, Koçeku i drejtohet Bajrajve të Shkodrës: Nëse familjes sime i preket një qime floku, do t’ju shkatërroj

17 June 2026 at 11:39


Ish deputetja e Partisë Socialiste, Marjana Koçeku e cila ditë më parë braktisi këtë parti ka lënë të nënkuptohet se familja e saj është kërcënuar.

Koçeku këtë e ka paralajmëruar përmes një postimi në Facebook.


“Ky mesazh i drejtohet Bajrajve të Shkodrës. Nëse familjes teme i preket kjoftë edhe nji qime floku, unë s’kam me lanë pa ju shkatërrue, sa ta kem jetën”, thuhet në postim.

Ndryshe, ditë më parë deputetja ka braktisur Partinë Socialiste, gjersa ka njoftuar se do të jetë deputete e pavarur.

“Prej sot jam deputete e pamvarun. Idealet e vlerat e mia janë ato që i kam pasë e i kam shprehë qysh para se me u asociu me nji parti. Ato m’i diftojne kufijtë”, kishte shkruar Koçeku para disa dite. /Telegrafi/


MINTI publikon çmimet e derivateve, nafta më lirë për dy cent

17 June 2026 at 11:25


Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka publikuar çmimet maksimale të lejuara të derivateve të naftës për datën 17 qershor 2026.

Referuar vendimit të MINTI-it, sot çmimi i naftës është 1.47 euro për litër, që në krahasim të martën është dy cent më lirë.

Çmimi i benzinës për sot është 1.39 për litër, i njëjtë me të martën, gjersa edhe çmimi i gazit mbetet i njëjtë me ditën paraprake, 0.67 euro për litër.


Çmimet e MINTI-t hyjnë në fuqi çdo ditë në ora 10:00 dhe vlejnë 24 orë. /Telegrafi/



Statistikat për thëngjillin, 20 për qind më shumë prodhuar në prill të 2026-së se në të njëjtin muaj në vitin paraprak

17 June 2026 at 11:16


Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) publikoi statistikat e energjisë për muajin prill 2026 me të dhëna për prodhimin dhe konsumin e thëngjillit, prodhimin dhe konsumin e energjisë, importin dhe eksportin e energjisë, si dhe importin dhe eksportin e energjentëve të tjerë.

Referuar këtyre statistikave del që është prodhuar më shumë thëngjill në prill 2026, sesa në prill 2025.

“Prodhimi i thëngjillit për muajin prill 2026 ishte 826 993 mijë ton, që paraqet një rritje prej 20,70 % krahasuar me muajin e njëjtë të vitit të kaluar”, bëhet e ditur nga të dhënat e ASK-së.

Agjencia më tej ka njoftuar edhe lidhur me konsumin e energjisë elektrike.

Sipas ASK-së, konsumi i energjisë elektrike ishte 460 66 GWh ose 5,58 % më i madh, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak, kurse energjia elektrike bruto në dispozicion ishte 567 64 GWh ose (-0.07 %) më e ulët krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak.

Pjesëmarrja e energjisë elektrike alternative në kuadër të konsumit të përgjithshëm ishte 16,36 %.

Importi i energjisë elektrike në prill të vitit 2026 ishte 335,29 GWh, kurse eksporti i energjisë elektrike në të njëjtën periudhë ishte 203, 27 GWh (këtu është e përfshirë edhe sasia e transmisionit). /Telegrafi/


Profesor Osman Grabovci shpallet ‘Qytetar Nderi i Pejës’ – një nderim për një jetë të tërë në shërbim të fjalës, kulturës dhe lirisë

17 June 2026 at 11:01


Në manifestimin qendror për shënimin e 27-vjetorit të Çlirimit të Pejës nga okupatori serb, një nga momentet më prekëse dhe më domethënëse ishte shpallja e titujve të nderit për personalitete të dalluara të këtij qyteti.

Në këtë mes, profesor Osman Grabovci u dekorua me titullin më të lartë komunal “Qytetar Nderi i Pejës”.

Nën patronatin e kryetarit të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri dhe në praninë e personaliteteve të shumta nga jeta institucionale, kulturore dhe shoqërore, ky vlerësim u dha si mirënjohje për kontributin e jashtëzakonshëm që profesor. Osman Grabovci ka dhënë ndër dekada për arsimin, kulturën, gazetarinë dhe çështjen kombëtare.

Titullin profesor Osman Grabovcit iu nda nga kryetari i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri dhe kryesuesi i Kuvendit Komunal të Pejës, Rexhep Kurtbogaj, shkruan Njëshi.com

Emri i Osman Grabovcit është i gdhendur thellë në kujtesën dhe historinë e Pejës. Profesor i letërsisë, edukator i brezave të tërë, ai i kushtoi jetën fjalës së shkruar dhe dijes, duke mbjellë te nxënësit dashurinë për gjuhën, kulturën dhe identitetin kombëtar.

Kontributi i tij nuk u ndal vetëm në auditoret e shkollave. Ai ishte redaktor i Radio Pejës deri në kohën e okupimit, kur regjimi serb godiste çdo zë të lirë shqiptar, për të kaluar në vitet 90-të, në sektorin privat, si pjesë e Shtypshkronjës shqipe të kohës ‘Dukagjini’ i Ekrem Lukës.

Më pas, në Liri, si kryeredaktor shumëvjeçar i RTV Dukagjinit, ai u shndërrua në një prej figurave më të respektuara të gazetarisë dhe medias, duke mbrojtur me profesionalizëm, guxim dhe integritet të vërtetën dhe interesin publik.

Por rruga e tij nuk ishte e lehtë. Për bindjet e tij kombëtare dhe veprimtarinë intelektuale, Prof. Grabovci u përndoq, gjatë regjimit, u burgos dhe u përballë me represionin brutal. Ai mbeti i pathyeshëm, duke dëshmuar se idealet nuk mund të mbyllen pas grilave dhe se fjala e lirë është më e fortë se çdo regjim.

Sot, kur Peja feston lirinë, nderimi për Prof. Osman Grabovcin merr një domethënie të veçantë. Ky titull nuk është vetëm një dekoratë. Është mirënjohja e një qyteti të tërë për një njeri që i shërbeu me dinjitet, mençuri dhe sakrificë. Është një homazh i gjallë për intelektualin, gazetarin, profesorin dhe atdhetarin që mbeti gjithmonë në anën e së vërtetës.

Shpallja e tij “Qytetar Nderi i Pejës” është një akt respekti ndaj një jete të ndërtuar mbi vlera, përkushtim dhe dashuri të pakushtëzuar për qytetin dhe kombin.

Manifestimi solemn është përcjellë me program artistik nga Orkestra e Dukagjinit nga Fakulteti i Arteve i Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë. /Njeshi&RADIO 1/

Numërohen 215 nga 223 kuti votimi me fletëvotime nga votimi me postë, fillon numërimi i votave me kusht

17 June 2026 at 09:49


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar procesi i numërimit të fletëvotimeve që i takojnë votimit jashtë Kosovës, përkatësisht votimit përmes postës, për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

Nga fillimi i këtij procesi (e premte, 12 qershor, ora 21:00) dhe deri më tani (e mërkurë, 17 qershor, ora 09:00) janë numëruar 215 nga 223 kuti votimi (96.41%), në të cilat janë vendosur zarfet me fletëvotime pas aprovimit të tyre nga shërbimi votues i KQZ-së.

Në proces të numërimit do të përfshihen 8 kutitë e mbetura dhe kësisoj do të përmbyllet numërimi i të gjitha fletëvotimeve që i takojnë këtij lloj votimi.

Ndërkaq, të mërkurën në mëngjes ka filluar numërimi i fletëvotimeve nga votimi me kusht, i cili është mundësuar në 52 vendvotime me kusht, ku janë evidentuar 8,751 votues. Po ashtu, ka filluar edhe numërimi i fletëvotimeve nga votimi i personave me nevoja të veçanta, i realizuar jashtë vendvotimeve, ku për këtë lloj votimi kanë qenë të regjistruar 3,144 votues.

Informacione shtesë:

Votimi përmes postës është mundësuar nga 21 maj deri më 6 qershor 2026, ndërsa numri i shtetasve të Kosovës të regjistruar për të votuar përmes postës ishte rreth 105 mijë. Të dielën (14 qershor), KQZ ka përmbyllur procesin e vlerësimit të 85,790 pako të supozuara me fletëvotime, prej të cilave janë aprovuar 82,809, ndërkaq janë refuzuar 2,981.

Votimi me kusht është zhvilluar të dielën, më 7 qershor, në 38 Qendra të Votimit, nga një për çdo komunë, me gjithsej 52 vendvotime.

Gjithashtu, edhe votimi i personave me nevoja të veçanta është zhvilluar të dielën, më 7 qershor, por ky lloj votimi është mundësuar jashtë vendvotimeve, në adresa të caktuara të votuesve të regjistruar dhe të evidentua për të votuar përmes ekipeve lëvizëse. /Telegrafi/

Shpërthimet në oborrin e një shtëpie në Prizren, dëmtohet një veturë dhe fasada e shtëpisë

17 June 2026 at 09:39


Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me dy shpërthime që kanë ndodhur në Prizren.

Rasti ka ndodhur në rrugën “Brigada 128” në Prizren, më 16.06.2026-03:15.

“Raportohet se si pasojë e dy shpërthimeve janë dëmtuar një veturë dhe fasada e një shtëpie pronë e dy viktimave meshkuj kosovarë”, thuhet në raport.

Në vendngjarje kanë dalë njësitet përkatëse.

Policia nuk raporton për të lënduar, ndërsa rasti po hetohet. /Telegrafi/

Vrasje në tentativë në Prishtinë, policia gjen 7 gëzhoja

17 June 2026 at 09:26


Një rast i vrasjes në tentativë ka ndodhur të martën në orët e mbrëmjes në Prishtinë.

Policia njofton se viktima ka pësuar lëndime trupore nga arma e zjarrit dhe i njëjti është dërguar për tretman mjekësor në QKUK, ndërkaq në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar 7 gëzhoja.

“Prishtinë 16.06.2026-23:21. Raportohet se të dyshuar të panjohur kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të veturës së viktimës mashkull kosovar. Si pasojë, viktima ka pësuar lëndime trupore nga arma e zjarrit dhe i njëjti është dërguar për tretman mjekësor në QKUK”, thuhet në raport.

Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar 7 gëzhoja.

Me urdhër të prokurorit është bastisur shtëpia e një të dyshuari ku janë gjetur dhe konfiskuar një armë e gjatë me një karikator me 13 fishekë.

Policia njofton se rasti është duke u hetuar. /Telegrafi/

Vrasje në tentativë në Prishtinë

17 June 2026 at 09:21


Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast të vrasjes në tentativë në Prishtinë.

Rasti ka ndodhur më 16 qershor, në ora 01:27.

“Viktima mashkull kosovar, ka njoftuar se i dyshuari mashkull kosovar, kishte shtënë me armë zjarri një herë në drejtim të tij”, thuhet në raport.

Në vendin e ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar një gëzhojë dhe një predhë.

Policia njofton se është kontrolluar vendbanimi i të dyshuarit, ku është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë.

I dyshuari gjendet në arrati. Rasti është duke u hetuar. /Telegrafi/

Gjenerali Eric Wendt konfirmohet Ambasador i SHBA-së në Shqipëri

17 June 2026 at 09:13


Ambasadori Eric Wendt është konfirmuar nga Senati i SHBA-së me 51 vota pro dhe 47 kundër, duke marrë miratimin përfundimtar për detyrën e tij diplomatike.

Votimi në seancë plenare vjen pas miratimit të mëhershëm në komisionin përkatës të Senatit, ku kandidatura e tij mori mbështetjen e shumicës së anëtarëve.

Më herët, kandidatura e tij kishte marrë mbështetjen e Komiteti për Marrëdhëniet me Jashtë i Senatit Amerikan me votim 19-3, duke hapur rrugën për miratimin përfundimtar në seancën plenare të Senatit.

Me këtë votim, procedura e konfirmimit përfundon dhe pritet që ambasadori të marrë detyrën në ditët në vijim, sipas afateve të përcaktuara nga administrata amerikane, raporton euroenews.al.

Kush është Wendt?

Wendt ka një karrierë të gjatë mbi tri dekada në ushtri dhe në struktura ndërkombëtare të sigurisë.

Ai është oficer i pensionuar i Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara me mbi 34 vjet shërbim.

Wendt ka shërbyer si komandant i Komandës së Operacioneve Speciale të NATO-s, si dhe ka mbajtur poste kyç në Lindjen e Mesme dhe rajonin e Paqësorit.

Gjatë karrierës së tij, Wendt ka qenë koordinator i Sigurisë i SHBA-së për Autoritetin Izraelito-Palestinez në periudhën 2017–2019, si dhe shef i Shtabit në Komandën e Paqësorit të SHBA-së.

Wendt është diplomuar në Universitetin e Kalifornisë në Santa Barbara dhe ka përfunduar studimet pasuniversitare në fushën e sigurisë kombëtare në Shkollën Pasuniversitare

Rama në Berlin: Një “dimër demografik” po kërcënon të ardhmen e afërt të Evropës

17 June 2026 at 08:28


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ishte i ftuar nderi në Konferencën Vjetore të Komisionit të Bllokut Lindor në Berlin, një platformë e sipërmarrjes gjermane, që mbledh ekspertë të sigurisë, ekonomisë e inovacionit, si edhe përfaqësues të Bundestagut, Kancelarisë e trupit diplomatik.

Në fjalimin e mbajtur Rama tha se lufta është rikthyer në Evropë dhe konkurrenca strategjike është bërë globale, ndërsa teknologjia po transformon jo vetëm ekonomitë dhe sistemet politike, por edhe mënyrën se si shoqëritë lidhen me njëra-tjetrën, raporton euronews.al.

Ai nënvizoi gjithashtu se rënia demografike po riformëson rajone të tëra, ndërsa një “dimër demografik” po kërcënon të ardhmen e afërt të Evropës.

“Jam piktori më i madh mes kryeministrash. Ballkani perëndimor është një rajon i tërë i rrethuar nga Bashkimi Evropian, fizikisht i dizajnuar në zëmër të Evropës, por i përjashtuar nga portreti i Evropës”, tha Rama mes të tjerash në fjalën e tij.


Moti në Shqipëri, temperaturat deri në 34 gradë

17 June 2026 at 07:33


Shqipëria të mërkurën do të ndikohet nga kushte atmosferike relativisht të qëndrueshme.

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën të ditur se moti parashikohet i kthjellët ndërsa vranësirat mesatare e lokalisht të dendura në male, në orët e mesditës deri pasdite.

Nga orët e mesditës deri pasdite në relievet malore në juglindje e jug reshje shiu të dobëta dhe afatshkurtra. Në mënyrë të izoluar dhe relievet e larta malore reshjet në formën e shtrëngatave të izoluara.

Era do të fryjë me drejtim juglindje - jugperëndim me shpejtësi mesatare 8 m/s.

Deti - Valëzimi në detet Adriatik dhe Jon i forcës 1-3 ballë. /Telegrafi/




❌
❌