Albumi ikonë i Oasis, “(What’s the Story) Morning Glory?”, ka kaluar zyrtarisht “Sgt. Pepper’s Lonely Hearts Club Band” të “The Beatles” në renditjen e albumeve më të suksesshme të të gjitha kohërave në Britaninë e Madhe, sipas BBC.
Sipas listës së publikuar nga “Official Charts Company”, me rastin e 70-vjetorit të klasifikimit javor të albumeve në Britani, albumi i vitit 1995 i vëllezërve Gallagher është ngjitur në vendin e tretë, ndërsa kryevepra e “The Beatles” e vitit 1967 ka zbritur në vendin e pestë.
Albumi “(What’s the Story) Morning Glory?”, i cili përmban këngë të njohura si “Wonderwall”, “Don’t Look Back in Anger”, “Champagne Supernova” dhe “Some Might Say”, ka grumbulluar 6.2 milionë njësi në Mbretërinë e Bashkuar, duke përfshirë shitjet fizike, ato digjitale dhe dëgjimet në platformat e transmetimit.
Interesi për muzikën e “Oasis” u rrit ndjeshëm pas ribashkimit të grupit dhe turneut botëror të vitit 2025, ku repertori u mbështet kryesisht te këngët e këtij albumi. Kjo ndikoi në rikthimin e tij në krye të klasifikimeve dhe në rritjen e dëgjimeve në platformat muzikore.
Në krye të renditjes historike vazhdon të mbetet albumi “Greatest Hits” i “Queen”, ndërsa vendin e dytë e mban “Gold” i “ABBA”. Albumi “21” i Adele renditet i katërti, duke u pozicionuar mes “Oasis” dhe “The Beatles”.
Kur u publikua në tetor të vitit 1995, “(What’s the Story) Morning Glory?” mori vlerësime të ndryshme nga kritika muzikore britanike, por me kalimin e viteve u shndërrua në një nga albumet më të rëndësishme të rock-ut britanik. Ai fitoi çmimin për Albumin Britanik të Vitit në ceremoninë “Brit Awards 1996 “dhe vazhdon të konsiderohet një nga veprat më të suksesshme në historinë e muzikës.
Përfaqësuesit e “Official Charts Company” e përshkruan albumin si një vepër që, edhe pas tre dekadash, vazhdon të bashkojë breza të ndryshëm, të mbushë stadiume dhe të mbetet pjesë e rëndësishme e kulturës muzikore britanike./Atsh/KultPlus.com
Qeveria e Kosovës ka miratuar në mbledhjen e së premtes përbërjen e parë të Këshillit Kombëtar të Arteve, duke funksionalizuar një organ të rëndësishëm për zhvillimin e politikave në fushën e artit dhe kulturës.
Kabineti qeveritar ka aprovuar propozimin e Ministrisë së Kulturës, duke emëruar 11 anëtarë që do të përfaqësojnë fusha të ndryshme të artit, kulturës, institucioneve akademike dhe industrive kreative.
Përbërja e Këshillit është:
Yll Rugova – arte pamore; Baki Jashari – muzikë klasike dhe operë; Visare Aliu – teatër; Afrim Spahiu – film dhe audiovizual; Ardianë Pajaziti – letërsi dhe libër; Visar Munishi – këngë dhe valle folklorike; Aulona Nuhiu – balet dhe vallëzim modern; Alberta Troni – institucione akademike dhe kërkimore në art dhe kulturë; Arif Muharremi – sektori i pavarur kulturor; Artnet Haskuka – dizajn, arkitekturë dhe industri kreative; Visar Haxhibeqiri – përfaqësues i administratës së Ministrisë së Kulturës.
Pas miratimit të vendimit, ministrja e Kulturës, Saranda Bogujevci, e cilësoi këtë si një moment të rëndësishëm për reformimin e sektorit kulturor.
“Sot, në mbledhjen e Qeverisë, u miratua përbërja e parë e Këshillit Kombëtar të Arteve, një hap i rëndësishëm në zbatimin e reformës në fushën e artit dhe kulturës. Këshilli do të përbëhet nga profesionistë të dëshmuar nga fusha të ndryshme të artit dhe kulturës, të cilët do të kontribuojnë në zhvillimin e politikave kulturore dhe avancimin e jetës artistike në vend”, ka shkruar Bogujevci.
Ajo shtoi se krijimi i këtij organi shënon një etapë të re në ndërtimin e një sistemi kulturor më profesional, transparent dhe gjithëpërfshirës.
“Ky është një moment i rëndësishëm për ndërtimin e një sistemi kulturor më profesional, më transparent dhe më gjithëpërfshirës, në shërbim të artistëve, institucioneve kulturore dhe qytetarëve”, theksoi ministrja.
Këshilli Kombëtar i Arteve pritet të ketë rol këshillëdhënës në hartimin e politikave kulturore dhe në çështje që lidhen me zhvillimin e artit dhe kulturës në Kosovë, duke u konsideruar një prej mekanizmave kyç të reformës në këtë sektor./KultPlus.com
Bashkimi Evropian ka gjobitur gjigantin teknologjik Google me 890 milionë euro (rreth 1 miliard dollarë), duke e akuzuar për shkelje të rregullave të konkurrencës dhe të Aktit të Tregjeve Dixhitale (Digital Markets Act – DMA).
Sipas Komisionit Evropian, kompania ka favorizuar produktet dhe shërbimet e veta në Google Play dhe në motorin e kërkimit Google, duke orientuar përdoruesit drejt ofertave të saj dhe duke dëmtuar konkurrencën në tregun digjital.
Autoritetet evropiane vlerësojnë se këto praktika kanë kufizuar mundësitë e konkurrentëve dhe kanë cenuar të drejtën e konsumatorëve për të zgjedhur lirshëm shërbimet dhe aplikacionet.
Vendimi përfaqëson një tjetër përplasje mes Brukselit dhe kompanive të mëdha teknologjike, pasi Google kishte dështuar më herët edhe në apelimin e një gjobe tjetër prej 4.5 miliardë dollarësh, të vendosur për abuzim me pozitën dominuese të sistemit operativ Android.
Nënkryetarja e Komisionit Evropian për tranzicionin e pastër, të drejtë dhe konkurrues, Teresa Ribera, deklaroi se produktet duhet të konkurrojnë mbi bazën e cilësisë dhe jo falë kontrollit që një kompani ushtron mbi platformat digjitale.
Ajo theksoi gjithashtu se zhvilluesit e aplikacioneve duhet të kenë të drejtën t’i drejtojnë përdoruesit drejt ofertave më të favorshme, pa u penguar nga operatorët e platformave.
Nga ana tjetër, presidenti për çështjet globale në Google, Kent Walker, e kritikoi vendimin, duke argumentuar se masa do të ndikojë negativisht te përdoruesit dhe bizneset evropiane.
Sipas tij, rregulloret e BE-së e detyrojnë kompaninë të kufizojë disa funksione të kërkimit dhe të Google Play, përfshirë informacionin e menjëhershëm mbi çmimet dhe disponueshmërinë e hoteleve, fluturimeve dhe restoranteve, si edhe disa mekanizma të sigurisë së platformës.
Çështja zhvillohet në një periudhë tensionesh më të mëdha mes Bashkimit Evropian dhe kompanive të mëdha teknologjike. BE-ja i klasifikon kompani si Amazon, Apple, Alphabet (Google), Meta, Microsoft dhe ByteDance si “rojtarë” digjitalë, duke u kërkuar atyre të respektojnë rregulla më të rrepta për të garantuar konkurrencë të ndershme dhe zgjedhje më të mëdha për konsumatorët./KultPlus.com
Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha ka marrë një vlerësim të veçantë nga YouTube, i cili i ka kushtuar një postim në llogarinë e tij zyrtare në Instagram për debutimin e saj në Tomorrowland, një nga festivalet më të mëdha dhe më prestigjioze të muzikës elektronike në botë.
Platforma e videove e cilësoi paraqitjen e artistes si një moment historik, duke theksuar se Rexha është artistja e parë amerikane e muzikës pop që debuton në skenën e këtij festivali, i cili mbahet çdo vit në Belgjikë.
“Duke bërë histori në Belgjikë. Bebe Rexha bëhet ylli i parë amerikan i muzikës pop që debuton në Tomorrowland. Ndiqni premierën botërore LIVE në transmetimin e Freedom Stage”, shkruhet në postimin e YouTube.
Ky vlerësim pasqyron edhe bashkëpunimin e vazhdueshëm mes platformës dhe artistes, kanali zyrtar i së cilës në YouTube numëron miliarda shikime dhe renditet ndër më të ndjekurit në mesin e artistëve shqiptaro-amerikanë.
Bebe Rexha pritet të ngjitet në skenën e Tomorrowland, ku do të performojë para mijëra adhuruesve të muzikës elektronike nga e gjithë bota, duke shënuar një tjetër moment të rëndësishëm në karrierën e saj ndërkombëtare.
Artistja po kalon një periudhë të suksesshme edhe si artiste e pavarur. Vetëm një muaj më parë ajo publikoi albumin “Dirty Blonde”, projektin e saj të parë pas përfundimit të bashkëpunimit me Warner Records, duke dëshmuar se vazhdon të jetë një nga emrat më të spikatur të muzikës pop në skenën globale./KultPlus.com
Letërsia ishte kryefjalë e natës së parë të edicionit të ri të Za Fest, i cili nisi në oborrin e Muzeut Historik të Shkodrës. Të ftuara të mbrëmjes ishin dy emra të njohur të artit të fjalës, Mimoza Ahmeti dhe Rita Petro, të cilat ndanë me publikun reflektime mbi poezinë, rolin e saj dhe zhvillimet që e kanë shoqëruar ndër vite.
“Unë mendoj që muzika dhe letërsia ose poezia ecin bashkë. Poezia si forma më subtile e mendimit që e hap poret e gjuhës edhe e thyen rrethin dhe muzika si gjuha pa fjalë”, u shpreh poetja Mimoza Ahmeti.
“Është një jubile i jashtëzakonshëm sepse unë mendoj që festivalet dhe sidomos kur krijojnë traditë krijojnë një komunitet tjetër. Ne jemi gjithë kohën në internet, gjithë kohën shikojmë se çfarë ndodh dhe ndjejmë vetmi, festivalit bashkon është si një sofër e madhe”, tha shkrimtarja Rita Petro.
Më herët, për të pranishmit u shfaq edhe një dokumentar kushtuar rrugëtimit të Za Fest ndër vite, që nga edicioni i parë i zhvilluar në Theth. Kjo natë u mbyll nën tingujt e muzikës së artistes Linda Rukaj, e cila solli një atmosferë të veçantë për publikun.
“Za Fest” shënon këtë vit edicionin e dhjetë, ndërsa dy netët e tjera të festivalit do të zhvillohen në kalanë e Rozafës./Rtsh/KultPlus.com
Shqipëria regjistroi 9 166 350 hyrje të shtetasve shqiptarë dhe të huaj gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, ose 6,6% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, gjatë periudhës janar-qershor në vend hynë 5 059 069 shtetas të huaj, duke shënuar një rritje prej 6,2%, ndërsa hyrjet e shtetasve shqiptarë arritën në 4 107 281, me një rritje prej 7,1%.
Vetëm gjatë muajit qershor, në territor hynë 2 081 649 shtetas shqiptarë dhe të huaj, ose 0,9% më shumë se në qershor 2025. Prej tyre, 1 346 279 ishin shtetas të huaj, me një rritje vjetore prej 1,3%, ndërsa 735 370 ishin shtetas shqiptarë.
INSTAT bën të ditur se gjatë qershorit nga Shqipëria dolën 2 008 987 shtetas shqiptarë dhe të huaj, ose 4,7% më shumë krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Sipas rajoneve të origjinës, pjesa më e madhe e vizitorëve të huaj vijon të vijë nga Evropa. Evropa Jugore përbën 66% të hyrjeve europiane, ndërsa Evropa Qendrore dhe Lindore zë 14%.
Të dhënat tregojnë gjithashtu se 98% e shtetasve të huaj kanë hyrë në Shqipëri për qëllime personale, tregues që është rritur me 1,6% krahasuar me qershorin e vitit 2025. Ndërkohë, hyrjet për qëllime biznesi dhe profesionale kanë shënuar një rënie prej 17,7%./atsh/KultPlus.com
Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës është miratuar përbërja e parë e Këshillit Kombëtar të Arteve, një organ që synon të mbështesë zbatimin e reformës në sektorin e artit dhe kulturës.
Lajmin e bëri të ditur ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Saranda Bogujevci, e cila theksoi se Këshilli do të përbëhet nga profesionistë të fushave të ndryshme të artit dhe kulturës. Sipas saj, anëtarët do të kontribuojnë në hartimin e politikave kulturore dhe në zhvillimin e jetës artistike në vend.
Bogujevci e cilësoi këtë vendim si një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një sistemi kulturor më profesional, më transparent dhe më gjithëpërfshirës, në shërbim të artistëve, institucioneve kulturore dhe qytetarëve./KultPlus.com
Kanioni i Kirit, vetëm 13 kilometra larg Shkodrës është një nga mrekullitë natyrore më të bukura të qytetit në veri të vendit.
Rreth 8 kilometra i gjatë, ky kanion fillon nga Ura e Shenjtë dhe përfundon në Prekal, ndërsa përgjatë tij gjenden shkëmbinj të mëdhenj, vaska natyrore, pellgje me ujë të kristalë dhe gjire.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga kanioni i Kirit, që tashmë është kthyer në një destinacion të preferuar për turistë të shumtë vendas, dhe të huaj.
Me relievin e veçantë, luginën piktoreske dhe ujërat e kthjellëta që gjarpërojnë mes shkëmbinjve, kanionet e Kirit përfaqësojnë një atraksion natyror që po fiton gjithnjë e më shumë vëmendjen e turistëve.
Ndërthurja harmonike e maleve, gjelbërimit dhe ujit krijon një peizazh unik, duke e kthyer zonën në një destinacion të preferuar për adhuruesit e natyrës dhe turizmit të aventurës.
Për të gjithë ata që janë në kërkim të një aventure mes ujit të kristaltë, natyrës së egër dhe pamjeve fantastike, kanioni i Kirit është destinacioni që nuk duhet humbur./atsh/KultPlus.com
Më 24 korrik 1904 lindi Delmer Daves, një nga skenaristët, regjisorët dhe producentët më të njohur të kinemasë amerikane, i cili la gjurmë të veçanta në zhanrin e filmave western.
I lindur në San Francisko, Daves u diplomua në Universitetin Stanford dhe karrierën në industrinë e filmit e nisi si aktor dhe skenarist. Më pas ai u përqendrua në regji, duke realizuar një sërë filmash që u vlerësuan nga kritika dhe publiku.
Ai u bë veçanërisht i njohur për filmat “Broken Arrow” (1950), “The Last Wagon” (1956), “3:10 to Yuma” (1957) dhe “The Hanging Tree” (1959), të cilët konsiderohen ndër veprat më të rëndësishme të zhanrit western.
Gjatë karrierës së tij, Daves punoi me emra të njohur të kinemasë si Humphrey Bogart, Gary Cooper, James Stewart, Glenn Ford dhe Richard Widmark, ndërsa kontribuoi edhe në afirmimin e aktorëve të rinj si Charles Bronson, Ernest Borgnine dhe George C. Scott.
Pas problemeve shëndetësore në fund të viteve 1950, ai iu përkushtua realizimit të filmave të xhiruar kryesisht në studio. Një nga sukseset më të mëdha komerciale të kësaj periudhe ishte filmi “A Summer Place” (1959).
Delmer Daves u nda nga jeta më 17 gusht 1977, në moshën 73-vjeçare, duke mbetur një nga regjisorët më të vlerësuar të kinemasë klasike amerikane./KultPlus.com
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit prezantuan sistemin “eArkiva”, një platformë e zhvilluar nga AKSHI nën mbikëqyrjen e DPA-së, për menaxhimin dhe digjitalizimin e dokumentacionit zyrtar.
Përdoruesit e parë të këtij sistemi do të jenë ministritë dhe institucione të tjera shtetërore, ndërsa më tej, eArkiva do të funksionojë në gjithë administratën shtetërore. Ky sistem zhvillohet në kuadër të procesit të digjitalizimit të arkivave publike.
eArkiva u prezantua nga drejtori i përgjithshëm i DPA-së, Auron Rrokaj, dhe zëvendësdrejtoresha e përgjithshme e AKSHI-t, Romina Kostani.
Rrokaj nënvizoi ndryshimet epokale në dhjetëvjeçarin e fundit, falë përkujdesjes së qeverisë shqiptare për punën me dokumentet, duke sjellë në rastin e eArkiva shembullin konkret të programit të Qeverisë, si një hap strategjik drejt digjitalizimit, shërbimeve elektronike dhe realizimit të vizionit të Shqipërisë pa letra.
Rrokaj e cilësoi sistemin eArkiva një produkt shumë cilësor dhe modern. Gjithashtu, bëri të ditur se projekti pilot do të nisë së shpejti në disa ministri, ndërsa nga janari 2027 procesi i digjitalizimit do të shtrihet në të gjithë administratën publike.
Në fjalën e saj, Romina Kostani, theksoi se digjitalizimi i arkivave nuk është thjesht kalimi i dokumenteve në format elektronik, por një transformim i mënyrës se si shteti administron informacionin. Ajo nënvizoi se, falë Inteligjencës Artificiale, dokumentet bëhen të kërkueshme, të analizueshme dhe të përdorshme për vendimmarrje më të shpejtë dhe më efikase.
eArkiva është konceptuar si një zgjidhje e centralizuar, ajo është një platformë inteligjente për menaxhimin elektronik të dokumenteve, që mbulon të gjithë ciklin e tyre të jetës – nga skanimi dhe verifikimi deri te arkivimi afatgjatë në formatin PDF/A.
Me integrimin e OCR dhe Inteligjencës Artificiale, sistemi automatizon përpunimin e dokumenteve, duke reduktuar ndjeshëm kohën, kostot dhe proceset manuale të administrimit, një nga objektivat kryesore të Qeverisë shqiptare në modernizimin e administratës publike dhe të shërbimeve të saj ndaj qytetarëve./atsh/KultPlus.com
Shqipëria mori pjesë në Sesionin e 48-të të Komitetit të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, zhvilluar në Busan, Republika e Koresë, ku prezantoi progresin e arritur në mbrojtjen dhe menaxhimin e pasurive të trashëgimisë botërore.
Në këtë forum, i cili mblodhi mbi 3 mijë delegatë dhe ekspertë nga 196 Shtete Palë të Konventës së Trashëgimisë Botërore, u diskutuan politikat dhe masat për ruajtjen e pasurive kulturore dhe natyrore me Vlerë Universale të Jashtëzakonshme.
Gjatë punimeve, delegacioni shqiptar prezantoi masat e ndërmarra për Parkun Kombëtar të Butrintit, ku Komiteti vlerësoi pozitivisht dokumentet teknike dhe strategjike, bashkëpunimin me komunitetin lokal dhe angazhimin për një menaxhim të qëndrueshëm sipas standardeve të UNESCO-s.
Vlerësim mori edhe puna për Qendrat Historike të Beratit dhe Gjirokastrës, me përparimin në Planin e Integruar të Menaxhimit, koordinimin institucional dhe masat për ruajtjen afatgjatë të këtyre pasurive.
Një tjetër çështje e rëndësishme ishte Rajoni i Liqenit të Ohrit, ku Shqipëria prezantoi masat për mbrojtjen e kësaj pasurie ndërkufitare, përfshirë shpalljen e Gadishullit të Linit si Ansambël Arkitektonik Urban, forcimin e kuadrit ligjor dhe bashkëpunimin me Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe UNESCO-n.
Pjesëmarrja në këtë sesion, sipas Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, riafirmon angazhimin e vendit për zbatimin e standardeve të UNESCO-s, forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore e natyrore për brezat e ardhshëm./atsh/KultPlus.com
Më 24 korrik 1857 lindi Henrik Pontoppidan, një nga shkrimtarët më të rëndësishëm danezë dhe fitues i Çmimit Nobel për Letërsi.
I lindur në Fredericia të Danimarkës, Pontoppidan u bë i njohur për romanet, novelat dhe dramat e tij, në të cilat trajtoi problemet shoqërore, politike dhe fetare të kohës. Në veprat e tij ai pasqyroi konfliktin mes idealeve dhe realitetit të jetës së përditshme, duke u shquar për stilin realist dhe analizën e thellë të shoqërisë.
Në vitin 1917, Henrik Pontoppidan u nderua me Çmimin Nobel për Letërsi, të cilin e ndau me shkrimtarin danez Karl Adolph Gjellerup, si vlerësim për kontributin e tij në letërsinë botërore.
Pontoppidan u nda nga jeta më 21 gusht 1943, në Ordrup, pranë Kopenhagenit, duke lënë pas një trashëgimi të rëndësishme në letërsinë daneze dhe evropiane./KultPlus.com
Kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci informoi sot se Muzeu i Drishtit në Postribë është gati të presë vizitorë.
Muzeu i Drishtit iu nënshtrua një rikonstruksioni të plotë si edhe muzealizimit. Në një postim në rrjetet sociale, Beci e cilësoi këtë muze si, një prej dëshmive më të vyera të historisë së kësaj zone, që i jep jetë një hapësire që ruan, promovon dhe rrëfen trashëgiminë tonë kulturore.
“Muzeu i Drishtit është një vlerë për komunitetin dhe identitetin e zonës, por edhe një destinacion i ri kulturor që pasuron ofertën historike e turistike të Bashkisë Shkodër, duke ftuar vizitorët të zbulojnë një tjetër copëz të historisë sonë”, u shpreh kryebashkiaku Beci.
Muzeu gjendet në Kalanë e Drishtit, rreth 15 km nga qyteti i Shkodrës. Kjo është ndër të paktat kala në Shqipëri në të cilat ende banohet. Në një lartësi rreth 800 m mbi nivelin e detit, në ambientet e brendshme të saj ndodhen disa shtëpi banimi. Kalaja e Drishtit është ngritur në shekullin XIII si një fortesë bizantine dhe mban statusin Monument Kulture që prej 1948-s.
Gjendet në një distancë prej 6 km nga Ura e Mesit mbi lumin Kir, një tjetër monument kulture tepër i njohur dhe i frekuentuar. Si Kalaja e Drishtit ashtu dhe Ura e Mesit përfshihen në territorin e njësisë administrative të Postribës në Shkodër./atsh/KultPlus.com
Maratona artistike “Festa e Këngës” solli atmosferë festive në Gjirokastër.
Aktiviteti artistik u zhvillua në zemër të qendrës historike të qytetit, një prej pasurive më të çmuara të trashëgimisë kulturore shqiptare. Sheshi i Çerçizit u shndërrua në një skenë të madhe të muzikës popullore, ku qindra qytetarë dhe vizitorë ndoqën interpretimet e disa prej emrave më të njohur të skenës shqiptare.
“Festa e Këngës” mblodhi në Gjirokastër këngëtarët: Irma dhe Eranda Libohova, Eli Fara, Vaskë Curi, Silva Gurabardhi, grupin “Ali Pasha”, e shumë të tjerë.
Programi artistik ndërthuri këngët e njohura të folklorit me krijime të reja, duke promovuar vlerat e muzikës shqiptare dhe duke krijuar një urë komunikimi mes artistëve të afirmuar dhe brezit të ri të këngëtarëve.
“Festa e Këngës” është konceptuar si një maratonë kombëtare që synon të çojë muzikën dhe artin pranë publikut në qytete të ndryshme të vendit, duke promovuar trashëgiminë kulturore, identitetin kombëtar dhe turizmin kulturor gjatë sezonit veror.
Përpara Gjirokastrës, aktiviteti u zhvillua në Elbasan, ndërkohë që do të vijojë në Maliq, Ersekë, Durrës, Kavajë, Lushnjë, Fier, Vlorë dhe Shkodër. Organizatorët synojnë jo vetëm të ofrojnë argëtim për publikun, por edhe të mbështesin ruajtjen dhe promovimin e muzikës popullore shqiptare, duke e sjellë atë në hapësira publike dhe qytete me histori e tradita të pasura kulturore./atsh/KultPlus.com
Riviera Shqiptare është renditur mes destinacioneve më të preferuara të Evropës për pushime verore, të cilat vlerësohen për përvojat autentike larg mbipopullimit turistik, shkruan Aine Diaz në median spanjolle “La Sexta”.
Artikulli thekson se, megjithëse Evropa përfshin disa nga destinacionet më të vizituara në botë, kontinenti ka ende vende që mbeten të paeksploruara, pavarësisht potencialit të tyre të madh turistik.
Për turistët që dëshirojnë të shmangin fluksin e madh të vizitorëve dhe të zbulojnë vende të reja, media spanjolle rekomandon destinacione që ruajnë ende autenticitetin dhe vijojnë të surprizojnë vizitorët me bukuritë natyrore dhe kulturore.
Në këtë listë përfshihen Riviera Shqiptare, Gadishulli i Peljesacit në Kroaci, Bregdeti Slloven, Ishujt Azore në Portugali dhe Bregdeti Jurasik i Britanisë së Madhe, që vlerësohen si alternativa ideale për pushime verore, larg destinacioneve tradicionale të mbipopulluara.
Për Shqipërinë, artikulli thekson se bregdeti shqiptar është, ndoshta, destinacioni më autentik i Mesdheut gjatë sezonit veror.
Sipas medias spanjolle, Shqipëria ka qenë për shumë vite një vend i izoluar, por pas hapjes së saj ndaj botës, gjithnjë e më shumë turistë kanë zbuluar potencialin e jashtëzakonshëm turistik të Rivierës Shqiptare.
Artikulli vlerëson plazhet me ujëra të kristalta në ngjyrë bruz – të cilat, janë shumë të ngjashme ne plazhet e ishujve grekë – si dhe fshatrat karakteristikë bregdetarë, rrugët panoramike dhe gastronominë vendase, e cilësuar si një ndërthurje e traditës kulinare shqiptare me ndikime greke dhe kroate.
Një tjetër element që veçohet është raporti cilësi-çmim.
Edhe pse çmimet kanë shënuar rritje vitet e fundit, ato mbeten ende dukshëm më të ulëta krahasuar me destinacionet fqinje, si Greqia dhe Kroacia./atsh/KultPlus.com
Ka artistë që interpretojnë këngë, e ka artistë që krijojnë përjetime. Në mbrëmjen ‘Coldplay Tribute’, të konceptuar dhe organizuar nga vetë Shpat Deda, publiku u mblodh për të përjetuar një mbrëmje dedikuar këngëve ndaj një prej grupeve më të dashura të muzikës alternative, Coldplay. Në një hapësirë të hapur, nën qiellin e verës dhe mes një publiku që kishte ardhur me dëshirën për të kënduar, koncerti nuk u ndje si një performancë klasike. Ai mori formën e një takimi mes njerëzve që ndajnë të njëjtën dashuri për muzikën. Nuk kishte rëndësi mosha apo historia personale e secilit; për disa orë, të gjithë u bashkuan nga këngët e një grupi që ka shoqëruar breza të tërë. Në skenë u ngjitën Shpat Deda në vokal dhe kitarë, Visar Kuçi në bas kitarë, Tomor Kuçi në kitarë elektrike, Viola Rrecaj në tastierë dhe Granit Havolli në tupana. Harmonia mes muzikantëve ishte e dukshme që në interpretimet e para, ndërsa secili prej tyre solli një pjesë të identitetit të vet artistik pa e humbur frymën karakteristike të Coldplay.
Mbrëmja nisi me “Don’t Panic”, për të vazhduar me “Politik”, “God Put a Smile Upon Your Face”, “High Speed”, “Clocks”, “In My Place”, “Trouble”, “Green Eyes”, “Spies”, “Shiver”, “Sparks”, “The Scientist”, ndërsa kulmi emocional erdhi me “Yellow”, këngë që u këndua pothuajse në kor nga publiku. Nga ritmet energjike deri te baladat intime, repertori krijoi një atmosferë që lëvizte vazhdimisht mes nostalgjisë dhe entuziazmit. Në shumë momente dukej sikur nuk kishte më ndarje mes skenës dhe publikut; zërat bashkoheshin në çdo refren, ndërsa duartrokitjet shoqëronin çdo interpretim.
Pas koncertit, në një intervistë për KultPlus, Shpat Deda tregoi se ideja nuk lindi thjesht nga dëshira për të interpretuar këngët e Coldplay, por nga nevoja për të krijuar një koncept të ri koncertesh verore në Prishtinë, ku muzika të bëhej arsye për t’i bashkuar njerëzit.
“Janë disa arsye pse kam filluar këtë seri. Ky është koncerti i parë i tribute-koncerteve. Tribute koncertet janë mbrëmje ku zgjedhim repertorin e një bendi të huaj dhe mundohemi ta interpretojmë sa më besnikërisht, ashtu siç është krijuar fillimisht. Dëshira për ta nisur këtë projekt lindi muajin e kaluar, pikërisht këtu, në të njëjtin vend ku mbajta koncertin tim. M’u dha mundësia të organizoj evente të ndryshme në këtë hapësirë, gjetëm një gjuhë të përbashkët dhe vendosëm ta realizojmë këtë ide. Janë tri arsye pse e kam nisur këtë seri. E para, kam dashur të krijoj mbrëmje ku njerëzit të ndërtojnë kujtime të bukura dhe të përjetojnë muzikën në natyrë. Të kenë një arsye të marrin një shtrojë, të ulen në bar, ta shijojnë verën, motin e mirë dhe ambientin. Kam dashur të krijoj një lloj tradite të këtyre eventeve për njerëzit e qytetit tim, Prishtinës. Arsyeja e dytë është se kjo më mundëson të bëj muzikë me sa më shumë muzikantë të skenës sonë. Çdo event do të ketë një përbërje tjetër të bendit, kështu që kam dashur t’i krijoj vetes hapësirë për të bashkëpunuar me më shumë artistë dhe për të bërë më shumë muzikë së bashku. Ky është koncerti i parë dhe gjatë çdo muaji të verës do të ketë nga një koncert të tillë. Njëkohësisht, kjo më mban në kontakt me publikun tim përmes muzikës, por pa u bërë i përsëritshëm, duke sjellë vazhdimisht repertor të ri,’’ u shpreh Deda.
Kjo iniciativë nuk synon vetëm të rikthejë në skenë repertorë të njohur ndërkombëtarë. Përmes saj, Shpat Deda dëshiron të krijojë një kulturë të re koncertesh, ku çdo mbrëmje të ketë identitetin e saj, një histori të re dhe bashkëpunime të ndryshme muzikore. Në këtë mënyrë, publiku nuk rikthehet vetëm për emrin që interpretohet, por edhe për përvojën që ndërtohet rreth tij.
Për ta sjellë një koncert të tillë para publikut është dashur një periudhë intensive përgatitjesh. Repertori i Coldplay kërkon përkushtim të madh, jo vetëm në interpretim, por edhe në ndërtimin e harmonisë mes instrumenteve. Pikërisht për këtë arsye, puna me bendin ishte një nga elementët më të rëndësishëm të këtij projekti.
“Ka qenë një bashkëpunim shumë i mirë. Ne jemi miq dhe njëkohësisht jemi fansa të Coldplay. Kjo është muzikë që na pëlqen të gjithëve, i kemi mësuar këngët dhe kemi pasur kënaqësinë t’i interpretojmë para njerëzve që gjithashtu e duan këtë muzikë. Procesi i provave ka qenë shumë i bukur dhe ka zgjatur rreth një muaj. Nuk ka qenë i lehtë, sidomos për shkak të akordimeve të ndryshme që kërkon ky repertor, por nuk mund ta quaj vështirësi, sepse të gjithë muzikantët ishin profesionistë dhe secili e bëri punën e vet shumë mirë,’’ tha Deda.
Në skenë, kjo punë u reflektua natyrshëm. Muzikantët komunikonin me njëri-tjetrin me lehtësi, ndërsa çdo këngë ruante ekuilibrin mes besnikërisë ndaj origjinalit dhe interpretimit të tyre artistik. Pa e kopjuar Coldplay-in, ata sollën një version që mbante gjallë emocionin e repertorit, por njëkohësisht kishte identitetin e vet. Edhe pse mbrëmja ishte konceptuar si një mbrëmje kushtuar muzikës së Coldplay, nuk munguan momentet kur publiku kërkoi të dëgjonte edhe këngët origjinale të Shpat Dedës. Ishte një reagim i natyrshëm ndaj një artisti, repertori i të cilit tashmë ka krijuar një lidhje të fortë me dëgjuesit. Megjithatë, për Shpat Dedën ishte e rëndësishme që koncepti i mbrëmjes të mbetej i pandryshuar, duke i qëndruar besnik idesë me të cilën ishte ndërtuar ky projekt që nga fillimi.
“Po, refuzova, sepse këngët e mia i interpretoj me një bend tjetër dhe ky nuk ishte formacioni me të cilin i performoj ato. Nuk kam qejf t’i këndoj këngët e mia kur nuk ndihem plotësisht komod në skenë. Kjo natë ishte e dedikuar për Coldplay dhe kam dashur të mbetet e tillë nga fillimi deri në fund,’’ u shpreh Deda.
Ky vendim dëshmoi respektin e artistit jo vetëm ndaj publikut, por edhe ndaj vetë konceptit të koncertit. Duke mos e ndërthurur repertorin e tij me atë të grupit britanik, ai ruajti identitetin e mbrëmjes, duke i lejuar publikut ta përjetonte koncertin si një homazh të plotë ndaj Coldplay. Ishte një zgjedhje artistike që i dha koherencë gjithë programit dhe e bëri secilin interpretim pjesë të së njëjtës histori muzikore. Ndonëse koncerti ishte shtyrë një herë për shkak të kushteve atmosferike, kjo nuk ndikoi aspak në interesimin e publikut. Përkundrazi, hapësira u mbush me adhurues të muzikës, të cilët dëshmuan se dëshira për të qenë pjesë e kësaj mbrëmjeje kishte mbetur e njëjtë.
“Me të tregu të drejtën, nuk e kam pritur të vijnë kaq shumë njerëz, sidomos sepse koncertin e shtymë një herë për shkak të reshjeve atmosferike. Megjithatë, sonte kanë qenë mbi një mijë persona dhe kjo më ka bërë jashtëzakonisht të lumtur. Jam shumë i kënaqur me mënyrën se si e priti publiku këtë ide,’’ tha Deda.
Prania e mbi një mijë pjesëmarrësve konfirmoi se iniciativa kishte gjetur menjëherë mbështetjen e publikut. Njerëz të moshave të ndryshme u bënë pjesë e së njëjtës atmosferë, duke kënduar çdo varg dhe duke e kthyer koncertin në një përjetim kolektiv. Në shumë momente, zërat e publikut ishin po aq të fuqishëm sa ata që vinin nga skena, duke krijuar një dialog të vazhdueshëm mes artistëve dhe të pranishmëve.
Kur tingujt e “Yellow” shënuan fundin e repertorit, askush nuk u ngut të largohej. Duartrokitjet vazhduan gjatë, ndërsa shumë prej të pranishmëve vijuan ta këndonin refrenin edhe pasi instrumentet kishin pushuar. Ishte një fund që nuk i ngjante mbylljes së një koncerti, por përmbylljes së një mbrëmjeje ku muzika kishte krijuar një ndjenjë të përbashkët mes njerëzve.
Koncerti i parë i serisë Tribute dëshmoi se ideja e Shpat Dedës shkon përtej interpretimit të këngëve të një artisti apo grupi të njohur. Ajo synon të krijojë një hapësirë ku publiku mblidhet rreth muzikës, ku bashkëpunimet mes muzikantëve marrin forma të reja dhe ku çdo mbrëmje ndërton identitetin e saj. Nëse nata kushtuar Coldplay ishte një tregues i asaj që pritet në vazhdim, atëherë kjo seri koncertesh ka potencialin të kthehet në një nga traditat më të veçanta të verës në Prishtinë, duke i dhënë qytetit jo vetëm koncerte, por kujtime që vazhdojnë të jetojnë edhe pasi tingulli i notës së fundit është shuar./KultPlus.com
Boksieri i famshëm shqiptar, Ardian Krasniqi, i cili është kampion WBO Intercontinental dhe kampion i sapokurorëzuar i Evropës në versionin WBA, është nënshkruar në Librin e Artë të qytetit Rottweil, pas takimit që pati me kryetarin e bashkisë, Christian Ruf.
Për boksierin 29-vjeçar, i cili ka fituar të 13 ndeshjet e tij profesionale, 12 prej tyre me nokaut, ishte një moment i rëndësishëm për karrierën e tij.
“Nënshkrimi në Librin e Artë të qytetit do të thotë jashtëzakonisht shumë për mua. Është një nder i madh. Kam lindur dhe jam rritur në Rottweil. Këtu i njoh të gjitha rrugët dhe këtu kam festuar sukseset më të mëdha të karrierës sime. Do të jem gjithmonë besnik ndaj Rottweil-it dhe do ta përfaqësoj qytetin tim me krenari kudo në botë”, ka thënë ylli shqiptar.
Kryebashkiaku Dr. Christian Ruf vlerësoi arritjet e kampionit shqiptar, duke theksuar se qyteti është krenar që ka një sportist të tillë si ambasador të tij.
Ceremonia kishte edhe një simbolikë të veçantë për familjen Krasniqi. Më 18 shkurt 2004, edhe xhaxhai i Ardianit, ish-kampioni i njohur Luan Krasniqi, kishte nënshkruar në Librin e Artë të Rottweil-it pasi fitoi titullin e kampionit evropian ndaj turkut Sinan Şamil Sam. Pas 22 vjetësh, Ardiani vazhdoi traditën e familjes me një tjetër sukses të madh në arenën ndërkombëtare.
Rottweil, qyteti më i vjetër i landit Baden-Württemberg, njihet për traditën e tij sportive, ndërsa familja Krasniqi prej vitesh ka qenë një nga emrat që e ka promovuar atë në skenën ndërkombëtare të boksit./Rtk/KultPlus.com
Jennifer Garner është rikthyer në setin e xhirimeve për ribërjen e komedisë romantike të njohur “13 Going on 30”, projekt i ri i platformës Netflix.
Aktorja 54-vjeçare u shfaq elegante me një fustan me motive lulesh gjatë xhirimeve të para në Santa Monica, Kaliforni, ndërsa në këtë projekt do të jetë e përfshirë edhe si producente ekzekutive.
Në sheshxhirim, Garner u shoqërua nga aktoret Judy Greer dhe Emily Bader. Filmi i ri vjen më shumë se dy dekada pas versionit origjinal të vitit 2004, ku Garner dhe Greer luajtën rolet e Jenna Rink dhe Lucy Wyman.
Filmi i parë, me regji nga Gary Winick, u shndërrua në një nga komeditë romantike më të dashura të viteve 2000, duke arkëtuar rreth 96 milionë dollarë në mbarë botën, me një buxhet prej 37 milionë dollarësh.
Ende nuk është bërë e ditur nëse Garner dhe Greer do të rikthehen në rolet e tyre ikonike si punonjëse rivale të revistës Poise, apo nëse do të kenë role të reja në historinë e versionit të ri.
Ribërja do të drejtohet nga Brett Haley, ndërsa ngjarja këtë herë pritet të zhvillohet në vitin 2009, ndryshe nga filmi origjinal që rikthehej në vitin 1987.
Në kastin e ri janë përfshirë emra si Adeline Rudolph, Logan Lerman, Jessica Alba, Taylor Ortega, Tim Meadows dhe Dan Bucatinsky, ndërsa filmi i vitit 2004 kishte në përbërje edhe Mark Ruffalo, Andy Serkis, Brie Larson, Ashley Benson, Jim Gaffigan dhe Kathy Baker.
Regjisori Brett Haley e ka cilësuar “13 Going on 30” si një film të veçantë, qesharak dhe emocional, duke theksuar se përfshirja e Jennifer Garner në këtë projekt i jep ribërjes një rëndësi të veçantë./KultPlus.com